Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Letër nga Trupi Udhëheqës

Letër nga Trupi Udhëheqës

Letër nga Trupi Udhëheqës

Të dashur Dëshmitarë të Jehovait,

Apostulli Pavël shfrytëzonte çdo rast për t’u shprehur bashkëbesimtarëve dashurinë dhe çmueshmërinë e tij. Ja ç’u shkroi të krishterëve në Romë: «Falënderoj Perëndinë tim nëpërmjet Jezu Krishtit për të gjithë ju, sepse për besimin tuaj flitet në mbarë botën.» (Rom. 1:8) Po, ata të krishterë njiheshin anembanë Perandorisë Romake për besimin e tyre të fortë dhe për zellin në predikim. (1 Sel. 1:8) Prandaj nuk habitemi që Pavli kishte kaq shumë përzemërsi për vëllezërit e tij.

Ashtu si Pavli, edhe ne falënderojmë Jehovain sa herë që ju mendojmë. Ju duam shumë të gjithëve! Madje mund të jeni të sigurt se edhe Jehovai e do secilin prej jush. Disa nga ju po hasin kundërshtim të ashpër, por ama po vazhdoni të predikoni. Sa shumë ia gëzojnë zemrën Jehovait guximi dhe trimëria që shfaqni!—Prov. 27:11.

Teksa lexoni me kujdes dhe meditoni për pjesën «Vepra të Dëshmitarëve të Jehovait në kohët e sotme», në këtë botim të Librit vjetor që na ngjall emocione e na forcon besimin, do të shihni prova të shumta se Zotëria Jezu Krisht ‘po del fitimtar për të plotësuar fitoren e tij’ dhe se çdo armë e sajuar kundër dishepujve të Krishtit, nuk do të ketë sukses.—Zbul. 6:2; Isa. 54:17.

Të krishterëve në Filipi, Pavli u shkroi: «E falënderoj gjithmonë Perëndinë tim, . . . për kontributin që keni dhënë për përhapjen e lajmit të mirë.» (Filip. 1:3-5) Ne anëtarët e Trupit Udhëheqës ndihemi njësoj për ju. Gjatë vitit të shërbimit 2007, 6.691.790 lajmëtarë kaluan gjithsej 1.431.761.554 orë duke predikuar lajmin e mirë në 236 vende përreth tokës. Ç’ndihmesë të madhe po jepni për përhapjen e lajmit të mirë! Mendoni për qindra mijë jetët që janë prekur nga përpjekjet tona të bashkuara, gjithçka për lavdi të Jehovait!

Në një rast tjetër, Pavli tregoi se kishte shumë empati për vëllezërit. U shkroi atyre në Selanik: «Mbajmë në mend vazhdimisht . . . qëndrueshmërinë tuaj falë shpresës që keni në Zotërinë tonë Jezu Krisht, para Perëndisë dhe Atit tonë.» (1 Sel. 1:2, 3) Po, jeta nuk është e lehtë. Probleme do të lindin, por është jetësore të qëndrojmë të patundur. Çfarë problemesh po hasni personalisht? A jeni të mërzitur sepse një sëmundje e rëndë ju ka kufizuar shumë në shërbim të Jehovait? A mos vallë bashkëshorti juaj i dashur ka rënë viktimë e armikut më të pangopur, Sheolit? (Prov. 30:15, 16) A ju duket se po kërkoni pa rezultat një bashkëshort që të ketë të njëjtën dashuri si ju për Jehovain, ndërkohë që i qëndroni besnikë këshillës biblike për t’u martuar vetëm në Zotërinë? (1 Kor. 7:39) A po përpiqeni të rritni fëmijët në kushte ekonomike jashtëzakonisht të vështira? Në cilëndo situatë, nëse mbani në vend të parë interesat e Mbretërisë, mund të jeni të sigurt se Jehovai nuk ‘do të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij’. Ju lutemi, vëllezër e motra, mos ‘u dorëzoni duke bërë atë që është e shkëlqyer’!—Hebr. 6:10; Gal. 6:9.

Ç’do t’ju ndihmojë të qëndroni? Ashtu si selanikasit, do t’ju ndihmojë ‘shpresa në Zotërinë Jezu Krisht’. Me arsye të vlefshme, më vonë Pavli e krahasoi «shpresën e shpëtimit» me një përkrenare të fortë që e mbron një të krishterë nga mendimet negative dhe nga dyshimet që e mundojnë.—1 Sel. 5:8.

Në fakt, duke qëndruar me gëzim, po i jepni përgjigje sfidës së Satanait në çështjen kryesore të sovranitetit universal. Satanai pretendon se shërbëtorët e Jehovait e kanë në gjak egoizmin dhe se, ndonëse mund të jenë dakord t’i shërbejnë për njëfarë kohe Perëndisë, do të ngadalësohen në adhurim po të shtohen sprovat ose po të vazhdojë ky sistem më shumë nga ç’e pritnin. Ju keni privilegjin ta demaskoni Djallin si gënjeshtar të ndyrë! Çdo ditë që kalon, ju sjell më pranë plotësimit të shpresës suaj.

Njësoj si Pavli që i shfrytëzonte rastet për t’i lavdëruar vëllezërit për besimin e tyre të fortë, për ndihmesën bujare në veprën e predikimit dhe për qëndrueshmërinë, edhe ne po shfrytëzojmë këtë rast që t’ju lavdërojmë e t’ju shprehim edhe një herë dashurinë që kemi për ju. Vazhdojeni punën e mirë që po bëni!

Urojmë që ky vit të jetë plot me bekime nga Perëndia! Ju urojmë gjithë të mirat!

Vëllezërit tuaj,

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait