Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

NGJARJET e vitit të kaluar japin prova të mëtejshme se po jetojmë thellë në «ditët e fundit», të cilat në Fjalën e Perëndisë përshkruhen si «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Gjithsesi, ndërsa ditët e fundit sa vijnë e bëhen më të vështira, po del në pah gjithnjë e më tepër se Jehovai po i bekon shërbëtorët e tij besnikë anembanë tokës. Ndonëse Dëshmitarët e Jehovait mund të përballen me katastrofa natyrore, krime, dhunë, sëmundje, depresion, plakje, kundërshtim ose apati, me forcën që marrin nga Jehovai ata vazhdojnë ‘të vrapojnë me qëndrueshmëri në garën që u është vënë përpara’.—Hebr. 12:1.

«FESË SË RREME PO I VJEN FUNDI!»

Gjatë muajve tetor e nëntor 2006, Dëshmitarët e Jehovait në mbarë tokën e rritën veprimtarinë e predikimit për të shpërndarë fletushkën Lajmërim i Mbretërisë Nr. 37: «Fesë së rreme po i vjen fundi!» Ç’reagime ngjalli ky mesazh i fuqishëm?

«Ishte shumë i goditur!»—tha një burrë nga Suedia, të cilin e mundonte hipokrizia e fesë së rreme. Ashtu si ai, shumë nisën të studionin Biblën pasi morën fletushkën Lajmërim i Mbretërisë.

Nepal

Në Katmandu, Dila i dha fletushkën Lajmërim i Mbretërisë një burri që shkonte në kishë, por të cilin dy muaj më parë e kishte lënë e shoqja ngaqë kishte probleme me alkoolin. Kur Dila me të shoqin, Budën, u kthyen për të folur për fletushkën, burri u tregoi se nuk i pëlqente sjellja e disa anëtarëve të kishës. U tha se ajo që po dëgjonte nga Dëshmitarët e Jehovait, ishte shumë ndryshe nga gjërat që kishte dëgjuar në kishë. Vëllai i tregoi Zbulesën 18:2-4 dhe theksoi se është e rëndësishme të dalim nga «Babilonia e Madhe». Në vizitën e tretë, nisën të studionin mësimin 13 të broshurës Çfarë kërkon? Në vizitën e pestë, takuan gruan e tij, e cila ishte rikthyer në shtëpi. Ajo i njihte Dëshmitarët e Jehovait dhe e pëlqente mesazhin e tyre. Në vizitën e shtatë, të dy morën pjesë në studim. Gruaja tha: «Tani im shoq nuk pi më.»

Brazil

Pasi mori fletushkën Lajmërim i Mbretërisë, shoferi i një motori-taksi i bëri më tej reklamë duke e ngjitur në pjesën e pasme të xhupit për disa ditë. Kështu, donin s’donin, pasagjerët e lexonin faqen e parë të fletushkës gjatë rrugës.

Dy motra në Brazil iu afruan një shtëpie, por u habitën kur panë këtë tabelë: «Hyni po deshët, por s’do të dilni gjallë që këtu.» Të frikësuara, ato pyetën dy vëllezër ç’të bënin. Vëllezërit vendosën të shkonin vetë te shtëpia. Pasi iu lutën për drejtim Jehovait, vëllezërit përplasën duart për të lajmëruar ardhjen e tyre. I zoti i shtëpisë, një polic, e pranoi miqësisht fletushkën. U shpjegoi se po rinovonte shtëpinë dhe në oborrin e pasmë kishte shumë materiale ndërtimi. Prandaj kishte vënë tabelën për të trembur hajdutët. Kur vëllezërit u kthyen, ai pranoi një studim biblik.

Mongoli

Cecegma ishte përpjekur shumë herë t’i predikonte motrës së madhe. Ndonëse ajo kishte shkuar në nja dy mbledhje dhe kishte ndjekur Përkujtimin dy vite me radhë, nuk dukej shumë entuziaste dhe nuk pranonte të studionte Biblën. Por iu zgjua interesi kur pa në shtëpinë e Cecegmës fletushkën Lajmërim i Mbretërisë Nr. 37. Folën për dy orë dhe ajo bëri shumë pyetje, të cilave Cecegma iu përgjigj nga Bibla. E habitur nga ato që dëgjoi, motra e madhe shprehu dëshirën që të mësonte më tepër dhe tani e studion rregullisht Biblën.

Gjeorgji

Dëshmitaret i dhanë fletushkën Lajmërim i Mbretërisë një gruaje që i pyeti nëse ishte material fetar. Pasi i thanë po, gruaja e mori fletushkën dhe u premtoi se do ta lexonte. Kur Dëshmitaret u kthyen, ajo i pyeti nëse Kisha Ortodokse e kishte mashtruar. Ishte e shqetësuar për kushtet botërore dhe për rënien e vlerave morale te të rinjtë. Tha se nuk po gjente dot gjuhën me fëmijët e saj. Dëshmitaret i lexuan 2 Timoteut 3:1-5 dhe ajo pranoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Kur ato po largoheshin, gruaja tha: «Jam e bindur se feja juaj është e vërteta. Për të rinjtë tuaj, s’ke ç’thua për sa i përket veshjes, ndershmërisë dhe normave të larta morale.» Tani gruaja i lexon rregullisht e me kënaqësi revistat tona.

Bangladesh

Rishela 19-vjeçare po shpërndante fletushkën Lajmërim i Mbretërisë Nr. 37 në një territor që s’ishte predikuar më parë. Edhe pse territorin e kishte mjaft larg shtëpisë, Rishela mendonte se duhej të shkonte, pasi kjo ishte një fushatë speciale. Në derën e dytë, takoi dy vajza që thoshin se ishin të krishtere dhe u kishte vdekur i ati dy muaj më parë. «Pse lejoi Zoti të na ndodhte kjo?»—pyetën ato. Rishela iu përgjigj nga Bibla dhe vajzat e pranuan me kënaqësi fletushkën, duke i thënë: «Të ka dërguar Zoti te shtëpia jonë.» Duke kuptuar se ato kishin nevojë të mësonin për Perëndinë, Rishela u ofroi një studim biblik që ato e pranuan me kënaqësi. Vajzat studiojnë seriozisht dhe kanë shumë pyetje. Rishelës i duhet të bëjë goxha kërkime, por kënaqet pa masë duke u mësuar të vërtetën atyre që janë të etur për të.

Armeni

Elizën, një pioniere të rregullt, e mori në telefon Lilita, një ish-studente biblike. Ajo i tha: «Duhet të anulosh gjithçka ke planifikuar për nesër dhe të vish të më takosh, që të rifillojmë studimin.» Ç’kishte ndodhur? Herën e parë, kur Lilita kishte nisur të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, i shoqi i kishte thënë: «Zgjidh o mua, o Jehovain.» Kështu, ajo e kishte ndërprerë studimin. Tani, dy vjet më vonë, kishte marrë fletushkën Lajmërim i Mbretërisë Nr. 37 tek po shëtiste me fëmijët në park. Kjo ia kishte rizgjuar kaq shumë interesin, sa i kishte thënë me guxim të shoqit: «Ndoshta ty të mjafton të jetosh mirë për nja 50 vjet e pastaj të vdesësh, por mua jo.» Pastaj i kishte premtuar se studimi i Biblës do ta ndihmonte që të mposhtte të metat e karakterit, kështu që ai s’e kundërshtoi më. Tani ajo po studion me lejen e të shoqit, i cili mban fëmijët gjatë studimit.

Kamboxhia

Gjatë fushatës speciale, një misionar me emrin Ueg foli me një mysliman. Pasi lexoi fletushkën, burri pranoi se fetë s’duhet të merren me luftë. Ai ishte shumë i zhgënjyer nga feja e vet, e cila sipas tij kishte lënë emër të keq për shkak të ekstremistëve. Uegu i lexoi Psalmin 46:9, duke i treguar premtimin e Perëndisë për një botë pa luftë. Javën vijuese, Uegu i tregoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Tani ai burrë e vlerëson shumë Biblën dhe e studion rregullisht.

Rusi

«E di se ju keni të vërtetën,—tha një prift ortodoks që pranoi fletushkën nga dy motra,—dhe se Perëndia juaj, Jehovai, do t’i shkatërrojë të gjitha fetë e rreme dhe do të lërë vetëm tuajën.» Pastaj u tha çfarë dinte për shpresën qiellore dhe për parajsën tokësore. Motrat e pyetën pse vazhdonte akoma në fenë e tij, kur e dinte se do të shkatërrohej. «Epo,—ia ktheu ai,—unë e kam punë. Kam tre shtëpi dhe katër makina. S’i lë dot gjithë këto.»

FUSHATA SPECIALE PËR PËRKUJTIMIN

Të hënën, më 2 prill 2007, Dëshmitarët e Jehovait në çdo skaj të tokës lartësuan Perëndinë për dashamirësinë e pamerituar dhe dashurinë e tij, duke mbajtur Darkën e Zotërisë. Para kësaj ngjarjeje të rëndësishme, në mbarë botën u shpërnda një ftesë e veçantë, nga 17 marsi deri më 2 prill. Shumë studentë biblikë dhe fëmijë e përdorën këtë periudhë intensive për të filluar si lajmëtarë.

Shtetet e Bashkuara

Për dy orë, mbrëmjen e Përkujtimit, vëllai që kishte turnin e recepsionit në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork, iu përgjigj telefonatave të shumta nga njerëz që donin të dinin ku të ndiqnin Përkujtimin. Disa telefonata ishin bërë menjëherë pas ftesës për të ndjekur Përkujtimin. Një grua tha: «Sa hyra në shtëpi, gjeta një ftesë për një ngjarje që organizoni ju sonte. Dua të shkoj, por nuk jam e sigurt për orarin.»

Zhaklina 16-vjeçare i dha mësueses një ftesë Përkujtimi dhe i shpjegoi rëndësinë e rastit. Sa u mrekullua ajo kur mësuesja erdhi në Përkujtim! Meqë Përkujtimi po mbahej në një Sallë Asamblesh të Dëshmitarëve të Jehovait, pas programit Zhaklina i tregoi kompleksin. Mësuesja u mahnit nga pastërtia dhe rregulli që pa, po sidomos nga fakti që i gjithë kompleksi ishte ndërtuar dhe mirëmbahej nga vullnetarë. Pasi tha se fjalimi i kishte pëlqyer shumë, ajo pyeti: «Si mund të kem edhe unë një studim biblik, siç tha oratori?» Tërë gëzim, Zhaklina iu përgjigj: «Ja ku më ke!» Zhaklina nisi studim biblik me mësuesen të hënave, pas shkolle.

Afrika e Jugut

Një kongregacion me nëntë lajmëtarë, në një zonë të largët, s’po kuptonte pse morën nga dega vetëm një ftesë Përkujtimi, në vend të 500 copëve që kishin porositur. Më vonë morën vesh se zyra e postës nuk po gjente dot për kë ishte dërguar pakoja, sepse ishte hequr etiketa me adresën. Personeli i postës e kishte hapur pakon për të përcaktuar kush ishte dërguesi ose marrësi. Kur panë ftesat e Përkujtimit, ua mori mendja se ishin për t’u shpërndarë, prandaj vunë nga një ftesë në çdo kuti postare dhe i shpërndarë të gjitha. Vëllezërit e kuptuan situatën kur morën vetëm një ftesë në kutinë postare të kongregacionit dhe jo gjithë pakon. Por, sa u kënaqën nëntë lajmëtarët kur erdhën në Përkujtim 42 veta, shumë prej të cilëve me ftesën që kishin gjetur në kutinë e tyre postare!

Itali

Patricia i dha një ftesë Përkujtimi Gabrielës, studentes së saj biblike, dhe i shpjegoi sa e rëndësishme ishte prania në Përkujtim. Djali 5-vjeçar i Gabrielës, Matia, i cili e kishte dëgjuar me kujdes bisedën, pyeti a mund t’i jepnin edhe atij një ftesë për edukatoren. Një ditë më pas, Matia ia dha ftesën edukatores, i shpjegoi sa i rëndësishëm është Përkujtimi dhe i tha se shpresonte që ajo të vinte. Disa ditë më vonë, në një mbledhje me prindërit, edukatorja i shpjegoi Gabrielës se bindja e Matias i kishte lënë kaq shumë mbresa, saqë kishte vendosur të ndiqte Përkujtimin. Ajo shkoi në Përkujtim bashkë me Gabrielën dhe Matian. E dëgjoi me vëmendje fjalimin dhe i bëri përshtypje sjellja e shkëlqyer e të gjithë fëmijëve. Pas mbledhjes tha se tani e kuptonte pse Përkujtimi ishte i rëndësishëm, siç i kishte thënë Matia. Më vonë Matia i dha edukatores botimin Libri im i tregimeve biblike për të birin, dhe Gabriela me Patrician kanë lënë takim që të bisedojnë më tej me të.

Meksikë

Një plak kongregacioni i predikoi një pastori presbiterian dhe e ftoi në Përkujtim. Ai e pranoi me kënaqësi ftesën dhe, për habinë e plakut, pyeti nëse mund t’i jepte ca ftesa të tjera që t’ua shpërndante famullitarëve. Mbrëmjen e Përkujtimit, vëllezërit u kënaqën kur panë pastorin që erdhi me 40 pjesëtarë të kishës së tij, secili me ftesën e vet për t’ia treguar përcjellësit te dera. Pastori tha se edhe shumë të tjerë donin të vinin, por kishin menduar se nuk lejohej hyrja pa ftesë. Të 11 lajmëtarët e këtij kongregacioni u kënaqën jashtë mase që patën 191 të pranishëm në Përkujtim.

Australi

Një djalë që po studionte Biblën me Dëshmitarët, nisi t’u fliste për studimin të tjerëve në palestrën ku punon. Ndër ta ishte edhe një grua, e cila e pranoi ftesën për të ndjekur Përkujtimin. Në adoleshencë, ajo kishte dëgjuar këngë te një Sallë Mbretërie aty afër dhe kishte pyetur prindërit nëse mund të shkonte, por ata ia kishin ndaluar çdo lidhje me Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, ajo kishte ndjekur disa mbledhje, por i kishte humbur lidhjet kur ishte transferuar diku tjetër bashkë me familjen. Në Përkujtim, e prezantuan me një motër që nisi një studim biblik me të. Ajo filloi të ndiqte mbledhjet e kongregacionit dhe i shoqi nisi të tregonte interes. Ndërkohë, djali që punon në palestër, është kualifikuar si lajmëtar i papagëzuar dhe po synon të pagëzohet.

Kazakistan

Një e interesuar tha se nuk e ndiqte dot Përkujtimin, pasi kishte fëmijë të vegjël. Por, ditën e Përkujtimit, vajza e saj 5-vjeçare u vesh dhe iku vetë në Sallën e Mbretërisë. Kur gruaja pa që e bija nuk ishte në shtëpi, doli ta kërkonte. Ia mori mendja se do të kishte shkuar në Përkujtim dhe, faktikisht, e gjeti në Sallën e Mbretërisë. Meqë ishte atje, vendosi të ulej me të bijën e të dëgjonte me vëmendje oratorin.

THEMELOHET LIGJËRISHT LAJMI I MIRË

Francë

Qysh prej 1996-s, disa autoritete në Francë kanë pretenduar se dega duhet të paguajë taksa për përkrahjen financiare që u jep pjesëtarëve të familjes Bethel në Luvje. Por, më 28 mars 2007, Gjykata Administrative e Parisit vendosi të mos u kërkohen taksa, sepse pjesëtarët e familjes Bethel nuk janë punonjës me pagesë. Gjykata tha se «Dëshmitarët e Jehovait që janë pjesëtarë të përhershëm të Bethelit të Luvjesë, punojnë atje duke u bazuar kryesisht në besnikërinë shpirtërore ndaj komunitetit të tyre». Ky vendim vërteton edhe një herë natyrën fetare të veprimtarive të familjes Bethel dhe është në përputhje me një vendim të ngjashëm që ka marrë një gjykatë e lartë administrative në Brazil.

Në një rast tjetër, bashkia e qytetit të Lionit nuk pranoi t’ua jepte me qira sallën e vet Dëshmitarëve të Jehovait për Përkujtimin. Por më 15 mars 2007, një gjyqtar i gjykatës administrative e urdhëroi bashkinë t’ua jepte sallën. Qyteti apeloi pranë Këshillit të Shtetit, por ky mbështeti vendimin e gjykatës administrative dhe tha se veprimi i bashkisë ishte «një shkelje e rëndë dhe e paligjshme e lirisë së tubimit, e cila është një nga liritë themelore». Gjithashtu, Këshilli i Shtetit e urdhëroi bashkinë e qytetit të paguante faturat ligjore të shoqatës vendëse të Dëshmitarëve të Jehovait.

Pavarësisht nga ky vendim i favorshëm në Lion, Dëshmitarët e Jehovait në Francë vazhdojnë të jenë në shënjestër të kundërshtarëve, të medias dhe të zyrtarëve qeveritarë. Për shembull, në një intervistë të drejtpërdrejtë në vitin 2005, një ish-përfaqësuese e Asamblesë Kombëtare Franceze i akuzoi Dëshmitarët e Jehovait se «janë organizuar si të gjitha grupet e tjera mafioze, sipas modelit të një piramide». Dëshmitarët e Jehovait ngritën padi për këtë shpifje dhe në korrik të vitit 2007, Gjykata e Apelit në Ruan mori vendim pro Dëshmitarëve, duke thënë se «pohimet e ekzagjeruara të [të pandehurës] nuk kishin aspak qëllim të mirë dhe kishin kaluar çdo kufi të të folurit të lirë e të pranueshëm». Qeveria franceze vazhdon të ndjekë me ngulm çështjen e taksës së padrejtë e të paligjshme kundër Shoqatës së Dëshmitarëve të Jehovait. Aktualisht çështja po shqyrtohet nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dhe vëllezërit janë të sigurt se Jehovai po i mbështet.

Uzbekistan

Janë dokumentuar mbi një mijë raste arrestimesh, mbajtjesh në arrest ose sulmesh kundër vëllezërve dhe motrave. Shumica e arrestimeve ndodhën gjatë Përkujtimit në vitet 2005 dhe 2006. Por jemi të kënaqur që në vitin 2007 nuk u raportuan probleme lidhur me Përkujtimin. Megjithatë, ky lehtësim qe jetëshkurtër. Pak më vonë, një vëlla e një motër u arrestuan dhe u shpallën fajtorë për krimin se mësonin për fenë. Vëllanë, i cili është i martuar e me dy fëmijë, e dënuan me dy vjet burg dhe e burgosën menjëherë. Motrën e dënuan me dy vjet punë korrektuese, që do të thotë se qeveria i mban 20 për qind të rrogës si ndëshkim.

Gjeorgji

Më 3 maj 2007, GJEDNJ-ja mori vendim unanim kundër qeverisë së Gjeorgjisë që toleroi dhunën fetare ndaj Dëshmitarëve të Jehovait dhe urdhëroi të kompensohen të dëmtuarit. Nga tetori i 1999-s deri në nëntor të 2002-shit, në këtë vend pati 138 sulme të dhunshme kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Në disa raste, policët ishin atje, por nuk pranuan të ndërhynin për të mbrojtur viktimat. Gjykata përcaktoi se, duke mos ndërhyrë për të mbrojtur Dëshmitarët nga ekstremistët fetarë, qeveria e mëparshme e Gjeorgjisë jo vetëm që shkeli detyrimet e saj nën Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por shkeli edhe lirinë fetare të Dëshmitarëve. Ky vendim i prerë është një mesazh i fuqishëm se liria e fesë nuk mund të shpërfillet dhe se Dëshmitarët e Jehovait duhen mbrojtur edhe përballë kundërshtimit të shumicës.

Eritre

Kanë kaluar pesë vjet që kur qeveria vuri kontroll mbi gjithë grupet e pavarura fetare që nuk vepronin nën mbikëqyrjen e katër besimeve zyrtare, por Dëshmitarët e Jehovait ende përballen me kundërshtime të ashpra. Edhe kur vëllezërit e adhurojnë Perëndinë duke u mbledhur nëpër shtëpi, prapëseprapë i arrestojnë, i torturojnë dhe u bëjnë presion të fortë që të mohojnë besimin. Deri në prill të vitit 2007, 24 Dëshmitarë të Jehovait ishin ende në burg ngaqë ndiqnin mbledhjet, predikonin ose nuk pranonin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Tre Dëshmitarë të burgosur janë nga 60 vjeç e lart, dhjetë po mbahen në kushte tejet të vështira, kurse tre janë në burg që nga viti 1994. Deri tani përpjekjet për t’i ndihmuar vëllezërit tanë s’kanë pasur sukses, por nuk i humbim shpresat se së shpejti ata do të gjejnë lehtësim. Gjithashtu, vazhdojmë t’i drejtohemi Jehovait, i cili i shpengon shërbëtorët e tij «nga shtypja dhe dhuna».—Psal. 72:14.

Andorrë

Vëllezërit nisën të kërkonin njohjen ligjore që në vitin 1973 dhe më në fund iu dha më 14 dhjetor 2006. Në Andorrë ka më shumë se 150 lajmëtarë të Mbretërisë.

Kore

Ka më se 50 vjet që vëllezërit në Korenë e Jugut burgosen kur nuk pranojnë të kryejnë shërbimin ushtarak. Pesë prej tyre kanë vdekur si pasojë e burgimit. Pasi shfrytëzuan çdo lloj mjeti ligjor në Korenë e Jugut, vëllezërit Jun dhe Koi i apeluan dënimet pranë Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Më 3 nëntor 2006, komiteti vendosi që Koreja e Jugut ishte fajtore për shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj Dëshmitarëve dhe urdhëroi që t’i kompensonin. Gjithashtu, komiteti e këshilloi Korenë e Jugut të marrë masa për t’u siguruar se ata që nuk pranojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, nuk do të detyrohen të vendosin mes shkeljes së parimeve të tyre dhe pranimit të dënimit me burg. Mesatarisht, çdo muaj burgosen 70 vëllezër.

Më parë, shumë vëllezër që hasnin këtë situatë, vendosnin të pranonin vendimet e gjykatës për të bërë një vit e gjysmë burg. Por, kohët e fundit, pjesa më e madhe e tyre vendosën t’i apelojnë dënimet, kështu që tani po shqyrtohen me qindra apelime. Si pasojë, qeveria koreane ka njoftuar se ka ndër mend të ofrojë një lloj shërbimi alternativ, nën mbikëqyrjen e autoriteteve civile. Vetëm koha do ta tregojë nëse do të ndodhë kjo. E nëse ndodh, kushedi nëse do të jetë i pranueshëm për ata që i lejon ndërgjegjja të kryejnë një shërbim alternativ.

Argjentinë

Në korrik të vitit 2007, ministri i Drejtësisë dhe i të Drejtave të Njeriut nënshkroi një rezolutë ku pranohet se Daniel Viktor Gualiardoja u dënua padrejtësisht, se s’pranoi të shkonte ushtar, për shkak të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla. Ky vendim mund t’u sjellë dobi të tjerëve që u burgosën padrejtësisht ngaqë s’pranuan shërbimin ushtarak, për shkak të ndërgjegjes.

Armeni

Nëntëmbëdhjetë vëllezër rrezikuan ndjekjen penale kur s’pranuan shërbimin alternativ që faktikisht do t’i detyronte të shkelnin asnjanësinë e krishterë. Më pas, në shtator të vitit 2006, me anë të një letre, zyra e prokurorit të përgjithshëm i informoi vëllezërit se ndjekja penale ishte pushuar. Gjithsesi, qeveria ende s’ka vendosur një program shërbimi alternativ që të krishterët mund ta pranojnë. Kështu, nga mesi i vitit 2007, në burg gjendeshin 71 vëllezër të rinj të dënuar deri në tre vjet.

Vahan Bajatjani është një nga të rinjtë e shumtë Dëshmitarë që është gjykuar e burgosur në këtë mënyrë në Armeni. Pasi e dënuan me një vit e gjysmë burg, prokurori kërkoi dënim më të rëndë, duke pretenduar se kundërshtimi i vëlla Bajatjanit për shkak të ndërgjegjes ishte «pa baza dhe i rrezikshëm». Gjykata e apelit pranoi, duke i shtuar edhe një vit burgim, vendim që u konfirmua edhe nga Gjykata e Lartë. Atëherë vëlla Bajatjani i drejtoi një kërkesë GJEDNJ-së. Kjo gjykatë deklaroi se kërkesa pranohej, duke treguar se është e gatshme ta shqyrtojë çështjen me hollësi. Shpresojmë që ky rast të përfundojë me sukses e të ndihmojë vëlla Bajatjanin, si dhe të tjerë që përballen me të njëjtën situatë.

Azerbajxhan

Ndonëse janë të njohur zyrtarisht në Azerbajxhan, Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë të hasin shumë vështirësi. Për shembull, më 24 dhjetor 2006, mbi 200 vëllezër, motra dhe të interesuar, ishin mbledhur paqësisht në Baku për të shqyrtuar disa tema biblike. Por ia behën policë të armatosur, të shoqëruar nga ekipe televizive dhe zyrtarë vendës, për të ndaluar mbledhjen. Edhe pse s’kishte urdhër për bastisje, policia shpërtheu derën e ndërtesës së marrë me qira dhe mbajti nën arrest të pranishmit. Të paktën dy veta i rrahën. Policia konfiskoi sasi të mëdha literature biblike, kutinë e kontributeve me gjithë ç’kishte brenda, dokumente ligjore dhe disa kompjuterë që përdoreshin për të përkthyer Biblën dhe literaturën biblike. Në fund të ditës, u lirua shumica e atyre që ishin mbajtur nën arrest. Por, mes tyre ishin gjashtë vullnetarë të huaj, të cilët u dëbuan nga vendi sepse gjoja «merren me propagandë fetare». Vëllezërit tanë atje rrezikojnë burgun pasi nuk pranojnë shërbimin ushtarak. Kanë vështirësi edhe për importimin e literaturës në vend.

Izrael

Më 5 shkurt 2007, Gjykata Krahinore e Haifës dha vendimin se Qendra e Kongreseve të Haifës (ICC) i kishte diskriminuar Dëshmitarët e Jehovait duke mos i lejuar të përdornin sallën për një kongres. Gjykata e urdhëroi ICC-në t’i kompensonte Dëshmitarët duke paguar një pjesë të kostos ligjore. Prokurori i përgjithshëm tha se ICC-ja ka si «detyrim bazë administrativ . . . t’i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë klientët e saj, detyrim që ishte shkelur në këtë rast». Pas këtij vendimi të favorshëm, vëllezërit në Izrael do ta kenë më të lehtë të mblidhen për adhurim në grupe më të mëdha.

Taxhikistan

Dy dërgesa me literaturë u konfiskuan nga punonjësit e doganës dhe iu bë kërkesë Ministrisë së Kulturës që të ndalonte literaturën dhe veprimtarinë e organizatës sonë. Në këtë atmosferë armiqësore, një çift misionarësh të Galaadit i detyruan të largoheshin nga vendi. Pastaj, më 11 tetor 2007, autoritetet i ndaluan veprimtaritë e Dëshmitarëve të Jehovait. Vëllezërit kanë apeluar për gjithë këto padrejtësi dhe lutemi që Jehovai të hapë rrugën që të vazhdojë predikimi në këtë fushë të frytshme, ku pati një rritje 14 për qind gjatë vitit të shërbimit 2007.

Ukrainë

Një ditë para se të mbahej një fjalim special në stadiumin e Lvovit, më 12 maj 2007, administratorët e stadiumit iu dorëzuan presionit të kundërshtarëve dhe anuluan kontratën. U kontaktuan menjëherë qeveritarë në Ukrainë e në Shtetet e Bashkuara, për ta bindur administratën e stadiumit se Dëshmitarët e Jehovait nuk përbënin kërcënim për paqen e qytetit. Ditën e fjalimit çështja ishte ende në diskutim ndërsa mijëra Dëshmitarë të Jehovait nga pjesë të ndryshme të Ukrainës nisën të vinin në Lvov me makina, autobusë e trena. Vëllezërit u mblodhën paqësisht para portave të kyçura të stadiumit, duke pritur me durim. Ndërkohë gëzuan shoqërinë e përzemërt e madje kënduan këngë Mbretërie. Papritur, vetëm 20 minuta para se të niste programi, personeli i stadiumit u bind t’i hapte portat e t’i linte vëllezërit të hynin. Mbi 27.000 vëllezër e motra hynë në stadium për të dëgjuar me kënaqësi një fjalim nxitës nga mbikëqyrësi i zonës.

Turkmenistan

Në Turkmenistan Dëshmitarët e Jehovait nuk janë ende të njohur zyrtarisht. Pas një periudhe relativisht paqësore, autoritetet kanë nisur përsëri t’i përndjekin vëllezërit. Gjithsesi, me maturi e guxim, vëllezërit e motrat vazhdojnë të mblidhen bashkë e të flasin për lajmin e mirë me fqinjët. (Mat. 10:16) Tre vëllezër të rinj u arrestuan ngaqë s’pranuan shërbimin ushtarak, për shkak të ndërgjegjes. Që të tre u dënuan. Për dy prej tyre u shty dënimi, kurse i treti u dënua me një vit e gjysmë burg. Meqë kushtet nëpër burgje janë shumë të vështira, çështja e këtij vëllai ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Vëllezërve avokatë nga vende të tjera, nuk u kanë dhënë vizë për të hyrë në Turkmenistan që t’i përfaqësojnë vëllezërit në gjyq. Megjithatë, asnjë autoritet njerëzor nuk i pengon dot lutjet tona për ndihmë që të shkojnë te Më i Larti.—1 Tim. 2:1, 2.

Kazakistan

Gjashtë zyrtarë nga zyra e prokurorit ndërprenë një mbledhje fetare që po mbahej në shtëpinë e një motre, në një zonë ku Dëshmitarët e Jehovait s’janë regjistruar ende. Një vëlla, i cili s’ishte as në mbledhje, si edhe pesë motra u gjobitën rëndë. Vendimi u apelua për të gjashtë.

Turqi

Më 31 korrik 2007, dega e Turqisë mori lajmin e gëzueshëm se Shoqata për Mbështetjen e Dëshmitarëve të Jehovait u regjistrua zyrtarisht. Procesi i regjistrimit zgjati më shumë se dy vjet dhe përfshinte një debat gjyqësor nga qeveria, nëse statuti i degës ishte kushtetues ose jo. Pasi një gjykatë e shkallës së parë në Stamboll vërtetoi se statuti ishte i ligjshëm, qeveria apeloi në Gjykatën e Lartë. Por ajo mbështeti vendimin e gjykatës së shkallës së parë, duke i hapur rrugë regjistrimit. Shoqata e saporegjistruar i siguron degës një ent ligjor fetar që mund të blejë prona e t’i ketë në pronësi, të marrë me qira vende për kongrese, të pranojë kontribute e të mbrojë në gjyq interesat ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait.

Dy Dëshmitarë të Jehovait u akuzuan se «shqetësonin njerëzit» ndërkohë që shpërndanin fletushkën Lajmërim i Mbretërisë Nr. 37, dhe u gjobitën. Por Gjykata e Paqes së Sislit në Stamboll anuloi gjobën, duke thënë se «prezantimi i botimeve të Dëshmitarëve të Jehovait . . . është brenda kufijve të lirisë së mendimit dhe besimit» e se shtetasit turq «kanë lirinë të përhapin bindjet e tyre». Megjithatë, vëllezërit në Turqi hasin edhe vështirësi të tjera, si çështja e asnjanësisë. Vëllezërit që kanë mbushur moshën për ushtar, rrezikojnë të burgosen ose të gjobiten.

Siç e shohim nga disa raporte të lartpërmendura, Dëshmitarët e Jehovait shpesh i apelohen Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kur vendet evropiane vënë në diskutim të drejtën tonë për të adhuruar Perëndinë. Nga mesi i vitit 2007, në këtë gjykatë pritej të shqyrtoheshin 22 apelime, për çështje të tilla si asnjanësia, njohja zyrtare dhe përndjekja. Vëllezërit dhe motrat që përballen me këto vështirësi, në Evropë e gjetiu, me siguri kanë nevojë t’i mbështetim me lutjet tona.—2 Kor. 1:10, 11.

BESNIKËRI DHE INTEGRITET

Në pjesën historike të këtij Libri vjetor, do të lexoni se si vëllezërit në Rusi mbajtën integritetin gjatë epokës sovjetike kur Dëshmitarët e Jehovait ishin nën ndalim. Kundërshtimi ishte sa brutal aq edhe ekstrem. Gjithsesi, edhe në ato vende ku vepra jonë është e lirë, Satanai dhe larot e tij orvaten pareshtur të na thyejnë integritetin me mënyra më tinëzare. Por sa i gëzohet zemra Jehovait kur shërbëtorët e tij qëndrojnë besnikë! (Prov. 27:11) Ja disa përvoja që tregojnë se si shfaqin besim e besnikëri në jetën e përditshme shërbëtorët e Perëndisë kudo në botë.

Suedi

Një pioniere që punon në një spital privat, përballet vazhdimisht me ngacmime seksuale nga personeli i spitalit. Por ajo ka gjetur një metodë të efektshme për t’i parandaluar këto situata. Fillimisht u thotë punonjësve të rinj se është Dëshmitare e Jehovait dhe e përmend shpesh se është e martuar. Shfrytëzon çdo mundësi t’u tregojë kolegëve për interesat e përbashkëta që ka me të shoqin, dhe thekson se kanë një lidhje të fortë martesore. Kur duhet të konsultohet me një mjek për ndonjë pacient, ajo lë takim në sallën e ngrënies ku ka edhe të tjerë. Nëse dikush hyn papritur në dhomën ku punon dhe e mbyll derën, ajo menjëherë i lutet Jehovait dhe mban qëndrim miqësor, por profesional.

Gjermani

Mariani ka 13 vjet që punon për një kompani në Gjermaninë Veriore. Ngaqë punon me turne, shpesh e kishte të vështirë të ndiqte mbledhjet gjatë javës. Ai shpjegon: «Ndihesha keq, ngaqë i çmoj vërtet mbledhjet. I kërkoja vazhdimisht ndihmë Jehovait që të gjeja një mënyrë për t’i ndjekur të gjitha mbledhjet.» U lut për guxim që të fliste me përgjegjësin, i cili ra dakord që Mariani të ikte më herët ditët e mbledhjeve, po ta kishte mbaruar punën. Gjërat po ecnin mirë deri kur përgjegjësi u zëvendësua nga një tjetër, që nuk e la Marianin të ikte më herët. Ç’të bënte tani? Ai kujton: «Me respekt i thashë përgjegjësit të ri se do të flisja me shefin e kompanisë.» Gjatë bisedës me shefin, Mariani dha një dëshmi të shkëlqyer dhe shpjegoi arsyet pse donte të ndiqte mbledhjet. Shefi pranoi që Mariani ta linte punën më herët ditët e mbledhjeve, me kusht që të gjithë punonjësit e turnit të ishin dakord. Kështu, Mariani i mblodhi të gjithë kolegët që t’u shpjegonte si ishte puna, si edhe u dha një dëshmi të mirë. Tani ai i ndjek të gjitha mbledhjet. «M’u desh të luftoja shumë që të arrija t’i ndiqja mbledhjet,—thotë Mariani,—por lutjet e zjarrta drejtuar Jehovait më dhanë fuqi përtej normales.»

Britani

Presioni i vazhdueshëm për të shkuar në festat e shkollës është një sprovë besimi për Sofinë 16-vjeçare. «Megjithëse disa festa duken interesante,—thotë ajo,—e di se do të pendohem po të shkoj, sepse do të krijohen situata që mund të jenë të dëmshme nesër-pasnesër. Një shoqe më ftoi para ca kohësh në një festë dhe nguli këmbë se do të mblidheshin thjesht për qejf. Më vonë mora vesh se po atë fundjavë ajo kishte ditëlindjen. Mirë që nuk shkova se më pas dëgjova se atë mbrëmje shumë nga shokët ishin dehur ndërkohë që prindërit e saj s’ishin në shtëpi. Ja pse preferoj të zbavitem me motra e vëllezër të moshave të ndryshme, të cilët do të më ndihmojnë të rritem frymësisht. Bashkë me vëllanë tim, ftojmë të rinj e të moshuar për të luajtur muzikë, për piknikë ose për shëtitje në fshat. Tani, kur më ftojnë në ndonjë festë, pyes veten si do të ndikojë kjo në marrëdhënien time me Jehovain. Kam kuptuar se s’humbet asgjë kur bën ç’është e drejtë, përkundrazi!»

Itali

Xhovanit 17-vjeçar i kishin bërë propozime disa vajza në shkollë, por njëra ngulte këmbë më shumë se të tjerat. Kur e pa se Xhovani s’po i kushtonte vëmendje, ajo i shkroi një letër: «Mendoj se do të shkonim mirë bashkë. Ti më pëlqen. Më tërheq personaliteti yt, por jo vetëm kaq. Shpresoj që të marrësh vendimin e duhur. Me dashuri, e jotja.» Në fund kishte vënë emrin e saj dhe shenjën e buzëve. Xhovani thotë: «Duhet ta pranoj se ditët që pasuan, ishin të vështira. Pyesja veten a do të takoja ndonjëherë një vajzë aq të bukur sa ajo. Kur e morën vesh shokët e klasës, më nxitën ta pranoja propozimin. Më thanë: ‘Mos e humb këtë rast! Vetëm po të jesh budalla do ta refuzosh.’ Por në gjithë këtë m’u duk sikur po humbja identitetin tim të krishterë. Iu luta Jehovait dhe fola me prindërit, të cilët në fillim mbetën të shtangur, sepse nuk mendonin që do të hasja situata të tilla. Së bashku studiuam intensivisht Biblën, sidomos duke përdorur librin Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike. Fola edhe me disa vëllezër të pjekur në kongregacion. Së fundi mora vendimin e duhur dhe e refuzova propozimin e asaj vajze. Duhet ta them se tani shokët e shkollës më respektojnë më shumë, ngaqë qëndrova i palëkundur.»

Meksikë

Antonioja 59-vjeçar, i cili ka 37 vjet që është pagëzuar, kujton: «Kur isha 19 vjeç, mjeku më tha se kisha artritin reumatoid që prek të rinjtë. Kjo sëmundje që më ka mbajtur pothuajse plotësisht të kufizuar e të ngujuar në karrocë invalidësh për 35 vjet, ka qenë një torturë e vërtetë. Nganjëherë shkurajohem. Por më japin forcë aktivitetet e krishtere, në të cilat marr pjesë aq sa ma lejon shëndeti.» Shtatë vjet më parë, situata e Antonios u përkeqësua më tej nga vdekja e mamasë, e cila kujdesej për të. Si t’ia bënte tani Antonioja? Ai tregon: «Që atëherë, kam parë se Jehovai nuk i braktis shërbëtorët e vet, por u siguron ndihmën e nevojshme. Kongregacioni mori masa që një vëlla të kujdeset për mua, kurse disa të tjerë kontribuojnë për të më plotësuar nevojat kryesore.» Antonioja mezi pret kohën kur do të përmbushen të gjitha premtimet e Mbretërisë.

«ZGJEROJE VENDIN E TENDËS SATE»

«Zgjeroje vendin e tendës sate dhe pëlhurat e tabernakullit tënd të madh le të shtrihen pa kursim.» (Isa. 54:2) Nevoja gjithnjë në rritje për vende adhurimi e për degë më të mëdha tregon se këto fjalë profetike po përmbushen në mënyrë mahnitëse. Nga gjithë ndërtimet që u bënë vitin e kaluar në mbarë tokën, një burim gëzimi të madh për Dëshmitarët e Jehovait ishin veçanërisht kushtimet e gjashtë degëve që do të përmendim.

Porto-Riko

Vetëm 13 vjet pas përfundimit të ndërtesës së fundit të degës, lindi nevoja për një zgjerim, sepse disa reparte ishin rritur në numër. Të shtunën më 16 shtator 2006, Dejvid Splejni, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin e kushtimit.

Kolumbi

Vëllezër e motra nga 30 vende u mblodhën në degën e Kolumbisë më 11 nëntor 2006, për kushtimin e ndërtesave që u shtuan në Fakatativë, 42 kilometra në veriperëndim të Bogotásë. Të pranishëm ishin 3.605 veta. Shumë prej tyre, që s’ishin parë për 30 a 40 vjet, u përqafuan me përzemërsi dhe të gjithë u kënaqën me fjalimin e kushtimit, të mbajtur nga Gerrit Lëshi, anëtar i Trupit Udhëheqës.

Fixhi

Vetëm pesë minuta më këmbë nga qendra e Suvës, kryeqytetit të Fixhit, ndodhet një zyrë dege e bukur me pamje nga porti. Të shtunën, më 11 nëntor 2006, Xhefri Xheksoni, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin e kushtimit para një auditori me 410 veta.

Burundi

Data 25 nëntor 2006 ishte një ditë e paharrueshme për Dëshmitarët e Jehovait në këtë vend të bukur afrikano-qendror. Të 1.141 të pranishmit, nga 11 vende, u kënaqën që kishin mes tyre Gaj Piërsin, anëtar të Trupit Udhëheqës, për kushtimin e degës së re e të këndshme. Duket qartë se Jehovai po bekon veprën në këtë vend, ku ka goxha potencial që edhe shumë të tjerë të fillojnë të adhurojnë Jehovain.

Ruandë

Pas një historie të turbullt 30-vjeçare, me ndalime dhe luftë civile, vëllezërit dhe motrat në Ruandë u kënaqën që mirëpritën Gaj Piërsin për kushtimin e zyrës së bukur të degës, të rrethuar me kopshte tërheqëse.

Pavarësisht nga ngjarjet tragjike të gjenocidit, gjatë të cilave u vranë edhe disa vëllezër, vepra e Jehovait ka vazhduar të lulëzojë në këtë vend që njihet si «vendi i një mijë kodrave». Ndër 553 të pranishmit që ndoqën programin e kushtimit të shtunën, më 2 dhjetor 2006, kishte 112 delegatë nga 15 vende.

Ugandë

Dega e re në periferinë jugore të Kampalës, kryeqytetit, u kushtua të shtunën më 20 janar 2007. Ndër 665 të pranishmit kishte 170 delegatë nga rreth 20 degë. Mori pjesë edhe Entoni Morisi, anëtar i Trupit Udhëheqës, i cili mbajti fjalimin e kushtimit.

«AJO QË BËRI JEHOVAI ME NE, ËSHTË MADHËSHTORE»

Pa dyshim, kemi arsye të gëzojmë kur mendojmë për veprat e mrekullueshme të Jehovait gjatë vitit të kaluar. Njëzëri përsëritim me mirënjohje fjalët e psalmistit: «Ajo që bëri Jehovai me ne, është madhështore. Ne jemi mbushur me gëzim.»—Psal. 126:3.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

Një fushatë vërtet botërore

Disa njerëz nga vende të ndryshme s’ishin të bindur se fletushka Lajmërim i Mbretërisë po shpërndahej vërtet në gjithë botën. Për shembull, një njeri skeptik në Brazil i tha lajmëtarit të priste sa të merrte në telefon një shok në Shtetet e Bashkuara për ta pyetur a e kishte marrë fletushkën. «Po,—iu përgjigj shoku,—sa e mora, para dhjetë minutash.» Me admirim, i zoti i shtëpisë e pranoi fletushkën Lajmërim i Mbretërisë dhe premtoi se do ta lexonte me vëmendje.

[Figura në faqen 12]

Në kutinë postare të kongregacionit kishte vetëm një ftesë

[Figura në faqen 25]

Antonioja gati për shërbim

[Figurat në faqet 28, 29]

Kushtimet e degëve

Porto-Riko

Ruandë

Kolumbi

Burundi

Fixhi

Ugandë