Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rusia

Rusia

Rusia

«NGA lindja e diellit deri në perëndim të tij emri im do të jetë i madh ndër kombet.» (Mal. 1:11) Vërtetësinë e kësaj profecie të mrekullueshme që tha Jehovai rreth 2.450 vjet më parë, e shohim sot brenda territorit të Rusisë. Teksa dielli perëndon për shërbëtorët besnikë të Jehovait në qytetin perëndimor të Kaliningradit, tashmë po lind rreth 11 zona orare më në lindje për lajmëtarët në gadishullin Çukotsk, të cilin e ndan nga Alaska ngushtica e Beringut. Pra, dielli nuk perëndon kurrë në Rusi, pasi atje ka gjithnjë lajmëtarë që predikojnë për Mbretërinë dhe që bëjnë dishepuj. Jehovai e ka bekuar jashtë mase punën e palodhur që bënë me guxim vëllezërit dhe motrat gjatë epokës sovjetike. Siç do të shohim, ata qëndruan të palëkundur gjatë përndjekjeve të ashpra dhe, në këtë mënyrë, u përgatitën rrugën më shumë se 150.000 lajmëtarëve që shërbejnë sot në Rusi.

Rusia, me emrin zyrtar «Federata Ruse», nuk përbëhet vetëm nga një komb ose popull. Siç e thotë vetë emri «federatë», ajo është bashkim i disa kombeve, një mozaik fisesh, gjuhësh e popujsh, secili me kulturën e vet të veçantë. Do ta nisim tregimin pikërisht me këtë mozaik të stërmadh etnik, gjuhësor e fetar. Jo me Rusinë e sotme demokratike, por me Perandorinë Ruse të njëqind viteve më parë, ku sundonin carët.

U PREDIKOHET ME GUXIM KLERIKËVE NË MOSKË

Gjatë një periudhe të rigjallërimit fetar, një njeri shumë besimtar që quhej Semjon Kozlicki, i diplomuar në një seminar ortodoks, takoi Çarls Tejz Rasëllin. Ky i fundit drejtonte veprën e Studentëve të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Nina Llupo, mbesa e Semjonit, shpjegoi: «Në vitin 1891 gjyshi bëri një udhëtim në Shtetet e Bashkuara, ku takoi vëllanë Rasëll. Gjyshi mbante me vete një fotografi ku kishin dalë të dy dhe na fliste gjithnjë për vëllanë e tij Rasëll.» Nga fundi i shekullit të 19-të, vëlla Rasëlli dhe shokët e tij po drejtonin veprën për rivendosjen e adhurimit të pastër, duke u mësuar të tjerëve të vërtetat e fuqishme të Biblës. Kjo vepër përfshinte edhe demaskimin e doktrinave të rreme të kishave të krishterimit apostat dhe të klasës së klerit. E vërteta e Biblës, si dhe zelli që tregonin për adhurimin e pastër vëlla Rasëlli me shokë, e nxitën Semjonin t’u predikonte me guxim klerikëve në Moskë. Me çfarë rezultati?

«E internuan menjëherë, pa gjyq, dhe e dërguan të lidhur me vargonj në Siberi, sepse gjoja kishte fyer patrikun e Moskës,—shkruan Nina.—Kështu fjala e Perëndisë arriti në Siberi në vitin 1891.» Më vonë, Semjon Kozlickin e transferuan në një pjesë të Siberisë që tani i përket Kazakistanit. Atje vazhdoi të fliste me zell për fjalën e Perëndisë derisa vdiq, në vitin 1935.

‘RUSIA NUK ËSHTË GATI PËR TË VËRTETËN’

Atë vit që internuan Semjon Kozlickin, vëlla Rasëlli vizitoi për herë të parë Rusinë. Lidhur me atë vizitë, shpesh citohen fjalët e tij: «Në Rusi nuk pamë asnjë mundësi ose gatishmëri për të pranuar të vërtetën.» A po thoshte se njerëzit atje nuk donin të dëgjonin të vërtetën? Jo. Ata i pengonte regjimi diktatorial.

Vëlla Rasëlli e shpjegoi situatën në Kullën e Rojës së Sionit, 1 mars 1892: «Në Rusi, qeveria mban nën një darë të çeliktë çdo shtetas të perandorisë, kurse të huajin e shohin gjithnjë me dyshim. Duhet të paraqitësh pasaportën në çdo hotel e në çdo stacion treni kur hyn e kur del nga një qytet. Pronari i hotelit ta merr pasaportën dhe ia jep shefit të policisë, i cili e mban derisa të ikësh që andej. Kështu mund të të kontrollojnë pa problem kur ke hyrë e kur ke dalë nga vendi. Zyrtarët dhe nëpunësit të trajtojnë me mirësjellje, por ftohtë, duke të treguar se vetëm sa e tolerojnë praninë tënde, po s’je i mirëpritur. Çdo libër ose dokument ta kontrollojnë me kujdes, për t’u siguruar se nuk janë shkruar qëllimisht për të ndërhyrë në idetë e tyre.»

Në kushte të tilla, mund të dukej sikur predikimi i lajmit të mirë nuk do të përparonte shumë lehtë. Por faktikisht, asgjë s’mund t’i pengonte farërat e së vërtetës që të mbinin në Rusi.

NIS ‘DITA E GJËRAVE TË VOGLA’

Që në vitin 1887, Kulla e Rojës e Sionit njoftonte se ishin dërguar me postë numra të revistës në vende të ndryshme, «edhe në Rusi». Më 1904, një grup i vogël Studentësh të Biblës në Rusi shkruanin se e kishin marrë literaturën biblike, edhe pse me shumë vështirësi. Ata shpjegonin: «Literatura binte në sy dhe për pak sa e kthyen mbrapsht» nëpunësit e censurës. Ishin kaq të kënaqur që kishin marrë literaturën, saqë thoshin: «Këtu e konsiderojmë si arin, sepse mezi e gjejmë.» Dukej qartë se e kuptonin qëllimin e literaturës, pasi shkruanin: «Tani, Zotëria na dhëntë bekimin e tij dhe mundësinë për ta shpërndarë këtë literaturë.»

Po, predikimi i lajmit të mirë kishte nisur seriozisht në Rusi dhe sapo ishin hedhur hapat e parë, por domethënës, të adhurimit të vërtetë. Ishin hapa të vegjël, por, siç shkroi profeti Zakaria: «Kush e ka përbuzur ditën e gjërave të vogla?»—Zak. 4:10.

Në vitet që pasuan, disa vëllezër të zellshëm nga Gjermania dërguan literaturë në Rusi. Pjesa më e madhe ishte në gjermanisht, kështu që të vërtetën e pranuan shumë njerëz që flitnin atë gjuhë. Në 1907-n, anëtarët e një kishe baptiste gjermane në Rusi morën me postë kopje të serisë Agimi i Mijëvjeçarit. 15 prej tyre pranuan adhurimin e vërtetë, kështu që i shkishëruan. Më vonë, pastori që i kishte kundërshtuar, u bind për të vërtetat e paraqitura në serinë Agimi i Mijëvjeçarit.

Në vitin 1911 vepra mori hov në një mënyrë të pazakontë: nga një udhëtim për muaj mjalti. Pas martesës, çifti Herkendel nga Gjermania, bëri një udhëtim predikimi në Rusi për të ndihmuar njerëzit që flitnin gjermanisht. Sa u kënaqën kur gjetën disa grupe me lajmëtarë të Mbretërisë dhe i ndihmuan frymësisht!

Më parë, një lexues në Rusi kishte shkruar: «Për mua, literatura që vjen nga Gjermania, është e çmuar siç ishte mana qiellore për bijtë e Izraelit. . . . Sa keq na vjen që nuk e kemi në gjuhën tonë! Unë përdor çdo mundësi për të përkthyer artikuj të ndryshëm në rusisht.» Ja tek kishte nisur puna e përkthimit, por nuk do të mbaronte me kaq.

«SHUMË SHPIRTRA TË ETUR PËR PERËNDINË»

Në vitin 1911, një vëlla polak me emrin R. H. Olezhinski, i cili jetonte në Varshavë të Polonisë, një pjesë e së cilës asokohe i përkiste Perandorisë Ruse, organizoi shtypjen në rusisht të fletushkës Ku janë të vdekurit? Ja ç’i shkruante në një letër vëlla Rasëllit: «Bashkë me letrën po ju dërgoj një kopje të fletushkës . . . Për dhjetë mijë kopje donin shtatëdhjetë e tre rubla . . . Ka shumë vështirësi, por edhe shumë shpirtra të etur për Perëndinë.» Këto fletushka, si dhe botime të tjera, iu shpërndanë atyre që flitnin rusisht, të cilët i morën me vete në Rusi. Kjo ishte një ngjarje historike në këtë fushë të re gjuhësore. Pas pak nisën të prodhoheshin edhe botime të tjera, kryesisht fletushka e broshura. Me kalimin e kohës përpjekjet për përkthimin do të shtoheshin gjithnjë e më tepër.

Më 1912, vëlla Rasëlli vizitoi Finlandën, që atëherë ishte pjesë e Perandorisë Ruse. Me këtë rast, Karlo Hartevës iu dha fuqi juridike me anë të një prokure, që të përfaqësonte Shoqatën Watch Tower Bible and Tract në Finlandë. Më 25 shtator 1913, përfaqësuesi i carit, konsulli perandorak i Rusisë në Nju-Jork, i vuri prokurës pullën e qeverisë dhe e firmosi.

NJË UDHËTIM PREDIKIMI DYMUJOR QË ZGJATI MË SHUMË

Pak para se të fillonte Lufta I Botërore, Xhozef F. Radhërfordi u nis nga Bruklini për një udhëtim në disa vende, si përfaqësues i organizatës. Gjatë atij udhëtimi, në qytetin polak të Lodzit takoi një Student të Biblës, vëlla Dojçmanin. Pak më vonë, vëlla Dojçmani me familjen u nisën për një udhëtim predikimi nëpër Rusi, që e kishin planifikuar për dy muaj. Por shpërthimi i luftës e zgjati këtë udhëtim.

Pas shumë vështirësive, familja Dojçman përfundoi në një qytet të vogël buzë lumit Vollgë. Në 1918-n vendosën të ktheheshin në Poloni, por i pengoi epidemia e lisë që ra në vend. Më pas, kufijtë u mbyllën ngaqë shpërtheu lufta civile. Tri vajza u vdiqën gjatë atyre viteve, ndër të cilat njëra nga lia dhe njëra nga pneumonia.

Kudo mbretëronin uria dhe tmerri. Njerëzit vdisnin rrugëve nga të pangrënët. Në kaosin që u krijua si pasojë, shumë veta, e sidomos të huajt, i akuzonin sikur bashkëpunonin me «armikun» dhe i ekzekutonin menjëherë, pa gjyq. Një ditë, në shtëpinë e vëlla Dojçmanit ia behu një burrë bashkë me një ushtar.

—Ai është armiku, kape!—bërtiti burri.

—Pse?—pyeti ushtari.—Ç’ka bërë?

Ky ishte një marifet i kurdisur nga ai burrë që të mos e paguante vëlla Dojçmanin për ca punë zdrukthëtarie që i kishte bërë. Pasi i dëgjoi të dyja palët, ushtari e kuptoi se burri s’po thoshte të vërtetën dhe e flaku jashtë shtëpisë. Pastaj i tha vëlla Dojçmanit se i kujtohej një bisedë që kishin bërë së bashku për disa tema biblike. Me siguri, ajo bisedë i shpëtoi jetën vëlla Dojçmanit dhe familjes së tij. Në vitin 1921 qeveria komuniste e shtypi rezistencën ushtarake dhe lufta civile mbaroi. Pak më vonë, familja Dojçman u nis për në shtëpi, në Poloni.

STUDENTËT E BIBLËS DHE BOLSHEVIKËT

Në furinë e Luftës I Botërore, u ndërprenë edhe ato pak lidhje që ekzistonin mes vëllezërve në Rusi e atyre gjetkë. Ashtu si vëllezërit e tjerë të Krishtit anembanë botës, edhe ata në Rusi mbase s’ishin të sigurt për domethënien e plotë të kurorëzimit të Krishtit si Mbret. As që e dinin se pas pak, vendi i tyre do të përjetonte disa nga ngjarjet më të spikatshme të shekullit të 20-të, shumë prej të cilave do të përmbushnin profecitë biblike.

Me Revolucionin e Tetorit të vitit 1917 mori fund sundimi 370-vjeçar i carëve. Pa qenë të vetëdijshëm për praninë e Zotërisë Jezu Krisht, sundimtarët e rinj të Rusisë, bolshevikët, kishin plane ambicioze. Donin të vendosnin një formë të re qeverisjeje njerëzore, ndryshe nga gjithë të mëparshmet. Kështu, brenda pak vjetësh, u formua Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, BRSS-ja. Me kalimin e kohës do të përfshinte gati një të gjashtën e sipërfaqes së tokës.

Vlen të përmendim se disa vjet para revolucionit, Vladimir Lenini, udhëheqësi i parë i Bashkimit Sovjetik, kishte thënë: «Çdo njeri duhet të jetë plotësisht i lirë, jo vetëm të bëjë pjesë në çfarëdo feje t’i pëlqejë, por edhe të përhapë ose të ndryshojë fenë. Asnjë zyrtar s’duhet të ketë të drejtë as ta pyesë dikë për fenë e tij: kjo i takon ndërgjegjes së gjithsecilit dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë.»

Në disa zona të vendit, këto parime zyrtare të partisë social-demokrate u jepnin liri njerëzve të sinqertë që t’u flitnin të tjerëve për të vërtetat e Biblës. Por, në përgjithësi, shteti i ri ishte ateist që nga fillimi dhe mbajti qëndrim armiqësor ndaj fesë, duke e quajtur «opium për popullin». Ndër veprimet e para të bolshevikëve ishte nxjerrja e një dekreti për ta ndarë kishën nga shteti. U ndalua arsimimi fetar dhe pronat e kishës i kaluan shtetit.

Si do t’i konsideronte kjo qeveri e re grupet e shpërndara të Studentëve të Biblës që i qëndronin besnikë Mbretërisë së Perëndisë? Ca kohë pas revolucionit të vitit 1917, një Student i Biblës nga Siberia bënte këtë përshkrim të zymtë: «Me siguri jeni në dijeni të situatës këtu në Rusi. Kemi një qeveri sovjetike të bazuar në parime komuniste. Edhe pse duket qartë përpjekja e tyre për të sjellë barazi, për të cilën janë të famshëm, ata po heqin qafe çdo gjë që lidhet me Perëndinë.»

Aty nga viti 1923 ishte shtuar kundërshtimi ndaj Studentëve të Biblës. Vëllezërit raportonin: «Po ju shkruajmë për t’ju informuar se ç’po ndodh në Rusi. . . . I kemi gjërat e nevojshme, ushqim, veshje, . . . por na mungon shumë ushqimi frymor. Librat që na dërguat, i konfiskoi qeveria. Prandaj, ju lutemi të na dërgoni në formë letre pjesë të shkëputura nga çdo botim që keni në gjuhën ruse . . . Ka mjaft njerëz të etur për Fjalën e së Vërtetës. Jo shumë kohë më parë, 5 veta e treguan kushtimin e tyre duke u pagëzuar në ujë. Me ne janë bashkuar edhe 15 baptistë.»

Kullën e Rojës të 15 dhjetorit 1923, komentohej: «Shoqata po bën përpjekje për të dërguar literaturë në Rusi dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, në dashtë Zotëria.» Në vitin 1925, Kulla e Rojës po përkthehej edhe në rusisht. Kjo ndikoi menjëherë në veprën e predikimit në Rusi. Për shembull, një anëtar i një grupi evangjelist nuk arrinte të bënte lidhjen mes doktrinës së ferrit dhe faktit që Perëndia është dashuri. Kur pyeti besimtarët e tjerë të kishës së tij, ata u lutën që Perëndia ta shpëtonte nga këto mendime. Më vonë, atij dhe së shoqes i dhanë disa numra të Kullës së Rojës dhe menjëherë e kuptuan se kjo ishte e vërteta. Ai shkroi për të kërkuar më tepër literaturë: «Presim manën nga ana tjetër e oqeanit.» Edhe vëllezër të tjerë në Rusi njoftonin rregullisht se kishin marrë këtë ‘manë’ dhe falënderonin vëllezërit në Shtetet e Bashkuara për dashurinë e krishterë që tregonin duke prodhuar këtë literaturë që u forconte besimin.

«MË DËRGONI PAK NGA TË GJITHA!»

Kullën e Rojës të shtatorit 1925 u botua një letër prekëse nga Siberia. Një mësues nga një familje fshatare tregonte se në vitin 1909, ai me familjen ishin transferuar nga jugu i Rusisë në Siberi. Shkruante se i kishte lexuar botimet me shumë kënaqësi dhe shtonte: «Dëshira e zemrës sime është të zhytem gjithnjë e më thellë në të vërtetat e shenjta të Perëndisë, që të luftoj kundër errësirës me më tepër zotësi e forcë.» E mbyllte letrën duke kërkuar literaturë: «Ju lutem, më dërgoni pak nga të gjitha!»

Në të njëjtën numër të Kullës së Rojës ishte edhe përgjigjja e botuesit. «Kemi kohë që mundohemi të dërgojmë literaturë në Rusi, por të gjitha përpjekjet tona janë penguar për shkak të kundërshtimit të qeverisë ruse. Kjo letër, dhe të tjera si ajo, janë si thirrja nga Maqedonia: ‘Kalo . . . dhe na ndihmo.’ (Vep. 16:9) Do të vijmë sapo të na e lejojnë rrethanat dhe nëse është vullneti i Zotërisë.»

Dhe në të vërtetë, Kulla e Rojës dhe botime të tjera do të ishin mjete të fuqishme për predikimin e lajmit të mirë «si dëshmi» në gjuhën ruse. (Mat. 24:14) Në vitin 2006 literatura e Dëshmitarëve të Jehovait në rusisht arriti në 691.243.952, një shifër shumë e lartë, që e rendit këtë gjuhë të katërtën pas anglishtes, portugalishtes dhe spanjishtes. Jehovai i ka bekuar jashtë mase përpjekjet e Dëshmitarëve të tij për të shpallur Mbretërinë.

U PREDIKOHET RUSËVE NË DIASPORË

Me ardhjen në pushtet të bolshevikëve dhe me krijimin e shtetit komunist, shumë rusë emigruan në vende të ndryshme. Kulla e Rojës dhe botime të tjera në rusisht shtypeshin jashtë Bashkimit Sovjetik, prandaj qeveria sovjetike nuk i pengonte dot vendet e tjera të furnizoheshin me ushqim frymor. Nga fundi i viteve 20, botimet në rusisht po u shkonin njerëzve në mbarë botën. Vinin letra falënderimi nga rusë në shtete si: Australia, Finlanda, Franca, Letonia, Paraguai, Polonia, Shtetet e Bashkuara dhe Uruguai.

Me kalimin e kohës, në disa nga këto vende vëllezërit organizuan mbledhjet e krishtere dhe veprën e predikimit në gjuhën ruse. Në Shtetet e Bashkuara, disa stacione radiofonike transmetonin rregullisht fjalime biblike në rusisht. U formuan kongregacione të gjuhës ruse, siç ishte ai në Braunsvil të Pensilvanisë, dhe u organizuan kongrese. Për shembull, në maj të vitit 1925, vëllezërit mbajtën një kongres treditor në gjuhën ruse në Karnegi të Pensilvanisë. Pati 250 të pranishëm dhe u pagëzuan 29 veta.

SITUATA NDRYSHON

Pas vdekjes së Leninit, qeveria e intensifikoi sulmin kundër të gjitha feve. Në vitin 1926 u formua Lidhja e të pafeve militantë, emër që tregonte më së miri synimet e saj. Propaganda e pandalshme ateiste kishte si qëllim ta çrrënjoste plotësisht nga mendja dhe zemra e popullit besimin te Perëndia. Fryma e ateizmit u përhap shpejt në çdo cep të territorit të paanë të Bashkimit Sovjetik. Një Student i Biblës në Rusi tregonte në një letër drejtuar selisë botërore: «Të rinjtë po e përvetësojnë këtë frymë, e cila është pa dyshim një pengesë e madhe për të mësuar të vërtetën.»

Lidhja e të pafeve militantë botonte literaturë ateiste, ndër të cilat edhe një revistë që quhej Antireligioznik. Në 1928-n, ajo revistë thoshte: «Provinca e Voronezhit është plot e përplot me sekte.» Ndër to përmendte 48 «Studentë të Shkrimeve të Shenjta», që kishin si «udhëheqës Zinçenkon dhe Mitrofan Bojvinin». Vlen të përmendet se Kulla e Rojës e shtatorit 1926 kishte një letër të Mihail Zinçenkos nga Rusia, i cili shkruante: «Njerëzit janë të uritur për ushqim frymor. . . . Kemi fare pak literaturë. Vëlla Trumpi me të tjerë po përkthejnë e po kopjojnë literaturë ruse, që të kemi ushqim frymor e të inkurajojmë njëri-tjetrin. Ju dërgojmë përshëndetje nga të gjithë vëllezërit rusë.»

Në shtator të vitit 1926, vëlla Trumpi shkroi se kishte shpresa që autoritetet t’i lejonin të merrnin literaturë në rusisht. Ai u kërkoi vëllezërve në Bethelin e Bruklinit të dërgonin fletushka, broshura, libra dhe vëllime të Kullës së Rojës me anë të zyrës në Magdeburg, Gjermani. Në përgjigje të kësaj kërkese, vëlla Radhërfordi dërgoi në Moskë Xhorxh Jangun, i cili mbërriti atje më 28 gusht 1928. Në një nga letrat e tij, Xhorxh Jangu shkruante: «Kam pasur disa përvoja interesante, por nuk e di për sa kohë do të më lejojnë të qëndroj.» Edhe pse arriti të takonte një zyrtar të lartë në Moskë, mundi të merrte një vizë që zgjaste vetëm deri më 4 tetor 1928.

Ndërkaq, qëndrimi i shtetit të sapoformuar sovjetik ndaj fesë nuk ishte shumë i qartë. Në disa shkresa zyrtare shprehej dëshira që grupet fetare të shkriheshin në forcën punëtore sovjetike. Në vitet që pasuan, kjo dëshirë u bë politika e shtetit. Është e rëndësishme të kuptojmë se qeveria sovjetike nuk donte t’i vriste shërbëtorët e Jehovait, por luftonte që t’u fitonte mendjen dhe zemrën. Donte t’i bindte shërbëtorët e Perëndisë që të bënin si të tjerët, t’i detyronte që të ishin besnikë vetëm ndaj shtetit. E vetmja gjë që s’donin, ishte që ata t’i mbeteshin besnikë Jehovait.

Pas ikjes së vëlla Jangut, vëllezërit rusë vazhduan të predikonin me zell për Mbretërinë e Perëndisë. Danjil Staruhini u caktua që të organizonte veprën e predikimit në Rusi. Për të përshpejtuar këtë vepër e për të forcuar vëllezërit, vëlla Staruhini vizitoi Moskën, Kurskun, Voronezhin dhe qytete të tjera në Rusi e në Ukrainë. Bashkë me vëllezër të tjerë, ai u predikoi baptistëve në vendet ku mblidheshin për t’u lutur, duke u shtjelluar të vërtetën për Jezu Krishtin e për Mbretërinë e Perëndisë. Në janar të vitit 1929, vëllezërit në Rusi morën me qira për 200 dollarë në vit godinën e një kishe në Kursk, që të mblidheshin lirisht.

Më vonë po atë vit, vëllezërit në Bethelin e Bruklinit i kërkuan leje komisariatit popullor të tregtisë në BRSS që të importonin në Bashkimin Sovjetik një sasi të vogël literature biblike. Kishte nga 800 kopje të librave Harpa e Perëndisë dhe Çlirim, si dhe 2.400 broshura. As dy muaj më vonë, literatura u kthye mbrapsht, me vulën: «I kthehet dërguesit: ndalohet hyrja nga administrata e shtypit.» Gjithsesi, vëllezërit nuk i hoqën shpresat. Disa menduan se literatura u kthye mbrapsht ngaqë botimet ishin shtypur me alfabetin e vjetër rus. Që nga ajo kohë, vëllezërit morën masa që e gjithë literatura ruse të përkthehej saktë e të shtypej sipas zhvillimeve më të reja gjuhësore.

NEVOJA PËR NJË PËRKTHIM CILËSOR

Që nga viti 1929, në disa numra të Kullës së Rojës dilnin njoftime për përkthyes të kualifikuar që të njihnin anglishten dhe rusishten. Për shembull, në botimin rus të Kullës së Rojës së marsit 1930, ishte ky njoftim: «Kërkohet një vëlla i pagëzuar, i kualifikuar, që të njohë anglishten dhe të dijë shumë mirë rusisht, për të përkthyer nga anglishtja.»

Jehovai e vuri re këtë nevojë dhe kështu u gjetën përkthyes në vende të ndryshme. Një prej tyre ishte Aleksandër Forstmani, i cili që në vitin 1931 dërgonte artikuj të përkthyer në rusisht në selinë botërore, me anë të zyrës së degës së Danimarkës në Kopenhagen. Vëlla Forstmani ishte përkthyes i zellshëm dhe jetonte në Letoni. Ishte i arsimuar, dinte mirë anglisht e rusisht dhe arrinte të përkthente shpejt literaturën biblike. Kishte një fëmijë dhe e shoqja s’ishte Dëshmitare, prandaj fillimisht i kushtonte vetëm disa orë në javë përkthimit, sepse punonte për të mbajtur familjen. Në dhjetor të vitit 1932, vëlla Forstmani nisi të punonte në kohë të plotë si përkthyes dhe përktheu fletushka, broshura e libra. Vdiq në vitin 1942.

Vëllezërit ishin shumë të interesuar që të nxirrnin përkthime cilësore në rusisht, pasi besonin se së shpejti vepra e Mbretërisë do të njihej ligjërisht në Rusi. Uilliam Dei, mbikëqyrësi i Zyrës për Evropën Veriore, i shkruante në një letër vëlla Radhërfordit: «Kur të hapet vepra në Rusi—e kjo ka për të ndodhur shpejt,—do të ishte mirë të kishim një përkthim të denjë të botimeve tona që t’ia paraqitnim popullsisë me 180 milionë banorë.»

PROGRAME NË RADIO

Radioja ishte një mënyrë tjetër që u përdor për ta përhapur lajmin e mirë në territorin e paanë të Rusisë. Kulla e Rojës e shkurtit 1929 kishte këtë njoftim: «Do të transmetohen në radio fjalime në rusisht.» Programet transmetoheshin nga Estonia në Bashkimin Sovjetik të shtunën e dytë dhe të katërt të çdo muaji.

Vëlla Uollas Baksteri, mbikëqyrës i degës së Estonisë, më vonë kujtonte: «Pas shumë debatesh, në vitin 1929 u firmos një kontratë njëvjeçare. Jo shumë kohë pasi nisën transmetimet në rusisht, morëm vesh se banorët e Leningradit po i ndiqnin ato. Regjimi sovjetik reagoi njësoj si klerikët në Estoni. Ata i paralajmëruan njerëzit që të mos e dëgjonin mesazhin e Mbretërisë.» Në vitin 1931, programet në rusisht nisën të transmetoheshin në një orar të volitshëm për dëgjuesit, nga ora 17.30 deri në orën 18.30, në frekuencë mesatare. Programet u ndaluan në qershor të vitit 1934, pas tre vitesh e gjysmë transmetimi. Në një letër nga zyra e degës e Estonisë, vëllezërit shpjegonin si ndodhi kjo: «Klerikët e paralajmëruan qeverinë [estone] se fjalimet tona radiofonike nuk janë në interes të shtetit, pasi janë të së njëjtës natyrë me propagandën komuniste dhe anarkiste.»

NJË NDRYSHIM

Më 1935, vëllezërit përgjegjës nga Betheli i Bruklinit dërguan në Bashkimin Sovjetik Anton Kerberin, me shpresë se do të hapte një zyrë dege atje. Donin të dërgonin edhe një makinë shtypi nga Gjermania, ku sapo kishte ardhur në pushtet Adolf Hitleri. Edhe pse ky plan nuk u realizua, vëlla Kerberi arriti të takohej me disa vëllezër atje.

Për disa vjet, vepra e predikimit të Mbretërisë në Rusi vazhdoi të përparonte. Literatura biblike përkthehej në rusisht nën drejtimin e zyrës së degës së Letonisë, por ishte e vështirë të futej në vend. Prandaj, një sasi e madhe literature mbeti stok.

Deri kur filloi Lufta II Botërore më 1939, Dëshmitarët ishin të paktë në numër, prandaj qeveria sovjetike nuk u kushtonte vëmendje. Por shumë shpejt situata do të ndryshonte. Pak kohë pasi Gjermania naziste pushtoi Poloninë më 1939, Bashkimi Sovjetik aneksoi 4 republikat e fundit nga 15 që kishte gjithsej: Estoninë, Letoninë, Lituaninë dhe Moldavinë. Papritur, mijëra Dëshmitarë u gjendën brenda kufijve të Bashkimit Sovjetik, një kombi që shpejt do të zhytej në një luftë të përgjakshme për të mbijetuar. Do të vinin kohë vuajtjesh e vështirësish për miliona veta. Dëshmitarëve të Jehovait në ato kohë do t’u duhej të tregonin besnikëri ndaj Perëndisë nën zgjedhën e shtypjes së rëndë.

TË GATSHËM TË QËNDROJNË TË PALËKUNDUR

Në qershor të vitit 1941, Gjermania ndërmori një mësymje të përgjithshme kundër Bashkimit Sovjetik, duke e zënë krejt në befasi Josif Stalinin, udhëheqësin sovjetik. Në fund të atij viti, trupat gjermane kishin mbërritur në rrethinat e Moskës dhe rënia e Bashkimit Sovjetik dukej e pashmangshme.

Në një përpjekje të dëshpëruar, Stalini donte të mobilizonte popullin për Luftën e Madhe Patriotike, siç e quajtën rusët. Ai e kuptoi se, për t’i bindur njerëzit që ta mbështetnin luftën, duhej t’i bënte disa lëshime kishës, pasi miliona veta ishin ende fetarë. Në shtator të vitit 1943, Stalini organizoi një pritje publike në Kremlin me tre përfaqësues të rangut të lartë të Kishës Ortodokse Ruse. Kjo shërbeu si urë pajtimi mes kishës e shtetit dhe bëri që qindra kisha të hapeshin për publikun.

Ashtu si në Gjermani, edhe në Rusi Dëshmitarët e Jehovait qëndruan krejtësisht asnjanës gjatë luftës. Ata ishin gati të pranonin pasojat dhe ishin të vendosur që të zbatonin urdhërimin e Zotërisë së tyre. (Mat. 22:37-39) Për shkak të asnjanësisë, nga viti 1940 deri më 1945 më shumë se një mijë Dëshmitarë nga Ukraina, Moldavia dhe republikat baltike u dërguan në kampet e punës në qendër të Rusisë.

Vasili Savçuku sjell ndër mend: «U pagëzova në Ukrainë, në vitin 1941, kur isha 14 vjeç. Gjatë luftës, pothuajse të gjithë vëllezërit aktivë i dërguan nëpër burgje e kampe në qendër të Rusisë. Por vepra e Jehovait nuk u ndal. Motrat besnike dhe adoleshentët si unë morën përsipër përgjegjësi në kongregacion e në shërbim. Në fshatin tonë ishte ende një vëlla i lirë, invalid. Ai më tha: ‘Vasili, na duhet ndihma jote. Kemi një vepër shumë të rëndësishme për të bërë, po s’kemi mjaft burra.’ Nuk i mbajta dot lotët kur pashë sa merak kishte për veprën e Jehovait ky vëlla shëndetlig. Pranova me gëzim të bëja çdo gjë që duhej. Sajuam shtypshkronja nëpër bodrume, ku shumëfishonim botimet tona të çmuara me ushqim frymor. Pastaj ato u shpërndaheshin vëllezërve, sidomos atyre që ishin në burg.»

Edhe pse motrat dhe adoleshentët punonin me dashuri e vetëmohim, sasia e ushqimit frymor që prodhohej, nuk mjaftonte. Një zgjidhje e dhanë vëllezërit polakë që u larguan nga Rusia, të cilët arritën t’i çonin raporte zyrës në Poloni. Vëllezërit ukrainas dhe rusë që udhëtuan në drejtimin e kundërt, pra që hynë në Rusi, morën me vete botime, shabllone me letër dylli, bojë për shtyp dhe mjete të tjera për t’i përdorur atje.

«LE TË KTHEHEN SECILI NË VENDIN E VET»

Në vitin 1946, disa vëllezër që jetonin në Poloni, i detyruan të shkonin me banim në Ukrainën sovjetike. Ivan Pashkovski kujton: «Vëllezërit pyetën në zyrën e degës në Lodz se ç’duhej bërë në këtë situatë. Në përgjigje citohej Gjykatësit 7:7: ‘Le të kthehen secili në vendin e vet.’ Shumë vjet më pas e kuptova se Jehovai me mençuri kishte drejtuar veprën e predikimit në këto territore të vështira. ‘Vendi’ ynë ishte kudo që na dërgonte Jehovai. E kuptuam se ishte e rëndësishme t’u bindeshim urdhrave që vinin nga autoritetet. Prandaj, nisëm përgatitjet për t’u transferuar në një vend ateist.

Së pari, u takuam me 18 kandidatë për pagëzim që i kishin sjellë në shtëpinë e një vëllai, dhe i përgatitëm për pagëzimin. Gjithashtu, grumbulluam literaturë në gjuhën ruse dhe ukrainase e u përpoqëm ta paketonim që të mos dallohej gjatë kontrolleve. Sapo kishte aguar kur fshatin tonë e rrethuan forcat e ushtrisë polake, që na urdhëruan të bëheshim gati për udhë. Na lejuan të merrnim ushqime sa për një muaj dhe sendet e domosdoshme shtëpiake. Na shoqëruan për në stacionin e trenit dhe, kështu, Bashkimi Sovjetik u bë ‘vendi’ ynë.

Sapo mbërritëm në destinacion, na rrethuan banorët dhe autoritetet vendëse. Donim të jepnim menjëherë dëshmi, prandaj me guxim u thamë se ishim Dëshmitarë të Jehovait. Papritur, një ditë më pas, na erdhi për vizitë sekretari i komitetit bujqësor të zonës. Na tha se i ati kishte emigruar në Amerikë dhe i dërgonte literaturë të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Sa u lumturuam kur dëgjuam këtë! Një gjë vërtet e jashtëzakonshme ishte se ai na ofroi literaturë. Pastaj, kur nisi të ndiqte mbledhjet bashkë me familjen, e kuptuam se në këtë vend kishte shumë ‘gjëra të dëshirueshme’ për Jehovain. (Hag. 2:7) Shpejt, të gjithë në familje u bënë Dëshmitarë të Jehovait dhe shërbyen me besnikëri për shumë vjet.»

SHUMË PUNË PËRPARA

Gjatë Luftës II Botërore dhe pas saj, vepra në Rusi kryhej në kushtet më të vështira që mund të imagjinohen. Në një letër që zyra e degës së Polonisë i drejtonte selisë botërore më 10 prill 1947, thuhej: «Përfaqësuesit e fesë i frikësojnë besimtarët e tyre duke u thënë se do të dënohen me dhjetë vjet punë të detyruar dhe internim, nëse marrin nga Dëshmitarët e Jehovait Kullën e Rojës ose ndonjë fletushkë. Prandaj, popullin e ka zënë frika dhe tmerri, ndonëse njerëzit janë të dëshiruar për dritën frymore.»

Libri vjetor 1947 thoshte: «Dëshmitarët nuk kanë literaturë të shtypur, dhe as Kullën e Rojës nuk e kanë në formën e saj tërheqëse. . . . Në shumë raste, ajo ende kopjohet me dorë, tërë mundim, dhe u kalohet të tjerëve në këtë formë . . . Nganjëherë korrierët tanë i arrestojnë dhe i futin në burg, në qoftë se u gjejnë Kullën e Rojës

Regina Krivokulski thotë: «Më dukej sikur i gjithë vendi ishte i rrethuar me tela me gjemba dhe ne ishim të burgosur, edhe pse s’ishim në burg. Burrat tanë, të cilët i shërbenin me zell Perëndisë, po e kalonin pothuajse gjithë jetën nëpër burgje e kampe pune. Ne gratë duhej të duronim shumë vështirësi, net pa gjumë, gjurmime dhe presion psikologjik nga Komiteti i Sigurimit të Shtetit Sovjetik (KGB), pushimin nga puna dhe sprova të tjera. Autoritetet provuan metoda të ndryshme që të na shmangnin nga udha e së vërtetës. (Isa. 30:21) S’kishim asnjë dyshim se Satanai po e përdorte situatën që të paralizonte veprën e predikimit të Mbretërisë. Por Jehovai nuk e braktisi popullin e vet. Ndihma e tij dukej qartë.

Literatura biblike, e futur në vend me shumë vështirësi, na jepte ‘fuqi përtej normales’ si dhe mençuri që të përballonim situatat. (2 Kor. 4:7) Jehovai e udhëhiqte popullin e tij dhe, ndonëse shteti na kundërshtonte fuqishëm, në organizatën e Tij vazhdonin të hynin njerëz të interesuar. Ishte e mrekullueshme se, që nga fillimi, ata ishin gati të duronin vështirësi bashkë me popullin e Jehovait. Vetëm fryma e Jehovait mund ta bënte këtë.»

LETRA NGA PËRTEJ GARDHIT

Në vitin 1944, Pjotri, që më vonë u martua me Reginën, u burgos në një kamp pune në provincën e Gorkit, për shkak të asnjanësisë së krishterë. Po kjo nuk ia ndali aspak zellin për predikimin. Ai shkruante letra ku shpjegonte shkurtimisht një mësim biblik. Pastaj e vinte çdo letër në një zarf, e lidhte me spango me një gur dhe e hidhte përtej gardhit me tela me gjemba. Pjotri shpresonte që dikush t’i lexonte letrat, dhe një ditë erdhi dikush që lexoi njërën prej tyre. Ishte një vajzë me emrin Lidja Bulatova. Pjotri e pa dhe me zë të ulët i tha të afrohej. E pyeti nëse donte të mësonte më shumë për Biblën dhe Lidjas i pëlqeu kjo ide. Kështu e lanë të takoheshin përsëri. Pas kësaj, ajo vinte rregullisht që të merrte ato letra të çmuara.

Lidja u bë motër e zellshme dhe predikuese e lajmit të mirë. Shpejt nisi të drejtonte studime biblike me Maria Smirnovën dhe Olga Sevrjuginën. Edhe ato nisën t’i shërbenin Jehovait. Për ta mbështetur frymësisht këtë grup të vogël me motra, vëllezërit që ishin në kamp nisën t’u siguronin ushqim frymor. Për këtë, Pjotri bëri një valixhe të vogël me fund të dyfishtë që e mbushte me revista. I rregulloi punët që valixhen ta nxirrnin e ta futnin prapë në kamp disa që nuk ishin Dëshmitarë e s’ishin të burgosur. Ata e çonin në adresën e njërës nga motrat.

S’kaloi shumë dhe motrat organizuan veprën e predikimit në atë zonë. Policia e nuhati këtë dhe dërgoi një agjente që t’i spiunonte, diçka e zakonshme në ato kohë. Agjentja, një mësuese, u hoq sikur ishte e interesuar për të vërtetën dhe fitoi besimin e motrave. Meqë s’kishin përvojë në këtë fushë, tërë kënaqësi ato i folën për të vërtetat e Biblës kësaj «motre» të re dhe më vonë i thanë si e merrnin literaturën. Herën tjetër që valixhja do të dilte nga kampi, Pjotrin e mbajtën në arrest kampi dhe e dënuan me 25 vite të tjera burg. Edhe tri motrat u dënuan me nga 25 vjet burg.

‘DUHEN INFORMUAR’

Gjatë viteve të luftës dhe pas saj, qeveria sovjetike vazhdoi t’i kundërvihej me forcë veprimtarisë së Dëshmitarëve të Jehovait. Në mars të vitit 1947, vëllezërit në Poloni raportuan se një zyrtar i lartë i njërës nga krahinat perëndimore të Bashkimit Sovjetik kishte deklaruar se, kur të dilte pranvera e atij viti, atje s’do të kishte më këmbë Dëshmitari të Jehovait. Ata tregonin: «Ndërkohë që po shkruanim këtë letër, na erdhi lajmi se ishin arrestuar 100 vëllezër e motra brenda një dite.» Në një letër tjetër thuhej për vëllezërit nëpër kampe: «Është e mrekullueshme se si po mbajnë integritetin ndaj Jehovait. Shumë prej tyre tashmë kanë dhënë jetën, dhe vëllezërit presin çlirimin nga Jehovai njësoj si ata që ishin në kampet e përqendrimit.»

Gjithashtu, Dëshmitarët i arrestonin ngaqë predikonin dhe nuk pranonin të votonin. Vëllezërit me përgjegjësi shkruan në vitin 1947: «Kemi përshtypjen se autoritetet e larta në Rusi nuk dinë gjë për fatin e vëllezërve tanë, por gjithsesi s’kanë interes t’i shfarosin. Atyre u mungon një shpjegim i domosdoshëm, kështu që duhen informuar.»

PËRPJEKJE PËR T’U REGJISTRUAR

Jo shumë kohë më pas, zyra e degës në Poloni sugjeroi që dy vëllezër rusë bashkë me një avokat me përvojë, të përgatitnin dokumentet e duhura për të regjistruar veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Bashkimin Sovjetik. Në një letër që u dërgoi Polonia vëllezërve në Rusi, thuhej: «Lajmi i mirë për Mbretërinë duhet të predikohet kudo, edhe në Rusi. (Marku 13:10)» Letra mbyllej me këto fjalë: «Kini durim. Jehovai do t’jua kthejë lotët në britma gëzimi.—Psalmi 126:2-6

Në gusht të vitit 1949, Mikola Pjatoha, Mihajlo Çumaku dhe Ilija Babijçuku bënë kërkesë për regjistrim. Qeveria pranoi t’i njihte Dëshmitarët e Jehovait, por me disa kushte. Ndër të tjera, vëllezërve iu kërkua të jepnin emrat e gjithë Dëshmitarëve të Jehovait që jetonin në territorin e Bashkimit Sovjetik, por ata s’mund ta bënin këtë. Edhe pse vepra vazhdoi përpara dhe numri i lajmëtarëve rritej vazhdimisht, shumë vëllezërve po u hiqej liria.

‘JEHOVAI YT S’TË NXJERR DOT QË KËTU’

Pjotër Krivokulski sjell ndër mend verën e vitit 1945 dhe thotë: «Pas gjyqit, vëllezërit i dërguan nëpër kampe të ndryshme. Në kampin ku më çuan mua, shumë të burgosur treguan interes për të vërtetën. Një prej tyre, një klerik, e kuptoi menjëherë se ajo që po dëgjonte, ishte e vërteta, dhe mori anën e Jehovait.

Gjithsesi, kushtet ishin tejet të vështira. Një herë më futën në një qeli aq të ngushtë sa mund të rrije vetëm në këmbë. E quanin ‘foleja e çimkave’, sepse gëlonte nga çimkat. Kishte kaq shumë, sa me siguri mund t’ia thithnin gjithë gjakun një njeriu. Inspektori ndaloi para qelisë dhe më tha: ‘Jehovai yt s’të nxjerr dot që këtu.’ Si racion të përditshëm kisha 300 gramë bukë dhe një gotë ujë. Qelia s’kishte ajër, kështu që përkulesha te dera e vogël dhe thithja me tërë mushkëritë ajrin që vinte nga një e çarë e hollë. I ndieja çimkat tek më thithnin gjakun. Gjatë dhjetë ditëve që kalova në folenë e çimkave, i kërkoja vazhdimisht Jehovait që të më jepte forcë të duroja. (Jer. 15:15) Kur u hap dera, më ra të fikët, dhe kur u zgjova ndodhesha në një qeli tjetër.

Pas kësaj, gjykata e kampit të punës më dënoi me dhjetë vjet burg në një kamp penal të sigurisë së lartë, për ‘agjitacion e propagandë kundër shtetit sovjetik’. Në atë kamp as merrje e as dërgoje dot letra. Në përgjithësi të burgosurit ishin dënuar për krime të rënda, si për shembull për vrasje. Autoritetet më thanë se, po të mos e mohoja besimin tim, këta njerëz do të më bënin gjithçka që do t’u thuhej. Në atë kohë peshoja vetëm 36 kilogramë dhe mezi mbahesha në këmbë. Por edhe atje, arrita të gjeja njerëz të sinqertë që e kishin zemrën të prirur drejt së vërtetës.

Një herë, isha ulur e po lutesha pas një shkurreje kur m’u afrua një i moshuar. Më pyeti: ‘Çfarë ke bërë që përfundove në këtë ferr?’ Kur mori vesh se isha Dëshmitar i Jehovait, u ul, më përqafoi e më puthi. Pastaj më tha: ‘Biro, kam kaq shumë kohë që dua të mësoj për Biblën. A do të më mësosh, të lutem?’ U bëra me krahë nga lumturia! Kisha qepur te rrobat e rreckosura disa copëza të vjetra nga Ungjijtë, që i nxora menjëherë. Atij iu mbushën sytë me lot. Folëm për një kohë të gjatë atë mbrëmje dhe më tha se punonte në mensën e kampit e do të më jepte për të ngrënë. Kështu u bëmë miq. Ai përparoi frymësisht, kurse unë mora forcë fizikisht. Isha i sigurt se këtë e kishte rregulluar Jehovai. Pas disa muajsh, atë e liruan, kurse mua më dërguan në një kamp tjetër, në provincën e Gorkit.

Atje kushtet ishin shumë më të mira. Por, mbi të gjitha, isha i lumtur se drejtoja studime biblike me katër të burgosur. Në vitin 1952 përgjegjësit e kampit na kapën me literaturë. Gjatë marrjes në pyetje para gjyqit, më futën në një kuti hermetike dhe, kur nisja të asfiksohesha, e hapnin kutinë që të merrja ajër, pastaj e mbyllnin prapë. Donin që të mohoja besimin tim. Na dënuan të gjithëve, por asnjë nga studentët e mi të Biblës nuk u tremb kur na njoftuan dënimet. Sa u kënaqa për këtë! Që të katër i dënuan me nga 25 vjet në kampe. Mua më dhanë një dënim më të rëndë, por pastaj e ndryshuan në 25 vite të tjera në një kamp të sigurisë së lartë dhe 10 vjet internim. Kur dolëm nga dhoma, ndaluam dhe falënderuam Jehovain që na mbështeti. Rojat mbetën të shtangur, pasi nuk e kuptonin pse ishim të lumtur. Na ndanë dhe na dërguan në kampe të ndryshme. Mua më dërguan në një kamp të sigurisë së lartë në Vorkutë.»

SHPËTOJNË FALË ASNJANËSISË SË KRISHTERË

Jeta në kamp ishte skëterrë. Shumë të burgosur që nuk ishin Dëshmitarë, arrinin deri aty sa vritnin veten. Ivan Krilovi sjell ndër mend: «Pasi u lirova nga kampi i sigurisë së lartë, shkova në disa miniera qymyrguri, ku vëllezërit dhe motrat bënin punë të detyruar. Arritëm të takoheshim dhe kushdo që kishte pasur mundësi të kopjonte me dorë ndonjë nga revistat, ua kaloi të tjerëve. Dëshmitarët predikonin në çdo kamp dhe shumë njerëz shfaqnin interes. Pasi u liruan, disa nga këta u pagëzuan në lumin Vorkutë.

Vazhdimisht na sprovohej besimi te Jehovai dhe te Mbretëria e tij. Në një rast, në vitin 1948, disa të burgosur që ndodheshin në një kamp në Vorkutë, organizuan një kryengritje. Kryengritësit u kishin thënë të burgosurve se, po të organizoheshin nëpër grupe, sipas kombësisë ose fesë, kryengritja do të kishte më shumë sukses. Në atë kohë, ishim 15 Dëshmitarë në kamp. U thamë kryengritësve se ne Dëshmitarët e Jehovait jemi të krishterë dhe nuk marrim pjesë në këto gjëra. U shpjeguam se as të krishterët e parë nuk kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Romës. Natyrisht, kjo i habiti shumë veta, po ne qëndruam në tonën.»

Kryengritja përfundoi në mënyrë tragjike. Ajo u shtyp nga ushtarë të armatosur, të cilët i çuan të gjithë kryengritësit në një barakë më vete. Pastaj e spërkatën barakën me naftë dhe i vunë zjarrin. Gati të gjithë ata që ishin brenda, vdiqën. Ushtarët nuk i nganë vëllezërit.

Ivani vazhdon: «Në dhjetor të vitit 1948, në një kamp takova tetë vëllezër që ishin dënuar me nga 25 vjet burg. Bënte dimër i acartë dhe puna në miniera ishte e rëndë. Por, në sytë e këtyre vëllezërve shihja besim dhe një shpresë të sigurt. Madje, pikëpamja e tyre pozitive u dha forcë edhe të burgosurve që nuk ishin Dëshmitarë të Jehovait.»

INTERNOHEN NË SIBERI

Dëshmitarët vazhduan ta predikonin me zell lajmin e mirë për Mbretërinë e Jehovait, pavarësisht nga kundërshtimi i ashpër i autoriteteve. Kjo e acaroi shumë qeverinë qendrore në Moskë, po sidomos KGB-në. Në një letër qarkore që KGB-ja i dërgoi Stalinit më 19 shkurt 1951, thuhej: «Për të shtypur veprimtaritë e mëtejshme antisovjetike të Jehovistëve që veprojnë në ilegalitet, MGB-ja [Ministria e Sigurimit të Shtetit, më vonë KGB] e BRSS-së e sheh të nevojshme t’i internojë në provincat e Irkutskut dhe të Tomskut Jehovistët e deklaruar dhe familjet e tyre.» KGB-ja i njihte Dëshmitarët dhe i kërkoi leje Stalinit të internonte në Siberi 8.576 veta nga gjashtë republika të Bashkimit Sovjetik. Leja u dha.

Magdalina Beloshickaja kujton: «Të dielën, më 8 prill 1951, u zgjuam nga një e trokitur e fortë në derë, në orën dy të mëngjesit. Mamaja u ngrit menjëherë dhe vrapoi ta hapte. Para derës qëndronte një oficer që tha me një ton zyrtar: ‘Po ju internojmë në Siberi, sepse besoni te Perëndia. Keni dy orë kohë për të bërë gati plaçkat. Mund të merrni me vete gjithçka që keni në dhomë, por nuk lejohet të merrni grurë, miell dhe drithëra të tjera. S’mund të merrni as mobilie, sende druri dhe makina qepëse. S’mund të merrni asgjë nga oborri i shtëpisë. Merrni çarçafë, rroba dhe çanta e dilni jashtë.’

Para ca kohësh, kishim lexuar në botimet tona se në lindje të vendit kishte shumë punë për të bërë. Tani e kuptuam se kishte ardhur koha për këtë.

Asnjë nga ne s’derdhi lot e nuk vajtoi. Oficeri u habit: ‘Askush nga ju s’ka derdhur asnjë pikë loti.’ I thamë se po e prisnim këtë që nga viti 1948. I kërkuam leje që të merrnim të paktën një pulë të gjallë për udhëtimin, por nuk na la. Bagëtitë tona i ndanë mes tyre oficerët. Pulat i ndanë para syve tanë: njëri mori pesë, tjetri gjashtë dhe një tjetër mori tre a katër. Meqë në kotec mbetën vetëm dy pula, oficeri dha urdhër t’i thernin dhe na i dha.

Vajza ime tetëmuajshe po flinte në djep. E pyetëm oficerin nëse mund ta merrnim me vete djepin, por ai dha urdhër ta çmontonin. Më dha vetëm pjesën ku mund të mbaja foshnjën.

S’kaloi shumë dhe fqinjët morën vesh se po na internonin. Njëri prej tyre solli një trastë të vogël me bukë të thekur dhe, ndërsa po largoheshim me një qerre, e hodhi brenda. Ushtari që po na ruante, e pa trastën dhe e flaku tej. Gjithsej ishim gjashtë veta: unë, mamaja, dy vëllezërit e mi, im shoq dhe vajza jonë tetëmuajshe. Pasi kaluam fshatin, na hipën shpejt e shpejt në një makinë e na çuan në qendrën rajonale, ku na përpiluan dokumentet. Pastaj na çuan me kamion në stacionin e trenit.

Ishte një ditë e bukur me diell. Në stacion kishte plot njerëz, disa që po i internonin dhe disa që kishin ardhur për të parë. Kamioni ku ishim ne, ndaloi para një vagoni që kishte disa vëllezër. Kur u mbush treni, ushtarët bënë apelin duke i thirrur të gjithë sipas mbiemrave. Në vagonin tonë ishim 52 veta. Ata që kishin ardhur të na përcillnin, nisën të qanin, ca madje me dënesë. U mahnitëm, sepse disa prej tyre as që i njihnim. Por ata e dinin se ishim Dëshmitarë të Jehovait dhe se po na internonin në Siberi. U dëgjua sirena e fortë e lokomotivës me avull dhe vëllezërit nisën të këndonin në gjuhën ukrainase: ‘Dashuria e Krishtit qoftë me ju. Ne i japim lavdi Jezu Krishtit. Do të takohemi përsëri në Mbretërinë e tij.’ Shumica prej nesh ishte plot shpresa dhe kishte besim se Jehovai nuk do të na braktiste. Kënduam disa vargje. Skena ishte kaq prekëse, saqë edhe disa ushtarë nisën të qanin. Pastaj treni u nis.»

«E KUNDËRTA E ASAJ QË PRITEJ»

Në një libër të tij, dr. Nikolaj S. Gordijenko, profesor në Universitetin «Hercen» në Shën-Pjetërburg, përshkruante ç’arritën përndjekësit me këtë që bënë: «Rezultati ishte krejt e kundërta e asaj që pritej. Ata donin ta dobësonin organizatën e Dëshmitarëve të Jehovait në BRSS, por në fakt vetëm sa e forcuan më tepër. Në vendet e reja ku shkuan, aty ku askush nuk kishte dëgjuar për fenë e tyre, Dëshmitarët e Jehovait i ‘infektuan’ vendësit me besimin dhe me besnikërinë që treguan.»

Shumë Dëshmitarë u përshtatën shpejt me rrethanat e reja. U organizuan kongregacione të vogla dhe u caktua territori për të predikuar. Nikolaj Kalibaba thotë: «Për njëfarë kohe në Siberi, arritëm të predikonim shtëpi më shtëpi ose, për t’u shprehur më saktë, nga një shtëpi në një tjetër, disa dyer më poshtë. Por ishte e rrezikshme. Si predikonim? Pas vizitës së parë, përpiqeshim të bënim një rivizitë afërsisht pas një muaji. E nisnim bisedën me pyetjen: ‘Mos keni për të shitur pula, dhi ose lopë?’ Pastaj, dalëngadalë e kthenim bisedën te Mbretëria. Pas njëfarë kohe, KGB-ja e mori vesh këtë metodë dhe pas pak në gazetë u botua një artikull që i paralajmëronte njerëzit të mos flitnin me Dëshmitarët e Jehovait. Aty thuhej se Dëshmitarët shkonin shtëpi më shtëpi duke i pyetur njerëzit mos kishin lopë, pula e dhi, por ne në të vërtetë po kërkonim ‘dele’!»

Gavril Livëji tregon: «Vëllezërit përpiqeshin të dilnin në shërbim, edhe pse KGB-ja i ndiqte këmba-këmbës. Te populli sovjetik, reagimi tipik ishte që, nëse dyshonin se dikush po përpiqej t’u fliste për argumente fetare, menjëherë lajmëronin policinë. Po ne vazhduam të predikonim, edhe pse fillimisht pa ndonjë rezultat të dukshëm. Megjithatë, me kalimin e kohës, e vërteta filloi t’i ndryshonte disa nga banorët vendës. Njëri prej tyre ishte një rus, që më parë pinte shumë alkool. Pasi mësoi të vërtetën, e vuri jetën në përputhje me parimet e Biblës dhe u bë Dëshmitar. Ca kohë më vonë, e thirri një oficer i KGB-së dhe i tha: ‘Me kë e kalon kohën? Me ata Dëshmitarët, që janë të gjithë ukrainas?’

Vëllai iu përgjigj: ‘Kur isha pijanec dhe flija rrugëve, s’donit t’ia dinit për mua. Tani që jam njeri normal dhe i bindem ligjit, s’po ju pëlqen. Shumë ukrainas po largohen nga Siberia, por do të lënë pas siberianë vendës të cilëve Perëndia po u mëson si të jetojnë.’»

Pas disa vjetësh, një zyrtar nga Irkutsku i shkroi Moskës: «Disa punëtorë vendës kanë thënë se të gjithë këta [Dëshmitarët e Jehovait] duhen dërguar në një zonë të veriut ku të mos jenë fare në kontakt me popullsinë dhe të riedukohen.» Pra, as Siberia dhe as Moska nuk dinin ç’të bënin që t’ua mbyllnin gojën Dëshmitarëve të Jehovait.

«DO T’JU KISHIM PUSHKATUAR TË GJITHËVE»

Në fillim të vitit 1957, autoritetet u mobilizuan për një aksion të ri kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Ata gjurmonin vëllezërit dhe bënin kontrolle nëpër shtëpi. Viktor Gutshmidi kujton: «Një herë, kur u ktheva nga shërbimi, e gjeta shtëpinë komplet rrëmujë. KGB-ja kishte kontrolluar për literaturë. Më arrestuan dhe më morën në pyetje për dy muaj me radhë. Në atë kohë, vajza e madhe ishte 2 vjeçe, kurse vajza e vogël, Julija, 11-muajshe.

Gjatë hetimit, inspektori më tha: ‘Ti je gjerman, apo jo?’ Në atë kohë, për shumë veta fjala ‘gjerman’ ishte sinonim i fjalës ‘fashist’. Populli i urrente gjermanët.

‘Unë s’jam nacionalist,—i thashë,—por, nëse e ke fjalën për ata gjermanë që nazistët i çuan në kampe përqendrimi, për ta jam krenar! Ata quheshin Bibelforsher dhe tani quhen Dëshmitarë të Jehovait. Jam krenar që asnjë Dëshmitar nuk shkrepi kurrë armë e nuk qëlloi me top. Për këta gjermanë po, jam krenar!’

Inspektori nuk po fliste, prandaj vazhdova: ‘Jam i bindur se asnjë Dëshmitar i Jehovait nuk ka marrë pjesë në ndonjë rebelim ose kryengritje. Edhe kur veprimtaritë e tyre ndalohen, ata vazhdojnë të adhurojnë Perëndinë. Po në të njëjtën kohë respektojnë dhe u binden autoriteteve legjitime, nëse ligjet e tyre nuk bien ndesh me ligjet më të larta të Krijuesit.’

Papritur, inspektori më ndërpreu: ‘Kurrë nuk e kemi studiuar me kaq imtësi ndonjë grup sa ç’kemi studiuar Dëshmitarët dhe veprimtaritë e tyre. Po të kishim gjetur ndonjë gjë kundër jush, sikur edhe një pikë të vetme gjaku të kishit derdhur, do t’ju kishim pushkatuar të gjithëve.’

Atëherë mendova: ‘Vëllezërit tanë i shërbejnë me guxim Jehovait anembanë botës dhe shembulli i tyre na ka shpëtuar jetën neve në Bashkimin Sovjetik. Ndoshta edhe shërbimi që i bëjmë këtu Perëndisë, mund të ndihmojë në ndonjë mënyrë vëllezërit tanë në vende të tjera.’ Ky mendim më dha forcë për t’i qëndruar besnik Jehovait.»

DËSHMITARË NË MË SHUMË SE 50 KAMPE PUNE

Qëndrimi asnjanës i Dëshmitarëve të Jehovait në Bashkimin Sovjetik dhe shërbimi i tyre i zellshëm, vazhdoi ta acaronte qeverinë. (Mar. 13:10; Gjoni 17:16) Shpesh vëllezërve u jepeshin dënime të gjata e të padrejta për shkak të këtij qëndrimi.

Nga qershori i vitit 1956 deri në shkurt të vitit 1957, në 199 kongrese që u mbajtën në mbarë botën, rreth 462.936 delegatë pranuan njëzëri një peticion, kopje të të cilit iu dërguan Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik, në Moskë. Në peticion, ndër të tjera thuhej: «Ka Dëshmitarë të Jehovait nga Rusia Evropiane në më shumë se 50 kampe të shpërndara në Siberi e më në veri, në Oqeanin e Ngrirë të Veriut, madje edhe në ishullin polar Novaja-Zemlja . . . Në Amerikë e në vende të tjera perëndimore, Dëshmitarët e Jehovait i kanë quajtur komunistë, kurse në vendet komuniste i kanë quajtur imperialistë . . . Qeveritë komuniste i kanë akuzuar e i kanë gjykuar si ‘spiunë imperialistë’, duke i dënuar deri në 20 vjet burg. Por, në fakt, ata kurrë nuk janë marrë me ndonjë veprimtari subversive.» Mjerisht, ky peticion nuk e përmirësoi situatën e Dëshmitarëve të Jehovait në Bashkimin Sovjetik.

E vështirë ishte sidomos për familjet e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, të cilat hasnin probleme për rritjen e fëmijëve. Vladimir Sosnjini nga Moska, i cili gjatë asaj kohe rriti tre djem, thotë: «Arsimi në shkollat sovjetike ishte i detyrueshëm. Mësuesit dhe nxënësit u bënin presion fëmijëve tanë që të futeshin nëpër organizata të fëmijëve që ushqenin ideologjinë komuniste. Natyrisht, ne donim që fëmijët tanë të merrnin arsimin e nevojshëm dhe i ndihmonim që të mësonin. Por si prindër nuk e kishim të lehtë t’i ndihmonim që të kultivonin në zemër dashurinë për Jehovain. Shkollat ishin mbushur me ide për ndërtimin e socializmit dhe të komunizmit. Ne prindërit duhej të tregonim durim të jashtëzakonshëm, si dhe të ngulmonim.»

AKUZOHEN SE I PRENË VESHIN VAJZËS SË TYRE

Semjon dhe Darja Kostilëvi rritën tre fëmijë në Siberi. Semjoni tregon: «Në atë kohë, njerëzit mendonin se Dëshmitarët e Jehovait ishin fanatikë. Në vitin 1961, Alla, vajza e dytë, hyri në klasë të parë. Një ditë po luante në oborr me fëmijët e tjerë dhe, pa dashje, njëri prej tyre e qëlloi në vesh. Ditën tjetër, mësuesja e pyeti Allën ç’kishte ndodhur, por ajo nuk foli, sepse nuk donte të spiunonte shokun. Mësuesja e dinte se ne prindërit e Allës ishim Dëshmitarë, prandaj arriti në përfundimin se e kishim rrahur që ta detyronim të zbatonte parimet e Biblës. Shkolla ia raportoi ngjarjen një prokurori. Në këtë histori u përfshi edhe ndërmarrja ku punoja unë. Hetimet vazhduan gati një vit, derisa një ditë, në tetor të vitit 1962, na erdhi fletëthirrja për në gjyq.

Gjatë dy javëve para gjyqit, në Pallatin e Kulturës kishin vënë një parullë, ku shkruhej: ‘Së shpejti do të fillojë gjyqi i sektit të rrezikshëm të Jehovistëve.’ Mua dhe gruan time na akuzuan se po i rritnim fëmijët sipas Biblës. Na akuzuan edhe për keqtrajtim të fëmijëve. Gjykata pretendonte se ne e kishim detyruar vajzën të lutej dhe i kishim prerë veshin me buzën e kovës! E vetmja dëshmitare ishte Alla, por atë e kishin dërguar në një jetimore në Kirensk, një qytet rreth 700 kilometra në veri të Irkutskut, ku jetonim ne.

Salla ishte mbushur me të rinj aktivistë. Kur gjykatësit u tërhoqën për të marrë vendimin, turma shkaktoi një trazirë të madhe. Na shtynin dhe na mallkonin, madje dikush kërkoi që të hiqnim rrobat ‘sovjetike’ që kishim në trup. Të gjithë bërtitnin se duhej të vriteshim dhe madje dikush donte ta bënte menjëherë këtë. Turma sa vinte dhe egërsohej, por gjykatësit nuk po dukeshin. Kjo zgjati një orë. Kur turma bëri përpara, një Dëshmitare dhe burri i saj që s’ishte Dëshmitar, u vunë mes nesh dhe njerëzve, duke iu lutur të mos na trazonin. Atyre në kuptim të mirëfilltë iu desh të na shkëputnin nga duart e turmës, ndërkohë që përpiqeshin të shpjegonin se të gjitha akuzat kundër nesh ishin të rreme.

Më në fund hyri një gjykatës bashkë me ndihmësit e gjykatës së popullit, dhe na lexoi dënimin: heqjen e të drejtave si prindër. Mua më arrestuan dhe më dërguan në një kamp pune riedukimi për dy vjet. Edhe vajzën e madhe e dërguan në një jetimore, pasi i thanë se ne ishim anëtarë të një sekti të rrezikshëm dhe ndikimi ynë do ta dëmtonte.

Djalin ia lanë Darjas, sepse ishte vetëm tre vjeç. Pasi kreva dënimin, u ktheva në shtëpi. Mund të predikonim vetëm në mënyrë joformale, si më parë.»

«ISHIM KRENARË PËR FËMIJËT TANË»

«Alla iku nga jetimorja kur mbushi 13 vjeçe dhe erdhi të jetonte me ne. Sa u gëzuam kur ajo ia kushtoi jetën Jehovait dhe u pagëzua në vitin 1969! Rreth asaj kohe, në Pallatin e Kulturës së qytetit tonë, po mbaheshin disa fjalime për fenë. Vendosëm të shkonim e të dëgjonim ç’do të thoshin kësaj radhe. Si gjithnjë, grupi për të cilin flitej më shumë ishin Dëshmitarët e Jehovait. Një nga folësit u tregoi të pranishmëve një revistë Kulla e Rojës dhe tha: ‘Kjo është revistë e dëmshme dhe e rrezikshme, që po minon unitetin e shtetit tonë.’ Pastaj bëri një shembull: ‘Anëtarët e këtij sekti i detyrojnë fëmijët e tyre që të lexojnë revista të tilla dhe të luten. Në një familje, një vajzë e vogël nuk donte ta lexonte revistën, kështu që i ati i preu veshin.’ Alla u habit nga kjo, sepse ajo vetë ishte aty e po dëgjonte fjalimin dhe të dy veshët i kishte në vend. Por, nuk foli sepse kishte frikë mos e largonin prapë nga ne.

Kur mbushi 13 vjeç, edhe djali ynë, Borisi, ia kushtoi jetën Jehovait dhe u pagëzua. Një herë, po predikonte në rrugë me disa Dëshmitarë moshatarë, edhe pse në atë kohë vepra jonë ishte ende e ndaluar. S’kishin me vete as Bibël dhe as botime biblike. Papritur, para tyre ndaloi një makinë dhe të gjithë djemtë i çuan në rajonin e milicisë. Pasi i morën në pyetje dhe i kontrolluan, milicët gjetën vetëm nja dy shkrime biblike që i kishin shkruar me dorë në një letër. Djemtë i lanë të ktheheshin në shtëpi. Kur erdhi, Borisi na tregoi me krenari se si ai dhe vëllezërit e tjerë ishin përndjekur për hir të emrit të Jehovait. Edhe ne ishim krenarë për fëmijët tanë, sepse Jehovai i kishte mbështetur gjatë asaj kohe sprovash. Pas kësaj ndodhie, mua dhe Darjan na thirri disa herë KGB-ja. Një oficer tha: ‘Këta duhen dërguar në një koloni penale për fëmijë. Sa keq që s’kanë mbushur ende 14 vjeç!’ Na vunë gjobë ngaqë djali ynë predikonte.

Sot jetoj bashkë me djalin dhe me fëmijët e tij, të cilët po ecin në të vërtetën. Vajza e madhe jeton në Uzbekistan. Edhe pse ende nuk i shërben Jehovait, ajo na respekton ne dhe Biblën dhe vjen shpesh për të na parë. Darja vdiq në vitin 2001, pasi i kishte shërbyer me besnikëri Jehovait deri në fund. Unë kam ende forca, prandaj shkoj bashkë me kongregacionin për të predikuar në territore të largëta, duke kërkuar njerëz ‘të prirur për jetën e përhershme’. (Vep. 13:48) Besoj se shumë shpejt Jehovai do të përmbushë dëshirat e secilit prej nesh, siç shkruhet tek Isaia 65:23

PRINDËRIT LËNË NJË SHEMBULL TË MIRË

Vladislav Apanjuku shërben në Bethelin e Rusisë. Ai sjell ndër mend se si prindërit i ngulitën dashurinë për Perëndinë atij dhe vëllait e motrave që kur ishin të vegjël: «Prindërit tanë u internuan nga Ukraina në Siberi në vitin 1951. Na mësuan të merrnim vetë vendime, ndërkohë që përpiqeshim t’i pëlqenim Jehovait. E vlerësoja shumë që prindërit s’e kishin problem të flitnin për të metat e tyre në sytë tanë. Kur bënin gabime, nuk na i fshihnin. Dukej qartë sa shumë e donin Jehovain. I shihnim shpesh të gëzuar prindërit, sidomos kur shqyrtonin me ne tema biblike. E kuptonim se u pëlqente vërtet të meditonin për Jehovain dhe të flitnin për të. Kjo gjë na motivoi edhe ne të meditonim për të vërtetat që dinim rreth Jehovait. Përfytyronim si do të jetonin njerëzit në botën e re kur çdo gjë do të ishte e mrekullueshme dhe pa sëmundje e luftëra.

Kur isha në klasë të tretë, të gjithë klasën e ftuan të hynte në radhët e pionierëve, një organizatë sovjetike e të rinjve. Për fëmijët në Bashkimin Sovjetik, ishte një nder i madh të hynin në radhët e pionierëve. Shokët e mi të klasës mezi e pritnin këtë ditë. Secilit i kërkohej të shkruante një betim se ishte gati të hynte në radhët e pionierëve sovjetikë, ndërtuesve të ardhshëm të komunizmit. Unë nuk pranova, prandaj mësuesja më ndëshkoi duke më mbyllur në klasë. ‘S’ke për të dalë derisa të shkruash betimin’,—më tha. Disa orë më vonë, shokët e klasës erdhën te dritarja dhe m’u lutën të shkoja të luaja me ta. Por unë ndenja brenda, i vendosur që të mos shkruaja asgjë. Aty nga mbrëmja erdhi një mësuese tjetër. Kur më pa në klasë, më la të shkoja në shtëpi. Kjo ishte fitorja ime e parë. Ndihesha krenar që bëra diçka për t’ia gëzuar zemrën Jehovait. (Prov. 27:11) Kur shkova në shtëpi, u tregova prindërve gjithçka që kishte ndodhur. U gëzuan shumë, dhe babai më tha: ‘Të lumtë, bir!’»

BIBLA SHIHET SI ANTISOVJETIKE

Nganjëherë, vëllezërit i paditnin në gjyq vetëm se kishin një Bibël. Nadjezhda Vishnjaku thotë: «Unë dhe im shoq nuk ishim bërë ende Dëshmitarë të Jehovait, por e vërteta na kishte prekur thellë në zemër. Një herë, policia erdhi në vendin ku punoja dhe më mori ashtu siç isha, me rrobat e punës. Edhe Pjotrin, tim shoq, e kishin marrë nga puna. Para kësaj, policia na kishte kontrolluar shtëpinë dhe na kishte gjetur një Bibël, si dhe broshurën Pas Harmagedonit, bota e re e Perëndisë. Pjotri mendoi se mua nuk do të më arrestonin, pasi isha në muajin e shtatë të shtatzënisë.

Na akuzuan se po vepronim kundër autoriteteve sovjetike. U thamë se besonim te Bibla, e cila ishte një autoritet shumë më i madh se pushteti sovjetik.

‘Bibla është Fjala e Perëndisë,—thashë unë—prandaj duam të jetojmë sipas parimeve të saj.’

Kur erdhi koha e gjyqit, më mbeteshin vetëm dy javë para se të lindja. Ndërmjet seancave, gjykatësi bënte disa pushime, që të shëtitja pak, e shoqëruar nga një ushtar i armatosur. Gjatë një shëtitjeje, ai më pyeti ç’kisha bërë. Kështu pata një mundësi të mrekullueshme për t’i dhënë dëshmi.

Gjykatësi deklaroi se Bibla dhe literatura që na ishte gjetur në shtëpi, ishin ‘antisovjetike’. M’u ngroh zemra që nuk na kishin akuzuar vetëm ne, por edhe literaturën tonë, e madje edhe Biblën, se ishte antisovjetike! Na pyetën ku i kishim njohur Dëshmitarët e Jehovait. Kur i thamë se i kishim njohur në një kamp pune në Vorkutë, gjykatësi na e preu tërë zemërim: ‘Pa shih ç’ndodhka nëpër kampet tona!’ Na dënuan të dyve me dhjetë vjet në kampe pune riedukimi.

Pjotrin e dërguan në një kamp në Mordvini, në Rusinë Qendrore. Mua më vunë në izolim. Linda djalë në mars të vitit 1958. Gjatë atyre kohëve të vështira, Jehovai ishte miku im më i mirë që m’u gjend pranë. Djalin ma mori mamaja dhe u kujdes për të. Mua më çuan në Kemerovo të Siberisë, ku më internuan në një kamp pune.

U lirova pas tetë vjetësh, edhe pse nuk e kisha kryer gjithë dënimin. Më kujtohet që përgjegjësja njoftoi me zë të lartë në mes të barakës se s’kisha bërë kurrë ndonjë koment ‘antisovjetik’ dhe se literatura jonë ishte krejtësisht fetare. U pagëzova në vitin 1966, pasi u lirova nga kampi.»

Bibla dhe literatura biblike ishin shumë të çmuara nëpër burgje dhe kampe. Në vitin 1958, në një kamp në Mordvini vëllezërit mbanin rregullisht mbledhje. Që të mos i zinin në befasi përgjegjësit, disa vëllezër i caktonin si roja në largësi sa mund ta dëgjonin njëri-tjetrin, ndërkohë që grupi studionte Kullën e Rojës. Po të afrohej një nga përgjegjësit, vëllai që ishte më afër, i thoshte vëllait tjetër që ishte rojë «po vjen», e kështu e përcillnin gojë më gojë derisa e dëgjonte grupi. Atëherë shpërndaheshin të gjithë dhe e fshihnin revistën. Gjithsesi, shpesh përgjegjësit sikur mbinin nga dheu.

Në një rast kur vëllezërit i zunë në befasi, Boris Krëjlcovi vendosi t’i shpërqendronte përgjegjësit dhe ta shpëtonte revistën. Ai rrëmbeu një libër dhe ia dha vrapit. Përgjegjësit e ndoqën për një kohë të gjatë, por kur më në fund e arritën, panë se libri që kishte në dorë ishte një nga vëllimet e Leninit. Edhe pse e dënuan me shtatë ditë izolim, ai ishte i kënaqur që të paktën nuk e gjetën revistën.

MBILLEN FARËRAT E SË VËRTETËS NË MOSKË

Në Moskë, predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë nisi me një grup të vogël. Boris Krëjlcovi ishte ndër të parët që nisi të predikonte me zell në kryeqytet. Ai kujton: «Punoja në një ndërmarrje ndërtimi. Bashkë me një grup vëllezërish e motrash, përpiqesha të predikoja në mënyrë joformale. Kur mori vesh ç’po bëja, KGB-ja më kontrolloi shtëpinë në prill të vitit 1957. Gjetën literaturë biblike, kështu që më arrestuan menjëherë. Kur po më merrte në pyetje, inspektori më tha se Dëshmitarët e Jehovait ishin njerëzit më të rrezikshëm në vend. ‘Po t’ju lëmë të lirë,—tha,—shumë sovjetikë të tjerë do të bashkohen me ju. Ja pse ju shohim si një kërcënim të madh për shtetin.’

‘Bibla na mëson t’u bindemi ligjeve të vendit,—ia ktheva.—Gjithashtu, thotë se duhet të vazhdojmë të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij. Të krishterët e vërtetë kurrë nuk janë përpjekur të marrin me forcë pushtetin në ndonjë vend.’

—Ku e ke marrë literaturën që të gjetëm gjatë kontrollit?—pyeti hetuesi.

—Ç’të keqe ka literatura?—i thashë.—Ajo flet për profecitë biblike, nuk trajton ndonjë çështje politike.

—Po, por botohet jashtë shtetit,—ma ktheu.

Përfundova në një kamp të sigurisë së lartë në qytetin Vladimir. Më kontrolluan nga koka te këmbët, por për habinë time, arrita të futja në kamp katër revista Kulla e Rojës, që ishin kopjuar me dorë në letër të hollë. Isha i bindur se më kishte ndihmuar Jehovai. Në qeli, u bëra edhe nga një kopje tjetër të katër revistave. E dija se veç meje, në kamp kishte edhe Dëshmitarë të tjerë, që kishin shtatë vjet pa ushqim frymor. Ua kalova atyre revistat, me ndihmën e një motre që ishte caktuar të fshinte shkallët.

Siç e kuptuam më vonë, me vëllezërit shoqërohej edhe një informator, i cili u tha rojave të burgut se dikush po u kalonte atyre literaturë biblike. Menjëherë, rojat nisën të kontrollonin këdo dhe të merrnin çfarëdo literature. Shpejt erdhën tek unë dhe më gjetën literaturë nën dyshek. Më dënuan me 85 ditë izolim. Gjithsesi, Jehovai vazhdoi të kujdesej për ne si më parë.»

FJALIMET I NDIHMUAN DISA TË MËSONIN TË VËRTETËN

Fjalimet përdoreshin në luftën ideologjike kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Bashkimin Sovjetik. Viktor Gutshmidi thotë: «Në kampin tonë vinin rregullisht folës që mbanin fjalime për të nxitur ateizmin. Gjatë këtyre mbledhjeve, vëllezërit gjithnjë bënin pyetje. Nganjëherë, folësit nuk ishin në gjendje t’u përgjigjeshin as pyetjeve më të thjeshta. Në përgjithësi, salla ishte plot me njerëz dhe të gjithë dëgjonin me shumë vëmendje. Njerëzit vinin vetë, sepse ishin kureshtarë ç’do të thoshin Dëshmitarët e Jehovait në fund të fjalimit.

Një herë, në kamp erdhi një folës që më parë kishte qenë prift ortodoks. Të gjithë e dinin se ai kishte mohuar besimin gjatë kohës që kishte qenë në një kamp, dhe ishte bërë ateist.

Kur mbaroi fjalimi, një vëlla e pyeti: ‘A ishe ateist para se të burgoseshe, apo u bëre më pas?’

‘Mendo pak,—u përgjigj folësi,—një njeri shkoi në hapësirë, por nuk e pa Perëndinë atje.’

‘Kur ishe prift, a mendoje vërtet se Perëndia i shihte njerëzit nga kjo largësi e vogël, pak më shumë se 200 kilometra mbi sipërfaqen e tokës?’—pyeti vëllai. Folësi nuk u përgjigj. Këto shkëmbime fjalësh i vunë në mendime shumë të burgosur, dhe më pas disa filluan të studionin Biblën me ne.

Në një nga këto mbledhje, një motër kërkoi leje të thoshte diçka. Folësi ia ktheu: ‘Vazhdo! Me siguri je Dëshmitare e Jehovait.’

‘Çfarë do të mendonit për një njeri që del në një fushë të hapur dhe bërtet: “Do të të vras!” kur s’ka asnjeri përqark?’—pyeti motra.

‘Do mendoja se nuk është shumë i mençur’,—iu përgjigj folësi.

Atëherë motra vazhdoi: ‘Në qoftë se nuk ka Perëndi, pse po luftojmë kundër tij? Në qoftë se ai nuk ekziston, atëherë s’kemi me kë të luftojmë.’ Salla ia plasi gazit.»

PREDIKUESI DO TË KTHEHET PRAPË

Sigurisht, fjalimet që nxitnin ideologjinë sovjetike nuk mbaheshin vetëm në kampe. Kryesisht ato organizoheshin për popullsinë në qytetet e mëdha. Folës me përvojë shkonin nëpër qytete e zona të banuara, sidomos ku kishte shumë Dëshmitarë, si në Vorkutë, Intë, Uhtë dhe Siktivkar. Vëlla Gutshmidi thotë: «Një herë, në vitin 1957, në Pallatin e Kulturës shkoi një folës për t’u mbajtur fjalim minatorëve të Intës. Ishin mbledhur 300 veta. Ai shpjegoi bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe mënyrën si predikojmë. Pasi përshkroi me saktësi metodën tonë të predikimit, me anë të prezantimeve për 15 rivizita, ai vazhdoi: ‘Në qoftë se ti nuk jep asnjë shenjë se s’je dakord, është e sigurt se predikuesi do të kthehet prapë. Nëse nuk kundërshton edhe pas vizitës së dytë, atëherë do të kesh një vizitë të tretë.’

Për dy orë, ai trajtoi gjashtë vizita të tilla, duke i shpjeguar fjalë për fjalë sipas metodës sonë. Nga shënimet që kishte, lexoi gjithë shkrimet që përdornim. Unë isha i burgosur në një kamp, por për këtë më shkroi ime shoqe, Polina. Ajo përshkroi se si vëllezërit që po ndiqnin fjalimin, nuk u besonin dot veshëve. Pas këtij fjalimi, në gazetë u botuan komente negative për Dëshmitarët, por kishte edhe një përshkrim të plotë për Mbretërinë. Gjithashtu, i gjithë fjalimi u transmetua në radio. Falë kësaj, mijëra banorë të qytetit dëgjuan se si dhe për çfarë predikonin Dëshmitarët e Jehovait.

Në vitin 1962, erdhi një orator nga Moska që të mbante një fjalim për ne Dëshmitarët e Jehovait. Pasi trajtoi historinë tonë të kohës së sotme, tha: ‘Çdo muaj, në Bruklin derdhen miliona dollarë që janë dhënë si kontribute vullnetare, për të zhvilluar më tej veprimtaritë e Dëshmitarëve në vende të ndryshme. Por asnjë nga udhëheqësit e tyre s’ka as një dollap ku të mbajë rrobat. Hanë të gjithë së bashku në sallën e ngrënies, si pastruesja ashtu edhe presidenti, dhe nuk ka asnjë dallim mes tyre. Të gjithë e quajnë njëri-tjetrin vëlla e motër, siç e quajmë ne njëri-tjetrin shok e shoqe.’

Për disa çaste, në sallë ra heshtje e plotë. Pastaj folësi shtoi: ‘Por ne nuk do të ndjekim ideologjinë e tyre, sado e mirë të duket, sepse duam ta krijojmë të gjithë këtë pa ndihmën e Perëndisë, me duart dhe me mendjen tonë.’

Ky fjalim na dha zemër jashtë mase, sepse, për herë të parë, dëgjuam nga goja e vetë autoriteteve të vërtetën për ne. Këto fjalime u dhanë mundësi edhe shumë të tjerëve të dëgjonin nga autoritetet të vërtetën për Dëshmitarët e Jehovait. Gjithsesi, njerëzit kishin nevojë ta shihnin vetë si mund t’ua përmirësonin jetën mësimet e Biblës.»

JO GJITHNJË PËRGJIMI KISHTE SUKSES

Për shumë vjet, KGB-ja e kishte zakon të përgjonte telefonat, të hapte letrat dhe të përdorte forma të tjera përgjimi. Nganjëherë, vendosnin fshehurazi disa mikrofona të vegjël në shtëpitë e vëllezërve që merrnin drejtimin në kongregacion. Grigori Sivulski, mbikëqyrës krahinor për 25 vjet gjatë ndalimit, tregon se si e zbuloi një mikrofon në çati në vitin 1958: «Banonim në Tulun, Siberi, në katin e dytë të një ndërtese dykatëshe, në periferi të qytetit. Një herë, kur u ktheva në shtëpi, dëgjova zhurmën e një trapani që vinte nga çatia. E kuptova se KGB-ja po vendoste mikrofona në çati për të na përgjuar, një metodë shumë e njohur. Pjesën më të madhe të literaturës e kishim vënë në papafingo, si dhe në ulluqet e çatisë.

Në darkë, kur u mblodh gjithë familja, u tregova për dyshimet që kisha dhe ramë dakord që për momentin të mos flitnim në shtëpi për çështje kongregacioni. Ndezëm radion, e ngritëm volumin dhe e lamë ashtu për një javë të tërë. Në fund të javës, bashkë me një vëlla, hipëm në çati dhe gjetëm një kabllo që ishte lidhur me mikrofonin. Kablloja kalonte mes dy trarëve, rrëzë ulluqeve dhe shkonte te zyrat e KGB-së në qytet. Pa dyshim ata po incizonin gjithçka, por në atë kohë, incizuan vetëm programet e radios.»

KGB-JA DEPËRTON NË ORGANIZATË

KGB-ja e pa se përndjekja e hapur nuk ua ulte zellin Dëshmitarëve. Prandaj, me dinakëri e mashtrime, nisi të mbillte fara mosbesimi mes vëllezërve për ata që ishin emëruar të mbikëqyrnin dhe për vetë organizatën. Një strategji e KGB-së ishte të fuste nëpër kongregacione agjentë të regjur.

Disa nga këta agjentë arritën të kishin pozita mbikëqyrjeje në organizatë. Këta «vëllezër» bënë të pamundurën për të ngadalësuar veprën e predikimit, duke krijuar një atmosferë frike e pasigurie, në të cilën mund të zhvillohej dyshimi për vëllezërit që merrnin drejtimin. Për më tepër, ata vetë nuk ua jepnin literaturën biblike vëllezërve, por ia dorëzonin KGB-së. Në një raport thuhet se vetëm dy nga këta agjentë që vepronin nga viti 1957 deri në vitin 1959, i dorëzuan KGB-së më shumë se 500 kopje të Kullës së Rojës, si dhe botime të tjera.

Nga mesi i viteve 50, disa vëllezër nisën të humbnin besimin te Komiteti i Vendit. Qarkullonin shumë zëra se disa anëtarë të Komitetit të Vendit po bashkëpunonin me KGB-në e po tradhtonin vëllezërit besnikë, duke përfshirë edhe ata që shumëfishonin literaturën. Ivan Pashkovski kujton: «Në prill të vitit 1959 u formua një Komitet Vendi i ri dhe unë isha një nga anëtarët. Ishim plotësisht të vendosur të mbronim të vërtetën, pavarësisht nga përpjekjet e Djallit për të përçarë vëllezërit. Kishte nisur periudha më e vështirë në historinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Bashkimin Sovjetik.»

Me shtimin e dyshimeve, disa vëllezër s’po ia dërgonin më raportet e kongregacionit Komitetit të Vendit. Lajmëtarët vazhduan të predikonin dhe të dorëzonin rregullisht raportet e shërbimit, por shumica s’e dinte se ato raporte nuk i dërgoheshin më këtij komiteti. Në vitin 1958, grupe vëllezërish kishin veçuar disa mijëra lajmëtarë nga Komiteti i Vendit. Në Irkutsk e në Tomsk, dhe më vonë në qytete të tjera ruse, vazhduan të shtoheshin grupet e vëllezërve që veçoheshin nga organizata. Në mars të vitit 1958, ata që ishin ndarë, organizuan vetë një ‘komitet vendi’, me shpresë se do ta pranonin të gjitha kongregacionet.

Trupi Udhëheqës përdori çdo mjet të mundshëm për t’i ndihmuar vëllezërit në Bashkimin Sovjetik që të bashkoheshin përsëri në adhurimin e Jehovait. Alfred Rytimani, i cili jetonte në Zvicër, në atë kohë ishte administratori i Zyrës për Evropën Veriore, që mbikëqyrte veprën në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1959 ai u dërgoi vëllezërve në Rusi një letër ku shpjegonte se Jehovai do të bekonte vetëm ata që përpiqeshin të ruanin unitetin dhe të predikonin lajmin e mirë për Mbretërinë. Disa vëllezër që ishin ndarë, e pranuan këtë dhe nisën përpjekjet që të rikrijonin besim te Komiteti i Vendit. Gjithsesi, u deshën vite para se vëllezërit ta rifitonin plotësisht atë besim. Gjatë gjithë kësaj kohe, Komiteti i Vendit siguronte literaturë biblike me anë të korrierëve. Ata që ishin ndarë, e studionin literaturën, por ende nuk i dërgonin raportet e shërbimit.

KGB-ja vazhdoi të mbillte fara mosbesimi mes vëllezërve. Ata qëllimisht i linin të lirë disa, kurse të tjerë i burgosnin. Kështu, vëllezërve në përgjithësi u krijohej përshtypja se Dëshmitarët e lirë po bashkëpunonin me KGB-në. Shumë filluan të dyshonin tej mase dhe të kritikonin vëllezërit përgjegjës.

I BËHET PUBLICITET NJË GJYQI

Në një raport që kishte dërguar në Moskë një zyrtar i Irkutskut, thuhej: «[Dëshmitarët e Jehovait në provincën e Irkutskut] kishin zhvilluar veprimtari të gjerë në ilegalitet. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 1959, KGB-ja zbuloi pesë shtypshkronja të fshehta.» Këto shtypshkronja ndodheshin në qytetet siberiane të Zimës dhe Tulunit, si dhe në fshatrat Kitoj, Oktjabërski dhe Zalari. Pas këtyre zbulimeve, u arrestuan ata që merreshin me shtypjen e literaturës.

Katër vëllezër që u arrestuan të parët, dorëzuan deklarata me shkrim për shtypjen e literaturës. Me dredhi, hetuesit i shtynë vëllezërit që të lëshonin këto deklarata. Pastaj, KGB-ja i shtrembëroi deklaratat dhe i botoi nëpër gazetat vendëse. Këta katër vëllezër u liruan dhe pas tyre u arrestuan tetë të tjerë. Gjyqi i tyre do të bëhej në Tulun, në prill të vitit 1960. KGB-ja mori masa që këtij gjyqi pompoz t’i bëhej publicitet i madh. Si dëshmitarë të akuzës kishin ndër mend të përdornin katër vëllezërit që ishin liruar. Shumë vëllezërve në kongregacione iu krijua përshtypja se këta tani po bashkëpunonin me KGB-në.

Gjithashtu, KGB-ja synonte ta përdorte këtë gjyq farsë për të shkatërruar besimin e Dëshmitarëve që do të ishin të pranishëm dhe për ta kthyer popullsinë vendëse kundër tyre. Me këtë në mendje, para se të bëhej gjyqi, KGB-ja organizoi disa ekspozita në një nga qilarët ku vëllezërit kishin shtypur literaturë për disa vjet. Pa kaluar shumë, qyteti gumëzhinte nga bisedat për veprimtaritë e një «sekti» ilegal. Kur erdhi dita e gjyqit, salla ishte plot e përplot, me mbi 300 veta, ndër ta edhe reporterë televizivë e gazetarë, disa që nga Moska. Kishte edhe shumë Dëshmitarë të Jehovait.

NJË RRËMUJË E MADHE NË SALLËN E GJYQIT

Por, papritur, planet e KGB-së nisën të dilnin në shesh. Vëllezërit që kishin shkruar deklaratat, e kishin kuptuar që kishin bërë gabim. Një ditë para gjyqit, që të katër kishin vendosur njëzëri të bënin ç’të mundnin për t’i dhënë lavdi Jehovait. Gjatë gjyqit, thanë se hetuesit i kishin mashtruar dhe se deklaratat e tyre ishin shtrembëruar. Pastaj njoftuan: «Jemi gati të ulemi në bankën e të akuzuarve, bashkë me vëllezërit tanë.» Kjo krijoi një rrëmujë të madhe në sallën e gjyqit.

Për më tepër, kur i morën në pyetje, vëllezërit që po gjykoheshin, arritën të jepnin përgjigje që nuk përfshinin individë të tjerë. Për shembull, kur gjykatësi e pyeti Grigori Timçukun se kush e kishte ngritur shtypshkronjën në shtëpinë e tij, ai tha: «Unë.» Kur e pyeti kush e shtypte literaturën, ai u përgjigj: «Unë.» Kur e pyeti kush e shpërndante literaturën, ia ktheu: «Unë.» Kur e pyeti kush e blinte letrën për shtypje dhe kush ia sillte, përsëri u përgjigj: «Unë e bëja edhe këtë.» Atëherë, prokurori e pyeti: «Po kush je ti, xhanëm? Edhe përgjegjësi, edhe furnitori, edhe punëtori?!»

«AJO LETËR NA NGROHU ZEMRËN!»

Pasi u bë e qartë se nuk do të kishte dëshmitarë të akuzës, prokurori i akuzoi vëllezërit se komplotonin me të huajt. Si provë, paraqiti një letër të Nejthën H. Norit, nga Betheli i Bruklinit. Mihail Savicki, një nga vëllezërit e pranishëm në gjyq, thotë: «Me zë të lartë, prokurori nisi të lexonte një letër që kishte konfiskuar KGB-ja, të cilën vëlla Nori ua dërgonte vëllezërve në Bashkimin Sovjetik. Për të gjithë ne Dëshmitarët që ishim në sallën e gjyqit, kjo ishte një dhuratë e mrekullueshme nga Jehovai! Ajo letër na ngrohu zemrën! Kishte këshilla të mençura nga Bibla dhe nxitje që t’u shërbenim me dashuri bashkëbesimtarëve dhe të qëndronim besnikë në sprova. Gjithashtu, na bëhej thirrje si Dëshmitarë të Jehovait të kishim besim te Perëndia në gjithçka, t’i kërkonim atij mençuri e drejtim dhe të bashkëpunonim ngushtësisht me vëllezërit e emëruar. Prokurori e lexoi të gjithë letrën, nga fillimi deri në fund, dhe ne e dëgjonim me shumë vëmendje. Na dukej sikur po ndiqnim një kongres!» Edhe pse gjykata u dha dënime të ndryshme me burg vëllezërve, të pranishmit ishin më se të vendosur që të vazhdonin t’i shërbenin Jehovait.

TË GËZUAR PËR RIBASHKIMIN NË ADHURIM

KGB-së iu duk sikur kishte arritur t’i paralizonte veprimtaritë e Dëshmitarëve të Jehovait në Bashkimin Sovjetik, kështu që u përgatit t’u jepte goditjen e fundit. Papritur, në vitin 1960, më shumë se 450 vëllezër u burgosën në një kamp në Mordvini. Ndër ta ishin vëllezërit që merrnin drejtimin në të dy grupet e vëllezërve—atyre që ishin ndarë nga organizata dhe atyre që s’ishin ndarë. KGB-ja mendoi se kjo do ta ndante përfundimisht organizatën. Në gazetën e kampit u botua një artikull përçmues, ku shpjegonin se kush duhej të luftonte dhe kundër kujt. Mirëpo, vëllezërit e gjetën rrugën drejt unitetit, duke shfrytëzuar rastin që ishin bashkë.

Jov Androniku kujton: «Vëllezërit përgjegjës e nxitën çdo Dëshmitar që të përpiqej për unitetin, duke përfshirë edhe ata që ishin ndarë. I kushtuan vëmendje të veçantë një artikulli nga botimi rus i Kullës së Rojës, 1 shtator 1961, me titull: ‘Premtohet unitet mes gjithë njerëzve që kanë miratimin e Perëndisë.’ Në artikull kishte parime dhe shembuj që tregonin se si e kishte drejtuar Jehovai popullin e tij në kohët e lashta. Gjithashtu, shpjegohej se ishte e nevojshme që të gjithë të përpiqeshin të arrinin paqen dhe unitetin në kongregacionin e krishterë. Duke studiuar me kujdes artikullin, shumë veta e kuptuan vlerën e unitetit teokratik dhe reaguan mirë.»

USHQIM FRYMOR QË MBYLLI TË ÇARAT

Ai artikull i Kullës së Rojës ndihmoi edhe Dëshmitarët që nuk ishin në burg të rifitonin unitetin. Vëllezërit që ishin caktuar për të marrë drejtimin, u lutën dhe e lexuan bashkë artikullin. Aty thuhej se vëlla Radhërfordi, duke qenë sëmurë, kishte mbajtur fjalimin e tij të fundit në një kongres, në gusht të vitit 1941. I kishte inkurajuar vëllezërit që të qëndrojnë të lidhur ngushtë me organizatën e Jehovait dhe të mos ndjekin ndonjë udhëheqës njerëzor: ‘Sa herë që lind diçka dhe nis të rritet, njerëzit thonë se ka ndonjë njeri, ndonjë udhëheqës, që ka shumë pasues. Nëse ju që jeni të pranishëm këtu besoni se unë jam thjesht një nga shërbëtorët e Zotërisë dhe se të gjithë ne punojmë sup më sup në unitet, duke i shërbyer Perëndisë dhe Krishtit, thoni: ‘Po!’ Përgjigjja e fuqishme dhe e drejtpërdrejtë ishte një «Po!» e thënë njëzëri.

Mihail Savicki sjell ndër mend: «Veçanërisht Dëshmitarëve që ishin në Bashkimin Sovjetik u duhej ky unitet në atë kohë. Ishim vërtet mirënjohës që Jehovai, me dashuri e me durim, na mbështeti frymësisht. Një vëlla që ishte ndarë nga organizata, menjëherë më kërkoi revistën, duke më thënë: ‘Ma jep, që t’ua lexojmë vëllezërve në Bratsk e në vende të tjera.’ I thashë se kishim vetëm një kopje të kësaj reviste, por më siguroi se do ta kthente pas një jave. Dhe kështu bëri. Bashkë me revistën më dorëzoi raportet e shërbimit të shumë kongregacioneve, të cilat i kishte ruajtur për një periudhë të gjatë. Qindra vëllezër e motra u kthyen në familjen e bashkuar të adhuruesve të Jehovait.»

Ivan Pashkovski, anëtar i Komitetit të Vendit për më shumë se 30 vjet, kujton: «Nëpërmjet një vëllai që erdhi nga jashtë shtetit, i kërkuam vëlla Norit t’u bënte thirrje të gjithë vëllezërve në vendin tonë që të bashkoheshin dhe t’i nënshtroheshin rregullit teokratik. Vëlla Nori pranoi, dhe në vitin 1962 morëm 25 kopje të letrës së tij, në dy gjuhë, anglisht dhe rusisht. Kjo letër solli në vete shumë vëllezër.»

DELET E DËGJOJNË ZËRIN E BARIUT TË TYRE

Komiteti i Vendit u mundua shumë për të bashkuar vëllezërit. Në ato rrethana, kjo s’ishte diçka e lehtë. Në verën e vitit 1962, ishte ribashkuar me organizatën një krahinë e tërë. Vëllezër të pjekur frymësisht u caktuan në një komitet të veçantë. Jehovai i bekoi përpjekjet e këtyre vëllezërve, duke u dhënë ‘mençuri nga lart’. (Jak. 3:17) Aleksej Gaburjaku kujton: «U takuam me Komitetin e Vendit në Usolje-Sibirskoje, në vitin 1965. Komiteti na kërkoi të gjenim gjithë vëllezërit e motrat që ishin shpërndarë për shkak të internimit, burgimit dhe përçarjes, e t’i ribashkonim me kongregacionet. Si fillim, na dhanë adresat e disave prej tyre. Si territor kisha provincat Tomsk e Kemerovo, si dhe qytetet Novokuznetsk e Novosibirsk. Vëllezërve të tjerë iu caktuan territore gjetkë. Duhej të organizonim kongregacionet dhe grupet, si dhe të caktonim vëllezër përgjegjës në kongregacione e t’i stërvitnim. Gjithashtu, duhej të gjenim një metodë për shpërndarjen e literaturës dhe të organizonim mbledhjet e kongregacionit në kushtet e krijuara nga ndalimi. Brenda një kohe të shkurtër, vizituam 84 vëllezër e motra që i kishin humbur lidhjet me organizatën. Sa të lumtur ishim që ‘delet’ e Jehovait e dëgjuan përsëri zërin e Bariut të Shkëlqyer dhe nisën t’i shërbenin së bashku me popullin e Tij!»—Gjoni 10:16.

Shpejt, shumë nga ata që ishin ndarë, pranuan përsëri drejtimin e Komitetit të Vendit dhe nisën të dorëzonin raportet e shërbimit. Në vitin 1971, ishin ribashkuar me organizatën e Jehovait mbi 4.500 lajmëtarë. Aty nga mesi i viteve 80, megjithëse ndalimi s’ishte hequr, vepra e predikimit po vazhdonte, dhe në kongregacione vinin të interesuar.

COPËZA FILMI TË ÇMUARA

Riprodhimi i literaturës biblike përfshinte gjithnjë përpjekje të stërmëdha nga vëllezërit e matur, por të guximshëm, që jetonin në Bashkimin Sovjetik. Po si arrinte fillimisht literatura deri tek ata?

Një nga mënyrat kryesore ishte me anë të mikrofilmit. Në një nga vendet fqinje, vëllezërit i fotografonin revistat, librat dhe broshurat e botuara kryesisht në gjuhën ruse dhe ukrainase, por edhe në disa gjuhë të tjera. Kjo punë e mundimshme bëhej faqe më faqe me ndihmën e një aparati fotografik me mikrofilm, që mbante një film 30 metra të gjatë. Çdo botim fotografohej disa herë radhazi, duke prodhuar kopje të shumta për të lehtësuar shpërndarjen e tij. Gjatë viteve, u përdorën me kilometra mikrofilm për këto botime. Për ta përdorur sa më kollaj, filmi pritej në copëza 20 centimetra të gjata, të cilat pastaj ishin gati për t’u futur në Bashkimin Sovjetik me anë të korrierëve.

SHTYPSHKRONJAT E FSHEHTA NË SIBERI

Shumëfishimi i literaturës biblike ishte i vështirë, por Jehovai e bekoi këtë vepër. Vetëm në vitet 1949 dhe 1950, vëllezërit shumëfishuan dhe shpërndanë 47.165 botime të ndryshme nëpër kongregacione. Gjithashtu, pavarësisht nga kundërshtimi i fortë, Komiteti i Vendit raportoi se gjatë së njëjtës periudhë, ishin mbajtur 31.488 mbledhje.

Ngaqë kërkesa për literaturë rritej vazhdimisht, lindi nevoja për shtypshkronja të tjera. Stah Savicki thotë: «Në vitin 1955, në shtëpinë tonë u vu në punë një shtypshkronjë e fshehtë e nëndheshme. Meqë im atë s’ishte Dëshmitar i Jehovait, duhet t’i merrnim leje. Për rreth dy muaj, gërmuam poshtë verandës derisa sajuam një dhomë 2x4 metra. Gjatë kësaj kohe, gërmuam rreth 30 metra kub dhé, të cilin duhej ta hiqnim prej andej e ta fshihnim në ndonjë mënyrë, që të mos e vinte re njeri. Në thellësinë 1,5 metra hasëm një shtresë me ngricë shekullore. Kështu, ndërkohë që ne ishim në punë, mamaja e shkrinte dheun e ngrirë duke ndezur një zjarr të vogël me dru të thata, por duke u përpjekur që të mos tërhiqte vëmendjen e fqinjëve. Pastaj, e veshëm dhomën me dërrasa, duke krijuar një dysheme dhe tavan. Me të bërë gati vendin, aty u transferua një çift. Duhej të punonin e të jetonin në këtë dhomë të nëndheshme. Mamaja kujdesej për ta, u gatuante e u lante rrobat. Kjo shtypshkronjë funksionoi deri në vitin 1959.

Në vitin 1957, vëllai që mbikëqyrte shumëfishimin e literaturës, më pyeti: ‘A mund të punosh ti në shtypshkronjë? Na duhet të shtypim të paktën 200 revista në muaj.’ Fillimisht e nisa me 200 revista, pastaj 500. Gjithsesi, kërkesa për literaturë sa vinte e rritej. Puna duhej bërë natën, sepse gjatë ditës, ne që ishim në internim bënim punë prodhuese, nën mbikëqyrje, dhe kishim vetëm një ditë pushim në javë.

Sa vija nga puna, zbritja në shtypshkronjë. Pothuajse s’flija fare, sepse kur fillonte shtypja, duhej çuar deri në fund. Po ta lija përgjysmë, boja do të thahej, kështu që s’mund ta lija për herë tjetër. Nganjëherë shtypja 500 faqe e pastaj i merrja një më një dhe bëja korrigjime të vogla me një majë gjilpëre, që teksti të lexohej qartë. Dhoma s’kishte fare ajrosje, prandaj fletët mezi thaheshin kur dilnin nga makina e shtypit.

Revistat që shtypja, i shpërndaja natën në qytetin e Tulunit, 20 kilometra larg shtëpisë. Nuk e dija me saktësi se ku shkonin pastaj, por dija se këtë literaturë e përdornin Dëshmitarët në Krasnojarsk, Bratsk, Usolje-Sibirskoje e në qytete të tjera.

Në vitin 1959, vëllezërit që mbikëqyrnin veprën, më kërkuan të ndihmoja në ndërtimin e një shtypshkronje të re në Tulun, afër stacionit hekurudhor. Kështu nisa përsëri punët që i njihja mirë, si gërmimi i tokës dhe vendosja e telave për ndriçim, siç kisha bërë për shtypshkronjën e parë. Jehovai na dha mençuri për këtë. Pastaj, në atë shtypshkronjë u transferua një familje që punoi për rreth një vit. Së fundi, KGB-ja e zbuloi shtypshkronjën. Në gazetën vendëse u raportua se ‘telat për ndriçim ishin vendosur në mënyrë të tillë, saqë edhe elektricistët me përvojë mezi arrinin ta kuptonin’.

Përveç familjes sonë, vetëm pak vëllezër e dinin që punoja në shtypshkronjë. Meqë s’më shihte njeri gjatë mbrëmjeve, vëllezërit dhe motrat në kongregacion u bënë merak për gjendjen time frymore. Vinin në shtëpi për të më vizituar e për të më dhënë zemër, po unë s’isha asnjëherë. Në ato kohë kur vëzhgohej çdo gjë, shtypshkronja mund të funksiononte vetëm në fshehtësinë më të madhe.»

SHUMËFISHOHET LITERATURË NË MOSKË

Autoritetet e dinin fare mirë se Dëshmitarët kishin nevojë urgjente për Bibla e për literaturë biblike. Ata i refuzonin ose i linin në harresë kërkesat e vazhdueshme të Trupit Udhëheqës që t’u jepej leje Dëshmitarëve të shtypnin a të importonin literaturë biblike. Meqë literatura ishte e paktë, vëllezërit kërkonin vazhdimisht mënyra se si ta shumëfishonin në pjesë të ndryshme të vendit, duke përfshirë edhe Moskën. Kështu mund t’u jepnin ushqim frymor kongregacioneve dhe grupeve.

Në vitin 1957, Stepan Levicki u dënua me dhjetë vjet burg, vetëm sepse iu gjet në shtëpi një Kullë Roje, nën mbulesën e tavolinës. Stepani tregon: «Pas tre vjetësh e gjysmë, Gjykata e Lartë ma anuloi dënimin. Para se të lirohesha, vëllezërit më rekomanduan të shkoja diku afër Moskës, për të predikuar e për t’u marrë me veprimtari të tjera të kongregacionit. Gjeta shtëpi në një zonë dy orë larg Moskës dhe nisa të predikoja në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Jehovai i bekoi këto përpjekje dhe, pas disa vjetësh, në Moskë u organizua një grup me vëllezër e motra. Më 1970, më caktuan mbikëqyrës në një qark që përfshinte Moskën, Leningradin (tani Shën-Pjetërburg), Gorkin (tani Nizhni-Novgorod), Orelin dhe Tulën. Duhej t’u siguroja literaturë kongregacioneve.

Isha i sigurt se Jehovai donte që në Moskë e në vende të tjera të Rusisë të kishte sasi të mjaftueshme literature biblike. I shpreha atij në lutje gatishmërinë për të bërë më shumë në këtë aspekt. Pak më vonë u njoha me një tipograf specialist që kishte lidhje me disa shtypshkronja në Moskë. Në bisedë e sipër, e pyeta a kishte mundësi të shtypte një sasi të vogël të një libri te ndonjë shtypshkronjë.

—Ç’libër?—më pyeti.

Nga parajsa e humbur në parajsën e rifituar,—iu përgjigja paksa në gjemba.

Një shoku i tij i ngushtë punonte tipograf në një shtypshkronjë. Ishte komunist dhe udhëheqës i një organizate bazë të partisë. Por pranoi të shtypte një sasi të vogël librash me para në dorë. Sa u mrekulluan vëllezërit tani që mund të kishin këtë mjet ndihmës për studimin e Biblës!

Kjo mënyrë shtypjeje kishte rreziqe të mëdha, si për mua, edhe për tipografin. Zakonisht shtypja bëhej natën dhe librat duheshin nxjerrë shpejt nga shtypshkronja, pa e vënë re njeri. Jehovai e bekoi këtë metodë, kështu që në atë shtypshkronjë u shtypën shumë botime biblike, si librat: «E vërteta do t’ju bëjë të lirë», E vërteta që të çon në jetën e përjetshme, e madje edhe libri i këngëve. Ishte vërtet ushqim në kohën e duhur për ne. (Mat. 24:45) E përdorëm për nëntë vjet këtë shtypshkronjë.

Por një ditë, ia behu papritur inspektorja e shtypshkronjës, ndërkohë që po shtypej një nga botimet tona. Tipografi e rregulloi shpejt e shpejt makinën dhe nisi të shtypte një revistë shëndetësore. Por nga nxitimi futi pa dashje në revistë gjashtë faqe të botimit tonë. Inspektorja mori në zyrë një kopje të revistës. U habit shumë kur e lexoi, sepse në të kishte material që s’kishte fare lidhje me revistën. Kështu, thirri tipografin dhe e pyeti si përfundoi në revistë ai material. Pas kësaj, çështjen e mori në dorë KGB-ja. Tipografin e kërcënuan se do t’i jepnin një dënim të gjatë, prandaj u tha gjithçka që dinte. KGB-ja më gjeti menjëherë, sepse mua më njihnin si të vetmin Dëshmitar të Jehovait në Moskë. Më dënuan me pesë vjet e gjysmë burg.» Tipografin e dënuan me tre vjet.

«ARDHTË HARMAGEDONI!»

Shumë vëllezër e motra kaluan periudha të gjata nëpër qelitë e burgut. Grigori Gatilovi bëri 15 vjet burg. Ai kujton: «Burgu i fundit ku më çuan, kishte një emër romantik: ‘Mjellma e bardhë.’ Ndodhej në një zonë piktoreske në Kaukaz, në majën e njërit prej pesë maleve, dhe midis tyre gjendej qyteza turistike e Pjatigorskit. Në këtë burg pata mundësi të flitja për të vërtetën me njerëz të ndryshëm, për një vit të tërë. Qelia ime ishte ‘territor’ i mrekullueshëm për predikim. Madje s’më duhej të lëvizja fare nga vendi. Gardianët m’i sillnin në qeli të burgosurit dhe pas disa ditësh i merrnin prapë, kurse unë mbetesha gjithnjë atje. Rrallë më transferonin në qeli tjetër. U përpoqa t’u jepja të gjithëve dëshmi të plotë për Mbretërinë e Jehovait. Shumë të burgosur bënin pyetje për Harmagedonin. Disa çuditeshin që dikush mund të rrinte kaq kohë në burg për shkak të besimit. ‘Pse nuk e mohon besimin, që të kthehesh në shtëpi?’—më pyetnin ata, e ndonjëherë edhe gardianët. Kënaqesha sa herë që njëri prej tyre tregonte interes të sinqertë për të vërtetën. Një herë, në muret e një qelie pashë të shkruar shprehjen: ‘Ardhtë Harmagedoni!’ Edhe pse jeta në burg nuk të sillte ndonjë gëzim, isha i lumtur që mund të flitja për të vërtetën.»

«A KA JONADABË MES JUSH?»

Edhe shumë motra të zellshme në shërbim të Jehovait, u burgosën nëpër kampe pune. (Ps. 68:11) Zinajda Kozireva kujton se si motrat shfaqnin dashuri për njëra-tjetrën dhe për të burgosurat që s’ishin Dëshmitare: «Në vitin 1959, as një vit pas pagëzimit, më çuan në një kamp në Kemerovo, Siberi, bashkë me Vera Mihajllovën dhe Ludmila Jevstafjevën. Në kamp kishte 550 të burgosura. Kur mbërritëm, te hyrja po rrinin disa gra.

—A ka Jonadabë mes jush?—pyetën.

E kuptuam se ishin motrat tona të dashura. Menjëherë, na dhanë për të ngrënë dhe nisën të na pyetnin. Rrezatonin dashuri e ngrohtësi, të cilat s’i kisha provuar kurrë në familjen time. Na dolën krah, ngaqë ishim të reja në kamp. (Mat. 28:20) Shpejt e kuptuam se aty ishte organizuar më së miri programi për të marrë ushqim frymor.

U bëmë një familje e vërtetë. Në veçanti kënaqeshim gjatë verës kur shkonim të mblidhnim sanë. Nëpunësit e kampit nuk kishin frikë se mos arratiseshim ose shkelnim rregullat, prandaj caktonin vetëm një ushtar që të ruante 20 a 25 motra. Por, në fakt ne ruanim ushtarin! Sa herë afrohej njeri, e zgjonim nga gjumi, që të mos ndëshkohej ngaqë flinte gjatë detyrës. Ndërkohë që ai flinte, ne shfrytëzonim momentet e pushimit për të diskutuar argumente frymore. Ishte një rast i mirë si për të, edhe për ne.

Nga fundi i vitit 1959, bashkë me disa motra, më dërguan në një kamp të sigurisë së lartë. Na vunë në një qeli të ftohtë, pa xhama në dritare. Ditën punonim dhe natën flinim nëpër dërrasa. Autoritetet na caktuan të seleksiononim perimet dhe na vëzhgonin se si silleshim. Pas njëfarë kohe, kur u bindën se nuk vidhnim siç bënin të burgosurat e tjera, na sollën ca kashtë për ta shtruar mbi dërrasat dhe vunë xhama në dritare. Kaluam një vit atje, pastaj të gjitha motrat i dërguan në një kamp të sigurisë së ulët, në Irkutsk.

Në këtë kamp kishte rreth 120 motra. Atje kaluam një vit e tre muaj. Dimri i parë ishte jashtëzakonisht i ftohtë dhe binte shumë borë. Bënim punë të rëndë fizike në stabilimentin e drurit. Përgjegjësit dukej sikur s’kishin mënyrë tjetër se si ta kalonin kohën dhe na kontrollonin shpesh për literaturë. Por ama ne ishim bërë mjeshtre për të fshehur literaturën, madje disa herë e tepronim. Në një rast, unë dhe Vera i fshehëm kaq mirë në xhaketën e punës disa copa letre me shkrimin e ditës, saqë nuk po i gjenim dot as vetë. Por i gjeti një përgjegjës, prandaj na dërguan të dyjave në një qeli izolimi për pesë ditë. Jashtë temperatura i kalonte –40 gradë Celsius dhe muret në qelinë pa ngrohje ishin veshur me akull.

Në qeli kishte rafte betoni të vegjël, sa për t’u ulur. Kur ndienim tepër ftohtë, i mbështetnim këmbët në mur, uleshim kurriz më kurriz me njëra-tjetrën dhe ashtu na zinte gjumi. Pastaj zgjoheshim papritur dhe hidheshim përpjetë nga frika se mos vdisnim në gjumë të ngrira. Na jepnin një gotë ujë të ngrohtë dhe 300 gramë bukë të zezë në ditë. Pavarësisht nga kjo, ishim të kënaqura, pasi Jehovai na dha ‘fuqi përtej normales’. (2 Kor. 4:7) Kur u kthyem në barakë, motrat u treguan shumë të dashura. Tashmë na kishin përgatitur ushqim të ngrohtë dhe na kishin ngrohur ujë që të laheshim.»

«SHKOJNË MIRË ME TË TJERËT»

Zinajda vazhdon: «Në këtë kamp ishte e vështirë të predikoje, sepse kishte pak të burgosur dhe të gjithë e dinin cilët ishin Dëshmitarët. Në këtë situatë ishte me vend parimi i 1 Pjetrit 3:1. E quanim predikimi pa fjalë. E mbanim barakën të pastër e të rregullt dhe tregoheshim miqësore e të dashura me njëra-tjetrën. (Gjoni 13:34, 35) Për më tepër, shkonim mirë edhe me ato që s’ishin Dëshmitare. Përpiqeshim të silleshim siç na mëson Fjala e Perëndisë dhe tregoheshim të vëmendshme ndaj nevojave të të tjerëve. Nganjëherë gjenim mënyra për të ndihmuar dikë që s’ishte Dëshmitar. Për shembull, një motër u tregua e gatshme t’i ndihmonte të burgosurit e tjerë që duhej të bënin ndonjë llogaritje matematikore. Shumë veta e panë se Dëshmitarët e Jehovait ishin ndryshe nga anëtarët e feve të tjera.

Në vitin 1962, na transferuan nga kampi i Irkutskut në një kamp në Mordvini. Edhe atje u përpoqëm të ishim të rregullta dhe të mbanim higjienë vetjake të mirë. Shtretërit i kishim gjithnjë të pastër e të rregullt. Në barakën tonë jetonin rreth 50 të burgosura, kryesisht Dëshmitare. Vetëm motrat e pastronin barakën, sepse të burgosurave të tjera nuk u pëlqente kjo punë. Dyshemeja e barakës lahej gjithnjë dhe fërkohej me rërë për ta lëmuar. Mjetet na i jepte administrata e kampit. Murgeshat që ishin në barakë me ne nuk pranuan të pastronin dhe intelektualet s’donin, kështu që pastërtia e barakës varej kryesisht nga puna jonë. Sa herë që lirohej një motër, në raportin e saj shënohej se ishte ‘elastike dhe shkonte mirë me të tjerët’.»

LULE TË LARTA QË SIGUROJNË MBULIM

«Një herë,—thotë Zinajda—disa motra u shkruan të afërmve të tyre dhe u kërkuan fara bimësh që çelin lule të mëdha. I thamë administratës se donim të mbillnim disa lule të bukura dhe i pyetëm nëse mund të na sillnin ca dhé të mirë të zi. Për habinë tonë, ata pranuan me entuziazëm. Mbollëm rreshta me lule anash barakës dhe krijuam rrugica të gjata me lule nga të dy anët. Shumë shpejt kampi u mbush me tufa trëndafilash me kërcell të gjatë, me karafila e me lule të tjera të bukura, po ç’është më e rëndësishmja, të larta. Pjesa qendrore ishte mbushur me gjeorgjina të bukura dhe me tufa të mëdha luleshqerrash të larta ngjyra-ngjyra. Atje shëtitnim, studionim Biblën fshehur pas luleve dhe e futnim literaturën te ferrat e dendura të trëndafilave.

Mbledhjet i bënim duke ecur. Organizoheshim në grupe me nga pesë motra. Secila mësonte përmendësh që më përpara nga një paragraf në një botim biblik. Pastaj, pasi bënim lutjen, i thoshim paragrafët me radhë dhe i diskutonim. Pas lutjes mbyllëse, vazhdonim të shëtitnim. Revistat Kulla e Rojës i kishim në formë broshurash në miniaturë [si ajo në fotografinë e faqes 161]. Çdo ditë studionim diçka, sidomos shkrimin e ditës, dhe thoshim përmendësh paragrafët që do të studionim në mbledhje, të cilat mbaheshin tri herë në javë. Jo vetëm kaq, por u përpoqëm të mësonim përmendësh kapituj të tërë të Biblës dhe pastaj ia përsëritnim njëra-tjetrës për të marrë forcë. Kështu, nuk merakoseshim shumë nëse gjatë një kontrolli autoritetet gjenin literaturën dhe na e konfiskonin.

Ndonëse administrata e kampit u përpoq të mësonte nga të burgosurat e tjera se si i kishim organizuar veprimtaritë në kamp, shumë prej tyre na kishin me sy të mirë. Në të njëjtën barakë me ne ishte Olga Ivinskaja, mikeshë e poetit dhe shkrimtarit të famshëm Boris Pastërnak, i cili mori çmimin Nobel për letërsinë. Ajo ishte shkrimtare dhe, meqë na pëlqente, kënaqej kur shihte sa mirë ishim organizuar. Jehovai na dha mençuri, sidomos që të arrinim të siguronim ushqim frymor.»—Jak. 3:17.

«MJAFT MË ME TY!»

«Literaturën e merrnim në mënyra të ndryshme,—vazhdon Zinajda.—Shpesh dilte në pah se ishte Jehovai që po mbikëqyrte këtë gjë, siç na kishte premtuar: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’ (Hebr. 13:5) Nganjëherë, ai thjesht i verbonte rojat që të mos e shihnin literaturën. Një herë, në dimër, kur brigada jonë e punës hyri në kamp, rojat na kontrolluan si zakonisht duke na zhveshur komplet. Unë mbeta e fundit, dhe nën dy palë pantallona, kisha fshehur literaturën që sapo e kisha marrë.

Ngaqë bënte ftohtë, isha veshur aq trashë sa mezi lëvizja! Fillimisht, përgjegjësja më kontrolloi pallton e madhe, pastaj jelekun e punuar. Vendosa ta zvarritja sa më shumë zhveshjen, me shpresë se ajo do të lodhej. Dalëngadalë hoqa një pulovër, pastaj një tjetër. Ndërsa po i kontrollonte me kujdes ato, hoqa ngadalë disa shalle, pastaj një fanellë, pastaj një këmishë, pastaj një tjetër. Më ngelën dy palë pantallona dhe çizmet prej shajaku. Ngadalë hoqa njërën çizme dhe pastaj tjetrën e, po aq ngadalë, nisa të hiqja njërën palë të pantallonave. Pastaj mendova: ‘Po tani, ç’të bëj? Po të më thotë të heq edhe pantallonat e tjera, do të më duhet të vrapoj e t’ua hedh literaturën motrave.’ Sapo hoqa pantallonat që kisha sipër, përgjegjësja më bërtiti e acaruar: ‘Mjaft më me ty! Hiqmu sysh!’ U vesha shpejt e shpejt dhe vrapova brenda në kamp.

Ku e gjenim literaturën? Vëllezërit e linin në një vend për të cilin kishim rënë dakord që më parë dhe ne me radhë e merrnim dhe e sillnim në kamp. Pasi hynte literatura në kamp, e fshihnim në një vend të sigurt, të cilin e ndryshonim herë pas here. Gjithashtu, vazhdimisht e shumëfishonim me dorë literaturën e i fshihnim kopjet. Punonim nën batanije, me ndriçimin që vinte përmes dritares nga një dritë rruge. Kishim hapur një vrimë të vogël në batanije që të na hynte drita. Nuk donim të humbnim asnjë minutë, prandaj punonim pa pushim. Edhe kur shkonim në mensë, secila kishte me vete një copë letër me një shkrim.»

«ERDHI DITA JUAJ»

Papritur, në vitin 1965, qeveria sovjetike nxori një urdhër të veçantë, sipas të cilit liroheshin të gjithë Dëshmitarët e internuar në Siberi nga viti 1949 deri më 1951. Por, shumicën e vëllezërve dhe të motrave nuk i lanë të ktheheshin atje ku kishin banuar më përpara. Ata që s’donin të rrinin në Siberi, vendosën të transferoheshin në ndonjë zonë ku kishte më shumë nevojë në shërbim.

Magdalina Beloshickaja thotë: «Jetuam pothuajse 15 vjet të internuar në Siberi. Në dimër, temperaturat arrinin deri në -60 gradë Celsius, kurse gjatë verës kishte re me miza kali e mushkonja, që të pickonin edhe te kokërdhokët e syve. I duruam të gjitha me ndihmën e Jehovait. Por, mrekulloheshim që mund të mbillnim farërat e së vërtetës në territoret e ftohta siberiane! Çdo muaj, për 15 vjet, firmosnim në zyrën e inspektorit një deklaratë se nuk do të përpiqeshim të arratiseshim nga vendi i internimit. Disa herë ai vinte dhe e kalonte natën në shtëpinë tonë. Tregohej shumë i mirë me ne, na bënte shumë pyetje për Biblën dhe për gjërat që nevojiteshin për të jetuar në përputhje me mësimet e saj. Na pyeste se ç’na shtyu të zgjidhnim këtë mënyrë jetese, kur e dinim se do të na përndiqnin për shkak të saj. Një herë, e pyetëm nëse kishte ndonjë shpresë që një ditë të liroheshim. Ai hapi dorën, na tregoi pëllëmbën dhe tha: ‘A ka ndonjë shpresë që këtu të mbijnë qime?’

—Jo,—ia ktheva.

—Po kaq shpresë ka që të liroheni ju,—vazhdoi. Pastaj, pasi u mendua pak, shtoi: ‘Vetëm nëse Perëndia juaj vepron në ndonjë mënyrë ose bën ndonjë mrekulli për ju.’

Një ditë vere, në vitin 1965, shkova te stacioni i trenit për të postuar një letër. Inspektori më pa që larg dhe thirri: ‘Magdalina, ku po shkon pa leje?’

‘Asgjëkundi,—i thashë,—thjesht po postoj një letër.’ Pastaj, m’u afrua dhe më tha: ‘Sot do t’ju lirojnë. Erdhi dita juaj.’ Më hodhi një vështrim domethënës, si të thoshte: ‘Perëndia ju ka liruar!’ S’arrija ta besoja!

Na lanë të shkonim ku të donim në Bashkimin Sovjetik, përveç vendit ku kishim banuar më parë. Ishte sikur të dëgjonim zërin e Jehovait: ‘Shpërndahuni dhe predikoni. Ka ardhur koha e duhur e s’pret puna, prandaj shpërndahuni.’ Po të na ishte dhënë leja të ktheheshim në shtëpi, shumë prej nesh do të donin të riktheheshin në qytetet e tyre. Por, meqë kjo leje nuk u dha, të gjithë shkuan në ndonjë vend tjetër. Familja jonë vendosi të jetonte në Kaukaz.»

Mijëra Dëshmitarë u shpërndanë anembanë Bashkimit Sovjetik. Po atë vit, në një konferencë shtetërore, një zyrtar pyeti i shtangur: «Kush më thotë si përfundoi ky sekt i Jehovistëve në qytetin tonë të ri, të ndërtuar nga të rinj vullnetarë? Një qytet i ri, i pastër, dhe papritur shfaqet ky sekt i Jehovistëve!» Autoritetet thjesht nuk dinin ç’të bënin me Dëshmitarët. Askush nuk mund ta pengojë plotësimin e premtimit të Perëndisë për ta mbushur tokën me «njohurinë e Jehovait».—Isa. 11:9.

«JU KENI ‘UJË TË BEKUAR’»

Për shkak të veprës së predikimit, Dëshmitarët i dërgonin nëpër kampe penale. Nikolaj Kalibaba, i cili kaloi shumë vjet nëpër këto kampe, kujton: «Katër prej nesh i dërguan në një kamp penal në fshatin Vihorevkë të provincës së Irkutskut, ku ishin tashmë rreth 70 vëllezër. Atje nuk kishte ujë për të pirë dhe i vetmi tubacion uji ishte i lidhur me sistemin e ujërave të zeza, prandaj ishte me rrezik të pije prej tij. Edhe ushqimi ishte i pangrënshëm, por Jehovai na ndihmoi. Në këtë kamp, përveç Dëshmitarëve askush nuk donte të punonte. Kurse ne ishim punëtorë të mirë. S’kaloi shumë dhe administrata e kuptoi këtë, kështu që na dërgonin për të punuar në zona të tjera të kampit. Që andej sillnim ujë për të pirë me kova. Shumë të burgosur vinin te ne e na thoshin: ‘Kemi dëgjuar se ju keni «ujë të bekuar». Na jepni nga një gjysmë gote, të paktën.’ Natyrisht që e ndanim ujin me ta.

Ndër të burgosurit kishte edhe njerëz me zemër të mirë, disa prej të cilëve më parë kishin qenë hajdutë e të tjerë kriminelë. Ata morën të vërtetën dhe u bënë Dëshmitarë të Jehovait. Të tjerë dukej se ishin kundër së vërtetës dhe na kundërshtonin hapur. Megjithatë, një herë, kur erdhi në kampin tonë një folës për të mbajtur fjalim kundër Dëshmitarëve të Jehovait, ata na dolën në mbrojtje dhe thanë se fjalimi ishte plot me shpifje kundër Dëshmitarëve.»

«DO TË VIJMË TE JU NË GRUPE»

Vëllezërit i kërkonin Jehovait mençuri dhe vazhdimisht mendonin se si t’i përdornin rrethanat për të çuar përpara interesat e Mbretërisë. Nikolaji vazhdon: «Morëm vesh se pas pak do të na transferonin në një kamp tjetër jo larg Moskës, në Mordvini. Para se të niseshim, ndodhi diçka interesante. Për habinë tonë, disa zyrtarë dhe përgjegjës, që për vite të tëra na kishin ruajtur ne Dëshmitarët e Jehovait, erdhën e na thanë: ‘Do të donim të na këndonit këngët tuaja dhe të na flitnit për bindjet tuaja. Do të vijmë te ju në grupe me nga 10 deri në 20 veta, e ndoshta më shumë.’

Nga frika se mos u ndodhte gjë atyre ose neve, na thanë se do të vinin roja që të ruanin vendin ku do të takoheshim. U thamë se, meqë kishim më shumë përvojë në çështje të tilla, edhe ne do të vinim rojat tona. Rojat e tyre punonin tamam si ne: disa ushtarë qëndronin në largësi nga njëri-tjetri, mes kullës së vrojtimit dhe vendtakimit. E përfytyroni dot skenën? Disa nga vëllezërit kënduan para një grupi zyrtarësh dhe përgjegjësish, pastaj një vëlla mbajti një fjalim të shkurtër për një temë biblike. Ishte tamam si në një Sallë Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait! Kështu drejtuam disa mbledhje me grupe të interesuarish. Kuptuam se Jehovai kujdesej jo vetëm për ne, por edhe për ata njerëz të sinqertë.

Nga ky kamp morëm një sasi të madhe literature dhe e futëm në kampin e Mordvinisë. Atje kishte shumë Dëshmitarë. Vëllezërit më dhanë një valixhe me fund të dyfishtë, ku të fshihnim literaturën. Bëmë gjithçka që, gjatë kontrollit, valixhja të mos u binte në sy përgjegjësve. Në kampin në Mordvini, na kontrolluan me imtësi. Një përgjegjës ma mori valixhen nga dora dhe tha: ‘Sa e rëndë që qenka! Duhet të ketë thesare brenda.’ Papritur, e vuri mënjanë valixhen time dhe ca sende të tjera, e nisi të kontrollonte plaçkat e të tjerëve. Pas kontrollit, një përgjegjës tjetër më tha: ‘Merr gjërat e tua dhe largohu!’ Valixhen nuk ma kishin kontrolluar, kështu që solla në barakë botimet e fundit që na nevojiteshin shumë.

Jo vetëm kaq, por disa herë futa në kamp fletushka të shkruara me dorë, që i fsheha te këpucët me qafa. Meqë kam këmbë të madhe, në këpucë kisha gjithnjë hapësirë për të mbajtur shumë fletë. I paketoja poshtë shollave dhe qëllimisht i lustroja me graso që ishte shumë e lyrshme dhe kutërbonte, kështu përgjegjësit u rrinin larg këpucëve të mia.»

«PËRGJEGJËSIT NA RUANIN NE DHE UNË RUAJA ATA»

Nikolaji vazhdon: «Në kampin e Mordvinisë, vëllezërit më caktuan të mbikëqyrja shumëfishimin e literaturës biblike. Duhej edhe të ruaja përgjegjësit, me qëllim që ata që po kopjonin me dorë literaturën, të kishin kohë të mjaftueshme për t’i fshehur gjërat. Përgjegjësit na ruanin ne dhe unë ruaja ata. Disa prej tyre ishin të vendosur të na zinin me presh në dorë, prandaj hynin në barakë befasisht dhe orë e çast. Këta ishte pothuajse e pamundur t’i ruaje. Kurse të tjerë vinin në barakë një herë në ditë, ishin më tolerantë dhe nuk na hapnin telashe.

Gjatë kësaj kohe, i kopjonim botimet nga kopjet origjinale, që i mbanim në vende të sigurta. Disa kopje origjinale i kishim fshehur në sobë, madje edhe në sobën që ishte në zyrën e administratorit të kampit. Vëllezërit që pastronin zyrën e tij, kishin bërë një ndarje të veçantë brenda sobës dhe atje mbanin kopjet e çmuara origjinale të revistave Kulla e Rojës. Sado të kontrollonin me imtësi përgjegjësit, kopjet origjinale ishin gjithnjë të sigurta në zyrën e administratorit.»

Vëllezërit u bënë mjeshtra për të fshehur literaturën. Një vend i preferuar ishte parvazi i dritares. Madje mësuan ta fshihnin literaturën edhe në tubetat me pastë dhëmbësh. Vetëm dy a tre vëllezër e dinin ku mbaheshin kopjet origjinale. Kur lindte nevoja, njëri prej tyre e merrte origjinalin dhe pasi i bënte një kopje me dorë, e vinte prapë në vend. Kështu kopjet origjinale mbeteshin gjithnjë në vend të sigurt. Shumë vëllezër e konsideronin privilegj të punonin për të shumëfishuar botimet, edhe pse rrezikonin t’i çonin në izolim për 15 ditë. Viktor Gutshmidi kujton: «Nga dhjetë vjet që kalova nëpër kampe, tre i kalova në qelitë e izolimit.»

KULLA E ROJËS ME SHKRIM SHUMË TË IMËT

Vëllezërve u dukej se administrata e kampit kishte krijuar një sistem të posaçëm për të kontrolluar Dëshmitarët e për t’u konfiskuar literaturën biblike. Disa oficerë kishin zell të madh për këtë punë. Ivan Klimko tregon: «Një herë, në kampin numër 19 të Mordvinisë, disa ushtarë të pajisur me qen i nxorën vëllezërit nga territori i kampit dhe i kontrolluan me imtësi. Secilin Dëshmitar e zhveshën, duke i hequr edhe rreckat me të cilat kishte mbështjellë këmbët. Por vëllezërit kishin ngjitur në shputat e këmbëve disa fletë të shkruara me dorë, të cilat nuk u diktuan. Gjithashtu kishin bërë broshura mikroskopike që arrinin t’i futnin midis gishtave. Kur ushtarët i urdhëruan të gjithë ‘Duart lart!’, broshurat mbetën midis gishtave dhe disa prej tyre shpëtuan pa u konfiskuar.»

Kishte edhe mënyra të tjera për ta fshehur ushqimin frymor. Aleksej Nepoçatovi thotë: «Disa vëllezër ishin të aftë të shkruanin me një shkrim shumë të imët, si fijet e rrjetës së merimangës. Ata e mprehnin shumë hollë majën e lapsit dhe arrinin të shkruanin tre ose katër rreshta në çdo vijë të fletoreve me vija. Një kuti shkrepësesh mund të mbante pesë ose gjashtë revista Kulla e Rojës me këtë lloj shkrimi. Për të shkruar me këtë metodë, duhej të kishe shikim të shkëlqyer dhe të ushtroheshe fort. Pasi fikeshin të gjitha dritat dhe të tjerët shkonin të flinin, këta vëllezër nisnin të shkruanin nën batanije. I vetmi burim drite ishte një llambë e zbehtë në hyrje të barakës. Po ta vazhdoje për disa muaj, kjo punë t’i prishte sytë. Disa herë, roja e vinte re dhe, nëse na kishte me sy të mirë, thoshte: ‘Ngelët duke shkruar! Po gjumë kur do flini?’»

Vëlla Klimko kujton: «Një herë na konfiskuan shumë literaturë, madje edhe Biblën. I kishim fshehur të gjitha në këmbën artificiale të një vëllai. Pasi e detyruan vëllanë të hiqte këmbën, rojat ia bënë copë-copë. Bënë fotografi të fletëve të shpërndara andej-këtej dhe i botuan në gazetën e kampit. Po edhe kjo na doli për mirë, sepse u tregoi edhe një herë shumë vetave se Dëshmitarët e Jehovait merren vetëm me veprimtari fetare. Pas këtij zbulimi, administratori i kampit u tha triumfues vëllezërve: ‘Ky është Harmagedoni për ju!’ Por, të nesërmen dikush i raportoi se Dëshmitarët e Jehovait po mblidheshin, po këndonin këngë e po lexonin si më parë.»

BISEDË ME PROKURORIN E PËRGJITHSHËM

Nga fundi i vitit 1961, në kampin e Mordvinisë erdhi për inspektim prokurori i përgjithshëm i Republikës Federative Socialiste Sovjetike Ruse. Gjatë inspektimit, ai hyri në barakën ku jetonin Dëshmitarët dhe i lejoi t’i bënin disa pyetje. Viktor Gutshmidi kujton: «Unë e pyeta: ‘A mendoni se feja e Dëshmitarëve të Jehovait është e rrezikshme për shoqërinë sovjetike?’

‘Jo, nuk mendoj se është e rrezikshme’,—u përgjigj prokurori i përgjithshëm. Por më vonë, në bisedë e sipër, pa dashje tha: ‘Vetëm në vitin 1959, provincës së Irkutskut iu dha një buxhet prej pesë milionë rublash për t’u marrë me Dëshmitarët.’

Me këtë donte të thoshte se autoritetet e dinin mirë cilët ishin Dëshmitarët e Jehovait, sepse vetëm për të sqaruar këtë, ishin shpenzuar pesë milionë rubla nga fondet penale të shtetit. Ishte një shumë gjigante parash. Në atë kohë, me pesë mijë rubla mund të blije një makinë të mirë ose një shtëpi të rehatshme. Me siguri, autoritetet në Moskë duhet ta kenë kuptuar se Dëshmitarët e Jehovait nuk ishin të rrezikshëm.

Prokurori i përgjithshëm vazhdoi: ‘Po t’i themi popullit sovjetik të bëjë ç’të dojë me Dëshmitarët, ata do të zhdukin çdo gjurmë tuajën.’ Me fjalë të tjera, po thoshte se shoqëria sovjetike nuk i shihte me sy të mirë Dëshmitarët. Nga këto fjalë, mund të kuptoje se miliona njerëz ishin ndikuar nga propaganda ateiste dhe ideologjike.

Atëherë iu përgjigjëm: ‘Se si do të jetë realiteti, do ta shihni kur Dëshmitarët të mbajnë kongrese që nga Moska deri në Vladivostok.’

‘Ndoshta në anën tuaj mund të kalojnë nja gjysmë milioni veta, por pjesa tjetër do të mbetet në anën tonë’,—na e ktheu.

Me këto fjalë mbaroi edhe biseda jonë me prokurorin e përgjithshëm. Deri diku, ai kishte të drejtë. Sot, mbi 700.000 veta ndjekin mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Në këto mbledhje, njerëzve nuk u bëhet propagandë, por u mësohen fjalët e pastra të së vërtetës biblike.»

«KENI KRIJUAR NJË KAMP PUSHIMI PËR DËSHMITARËT»

Viktori vazhdon: «Nëpunësit e administratës i treguan prokurorit të përgjithshëm gjithë lulet dhe pemët e mbjella nga Dëshmitarët, si dhe pakot që kishin marrë dhe i mbanin në barakën e tyre, pa ua vjedhur kush. Ai shihte me një admirim që dukej qartë. Por më vonë morëm vesh se e kishte urdhëruar administratën e kampit t’i shkulte të gjitha lulet dhe pemët. I kishte thënë administratorit: ‘Ju keni krijuar një kamp pushimi për Dëshmitarët, jo një kamp pune.’ Gjithashtu, ua ndaloi Dëshmitarëve të merrnin pako dhe mbylli kioskën ushqimore ku mund të blinin ca ushqime shtesë.

Megjithatë, vëllezërit u gëzuan sepse administratori nuk i zbatoi të gjithë urdhrat. Për shembull, i lejoi motrat të mbillnin e të rritnin lule si më parë. Në vjeshtë, ato i këputnin lulet dhe bënin buqeta të mëdha që ua jepnin punëtorëve të kampit dhe fëmijëve të tyre. Ishte e këndshme të shihje fëmijët që takoheshin me prindërit te porta, merrnin lulet dhe vraponin të lumtur për në shkollë. Fëmijët i donin shumë Dëshmitarët.»

Viktori kujton: «Një ditë, në fillim të vitit 1964, një përgjegjës, vëllai i të cilit punonte për KGB-në, na tha se shteti po organizonte një fushatë të gjerë kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Por, në fund të atij viti, Nikita Hrushovi u shkarkua papritur nga detyrat e tij si kreu i shtetit dhe vala e përndjekjes ra.»

KËNGË MBRETËRIE NË NJË KAMP TË SIGURISË SË LARTË

Në vitet 60, në një kamp të sigurisë së lartë në Mordvini, të burgosurit u lejuan të merrnin pako vetëm një herë në vit, dhe kjo si ‘shpërblim special’. Ndërkohë bëheshin vazhdimisht kontrolle. Po të kapnin dikë me një shkrim biblik në një copë letre, e vinin në izolim për dhjetë ditë. Për më tepër, në këtë kamp, të burgosurve u jepej më pak ushqim se në kampet e tjera. Edhe puna ishte më e lodhshme në kampet e sigurisë së lartë. Dëshmitarët duhej të gërmonin e të nxirrnin cungje pemësh të stërmëdha. Aleksej Nepoçatovi thotë: «Shpesh ishim në prag të sfilitjes së plotë fizike. Por rrinim syçelë dhe nuk dorëzoheshim. Për të mbajtur lart moralin, këndonim këngë Mbretërie. Krijuam një kor burrash me shumë zëra që tingëllonte jashtëzakonisht bukur, edhe pse pa zëra femërorë. Këngët që këndonim, na çelnin jo vetëm neve, por edhe oficerët, që na kërkonin të këndonim gjatë orëve të punës. Një herë, tek po rrëzonim ca pemë, erdhi mbikëqyrësi i punimeve dhe na tha: ‘Këndoni ca këngë. Kërkesa vjen drejtpërdrejt nga oficeri i divizionit.’

Ai oficer i kishte dëgjuar shumë herë vëllezërit të këndonin këngë Mbretërie. Kërkesa e tij erdhi tamam në kohën e duhur, pasi ishim në prag të sfilitjes së plotë. Tërë gëzim nisëm t’i jepnim lavdi Jehovait me zërat tanë. Zakonisht, kur këndonim në kamp, gratë e oficerëve dilnin nga shtëpitë që ishin aty pranë, rrinin te porta dhe dëgjonin për një kohë të gjatë. U pëlqenin sidomos fjalët e këngës numër 6 nga një libër këngësh i vjetër: ‘Toka le të japë lavdi.’ Kënga kishte shumë fjalë të bukura dhe një melodi të mrekullueshme.»

MBËRRITI «NË SHTET TJETËR»

Edhe në rrethanat më të paparashikuara, shihej qartë se si ishin vërtet Dëshmitarët e Jehovait. Viktor Gutshmidi kujton: «Një fundjavë, pas pune, ishim ulur përqark në kopsht kur në kamp sollën disa pajisje elektrike të kushtueshme. Shoferi që i solli, nuk ishte Dëshmitar, por i burgosur nga kampi ynë, kurse përgjegjësi i shitjeve që e shoqëronte, vinte nga një kamp tjetër. Meqë magazina ishte mbyllur dhe magazinieri ishte me pushime, na kërkuan ne Dëshmitarëve që të pranonim dorëzimin e pajisjeve dhe t’i shkarkonim atje.

I shkarkuam pajisjet dhe i mbështetëm te magazina, jo larg barakës ku jetonim. Përgjegjësi i shitjeve ishte shumë në ankth për këtë dorëzim jozyrtar pa asnjë faturë të firmosur nga magazinieri. Por shoferi e qetësoi: ‘Mos ki frikë. Këtu asnjeri s’të prek gjë. Ke mbërritur «në shtet tjetër». Harroje ç’ndodh jashtë zonës të kampit. Këtu mund të heqësh orën nga dora e ta lësh ku të duash, dhe të nesërmen do ta gjesh po aty ku e le.’ Përgjegjësi i shitjeve ngulte këmbë që të mos ikte pa faturën e firmosur, sepse vlera e pajisjeve ishte gjysmë milioni rubla.

Pas pak erdhën disa burra nga administrata e kampit dhe kërkuan që kamioni të largohej. Njëri prej tyre i tha përgjegjësit të shitjeve ta linte atje faturën për firmosje dhe të vinte ta merrte të nesërmen. Ai u largua pa shumë dëshirë. Mëngjesin tjetër u kthye dhe i kërkoi rojës të hynte në kamp për të firmosur faturën, por ai ia ktheu tashmë të firmosur.

Më vonë, roja na tha se përgjegjësi i shitjeve ndenji goxha gjatë aty para kampit. Për gjysmë ore, ndenji atje duke fiksuar portën dhe faturën, bëri të ikte e pastaj u kthye prapë e vazhdoi të shikonte për njëfarë kohe. Me siguri, ishte hera e parë në jetën e tij që shihte diçka të tillë. Ishte bërë dorëzimi i mallrave me vlerë të madhe dhe firmosja e faturës pa qenë ai i pranishëm, por gjithçka ishte kryer me ndershmëri. Ç’është më e rëndësishmja, kjo kishte ndodhur në një kamp pune të sigurisë së lartë, ku të burgosurit kishin etiketën ‘kriminelë jashtëzakonisht të rrezikshëm’. Po, pavarësisht se ç’lloj propagande bëhej kundër Dëshmitarëve, në raste të tilla të gjithë ata që ishin përfshirë, mund të kuptonin qartë se si ishin vërtet Dëshmitarët e Jehovait.»

«TANI PO PREDIKOJNË SËRISH»

Në vitin 1960, disa ditë pasi i kishin grumbulluar vëllezërit në kampin e Mordvinisë, u zgjodhën mbi njëqind prej tyre për t’i transferuar në kampin numër 10, një burg i veçantë në fshatin Udarni, aty pranë. Ky ishte burg «eksperimental» për të riedukuar Dëshmitarët. Të burgosurit kishin uniforma me vija, si të burgosurit në kampet naziste të përqendrimit. Veç punëve të tjera, Dëshmitarët duhej të gërmonin e të shkulnin cungje pemësh të stërmëdha në pyll. Norma minimale ditore ishte 11-12 cungje për njeri. Por, nganjëherë, duke punuar së bashku gjithë ditën, tërë skuadra e punës nuk arrinte të shkulte as një cung peme gjigante lisi. Për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit, shpesh ata këndonin këngë Mbretërie. Kur i dëgjonte duke kënduar, nganjëherë administratori i kampit bërtiste: ‘Sot s’ka darkë për ju Dëshmitarët, që mos t’ju vijë më për të kënduar. Do t’ju gdhend unë për punë!’ Një vëlla që ishte në këtë kamp, kujton: «Megjithatë, Jehovai na ndihmoi të qëndronim. Pavarësisht nga kushtet e vështira, ishim zgjuar frymësisht. Gjithnjë i jepnim zemër njëri-tjetrit me mendimin pozitiv se kishim marrë anën e Jehovait në çështjen e sovranitetit universal.»—Prov. 27:11.

Përveç disa «edukatorëve» që kishte burgu, çdo qeli kishte një edukator më vete, të rangut të kapterit ose më lart. Synimi i tyre ishte t’i shtynin Dëshmitarët të mohonin besimin. Ata që do të dorëzoheshin, domethënë që do të mohonin besimin, do të liroheshin. Çdo muaj, edukatorët përpilonin një raport për karakterin e çdo Dëshmitari, të cilin e firmosnin disa punonjës të burgut. Por, për çdo Dëshmitar, gjithnjë detyroheshin të shkruanin: «Nuk u përgjigjet masave riedukuese; qëndron i patundur në bindjet e tij.» Ivan Klimko tha: «Nga dhjetë vjet dënim, gjashtë i kalova në këtë burg. Bashkë me vëllezër të tjerë, më klasifikuan si ‘kriminel jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe i pandreqshëm’. Siç na thanë oficerët, autoritetet kishin krijuar qëllimisht kushte tejet të vështira për Dëshmitarët, që të vëzhgonin si do të silleshin.»

Jov Androniku, i cili kaloi pesë vjet në këtë burg, një herë e pyeti komandantin e burgut: «Për sa kohë do të qëndrojmë këtu?» Ai tregoi me gisht nga pylli e m’u përgjigj: «Derisa trupat tuaj t’i çojnë atje.» Jovi tregon: «Na mbanin veçmas të tjerëve, që të mos u predikonim. Na vëzhgonin me shumë kujdes. Sikur edhe njërit nga ne t’i duhej të shkonte në një zonë tjetër të kampit, e shoqëronte gjithmonë një përgjegjës. Ca vjet më vonë, kur na transferuan në një kamp të sigurisë së ulët, disa të burgosur që s’ishin Dëshmitarë, u thanë nëpunësve të administratës: ‘Dëshmitarët e Jehovait fituan. Ju i mbajtët të veçuar, por tani ata po predikojnë sërish.’»

NJË KOLONEL DALLON BIBLËN E TIJ

Në kampin numër 10 ishte jashtëzakonisht e vështirë të futje literaturë, për të mos folur pastaj për Biblën. Për vëllezërit as që bëhej fjalë të futnin Biblën brenda në burg. Një vëlla që ishte atje për disa vjet, thotë: «Për Jehovain, asgjë nuk është e pamundur. Ai i dëgjoi lutjet tona. I kërkuam të paktën një Bibël për njëqind Dëshmitarët që ishin në këtë burg, dhe ai na dha dy!» (Mat. 19:26) Si ndodhi kjo?

Një kolonel ishte rekrutuar të punonte si edukator në burg. Po si mund t’i «edukonte» Dëshmitarët pa pasur fare njohuri për Biblën? Kështu, bëri si bëri dhe gjeti një Bibël copë-copë e, para se të ikte me pushime, i kërkoi një të burgosuri të moshuar baptist, t’i ngjiste bashkë fletët. I tha përgjegjësit që të mos ia konfiskonte të burgosurit Biblën. Baptisti iu mburr Dëshmitarëve se kishte marrë një Bibël dhe pranoi t’ua jepte sa t’i hidhnin një sy. Kur shtinë në dorë këtë thesar të çmuar, vëllezërit menjëherë e ndanë në disa pjesë dhe ua shpërndanë fletët të gjithë të burgosurve Dëshmitarë, që t’i kopjonin. Në ditët që pasuan, qelitë e Dëshmitarëve u kthyen në punishte për kopjim librash. U bënë dy kopje për çdo fletë. Një nga vëllezërit kujton: «Kur mblodhëm bashkë të gjitha fletët, ishin bërë tri Bibla! Koloneli mori kopjen e tij të rregulluar, kurse ne kishim dy kopjet tona. Njërën e përdornim për të lexuar, kurse tjetrën e kishim fshehur në vend të sigurt, domethënë në disa tuba me kabllo të tensionit të lartë. Kishim sajuar disa hapësira të veçanta në këta tuba. Meqë përgjegjësit kishin frikë edhe t’u afroheshin atyre, askush nuk kontrolloi kurrë atje. Tensioni i lartë ishte një rojë i besueshëm për bibliotekën tonë.»

Por, gjatë një kontrolli, koloneli gjeti një fletë Bible të kopjuar me dorë. Kur e kuptoi ç’kishte ndodhur, u zhgënjye shumë dhe tha: «E tmerrshme, kjo është nga Bibla që solla unë në kamp!»

MBAJTJA E PËRKUJTIMIT

Çdo vit vëllezërit përpiqeshin të mbanin Përkujtimin nëpër kampe. Gjatë gjithë viteve që ndenjën në një kamp të Mordvinisë, asnjëri nuk e humbi ndonjëherë Përkujtimin. Natyrisht, administrata e kampit orvatej ta parandalonte këtë. Ata e dinin datën e Përkujtimit dhe zakonisht atë ditë mobilizonin në gatishmëri numër një gjithë rojat e kampit. Por, aty nga mbrëmja, shumica e rojave lodheshin duke vëzhguar vëllezërit, pasi askush nuk e dinte me saktësi kohën kur do të mbahej Përkujtimi.

Vëllezërit përpiqeshin gjithnjë të gjenin verë dhe bukë pa maja. Në një rast, një njësi rojash të specializuara gjetën bukën dhe verën në një sirtar, ditën e Përkujtimit, dhe i konfiskuan. Më vonë, ajo njësi u zëvendësua nga një tjetër dhe një vëlla që po pastronte zyrën e komandantit të njësisë, arriti t’i merrte bukën dhe verën e t’ua kalonte vëllezërve pa u diktuar. Atë mbrëmje, vëllezërit e mbajtën Përkujtimin dhe kaluan simbolet, gjatë turnit të tretë të rojave. Simbolet duheshin, sepse njëri nga vëllezërit ishte i mirosur.

MBAJTJA E PËRKUJTIMIT NË NJË KAMP GRASH

Edhe në kampe të tjera kishte probleme të ngjashme. Valentina Garnovskajës i kujtohet sa e vështirë ishte të mbahej Përkujtimi në një kamp grash në Kemerovo. Ajo thotë: «Në këtë kamp kishte rreth 180 motra. Na ishte ndaluar të mblidheshim bashkë. Në dhjetë vjet, arritëm ta mbanim vetëm dy herë Përkujtimin. Një herë, vendosëm ta mbanim Përkujtimin në një nga zyrat që duhej të pastroja unë. Motrat nisën të mblidheshin atje fshehurazi, duke ardhur me intervale prej disa orësh, para se të fillonte Përkujtimi. Arritën të vinin rreth 80 motra. Vumë në tavolinë bukë pa maja dhe verë të kuqe.

Vendosëm të fillonim pa kënduar këngën, kështu që një motër bëri lutjen hapëse dhe çdo gjë nisi në mënyrë dinjitoze e të gëzueshme. Por pastaj dëgjuam zhurma e të bërtitura dhe kuptuam se përgjegjësit po na kërkonin. Papritur, pamë vetë komandantin e njësisë që po shihte nga dritarja, edhe pse ishte shumë lart tokës. Në të njëjtën kohë, dëgjuam një trokitje të fortë në derë dhe dikë që na urdhëronte të hapnim derën. Pasi hynë me forcë, përgjegjësit mbërthyen motrën që po mbante fjalimin dhe e nxorën që ta çonin në izolim. Me guxim, një motër tjetër i zuri vendin që të vazhdonte fjalimin, por e morën edhe atë. Menjëherë pas saj, një motër e tretë u përpoq ta vazhdonte fjalimin, kështu që na çuan të gjithave në një dhomë tjetër e na kërcënuan se do të na vinin në izolim. Atje e mbaruam Përkujtimin me një këngë e me një lutje.

Kur u kthyem në barakë, të burgosurat e tjera na pritën me këto fjalë: ‘Kur u zhdukët të gjitha papritur, menduam se erdhi Harmagedoni dhe Perëndia ju mori të gjithave në qiell e na la ne këtu që të shkatërroheshim!’ Ato jetonin me ne prej disa vjetësh, por nuk e kishin pranuar të vërtetën. Pas kësaj, disa prej tyre nisën të na dëgjonin.»

«MBLIDHESHIM TOK»

Në një kamp në Vorkutë kishte shumë Dëshmitarë nga Ukraina, Moldavia, Shtetet Baltike dhe nga republika të tjera të Bashkimit Sovjetik. Ivan Klimko kujton: «Ishte dimri i vitit 1948. Literaturë biblike s’kishim, por kishim shkruar në copa letre të vogla ato që mbanim mend nga revistat e vjetra dhe i ruanim që të mos na i gjenin përgjegjësit. Mirëpo ata e dinin që ne i kishim këto copa letre, kështu që na prisnin kontrolle të gjata e të imtësishme. Në ditët e ftohta të dimrit, na nxirrnin të gjithëve jashtë dhe na vinin në rreshta me nga pesë veta. Shpesh na numëronin disa herë me radhë. Me sa duket, mendonin se do t’ua jepnim ato copa letre, për të mos ndenjur atje përjashta në të ftohtin e hidhur. Ndërkohë që na numëronin për të disatën herë, ne mblidheshim tok dhe diskutonim ndonjë argument biblik. Mendonim gjithnjë për gjërat frymore. Jehovai na ndihmoi të mbanim integritetin. Ca kohë më vonë, vëllezërit arritën të futnin në kamp edhe një Bibël. E ndamë në disa pjesë, që të mos na e konfiskonin të gjithë Biblën gjatë ndonjë kontrolli.

Disa nga rojat e kuptonin se Dëshmitarët e Jehovait nuk e meritonin të rrinin në kampe burgimi. Këta njerëz dashamirës na ndihmonin si të mundnin. Disa prej tyre thjesht mbyllnin një sy sa herë që ndonjë prej nesh merrte një pako. Zakonisht, në çdo pako ishin fshehur një a dy fletë të Kullës së Rojës. Këto fletë peshonin fare pak, por vlenin më tepër se kilogramë të tëra me ushqime. Fizikisht, Dëshmitarët ishin gjithnjë të privuar në çdo kamp, por frymësisht ishin shumë të pasur.»—Isa. 65:13, 14.

«DO TA NDAJË NË 50 PJESË»

Vëllezërit drejtonin studime biblike çdo javë me ata që tregonin interes për të vërtetën. Disa të burgosur, edhe ata që nuk ishin të interesuar për Biblën, morën vesh se pas orës 19.00, në barakë mbaheshin studime biblike, prandaj përpiqeshin të mos bënin zhurmë. Jov Androniku sjell ndër mend: «S’kishim asnjë dyshim se Jehovai po kujdesej për ne dhe po çonte përpara veprën e tij. Veç kësaj, përpiqeshim të shfaqnim dashuri të krishterë për njëri-tjetrin, duke zbatuar parimet biblike. Për shembull, ndanim me njëri-tjetrin ushqimin që merrnim me pakot që na dërgonin, dhe kjo ishte e pazakontë nëpër kampe.

Në një kamp, Mikola Pjatoha ishte përgjegjës për shpërndarjen e ushqimit mes vëllezërve. Një herë, një oficer i KGB-së tha: ‘Jepi Nikolajit një karamele dhe do ta ndajë në 50 pjesë.’ Të tillë ishim ne Dëshmitarët. Ndanim me njëri-tjetrin çdo gjë që na vinte në kamp, ushqim fizik ose frymor. Kjo na ndihmonte ne dhe ishte një dëshmi e mirë për njerëzit e sinqertë.»—Mat. 28:19, 20; Gjoni 13:34, 35.

SHPËRBLIME PËR SJELLJE TË MIRË

Në një kamp, punonjësit që kishin të bënin drejtpërdrejt me Dëshmitarët e Jehovait morën një shpërblim sa 30 për qind e rrogës. Përse? Viktor Gutshmidi shpjegon: «Për këtë më tregoi njëra që kishte punuar si arkëtare në kamp. Më tha se në kampet ku mbahej një numër i madh Dëshmitarësh, punonjësve u ishte thënë të mos nxeheshin e të mos shanin, si dhe të tregonin gjithnjë takt e të ishin të sjellshëm. Për këtë sjellje të mirë, do t’u shtohej rroga. Kjo bëhej qëllimisht, për t’u treguar njerëzve se Dëshmitarët e Jehovait nuk ishin të vetmit që bënin një jetë shembullore dhe se asgjë nuk i dallonte nga të tjerët. Kështu, punonjësit paguheshin për sjelljen e mirë. Në atë kamp kishte rreth njëqind punonjës: personel mjekësor, punëtorë, llogaritarë e përgjegjës. Asnjëri s’donte të humbte rastin për të fituar më shumë para.

Një ditë, një vëlla që po punonte jashtë kampit, dëgjoi përgjegjësin e brigadës që shante me zë të lartë. Të nesërmen, vëllai e takoi brenda në kamp dhe i tha: ‘Dje, me siguri do të të ketë zemëruar ndonjëri në dhomën e rojave, sepse po shaje me zë kaq të lartë.’ Përgjegjësi pranoi: ‘Jo, thjesht më ishin grumbulluar shumë gjëra përbrenda gjatë ditës. Prandaj, s’durova dot më dhe dola jashtë kampit për të shfryrë dufin.’ Në fakt, për njerëzit ishte një barrë të silleshin njësoj si Dëshmitarët e Jehovait.»

PREDIKIM PAS XHAMAVE

Vëllezërit përfitonin nga çdo mundësi për t’u dëshmuar të tjerëve, dhe disa herë këto përpjekje kishin sukses. Nikolaj Guculjaku kujton: «Shpesh blinim ushqime nga kioska ushqimore e kampit. Sa herë kisha turnin për të blerë ushqime, përpiqesha të thosha disa fjalë për ndonjë argument biblik. Gruaja që më jepte ushqimin, më dëgjonte gjithnjë me vëmendje dhe një herë më kërkoi t’i lexoja diçka. Tri ditë më vonë, një oficer më thirri te porta. Më ngarkoi mua dhe një Dëshmitar tjetër që të montonim xhamat e një dritareje në shtëpinë e komandantit të kampit.

Kështu, unë dhe vëllai shkuam në qytet, të shoqëruar nga ushtarët. Kur arritëm te shtëpia, derën na e hapi gruaja që punonte në kioskën ushqimore. Ishte e shoqja e komandantit të kampit! Një ushtar ndenji brenda dhe dy ndenjën jashtë në rrugë, përbri dritares. Pasi na ofroi çaj, gruaja na kërkoi t’i tregonim më shumë për Biblën. Atë ditë i montuam xhamat e dritares dhe i dhamë dëshmi të plotë. Kur mbaruam bisedën, na tha: ‘Mos kini frikë nga unë. Prindërit e mi ishin njerëz besimtarë, pikërisht si ju.’ Ajo e lexonte fshehurazi literaturën, pa dijeninë e të shoqit, i cili i urrente Dëshmitarët.»

«KTHEHUNI NË PUNË»

Disa zyrtarë i kishin me sy të mirë Dëshmitarët dhe u dilnin krah. Në vitet 70, në Bratsk, të provincës së Irkutskut, byroja e partisë komuniste në kombinatin e drurit mori vendim t’i pushonte nga puna të gjithë punonjësit Dëshmitarë të Jehovait. U thanë vëllezërve: «Meqë s’ju pëlqen qeveria sovjetike, ajo s’do të kujdeset për ju. Meqë pëlqeni Jehovain, le të kujdeset ai për ju.» Vëllezërit e pushuar nga puna, menduan se gjëja më e mirë që mund të bënin, ishte të predikonin hapur, kështu që nisën të shkonin shtëpi më shtëpi. Një ditë, në një derë u doli një grua. Vëllezërit u prezantuan dhe i shpjeguan shkurtimisht qëllimin e vizitës. Që nga kuzhina, u dëgjua zëri i një burri: «Me kë po flet? Le të hyjnë brenda.» Kur hynë në shtëpi, burri i pyeti: «Pse s’jeni në punë? Sot është ditë pune.» Vëllezërit i shpjeguan se si kishin mbetur pa punë.

Më pas vëllezërit morën vesh se ai ishte prokuror dhe kishte ardhur në shtëpi për drekë. I inatosur, bëri një telefonatë në zyrat e kombinatit dhe pyeti a ishte e vërtetë që byroja i kishte pushuar nga puna të gjithë Dëshmitarët e Jehovait. Pasi mori përgjigje pohuese, prokurori vazhdoi: «Mbi ç’baza i pushuat? A e kuptoni se keni shkelur ligjin? S’keni të drejtë ta bëni këtë! Ju urdhëroj t’i merrni prapë në punë të gjithë Dëshmitarët dhe t’u kompensoni rrogën e tre muajve që s’kanë punuar për fajin tuaj.» Prokurori mbylli telefonin dhe u kthye nga vëllezërit: «Nesër kthehuni në punë dhe vazhdoni atje.»

«KAM QË NË 1947-N QË FSHEH LITERATURË»

Aty nga vitet 70, vëllezërit ishin bërë mjeshtra për prodhimin, shpërndarjen dhe fshehjen e literaturës. Por nganjëherë lindnin situata në të cilat duhej të sajoje diçka aty për aty. Grigori Sivulski kujton: «Një herë, në vitin 1976, na kontrolluan shtëpinë. Një natë më parë, nga pakujdesia i kisha vënë disa raporte dhe adresa të vëllezërve poshtë komosë. Agjentët e KGB-së dukeshin shumë të sigurt gjatë kontrollit, sikur ta dinin me saktësi se ku dhe çfarë të kërkonin. Njëri prej tyre më tha: ‘Më sill pincat dhe një kaçavidë se do të çmontojmë divanin.’ U luta dhe iu përgjigja pa m’u dridhur zëri:

—Po të na kishit zënë në befasi, siç kontrolluat shtëpitë e Dëshmitarëve të tjerë, do të kishit gjetur ndonjë gjë. Por sot është vonë. S’keni për të gjetur gjë.

—E ç’do të gjenim?—më pyeti agjenti.

—Revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Po sot s’keni për të gjetur gjë.

—Pas kontrollit, do t’ju duhet ta montoni prapë divanin, që të jetë siç ishte më përpara,—u thashë teksa u zgjatja veglat e punës.

Për një minutë, ndenjën aty të pavendosur. E dallova këtë, prandaj iu ktheva njërit prej tyre, që ishte i ri në moshë, dhe i thashë: ‘Ma merr mendja se s’ke as tre vjet që kontrollon për literaturën e Dëshmitarëve të Jehovait. Kurse unë kam që në 1947-n që fsheh literaturë. Mos e harxhoni kohën kot këtu, sepse është në vend të sigurt.’

Për habinë time, ikën. Raportet dhe adresat e vëllezërve ishin në një vend kaq të hapur, sa kushdo mund t’i kishte gjetur me lehtësi.»

PERESTROJKA, KOHË NDRYSHIMESH

Perestrojka (ristrukturimi) e njoftuar në vitin 1985, nuk i solli menjëherë rezultatet e shpresuara. Në disa krahina, Dëshmitarët ende i arrestonin dhe i burgosnin si më parë. Por më 1988, zyra e degës e Gjermanisë i shkroi selisë botërore: «Në fillim të vitit të shërbimit, autoritetet dhanë shenja se ishin të gatshëm t’u jepnin pak më shumë liri [vëllezërve në BRSS] për sa u përket mbledhjeve dhe ndoshta literaturës, po të regjistroheshin si kongregacione. Në shumicën e vendeve arritën ta mbanin Përkujtimin pa asnjë problem. Vëllezërit mendojnë se qëndrimi i autoriteteve ndaj tyre ka ndryshuar kryekëput.»

Me kalimin e kohës, vëllezërit e emëruar i dhanë degës së Gjermanisë adresat e vëllezërve që ishin të gatshëm të merrnin me postë pako me literaturë. Pastaj do t’ua jepnin literaturën pleqve, të cilët do të siguroheshin që të përfitonin të gjithë. Në shkurt të vitit 1990, po përdoreshin rreth 1.600 adresa të tilla për të dërguar ushqimin frymor me rrugë private një herë në muaj.

Në 1989-n, disa mijëra Dëshmitarë nga Bashkimi Sovjetik patën mundësi të ndiqnin kongresin special në Poloni. Jevdokia, një Dëshmitare nga qyteti Naberezhnje-Çelni, kujton: «Iu lutëm me zjarr Jehovait që të kishim mundësi të ndiqnim kongresin e parë për ne. Drejtori i ndërmarrjes ku punoja mori vesh se doja të dilja jashtë shtetit dhe më tha: ‘Si? Nuk sheh televizor ti? Kufijtë janë mbyllur, nuk po lënë asnjë të kalojë!’

Pa pikë dyshimi, iu përgjigja: ‘Kufijtë do të hapen prapë.’ E kështu ndodhi. Në doganën e Brestit linin të kalonin vetëm Dëshmitarët e Jehovait. Madje nuk na kontrollonin fare dhe të gjithë silleshin mirë me ne. Njëri që s’ishte Dëshmitar, provoi të kalonte duke u hequr si delegat i kongresit. Por nëpunësit e doganës e zbuluan menjëherë dhe e mbajtën atje. Si e zbuluan? Delegatët e kongresit kishin të gjithë fytyra të qeshura dhe mbanin në duar vetëm çanta të vogla.»

PRITJE E PËRZEMËRT NË MOSKË

Kishin kaluar 40 vjet që kur Dëshmitarët e Jehovait kishin bërë kërkesë në Moskë për të regjistruar veprimtaritë e tyre, në vitin 1949. Në atë kohë, vëllezërit nuk mund t’i plotësonin kërkesat e qeverisë së Stalinit, sepse s’ua lejonte ndërgjegjja. Por më 26 shkurt 1990, drejtori i Komitetit për Çështjet Fetare në Moskë priti një delegacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Në takim ishin të pranishëm edhe dy zëvendësdrejtorë dhe tre anëtarë të tjerë të këtij komiteti. Delegacioni i Dëshmitarëve të Jehovait përbëhej nga 15 veta: 11 vëllezër nga Rusia e nga republikat e tjera të Bashkimit Sovjetik, Milton Hensheli dhe Teodor Xharazi nga Bruklini, si dhe Vili Poli dhe Nikita Karlstrëmi nga dega e Gjermanisë.

Takimin e hapi drejtori, me këto fjalë: «Jemi shumë të lumtur që po takohemi me Dëshmitarët e Jehovait. Kisha dëgjuar mjaft për ju, por është hera e parë që ju takoj. Jemi të gatshëm për bisedime në frymën e glasnostit (transparencës).» Vëllezërit shprehën dëshirën që të aplikonin për regjistrimin e veprimtarive të Dëshmitarëve të Jehovait në Bashkimin Sovjetik. Drejtori vazhdoi: «Është një kënaqësi për ne ta dëgjojmë këtë dhe është pikërisht koha e duhur. Së shpejti vjen pranvera, një stinë mbjelljesh. Prandaj mund të presim rezultate të mira dhe prodhime të mira.»

Kur drejtori u kërkoi vëllezërve të prezantoheshin, u bë e qartë se Dëshmitarët e Jehovait i gjeje në çdo cep të vendit, që nga Kaliningradi e deri në skajin më lindor të Rusisë. Një mbikëqyrës qarkor tha: «Unë përfaqësoj katër kongregacione në provincën e Irkutskut. Por kujdesem edhe për skajin lindor të Rusisë, për territoret e Habarovskut dhe të Krasnojarskut, si dhe për provincat Novosibirsk dhe Omsk.» Drejtori ia ktheu: «Paske një territor tejet të madh, që ua kalon territorit të shumë kombeve!»

Njëri nga zëvendësdrejtorët tha: «Duhet t’i njohim më mirë bindjet tuaja, sepse disa prej tyre nuk i kuptojmë. Për shembull, në një nga librat tuaj thuhet se Perëndia do ta pastrojë tokën dhe do të heqë të gjitha qeveritë e sotme. Këtë s’e kuptojmë.» Vëlla Poli u përgjigj: «Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë në akte dhune. Nëse një libër e thotë këtë që përmendët ju, i referohet profecive biblike specifike. Dëshmitarët e Jehovait predikojnë për Mbretërinë e Perëndisë dhe për jetën e përhershme në një tokë parajsore.»

—Mirë, kjo s’ka asgjë të keqe,—tha zëvendësdrejtori.

Në fund të bisedimeve, drejtori tha: «Jemi shumë të kënaqur që ju kemi takuar. Duhet të regjistroheni sa më shpejt që të jetë e mundur.»

Në mars të vitit 1991, Dëshmitarët e Jehovait u njohën ligjërisht në Rusi. Në atë kohë, Rusia kishte mbi 150 milionë banorë dhe raportonte 15.987 lajmëtarë të Mbretërisë. Kishte ardhur koha që vëllezërit dhe motrat atje të merrnin udhëzime të mëtejshme nga Jehovai.—Mat. 24:45; 28:19, 20.

«OH, Ç’LUMTURI E LIRI!»

Meqë Finlanda ndodhet pranë Rusisë, Trupi Udhëheqës i kërkoi degës atje që të ndihmonte për organizimin e kongresit ndërkombëtar në Shën-Pjetërburg, në datat 26-28 qershor 1992. Si ndiheshin vëllezërit që po shijonin një kongres në liri, pasi kishin jetuar në ndalim për më shumë se pesëdhjetë vjet? Një vëlla kujton: «Ishim me mijëra në stadium. Lotët na rridhnin pa pushim. Oh, ç’lumturi e liri! As e kishim ëndërruar ndonjëherë se do të shijonim këtë liri në këtë sistem. Por falë Jehovait, kjo ndodhi. Na u kujtua se si, një herë, pesë prej nesh gjendeshin në qeli izolimi në një kamp të rrethuar me gardh të lartë, dhe me radhë katër mundoheshin të mbanin ngrohtë të pestin. Edhe stadiumi ishte rrethuar me mur të lartë, por atje donim të rrinim sa më gjatë. Ndjenjat tona nuk përshkruheshin dot me fjalë.

Gjatë gjithë kongresit i kishim sytë të përlotur. Qanim nga gëzimi që po shihnim këtë mrekulli. Edhe pse i kishim kaluar të 70-at, lëviznim rreth e qark stadiumit sikur të ishim me krahë. Kishim 50 vjet që e prisnim këtë liri. Në fillim, Jehovai lejoi të na internonin në Siberi, pastaj përfunduam në burgje e në kampe. Po ja ku ishim tani në stadium! Jehovai është më i fuqishëm se kushdo. Shihnim njëri-tjetrin dhe qanim me dënesë. Askush nga ne s’e besonte se kjo po ndodhte vërtet. Disa vëllezër të rinj në moshë na rrethuan dhe na pyetën: ‘Mirë jeni? Ju ka ndodhur diçka?’ Por nuk u përgjigjeshim dot nga ngashërimi. Në fund, mes lotësh, njëri nga ne tha: ‘Po qajmë nga gëzimi!’ U treguam se si i kishim shërbyer Jehovait për shumë vjet gjatë ndalimit. Tani nuk arrinim ta besonim që Jehovai i kishte ndryshuar gjërat sa hap e mbyll sytë.»

Pas atij kongresi të paharrueshëm, iu kërkua degës së Finlandës të dërgonte në Rusi 15 pionierë specialë. Më 1 korrik 1992, Hanu dhe Eija Tanineni, një çift i zellshëm nga Finlanda, mbërritën në caktimin e tyre në Shën-Pjetërburg. Në fillim, sfida më e madhe ishte të mësonin gjuhën. Pas ditës së parë të kursit, dolën në shërbim dhe u ofruan njerëzve studime biblike. Hanuja sjell ndër mend: «Në fillim të viteve 90, pothuajse i gjithë qyteti donte të studionte Biblën. Njerëzit që takonim në veprën rrugore, na i jepnin pa problem adresat. Të gjithë donin literaturë. Po t’i jepje një revistë ose një fletushkë dikujt në rrugë, dhjetë të tjerë vinin të të kërkonin literaturë. Jo vetëm që e merrnin literaturën, por shpesh nisnin ta lexonin menjëherë aty në rrugë ose në metro.»

Që nga tetori i 1992-shit, edhe nga Polonia erdhën shumë pionierë specialë. Në grupin e parë kishte edhe disa motra beqare. Shpejt, mbërriti një grup i dytë nga Polonia dhe u dërgua në Shën-Pjetërburg. Pas një viti, një grup pionierësh polakë u dërguan në Moskë. Në vitet e mëvonshme, më shumë se 170 vullnetarë nga Polonia, kryesisht të diplomuar të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim (SHSSH), u caktuan në Rusi.

NJË DERË E GJERË QË ÇON NË AKTIVITET

Pas kongresit ndërkombëtar në Shën-Pjetërburg, Trupi Udhëheqës u dha leje vëllezërve të blinin një truall të përshtatshëm (7 hektarë) me disa ndërtesa të vjetra, në fshatin Solneknoje, pranë atij qyteti. Kishte ardhur koha të ndërtohej Betheli i Rusisë. Për projektin e ndërtimit iu kërkua ndihmë degës së Finlandës. Në shtator të vitit 1992, në Solneknoje mbërriti grupi i parë i vullnetarëve finlandezë. Aulis Bergdali, një nga këta vëllezër, i cili më vonë u bë anëtar i Komitetit të Degës, kujton: «Unë dhe ime shoqe, Eva-Liza, e pranuam me gëzim ftesën për të ndihmuar në ndërtimin e Bethelit të Rusisë. Ishte e dukshme se punën po e drejtonte Jehovai. Projektin e mbështetën vëllezër nga e gjithë bota.»

Alf Sederlëfi, mbikëqyrësi i ndërtimit që ishte nga Finlanda, bashkë me të shoqen, Marja-Lenën, ishin burim frymëzimi për të gjithë vëllezërit në kantierin e ndërtimit. Edhe anëtarët e Komitetit të Degës së Finlandës ishin shumë inkurajues. Gjatë ndërtimit, në Solneknoje erdhën për vizitë vëllezër nga selia botërore e Bruklinit. Aulisi kujton: «Në vitin 1993, na erdhi për vizitë Milton Hensheli pas kongresit ndërkombëtar në Moskë. Na inkurajoi shumë, si me fjalimet që mbajti për vullnetarët në kantier, ashtu edhe me bisedat që bënte personalisht me ta.»

Për ndërtimin e Bethelit punuan rreth 700 vullnetarë nga Skandinavia, Evropa, Amerika, Australia, Rusia dhe ish-republikat e tjera sovjetike. Kishin formime, kultura dhe metoda pune të ndryshme. Por puna u bë më së miri, siç thotë Zakaria 4:6: «‘Jo me ndonjë forcë ushtarake, as me fuqi, por me frymën time’,—thotë Jehovai i ushtrive.» Këtë ‘shtëpi’ vërtet po e ndërtonte Jehovai. (Psal. 127:1) Vëllezërit rusë dolën vullnetarë për veprën e Mbretërisë. Shumica ishin të rinj në moshë dhe në të vërtetën, por tashmë kishin nisur shërbimin si pionierë. Ishin të etur të mësonin si të ndërtonin shpejt e me cilësi dhe si ta organizonin veprën sipas rregullit teokratik.

ORGANIZIMI I VEPRËS

Aty nga fundi i vitit 1993, në Solneknoje erdhën anëtarët e Komitetit të Vendit. Ishin ftuar: Ivan Pashkovski, Dimitri Livëji, Vasili Kalini, Aleksej Verzhbicki, Anatoli Pribitkovi dhe Dimitri Fedunishini. Rreth një vit më vonë erdhi edhe Mihail Savicki. Trupi Udhëheqës caktoi Horst Henshelin nga dega e Gjermanisë që t’i ndihmonte vëllezërit të organizonin veprën.

Ndër gjërat e para që duheshin organizuar, ishte vepra udhëtuese. Në fillim, vendi kishte pesë qarqe: dy në Shën-Pjetërburg dhe tre në Moskë e në rrethinat e saj. Pesë mbikëqyrësit e parë qarkorë në kohë të plotë ishin: Artur Baueri, Pavel Bugajski dhe Roi Ysteri në Moskë, si dhe Kshishtov Poplavski dhe Hanu Tanineni në Shën-Pjetërburg. Më vonë, u caktua si mbikëqyrës qarkor edhe Roman Skiba. Ndërsa Methju Kelli, që vinte nga Shtetet e Bashkuara dhe ishte diplomuar në SHSSH në vitin 1992, u caktua mbikëqyrës qarkor në kohë të pjesshme.

Hanu Tanineni kujton si bëheshin vizitat e para të qarkut, në fillim të viteve 90: «Dërgova një letër për vizitën që do të bëja në një kongregacion në Petrozavodsk, republika e Karelisë. Në të kisha dhënë udhëzime se si do të mbaheshin mbledhjet gjatë asaj jave. Kur mbërritëm për vizitën unë dhe ime shoqe, një plak na priti te stacioni i trenit dhe na çoi në shtëpinë e tij. Më tregoi letrën dhe më tha: ‘Morëm këtë letër prej teje, por meqë nuk e kuptonim çfarë donte të thoshte, vendosëm të mos bënim asgjë e të prisnim të vije që të na e shpjegoje.’

Kur bëra vizitën e parë qarkore në Murmansk, kishte 385 lajmëtarë që drejtonin mbi 1.000 studime biblike. Por faktikisht numri i atyre që studionin Biblën ishte edhe më i madh, sepse shumë studime drejtoheshin me grupe njerëzish të interesuar. Për shembull, një pioniere kishte 13 studime biblike, por faktikisht me të po studionin mbi 50 veta!

Caktimin e dytë e patëm në provincat Vollgograd dhe Rostov. Në Vollgograd kishte vetëm katër kongregacione për më shumë se një milion banorë. Vëllezërit mezi pritnin të mësonin se si të drejtonin mbledhjet dhe studimet biblike e si të predikonin shtëpi më shtëpi. Gjatë çdo vizite na duhej të formonim kongregacione të reja. Për raportin e mbikëqyrësit qarkor numëronim sa veta ishin pagëzuar që nga viti i kaluar. Në çdo kongregacion, mes dy vizitave, ishin pagëzuar 50, 60 ose 80 veta, kurse në njërin ishin pagëzuar më shumë se 100! Si rezultat, brenda tre vjetësh në qytet u formuan 16 kongregacione të reja.»

Në janar të vitit 1996, në Rusi u emërua Komiteti i Degës. Njëkohësisht u emëruan katër mbikëqyrësit e parë krahinorë në kohë të plotë: Roman Skiba (në Siberi e në skajin më lindor të Rusisë), Roi Ysteri (në Bjellorusi, Moskë e Shën-Pjetërburg dhe deri në malet Urale), Hanu Tanineni (në Kaukazi e deri në lumin Vollgë) dhe Artur Baueri (në Kazakistan e në Azinë Qendrore). Asokohe të gjithë mbikëqyrësit krahinorë kishin edhe një qark të vogël ku shërbenin, përveç krahinës së tyre.

PËRSHKOJNË LARGËSI TË MËDHA

Roman Skiba ishte një nga pionierët e parë specialë që erdhën nga Polonia në Rusi në fillim të vitit 1993. Ai kujton: «Në tetor të vitit 1993 mora caktimin si mbikëqyrës qarkor. Në qarkun e parë kisha kongregacionet në jug të Shën-Pjetërburgut, në provincën Pskov dhe gjithë Bjellorusinë. Gjithsesi, ky nuk ishte qarku më i madh në Rusi. Shpejt m’u desh të mësohesha të përshkoja largësi të mëdha. Në nëntor të vitit 1995, më caktuan në një qark në malet Urale si dhe zëvendësmbikëqyrës krahinor. Territori ku shërbeja përfshinte malet Urale, gjithë Siberinë e shkonte deri në skajin më lindor të Rusisë. Një vëlla llogariti se kjo krahinë mund të merrte 38 shtete sa Polonia! Duhej të kaloja tetë zona orare! Rreth dy vjet më vonë, dega më kërkoi të vizitoja një grup në Ulan-Bator, kryeqyteti i Mongolisë.»

Vëlla Skiba vazhdon: «Një herë, që të shkoja nga Norilsku, në veri të Rrethit Polar, deri në Ekaterinburg, m’u desh të merrja dy avionë: të parin nga Norilsku në Novosibirsk dhe të dytin deri në Ekaterinburg. Ky udhëtim ishte i paharrueshëm, sepse na dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë. Avioni nga Norilsku u ngrit 12 orë me vonesë, prandaj unë dhe ime shoqe, Ludmila, kaluam një ditë të tërë në aeroport. Shyqyr që mësuam të bënim studimin personal gjatë udhëtimeve!

Nganjëherë, edhe pse përpiqeshim shumë, mbërrinim me vonesë në kongregacionin që duhej të vizitonim. Një herë, për të shkuar në kongregacionin në fshatin malor Ust-Kan, në Altai, na u desh të udhëtonim me makinë nëpër rrugë malore të pashtruara. Mirëpo, makina na u prish në mes të rrugës dhe jo vetëm që u vonuam goxha për kontrollin e kartelave të kongregacionit, por ishim edhe dy orë me vonesë për mbledhjen. U mërzitëm dhe menduam se të gjithë do të kishin ikur. Por sa u habitëm kur gjetëm 175 veta që na prisnin në sallën që kishin marrë me qira, edhe pse kongregacioni kishte më pak se 40 lajmëtarë! Duket se, ndërkohë që ne u vonuam, arritën të vinin në mbledhje edhe shumë të interesuar nga fshatrat e tjerë.» *

KONGRESE TË PAHARRUESHME

Për herë të parë do të mbaheshin kongrese krahinore në disa qytete të mëdha ku vëllezërit nuk kishin përvojë për përgatitjen e tyre. Në vitin 1996, në Ekaterinburg, vëllezërit zgjodhën një stadium që mund të përdorej për kongresin krahinor. Roman Skiba kujton: «Shkallët ishin mbuluar me bar dhe brenda stadiumit kishin mbirë mështekna që ishin bërë dy metra të larta. Për tri javë fillonte kongresi, por në qytet e në rrethinat e tij kishte vetëm tre kongregacione. U kënaqëm që drejtori i stadiumit donte të bashkëpunonte me ne, edhe pse nuk e kuptonte si mund të mbahej kongresi në atë stadium. Vëllezërit nisën punën dhe, në datën e caktuar, stadiumi shndriste nga pastërtia. Drejtori nuk u besonte dot syve.» Në shenjë mirënjohjeje, ai i lejoi vëllezërit të mbanin Shkollën e Shërbimit për Pionierë në një nga godinat e stadiumit. Një vëlla kujton: «Pas kongresit, në stadium nisën të mbaheshin përsëri ngjarje sportive, që ishin burim të ardhurash për qytetin.»

Nganjëherë duhej elasticitet dhe qëndrueshmëri për të mbajtur asamble dhe kongrese. Më 1999, në Vladikavkaz vëllezërit nuk arritën të merrnin me qira një stadium për asamblenë qarkore, ku ishte planifikuar të merrnin pjesë 5.000 veta. Kështu, menjëherë nisën të bënin plane për një program asambleje të alternuar. Në Vladikavkaz u mbajt pesë herë radhazi një program i shkurtuar njëditor, në një kinema të marrë me qira. Pas kësaj, gjatë fundjavës, programi i plotë dyditor i asamblesë qarkore u mbajt në dy vende rreth 2 kilometra larg njëri-tjetrit, në qytetin Nalçik. Në njërën sallë asambleja filloi dy orë më vonë se tjetra, kështu që oratorët kishin kohë të udhëtonin nga asambleja e parë tek e dyta. Disa mbikëqyrësve qarkorë u dukej se do t’u ngjirej zëri para se të mbaronte asambleja. Më vonë, një vëlla llogariti se atë javë kishte mbajtur 35 fjalime! Gjithçka shkoi mirë deri të shtunën nga dreka kur në njërën sallë u ndërpre programi. Brenda hynë njerëz me uniforma e me një qen dhe u thanë të gjithëve të evakuonin menjëherë ndërtesën për arsye teknike. Vëllezërit dhe motrat ruajtën qetësinë si zakonisht dhe dolën nga salla, hëngrën drekë dhe ndenjën bashkë. Siç doli më vonë, një fanatik fetar u kishte telefonuar autoriteteve, duke u thënë se në atë ndërtesë kishte një bombë. Salla u kontrollua, por nuk u gjet gjë, kështu që autoritetet i lejuan vëllezërit të vazhdonin asamblenë. Pas disa ndryshimeve të vogla në program, asambleja u mbyll me sukses dhe të gjithë përfituan nga programi.

SHKËMBINJ, MBUROJA DHE SHPATA

Farërat e së vërtetës u shpërndanë shpejt në të gjithë vendin. Eija Tanineni kujton: «Në vitin 1998, po bëheshim gati për udhëtimin nga njëri kongres krahinor në tjetrin, që zgjaste 15 orë. Vëllezërit na pyetën nëse mund të merrnim me vete një sasi të madhe sendesh për dramën e kongresit. Kjo ishte paksa e rrezikshme, sepse e dinim që kontrollorëve të trenit zakonisht nuk u pëlqenin njerëzit me shumë bagazhe. Por morëm guxim dhe, me ndihmën e vëllezërve, futëm në kabinën tonë të vagonit shkëmbinj, mburoja, shpata dhe çanta plot me kostume. U ulëm atje mes plaçkave, bashkë me dy pasagjerët e tjerë të kabinës katërvendëshe.

Kur erdhi kontrollorja e biletave, na pyeti pse kishim kaq shumë bagazhe. I shpjeguam se ishin sende që do të përdoreshin për një dramë në një kongres krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait. U tregua shumë e mirë dhe na tha se pak kohë më parë kishte ndjekur një fjalim publik të tim shoqi, kur po vizitonim një kongregacion në qytetin e saj. Ndiem dorën e Jehovait që po na ndihmonte.»

VËZHGUESET E STUDIMIT

Motrat mësonin shumë nga njëra-tjetra. Eija kujton: «Kushedi se sa durim e përulësi u është dashur motrave tona kur nisëm shërbimin në Rusi, sepse unë nuk e flitja mirë gjuhën. U preka veçanërisht kur pashë gatishmërinë e tyre për të mësuar si të drejtonin studime biblike. Shumë prej tyre ishin të reja në të vërtetën dhe disa kishin shërbyer gjatë ndalimit, kur nuk arrinin të merrnin gjithmonë udhëzime nga organizata e Jehovait.

Nga 1995-a deri në 1996-n shërbyem në qytetin Vollzhski. Shpesh, kur një motër më ftonte të shkonim në një studim biblik, disa të tjera pyetnin në mund të vinin edhe ato. Fillimisht nuk e kuptova pse, por pastaj më shpjeguan se donin të mësonin si drejtohej një studim biblik. U thashë se s’do të kishte problem të vinin, nëse studentja s’ishte kundër dhe nuk druhej para tyre. Zakonisht vinin 6 deri në 10 motra, duke menduar se kjo nuk do ta bezdiste studenten, dhe kishin të drejtë. Pas disa muajsh, pashë shumë studente që nisën studime biblike me të interesuara të tjera. Atëherë në Vollzhski kishte dy kongregacione. Dhjetë vjet më vonë, ishin formuar 11 të tjera.»

LUTJET E SAJ U DËGJUAN

Ishte e qartë se arsimimi teokratik po ndihmonte jashtë mase jo vetëm vëllezërit dhe motrat që sapo kishin hyrë në të vërtetën, por edhe ata që i kishin shërbyer për shumë vjet Jehovait gjatë ndalimit. Hanu Tanineni kujton: «Në situata të ndryshme kemi ndier drejtimin e engjëjve dhe kemi parë ngjarje që na kanë lënë mbresa të thella. Më 1994, mbërritëm në një kongregacion të ri në Novgorod, që tani quhet edhe Veliki-Novgorod, dhe vëllezërit na çuan në apartamentin ku do të rrinim atë javë. Atje po na priste Maria, një motër e moshuar që kishte bërë rreth 50 kilometra rrugë posaçërisht për këtë rast. Kishte 50 vjet në të vërtetën dhe donte të takonte një nga mbikëqyrësit e parë qarkorë që po shërbente pas ndalimit. E pyetëm si e kishte mësuar të vërtetën. Na tha se kur ishte 17 vjeçe, kishte përfunduar në një kamp përqendrimi në Gjermani, ku kishte takuar Dëshmitarët e Jehovait. Kishte pranuar të vërtetën dhe ishte pagëzuar në kamp, nga një motër e mirosur. Pas lirimit, Maria ishte kthyer në Rusi për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë. Më vonë e kishin arrestuar dhe burgosur për veprimtari fetare. Kishte kaluar shumë vjet në kampet e punës.

Në fund të tregimit, u prekëm kur dëgjuam këtë motër të përulur që na tha se javët e fundit i ishte lutur Jehovait t’i tregonte nëse kishte diçka të gabuar në adhurimin që po i bënte. Atë mbrëmje, i tregova se kohë më parë, në rubrikën «Pyetje nga lexuesit», në Kullën e Rojës, ishte trajtuar një argument i veçantë. Aty thuhej se pagëzimi duhej të bëhej nga një vëlla i krishterë, që të ishte i vlefshëm. Maria ishte shumë mirënjohëse. Mendoi se kishte marrë përgjigje për lutjet e saj. Prandaj me kënaqësi u pagëzua në vaskën e banjës. Kishin kaluar 50 vjet që kur ishte kushtuar në vitin 1944.»

SHPËRNDAHET USHQIM FRYMOR NË 11 ZONA ORARE

Që në fillim të vitit 1991, literatura dërgohej në Rusi me postë në pako të vogla, nga Gjermania ose Finlanda. Në korrik të 1993-shit, në Solneknoje mbërriti kamioni i parë nga Gjermania, me 20 tonë literaturë. Pastaj, kamionët nga dega e Rusisë nisën udhëtimet për të çuar literaturën në Moskë, Bjellorusi dhe Kazakistan. Por kishte disa vështirësi. Për shembull, për ta çuar literaturën në Kazakistan, vëllezërit duhej të bënin 5.000 kilometra rrugë vetëm vajtje. I vononin në kufi dhe, gjatë dimrit, kamionët ngecnin në dëborë.

Aktualisht në Solneknoje vijnë rreth 200 tonë literaturë në muaj. Shoferët e Bethelit përdorin çdo mundësi për t’u dhënë dëshmi rojave kufitare ose nëpunësve të doganës. Disave prej tyre u pëlqen të lexojnë literaturën biblike. Gjatë një inspektimi, një polic nisi të kritikonte me zë të lartë fenë në përgjithësi, kur pa se kamioni i Bethelit i përkiste një organizate fetare. Tregoi se si e kishte mallkuar një prift, të cilin e kishte ndaluar për shkelje të rëndë të rregullave të qarkullimit rrugor. Vëllezërit i shpjeguan se si i trajton Perëndia njerëzit dhe ç’qëllim ka ai për tokën e për njerëzimin. Polici e ndryshoi tonin e zërit dhe u bë më miqësor. Madje nisi të bënte pyetje, kështu që vëllezërit nxorën Biblën dhe bënë një bisedë ndërtuese. Kaq shumë e preku kjo policin, saqë tha: «Do t’i gjej Dëshmitarët, që të vazhdoj këtë bisedë.»

Nga viti 1995 deri më 2001, dega e Japonisë u kujdes për dërgimin e literaturës te kongregacionet në Vladivostok, që ndodhet në skajin më lindor të Rusisë. Që atje, vëllezërit ua dërgonin literaturën me rrugë detare kongregacioneve në Kamçatkë. Vëllezërit në Vladivostok u njohën me kapitenët e disa anijeve që shkonin në Kamçatkë. Njëri pranoi ta transportonte falas literaturën tonë duke e vënë në kabinën e tij, e madje ndihmoi për ngarkimin e saj në anije. «Edhe pse nuk jam besimtar,—u shpjegoi ai vëllezërve,—dua të bëj një vepër të mirë. Ju më pëlqeni si njerëz dhe më pëlqen mënyra si jeni organizuar. Kur mbërrij në pikën ku duhet dorëzuar literatura, nuk më duhet të pres gjatë para se ta shkarkojnë. Njerëzit tuaj janë si zogjtë, turren mbi kutitë e literaturës dhe i heqin menjëherë që andej.»

RRITJA PËRSHPEJTON NJË NEVOJË

Për shumë vjet, Kulla e Rojës për Rusinë ishte një botim mujor me 16 faqe, i shtypur në letër me format pak më të madh se ai që përdoret tani. Të gjithë artikujt e studimit përktheheshin në rusisht dhe u jepeshin vëllezërve në Bashkimin Sovjetik, por dilnin shumë më vonë se ata në anglisht. Artikujt e studimit ishin gjashtë muaj deri në dy vjet me vonesë, kurse artikujt dytësorë edhe më tepër. Që nga viti 1981, Kulla e Rojës në rusisht nisi të dilte si botim mujor me 24 faqe dhe që nga viti 1985, si botim gjysmëmujor. Revista e parë me ngjyra e me 32 faqe që u shtyp njëkohësisht me botimin anglisht, ishte numri i 1 qershorit 1990.

Tanja, një nga motrat përkthyese, kujton: «Kur e mendojmë tani, një pjesë e mirë e botimeve që përktheheshin dhe shtypeshin në atë kohë, nuk i plotësonin kërkesat e një përkthimi të natyrshëm dhe të lehtë për t’u kuptuar. Por ishte më e mira që mund të bënim në ato rrethana. Gjithashtu, ishte ushqimi për të cilin kishin nevojë njerëzit e uritur frymësisht.»

Kur u hap vepra në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, literatura jonë mund të shpërndahej kudo. Përkthyesit rusë që punonin në Gjermani, mezi pritnin t’u vinte ndihmë. Përmirësimi i cilësisë së përkthimit erdhi si pasojë e dy zhvillimeve të reja. Së pari, disa vëllezërve e motrave nga Rusia e Ukraina iu dha mundësia të shkonin në degën e Gjermanisë që të stërviteshin si përkthyes dhe kjo u solli shumë gëzim. Pesë prej tyre shkuan atje më 27 shtator 1991, kurse disa të tjerë shkuan më pas. Kështu, skuadra ruse e përkthimit nisi të ristrukturohej. Kjo kishte vështirësitë e veta. Për ta ‘druri dhe gurët’ nuk u kthyen menjëherë në «ar», por i kaluan të gjitha fazat e përmendura tek Isaia 60:17.

Së dyti, përkthyesit rusë nisën të nxirrnin dobi nga puna e Repartit për Mbështetjen e Përkthimit, që sapo ishte formuar. Rreth kohës kur erdhën në Zeltërs të Gjermanisë pesë vëllezërit e motrat nga Rusia, në degën e Gjermanisë u mbajt një seminar për përkthyesit.

E mira e të mirave është që përkthimi të bëhet në vendin ku flitet gjuha në të cilën përkthehet. Kështu, ishte entuziazmuese kur skuadra ruse e përkthimit u largua nga dega e Gjermanisë në janar të vitit 1994 dhe shkoi në Bethelin në Solneknoje, që atëherë ishte në ndërtim e sipër.

Natyrisht, e kishin shumë të vështirë të ndaheshin nga ata që për dhjetëra vjet kishin përkthyer pa bujë për vëllezërit e tyre pas Perdes së Hekurt, por që rrethanat nuk i lejonin të ktheheshin me përkthyesit e tjerë rusë. Grupi me 17 vëllezër e motra, si dhe 2 vëllezër të tjerë që do të shërbenin si pionierë specialë, u largua nga Zeltërsi mes shumë lotësh e përqafimesh, të dielën, më 23 janar 1994.

«JAM UNË PERËNDI PËR PACIENTIN!»

Në Rusi, për dhjetëra vjet, mjekët dhe personeli mjekësor e bazonin opinionin e tyre për bindjet fetare të pacientëve tek arsimimi ateist dhe te përdorimi i gjerë i gjakut në mjekësinë sovjetike. Prandaj, sa herë që Dëshmitarët u kërkonin trajtim mjekësor pa gjak, mjekët ishin në mëdyshje ose silleshin ashpër.

Madje, shpesh thoshin: «Këtu jam unë perëndi për pacientin!» Po të mos ishte dakord me mjekun, pacientin e nxirrnin menjëherë nga spitali. Për më tepër, pikëpamja biblike e Dëshmitarëve për transfuzionet e gjakut, shpesh përdorej nga kundërshtarët në orvatjet për të ndaluar veprimtaritë tona në Rusi.

Në vitin 1995, në degën e Rusisë nisi punën Reparti i Informacionit Spitalor që kishte si synim t’u jepte mjekëve dhe personelit mjekësor informacione të sakta rreth qëndrimit të Dëshmitarëve të Jehovait. U mbajtën disa seminare, në të cilat pleq nga më shumë se 60 Komitete të Lidhjes me Spitalet mësuan si t’u jepnin informacionet e nevojshme mjekëve dhe personelit mjekësor, si dhe të gjenin mjekë që ishin dakord t’i operonin pa gjak pacientët Dëshmitarë.

Në vitin 1998, në Moskë, mjekët rusë dhe kolegët e tyre të huaj mbajtën një konferencë ndërkombëtare që ishte e para e atij lloji në Rusi. Tema e konferencës ishte: «Alternativat e transfuzionit në ndërhyrjet kirurgjike.» Ishin të pranishëm më shumë se 500 mjekë nga rajone të ndryshme të Rusisë. Ndërmjet viteve 1998 dhe 2002, mjekët rusë fituan aq përvojë sa të mbanin me dhjetëra konferenca të tilla në qytetet kryesore të Rusisë. Këto konferenca dhanë rezultate të shkëlqyera.

Dr. A. I. Vorobjovi, ish-ministër i Shëndetësisë dhe kryehematolog i Federatës Ruse, u dërgoi një letër zyrtare avokatëve që mbronin të drejtat e pacientëve Dëshmitarë. Në të komentonte se «shkalla e vdekjeve te nënat që lindin në vendin tonë është ulur me 34 për qind» si rezultat i rishqyrtimit të qëndrimit të mjekëve ndaj transfuzioneve të gjakut. Pastaj dr. Vorobjovi shtonte: «Më përpara, sistemi ynë mjekësor raportonte një shkallë vdekjesh tetë herë më të lartë se ajo te nënat që lindin në Evropë, sepse këtu te ne mamitë u bënin nënave transfuzione gjaku pa qenë nevoja.»

Në vitin 2001, Ministria e Shëndetësisë e Federatës Ruse u dërgoi disa udhëzime institucioneve shëndetësore të vendit. Në to thuhej se mjeku duhet të respektojë vendimin e pacientit për të refuzuar transfuzione gjaku për shkak të bindjeve fetare. Në vitin 2002, Ministria ruse e Shëndetësisë nxori botimin Udhëzime për përdorimin e përbërësve të gjakut. Në këto udhëzime specifikohet se pacientit mund t’i jepet gjak vetëm pasi të ketë dhënë një deklaratë me shkrim se pranon transfuzionin. Gjithashtu, thuhet se duhen gjetur metoda alternative, nëse pacientët e refuzojnë transfuzionin e përbërësve të gjakut për arsye fetare.

Pasi punuan me përfaqësues të Repartit të Informacionit Spitalor, shumë mjekë ndryshuan qëndrim ndaj përdorimit të gjakut. Një kirurg u tha përfaqësuesve: «Nga pacientët [Dëshmitarë] dhe nga ju, dëgjova se i refuzoni transfuzionet e gjakut jo thjesht për tekë, po për shkak të një urdhërimi nga Bibla. Kështu, vendosa ta verifikoja këtë. I lexova të gjitha referimet biblike në materialin që më dhatë. Pasi reflektova, arrita në përfundimin se qëndrimi juaj bazohet vërtet në Bibël. Po pse priftërinjtë tanë nuk thonë gjë për këtë argument? Tani, kur del kjo temë, u them mjekëve të tjerë se Dëshmitarët janë të vetmit që ndjekin Biblën.» Sot, më shumë se 2.000 mjekë në Rusi janë dakord t’i operojnë pa gjak pacientët Dëshmitarë.

SHËRBEJNË ME GËZIM NË CAKTIMIN E TYRE

Arno dhe Sonja Tyngleri, të diplomuar në Filialin e Shkollës së Galaadit në Gjermani, që nga tetori i 1993-shit po shërbejnë në qytete të ndryshme ruse. Si ka ecur vepra e Jehovait në territoret ku kanë shërbyer? Le t’i ndjekim teksa tregojnë përvojat e tyre.

Arno: «Disa javë pas mbërritjes në caktimin tonë në Moskë, mbajtëm fjalimin e parë në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Pas gjashtë javësh në Rusi, mbajta fjalimin tim të parë në një asamble atje. Na caktuan në një kongregacion me rreth 140 lajmëtarë të pagëzuar, që kishte një territor me përmasa sa një qark në Gjermani. Territori i parë që morëm, ishte pranë shtëpisë ku rrinim. Ç’emocion të ishim Dëshmitarët e parë që predikonin atje shtëpi më shtëpi!»

Sonja: «Edhe pse dinim fare pak rusisht, nganjëherë dilnim në shërbim rrugor vetëm, flitnim me njerëzit dhe u jepnim fletushka e botime të tjera. Vëllezërit e motrat vendës na mbështetnin shumë dhe s’e kishim të vështirë të linim takime me ta për shërbimin. Ishin të dashur e të duruar dhe na linin të shpreheshim me rusishten tonë të çalë. Edhe të zotët e shtëpive ishin shumë të duruar. Bashkimi Sovjetik ishte shpërbërë dhe njerëzit po interesoheshin seriozisht për fenë.»

Arno: «Për të mësuar gjuhën ruse, na ndihmoi shumë predikimi shtëpi më shtëpi dhe drejtimi i studimeve biblike. Muajin e katërt që ndodheshim në Rusi, domethënë në janar 1994, tashmë drejtonim 22 studime biblike, prandaj kishim plot raste për të dëgjuar e për të folur gjuhën e përditshme.

Në atë kohë, numri i të pagëzuarve në asamble e kongrese ishte marramendës; arrinte në 10 për qind a më shumë të numrit të të pranishmëve. Në disa kongregacione nuk kishte mjaft vëllezër të kualifikuar që të përmbushnin nevojën për pleq e shërbëtorë ndihmës. Madje një plak shërbente si mbikëqyrës drejtues për pesë kongregacione! Ai më kërkoi të mbaja fjalimin e Përkujtimit në njërin prej tyre. Të pranishëm ishin 804 veta, të cilëve iu desh ta boshatisnin menjëherë sallën më pas, sepse do të mblidhej një kongregacion tjetër. Mirëpo, oratori i fjalimit të dytë pësoi një aksident me makinë rrugës për në sallë dhe nuk erdhi në kohë, kështu që m’u desh ta mbaja sërish unë fjalimin. Kësaj here kishte 796 të pranishëm! Kështu, vetëm me dy kongregacione, patëm 1.600 të pranishëm në Përkujtim, dhe kjo tregon se sa shumë interes kishte në atë kohë për të vërtetën.»

JEHOVAI ‘PËRSHPEJTON’ KORRJEN

Në Fjalën e tij, Jehovai premtoi se ‘do ta përshpejtonte’ mbledhjen e ‘gjërave të dëshirueshme’. (Isa. 60:22; Hag. 2:7) Në 1980-n, në Shën-Pjetërburg kishte 65 lajmëtarë që përpiqeshin të bënin biseda biblike me banorët e qytetit, edhe pse KGB-ja i ndiqte këmba-këmbës. Më 1990, mbi 170 Dëshmitarë jepnin dëshmi rrugore në mënyrë joformale në pjesë të ndryshme të qytetit. Në mars të vitit 1991, u regjistruan veprimtaritë e Dëshmitarëve në Rusi, dhe shpejt në qytet kishte pesë kongregacione aktive. Kongresi ndërkombëtar që u mbajt në Shën-Pjetërburg më 1992, si dhe ngjarje të tjera teokratike, sollën si rezultat një rritje të shpejtë. Në vitin 2006, në Shën-Pjetërburg kishte më shumë se 70 kongregacione.

Më 1995, në Astrahan, jo larg kufirit me Kazakistanin, kishte vetëm një kongregacion. Por nuk kishte as pleq dhe as shërbëtorë ndihmës. Gjithsesi, vëllezërit mbajtën një asamble qarkore dhe një asamble speciale njëditore. Fjalimet i mbajtën pleq që bënë një udhëtim më shumë se 700 kilometra që nga republika e Kabardino-Balkarisë. Këta vëllezër nuk e dinin se sa veta do të pagëzoheshin në këto asamble. Roman Skiba kujton: «Së bashku me një plak tjetër, shkuam atje dy javë para asamblesë, që të dilnim në shërbim me kongregacionin dhe të bënim pyetjet me ata që donin të pagëzoheshin. Por, s’patëm fare kohë të dilnim në shërbim, sepse u morëm me 20 kandidatët për pagëzim.»

Në Ekaterinburg, më 1999, vëllezërit ftuan në Përkujtim disa tregtarë vendës. Ata pyetën nëse mund të ftonin edhe miqtë e tyre. Sa u habitën Dëshmitarët kur në sallë erdhën rreth 100 veta! Edhe pse salla e marrë me qira ishte e madhe, disa ndenjën në këmbë.

STUDIME BIBLIKE ME NGA 50 VETA

Në provincën e Ivanovos, jo larg Moskës, predikimi nisi në fund të vitit 1991, kur u transferuan atje Pavel dhe Anastasia Dimovi. Kishin një detyrë të vështirë: duhej të predikonin në një territor me mbi një milion banorë. Nga t’ia fillonin? Menduan të përdornin një metodë të thjeshtë e të efektshme: një stendë me literaturë. E ngritën stendën në sheshin kryesor të qytetit dhe mbi të vunë broshura, revista e libra. Kalimtarët ndalonin dhe shumë prej tyre shfaqnin vërtet interes. Të gjithë të interesuarit i ftonin në një grumbullim për studim biblik. Këto zor se mund të quheshin studim biblik në shtëpi, pasi drejtoheshin në salla të marra me qira dhe i ndiqnin deri në 50 veta. Studimi ngjante me mbledhjet dhe mbahej në dy seanca. Së pari, shqyrtohej libri Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsën në Tokë, pastaj studiohej një artikull i Kullës së Rojës. Studimi mbahej tri herë në javë dhe zgjaste tri orë. Tri studime të tilla mbaheshin në pjesë të ndryshme të qytetit. Paveli shënonte gjithnjë në raportin e shërbimit se drejtonte tri studime biblike. Kur e pyetën pse kishte kaq pak studime ndërkohë që lajmëtarët e tjerë drejtonin nga 10 deri në 20, doli që secilin studim e ndiqnin rreth 50 të interesuar! U duk qartë se Jehovai po e bekonte këtë metodë, sepse shpejt, shumë nga ata që po ndiqnin studimin, shprehën dëshirën të predikonin lajmin e mirë. Pas një studimi, Paveli njoftoi se të gjithë ata që donin të bëheshin lajmëtarë, mund të qëndronin. Askush s’iku, kështu që të gjithë u bënë lajmëtarë. Numri i stendave me literaturë në qytet u rrit dhe shpejt, shumë kioska nëpër sheshet e qytetit dhe nëpër parqe ishin plot me literaturë.

Tani ishte koha të vazhdonin me një tjetër formë shërbimi: predikimi shtëpi më shtëpi. Por si t’ia bënin kur pothuajse asnjë lajmëtar nuk kishte marrë pjesë kurrë në këtë formë shërbimi? Ata që donin të mësonin si të predikonin shtëpi më shtëpi, shoqëronin çiftin Dimov në shërbim. Shpesh kishte shumë lajmëtarë që dëshironin të mësonin. Nganjëherë, Pavelin e shoqëronin në predikim dhjetë lajmëtarë njëherësh! Çuditërisht, kjo s’i bezdiste të zotët e shtëpive, që ishin të kënaqur të flitnin me grupin. Madje, disa ftonin brenda në shtëpi të gjithë ‘delegacionin’.

S’kaloi shumë dhe lajmëtarët e rinj mezi pritnin të predikonin edhe jashtë qytetit të Ivanovos, kështu që u organizuan udhëtime nëpër qytete të tjera të provincës Ivanovo. Grupe me nga 50 veta hipnin në tren, fillonin të predikonin rrugës për në qytetin ku do të shkonin, e pastaj ndaheshin dy nga dy. Pallat më pallat, ata i ftonin njerëzit për mbledhjen që do të mbahej atë mbrëmje. Në mbledhje, vëllezërit shfaqnin video të prodhuara nga Dëshmitarët e Jehovait, pastaj mbanin një fjalim. Pas mbledhjes, të gjithë të pranishmëve u ofrohej një studim biblik dhe ata që donin të studionin, u jepnin adresën vëllezërve. Falë këtyre përpjekjeve, në secilin qytet të provincës Ivanovo u formuan deri në pesë kongregacione.

Më 1994, vetëm në qytetin e Ivanovos kishte 125 lajmëtarë dhe 1.008 të pranishëm në Përkujtim. Po atë vit, në kongresin krahinor u pagëzuan 62 veta nga ai qytet. Ishte formuar një kongregacion i ri brenda një dite! Tani në provincën Ivanovo ka 1.800 lajmëtarë të zellshëm që kryejnë veprën e Zotërisë.

MBLIDHEN PAVARËSISHT NGA KUNDËRSHTIMI

Në disa qytete nuk ishte e lehtë të merrnim leje për t’i përdorur stadiumet për kongrese. Për shembull, në Novosibirsk, kundërshtarët e nxitur nga kleri bënë një rresht me pankarta përballë hyrjes së stadiumit ku po mbahej kongresi. Në një nga pankartat shkruhej: «Kujdes nga Dëshmitarët e Jehovait!» Mirëpo, demonstruesit nuk e kishin vënë re se dy shkronjat e fundit të fjalës së parë ishin fshirë, kështu që faktikisht aty lexohej: «Kujdesuni për Dëshmitarët e Jehovait!»

Në vitin 1998, vëllezërit patën probleme kur u përpoqën të mbanin një asamble qarkore në Omsk. Nën presionin e kundërshtarëve, autoritetet vendëse e detyruan në çastin e fundit drejtorin e sallës që të anulonte kontratën e qirasë që kishte bërë me Dëshmitarët. Me qindra njerëz që vinin për asamblenë, u mblodhën pranë sallës. I frikësuar për vete e për sallën, drejtori iu lut vëllezërve që t’u thoshin të pranishmëve të mos përdornin dhunë. Por vëllezërit e qetësuan, duke i thënë se askush s’do të ngrinte dorë. Me qetësi, delegatët bënë fotografi me njëri-tjetrin dhe pastaj u shpërndanë. Drejtori u bind se Dëshmitarët e Jehovait janë paqësorë. Asambleja u mbajt dy javë më vonë në një sallë tjetër. Kundërshtarët morën vesh shumë vonë për këtë asamble, kështu që arritën atje në fund të programit.

NJË KONGRES «NËN DRITËN E YJEVE»

Nga data 22 deri më 24 gusht 2003, në qytetin Stavropol të Kaukazisë do të mbahej një nga kongreset krahinore në gjuhën e shenjave. Erdhën delegatë nga 70 qytete të Rusisë. Por kongresi rrezikonte të anulohej për shkak të kundërshtimit të ashpër nga administrata e qytetit. Një ditë para kongresit, drejtori i sallës anuloi kontratën e qirasë. Por të premten më 22 gusht, vëllezërit bënë një kontratë me administratën e një cirku që të përdornin arenën e tij.

Programi nisi në orën 15.00, por pak pas intervalit, papritur u ndërpre energjia elektrike. Me durim, delegatët ndenjën në vendet e tyre dhe programi vazhdoi një orë me vonesë kur erdhën përsëri dritat. Mbaroi në 21.30.

Ditën e dytë të kongresit e hoqën energjinë elektrike në orën 9.30. Pas pak prenë edhe ujin. Si t’ia bënin vëllezërit për të vazhduar kongresin pa ujë e pa drita? Në orën 10.50, Komiteti i Kongresit vendosi të hapte të gjitha dyert e arenës, meqë ishte një ditë e bukur me diell. Me shkathtësi, vëllezërit nxorën pasqyra të mëdha në rrugë për të pasqyruar dritën e diellit në sallë dhe tek oratori. Ndonëse tani auditori e shihte oratorin, shpejt u kuptua se kjo dritë e fortë e pengonte oratorin të shihte shënimet. Kështu, me anë të disa pasqyrave të tjera, vëllezërit e drejtuan dritën e diellit te një glob i madh me pasqyra që varej në tavan. Kështu arena u mbush me drita vezulluese dhe oratori, bashkë me të pranishmit, mund të përqendroheshin te programi. Ky kongres u kthye në një ngjarje të pashoqe «nën dritën e yjeve». Kështu i përshkruan delegatët dritat e shumta vezulluese që binin në arenën e errët.

Pak më vonë, aty erdhi kryetari i bashkisë me disa zyrtarë. U mahnitën që Dëshmitarët po e vazhdonin kongresin. Mbi të gjitha, u la mbresa të thella sjellja e delegatëve. Asnjëri prej tyre nuk u ankua e nuk protestoi. Të gjithë e kishin vëmendjen te podiumi. Shefi i policisë, i cili më parë mbante qëndrim agresiv ndaj Dëshmitarëve, u prek kaq shumë nga ajo që pa, saqë tha: «Me shpirt e me zemër jam me ju, por jetojmë në një botë që nuk ju do.»

Pasi u larguan zyrtarët, u rikthye energjia elektrike. Edhe pse dy ditët e para të kongresit mbaruan vonë, delegatët ndenjën ulur deri në lutjen e fundit. Pavarësisht nga kundërshtimi, numri i delegatëve rritej çdo ditë të kongresit: të premten ishin 494, të shtunën 535 dhe të dielën 611 veta. Gjatë lutjes të fundit, vëllai i shprehu mirënjohjen Jehovait që i kishte lejuar të mbanin këtë kongres të mrekullueshëm. Delegatët u larguan të gëzuar dhe më të vendosur për t’i shërbyer Atit të tyre qiellor e për të lëvduar emrin e tij.

TË SHURDHRIT LËVDOJNË JEHOVAIN

Mes mijëra delegatëve nga Bashkimi Sovjetik që ndoqën kongresin special në Poloni më 1990, kishte edhe disa të shurdhër. Pasi u inkurajuan frymësisht në këtë kongres, këta «mbjellës» të hershëm bënë përpjekje të mëdha për të predikuar. Që në vitin 1992, mund të thuhej se edhe kjo pjesë e fushës ishte gati për korrje dhe se ‘të korrat do të ishin të mëdha’. (Mat. 9:37) Më 1997 u formua kongregacioni i parë i gjuhës së shenjave dhe në gjithë vendin kishte shumë grupe në këtë gjuhë. Në vitin 2002 u formua një qark i gjuhës së shenjave, qarku më i madh në botë për sa i përket territorit. Në 2006-n, raporti lajmëtar-banorë ndër të shurdhrit në Rusi ishte 1 me 300, kurse në pjesën tjetër të popullsisë, raporti ishte 1 me 1000.

Lindi nevoja për përkthime cilësore të botimeve tona. Më 1997, dega e Rusisë nisi përkthimin në gjuhën e shenjave. Jevdokia, një nga motrat e shurdhra që shërbejnë në skuadrën e përkthimit të kësaj gjuhe, thotë: «Për mua është privilegj i veçantë të shërbej në Bethel e të përkthej botimet tona në gjuhën e shenjave. Në botë, njerëzit nuk u zënë besë të shurdhërve dhe i shohin si më të ulët. Por në organizatën e Perëndisë, çdo gjë ndryshon. Së pari, kam kuptuar që vetë Jehovai ka besim se ne të shurdhrit do të arrijmë ta përcjellim të vërtetën në gjuhën tonë. Gjithashtu, ndihemi të sigurt mes popullit të Jehovait dhe jemi vërtet të lumtur që bëjmë pjesë në këtë familje të madhe.»

LAJMI I MIRË NË ÇDO GJUHË

Përveç rusishtes që ishte gjuha kryesore dhe përdorej në tregti e arsim, në Bashkimin Sovjetik fliteshin edhe 150 gjuhë të tjera. Në vitin 1991, pas shpërbërjes së tij në 15 shtete, u rigjallërua interesi për të vërtetën te shumë njerëz që flitnin ato gjuhë, po sidomos në vendet që sapo kishin fituar pavarësinë. Në përputhje me Zbulesën 14:6, u bënë përpjekje të mëdha për të shkuar te njerëz të «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli», në këtë territor të paanë. Kjo ka bërë të domosdoshme të botohet Kulla e Rojës në 14 gjuhë të tjera që fliten në territorin e degës së Rusisë, për t’u siguruar ushqim frymor dhjetëra mijë dishepujve të rinj. Për të lehtësuar përhapjen e lajmit të mirë, zyra e degës e Rusisë mbikëqyr përkthimin e literaturës në më shumë se 40 gjuhë. Kjo bën që e vërteta e Biblës t’u prekë zemrën më shpejt dhe më thellë njerëzve.

Shumica prej tyre fliten brenda territorit të Federatës Ruse. Për shembull, do të dëgjosh të flitet gjuha osetiane në rrugët e Beslanit dhe të Vladikavkazit; gjuha burjate, që ka lidhje me mongolishten, në zonën përreth liqenit Bajkal; gjuha jakute, një gjuhë altaiko-turke që flitet nga barinjtë e renave dhe nga banorët e tjerë të skajit lindor të Rusisë; si dhe rreth 30 të tjera që fliten në Kaukazi. Pas rusishtes, gjuha tatare është më e folura në Rusi, nga mbi pesë milionë veta, sidomos në zonën e njohur si Tatarstani.

Ata që flasin gjuhën tatare, shpesh e lexojnë me qejf literaturën në këtë gjuhë, kurse pak prej tyre pranojnë literaturë në rusisht. Gjatë fushatës me fletushkën Lajmërim i Mbretërisë Nr. 35, një grua në një zonë fshatare, pasi mori fletushkën, shkroi një letër ku kërkonte broshurën Çfarë kërkon? në gjuhën tatare. Një motër i dërgoi një letër bashkë me broshurën dhe gruaja iu përgjigj me një letër tjetër entuziaste prej tetë faqesh. Shpejt ajo nisi të studionte Biblën duke përdorur botimet në gjuhën tatare. Një burrë që mori në këtë gjuhë broshurën A kujdeset Perëndia për ne?, tha se e ndihmoi ta shihte ndryshe situatën në botë. Pa literaturë në gjuhën tatare, nuk do të ishin arritur këto rezultate.

Një gruaje që flet gjuhën mari, i dhanë fletushkën Lajmërim i Mbretërisë Nr. 35. Pasi e lexoi, donte të dinte më shumë, por në zonën fshatare ku jetonte, nuk kishte Dëshmitarë. Në një rast, kur zbriti në qytet, takoi një Dëshmitar të Jehovait dhe mori librin Njohuria, si dhe literaturë tjetër në rusisht. Pasi i studioi vetë, nisi të predikonte në zonën e saj dhe s’kaloi shumë e po studionte Biblën me disa të interesuar. Pastaj mori vesh se në Izhevsk do të mbahej një asamble speciale njëditore dhe shkoi atje me shpresë se do të pagëzohej. Por në asamble mësoi se ata që duan të pagëzohen, më parë duhet ta studiojnë Biblën me hollësi, kështu që vëllezërit morën masa për ta ndihmuar frymësisht. Gjithë kjo erdhi falë leximit të fletushkës Lajmërim i Mbretërisë në gjuhën e saj amtare.

Në Vladikavkaz kishte vetëm një kongregacion të gjuhës osetiane dhe asnjë nga fjalimet në asambletë qarkore e kongreset krahinore nuk përkthehej në osetisht. Por filluan të përktheheshin në vitin 2002. Vëllezërit që flitnin gjuhën osetiane sa s’fluturonin nga gëzimi! Edhe ata që dinin mirë rusisht, thanë se iu prek zemra kur e dëgjuan mesazhin e Biblës në gjuhën amtare. Kjo solli rritjen frymore të kongregacionit dhe tërhoqi shumë osetianë drejt së vërtetës. Në vitin 2006 në Oseti u hap një qark dhe për herë të parë u mbajtën asamble qarkore në osetisht.

Gjatë vizitës së mbikëqyrësve udhëtues te një grup në fshatin e largët Aktash të Altait, u mblodhën rreth 30 veta në një apartament, edhe pse grupi përbëhej nga pak lajmëtarë. Fjalimin publik e dëgjuan të gjithë, por gjatë fjalimit të shërbimit që mbajti mbikëqyrësi krahinor, iku pothuajse gjysma e të pranishmëve. Pas mbledhjes, mbikëqyrësi pyeti vëllezërit vendës pse ikën kaq shumë veta. Një e moshuar nga Altai iu përgjigj me rusishten e saj të çalë: «Po bëni një vepër të rëndësishme, por s’kuptova pothuajse asgjë nga ato që thatë!» Në vizitën tjetër të mbikëqyrësit qarkor, fjalimet u përkthyen dhe të gjithë ndenjën deri në fund të programit.

Në qytetin e Voronezhit ka një numër të madh studentësh të huaj. Në vitin 2000, një shërbëtor ndihmës që flet gjuhën kineze organizoi vetë disa kurse në këtë gjuhë. Shumë Dëshmitarë iu përgjigjën nevojës dhe u përpoqën të mësonin gjuhën kineze, që t’u predikonin studentëve kinezë. Kjo gjuhë është jashtëzakonisht e vështirë, por vëllezërit nuk u dorëzuan. Në shkurt të vitit 2004, në qytet u formua studimi i parë i librit në gjuhën kineze. Në prill të po atij viti, u pagëzua studenti i parë biblik kinez dhe pas dy muajsh një tjetër. Tani studimin e librit e ndjekin rregullisht grupe të interesuarish dhe po drejtohen rreth 15 studime biblike në gjuhën kineze. Teksa lajmi i mirë mbërrin në çdo cep të kësaj fushe të paanë, dega e Rusisë vazhdon t’u përgjigjet kërkesave për më shumë literaturë në më shumë gjuhë.

STËRVITJE PËR PIONIERËT

Prej disa vitesh në Rusi mbahet Shkolla e Shërbimit për Pionierë. Çdo klasë përbëhet nga 20 deri në 30 pionierë, kryesisht vendës, që s’u duhet të udhëtojnë shumë për të ndjekur shkollën. Por nuk ishte kështu herën e parë kur u mbajt kjo shkollë në Rusi. Roman Skiba thotë: «Më kujtohet në mënyrë të veçantë Shkolla e Shërbimit për Pionierë që u mbajt në Ekaterinburg, më 1996. E ndoqën mbi 40 vëllezër e motra. Për të ndjekur shkollën, shumë prej tyre udhëtuan me qindra kilometra, disa deri në 1.000 kilometra.»

Svetlana e ka nisur shërbimin si pioniere e rregullt në gjuhën e shenjave në 1997-n. Në janar të vitit 2000, ajo ndoqi shkollën e pionierit në gjuhën e shenjave. Më pas, Svetlana tregoi se si e ndihmoi shkolla që të përmirësonte cilësinë e shërbimit dhe të kuptonte ç’do të thotë të jesh i krishterë në familje e në kongregacion. Ajo shprehet: «Nisa t’i doja më shumë të tjerët. Kuptova edhe sa e rëndësishme është të bashkëpunoj me vëllezërit e motrat, dhe tani i pranoj pa problem këshillat. Kam përmirësuar ndjeshëm edhe cilësinë e studimeve biblike, ngaqë kam filluar të përdor ilustrimet.»

Aljona shërben si pioniere në Habarovsk, një qytet në skajin më lindor të Rusisë, dhe ndihmon të shurdhrit që të mësojnë të vërtetën. Që ta bënte sa më mirë këtë, Aljona donte të ndiqte Shkollën e Shërbimit për Pionierë në gjuhën e shenjave. Po ç’vështirësi duhej të kapërcente? Aljona thotë: «Shkolla më e afërt për pionierë në gjuhën e shenjave do të mbahej në Moskë, 9.000 kilometra larg Habarovskut. Për të ndjekur shkollën, udhëtova me tren për tetë ditë dhe m’u deshën po aq ditë për t’u kthyer.» Por nuk i erdhi aspak keq për këtë.

Përveç shkollave të pionierit në gjuhën e shenjave, në Rusi janë mbajtur me qindra shkolla të tjera për pionierë nga viti 1996 deri më 2006. Stërvitja e pionierëve ka ndikuar në rritjen e përgjithshme në veprën e predikimit, si dhe në kongregacione. Marçini, i cili aktualisht shërben si mbikëqyrës qarkor, thotë: «Në vitin 1995, u emërova pionier special në kongregacionin «Kuntsevo» në Moskë. Shkova në mbledhjen ku mbahej fjalimi publik dhe studimi i Kullës së Rojës, e m’u duk sikur po mbahej ndonjë asamble! Kishte rreth 400 të pranishëm në sallë. Në atë kohë, kongregacioni kishte 300 lajmëtarë. As dhjetë vjet më vonë, nga ai kongregacion ishin formuar dhjetë të tjerë!

Ndërsa shërbeja si mbikëqyrës qarkor gjatë viteve 1996 dhe 1997, pashë rritje të mahnitshme në qark. Vizitova një kongregacion në qytetin Vollzhski të provincës së Vollgogradit dhe u riktheva atje pas gjashtë muajsh. Gjatë asaj kohe, kishin dalë 75 lajmëtarë të rinj. Ishte si një kongregacion krejt i ri! Fryma që tregonin këta lajmëtarë të rinj të zellshëm, zor se mund të përshkruhet me fjalë. Në mbledhjet për shërbim, që mbaheshin në një shtëpi në një pallat shumëkatësh, vinin rregullisht deri në 80 lajmëtarë. Shumë qëndronin nëpër shkallë, sepse në apartament s’kishte vend.»

TË RINJTË LËVDOJNË JEHOVAIN

Shumë të rinj shfaqin interes për mesazhin e Mbretërisë, pavarësisht nga kundërshtimi i prindërve. Një motër 20-vjeçare tha: «Në vitin 1995, kur isha nëntë vjeçe, Dëshmitarët e Jehovait u predikuan prindërve të mi, por ata nuk e pranuan të vërtetën. Kurse unë doja të dija më shumë për Perëndinë. Lumturisht, një shoqja ime që e kisha edhe në klasë, nisi të studionte Biblën dhe unë i shkoja në shtëpi kur bënte studimin. Kur e morën vesh prindërit, më ndaluan të shoqërohesha me Dëshmitarët. Nganjëherë më kyçnin brenda në shtëpi, që të mos shkoja në studim. Kjo vazhdoi derisa arrita moshën madhore. Shkova në një qytet tjetër për të vazhduar shkollën dhe atje gjeta Dëshmitarët. Sa e lumtur isha kur rifillova studimin e Biblës! Nisa ta doja me gjithë zemër Jehovain dhe u pagëzova në një kongres krahinor në 2005-n. Pas pagëzimit, fillova menjëherë si pioniere ndihmëse. Tani prindërit janë pozitivë ndaj së vërtetës, të cilën unë e çmoja shumë që kur isha fëmijë.»

Një motër tjetër kujton: «Në vitin 1997, kur isha 15 vjeçe, Dëshmitarët më dhanë një revistë Zgjohuni! Më pëlqeu shumë emri i revistës dhe përmbajtja e saj, dhe doja ta merrja rregullisht. Kur e mori vesh im atë se po lexoja këtë revistë, i ndaloi Dëshmitarët që të na vinin në shtëpi. Ca kohë më vonë, kushërira ime nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe, në fillim të 2002-shit, edhe unë fillova të ndiqja mbledhjet me të në Sallën e Mbretërisë. Atje dëgjova se Dëshmitarët e Jehovait shërbejnë si misionarë dhe më lindi një dëshirë e fortë që t’i ndihmoja të tjerët të mësonin për Perëndinë. Por kushërira më shpjegoi se më përpara duhej të lija duhanin, ta vija jetën në përputhje me vullnetin e Perëndisë dhe të bëhesha shërbëtore e tij. E ndoqa këtë këshillë dhe u pagëzova pas gjashtë muajsh. Më pas nisa menjëherë si pioniere ndihmëse. Jam e lumtur që tani kam një qëllim të vërtetë në jetë.»

NË KËRKIM TË ‘GJËRAVE TË DËSHIRUESHME’ NË SAHË

Një qark përfshin provincën e Amurit dhe gjithë territorin e Sahës. Gjatë vitit të shërbimit 2005, në Jakutsk, kryeqyteti i Sahës, u mbajt për herë të parë një asamble qarkore dhe një asamble speciale njëditore. Ishte kënaqësi e madhe të shihje banorë vendës që merrnin pjesë në këto asamble.

Për dobinë e vëllezërve, qarku u nda në pesë pjesë, dhe në secilën pjesë u mbajt një asamble. Për të udhëtuar nga një asamble te tjetra, mbikëqyrësve udhëtues u duhej 24 orë rrugë me tren, 15 orë me makinë dhe 3 orë me avion.

Në këtë territor, dimri është tejet i ftohtë dhe temperaturat arrijnë në –50 gradë Celsius a më ulët. Gjithsesi, lajmëtarët vendës predikojnë jo vetëm në pallatet shumëkatëshe, por edhe në shtëpitë private.

Në fillim të vitit 2005 u formuan dy grupe lajmëtarësh. Njëri ndodhet në fshatin Hajir, 80 kilometra larg brigjeve të Detit të Laptëve, mbi Rrethin Polar Verior. Në këtë fshat me 500 banorë ka vetëm 4 Dëshmitare. Në 2004-n, Përkujtimin në këtë fshat e ndoqën 76 veta. Për të vizituar grupin, mbikëqyrësi qarkor fillimisht duhet të bëjë rreth 900 kilometra me avion dhe pastaj 450 kilometra me makinë në rrugë të mbuluara me dëborë.

Një grup tjetër u formua në fshatin e largët Ust-Nera, 100 kilometra larg fshatit Ojmjakon. Në këtë rajon, nganjëherë temperaturat në dimër arrijnë në –60 gradë Celsius.Për të ndjekur asamblenë qarkore vitin e kaluar, lajmëtarët e këtij grupi u nisën me dy makina. Bënë rreth 2.000 kilometra rrugë vetëm vajtje, përmes një terreni të izoluar e të pabanuar, në temperatura –50 gradë Celsius.

Një mbikëqyrës qarkor tregoi një përvojë interesante, që ndodhi në lartësinë 4.000 metra. «Gjatë fushatës me broshurën Qëndroni vigjilentë!, në qarkun tonë u mbajt një seri asamblesh. Së bashku me mbikëqyrësin krahinor, po udhëtonim me avion për të shkuar nga njëra asamble në tjetrën. Mirëpo na kishte mbaruar broshura për fushatën, kështu që i ofruam stjuardesës broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Ajo na tha se tashmë i kishin dhënë literaturë biblike dhe, për habinë tonë, na tregoi broshurën Qëndroni vigjilentë! U gëzuam që vëllezërit kishin predikuar me kaq zell! Teksa bisedonim, kaloi aty piloti i dytë. Biseda iu duk interesante, kështu që u bashkua me ne dhe folëm pothuajse gjatë gjithë udhëtimit. Ai mbeti shumë i kënaqur dhe mori me vete disa revista për ekuipazhin në kabinën e pilotit.»

LAJMI I MIRË NË ISHULLIN SAHALIN

Në ishullin Sahalin, që ndodhet sipër Hokaidos, ishullit më verior të Japonisë, Dëshmitarët mbërritën në fund të viteve 70. Disa vëllezër nga Vladivostoku, që mbikëqyrnin veprën e predikimit në rajon, e nxitën Sergej Saginin të zgjeronte shërbimin dhe të transferohej në ishull që t’u predikonte banorëve atje. Sergeji gjeti punë në port dhe u përpoq të niste biseda biblike me punëtorët e tjerë. S’kaloi shumë dhe po drejtonte disa studime biblike. Ndonëse më vonë Sergeji u detyrua të ikte nga ishulli, farërat e së vërtetës dhanë fryt.

Kongreset e viteve 1989 dhe 1990 në Poloni i nxitën shumë Dëshmitarë rusë të zgjeronin shërbimin dhe të shkonin atje ku kishte më tepër nevojë. Në vitin 1990, Sergej dhe Galina Averini u transferuan nga Habarovsku, që ndodhet në skajin më lindor të Rusisë, në Korsakov të Sahalinit. Disa muaj më pas, dy pionierë dhe disa lajmëtarë u transferuan në Juzhno-Sahalinsk, ku kishte vetëm një Dëshmitare.

Pavel Sivulski, i biri i Pavel Sivulskit të përmendur më parë dhe një nga dy pionierët, tani shërben në Bethel. Ai kujton: «Kur mbërritëm në Juzhno-Sahalinsk, unë dhe një vëlla ndenjëm në hotel, se nuk gjetëm dot menjëherë një vend ku të rrinim. Nisëm predikimin shtëpi më shtëpi aty pranë hotelit dhe, gjatë bisedave, i pyetëm njerëzit nëse dikush jepte shtëpi me qira. Takuam njerëz që na pyetën ku mund t’i vazhdonin bisedat biblike, por na duhej t’u thoshim se për momentin po rrinim në hotel dhe, sapo të gjenim një vend tjetër, do t’i ftonim. Iu lutëm me zjarr Jehovait të na ndihmonte që të gjenim punë dhe një vend ku të rrinim. Ai iu përgjigj lutjeve tona. S’kaloi shumë dhe gjetëm punë e shtëpi. Një zonjë na ftoi të qëndronim në apartamentin e saj. Nuk na mori para, madje na gatuante, dhe kjo na ndihmoi të kalonim më tepër kohë në shërbim. Jehovai na e bëri të qartë se ishte me ne. Pas pak filluam plot studime biblike dhe organizuam grupe për studimin e librit. Dy muaj më vonë, morëm një shtëpi me qira dhe nisëm të drejtonim mbledhje atje.»

Ndërsa kongregacioni rritej, shumë lajmëtarë të rinj nisën të shërbenin si pionierë. Ata shfaqën frymën e pionierit dhe shkuan në pjesë të tjera të ishullit, për t’u dhënë të vërtetën banorëve të atjeshëm. Jehovai e bekoi tej mase shërbimin e zellshëm të këtij kongregacioni që po shtohej me ritme të shpejta. Tre vjet më vonë, më 1993, nga ai kongregacion ishin formuar tetë të tjerë!

Me kalimin e kohës, shumë lajmëtarë u larguan nga ishulli për shkak të vështirësive ekonomike dhe për të zgjeruar shërbimin. Siç kishte ndodhur edhe më parë, përpjekjet për shërbimin sollën rritje. Tani, në qendër të qytetit Juzhno-Sahalinsk ka një Sallë Mbretërie të hijshme dhe në ishull ka nëntë kongregacione e katër grupe, që formojnë një qark.

DERA HAPET, PAVARËSISHT NGA KUNDËRSHTARËT E SHUMTË

Në shekullin e parë, apostulli Pavël tha: «Më është hapur një derë e gjerë që çon në aktivitet, por ka shumë kundërshtarë.» (1 Kor. 16:9) Dy mijë vjet më vonë, numri i kundërshtarëve nuk është pakësuar. Nga viti 1995 deri më 1998, zyra e prokurorisë së Moskës ngriti katër herë padi penale kundër Dëshmitarëve. I akuzoi se i nxitin njerëzit drejt intolerancës fetare; shkatërrojnë familjet; merren me veprimtari kundër shtetit; shkelin të drejtat e shtetasve të tjerë. Meqë këto akuza nuk mund të vërtetoheshin, në vitin 1998 u ngrit padi civile kundër Dëshmitarëve për të njëjtat akuza pa bazë.

Rreth një vit më vonë, Ministria e Drejtësisë e regjistroi përsëri Qendrën Administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, duke pranuar se Dëshmitarët e Jehovait nuk bëjnë asgjë për t’i nxitur njerëzit drejt urrejtjes fetare, për të shkatërruar familjet ose për të shkelur të drejtat e njeriut. Edhe literatura e tyre nuk përmban asgjë të tillë. Gjithsesi, zyra e prokurorisë nxori përsëri të njëjtat akuza!

Disa profesorë që merren me studime fetare, e kuptojnë se Dëshmitarët e Jehovait i bazojnë bindjet e tyre vetëm në Bibël. Dr. Nikolaj S. Gordijenko, profesor studimesh fetare në Fakultetin shtetëror të Pedagogjisë «Hercen» në Shën-Pjetërburg, thotë: «Kur specialistët i akuzojnë Dëshmitarët e Jehovait për mësimet e tyre, nuk e kuptojnë se faktikisht po ngrenë akuza kundër Biblës.»

Prapëseprapë, Gjykata e Qytetit të Moskës vendosi t’ia hiqte statusin ligjor komunitetit të Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë. Por kjo nuk i pengon vëllezërit tanë që të përmbushin urdhrin e Biblës për t’u predikuar lajmin e mirë të tjerëve. Dëshmitarët e Jehovait janë të bindur se banorët e Moskës duhet të vendosin vetë për bindjet fetare. Kufizimi i kësaj të drejte do të ishte shkelje e lirive të çdo banori të Moskës. Prandaj, Dëshmitarët në Moskë do të vazhdojnë të përmbushin urdhrin e Jezu Krishtit që të predikojnë e të bëjnë dishepuj. (Mat. 28:19, 20) Aktualisht, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut po rishqyrton vendimin e marrë nga Gjykata e Qytetit të Moskës.

Në shtator të vitit 1998, kur nisi çështja ligjore për ndalimin e Dëshmitarëve në Moskë, atje kishte 43 kongregacione. Tetë vjet më vonë, në qytet kishte 93 kongregacione! Jehovai i ka premtuar popullit të tij: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.» (Isa. 54:17) Më 2007, Dëshmitarët e Jehovait mbajtën kongresin krahinor në stadiumin «Luzhniki» të Moskës, ku më parë ishin mbajtur Lojërat Olimpike. Këtë kongres e ndoqën 29.040 veta dhe pati 655 të pagëzuar.

EMRI I PERËNDISË ËSHTË I MADH NË RUSI

Te Malakia 1:11 gjejmë fjalët e Perëndisë Jehova: «Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij emri im do të jetë i madh ndër kombet.» Sa herë lind dielli në këtë vend të stërmadh, lind edhe një mundësi tjetër për të gjetur njerëz që janë si dele. Vetëm vitin e fundit të shërbimit, në Rusi u pagëzuan mbi shtatë mijë veta. Kjo është dëshmi e pamohueshme se «Cari i carëve», siç quhet Jezu Krishti në Biblën ruse, është me nënshtetasit e tij teksa kryejnë këtë vepër.—Mat. 24:14; Zbul. 19:16.

«Dita e Jehovait do të vijë si një hajdut»,—tha apostulli Pjetër. (2 Pjet. 3:10) Prandaj, populli i Jehovait në Rusi është i vendosur ta përdorë kohën që mbetet për të kërkuar njerëzit me zemër të drejtë në çdo komb, fis, gjuhë dhe popull!

[Shënimi]

^ par. 353 Shih artikullin «Populli i Altait, një popull që e deshëm shumë» te Zgjohuni!, 22 qershor 1999, anglisht.

[Diçitura në faqen 110]

«Po të kishim gjetur ndonjë gjë kundër jush, sikur edhe një pikë të vetme gjaku të kishit derdhur, do t’ju kishim pushkatuar të gjithëve»

[Diçitura në faqen 128]

«Po t’ju lëmë të lirë, shumë sovjetikë të tjerë do të bashkohen me ju. Ja pse ju shohim si një kërcënim të madh për shtetin»

[Diçitura në faqen 219]

«Njerëzit tuaj janë si zogjtë, turren mbi kutitë e literaturës dhe i heqin menjëherë që andej»

[Kutia dhe figura në faqen 69]

Çfarë dini për Siberinë?

Çfarë ju vjen ndër mend kur dëgjoni për Siberinë? A përfytyroni një vend të shkretë, të ashpër e të pabanuar, me dimra të acartë? Mos vallë imagjinoni një vend të zymtë ku internoheshin ata që ishin kundër qeverisë sovjetike? Këto përshkrime janë të sakta, por përbëjnë vetëm një pjesë të tablosë.

Siberia është një rajon shumë i gjerë, më i gjerë se Kanadaja, shteti i dytë më i madh në botë. Sot, Siberia zë një hapësirë mbi 13 milionë kilometra katrorë, që nga malet Urale drejt lindjes në Oqeanin Paqësor, dhe që nga Mongolia e Kina drejt veriut në Oqeanin e Ngrirë të Veriut. Është vend i pasur me burime natyrore: lëndë drusore, naftë dhe gaz. Në Siberi ka vargmale, rrafshina, moçale, liqene dhe lumenj të mëdhenj.

Për afro një shekull e gjysmë, Siberia ishte vend burgimi, pune të detyruar dhe internimi. Gjatë viteve 30 e 40 të shekullit të 20-të, Josif Stalini dërgoi miliona veta atje për të punuar nëpër kampe. Më 1949 dhe më 1951, në Siberi u internuan rreth 9.000 Dëshmitarë të Jehovait nga Moldavia, nga republikat baltike dhe nga Ukraina.

[Kutia dhe figurat në faqet 72, 73]

Pamje e përgjithshme

Vendi:

Rusia është shteti më i madh në botë. Zë një sipërfaqe 7.700 kilometra nga lindja në perëndim dhe 3.000 kilometra nga veriu në jug, gjithsej 17.075.400 kilometra katrorë. Është mahnitëse që territori i Rusisë mbulon 11 zona orare dhe shtrihet pothuajse në gjysmën e Hemisferës Veriore. Në Rusi ndodhet mali më i lartë dhe lumi më i gjatë në Evropë, si dhe liqeni më i thellë në botë.

Popullsia:

Rusët përbëjnë 80 për qind të popullsisë. Por atje jetojnë edhe mbi 70 grupe të tjera etnike. Disa grupe kanë një popullsi prej mijëra vetash, kurse të tjera më shumë se një milion.

Gjuha:

Rusishtja është gjuha zyrtare që e flasin pothuajse të gjithë nënshtetasit. Gjithashtu, fliten më shumë se 100 gjuhë të tjera, disa prej të cilave janë amtare për afro një milion veta.

Ekonomia:

Rusia është ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë të naftës dhe të gazit natyror. Industri të tjera të mëdha janë pylltaria, minierat dhe çdo lloj industrie tjetër prodhimi.

Ushqimi:

Përgatiten pjata të ushqyeshme me mish, peshk, lakra ose djathë rus, që hahen me bukë thekre të zezë, patate dhe hikrra. Kuzhina ruse është e pasur në yndyrna dhe karbohidrate, për t’u dhënë njerëzve energjinë e duhur që të përballojnë dimrat e ftohtë dhe të gjatë. Një pjatë tradicionale është pelmeni (qofte mishi) në supë a me salcë kosi, ose piroshki (kuleç të vegjël) të mbushur me lakra, mish, djathë ose patate. Supat më të preferuara janë: borsht—supë me panxhar, dhe shi—supë me lakër.

Klima:

Vera është e nxehtë, kurse dimri i ftohtë e i zymtë. Pranvera dhe vjeshta kalojnë shpejt, kështu që mbizotërojnë dy stinët e tjera.

(Harta të Rusisë në faqet 116 dhe 167)

[Figurat]

Kremlini

Mali Elbrus, Kabardino-Balkaria

Ariu i murrmë, gadishulli i Kamçatkës

[Kutia në faqet 92, 93]

Një betejë për të fituar mendjen dhe zemrën

Qeveria sovjetike nuk donte t’i shfaroste Dëshmitarët. Synimi ishte t’i kthente në ideologjinë sovjetike, duke i bindur ose duke i detyruar. Për të arritur këtë, qeveria përdori KGB-në, një agjenci zbulimi e sigurimi të brendshëm. Më poshtë shpjegohen disa nga metodat e KGB-së.

Kontrollet: Shtëpitë e Dëshmitarëve kontrolloheshin në çdo kohë, edhe natën. Disa familje u detyruan të ndërronin vendbanim për shkak të kontrolleve të shpeshta.

Vëzhgimi: Përgjoheshin telefonat, kontrollohej posta dhe vendoseshin mikrofona përgjimi në shtëpitë e vëllezërve.

Gjobat dhe ndërprerjet e mbledhjeve: Autoritetet përpiqeshin të gjenin vendet ku mbaheshin mbledhjet dhe u vinin gjoba të gjithë të pranishmëve. Shpesh gjoba ishte sa gjysma e pagës mujore ose më shumë.

Ryshfetet dhe shantazhet: Disa Dëshmitarëve, KGB-ja u premtonte shtëpi në qendër të Moskës dhe makina, nëse do të bashkëpunonin. Kishte plot raste kur vëllezërve u thoshin se, po të mos bashkëpunonin, do të dënoheshin me shumë vjet burg nëpër kampet e punës.

Propaganda: Në filma, në televizor e në gazeta Dëshmitarët paraqiteshin si njerëz të rrezikshëm për shoqërinë. Nëpër burgje e kampe pune mbaheshin fjalime ku denoncoheshin vëllezërit sikur e përdornin Biblën si maskim për propagandë politike. Propaganda e shtetit solli si pasojë diskriminimin: mësuesit u vinin nota më të ulëta nxënësve Dëshmitarë, kurse punëdhënësit nuk u jepnin vëllezërve kompensime ose pushimet që u takonin me të drejtë.

Infiltrimi: Agjentë të KGB-së shtireshin sikur kishin interes për mesazhin e Mbretërisë, studionin Biblën dhe pagëzoheshin. Disa arrinin të kishin edhe përgjegjësi në organizatë. Synimi i tyre ishte të ndalnin veprën e predikimit, duke shkaktuar dyshime dhe përçarje mes Dëshmitarëve.

Internimi: Dëshmitarët i dërgonin në zona të largëta e të izoluara të vendit. Atje duhej ta siguronin bukën e gojës duke bërë punë të rënda 12 orë në ditë. Në dimër luftonin me të ftohtin e hidhur; në verë me mizat e zekthat.

Konfiskimi dhe ndarja e familjeve: U konfiskonin pronat, shtëpitë dhe plaçkat. Nganjëherë u merrnin edhe fëmijët.

Talljet dhe rrahjet: Shumë Dëshmitarë, qoftë burra, qoftë gra, i shanin e i tallnin, madje disa i rrihnin mizorisht.

Burgimi: Synimi ishte t’i detyronin Dëshmitarët të hiqnin dorë nga besimi ose t’i veçonin nga vëllezërit e tjerë.

Kampet e punës: Në kampe të tilla, Dëshmitarët ishin gjithnjë buzë sfilitjes së plotë fizike. Shpesh u duhej të gërmonin e të nxirrnin nga toka cungje pemësh të stërmëdha. Gjithashtu, vëllezërit punonin në miniera qymyrguri, ndërtonin rrugë dhe linja hekurudhore. Punëtorët e kampeve jetonin në baraka, larg familjeve.

[Kutia dhe figura në faqet 96, 97]

Më dënuan dy herë me vdekje

PJOTËR KRIVOKULSKI

LINDUR: 1922

PAGËZUAR: 1956

TË DHËNA: Para se të mësonte të vërtetën, kishte studiuar në një seminar fetar. Kaloi 22 vjet në burgje e në kampe. Vdiq më 1998.

NË VITIN 1940, Dëshmitarët polakë nisën të predikonin në zonën ku jetoja unë, në Ukrainë. Tek unë erdhi një vëlla i mirosur që quhej Kërnji. Folëm gjithë natën dhe u binda se ajo që më tha, ishte e vërteta për Perëndinë.

Në 1942-shin ushtria gjermane përparoi dhe forcat sovjetike u tërhoqën nga zona ku jetoja unë. Në atë kohë, mbretëronte anarkia. Nacionalistët ukrainas donin me çdo kusht që të bashkohesha me ta për të luftuar kundër gjermanëve dhe sovjetikëve. Meqë nuk pranova, më rrahën derisa rashë pa ndjenja dhe më hodhën në rrugë. Po atë natë, erdhën e më kërkuan, dhe më çuan në një vend ku kryenin ekzekutimet në masë. Atje më pyetën përsëri nëse do t’i shërbeja popullit ukrainas. U thashë me vendosmëri e me zë të lartë: «Do t’i shërbej vetëm Perëndisë Jehova!» Atëherë më dënuan me vdekje. Kur njëri nga ushtarët dha urdhër të më pushkatonin, një tjetër kapi pushkën e atij që do të më qëllonte dhe bërtiti: «Mos e qëlloni! Mund të na duhet!» Tërë furi, një tjetër zuri të më rrihte. M’u betua se do të më vriste me duart e tij brenda asaj jave, por ja që disa ditë më vonë vranë atë.

Në mars të vitit 1944, ushtria sovjetike u rikthye në zonën tonë dhe ushtarët morën me vete të gjithë burrat, ndër ta edhe mua. Kësaj here, i duheshin luftëtarë ushtrisë sovjetike. Kur na mblodhën të gjithë bashkë, takova Kërnjin, vëllanë që më kishte dhënë të vërtetën. Atje kishte edhe 70 Dëshmitarë të tjerë. U mblodhëm tok dhe nisëm t’i jepnim zemër njëri-tjetrit. Një oficer erdhi e na pyeti pse rrinim veçmas të tjerëve. Kërnji i shpjegoi se, si të krishterë, nuk mund të merrnim armët e të luftonim. Menjëherë ata e morën me vete dhe na thanë se do ta pushkatonin. Në fakt, nuk e pamë më kurrë. Pastaj nisën të na kërcënonin se do të na vritnin të gjithëve siç vranë atë, dhe një nga një na pyetën nëse do të hynim në ushtri. Kur erdhi radha ime dhe refuzova, tre ushtarë dhe një oficer më çuan në pyll. Oficeri lexoi dënimin që kishte dhënë gjykata ushtarake: «Ekzekutohet nga skuadra e pushkatimit, sepse nuk pranon të veshë uniformën dhe të marrë armët.» Iu luta me zjarr Jehovait, mirëpo pastaj nisa të pyesja veten a do ta pranonte ai shërbimin që i kisha bërë, sepse nuk kisha pasur mundësi të pagëzohesha. Papritur, dëgjova urdhrin: «Zjarr mbi armikun!» Por ushtarët qëlluan në ajër. Pastaj oficeri nisi të më rrihte. Më dënuan me dhjetë vjet burg dhe përfundova në një kamp pune në provincën e Gorkit, në qendër të Rusisë.

Më liruan në vitin 1956. Pak më vonë u martova me Reginën, një Dëshmitare besnike. Kishim vetëm gjashtë muaj martuar kur më arrestuan papritur dhe më dënuan me dhjetë vjet burg.

Pasi më liruan më në fund, një zyrtar më tha: «S’ka vend për ty në tokën sovjetike!» E kishte gabim. Sa e mrekullueshme është të dish se toka i përket Jehovait dhe ai e përcakton se kush do të jetojë përgjithmonë në të!—Psal. 37:18.

[Kutia dhe figura në faqet 104, 105]

«A ka ndonjë Dëshmitare të Jehovait mes jush?»

JEVGENIA RËBAKU

LINDUR: 1928

PAGËZUAR: 1946

TË DHËNA: Lindi në Ukrainë. Të vërtetën e mësoi në Gjermani, ku e kishin çuar si të burgosur lufte. Vazhdon t’i shërbejë me besnikëri Jehovait në Rusi.

NJË të diel, nga dritarja dëgjova ca zëra melodiozë që këndonin. Ishin Dëshmitarët e Jehovait. Pas pak fillova të ndiqja mbledhjet e tyre. Nuk arrija të kuptoja si kishte mundësi që gjermanët i përndiqnin bashkëkombësit për shkak të besimit. Shokët e shoqet e mia ukrainase, me të cilët më kishin sjellë në Gjermani, filluan të më urrenin, sepse shoqërohesha me gjermanë. Një herë, njëra prej tyre më bërtiti dhe pastaj më dha një shpullë në fytyrë. Ato që dikur i kisha shoqe, nisën të qeshnin.

U ktheva në Ukrainë në vitin 1945, pasi u lirova. Gjyshi më tha: «Mamaja jote ka luajtur mendsh. I ka hedhur të gjitha ikonat dhe tani ka një Zot tjetër.» Kur mbeta vetëm me mamanë, ajo nxori një Bibël dhe më lexoi se Perëndia e urren idhujtarinë. Pastaj më tha se po ndiqte mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Menjëherë iu hodha në qafë dhe me lot në sy i thashë: «Nënë e dashur, edhe unë jam Dëshmitare e Jehovait!» Të dyja qamë nga gëzimi.

Mamaja ishte shumë e zellshme në shërbim. Meqë pothuajse të gjithë vëllezërit ishin të burgosur nëpër kampe, ajo u emërua shërbëtore e grupit. Natyrisht që zelli i saj m’u ngjit edhe mua.

Në vitin 1950 më arrestuan për veprimtari fetare dhe më dënuan me dhjetë vjet burgim në kamp. Ishim pesë motra që na çuan në qytezën Usolje-Sibirskoje, në Siberi. Që nga prilli i vitit 1951, punuam për ndërtimin e hekurudhës. Mbanim mbi supe traversat e rënda të hekurudhës, dy veta një traversë. Gjithashtu, transportonim me krahë dhe vendosnim shina metali të gjata 10 metra, që peshonin 320 kilogramë secila. Kjo na lodhte shumë. Një ditë, teksa ktheheshim në shtëpi të rraskapitura, pranë nesh ndaloi një tren plot me të burgosur. Njëri prej tyre doli në dritare dhe pyeti: «A ka ndonjë Dëshmitare të Jehovait mes jush?» Sikur na e hoqi njeri me dorë lodhjen. «Jemi pesë motra!»—thirrëm. Të burgosurit ishin motrat e vëllezërit tanë të dashur nga Ukraina, që po i internonin. Në kohën që treni kishte ndaluar, na treguan tërë emocion ç’kishte ndodhur dhe si i kishin internuar. Pastaj fëmijët na recituan poezi që i kishin shkruar vëllezërit. Nuk na shqetësoi njeri, as ushtarët, kështu që patëm mundësi të rrinim pak me njëri-tjetrin dhe të merrnim zemër.

Më vonë na transferuan nga Usolje-Sibirskoja në një kamp të madh pranë Angarskut. Atje ishin 22 motra, të cilat kishin organizuar çdo gjë, duke përfshirë edhe territore për të predikuar. Kjo na ndihmoi të qëndronim të forta frymësisht.

[Kutia dhe figura në faqet 108, 109]

Përfundova disa herë në «këndin e pestë»

NIKOLAJ KALIBABA

LINDUR: 1935

PAGËZUAR: 1957

TË DHËNA: Në vitin 1949 e internuan në provincën Kurgan, Siberi.

NA DUKEJ sikur KGB-ja gjurmonte çdo Dëshmitar në Bashkimin Sovjetik. Jeta ishte e vështirë, por Jehovai na dha mençuri. Në prill të vitit 1959, më arrestuan për veprimtari fetare. Nuk doja të tradhtoja asnjë nga vëllezërit, prandaj vendosa të mohoja gjithçka. Hetuesi më tregoi disa fotografi të vëllezërve dhe më kërkoi emrat e tyre. I thashë se nuk njihja asnjë me emër. Pastaj më tregoi fotografinë e tim vëllai dhe më pyeti: «A është vëllai yt ky?» «Nuk e di në është ai apo jo. S’di ç’të them»,—iu përgjigja. Më tregoi edhe një fotografi timen e më pyeti: «A je ti këtu?» «Ngjan me mua,—i thashë,—por s’e them dot me siguri jam unë apo jo.»

Kështu, më mbyllën në qeli për dy muaj. Çdo mëngjes falënderoja Jehovain për dashamirësinë e tij. Pastaj kujtoja një shkrim nga Bibla dhe e diskutoja me veten. Në fund këndoja një këngë Mbretërie, por në heshtje, sepse ishte e ndaluar të këndoje në qeli. Më pas, shqyrtoja me mendje një argument biblik.

Në kampin ku më dërguan, kishte shumë Dëshmitarë. Kushtet ishin të vështira dhe nuk na lejonin të flitnim me njëri-tjetrin. Shpeshherë vëllezërit i dërgonin në krahun e izolimit, ose siç e quanin ata, «këndi i pestë». Unë përfundova disa herë në «këndin e pestë». Atje, të burgosurve u jepej vetëm 200 gramë bukë në ditë. Flija mbi një dërrasë të mbuluar me një shtresë të trashë hekuri. Dritarja i kishte xhamat të thyer dhe kishte një mizëri mushkonjash. Si jastëk përdorja çizmet.

Normalisht çdo vëlla e gjente vetë një vend ku të fshihte literaturën. Unë vendosa ta vija brenda fshesës që përdorja për dyshemenë. Kur bëheshin kontrolle, përgjegjësit as që i shkonte mendja të kontrollonte fshesën, edhe pse kërkonte me kujdes në çdo cep. Literaturën e fshihnim edhe nëpër mure. Në kamp mësova të besoj tek organizata e Jehovait. Jehovai sheh çdo gjë dhe di çdo gjë. Ai ndihmon secilin nga shërbëtorët e tij besnikë. Mua më ndihmoi gjithmonë.

Edhe para se të na internonin si familje në vitin 1949, im atë thoshte se Jehovai mund t’i manovronte gjërat që edhe në Siberinë e largët, njerëzit të dëgjonin të vërtetën. ‘Po si do ta bëjë këtë?’—mendonim ne. Në fakt, vetë autoritetet u dhanë mundësi mijëra njerëzve të sinqertë në Siberi që të arrinin të njihnin të vërtetën.

Ndërkohë që në vend po ndodhnin ndryshime të mëdha, vëllezërit përfituan menjëherë nga mundësia për të udhëtuar deri në Poloni, për kongresin ndërkombëtar të vitit 1989. Ç’ditë të paharrueshme që ishin! Pas lutjes së fundit, vazhduam të qëndronim në këmbë e të duartrokitnim për një kohë të gjatë. Ishte vërtet emocionuese! Kishim duruar për shumë vjet vështirësi e probleme të ndryshme, por rrallë na shihje lot në sy. Ama, kur u ndamë nga vëllezërit tanë të dashur në Poloni, të gjithë ishim me lot në sy dhe asnjëri s’mund t’i ndalte ato dhe as donte t’i ndalte.

[Kutia dhe figura në faqet 112, 113]

Çdo gjë për hir të lajmit të mirë

PJOTËR PARCEJI

LINDUR: 1926

PAGËZUAR: 1946

TË DHËNA: I takoi Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1943. Ka qenë në dy kampe naziste përqendrimi dhe në një kamp pune në Rusi. Më vonë shërbeu si mbikëqyrës qarkor gjatë ndalimit.

MËSIMET themelore të Biblës i mora në Gjermaninë naziste dhe menjëherë nisa të flitja për to me të njohurit e mi. Shumë prej tyre u bashkuan me mua në adhurimin e pastër. Në vitin 1943, një prift më denoncoi te Gestapoja, e cila më arrestoi dhe më akuzoi se nxitja frymën e rebelimit te të rinjtë. Kështu përfundova në kampin e shfarosjes në Majdanek të Polonisë. E vlerësoja jashtë mase shoqërinë me vëllezërit dhe motrat. Në kamp, u bëmë më të vendosur për të predikuar. Shumë të burgosur tregonin interes për të vërtetën, dhe ne kërkonim gjithnjë mënyra që të dëshmonim për Mbretërinë e Jehovait. Një herë, më dënuan me 25 goditje me një kamxhik me dy rripa. Në fund u ngrita dhe thashë me zë të lartë në gjermanisht: «Danke shon!» («Faleminderit!») Një nga gjermanët tha: «Pa shih sa i fortë qenka ky djalosh! Ne e rrahim, kurse ai na falënderon!» Kurrizin e kisha të mavijosur nga kamxhiku.

Bënim punë të rëndë dhe fuqitë na kishin lënë krejt. Ata që vdisnin, i digjnin në kremator, i cili nuk pushonte natë e ditë. Prisja që shpejt të më vinte radha edhe mua. Më dukej sikur nuk do të dilja kurrë gjallë nga ai kamp, por shpëtova kur u dëmtova në punë. Të gjithë ata që ishin pak a shumë të fortë, i detyronin të punonin, kurse pjesën tjetër e dërgonin në kampe të tjera. Pas dy javësh më dërguan në kampin e përqendrimit në Ravensbruk.

Aty nga fundi i luftës, qarkullonin zëra se gjermanët do të na pushkatonin të gjithëve. Pastaj morëm vesh se rojat e kampit ia kishin mbathur. Kur kuptuan se ishin të lirë, të burgosurit u shpërndanë menjëherë. Unë përfundova në Austri, ku më kërkuan të hyja në ushtri. Refuzova prerazi, duke thënë se kisha qenë në kampet e përqendrimit për shkak të bindjeve të mia fetare, dhe më lanë të kthehesha në vendlindje, në Ukrainë, e cila ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1949 u martova me Ekaterinën, që u bë shoqja ime besnike e jetës. Më 1958 më arrestuan dhe më dërguan në një kamp pune në Mordvini.

Pasi u lirova, ndihmova për shtypjen e literaturës biblike. Një herë, në vitin 1986, kishim punuar gjithë natën për të shtypur 1.200 faqe. I kishim hapur në dysheme, mbi krevate, kudo që të mundnim. Papritur, ia behu një agjent i KGB-së, që tha se «donte të shkëmbente dy fjalë». Ekaterina e pyeti ku donte të rrinim, pa menduar se ai mund të thoshte që të hynim në shtëpi. U lehtësuam kur na tha se donte të fliste aty përjashta, ku kishim kuzhinën. Po të kishte hyrë në shtëpi, do të na kishte arrestuar.

Edhe sot e kësaj dite, përpiqemi të jetojmë në përputhje me kushtimin tonë e të bëjmë çdo gjë për hir të lajmit të mirë. Të 6 fëmijët tanë, 23 nipërit e mbesat dhe 2 stërmbesat po i shërbejnë me besnikëri Jehovait. I jemi mirënjohës atij që fëmijët tanë vazhdojnë të ecin në të vërtetën.

[Kutia në faqen 122]

Qelitë e izolimit

Në sistemin ndëshkimor sovjetik, izolimi ishte formë e zakonshme ndëshkimi për shkelje të tilla si mosdorëzimi vullnetarisht i literaturës fetare. Të burgosurve u jepnin rroba të rreckosura dhe i izolonin nëpër qeli.

Një qeli tipike ishte e vogël, rreth tre metra katrorë. Ishte e errët, me lagështi, e pistë dhe, sidomos në dimër, tmerrësisht e ftohtë. Muret prej betoni ishin tërë gunga. Në murin me trashësi një metër kishte vetëm një dritare të vogël me xhama të thyer. Një llambë elektrike bënte pak dritë, por ishte vendosur në një fole në mur dhe ishte mbuluar me një pllakë hekuri me vrima të vogla. Përveç dyshemesë prej betoni, e vetmja gjë tjetër ku mund të uleshe, ishte një zgjatim i vogël i murit, që ngjante si stol. Por s’mund të rrije ulur aty për shumë kohë, pasi muskujt e këmbëve dhe të shpinës lodheshin shpejt e të dhimbnin, dhe muri me gunga ta dërrmonte kurrizin.

Për të fjetur, natën rojat futnin në qeli një kuti të cekët prej druri, e cila ishte e përforcuar me shirita hekuri. Po të shtriheshe mbi kuti, ftohtësia e hekurit të mbante zgjuar. Batanije nuk kishte. Zakonisht, të burgosurve në izolim u jepej 300 gramë bukë në ditë dhe një supë e ujshme çdo tri ditë.

Nevojtorja, që ishte pak a shumë një tub në dysheme, lëshonte një erë të keqe sa më s’bëhej. Në disa qeli kishte ventilatorë që e përhapnin këtë erë nga tubat e ujërave të zeza brenda në qeli. Nganjëherë, gardianët e ndiznin enkas ventilatorin, që ta demoralizonin të burgosurin dhe ta ndëshkonin më tej.

[Kutia dhe figura në faqet 124, 125]

Kampi numër 1 në Mordvini

Nga viti 1959 deri më 1966, më shumë se 450 vëllezër qëndruan për njëfarë kohe në këtë kamp, i cili mbante gjithsej 600 të burgosur. Në zonën e Mordvinisë kishte 19 kampe të tilla pune të detyruar. Ky kamp ishte rrethuar me një gardh tre metra të lartë, me tela me gjemba që kishin rrymë elektrike. Pastaj, gardhi rrethohej me 13 gardhe të tjera telash me gjemba. Dheu përqark kampit lërohej vazhdimisht, me qëllim që kush arratisej, të linte gjurmë.

Duke i izoluar krejtësisht Dëshmitarët nga bota e jashtme, autoritetet u përpoqën t’i shtypnin fizikisht dhe psikologjikisht. Gjithsesi, vëllezërit arritën të organizonin veprimtari teokratike në kamp.

Vetë kampi u kthye në një qark me mbikëqyrësin e vet qarkor. Qarku përbëhej nga katër kongregacione, secili me nga 28 grupe studimi libri. Që të mbeteshin të fortë frymësisht, vëllezërit vendosën të mbanin shtatë mbledhje në javë. Fillimisht qarkullonte vetëm një Bibël, prandaj programuan që ta lexonin si kongregacion. Sapo iu dha mundësia, vëllezërit nisën ta shumëfishonin Biblën. Çdo libër biblik kopjohej me dorë në një fletore, kurse origjinali mbahej fshehur me kujdes në një vend të sigurt. Kështu vëllezërit mund të ndiqnin programin e leximit të Biblës. U organizua edhe Studimi i Kullës së Rojës. Motrat që vinin për të vizituar burrat e tyre, sillnin në kamp kopje në miniaturë të revistave, duke i fshehur në gojë, te takat e këpucëve ose edhe duke thurur fletë të holla me gërshetat. Shumë vëllezër përfunduan në izolim nga 1 deri në 15 ditë, sepse i zbuluan duke kopjuar literaturën.

Krahu i izolimit ishte vend i veçuar, larg nga të burgosurit e tjerë. Gardianët bënin kujdes që Dëshmitarët të mos lexonin gjë kur ishin atje. Gjithsesi, vëllezërit e tjerë gjetën disa mënyra për t’u dhënë atyre ushqim frymor. Një vëlla hipte në çatinë e një ndërtese me pamje nga oborri ku nxirrnin për të shëtitur të burgosurit që ishin në izolim. Kishte përgatitur copa letre të vogla me shkrime biblike dhe i kishte bërë toptha me diametër 1 centimetër. E vinte një topth në një pipëz të gjatë dhe e frynte në drejtim të Dëshmitarit që po ecte në oborr. Dëshmitari përkulej sikur donte të lidhte këpucët dhe arrinte ta merrte ushqimin frymor pa u diktuar.

Për mëngjes e për darkë, të burgosurve u jepej qull i përzier me pak vaj pambuku. Dreka përbëhej nga një pjatë kryesore e thjeshtë dhe një supë e ujshme me rrepa a me diçka tjetër. Buka ngjante si shajaku që përdorej për të bërë çizmet! Ivan Mikitkovi sjell ndër mend: «Kalova shtatë vjet në këtë kamp dhe pothuajse gjithnjë kishim dhembje stomaku të forta.»

Vëllezërit e mbajtën të fortë besimin. Izolimi nuk mundi t’ua prishte ekuilibrin frymor shërbëtorëve të Perëndisë, të cilët vazhduan të tregonin besim e dashuri për Perëndinë e për njerëzit e tjerë.​​—⁠Mat. 22:​37⁠⁠-⁠⁠39.

[Kutia dhe figura në faqet 131, 132]

Më pyeti: «Pse qan?»

POLINA GUTSHMIDI

LINDUR: 1922

PAGËZUAR: 1962

TË DHËNA: Kur ishte në burg, Polinës i ra në sy sjellja e mirë e Dëshmitarëve të Jehovait. Më vonë u martua me Viktor Gutshmidin.

UNË i besoja idealet e komunizmit dhe i mbështetja me besnikëri. Gjithsesi, komunistët më arrestuan në maj të vitit 1944 dhe më dërguan në një kamp pune në Vorkutë. Për tre vjet, askush nuk më tha pse më kishin arrestuar. Fillimisht mendova se do të ishte bërë ndonjë gabim, prandaj prita të më lironin. Por, në vend të kësaj, më dënuan me dhjetë vjet burgim në kamp, sepse gjoja kisha bërë deklarata antisovjetike.

Meqë kisha përvojë në fushën e mjekësisë, gjatë viteve të para të burgimit punova në spitalin e kampit. Në vitin 1949, më transferuan në Intë, në një kamp për të burgosurit politikë. Regjimi i këtij kampi ishte shumë më i rreptë. Mes të burgosurve mbizotëronte urrejtja, ashpërsia, imoraliteti, apatia dhe dëshpërimi. Kur nisën të qarkullonin zëra se të gjithë të burgosurit në kamp do t’i pushkatonin ose do t’i dënonin me burgim të përjetshëm, kjo vetëm sa e keqësoi situatën tashmë të tendosur. Nga ky ankth i madh, disa të burgosur u çmendën. Të gjithë dyshonin për njëri-tjetrin dhe urreheshin, sepse brenda kampit kishte shumë informatorë. Njerëzit izoloheshin dhe mundoheshin të përshtateshin sa më mirë të mundnin. Mbizotëronin egoizmi dhe lakmia.

Por një grup me 40 të burgosura ishte krejt ndryshe nga pjesa tjetër. Ato rrinin gjithnjë bashkë dhe, për çudi, ishin tërheqëse, të pastra, të dashura dhe miqësore. Kryesisht ishin vajza të reja, disa madje të vogla. Mora vesh se ishin fetare, Dëshmitare të Jehovait. Disa të burgosur tregoheshin të këqij dhe armiqësorë me to, kurse të tjerë e admironin sjelljen e tyre, sidomos dashurinë që kishin për njëra-tjetrën. Për shembull, kur sëmurej njëra nga Dëshmitaret, të tjerat i rrinin me radhë te koka. Kjo ishte vërtet e pazakontë në kamp.

Më bëri përshtypje që, ndonëse vinin nga shumë kombësi, ato ishin kaq të dashura me njëra-tjetrën. Në atë kohë, më ishte mërzitur jeta. Një herë ndihesha përtokë dhe u ula diku e fillova të qaja. Një nga ato vajza erdhi e më pyeti: «Polina, pse qan?

—Nuk dua të jetoj,—ia ktheva.

Atëherë vajza, që quhej Lidja Njikulina, nisi të më ngushëllonte. Më foli për qëllimin e jetës, për zgjidhjen që do t’u jepte Perëndia gjithë problemeve të njerëzimit e për shumë gjëra të tjera. U lirova në korrik të vitit 1954. Tashmë kisha mësuar shumë gjëra nga Dëshmitarët e Jehovait dhe me kënaqësi u bëra edhe unë një prej tyre.

[Kutia dhe figura në faqet 140, 141]

Nga inxhinier ushtarak u bëra predikues i lajmit të mirë

VLADIMIR NIKOLAJEVSKI

LINDUR: 1907

PAGËZUAR: 1955

TË DHËNA: E transferuan 256 herë në kampe e burgje të ndryshme. Vdiq në vitin 1999.

NË VITIN 1932 mbarova Institutin e Inxhinierisë Elektrike në Moskë. Deri në 1941-shin, punova si inxhinier dhe kryearkitekt në një institut në Moskë. Projektova disa pajisje të veçanta që përdoreshin në luftanije. Gjatë luftës më arrestuan dhe së fundi më dërguan në një kamp në pjesën qendrore të Kazakistanit, në fshatin Kengir.

Atje më tërhoqi vëmendjen një grup Dëshmitarësh të Jehovait. Ishin ndryshe nga të burgosurit e tjerë. Gjithsej në kamp kishte rreth 14.000 të burgosur, të ndarë në tre sektorë, dhe Dëshmitarë ishin 80. Ndryshimi mes Dëshmitarëve dhe pjesës tjetër, u bë i qartë sidomos gjatë kryengritjes së Kengirit, në vitin 1954. Dëshmitarët e Jehovait s’morën pjesë në kryengritje, madje nuk pranuan as të përgatiteshin për t’u mbrojtur. Treguan një qetësi mahnitëse dhe u përpoqën t’u shpjegonin të burgosurve të tjerë qëndrimin e tyre. Më la kaq shumë mbresa sjellja e tyre, saqë i pyeta për bindjet fetare. Ca kohë më vonë, ia kushtova jetën Jehovait. Në kamp, besimi i Dëshmitarëve u sprovua sidomos kur kryengritja u shtyp nga forcat e armatosura, që mësynë me tanke.

Një herë, më thanë se kishin ardhur dy gjeneralë nga Moska posaçërisht për t’u takuar me mua. Njëri prej tyre më tha: «Vladimir, mjaft më me këtë që po bën. Ti je inxhinier ushtarak dhe arkitekt. Vendi ka nevojë për ty. Ne duam që të kthehesh në punën që kishe më parë. Si rri me këta njerëz të paarsimuar?»

«S’kam asgjë për të cilën të mburrem,—ua ktheva.—Çdo talent që ka njeriu, vjen nga Perëndia. Kush i bindet atij, do të gëzojë nën Mbretërimin Mijëvjeçar të Krishtit, ku njerëzit do të bëhen të përsosur dhe do të arsimohen në kuptimin e vërtetë të fjalës.»

Isha shumë i kënaqur që m’u dha rasti të flitja për të vërtetën me ata gjeneralë. M’u lutën disa herë me radhë që të rikthehesha në punën e mëparshme. Mirëpo, unë u kërkova të mos më bezdisnin më, por të më linin atje në kamp me vëllezërit e mi në besim, të cilët i doja shumë.

Në vitin 1955 ma anuluan dënimin. Nisa punë në një institucion arkitekturor që nuk kishte lidhje me ushtrinë. Falë përpjekjeve për të mbjellë me bollëk farërat e së vërtetës, fillova një studim biblik me familjen e një inxhinieri. S’kaloi shumë dhe ai me familjen u bënë Dëshmitarë të Jehovait dhe predikues të zellshëm. Mirëpo KGB-ja më mbante nën vëzhgim, dhe gjatë një kontrolli më gjetën në shtëpi literaturë biblike. Gjykata më dënoi me 25 vjet burg dhe më dërguan në një kamp pune siberian, në qytetin e Krasnojarskut. Më transferuan shumë e shumë herë nëpër kampe e burgje të ndryshme. Një herë, llogarita se kisha bërë 256 transferime gjatë jetës.

[Kutia dhe figura në faqet 147, 148]

Na duheshin valixhe të mëdha

NADJEZHDA JAROSHI

LINDUR: 1926

PAGËZUAR: 1957

TË DHËNA: E mori të vërtetën në kampin e përqendrimit në Ravensbruk. Kur u kthye në Bashkimin Sovjetik, punoi për shumë vjet si korriere literature. Tani jeton në Kaukazi.

KUR më çuan në kampin e përqendrimit në vitin 1943, s’doja të jetoja më. Në atë gjendje isha derisa takova Dëshmitarët e Jehovait. Kur u ktheva në shtëpi, në Ukrainë, isha e lumtur sepse kisha një shpresë të fortë për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore. Nisa t’u shkruaja letra motrave të tjera Dëshmitare, që të qëndroja e fortë frymësisht. Por, letrat m’i merrte KGB-ja dhe s’kaloi shumë e më dënuan me 15 vjet në një kamp pune.

Në nëntor të vitit 1947, më dërguan në një kamp në Kolimë, ku kreva dënimin pa takuar asnjë Dëshmitare tjetër. Jehovai më ndihmoi të predikoja. Jevdokia ishte një nga të burgosurat që tregoi interes për Biblën. U bëmë shoqe dhe mbështetëm njëra-tjetrën frymësisht dhe emocionalisht. Kisha fare pak njohuri për Biblën, por ajo që kisha mësuar, më mjaftonte për të mbajtur integritetin ndaj Jehovait.

Në fillim të vitit 1957, një vit pasi isha liruar, shkova të banoja në Sujetihë, në provincën e Irkutskut. Vëllezërit dhe motrat më mikpritën përzemërsisht. Më ndihmuan të gjeja punë e shtëpi. Por, më tepër u kënaqa se më kërkuan të merrja pjesë në veprimtaritë teokratike. Meqë ende s’isha pagëzuar, më pagëzuan në një vaskë të madhe. Tani isha gati të mbaja përgjegjësi në organizatën e Jehovait. Ndër to ishte shpërndarja e literaturës biblike dhe e letrave të ndryshme.

Literatura duhej shpërndarë në gjithë Siberinë, Rusinë Qendrore dhe Ukrainën Perëndimore. Çdo gjë duhej planifikuar me kujdes që më përpara. Për të çuar literaturën në Ukrainën Perëndimore, na duheshin valixhe të mëdha. Një herë, në stacionin hekurudhor «Jarosllav» në Moskë, m’u prish dryni i një valixheje dhe literatura u shpërnda përtokë. Pa humbur toruan, avash-avash nisa të mblidhja literaturën e ndërkohë lutesha. Nuk e di se si, por arrita t’i mblidhja të gjitha gjërat bashkë dhe u largova me shpejtësi nga stacioni. Shyqyr që askush nuk ma vuri veshin.

Një herë tjetër, kisha marrë dy valixhe plot me literaturë nga Ukraina dhe do t’i çoja në Siberi, duke kaluar nga Moska. Një valixhe e vura poshtë stolit më të ulët të vagonit. Pas pak, në vagon hynë dy burra, që ishin agjentë të KGB-së. Ndër të tjera, u folën pasagjerëve për Dëshmitarët, që sipas tyre «përhapnin literaturë dhe merreshin me agjitacion antisovjetik». U përpoqa të ruaja qetësinë, që të mos i bëja të dyshonin, sidomos ngaqë ishin ulur mbi literaturën!

Isha gjithnjë e përgatitur për arrestimin, pavarësisht nëse shpërndaja literaturë apo përmbushja ndonjë caktim tjetër. Në shumë situata mësova të kisha besim të plotë te Jehovai në çdo gjë.

[Kutia dhe figura në faqet 158, 159]

«Ju jeni krejt ndryshe nga ç’mendoja»

ZINAJDA KOZIREVA

LINDUR: 1919

PAGËZUAR: 1958

TË DHËNA: Kaloi shumë vjet në kampe të ndryshme. Vdiq në vitin 2002.

QË KUR isha fëmijë, doja me gjithë zemër t’i shërbeja Perëndisë. Në vitin 1942, duke menduar për të mirën time, një shoqe më çoi në kishën e saj ortodokse, që «të mos përfundoja në ferr», siç më tha më vonë. Mirëpo, kur mori vesh se isha osetiane, prifti nuk donte të më pagëzonte. Pastaj ndryshoi mendje dhe më pagëzoi, sepse shoqja ime i dha ca para. Ngaqë kërkoja të vërtetën, u shoqërova me adventistë, pentekostalë dhe baptistë. Për shkak të kësaj, autoritetet më dënuan me punë të detyruar. Në kamp u takova me Dëshmitarët dhe e kuptova menjëherë se ata kishin të vërtetën. Pasi u lirova në vitin 1952, u ktheva në shtëpi dhe nisa të predikoja lajmin e mirë.

Një mëngjes herët në dhjetorin e 1958-s, dëgjova një të trokitur të fortë në derë. Ushtarët hynë me forcë brenda dhe nisën të kontrollonin, ndërsa dy prej tyre më ruanin në një cep. Im atë u zgjua dhe u frikësua shumë për familjen, sidomos për djemtë. Kisha pesë vëllezër, dhe isha vajzë e vetme. Kur pa se si ushtarët kontrollonin dhomë më dhomë, si dhe në papafingo, babai e kuptoi se ishte për shkak të fesë sime. Rrëmbeu një armë dhe bërtiti: «Ti, spiune amerikane!» U përpoq të më qëllonte, por ushtarët arritën t’ia hiqnin armën nga duart. S’arrija ta besoja që im atë mund të më kishte vrarë. Në fund të kontrollit, më morën me vete në një kamion të mbuluar, por të paktën isha gjallë. Më dënuan me dhjetë vjet burg për veprimtari fetare.

Më liruan në dhjetor të vitit 1965, para se të mbaroja dënimin. Prindërit u gëzuan që më panë, por babai nuk donte që të qëndroja në shtëpi. Për habinë time, punonjësit e KGB-së e detyruan të më regjistronte në shtëpinë e tij e madje më ndihmuan të gjeja punë. Fillimisht babai ishte armiqësor si më parë, por pastaj nisi të ndryshonte qëndrim. Takonte vëllezërit dhe motrat në besim që më vinin për vizitë në shtëpi. Vëllezërit e mi nuk punonin, ishin pijanecë dhe agresivë. Një herë, babai më tha: «E shoh se ju jeni krejt ndryshe nga ç’mendoja. Dua t’ju lë një dhomë ku të mbani mbledhjet.» S’u besoja dot veshëve! Babai më la një dhomë të madhe dhe më tha: «Mos ki frikë. Ndërkohë që ju do të bëni mbledhjet, unë do të rri rojë, kështu që s’ka për të hyrë njeri.» Gjërat shkuan tamam ashtu, sepse të gjithë e njihnin karakterin e rreptë të babait tim.

Kështu, në shtëpinë time dhe me mbrojtjen e Jehovait e të tim eti, mbanim mbledhjet e krishtere. Bëheshim 30 veta gjithsej, sepse kaq Dëshmitarë kishte në atë kohë në Oseti. Më ngrohej zemra kur shihja nga dritarja prindërit e mi të ulur jashtë në rrugë, duke bërë rojë. Sot në Oseti ka rreth 2.600 lajmëtarë të zellshëm që shpallin Mbretërinë e Jehovait.—Isa. 60:22.

[Kutia dhe figura në faqet 162, 163]

Mbeta i vetmi Dëshmitar në kamp

KONSTANTIN SKRIPÇUKU

LINDUR: 1922

PAGËZUAR: 1956

TË DHËNA: E mori të vërtetën në vitin 1953 në një kamp pune dhe u pagëzua atje, më 1956. Kaloi 25 vjet rresht në burg si Dëshmitar i Jehovait. Vdiq në vitin 2003.

NË FILLIM të 1953-shit, në një qeli takova Vasilin, një Dëshmitar. Ai më tha se ishte në burg ngaqë besonte te Perëndia. S’e kuptoja pse do ta futnin dikë në burg për bindjet fetare. Kjo më mundonte kaq shumë, saqë atë natë nuk më zuri gjumi. Ditën tjetër, ai ma shpjegoi arsyen. Pak nga pak u binda se Bibla është një libër nga Perëndia.

U pagëzova në vitin 1956. Në fund të atij viti, përgjegjësit bënë kontroll dhe zbuluan se kishim shumë literaturë biblike. Hetimet vazhduan për gati një vit dhe më 1958 gjykata më dënoi me 23 vjet burg, për veprimtari fetare. Tashmë kisha pesë vjet e gjysmë i burgosur në kampe. Gjithë dënimin, pra 28 vjet e 6 muaj, e kreva pa e shijuar asnjëherë lirinë.

Në prill të vitit 1962, gjykata më etiketoi si «kriminel jashtëzakonisht të rrezikshëm» dhe më transferoi në një kamp të sigurisë së lartë, ku kalova 11 vjet. Kishte shumë gjëra që e bënin «të veçantë» këtë lloj kampi. Për shembull, paga për ushqimin ishte 11 kopekë në ditë, që në atë kohë nuk dilnin as për të blerë një bukë. Si pasojë, edhe pse isha 1,92 metra i gjatë, peshoja vetëm 59 kilogramë. Lëkura më thahej dhe më binte copa-copa.

Meqë isha usta i mirë në ndërtim, shpesh më dërgonin për të bërë riparime në shtëpitë e oficerëve. Askush nuk kishte frikë nga unë dhe ata që ishin në shtëpi, nuk i fshihnin gjërat që kishin vërdallë. Kur gruaja e një oficeri mori vesh se do të punoja në shtëpinë e tyre, nuk e çoi në kopsht djalin e saj 6-vjeçar. Ishte skenë interesante: një «kriminel jashtëzakonisht i rrezikshëm» që kalonte gjithë ditën i vetëm në shtëpi me një fëmijë 6-vjeçar. Dukej qartë se askush nuk e besonte se isha kriminel, e jo më pastaj «jashtëzakonisht i rrezikshëm».

Pak nga pak, të gjithë vëllezërit që ishin në kamp, i liruan. Në vitin 1974, unë mbeta i vetmi Dëshmitar atje. Qëndrova edhe shtatë vite të tjera dhe u lirova në gusht të 1981-shit. Jehovai vazhdoi të më mbështeste frymësisht. Si e bëri këtë? Ato shtatë vite, e merrja Kullën e Rojës me anë të letrave. Një vëlla më dërgonte rregullisht letra, me artikuj nga numrat e rinj, të shkruar pastër me shkrim dore. Çdo herë, punonjësi i censurës së kampit ma jepte të hapur letrën. Të dy e dinim fare mirë përmbajtjen e saj. Edhe sot e kësaj dite, nuk jam i sigurt ç’e shtynte të merrte përsipër një rrezik të tillë, por jam i kënaqur që ai punoi atje ato shtatë vite. Mbi të gjitha, i jam mirënjohës Jehovait. Gjatë gjithë atyre viteve, mësova të kem besim të plotë te Jehovai dhe mora forcë prej tij.—1 Pjet. 5:7.

[Kutia dhe figura në faqet 168, 169]

Pas luftës u ktheva në Rusi

ALEKSEJ NEPOÇATOVI

LINDUR: 1921

PAGËZUAR: 1956

TË DHËNA: E mori të vërtetën në kampin e përqendrimit në Bukenvald, në vitin 1943. Gjithashtu, kaloi 19 vjet në burg në Rusi. Shërbeu si pionier i rregullt për më shumë se 30 vjet, pjesën më të madhe të kohës gjatë ndalimit.

NË MOSHËN 20-vjeçare, Aleksejin e dërguan në kampin e përqendrimit në Aushvic, në Gjermaninë naziste. Më vonë, e transferuan në kampin e Bukenvaldit, ku mori të vërtetën. Pak para se ta lironin, dy Dëshmitarë të mirosur i thanë: «Aleksej, do të ishte mirë sikur të ktheheshe në Rusi pas luftës. Është një vend i stërmadh, ku ka shumë nevojë për korrës. Situata atje është e vështirë, prandaj përgatitu që të hasësh çdo lloj sprove. Do të lutemi për ty dhe për ata që do të të dëgjojnë.»

Britanikët e liruan Aleksejin në vitin 1945. Ai u kthye në Rusi, ku e dënuan menjëherë me dhjetë vjet burg, sepse nuk pranoi të votonte. Ja çfarë shkruante: «Fillimisht, isha i vetmi Dëshmitar në burg. I kërkova drejtim Jehovait që të gjeja njerëz që donin të mësonin për të, dhe s’kaloi shumë e u bëmë 13 veta! Gjatë gjithë kësaj kohe, s’kishim literaturë biblike. Shkrimet i kopjonim nga romane që merrnim nga biblioteka e burgut.»

Alekseji e kreu dënimin prej dhjetë vjetësh dhe, pasi u lirua, shkoi në një zonë ku shumë veta besonin te Jezui. Ai thotë: «Njerëzit ishin të uritur frymësisht. Vinin tek unë ditë e natë, madje merrnin me vete edhe fëmijët. Çdo gjë që dëgjonin, e verifikonin në Bibël.»

Kaluan disa vjet dhe gjatë asaj kohe, Alekseji ndihmoi më shumë se 70 veta deri në pagëzim. Një prej tyre ishte Maria, që pastaj u martua me Aleksejin. Ai kujton: «KGB-ja po më kërkonte. Më arrestuan dhe më dënuan me 25 vjet burg. Pastaj arrestuan Marinë. Para se të dilte në gjyq, Maria kaloi shtatë muaj në izolim. Hetuesi i tha se do ta lironte menjëherë po të mohonte Jehovain, por ajo nuk pranoi. Gjykata e dënoi me shtatë vjet burg nëpër kampe pune. Vajzën tonë të vogël e mori një motër në besim, e cila u kujdes për të.»

Alekseji dhe Maria u liruan para se të kryenin gjithë dënimin. U transferuan në provincën e Tverit, por autoritetet dhe banorët vendës i kundërshtuan ashpër. Madje njëri nga fqinjët i vuri zjarrin shtëpisë së tyre. Në vitet që pasuan, u detyruan të transferoheshin shumë herë, por në çdo vend që shkonin, bënin dishepuj.

Alekseji thotë: «Gjatë viteve që ishim në burg, nuk e lexonim dot Fjalën e Perëndisë. Që atëherë, i vumë synim vetes që ta lexonim Biblën çdo ditë. Unë dhe Maria e kemi lexuar më shumë se 40 herë të gjithë Biblën. Pikërisht Fjala e Perëndisë na ka bërë të fortë e të zellshëm në shërbim.»

Gjithsej, Alekseji kaloi 4 vjet në kampet naziste të përqendrimit dhe 19 vjet në kampet dhe burgjet ruse. Gjatë 30 vjetëve që shërbeu si pionier, ai së bashku me të shoqen ndihmuan me dhjetëra veta që të njohin dhe të duan Jehovain.

[Kutia dhe figura në faqet 177, 178]

Ushtari kishte të drejtë

REGINA KUKUSHKINA

LINDUR: 1914

PAGËZUAR: 1947

TË DHËNA: Edhe pse kaloi shumë vjet e shkëputur nga kongregacioni, vazhdoi të predikonte me besnikëri lajmin e mirë.

NË VITIN 1947, kur isha në pazar, fola me një Dëshmitare. Atë mbrëmje, i shkova në shtëpi dhe folëm për disa orë. Pa e zgjatur shumë, vendosa t’i shërbeja me zell Jehovait, siç bënte ajo. I thashë: «Ti po predikon, prandaj edhe unë do të predikoj.»

Më arrestuan në vitin 1949, në Lvov të Ukrainës, ngaqë predikoja, dhe më larguan nga im shoq e nga dy vajzat e vogla. E ashtuquajtura trojka, një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura që drejtohet nga tre gjykatës, më dënoi me vdekje me pushkatim. Gjykatësja që lexoi dënimin, shtoi: «Meqë ke dy fëmijë, kemi vendosur që dënimin me vdekje ta kthejmë në 25 vjet burg.»

Më çuan në një qeli ku kishte vetëm burra. Ata e dinin se isha Dëshmitare e Jehovait. Kur morën vesh se më kishin dënuar me 25 vjet, u habitën që isha aq e qetë. Kur po më hiqnin nga ai burg, një ushtar më dha një pako me ushqime dhe më tha me dashamirësi: «Mos ki frikë, çdo gjë do të shkojë mirë.»

Deri në vitin 1953, e kreva dënimin në një kamp në veri të Rusisë. Në kamp kishte shumë motra nga republika të ndryshme të Bashkimit Sovjetik. E donim njëra-tjetrën si të ishim një familje.

Me sjelljen tonë, ne motrat u përpoqëm t’u jepnim një dëshmi të mirë të tjerëve, me shpresë se kjo do t’i motivonte t’i shërbenin Perëndisë. Bënim punë të rëndë për shumë orë në ditë. Më liruan nga kampi para se të mbaroja dënimin, por përfundova në një lloj tjetër izolimi. Për pesë vjet, s’kisha asnjë lidhje me kongregacionin. Kjo ishte ku e ku më e vështirë se burgimi. Po pavarësisht nga këto rrethana, e ndjeva gjithnjë mbështetjen dhe dashurinë e pandryshueshme të Jehovait. Lexoja shumë Biblën dhe meditoja për atë që lexoja. Kjo më forcoi frymësisht.

Jehovai përdori një rrethanë të pazakontë që të lidhesha me Dëshmitarët. Në gazetën Soviet Russia, lexova një artikull përçmues për vëllezërit tanë në Oseti, që ndodhet në jugperëndim të Rusisë. Aty thuhej se veprimtaritë e Dëshmitarëve të Jehovait ishin drejtuar kundër shoqërisë sovjetike. Në artikull jepeshin një më një mbiemrat e vëllezërve dhe motrave, si dhe adresat e tyre. Sa e lumtur që isha! U shkrova letra dhe u thashë se doja t’i takoja. Kur u takuam, vëllezërit më mbështetën shumë dhe më thanë se Jehovai kishte lejuar të botohej ai artikull, që të më jepte mundësi të lidhesha me popullin e tij.

Tani jam 92 vjeçe. Po, ai ushtar kishte të drejtë. Gjatë gjithë jetës sime, edhe pse kam pasur vështirësi, çdo gjë ka shkuar mirë.

[Kutia dhe figura në faqet 188, 189]

Bëmë çmos t’i forconim «kunjat» e tendave tona

DIMITRI LIVËJI

LINDUR: 1921

PAGËZUAR: 1943

TË DHËNA: Shërbeu për më se 20 vjet në Komitetin e Vendit, në Rusi, dhe tani shërben si plak në një kongregacion të Siberisë.

ISHTE viti 1944. Edhe gjashtë muaj dhe mbaronte Lufta II Botërore. Gjendesha në një sallë gjyqi, para një gjykatësi ushtarak, për shkak të asnjanësisë së krishterë. Më dënuan me vdekje me pushkatim, por pastaj dënimi u ndryshua në dhjetë vjet burg në kampe pune riedukimi.

Në janar të vitit 1945, më çuan në një kamp në veri të Rusisë, në qytetin Peçorë, Republika e Komit. Ndër qindra të burgosur në kamp, vetëm dhjetë ishin vëllezër. Mjerisht, të vetmin numër të Kullës së Rojës që kisha, ma konfiskuan, kështu që ngelëm pa ushqim frymor. Isha kaq i sfilitur fizikisht, saqë nuk bëja dot asnjë lloj pune. Kur po laheshim në banjën e përbashkët, një vëlla më tha se dukesha si kufomë. Vërtet, kisha një pamje kaq të mjerë, saqë më çuan në një kamp spitalor në Vorkutë.

Pas pak nisa ta merrja veten dhe më dërguan të punoja në gurore për të nxjerrë dhé. S’kaloi as një muaj dhe isha bërë përsëri si kufomë. Mjeku mendoi se mos e këmbeja ushqimin me duhan, por i thashë se isha Dëshmitar i Jehovait dhe nuk e pija duhanin. Kalova më shumë se dy vjet në atë kamp. Edhe pse isha i vetmi Dëshmitar, kishte gjithnjë njerëz që donin të dëgjonin për të vërtetën dhe disa prej tyre pranuan lajmin e mirë.

Një herë, të afërmit më dërguan një Kullë Roje të kopjuar me dorë. Po si arrita ta merrja kur përgjegjësi kontrollonte me imtësi çdo pako? Fletët e palosura dy herë i kishin vënë në fundin e dyfishtë të një kanaçeje, pastaj e kishin mbuluar me një shtresë të trashë dhjami. Përgjegjësi i burgut e shpoi kanaçen tejpërtej dhe nuk zbuloi asgjë të dyshimtë, prandaj ma dha. Ky burim me «ujë jetëdhënës» më bëri shumë punë për njëfarë kohe.—Gjoni 4:10.

Më liruan në tetor të vitit 1949, para se të kryeja gjithë dënimin, dhe në nëntor u ktheva në shtëpi, në Ukrainë. Morëm vesh se disa vëllezër kishin shkuar në Moskë që të regjistronin veprimtaritë tona, por dukej se autoritetet nuk donin t’i njihnin Dëshmitarët e Jehovait në Bashkimin Sovjetik.

Natën e 8 prillit 1951, na hipën nëpër vagonë treni bashkë me familje të tjera Dëshmitarësh të Jehovait dhe na dërguan në Siberi. Dy javë më vonë, ndodheshim në zemër të Siberisë, në fshatin Kazan të provincës së Irkutskut.

Na preku shumë shkrimi i Isaisë 54:2: «Zgjati litarët e tendës sate dhe forcoji kunjat e saj.» Na dukej sikur po e plotësonim këtë profeci. Kush nga ne do të kishte shkuar vullnetarisht në Siberi?! Mendova se duhej të bënim çmos t’i forconim kunjat e tendave tona. Kështu, kam më shumë se 55 vjet që jetoj në Siberi.

[Kutia dhe figura në faqet 191, 192]

Kurrë s’pata një shtëpi timen

VALENTINA GARNOVSKAJA

LINDUR: 1924

PAGËZUAR: 1967

TË DHËNA: Kaloi 21 vjet në burgje e në kampe, 18 nga të cilët para se të pagëzohej. Ndihmoi 44 veta të mësonin të vërtetën. Vdiq në vitin 2001.

JETOJA bashkë me mamanë në pjesën perëndimore të Bjellorusisë. Dëshmitarët e Jehovait i takova në shkurt të vitit 1945. Një vëlla na erdhi në shtëpi vetëm tri herë dhe na tregoi ngjarje nga Bibla. Ndonëse që atëherë nuk e takova më, nisa t’u predikoja fqinjëve dhe të njohurve. Autoritetet më arrestuan dhe më dënuan me tetë vjet burg nëpër kampe. Më dërguan në provincën Uljanovsk.

Në kamp vëzhgoja të burgosurat e tjera dhe dëgjoja bisedat e tyre, me shpresë se mos takoja ndonjë Dëshmitare të Jehovait. Në vitin 1948, më kapi veshi një bisedë që po bënte një nga të burgosurat për Mbretërinë e Perëndisë. E quanin Asije. U kënaqa shumë që mund të flitja me të për argumente biblike. Pas pak, në kamp sollën edhe tri motra të tjera. Kishim fare pak literaturë, prandaj përpiqeshim të shoqëroheshim sa më shumë me njëra-tjetrën.

Më liruan në vitin 1953, por më arrestuan pas tre vjetësh e gjysmë, sepse predikoja, dhe më dënuan me dhjetë vjet burg. Më 1957 më transferuan në kampin e Kemerovos, ku kishte rreth 180 motra. Nuk mbeteshim kurrë pa literaturë biblike. Në dimër e fshihnim literaturën në dëborë, kurse në verë mes barit ose në tokë. Gjatë kontrolleve, i fshihja dorëshkrimet në të dy duart, mbulohesha me një shall të madh dhe i mbaja me duar cepat e shallit. Kur më lëviznin nga njëri kamp në tjetrin, mbaja një kapele që e kisha qepur vetë, ku kisha fshehur disa numra të Kullës së Rojës.

Në fund, më çuan në një kamp në Mordvini. Motrat atje kishin një Bibël të fshehur në vend të sigurt. Mund ta lexonim vetëm kur ishte e pranishme motra e ngarkuar për ta ruajtur. Para kësaj, vetëm një herë e kisha parë Biblën, kur na e kishte treguar vëllai që na foli fillimisht për të vërtetën, në vitin 1945.

Në 1967-n, kur u lirova, shkova të banoja në Angren, Uzbekistan. Atje pata mundësi ta simbolizoja kushtimin ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë. Gjithashtu, atje takova përsëri vëllezër që pas asaj vizite të parë, sepse kisha qenë vetëm në kampe pune për gra. Të gjithë vëllezërit dhe motrat në kongregacion ishin të zellshëm në shërbim dhe shumë shpejt u miqësova jashtë mase me ta. Në janar të vitit 1969, tetë vëllezër dhe pesë motra nga kongregacioni ynë i arrestuan ngaqë predikonin. Ndër ta isha edhe unë. Më dënuan me tre vjet si «kriminele jashtëzakonisht e rrezikshme». Më vinin shpesh në izolim, sepse predikoja edhe në kamp.

I drejtoja studimet biblike me të interesuarat duke u mbuluar me batanije. Gjatë shëtitjeve e kishim të ndaluar të flitnim me njëra-tjetrën. Po të na kapnin duke biseduar, na izolonin. Përdornim vetëm literaturë të kopjuar me dorë, që e shumëfishonim vazhdimisht.

Kurrë s’pata një shtëpi timen. Të gjitha plaçkat m’i nxinte një valixhe e vetme, por isha e lumtur dhe e kënaqur që po i shërbeja Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqet 200, 201]

Një hetues më forcoi besimin te Perëndia

PAVEL SIVULSKI

LINDUR: 1933

PAGËZUAR: 1948

TË DHËNA: Edhe pse u përpoqën vazhdimisht ta riedukonin nga pikëpamja ideologjike, Paveli tani shërben si plak në një kongregacion të Rusisë.

NË VITIN 1958 më arrestuan për veprimtari fetare. Oficeri që më shoqëroi te treni, më tha: «Shikoje për herë të fundit gruan, sepse nuk do ta shohësh më kurrë.»

Në Irkutsk më vunë në një qeli të veçantë që kishte hapësirë sa për të ndenjur në këmbë. Më pas kalova gjashtë muaj në izolim, para se të dilja në gjyq. Hetuesit më merrnin në pyetje gjatë natës dhe s’linin gjë pa provuar që të më minonin besimin te Bibla dhe tek organizata e Perëndisë. Më akuzonin se merrja pjesë në veprimtari ilegale të Dëshmitarëve të Jehovait. Nganjëherë përdornin dhunë, ndonëse metoda kryesore ishte presioni psikologjik. I lutesha Jehovait të më jepte forcë që të qëndroja i palëkundur. Ai ishte gjithnjë pranë meje.

Gjatë një seance që më morën në pyetje, hetuesi më çoi në studion e tij dhe më tha: «Tani do të të tregojmë se çfarë po bën organizata jote. Kështu mund ta shohësh vetë nëse është vepra e Perëndisë apo jo.»

Duke m’i ngulur sytë, vazhdoi: «Këtë vit, kongresin tuaj në Nju-Jork e ndoqën 253.000 veta, në dy stadiume. Po të marrësh parasysh madhësinë e këtij kongresi, do ta kuptosh se do të ishte e pamundur ta organizoje pa mbështetjen e CIA-s. Kongresi zgjati tetë ditë. Kishte delegatë nga disa shtete, që erdhën me aeroplan, me tren, me anije e me mjete të tjera transporti. A mund të ishte bërë e gjithë kjo pa ndihmën e autoriteteve qeveritare? Kush do të ishte në gjendje të financonte një kongres të mbajtur në këto stadiume gjigante për tetë ditë?»

Pastaj hetuesi e mbushi tavolinën me fotografi. Në një prej tyre, pashë delegatë të lumtur me veshje kombëtare shumëngjyrëshe tek përqafonin njëri-tjetrin. Në një fotografi tjetër ishte vëlla Nori duke mbajtur fjalim, kurse në të tjera tregohej pagëzimi dhe vëlla Nori tek u jepte të pagëzuarve librin «U bëftë vullneti yt në tokë». Këtë libër s’e kishim marrë, por lexuam për të në Kullën e Rojës. Duke më parë në sy, hetuesi tha: «A e di për çfarë flet ky libër? Për mbretin e veriut dhe ç’e pret atë. Si mund ta kishin organizuar Dëshmitarët e Jehovait këtë me forcat e tyre?! Ne e dimë se në këto ngjarje shkojnë edhe ushtarakë amerikanë, të cilët duan të mësojnë nga shembulli juaj se si të organizojnë lëvizje ushtarake. Dimë edhe se një milioner dhuroi një shumë të madhe parash për këtë kongres. Milionerët s’i hedhin kot paratë në erë!»

Hetuesi as që e kishte idenë se çfarë ndieja unë në atë çast. Më dukej sikur isha atje në kongres, edhe pse kurrë s’isha larguar nga burgu. Ndjeva që m’u ripërtërinë forcat. Kisha pasur kaq shumë nevojë për diçka të tillë dhe Jehovai më kishte bekuar me bollëk, në një mënyrë speciale. Isha gati të duroja ç’do të vinte më tej.

[Kutia dhe figura në faqet 214, 215]

Kinemaja ishte plot me Dëshmitarë të Jehovait

VENERA GRIGORJEVA

LINDUR: 1936

PAGËZUAR: 1994

TË DHËNA: Në vitet 60, ajo ishte aktore. Luajti rolin kryesor në një film propagandistik sovjetik. Që nga viti 1995, shërben si pioniere e rregullt në Shën-Pjetërburg.

NË VITIN 1960, kur sapo kisha filluar karrierën si aktore, më dhanë rolin kryesor në filmin dokumentar Dëshmitarët e Perëndisë, i cili u shfaq nëpër kinematë sovjetike. Filmi paraqiste «sektin e frikshëm të Dëshmitarëve të Jehovait», që ishte përgjegjës për vdekjen e heroinës së filmit, Tanjës, rolin e së cilës e luaja unë. Sipas skenarit, Tanja arratisej nga «sekti» një natë me një stuhi bore të fortë, dhe s’kishte veshur pallto. Ajo zhdukej në dëborë dhe një zë thoshte: «Ky ishte fundi i Tanja Veselovës.» Më pëlqeu skenari dhe e quajta për nder që po merrja pjesë në luftën kundër Dëshmitarëve të Jehovait, edhe pse të vetmen gjë që dija për ta, e kisha mësuar nga skenari.

Filmi u shfaq nëpër kinema dhe klube në shumë qytete të Bashkimit Sovjetik. Shkoja në çdo premierë dhe dilja në skenë pasi mbaronte filmi. Në atë kohë, populli sovjetik besonte verbërisht çdo gjë që shihte në ekran. Prandaj, kur dilja unë në skenë, të gjithë psherëtinin të lehtësuar dhe thoshin: «Qenka gjallë!» Pastaj u tregoja si u realizua filmi dhe si e improvizuan regjisori dhe ekipi i tij stuhinë e borës që dukej sikur më flakte në një humnerë e më mbulonte me borë.

Një herë, në Vishni-Voloçek të provincës Kalinin (tani Tver), një kinema ishte mbushur plot e përplot, por atë mbrëmje ndodhi diçka ndryshe nga herët e tjera. Pas filmit, një i moshuar më pyeti vetëm për fenë dhe unë mbështeta pikëpamjen ateiste për origjinën e jetës në tokë. Askush nuk tha ndonjë gjë për filmin. Pasi u tërhoqa pa u ndier pas skene, shkova tek organizuesi i shfaqjes dhe e pyeta: «Kush ishte ai që më pyeti?»

«Kryetari i sektit të Dëshmitarëve të Jehovait,—m’u përgjigj.—Kinemaja është plot me ta, s’ka të tjerë.» Kështu pra, pa e kuptuar, i takova Dëshmitarët e Jehovait. Pas kësaj ngjarjeje, doja ta lexoja Biblën, po s’kisha ku ta gjeja. Pasi u martova me një polak, u transferuam në Poloni. Në vitin 1977, dy Dëshmitare na trokitën në derë dhe nisa të studioja Biblën me to. U dashurova me këtë libër dhe u bëmë miq me ta. Më 1985, m’u sëmur babai, kështu që bashkë me tim shoq shkuam të jetonim me të në Leningrad (tani Shën-Pjetërburg). I lutesha Jehovait të më ndihmonte të takoja Dëshmitarët e Jehovait atje.

Më në fund, u bëra Dëshmitare e Jehovait. Kam 12 vjet që shërbej si pioniere e rregullt, kurse im shoq, Zjishlavi, është shërbëtor ndihmës në një kongregacion në Shën-Pjetërburg.

Përvoja më ka mësuar se industria e filmit mund të gënjejë shumë njerëz me anë të ‘dinakërisë në sajimin e mashtrimeve’. (Efes. 4:14) Kur luajta në atë film propagandistik, nuk e mendoja kurrë se 30 vjet më vonë do të bëhesha Dëshmitare e Jehovait.

[Kutia në faqen 237]

Përkthimi Bota e Re në rusisht

Për më shumë se një shekull, Dëshmitarët e Jehovait kanë përdorur përkthime të ndryshme të Biblës në rusisht. Një prej tyre është përkthimi sinodal. Pavarësisht se është në gjuhën e vjetër dhe emri i Perëndisë përdoret rrallë, kjo Bibël ka ndihmuar me mijëra lexues rusë që të kuptojnë qëllimin e Perëndisë. Ka bërë punë edhe përkthimi i Makariosit, ku emri i Perëndisë është përdorur mbi 3.000 herë. Por ndërsa rritej numri i Dëshmitarëve rusë, rritej edhe kërkesa për një përkthim biblik të saktë e të qartë në gjuhën e sotme.

Trupi Udhëheqës mori masa që të përkthehej në rusisht Përkthimi Bota e Re. Dega e Rusisë punoi për më shumë se dhjetë vjet me këtë projekt përkthimi të madh.

Në vitin 2001 doli në rusisht Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re. Në vitin 2007, të gjithë lexuesit rusë anembanë botës u kënaqën pasi doli në rusisht botimi i plotë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Botimi i ri u njoftua fillimisht nga anëtarët e Trupit Udhëheqës: Teodor Xharazi në Shën-Pjetërburg dhe Stiven Leti në Moskë. Njoftimi u prit me duartrokitje të fuqishme. Të gjithë ata që morën një kopje të botimit, ishin shumë entuziastë. Një motër shkroi: «Sa gjuhë e qartë, e kuptueshme dhe e gjallë! Tani do të kënaqem edhe më tepër duke lexuar Shkrimet e Shenjta.» Shumë veta e shprehën mirënjohjen ndaj organizatës me komente të tilla, si: «Ç’dhuratë e çmuar nga Jehovai!» dhe «Ju lutemi, pranoni falënderimet tona nga zemra.» Pa dyshim, dalja e Përkthimit Bota e Re në rusisht është një pikë historike për rusët që e duan të vërtetën, kudo qofshin.

[Kutia dhe figura në faqet 244, 245]

Problemet tona u zgjidhën brenda një dite

IVAN DHE NATALJA SLAVA

LINDUR: Përkatësisht më 1966 dhe 1969

PAGËZUAR: 1989

TË DHËNA: U transferuan si pionierë të rregullt aty ku kishte më shumë nevojë. Tani Ivani shërben në Komitetin e Degës së Rusisë.

UNË dhe Natalia u transferuam nga Ukraina në Rusi, në fillim të viteve 90. Në provincën e Bellgorodit, me pothuajse një milion e gjysmë banorë, s’kishte as dhjetë lajmëtarë. Pa dyshim, ky ishte një vend ku «të korrat [ishin] të mëdha, por punëtorët [ishin] pak».—Mat. 9:37.

Sapo ishim martuar dhe duhej të gjenim punë për të mbajtur veten financiarisht. Mirëpo, gjendja ekonomike e vendit u keqësua dhe shumë njerëz humbën punën. Qeveria nxori triska që shpërndaheshin në vendin e punës, me qëllim që njerëzit të kishin të paktën ushqimet bazë. Por, meqë ne s’ishim në punë, s’kishim as triska, prandaj ushqimet i blinim në treg, me çmime të larta. Gjithashtu, s’po gjenim dot shtëpi dhe na u desh të rrinim në një hotel. Pasi e parapaguam dhomën për 20 ditë, s’na ngeli pothuajse asgjë në xhep. I luteshim çdo ditë Jehovait që të na ndihmonte të gjenim punë dhe një shtëpi me qira të ulët. Gjatë kësaj kohe, predikonim me zell duke kërkuar njerëz të sinqertë. Ditën e fundit që kishim paguar hotelin, me paratë e mbetura blemë një simite dhe një shishe qumësht. Atë mbrëmje, para se të flinim, iu përgjëruam përsëri Jehovait që të na ndihmonte të gjenim punë dhe një vend ku të rrinim, sepse ditën tjetër duhej të lironim dhomën.

Në mëngjes, na zgjoi zilja e telefonit. U habita kur administratori i hotelit më tha se në recepsion po më priste djali i tezes. Ai më dha ca para, duke më shpjeguar se kohët e fundit i kishin dhënë një shpërblim bashkë me rrogën dhe donte të më jepte diçka. Por nuk mbaroi me kaq. Disa minuta më vonë, na telefonoi një vëlla që tha se na kishte gjetur një apartament jo të shtrenjtë. Veç kësaj, po atë ditë na morën në punë në një kopsht fëmijësh, për të mirëmbajtur oborrin. Kështu, problemet tona u zgjidhën brenda një dite. Tani kishim ca para, një vend ku të rrinim dhe një punë. Me siguri Jehovai i kishte dëgjuar lutjet tona.

Më 1991, në Bellgorod patëm 55 të pranishëm për Përkujtimin; një vit më vonë 150 të pranishëm. Vitin pasues, Përkujtimin e ndoqën 354 veta. Në vitin 2006, në qytet kishte gjashtë kongregacione dhe në provincën e Bellgorodit kishte mbi 2.200 lajmëtarë.

[Kutia në faqen 250]

Zhvillime ligjore të kohëve të fundit

E drejta jonë për të adhuruar Perëndinë pa ndërhyrje nga qeveria, u mbrojt në janar të vitit 2007 kur Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mori vendim unanim në favorin tonë. Ajo tha se «studimi dhe diskutimi kolektiv i shkrimeve fetare nga anëtarët e grupit fetar të Dëshmitarëve të Jehovait ishte një formë e pranuar e praktikimit të fesë së tyre me anë të adhurimit dhe mësimdhënies».

Edhe pse veprimtaritë tona në Moskë u kufizuan zyrtarisht në vitin 2004, vëllezërit vazhdojnë të mblidhen haptazi për të adhuruar Perëndinë e të marrin pjesë në veprën e predikimit sa më shumë të munden. Më 2007 vëllezërit u gëzuan tej mase, sepse i mbajtën pa asnjë ndërhyrje Përkujtimin dhe disa kongrese krahinore në Moskë, ashtu si në gjithë Rusinë.

Edhe pse ka ende probleme ligjore, vëllezërit vazhdojnë t’u kundërpërgjigjen me guxim rasteve të kundërshtimit. Për shembull, u ngrit një padi tjetër pranë GJEDNJ-së kundër rajonit të policisë së Ljublinos, që kishte ndërprerë Përkujtimin në Moskë më 12 prill 2006. Policia mbajti nën arrest 14 vëllezër dhe e kërcënoi me thikë avokatin e tyre. Edhe pse një gjykatë e rrethit mori vendim pjesërisht në favor të vëllezërve, gjykata e apelit e rrëzoi vendimin dhe vëllezërit e humbën gjyqin. Gjithashtu, në korrik të vitit 2007 u depozitua një ankim kundër disa zyrtarëve qeveritarë që po bëjnë një hetim të stërzgjatur e të paarsyeshëm për veprimtaritë tona fetare në Shën-Pjetërburg.

[Tabela dhe grafiku në faqet 228-230]

KRONOLOGJIA​—Rusia

1890

1891: Semjon Kozlickin e internojnë në pjesën lindore të Perandorisë Ruse, sepse predikonte me guxim.

1904: Në degën e Gjermanisë vijnë letra nga Rusia, ku shprehet mirënjohja për botimet biblike.

1910

1913: Qeveria ruse njeh zyrën e Studentëve të Biblës në Finlandë, që atëherë ishte pjesë e Perandorisë Ruse.

1923: Në adresë të Watch Tower Society nisin të vijnë shumë kërkesa për të dërguar literaturë biblike në Rusi.

1928: Në Moskë, Xhorxh Jangu u paraqet autoriteteve kërkesën që të lejojnë veprimtaritë e Studentëve të Biblës në Rusi. Autoritetet nuk pranojnë t’i zgjatin vizën.

1929: Firmoset kontrata me një stacion radiofonik në Talin, Estoni. Transmetohen fjalime biblike që dëgjohen në Leningrad dhe në qytete të tjera.

1930

1939-1940: BRSS-ja anekson pjesën perëndimore të Ukrainës, Moldavinë dhe republikat baltike. Kështu, mijëra Dëshmitarë të Jehovait përfundojnë brenda kufijve të saj.

1944: Qindra Dëshmitarë dërgohen në burgje e kampe pune anembanë Rusisë.

1949: Dëshmitarët e Jehovait internohen nga Moldavia në Siberi e në skajin më lindor të Rusisë.

1950

1951: Internohen në Siberi mbi 8.500 Dëshmitarë nga Ukraina Perëndimore, Bjellorusia, Letonia, Lituania dhe Estonia.

1956-1957: Delegatë nga 199 kongreset krahinore në mbarë botën, i dërgojnë peticion qeverisë sovjetike duke kërkuar lirinë e fesë.

Fundi i viteve 50: Mbi 600 Dëshmitarë vihen në izolim të rreptë, në një kamp pune special në Mordvini.

1965: Qeveria sovjetike nxjerr një urdhër special duke hequr kufizimet e internimit. Dëshmitarët e internuar në Siberi shpërndahen në pjesë të ndryshme të vendit.

1970

1989-1990: Anëtarë të Trupit Udhëheqës takohen për herë të parë me vëllezërit në Rusi. Dëshmitarë nga BRSS-ja udhëtojnë për në Poloni, që të ndjekin kongreset speciale.

1990

1991: Më 27 mars, Dëshmitarët e Jehovait njihen ligjërisht në Rusi.

1992-1993: Në Shën-Pjetërburg e në Moskë mbahen kongrese ndërkombëtare.

1997: Kushtohet dega e Rusisë në fshatin Solneknoje, pranë Shën-Pjetërburgut.

1999: Kushtohet Salla e parë e Asambleve në Rusi, që ndodhet në Shën-Pjetërburg.

2000

2003: Përfundon zgjerimi i degës.

2007: Në Rusi ka mbi 2.100 kongregacione dhe grupe të izoluara.

[Grafiku]

(Shiko botimin)

Gjithsej lajmëtarë

Gjithsej pionierë

Gjithsej lajmëtarë

Gjithsej pionierë

Totali i lajmëtarëve në 15 vendet e ish-Bashkimit Sovjetik

360.000

300.000

240.000

180.000

120.000

60.000

40.000

20.000

1890 1910 1930 1950 1970 1990 1990 2000

[Diagrami dhe harta në faqen 218]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Degë të tjera kanë ndihmuar për transportimin e literaturës në gjithë vendin

GJERMANI FINLANDË

↓ ↓

Solneknoje

↓ ↓ ↓ ↓

BJELLORUSI KAZAKISTAN MOSKË RUSI

JAPONI

Vladivostok

KAMÇATKË

[Hartat në faqet 116, 117]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

RRETHI POLAR I VERIUT

OQEANI I NGRIRË I VERIUT

Poli i Veriut

Deti Barenc

Deti Kara

Deti i Laptëve

Deti i Siberisë Lindore

Deti Çukotsk

Ngushtica e Beringut

SUEDI

NORVEGJI

DANIMARKË

KOPENHAGEN

GJERMANI

POLONI

Lodz

VARSHAVË

Deti Baltik

FINLANDË

ESTONI

LETONI

LITUANI

BJELLORUSI

Brest

UKRAINË

Lvov

MOLDAVI

Deti Kaspik

KAZAKISTAN

ASTANË

Kengir

UZBEKISTAN

TASHKENT

Angren

KINË

MONGOLI

ULAN-BATOR

KINË

Deti i Japonisë

JAPONI

TOKIO

Hokaido

Deti Ohotsk

Deti Bering

RUSI

Petrozavodsk

Shën-Pjetërburg

Solneknoje

Kaliningrad

Novgorod

Vishni-Voloçek

MOSKË

Tulë

Orel

Kursk

Voronezh

Udarni

Vladimir

Ivanovo

Nizhni-Novgorod

Siktivkar

Uhtë

Peçorë

Intë

Novaja-Zemlja

Vorkutë

M. URALE

SIBERI

Ekaterinburg

Naberezhnje-Çelni

Izhevsk

Saratov

Vollzhski

Stavropol

Pjatigorsk

M. Elbrus

Nalçik

Nartkalë

Beslan

Vladikavkaz

M. KAUKAZ

Astrahan

Lumi Vollgë

Tomsk

Novosibirsk

Kemerovo

Krasnojarsk

Novokuznetsk

Ust-Kan

Aktash

Birjusinsk

Oktjabërski

Bratsk

Vihorevkë

Tulun

Kazan

Zimë

Zalari

Usolje-Sibirskoje

Kitoj

Angarsk

Irkutsk

Liqeni Bajkal

Kirensk

Habarovsk

Vladivostok

Korsakov

Juzhno-Sahalinsk

Sahalin

Jakutsk

Ojmijakon

Ust-Nera

Kamçatkë

Gadishulli Çukotsk

Lumi Kolimë

Hajir

Norilsk

[Harta në faqen 167]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Deti Kaspik

Deti Baltik

Deti Barenc

Deti Kara

OQEANI I NGRIRË I VERIUT

Poli i Veriut

Deti i Laptëve

Deti i Siberisë Lindore

Deti Çukotsk

Ngushtica e Beringut

Deti Ohotsk

Deti i Japonisë

KAZAKISTAN

KINË

MONGOLI

MURMANSK

PSKOV

TVER

MOSKË

BELLGOROD

VORONEZH

ROSTOV-MBI-DON

REP. E KABARDINO-BALKARISË

ALANI

IVANOVO

NIZHEGOROD

MORDVINI

ULJANOVSK

VOLLGOGRAD

TATARSTAN

PERM

REP. E KOMIT

M. URALE

SIBERI

SVERDLLOVSK

ÇELJABINSK

KURGAN

TJUMEN

OMSK

TOMSK

NOVOSIBIRSK

ALTAI

REP. E ALTAIT

KEMEROVO

REP. E HAKAZISË

KRASNOJARSK

REP. E TUVËS

IRKUTSK

BURJATI

ÇITË

REP. E SAHËS

AMUR

HABAROVSK

TERRITORI I PRIMORSKIT

SAHALIN

KAMÇATKË

[Figura në faqen 66]

Lindja e diellit mbi gadishullin Çukotsk

[Figurat në faqen 68]

Kjo tabelë në gjuhën kazake dhe ruse, të drejton në fshatin siberian Buktarma, ku internuan Semjon Kozlickin

[Figurat në faqen 71]

Çifti Herkendel e kaloi muajin e mjaltit në Rusi, duke ndihmuar njerëzit që flitnin gjermanisht

[Figurat në faqen 74]

Prokura që iu dha Karlo Hartevës (djathtas), së cilës konsulli perandorak rus në Nju-Jork i vuri një pullë qeveritare

[Figura në faqen 80]

Në maj të vitit 1925, këtë kongres në gjuhën ruse në Karnegi të Pensilvanisë e ndoqën 250 veta dhe u pagëzuan 29 prej tyre

[Figura në faqen 81]

Kjo revistë thoshte: «Provinca e Voronezhit është plot e përplot me sekte»

[Figura në faqen 82]

Xhorxh Jangu

[Figurat në faqen 84]

Për afro dhjetë vjet, Aleksandër Forstmani përktheu në rusisht fletushka, broshura dhe libra

[Figura në faqen 90]

Regina dhe Pjotër Krivokulski, 1997

[Figurat në faqen 95]

Olga Sevrjugina u bë shërbëtore e Jehovait falë ‘letrave të lidhura në gur’ të Pjotrit

[Figura në faqen 100]

Ivan Krilovi

[Figurat në faqen 101]

Dëshmitarët e internuar ndërtuan shtëpi në Siberi

[Figura në faqen 102]

Magdalina Beloshickaja dhe familja e saj u internuan në Siberi

[Figura në faqen 110]

Viktor Gutshmidi

[Figura në faqen 115]

Alla në vitin 1964

[Figura në faqen 118]

Semjon Kostilëvi sot

[Figura në faqen 120]

Stërvitja biblike që mori, e ndihmoi Vladislav Apanjukun të kapërcente sprovat e besimit

[Figurat në faqen 121]

Në shtëpinë e Nadjezhda Vishnjakut, policia gjeti këtë broshurë: «Pas Harmagedonit, bota e re e Perëndisë»

[Figura në faqen 126]

Boris Krëjlcovi

[Figura në faqen 129]

Viktor Gutshmidi me motrën (lart), të bijat dhe gruan, Polinën, rreth një muaj para se ta arrestonin, në vitin 1957

[Figura në faqen 134]

Ivan Pashkovski

[Figura në faqen 136]

Në vitin 1959, revista «Krokodili» botoi një fotografi të kësaj literature të zbuluar në një mullar

[Figura në faqen 139]

Poshtë kësaj shtëpie ishte një nga shtypshkronjat që zbuloi KGB-ja në vitin 1959

[Figura në faqen 142]

Aleksej Gaburjaku i ndihmoi vëllezërit e shpërndarë që të ribashkoheshin

[Figurat në faqen 150]

Pajisje për shtyp të bëra vetë

Makinë shtypi rotative

Presë letrash

Makinë buzëprerëse

Makinë qepëse me tel

[Figura në faqen 151]

Stepan Levicki, shofer tramvaji, mori guxim të fliste me një tipograf

[Figura në faqen 153]

Grigori Gatilovi u predikoi të burgosurve në qelinë e tij

[Figurat në faqen 157]

Lulet e larta ishin mbulim i mirë për studimet dhe bisedat biblike

[Figura në faqen 161]

Përmasat reale të revistës «Kulla e Rojës» në formën e një broshure në miniaturë

[Figura në faqen 164]

«Urdhër i Presidiumit të Sovjetit Suprem të BRSS-së»

[Figura në faqen 170]

Vëllezërit fshihnin «thesare» në valixhet me fund të dyfishtë dhe në shollat e këpucëve

[Figura në faqen 173]

Ivan Klimko

[Figura në faqen 175]

Një kuti shkrepësesh mund të mbante pesë ose gjashtë kopje të «Kullës së Rojës» të shkruara me shkrim të imët

[Figura në faqet 184, 185]

Gjatë gjithë viteve që kaluan në një kamp të Mordvinisë, asnjë vëlla nuk e humbi ndonjëherë Përkujtimin

[Figura në faqen 194]

Nikolaj Guculjaku i dha dëshmi joformale gruas së komandantit të kampit

[Figurat në faqen 199]

Kongreset ndërkombëtare

Në vitin 1989, delegatët rusë ndoqën tri kongreset ndërkombëtare në Poloni

Varshavë

Korcov

Poznan

[Figura në faqen 202]

Nga e majta në të djathtë, pasi morën njohjen zyrtare: Teodor Xharazi, Mihail Daseviçi, Dimitri Livëji, Milton Hensheli, një nëpunës i Ministrisë së Drejtësisë, Anani Groguli, Aleksej Verzhbicki dhe Vili Poli

[Figurat në faqen 205]

Milton Hensheli duke mbajtur fjalim në Kongresin Ndërkombëtar «Mbajtësit e dritës» në vitin 1992, në stadiumin «Kirov», Shën-Pjetërburg

[Figura në faqen 206]

U ble një pronë në Solneknoje, Rusi

[Figura në faqen 207]

Aulis dhe Eva-Liza Bergdali ishin në grupin e parë të vullnetarëve që shkuan në Solneknoje

[Figura në faqen 208]

Hanu dhe Eija Tanineni u caktuan në Shën-Pjetërburg

[Figura në faqen 210]

Së bashku me të shoqen, Ludmilën, Roman Skiba përshkoi largësi të mëdha në veprën krahinore

[Figura në faqen 220]

Vëllezërit që shkarkojnë literaturën në doket e Vladivostokut

[Figura në faqen 224]

Arno dhe Sonja Tyngleri kanë pasur shumë privilegje në caktimin e tyre në Rusi

[Figura në faqet 226, 227]

Mbledhje kongregacioni në një pyll pranë Shën-Pjetërburgut, më 1989

[Figura në faqen 238]

Dega e Rusisë mbikëqyr përkthimin e literaturës në mbi 40 gjuhë

[Figura në faqen 243]

Shkolla e parë e Shërbimit për Pionierë, mbajtur në Shën-Pjetërburg në qershor të vitit 1996

[Figurat në faqen 246]

Predikimi në Rusi

Në fushat e provincës së Permit e të Nartkalës

Në rrugët e Shën-Pjetërburgut

Shtëpi më shtëpi në Jakutsk

Në tregjet e Saratovit

[Figurat në faqet 252, 253]

Dega e Rusisë

Pamje nga lart e godinave të banimit dhe peizazhit përreth

[Figura në faqen 254]

Kongresin Krahinor të vitit 2006 në Moskë e ndoqën 23.537 delegatë

[Figura në faqen 254]

Stadiumi «Luzhniki»