Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën

Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën

Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën

AFRIKA

VENDE 57

POPULLSIA 827.387.930

LAJMËTARË 1.086.653

STUDIME BIBLIKE 2.027.124

Bregu i Fildishtë

Banorët e fshatit Bianouan, në lindje të vendit, janë të etur për të vërtetën. Disa i zgjojnë lajmëtarët në orën 6 të mëngjesit që të bëjnë biseda biblike para se të shkojnë të punojnë në ara. Të tjerë u kërkojnë që ta bëjnë studimin e Biblës në mbrëmje, pas mbledhjeve të kongregacionit. Një ditë, një grua që nuk di të lexojë, i kërkoi një vëllai librin Çfarë mëson vërtet Bibla? I tha se do t’ia lexonte i shoqi. Vëllai ia dha librin dhe të nesërmen u shkoi në shtëpi. Gruaja dhe i shoqi ishin ulur dhe po e prisnin. Ai s’kishte shkuar të punonte në arë, sepse gjithë natën kishin lexuar librin. Tani donte të diskutonte me vëllanë për atë që kishte lexuar. Me çiftin u fillua një studim biblik.

Benin

Një familje e madhe, në një zonë të largët, nisi të studionte Biblën. Babai ishte pastor në një kishë tradicionale. S’kishin as dy javë që studionin dhe pranuan ftesën për të ndjekur kongresin krahinor. Të shtunën në mbrëmje, vajza e madhe u sëmur papritur dhe vdiq. Pavarësisht nga tronditja e madhe, babai ndoqi të dyja sesionet e së dielës. Të hënën tha për vdekjen e së bijës: «Këtu ka gisht Satanai, sepse do që të na shkurajojë, por familja ime s’ka për ta lejuar këtë.» Nxori përjashta gjithë sendet që përdorte në kishë: veladonin, kësulën, rripin, vajin për mirosjen dhe shkopin e bariut. Njësoj bëri edhe gruaja e tij që kishte një post në kishë. «I kemi larë duart me këtë kishë»,—tha pastori. Pastaj, pak a shumë siç lexojmë te Veprat 19:19, i dogji ato sende para të gjithëve. Familja vazhdon të bëjë përparim.

Madagaskar

Vitin e kaluar, në një fshat me rreth 500 banorë, një pastor mori librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, nga një Dëshmitar në një fshat tjetër. Pasi e lexoi me kujdes, pastori u bind se kishte gjetur të vërtetën dhe nisi të fliste edhe me pjesëtarët e tjerë të kishës. S’kaloi shumë dhe ai, familja e tij dhe 20 të tjerë hoqën dorë nga kisha dhe nisën të mbanin mbledhje, siç bëjnë Dëshmitarët e Jehovait kudo. Disa pionierë specialë shkuan t’i ndihmonin. Ata drejtuan studime biblike me shumë të interesuar dhe morën masa që të mbahej rregullisht Studimi i Librit të Kongregacionit dhe Studimi i Kullës së Rojës. Në tetor, pesë veta u bënë lajmëtarë të papagëzuar dhe tani pionierët kanë marrë masa që të mbahet Mbledhja Publike dhe Shkolla e Shërbimit Teokratik. Të pranishëm në mbledhje janë mesatarisht 40 veta dhe po drejtohen mbi 20 studime biblike.

Afrika e Jugut

Heni dhe e shoqja po predikonin shtëpi më shtëpi. Kur po kalonin pranë një gardhi, papritur një qen i tërbuar nxori kokën dhe i kafshoi dorën Henit. Meqë po i rridhte shumë gjak, vrapuan në shtëpi dhe e shoqja ia pastroi e ia lidhi plagën. Heni mori takim me një mjek, por i tha së shoqes se nuk do ta lejonte një qen që ta pengonte të predikonte. Kështu u kthyen në territor, rreth një orë më vonë. Nisën të predikonin në shtëpinë ngjitur me atë ku ishte qeni. Pasi predikuan në disa shtëpi, një burrë i ftoi brenda. Ai i dëgjoi me vëmendje dhe donte që t’i vinin prapë. U nis një studim biblik dhe shpejt ai filloi të vinte rregullisht në mbledhje. Kur dha dorëheqjen nga Kisha e Reformuar Holandeze, një anëtar i vjetër i kishës shkoi ta vizitonte dhe i ofroi postin e dhjakut. Por burri ishte i vendosur të hiqte dorë nga kisha. Vazhdon të përparojë dhe është regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik.

Tanzani

Gjatë një fushate për të predikuar në një territor të izoluar, në tetor të vitit 2005, nëntë vëllezër nga kongregacioni «Iringa» u nisën për në Pauaga, rreth 75 kilometra larg. U kishte rënë në vesh se atje jetonte një lajmëtar i izoluar dhe u nisën ta kërkonin. Pasi pyetën shumë veta, më në fund e gjetën vëllanë, i cili u shpjegoi se kishte 20 vjet që jetonte atje dhe gjithë këtë kohë kishte menduar se vepra e Mbretërisë në Tanzani ishte ende në ndalim. Gjatë atyre viteve u kishte predikuar të tjerëve dhe tha se disa ishin vërtet të interesuar për mesazhin e Biblës. Vëllezërit nga kongregacioni «Iringa» dolën vullnetarë që, sa herë të shkonin në Pauaga, të rrinin dy javë, që të ndiqnin interesin. Në vitin 2006 atje u transferuan dy pionierë të rregullt, për të predikuar në territorin e frytshëm. Vëllai mori ndihmë frymore dhe tani grupi i vogël përbëhet nga nëntë lajmëtarë. Aktualisht i mbajnë mbledhjet nën një pemë, por janë bërë plane për të ndërtuar një vend të vogël për mbledhjet, duke përdorur materiale të vendit.

Ruandë

Një adoleshente me emrin Zhantila u bë e famshme falë aftësisë për të shënuar gola në futboll. Njerëzit e thërritnin Manajibitego, që në gjuhën kiniaruande do të thotë «Perëndia i golave». Disa italianë e pikasën këtë aftësi të saj dhe e stërvitën më tej. Pastaj e ftuan të luante në Itali. Oferta për të shkuar në Evropë që të bëhej futbolliste e njohur ndërkombëtare, ishte shumë joshëse. Por Zhantila e dinte se po të pranonte këtë ftesë, do të largohej nga familja. Mamaja e saj është Dëshmitare. Zhantila e kishte studiuar Biblën, por nuk e kishte marrë seriozisht. Në vend të parë kishte pasur futbollin. Ajo bisedoi me mamanë dhe e kuptoi se po të pranonte ofertën, do të haste presione për të shkelur ligjet e Perëndisë. Prandaj vendosi të mos e pranonte ofertën dhe të vinte në vend të parë Mbretërinë. U pagëzua në një asamble kohët e fundit.

KONTINENTET AMERIKANE

VENDE 55

POPULLSIA 893.357.181

LAJMËTARË 3.367.544

STUDIME BIBLIKE 3.236.692

Kurasao

Një ditë, kur një vëlla shkoi në një studim biblik, i zoti i shtëpisë i dha një fishek dhe e pyeti nëse e dinte ç’ishte. Pastaj i shpjegoi se para se vëllai t’i predikonte, ai kishte muaj që mendonte të vriste veten, ngaqë kishte humbur punën dhe familjen. Nga dëshira e fortë për hakmarrje, kishte vendosur të vriste katër njerëzit që mendonte se ishin fajtorë për problemet e tij. E kishte mbushur pistoletën me katër fishekë dhe njërin e kishte ruajtur për vete, në rast se do t’i duhej t’i jepte fund jetës. Por, para se të dilte nga shtëpia, vendosi t’i kërkonte ndihmë Perëndisë. Ndezi televizorin dhe nisi të kërkonte ndonjë kanal fetar. Në atë çast, dy Dëshmitarë i trokitën në derë dhe nisën të studionin Biblën me të. Burri i hodhi katër fishekët, por të pestin e harroi. Kur e gjeti në xhep, ia tregoi vëllait dhe i rrëfeu historinë. Pastaj i tha se jeta e tij kishte ndryshuar shumë që kur nisi të studionte Biblën. Ai thotë se pesë veta po jetojnë vetëm për hir të Dëshmitarëve të Jehovait. Tani ndjek mbledhjet e kongregacionit.

Uruguai

Një grua i ftoi në shtëpi dy Dëshmitarë dhe, me lot në sy, u shpjegoi se kishte gjithë natën që i lutej Perëndisë dhe i përgjërohej t’i zbulonte vullnetin e tij. Kohët e fundit i kishin ardhur në shtëpi pastorët e kishës së saj, por vetëm për të mbledhur të dhjetën për një sasi të madhe parash që ajo kishte marrë. Kjo e kishte zhgënjyer shumë, sepse ata s’kishin ardhur ta vizitonin kurrë më parë, edhe kur u kishte kërkuar ndihmë në çaste vështirësie. Për më se një muaj, nuk shkoi në kishë. Së fundi i tha një pastori se kontradiktat në mësimet e tyre e bënin të ndihej e mashtruar. Por pastori, në vend që të përpiqej t’i qartësonte kontradiktat, i tha se do t’i jepeshin shtatë mallkime ose dënime, ngaqë kishte braktisur kishën. Vëllezërit i shpjeguan se Perëndia i vërtetë përdor engjëjt e tij për të gjetur njerëzit që po kërkojnë të vërtetën. Ajo u bëri shumë pyetje dhe menjëherë u fillua një studim me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Më vonë edhe i shoqi u bashkua me të në studim dhe që të dy ndoqën Përkujtimin dhe fjalimin special. U bëri përshtypje cilësia e mësimdhënies në Sallën e Mbretërisë dhe e kishin të vështirë ta besonin se atje nuk kërkohen para. Që të dy vazhdojnë të përparojnë dhe kanë zënë shumë miq në kongregacion.

Kili

Studimi që po drejtohet me një grua në territorin e skajshëm të Kepit Horn, mund të jetë studimi në skajin më jugor të botës. Ajo është e shoqja e rojtarit të farit në këtë zonë të humbur. Kur ishte në Punta-Arenas, një pioniere ndihmëse drejtoi studim me të për katër javë, derisa gruaja u transferua në Kepin Horn. Që atëherë, studimi ka vazhduar me telefon dhe ajo po bën përparim.

Kosta-Rikë

Në këtë vend ka rreth 10.000 indianë guajmi, të përqendruar kryesisht në Siksaola, një qytet i vogël pranë kufirit me Panamanë. Një numër i madh prej tyre kanë treguar interes për Biblën. Për të plotësuar nevojat frymore të këtyre njerëzve, një çift i ri pionierësh specialë u caktuan të predikojnë në këtë territor. Ata kanë nisur të mësojnë gjuhën vendëse. Me ndihmën e 26 vëllezërve dhe motrave guajmi, janë arritur shumë rezultate. U mbajt për herë të parë Përkujtimi në gjuhën guajmi dhe të pranishëm ishin 264 veta, një shifër mahnitëse. Që nga ajo kohë, ka pasur rritje të vazhdueshme. Për shembull, në një grup të Studimit të Librit të Kongregacionit me 13 lajmëtarë, fillimisht kishte 20 të pranishëm. Tani numri është rritur në 40. Rrjedhimisht, janë formuar dy grupe të tjera studimi libri.

Panama

Një mësues fizkulture me emrin Ramiro nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në vitin 2004. Në atë kohë, gjashtë grupet ku jepte mësim, i merrnin vetëm 12 orë punë, por ai duhej të plotësonte 24 orë në javë. Kështu, drejtori i shkollës i tha se pjesën tjetër të kohës do t’u jepte mësime feje po atyre grupeve. «Folu për Zotin, për Jezuin dhe për Biblën»,—i tha. Ramiroja u mësoi atë që po mësonte vetë. Atë vit, me librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, u dha mësim 150 nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të tetën. Një vit më vonë, kur doli libri Çfarë mëson vërtet Bibla?, Ramiroja kishte bërë përparim dhe ishte kualifikuar si lajmëtar i papagëzuar. Ai vazhdoi të jepte mësim, kësaj here duke përdorur këtë libër të ri. Numri i nxënësve ishte rritur: tani ishin 160, të ndarë në gjashtë grupe. Cilat ishin rezultatet? Ramiroja dhe lajmëtarë të tjerë tani po drejtojnë studime biblike me disa nga nxënësit. Prindërit e disa nxënësve të tjerë i kanë shprehur mirënjohjen Ramiros për ndryshimet pozitive që kanë parë te fëmijët. Disa prindër kanë ndjekur mbledhje kongregacioni dhe asamble. Kurse Ramiroja u pagëzua nëntorin e vitit 2006 dhe me gëzim vazhdon të shfrytëzojë çdo mundësi për t’u mësuar të tjerëve të vërtetën biblike.

Guatemalë

Në qytetin e Guatemalës, një lajmëtar me emrin Xheremi shkoi në shtëpinë e një djali me të cilin po studionte Biblën. Shtëpia ndodhej në një rrugicë. Xheremi trokiti dhe derën ia hapi e motra, që tha se i vëllai s’ishte në shtëpi. Në atë çast u afruan dy të rinj. Njëri nxori pistoletën, ia vuri në kokë Xheremit dhe i tha: «Më kanë paguar të të vras.» (Më vonë, Xheremi mori vesh se grabitësit e thonë këtë për të frikësuar viktimat.) Ai tregon: «Vajza e mbylli derën dhe u thashë djemve: ‘Çfarë kërkoni nga unë?’ Njëri prej tyre ma ktheu: ‘Ç’do këtu ti?’ U thashë se po predikoja Fjalën e Jehovait. Ai m’u përgjigj me tërsëllimë: ‘Ma thuaj mua mesazhin!’ Isha në tension dhe nuk dija ç’të bëja. Hapa çantën dhe nxora Biblën. Në atë çast, ai që mbante pistoletën nisi të qante, sepse po bënte gjëra të këqija që e dinte se s’duhej t’i bënte. M’u lut që ta ndihmoja. Më kontrolloi çantën dhe nxori një revistë Zgjohuni!, që fliste për paratë. Tjetri nisi të më kontrollonte xhepat për portofolin, por ai me pistoletën i tha: ‘Lëre rehat. Mos e kontrollo!’ Pastaj më falënderoi, më përqafoi dhe u larguan. Pas kësaj, u ndjeva shumë i qetë dhe e falënderova Jehovain që më shpëtoi nga ajo situatë.»

Republika Domenikane

Një motër që është ortodonte ndoqi një seminar njëditor për protezat e dhëmbëve. Më se 250 dentistëve iu dha mundësia të aplikonin për një kurs të përparuar shumë të kushtueshëm, që do të mbahej në Evropë. Vetëm tetë dentistë do të pranoheshin. Në fund të ditës, motrës i thanë jo vetëm se ishte zgjedhur që të ndiqte kursin, por do të merrte edhe bursë nga shteti. E habitur, ajo u përgjigj: «Ju falënderoj që më morët parasysh, por unë as që aplikova dhe nuk mund ta pranoj këtë ofertë bujare. Si Dëshmitare e Jehovait, nuk mund të vë asgjë mbi interesat frymore të familjes sime. Po ta pranoja ofertën, do të më duhej të studioja shumë, sepse kursi është intensiv, por unë kam pesë mbledhje biblike javore të cilave duhet t’u kushtoj vëmendje. Ç’gëzim do të më sillte ky specializim, nëse kur të kthehesha në shtëpi do t’i gjeja dy djemtë e mi adoleshentë duke përdorur drogë ose duke u sjellë keq për shkak të mungesës sime?»

AZIA DHE LINDJA E MESME

VENDE 47

POPULLSIA 3.993.686.009

LAJMËTARË 607.112

STUDIME BIBLIKE 496.577

Izrael

Ela, një e re që është pioniere ndihmëse, vuri re një grua të moshuar që mezi po mbante qesen e plehrave. Ela e ndihmoi dhe i predikoi shkurtimisht. Gruaja i dha adresën, por Ela nuk arrinte ta gjente edhe pse i shkoi shumë herë në shtëpi. Një ditë, më në fund, gruaja i doli në derë. Ajo mezi dëgjonte, prandaj nuk e kishte dëgjuar Elën kur kishte trokitur herët e tjera. Me të u nis një studim biblik. Fillimisht ishte ateiste, por pastaj nisi të çmonte më shumë Perëndinë dhe Fjalën e tij. Pas dy vitesh ia kushtoi jetën Jehovait dhe u pagëzua kohët e fundit, në moshën 92-vjeçare.

Mongoli

Terbishi, një e moshuar, gjithë jetën kishte punuar në një librari. Kur iu afrua një pioniere 18-vjeçare me emrin Munkzaja, Terbishi i tha se ngaqë kishte lexuar shumë libra, e kuptonte menjëherë çdo libër, pavarësisht nëse e lexonte nga fillimi, nga mesi apo nga fundi. Megjithatë, Bibla ishte ndryshe. Pavarësisht se e kishte lexuar shumë herë, nuk e kuptonte. Kishte shkuar në kishë, por më kot. Kështu që e kishte studiuar vetë dhe kishte mbajtur shënime për çdo varg. Terbishit i interesonte sidomos të kuptonte Hebrenjve 11:6. Munkzaja ia shpjegoi vargun, i ofroi një studim biblik dhe e ftoi në Sallën e Mbretërisë. Kur dëgjoi adresën, Terbishi tha: «Mos është ajo ndërtesa me lulet e bukura përjashta? Sa herë kaloj andej, ndaloj e i kundroj me ëndje. A mund të më prezantosh me atë që kujdeset për lulet?» Munkzaja e bëri me kënaqësi këtë. Tani Terbishi po mëson me zell për Krijuesin e po ndjek mbledhjet. Munkzaja thotë: «Lulet i kishin predikuar asaj shumë kohë para meje.»

Japoni

Ngaqë i dhembin këmbët, 78-vjeçarja Hiroko nuk predikon dot më si në të kaluarën. Ajo iu lut Perëndisë për drejtim dhe pastaj gjeti një stacion autobusi ku ndalojnë shumë veta dhe ku mund të ulet e të rrijë nga 30 minuta. U buzëqesh njerëzve dhe interesohet për ta. Aty pranë ndodhet një spital, prandaj nëse njerëzit kanë në duar ilaçe, i pyet si janë me shëndet. Në qoftë se njerëzit po përpiqen të gjejnë oraret e autobusëve, i ndihmon, dhe atyre që nuk e njohin zonën, u tregon disa vende interesante ku të shkojnë. I dëgjon kur flasin e pastaj u ofron revistat. Disa i sheh rregullisht, prandaj mund të bëjë rivizita.

Mjanmar

Lazaruja merrej me kontrabandë droge. Në jetën e tij kishte veç drogë, vrasje dhe çdo ves tjetër. Por, kur një pioniere i tregoi nga Bibla se emri i Perëndisë është Jehova, Lazaruja e dalloi menjëherë të vërtetën dhe pranoi një studim biblik. Studimi zgjati shumë kohë, por përparimi ishte i vazhdueshëm. Hapi më i madh që duhej të bënte, ishte të shkëputej komplet nga jeta e mëparshme. Kur u tha shokëve se po i linte, ata i zuri paniku sepse ai dinte shumë për trafikun e tyre të drogës. Edhe pse i vunë pas disa vrasës, Lazaruja arriti t’u shpëtonte. Së fundi shkoi të jetonte në një zonë tjetër dhe bashkë me të shoqen u pagëzuan.

Tajvan

Disa lajmëtarë ndaluan disa çaste para një kafeneje me emrin e çuditshëm «Libri i Ezdrës». Nga kureshtja, një lajmëtar pyeti pronarin pse kishte përdorur emrin Ezdra. Ai iu përgjigj se gjithnjë e kishte admiruar Ezdrën ngaqë kishte zell për adhurimin e vërtetë. Për shumë vjet, pronari kishte shkuar në kishë, por kohët e fundit nuk shkonte më, sepse e shoqja është vietnameze dhe nuk i kupton predikimet fetare. Lajmëtari e pyeti nëse mund të kthehej e t’u sillte një Bibël në gjuhën vietnameze, të cilën e morën me kënaqësi po atë pasdite. U nis një studim me të gjithë familjen.

Indi

Në një qytet ku vepra e predikimit kundërshtohet ashpër, pesë motra u burgosën katër ditë, sepse predikonin. Fillimisht, gardiania ishte e ashpër me to dhe i paralajmëroi të mos predikonin për krishterimin aty në burg. Por, me kalimin e ditëve u zbut kur vuri re butësinë dhe dashurinë e tyre. Motrat ndanë me të burgosurat e tjera e me gardianet ca fruta dhe ushqime që u kishin sjellë vëllezërit. Një natë, gardiania i dëgjoi tek diskutonin pika nga libri T’i afrohemi Jehovait. S’kaloi shumë dhe ajo nisi të merrte pjesë në ato diskutime, duke ndenjur në karrige në hyrje të qelisë. Ditën kur motrat u liruan nga burgu, asaj i vdiq një e afërme. Ato e ngushëlluan duke i shpjeguar shpresën e ringjalljes.

Më parë, një gardiane tjetër i kishte pyetur se ç’krim kishin kryer. Njëra nga motrat i shpjegoi se disa e keqkuptonin veprën e predikimit si kthim të paligjshëm të njerëzve në një fe tjetër. Asaj i bëri shumë përshtypje çka dëgjoi, prandaj u përgjigj: «Edhe në këtë situatë, flitni me kaq qetësi! Unë për vete jam gjaknxehtë dhe më vjen turp nga ju. Ju lutem, ma thoni kur ju dukem e ashpër dhe më mësoni të flas si ju. S’e kuptoj pse i futin në burg njerëz kaq të mirë!» Sa herë kishte kohë të lirë, ajo shkonte te motrat e u thoshte: «Më tregoni ndonjë gjë tjetër për Biblën se kjo ma lehtëson zemrën.» Edhe dy të burgosurave që ishin akuzuar për vrasje, u la mbresa mesazhi i Biblës. Me maturi, motrat u dhanë dëshmi atyre dhe të burgosurave të tjera. Tani që janë liruar, motrat po kërkojnë ndonjë mënyrë të përshtatshme për të ndjekur interesin që gjetën ndërsa ishin në burg.

Indonezi

Resmauati, një pioniere speciale, sapo kishte mbaruar shërbimin dhe po kthehej në shtëpi, kur një grua e ftoi brenda, që të flitnin për Biblën. Tri ditë më vonë, Resmauati u kthye ta takonte. Kësaj here, gruaja nisi të qante dhe i tregoi se i shoqi e keqtrajtonte. Resmauati i lexoi Hebrenjve 4:12 dhe i shpjegoi se studimi i Biblës mund të sjellë shumë ndryshime. I tregoi përvojën e Tonit, që ishte në Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2003. Gruas iu duk interesante dhe i kërkoi një kopje të kalendarit. Vizitën tjetër, Resmauati i çoi kalendarin dhe nisën të studionin librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Herën tjetër, burri i saj e pyeti nëse mund të rrinte edhe ai gjatë studimit. Kishte lexuar përvojën e Tonit në kalendar dhe ishte prekur shumë. Rastisi që edhe atë e quanin Toni dhe qëndrimi e sjellja e Tonit të kalendarit, para se të mësonte të vërtetën, ishte njësoj si e tija. Kur kishte parë përvojën në kalendar, i kishte thënë gruas dhe fëmijëve: «Qenka emri im! Nga e dinin emrin tim, që shkruan për mua?» E shoqja i kishte thënë: «Dëshmitarët nuk e dinë emrin tënd. Po edhe sikur ta dinin, nuk mund ta vinin në një kalendar ashtu papritur, e për më tepër s’e vinin dot as në të 2003-shit, as të 2007-s!» Meqë vuri re interesin e papritur të të shoqit, ajo e pyeti me takt: «A dëshiron të jesh edhe ti si ky Toni i kalendarit?» Përgjigjja e të shoqit e habiti: «Do doja ta provoja një herë.» Ashtu si Toni i kalendarit, edhe Toni nga Indonezia i ka hequr veset, ka prerë flokët e gjata dhe ka rregulluar paraqitjen. E gjithë familja po vazhdon të studiojë Biblën.

Malajzi

Në disa pjesë të Borneos, vëllezërit po përdorin pamje satelitore nga Interneti për të gjetur shtëpitë e banorëve. Në raport ata thonë: «Kjo na ndihmon të piketojmë shtëpitë që ndodhen në pyjet e shiut. Disa ‘çati’ shtëpish dalin se janë kasolle për dhitë, kështu që shkrihemi së qeshuri, sepse kemi shkuar t’u predikojmë ‘dhive’. Por disa çati janë vërtet të shtëpive të banuara. S’e kemi bërë kurrë më parë këtë territor malor. Pyjet e shiut janë të harlisura dhe shtigjet mezi i ndjekim, kështu që pamjet satelitore na ndihmojnë të gjejmë udhën.»

EVROPA

VENDE 47

POPULLSIA 732.610.687

LAJMËTARË 1.533.790

STUDIME BIBLIKE 749.911

Hungari

Një motër 12 vjeçe tregon: «U pagëzova nëntë muaj më parë dhe tani kam tre muaj që shërbej si pioniere ndihmëse. Mami më ndihmon jashtë mase. Shumë veta më kanë pyetur si ia dal të shërbej si pioniere ndihmëse, ndërkohë që jam në shkollë. Por unë mendoj se pa shkollën, do ta kisha të vështirë të kryeja shërbimin. Jap dëshmi gjatë pushimeve të shkurtra mes orëve. Me pesë shoqe të shkollës flas rregullisht për Biblën. Me dy prej tyre, po drejtoj studime biblike. Rrjedhimisht, po përjetoj bekimin e Jehovait. Shërbimi si pioniere nuk është barrë për mua, por më sjell gëzim. Mami është pioniere e rregullt. Edhe unë dua të jem e tillë. Dua t’i shërbej Jehovait në kohë të plotë.»

Britani

Suzana nisi të studionte Biblën në vitin 2001 dhe e vazhdoi studimin për afro dy vjet. Gjatë kësaj kohe, e kishte shumë të vështirë ta linte duhanin. U përpoq shumë herë, por s’ia doli mbanë. Prandaj e la studimin, por vazhdoi të ndiqte mbledhjet. Katër vjet më vonë, Suzana mendoi se duhej të përpiqej të përparonte frymësisht, prandaj i kërkoi ndihmë kongregacionit. E filloi përsëri studimin dhe gjeti material të dobishëm në librin T’i afrohemi Jehovait. Trajtimi i hollësishëm se si e tregon Jehovai dashurinë për ne dhe si e tregojmë ne dashurinë për të, ndikoi jashtë mase në jetën e saj. Brenda tetë javësh, e la një herë e mirë duhanin. Suzana mendon se studimi i këtij botimi e ka ndihmuar të ketë besim te Jehovai. Ka përparuar, ia ka kushtuar jetën Jehovait dhe e ka simbolizuar këtë me pagëzimin, në Kongresin Krahinor «Ndiqni Krishtin!»

Estoni

Helgi, një nxënëse 17-vjeçare që nuk jetonte me asnjë nga prindërit e saj të divorcuar, tregoi interes për të vërtetën dhe nisi të studionte Biblën. Fillimisht, nuk i ndiqte rregullisht mbledhjet, sepse kalonte shumë kohë si soliste në një grup të vogël muzikor. Por, teksa i rritej çmueshmëria për të vërtetën, nisi të bënte ndryshime në jetë. U shpjegoi pjesëtarëve të grupit se ditët kur kishte mbledhje, nuk shkonte dot të këndonte me ta. U regjistrua në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe përparoi derisa u bë lajmëtare e papagëzuar. Ndërkohë, mori pjesë në një konkurs kombëtar të këngës, ku fituesit do t’i jepej si çmim një kontratë me një studio muzikore të famshme. Shumë veta s’i kaluan provat, kurse Helgin juria e mbështeti menjëherë dhe e kaloi në raundin tjetër. Megjithatë, ky raund do të mbahej në të njëjtën kohë kur ajo kishte fjalimin e parë në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Ç’të bënte? E ëma, e cila nuk është Dëshmitare e Jehovait, i sugjeroi që ta anulonte fjalimin ose ta shtynte për më vonë. Helgi i tha se nuk bëhej fjalë vetëm për të mbajtur një fjalim, por çështja ishte çfarë vinte në vend të parë në jetë, gjërat frymore apo fizike. Mendoi seriozisht për këtë dhe vendosi të mbante fjalimin, në vend që të shkonte në konkurs. Helgi e mbajti fjalimin dhe mamaja e saj e respektoi këtë vendim.

Më vonë, një reporter ndoqi Kongresin Krahinor «Ndiqni Krishtin!» për të përgatitur një reportazh për kongresin e për pagëzimin. Kur pa Helgin që hyri në vaskën e pagëzimit, ai e filmoi dhe pastaj e intervistoi. Atë mbrëmje, reportazhi u dha në lajme, ku përfshihej një sekuencë ndërsa ajo këndonte në një nga raundet e hershme të konkursit dhe mbaronte me pagëzimin e saj, teksa thoshte buzagaz: «Ky është vendimi më i mirë që kam marrë në jetë!»

Bullgari

Ivelini është i burgosur në burgun e Belenes. Ai i shkroi zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait atje: «Këtu në burg gjeta rastësisht një Kullë Roje dhe kam shumë pyetje. Jam penduar për mëkatet e mia dhe dua të ndryshoj plotësisht nga ana shpirtërore. Dua t’ju kërkoj diçka që mund të jetë e vështirë për ju e që s’besoj se mund të ndodhë. A mund të më shkruani, që të mësoj diçka për Perëndinë Jehova? Nuk e di nëse do të më ktheni përgjigje, por gjithsesi, edhe thjesht fakti që njoh Jehovain më bën të lumtur. Dua të di më shumë për këto gjëra, jo vetëm për vete, por edhe për të burgosurit e tjerë. Ju lutem, mos harroni se, edhe nëse nuk mund të më shkruani, do t’ju kontaktoj unë kur të dal që këtu.» Vëllezërit e ndoqën menjëherë interesin dhe aktualisht po studiojnë Biblën me dhjetë të burgosur në këtë burg, ndër të cilët është edhe Ivelini.

Portugali

Jana, një pioniere speciale, tregon: «Një ditë, kur dola nga metroja, pashë një kinez dhe vendosa t’i flitja për lajmin e mirë. Ai u habit që flitja kinezçe dhe më tha se po shkonte në maternitet pasi së shpejti e shoqja do të lindte me operacion. Ai dhe e shoqja nuk flitnin portugalisht, kështu që personeli i maternitetit u kishte kërkuar të gjenin një përkthyes. Ishte i dëshpëruar dhe më kërkoi ta ndihmoja. Një ditë më pas, kirurgët më kërkuan të vishja rroba mjeku që ta shoqëroja nënën kur të operohej. Gjatë operacionit i mbajta dorën gruas, e cila më bëri shumë pyetje për Biblën dhe për veprën tonë. Ajo lindi një vajzë shumë të bukur dhe ishte kaq mirënjohëse për ndihmën time, saqë më kërkoi t’i vija emrin. U mendova një çast dhe zgjodha emrin Sara. I pëlqeu shumë ky emër dhe donte të dinte më tepër për Sarën e përmendur në Bibël dhe për Perëndinë që adhuronte ajo. Pasi u larguam nga materniteti, u sugjerova të fillonim një studim të rregullt të Biblës. Më parë ata nuk pranonin të flitnin me Dëshmitarët, por ndihma ime gjatë operacionit, ua ndryshoi sakaq mendimin negativ. Menjëherë pranuan ofertën time dhe tani ndjekin mbledhjet.»

Sllovaki

Një çift pionierësh specialë takoi dy të rinj nga Afganistani. Gjatë qëndrimit të shkurtër në Sllovaki, ata shprehën interes për Biblën. Çifti u takua disa herë me ta e u dha një Bibël dhe librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Gjithashtu, u treguan si drejtohet një studim biblik, që ta studionin Biblën vetë dhe me të tjerët.

OQEANIA

VENDE 30

POPULLSIA 36.829.259

LAJMËTARË 96.691

STUDIME BIBLIKE 51.122

Zelanda e Re

Tek po predikonte shtëpi më shtëpi një pasdite, një vëlla me emrin Pol takoi një grua. Kur i ofroi një broshurë, gruaja i shpjegoi se kohët e fundit një e afërme i kishte thënë se ajo kishte nevojë për të vërtetën. Po atë mëngjes, i ishte lutur Jehovait duke përdorur emrin e tij dhe duke i kërkuar që dikush t’i shkonte në shtëpi. Poli thotë: «Tri orë më vonë unë isha te dera e saj. Për më tepër, shkova në një orar kur normalisht ajo nuk do të ishte në shtëpi.» Gruaja pranoi menjëherë një studim biblik dhe po përparon.

Australi

Armandoja dhe Elvira, një çift i ri, jetojnë në Timorin Lindor, të cilin e mbikëqyr dega e Australisë. Në vitin 2006, lagjja e tyre u sulmua vazhdimisht nga një grup tjetër etnik dhe ata u detyruan të arratiseshin për të shpëtuar jetën. Shkuan në një kamp refugjatësh, duke marrë me vete vetëm dy gjëra: Biblën e Armandos dhe një broshurë Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Pasi rivendosën lidhjet me vëllezërit, Armandoja dhe Elvira nisën të studionin dy herë në javë e të ndiqnin mbledhjet. Gjithashtu, Armandoja u dëshmoi të afërmve të tij që jetojnë në një fshat të vogël katër orë e gjysmë larg Dilit. Kur familja e tij shfaqi interes për mesazhin e Mbretërisë, ai u kërkoi disa pionierëve nga Baukau, që është një orë e gjysmë larg fshatit, t’i vizitonin për t’i ndihmuar më tej. Ishin mbledhur mbi 20 veta për të dëgjuar pionierët. Babai i Armandos, që ishte zëdhënës i grupit, tha se ishin gati t’i hidhnin shëmbëlltyrat, por donin të dinin nëse do të vazhdonin të ishin të mbrojtur nga frymërat e liga. Pionierët i siguruan se Jehovai do t’i ndihmonte patjetër, prandaj ata i hodhën shëmbëlltyrat. Tani, më shumë se 25 veta nga ai fshat po studiojnë Biblën. Armandoja shpreson të pagëzohet së shpejti e po ashtu edhe Elvira po përparon.

Guam

Një motër nga ishulli Sajpan, i cili mbikëqyret nga dega e Guamit, u habit e u kënaq kur mori vesh se i shoqi, më parë kundërshtar, po lexonte fshehurazi shumë botime që ajo i linte nëpër shtëpi. Përveç Kullës së Rojës dhe Zgjohuni!, ai kishte lexuar Libra vjetorë dhe librin Sekreti i lumturisë familjare. Një ditë, mblodhi gruan dhe pesë fëmijët e u tha se kishin «një mbledhje të rëndësishme familjare». Kjo ishte fare e pazakontë. Nga sa doli, babai kishte si qëllim t’u jepte tri vajzave të tij disa këshilla për martesën. Kishte bërë një tabelë me kërkesat për bashkëshortin e mundshëm. Këtij babai që s’ishte Dëshmitar, i kishte lënë kaq shumë mbresa jetëshkrimi i Shila Uinfild da Konseisaut, në Kullën e Rojës të 1 nëntorit 2006, saqë ashtu si Shila, u kishte bërë vajzave një listë me kërkesa për bashkëshortin e përshtatshëm. I këshilloi të martohen vetëm me Dëshmitarë të Jehovait dhe të gjejnë burra që duan Jehovain e që dinë më shumë për Biblën se ato. U tha se dëshironte që ato të përjetonin lumturinë për të cilën kishte lexuar në atë artikull. Kjo u preku zemrën vajzave dhe u dha shpresë se një ditë do t’i shërbejë edhe ai Jehovait, bashkë me to.

Samoa

Një vëlla bashkë me gruan, që vinin nga një vend tjetër, kohët e fundit u caktuan në Samoa. Që në shtëpinë e parë ku predikoi, vëllai ofroi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Për habinë e tij, e ftuan brenda. Por e zonja e shtëpisë, një tregtare që kishte dalë në pension, ndaloi një çast dhe i tha: «Sot mund t’ju kushtoj vetëm 45 minuta», përgjigje që vëllai s’e kishte marrë kurrë më parë. Me të u fillua menjëherë një studim. Kur vëllai i shkoi një javë më pas me të shoqen, gruaja i mirëpriti me Bibël në dorë dhe me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Ka shumë të ngjarë që studimi të ecë mirë.

Ishujt Solomon

Emilia është e vetmja Dëshmitare dhe pioniere e rregullt në zonën e saj, në ishullin San-Kristobal. Ajo drejton 20 studime biblike, tre prej të cilëve janë bërë lajmëtarë të papagëzuar, ndër ta edhe prindërit e saj. Lansi dhe Diana, shërbëtorë ndërkombëtarë, morën pushime dhe udhëtuan për 14 orë në një anije të vogël plot me mallra, për të ndihmuar Emilinë gjatë Përkujtimit. Lansi tha: «Kur mbërritëm, donim veç të flinim pak, por menduam që më parë të shkonim të takonim kryetarin e fshatit. Pasi i shpjeguam qëllimin e vizitës sonë në zonën e tij, kryetari na pyeti: ‘Shumë veta nuk e kanë marrë këtë ftesë. A ka problem nëse vijnë?’ Buzagaz e siguruam se s’kishte asnjë problem.

Kur po afrohej koha për të nisur Përkujtimin, vetëm dy gra dhe disa fëmijë ishin ulur. Por vumë re se shumë të tjerë po qëndronin diku aty pranë pemëve, prandaj i ftuam të hynin. Kur nisi të errësohej, ndezëm një gjenerator të vogël dhe erdhën dritat. Të gjithë e dëgjuan me vëmendje fjalimin e Përkujtimit.» Fjalimin e ndoqën rreth 130 veta, ndër ta edhe një pastor adventist që donte një kopje të Përkthimit Bota e Re, sepse ishte shumë më i qartë se Bibla që përdorte. Në këtë rast të veçantë, u nisën pesë studime të reja biblike.

Papua Guineja e Re

Dy fshatra që ndodheshin pranë një qyteze të vogël, ishin nën ndikimin e fuqishëm të Kishës Katolike, kështu që ishte e vështirë të predikoje atje. Kohët e fundit, vëllezërit shkuan te përfaqësuesit e njërit fshat për t’u shpjeguar veprën tonë dhe arsyen pse duam të flasim me të gjithë njerëzit. Rastësisht, në fshat sapo ishte mbajtur një mbledhje për të diskutuar si t’i ndihmonin të rinjtë që të përmirësonin sjelljen. Vëllezërit u thanë përfaqësuesve të fshatit se njohuria e Biblës mund t’i ndihmonte.

Atyre iu dha leje të predikonin lirisht dhe disa djem të rinj nisën të studionin. Banorët e fshatit vunë re se sjellja e këtyre djemve u përmirësua ndjeshëm ngaqë po shoqëroheshin me Dëshmitarët e Jehovait, kështu që nuk e kundërshtuan më veprën tonë. Pak nga pak, edhe prindërit e miqtë e këtyre djemve nisën të studionin, ndër të cilët edhe e bija e një katekisti që më parë i kishte kërcënuar vëllezërit. Ai i tha së bijës: «Atëherë bëra një gabim trashanik. Shpresoj që Perëndia dhe Dëshmitarët e Jehovait të ma falin këtë mëkat.» Nga këta dy fshatra, tani 27 veta ndjekin mbledhjet rregullisht. Të paktën katër janë bërë vëllezër dhe po shërbejnë si pionierë ndihmës. Synimi i tyre është të fillojnë si pionierë të rregullt.

[Harta dhe figura në faqen 48]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

[Figura]

Fari në Kepin Horn

[Harta në faqen 63]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

San-Kristobal

[Figura në faqen 44]

Studimi i «Kullës së Rojës» në fshatin Antanandava, Madagaskar

[Figura në faqen 46]

Studim me librin «Çfarë mëson vërtet Bibla?», me grupin në Pauaga, Tanzani

[Figura në faqen 49]

Studimi i Librit të Kongregacionit në Siksaola, Kosta-Rikë

[Figura në faqen 50]

Ramiroja me librin «Çfarë mëson vërtet Bibla?»

[Figura në faqen 53]

Hirokoja predikon në stacionin e autobusit

[Figura në faqen 58]

Helgi (djathtas), duke mbajtur fjalim në Shkollën e Shërbimit Teokratik

[Figura në faqen 64]

Lansi, Diana dhe Emilia