Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

PAS një tjetër viti të bekuar në shërbimin e shenjtë, kemi çdo arsye të gëzojmë. Ndërsa rishikojmë disa ngjarje të spikatshme të veprës së jashtëzakonshme që po kryen Perëndia me anë të shërbëtorëve të vet, mund të themi me plot gojën: «Ti e ke kurorëzuar vitin me mirësinë tënde.»—Psal. 65:11.

«LAJMI I MIRË» NË INTERNET

Si Dëshmitarë të Jehovait, ne e marrim seriozisht përgjegjësinë që ‘të predikojmë këtë lajm të mirë për mbretërinë në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet’, para se të vijë fundi. (Mat. 24:14) Ndër vite, zhvillimet e reja teknologjike kanë ndihmuar në përshpejtimin e përhapjes së ‘fjalës së mbretërisë’. (Mat. 13:18-23) Tashmë po bëhen 11 vjet që po përdorim sitin tonë zyrtar në Internet, www.watchtower.org, për t’i paraqitur publikut materiale fetare në format elektronik. Ata që vizitojnë këtë sit Interneti, mund të mësojnë të vërtetën e Biblës në 314 gjuhë e mund të kërkojnë nëpër tituj të tillë, si: «Bindjet dhe aktivitetet», «Argumentet aktuale», «Perëndia dhe e ardhmja juaj», «Kujdesi mjekësor dhe gjaku», si dhe «Botimet në dispozicion».

Shumë njerëz e vizitojnë adresën www.watchtower.org për të lexuar Biblën. Çdo ditë, më shumë se 6.300 veta hapin Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në Internet, në një nga dhjetë gjuhët. Ndër librat biblikë më të pëlqyer në Internet janë Psalmet, Proverbat dhe tregimet e Ungjijve për jetën e Jezuit.

Çdo javë, në sitin e Internetit shtohen në 12 gjuhë artikuj të zgjedhur nga Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, sidomos artikuj që kanë dalë në formë të shtypur duke pasur në mendje publikun e gjerë. Shumë veta duan të dinë çfarë besojmë, si bëhen mbledhjet tona dhe si financohet vepra jonë e predikimit. Ata që vizitojnë këtë sit, marrin përgjigje për këto pyetje duke hapur në format elektronik broshurën Dëshmitarët e Jehovait—Kush janë? Çfarë besojnë? Botimi Fesë së rreme po i vjen fundi! gjendet në www.watchtower.org në 252 gjuhë, bashkë me pjesë në video në pesë gjuhë shenjash.

GJEJNË TË VËRTETËN NË INTERNET

Ç’rezultate ka pasur paraqitja e këtyre botimeve në Internet? Mesatarisht, mbi 60.000 veta e vizitojnë adresën www.watchtower.org çdo ditë! Shumë prej tyre jetojnë në vende ku ka pak Dëshmitarë ose në vende ku vepra jonë është e kufizuar a e ndaluar. Megjithatë, ata që janë të etur për të vërtetën, mund të marrin ujërat e së vërtetës në mënyrë elektronike në sitin tonë në Internet.

Brajëni thotë: «Gjithnjë më ka pëlqyer të mësoj për Biblën, por sa herë shkoja në kishë me shokët, vetëm këndoheshin këngë ose luheshin lojëra të ndryshme.» Brajëni iu kushtua shkollës dhe atletikës. Mësoi pesë gjuhë të huaja dhe fitoi një bursë universiteti, por asgjë nuk e kënaqte shpirtërisht. Prandaj u lut që të gjente të vërtetën.

Ai tregon: «Doja t’i dija me çdo kusht përgjigjet. Vendosa të kërkoja Dëshmitarët e Jehovait në Internet, sepse disa shokë Dëshmitarë në shkollë më kishin thënë se emri i Perëndisë është Jehova. Hyra në sitin e organizatës dhe nisa të lexoja broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Më në fund, mora përgjigje për pyetjet e mia.» Brajëni kërkoi një studim biblik, bëri përparim të shpejtë dhe ia kushtoi jetën Jehovait në vitin 2004. Tani shërben si pionier i rregullt dhe shpreson t’i përdorë aftësitë gjuhësore si misionar i stërvitur për Biblën.

«PERËNDIA ËSHTË ME JU»

Sa emocionuese është të dimë se mijëra njerëz «nga të gjitha gjuhët e kombeve» e vizitojnë çdo ditë adresën www.watchtower.org! Mesatarisht 94 veta në ditë dërgojnë formularin elektronik «A do të dëshiroje një vizitë?»—Zak. 8:23.

Denisa kishte pyetje për bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait, por ngurronte të shkonte në Sallën e Mbretërisë në zonën e saj. Vendosi më mirë të kërkonte në Internet dhe gjeti adresën www.watchtower.org. Informacionet atje e bindën se kishte gjetur të vërtetën, por ngurronte të kërkonte një studim biblik, sepse e dinte se do t’i duhej të bënte ndryshime në jetë që të përputhej me normat e Biblës. Katër herë e plotësoi formularin «A do të dëshiroje një vizitë?», por të katër herët nuk pati guximin të klikonte butonin «Dërgo».

Në mars të vitit 2007, Denisa e plotësoi për herë të pestë formularin. Kësaj here e klikoi butonin «Dërgo» dhe kërkoi ta vizitonin. Kërkesa iu dërgua kongregacionit vendës dhe pleqtë i kërkuan një motre, Vonit, të shkonte te Denisa. Që javën e parë që Voni i shkoi për vizitë, Denisa nisi të ndiqte mbledhjet në Sallën e Mbretërisë.

Nga fundi i verës, i kishte shkatërruar sendet fetare, kishte dhënë dorëheqjen nga feja e mëparshme dhe ishte kualifikuar si lajmëtare e papagëzuar. Ajo dhe dy djemtë e saj përparuan shpejt, dhe djali tetëvjeçar u regjistrua në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Në janar të vitit 2008, Denisa u pagëzua dhe dy muaj më vonë—pikërisht një vit pasi kishte dërguar formularin,—u kualifikua si pioniere ndihmëse. Ajo thotë: «Pa sitin në Internet, nuk do të isha këtu e të tregoja këtë përvojë.»

Në janar të vitit 2008, një shërbim i ri u vu në dispozicion në sitin www.pr418.com: versione audio të disa botimeve që mund të shkarkohen në 17 gjuhë. Interesi për këtë shërbim ka qenë i jashtëzakonshëm dhe çdo muaj po shkarkohen mbi një milion botime e artikuj të veçantë! Shumë lajmëtarë i dëgjojnë artikujt e revistave ndërsa udhëtojnë për në punë ose në shkollë.

PËRKTHIME QË PLOTËSOJNË NEVOJËN

Ç’kënaqësi është të kemi mbështetjen e engjëjve ndërsa i nxitim njerëzit e «çdo kombi, fisi, gjuhe» që t’i japin lavdi Perëndisë! (Zbul. 14:6, 7) Që t’i ndihmojnë njerëzit të reagojnë më shpejt ndaj mesazhit të Biblës në një gjuhë që e kuptojnë tamam, Dëshmitarët e Jehovait tani botojnë literaturë në rreth 450 gjuhë.

Libri Çfarë mëson vërtet Bibla? doli kohët e fundit në gjuhën tetume, gjuha vendëse e Timorit Lindor, por nuk kishte kopje të mjaftueshme për të gjithë. Maria, një studente e re që deri atëherë kishte përdorur librin Çfarë mëson vërtet Bibla? në gjuhën indoneziane, nuk e kishte kopjen në gjuhën tetume. Iu lut mësueses së saj të Biblës t’ia linte librin në gjuhën tetume për dy ditë. Ditët në vijim, me entuziazëm i përsëriti të gjitha gjërat që kishte mësuar. Tani, në gjuhën amtare, shumë të vërteta i kuptoi më qartë sesa me librin në gjuhën indoneziane. Mësueses së saj s’i bënte zemra t’ia merrte librin në gjuhën tetume. Maria vazhdon të studiojë e të ndjekë mbledhjet.

Në Kenia, në qeverisje e në tregti përdoren zakonisht anglishtja dhe suahili. Por miliona kenianë ndihen më rehat kur flasin kikuju, kikamba, luo dhe gjuhë të tjera vendëse. Prandaj, botimi i literaturës në këto gjuhë vendëse, ka ndihmuar që të nxitet interesi për adhurimin e Jehovait. Pasi kongregacioni Siaja nisi të përdorte literaturë e të drejtonte mbledhje në gjuhën luo, pleqtë shkruan: «Tani vëllezërit e kuptojnë më mirë ç’u mësohet. Fëmijët janë më të vëmendshëm. Që kur nisëm të mbanim fjalime të bazuara në skemat në gjuhën luo, prania në mbledhje është rritur 60 për qind.»

Në Nikaragua, shumë njerëz flasin gjuhën miskito, jo spanjishten, dhe mbi 200 veta ndoqën kongresin krahinor në gjuhën miskito. Disa bënë sakrifica të mëdha për të shkuar. Për shembull, 13 vëllezër nga qyteza e vogël Asang, në brigjet e lumit Koko, ndërtuan një lundër druri dhe lundruan nëpër lumë për dy ditë deri në qytezën Uaspam. Që atje, udhëtuan në karrocerinë e një kamioni për pesë orë deri në qytetin e kongresit. Ishte kongresi i parë krahinor që ndiqte pjesa më e madhe e këtij grupi. U kënaqën pa masë duke e dëgjuar programin në gjuhën e tyre. Meqë i kishin harxhuar të gjitha paratë për të shkuar në qytetin e kongresit, delegatët e tjerë kontribuan që vëllezërit të mbulonin shpenzimet e kthimit në shtëpi.

Auditori miskito në atë kongres u gëzua kur doli në gjuhën e tyre libri Çfarë mëson vërtet Bibla? Sidomos pionierët ishin shumë mirënjohës. Deri atëherë, me studentët e tyre biblikë u ishte dashur të përdornin librin Çfarë mëson vërtet Bibla? në spanjisht, duke i përkthyer në miskito paragrafët dhe pyetjet. Tani mund të përqendrohen që t’u mësojnë të tjerëve të vërtetat e Biblës, jo të mendojnë si të përkthejnë fjalët.

Keçua është një gjuhë e indianëve të Amerikës, që flitet në Amerikën e Jugut. Disa lajmëtarë keçua në Peru shkruan: «Kur mbarojmë prezantimin, i themi të zotit të shtëpisë se kemi botime në keçua. Disa janë prekur kaq shumë që e kanë literaturën në gjuhën e tyre, sa kanë qarë dhe i kanë puthur botimet.» Zyra e degës në Peru shkroi: «Disa vëllezër që jetojnë atje ku flitet keçua, janë përpjekur shumë të shprehin çmueshmërinë e tyre. Pasi lexoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? në keçua, një vëlla tha se më në fund kuptoi domethënien dhe vlerën e shpërblesës së Krishtit. Lexuesit i kanë dërguar degës patate, byrekë, arka me fruta dhe gjëra të tjera për të shprehur vlerësimin.»

Organizata po përpiqet fort edhe të përkthejë literaturë në gjuhët që fliten në ishujt e largët të Paqësorit. «Falënderoj Jehovain që na ka kujtuar,—i tha një motër një misionareje në ishullin mikronezian të Ponapes.—Më përpara, e merrnim Kullën e Rojës në gjuhën ponapeane disa muaj pas botimit anglisht.» Me ton miqësor, shtoi: «Mendonim se ndoshta edhe Harmagedoni do të vinte më vonë për ne. Por tani e studiojmë revistën njëkohësisht me pjesën tjetër të botës dhe është po aq e bukur sa revista në anglisht. Jemi vërtet mirënjohës që Trupi Udhëheqës po kujdeset për ne.»

Vëllezërit dhe motrat në Ishujt Marshall, në Paqësorin Verior, u kënaqën me botimin e ri të Kullës së Rojës për publikun në gjuhën marshalleze. Atyre u pëlqen shumë të lexojnë jetëshkrime, por botimet e mëparshme të Kullës së Rojës s’kishin vend për jetëshkrimet, prandaj dikush ua përkthente ato nga revista në anglisht. Prandaj, sa u lumturuan kur doli jetëshkrimi i parë në botimin për publikun në gjuhën vendëse. Një lexues 16-vjeçar tha: «Për vite me radhë shfletoja revistën në anglisht, shikoja figurat e jetëshkrimeve dhe thosha me vete: ‘Ah, sikur të mund t’i lexoja artikujt!’ Tani mund t’i lexoj.»

Sikur të ketë qoftë edhe një botim të vetëm në një gjuhë, mund t’u ndryshojë jetën njerëzve. Në një vend të Azisë Qendrore, ku vepra jonë është e kufizuar, është shpërndarë gjerësisht broshura Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Një i ri e mori këtë broshurë, e lexoi vetë dhe u prek kaq shumë, sa shkoi në një lumë aty afër dhe «pagëzoi» veten. Kur mësoi se duhej të bënte një studim biblik, menjëherë pranoi dhe pas pak u pagëzua siç duhej. Tani kalon shumë kohë duke u folur të tjerëve për lajmin e mirë.

PËRPARIM NË PËRKTHIMIN E BIBLËS

Dëshmitarët e Jehovait e quajnë thesar Fjalën e Perëndisë, Biblën, dhe për ta ka shumë rëndësi një përkthim i saktë e i qartë i saj. Për këtë arsye, populli i Perëndisë tani gëzon që e ka Përkthimin Bota e Re, të plotë ose të pjesshëm, në mbi 70 gjuhë. Edhe pse është emocionuese kur del Bibla në një gjuhë, ajo që u prek vërtet zemrën njerëzve dhe u modelon mendimet është përdorimi i saj ditë për ditë në studimin personal, në mbledhjet e kongregacionit dhe në shërbim.

Zyra e degës në Rusi ka marrë shumë letra vlerësimi për botimin e plotë në rusisht të Përkthimit Bota e Re. «Ndonëse e kam lexuar shumë herë Biblën,—shkroi një grua,—kur lexoj këtë përkthim, më duket sikur po e lexoj Biblën për herë të parë! Nganjëherë më mbushen sytë me lot dhe më kalojnë mornica në trup, aq ma prek zemrën mesazhi i Biblës.»

Qartësia e përkthimit bëri që një lexuese tjetër të thotë: «Sot, pasi lexova kapitullin 18 të Zanafillës, u shtyva t’ju shkruaj këtë letër. Më preku thellë biseda e Abrahamit me Jehovain, e dokumentuar në vargjet 23-32. Edhe pse kjo është hera e pestë që lexoj Biblën, ishte hera e parë që mendova seriozisht për këtë bisedë. E ndjeva merakun e Abrahamit dhe i «dëgjova» me vëmendje atë dhe Jehovain. Përkujdesja e Jehovait m’i mbushi sytë me lot. Ky përkthim ma bëri të gjallë atë situatë. Jo vetëm që i pashë cilësitë e Jehovait, por i përjetova personalisht.»

Svetllana nga Moska shkroi: «Faleminderit që na e sollët të plotë Përkthimin Bota e Re! Më në fund, nuk ngatërrohemi më duke e lexuar ‘Besëlidhjen e Vjetër’ me ndonjë përkthim të qëmoçëm e të pakuptueshëm! Është kaq i thjeshtë!»

Një lexuese tjetër shkroi: «Në punë, flitja për të vërtetën me pronaren time, Irinën. Në fillim, vetëm sa i përmendja shkrimet. Por, kur hapa Biblën dhe i tregova lutjen model të Jezuit, më pyeti: ‘Kjo është lutja Ati ynë?’ Kur lexoi fjalët e Jezuit, i shkëlqyen sytë nga gëzimi dhe tha: ‘Sa e mrekullueshme! Është thënë kaq thjesht! E kam dëgjuar shpesh këtë lutje, por asnjëherë s’e kam kuptuar. Këtu është kaq e qartë dhe e thjeshtë! Dua një Bibël si kjo. Më gjej një! Më gjej një Bibël si kjo!’ I thashë: ‘Bibël u japim vetëm njerëzve që vërtet duan ta lexojnë.’ M’u përgjigj serioze: ‘Më përpara s’kam dashur ta lexoj Biblën. Edhe pse kam pasur disa Bibla, i kam falur të gjitha, por tani vërtet dua ta lexoj!’»

Një vëlla shkroi për Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën ukrainase: «Dua t’ju shpreh mirënjohjen për këtë dhuratë të mrekullueshme nga Jehovai dhe nga organizata e tij. Po e shijoj çdo faqe të saj dhe e mbaj me vete kudo. Gjuha është e thjeshtë dhe e kuptueshme. Fjalët më prekin zemrën dhe i kuptoj me lehtësi mësimet e Biblës, ndonëse janë të thella.»

Edhe botimet serbe e kroate janë pritur po njësoj. «Është shumë e lehtë për t’u lexuar,—shkroi një motër kroate,—dhe shumë më e lehtë për t’u kuptuar se Bibla që kemi përdorur për vite. Këshillat e Biblës më prekin zemrën më shpejt dhe e ndiej se po e njoh Jehovain më mirë se kurrë më parë.»

Më 2 nëntor 2007, vëlla Xhefri Xheksoni nga Trupi Udhëheqës, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën samoane. Kopjet e Biblës tradicionale samoane janë të rralla e kushtojnë, prandaj vëllezërit janë të kënaqur që tani mund t’i marrin kollaj Biblat. Pasi e kishte përdorur për disa muaj Biblën, një lajmëtar tha: «Bibla e vjetër duket se i mjegullon mendimet, kurse Bibla e re i zbulon ato, i bën më të qarta.»

Një motër tregon se gjatë një studimi biblik, në botimin për studim ishte cituar Jakovi 4:8. Ai thotë: «I sugjerova të zotit të shtëpisë ta lexonim në Përkthimin Bota e Re, edhe pse e njihnim shkrimin. Në fillim menduam se kishim ngatërruar shkrimin, derisa kontrolluam se ishim te vargu i duhur. Motra që më shoqëronte në studim, tha me zë të mekur: ‘Vargu ka ndryshuar!’ Tani e kuptuam qartë se «afrojuni» do të thotë se duhet të kemi një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, një pikë që nuk shprehej në Biblën tradicionale. Na u prek zemra vërtet dhe u nxitëm të krijojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain.»

Pak pasi doli Përkthimi Bota e Re në gjuhën kineze, misionarët që shërbejnë në Tajvan, shkruan: «Patëm mundësi t’ia prezantonim Përkthimin Bota e Re një avokati që i pëlqen revistat tona dhe i merr rregullisht. Ai donte të dinte pse ishte i nevojshëm një përkthim i ri. I treguam vetëm disa vargje, që i bënë përshtypje dhe tha se ky përkthim i ri është shumë më i lehtë për t’u kuptuar se Bibla Union Version, që kishte lexuar deri atëherë.» Gjithashtu, ia treguan Biblën edhe një anëtareje të parlamentit, e cila e la në zyrë. Një prezantues emisionesh në radio, që i kishte kritikuar Dëshmitarët e Jehovait, e pa Biblën në zyrën e saj, e mori dhe lexoi një pjesë. I bëri kaq shumë përshtypje, saqë u telefonoi misionarëve dhe u kërkoi një kopje për vete.

Një motër kirgize që lexon me vështirësi se ka probleme me sytë, e mendonte si një barrë leximin e Biblës. Por ndërroi mendim kur mori Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën kirgize. Tani gjen kënaqësi në leximin e Biblës falë përkthimit të qartë e të thjeshtë.

Një motër tjetër tha: «Është një përkthim i shkëlqyer! Nuk ngec kur e lexoj me zë. Dua ta lexoj e ta rilexoj. Më duket sikur po e mësoj të vërtetën nga e para.»

Një motër me probleme dëgjimi, i shkroi Trupit Udhëheqës: «Më pëlqen shumë Ungjilli sipas Mateut në gjuhën amerikane të shenjave (ASL). Tani Bibla është e gjallë dhe më prek zemrën. Arrij të përfytyroj personalitetin e Jezuit, shprehjet e tij të fytyrës, mirësinë dhe dashurinë e tij të thellë për njerëzit. Më pëlqen shumë Mateu në ASL. Por, . . . a mund të shpejtoni përgatitjen e librave të tjerë të Biblës në ASL?»

Pa dyshim, Bibla e përkthyer siç duhet mund të heqë velin që errëson kuptimin e Fjalës së Perëndisë e të lërë dritën e mesazhit të vërtetë të ndriçojë në zemrën e lexuesit. Për këtë arsye, ata që dëshirojnë me zjarr t’i afrohen Atit të tyre qiellor, gëzojnë kur del Përkthimi Bota e Re në gjuhën amtare, në gjuhën që i flet zemrës së tyre.

DËRGOHEN MË SHUMË PUNËTORË NË TË KORRAT

Për shkak të thjeshtimit të veprimtarive të degëve, disa pjesëtarë të familjes Bethel të Shteteve të Bashkuara janë ftuar të shërbejnë në caktime të tjera. Disa janë dërguar në degë të vendeve të tjera, kurse disa qindra të tjerë janë caktuar si pionierë specialë e të rregullt në të gjithë vendin. Si u ndien ata kur morën këto caktime të reja? Si i kanë përballuar vështirësitë që vijnë bashkë me një caktim të ri? Si kanë nxjerrë dobi kongregacionet?

Todi dhe Lesli kujtojnë: «Për shumë vjet, i ishim lutur ‘Zotërisë të të korrave të dërgonte punëtorë në të korrat e tij’. Por s’e kishim kuptuar se ne do të ishim pjesë e përgjigjes së këtyre lutjeve. Tani e shohim dorën e Jehovait që po i drejton gjërat, dhe mendojmë se është privilegj që Krishti ‘na ka konsideruar të besueshëm dhe na ka caktuar një shërbim’.»—Mat. 9:37, 38; 1 Tim. 1:12.

Frankoja kujton muajt e parë që kaloi bashkë me të shoqen në caktimin e ri, dhe thotë: «As që e kishim idenë sa nevojë kishte ende në Shtetet e Bashkuara. Kur shkuam në caktimin tonë, patëm kërkesa pothuajse pa fund për studime biblike.» Duke shprehur atë që ndiejnë shumë nga këta pionierë, Kërtisi dhe Karolina thanë: «Jemi më se të lumtur që kemi këtë caktim në shërbim. Është një mundësi që t’i tregojmë Jehovait se e kishim me tërë mend kur mohuam veten dhe ia kushtuam jetën atij.»

I BESOJNË «ZOTËRISË TË TË KORRAVE»

Natyrisht, pasi kishin kaluar vite në Bethel, caktimi në fushë krijoi njëfarë ankthi. «A do të gjejmë dot një shtëpi që mund ta përballojmë?—pyeti një çift.—E si do të kalojmë nga lajmëtarë në pionierë që harxhojnë 120 a 130 orë në shërbim çdo muaj e që janë inkurajues për kongregacionin?» Si i përballuan ata dhe të tjerët rrethanat e reja?

Disa që po kërkonin shtëpi në caktimin e tyre të ri, vetëm ditën e fundit arritën të gjenin një me çmim që mund ta përballonin. Për shembull, Xhesika, një motër beqare, vizitoi kongregacionin ku ishte caktuar dhe kaloi dy javë duke kërkuar shtëpi, por më kot. Një ditë para se të kthehej në Bethel që të bënte gati plaçkat, u gëzua tej mase kur një plak vendës i ofroi një shtëpi të vogël që mund ta merrte me një qira të arsyeshme.

Xhefi dhe Sintia i përmendën një administratori apartamentesh me qira se janë Dëshmitarë të Jehovait. «I njoh Dëshmitarët e Jehovait,—ua ktheu administratori—dhe e di se nga ju s’do të kem telashe. Juve jua garanton Jehovai qiranë!»

Eriku dhe Melonia thanë: «Përvojat si e jona na kujtojnë se duhet të mbështetemi gjithnjë te Jehovai. Çdo ditë shohim prova se Jehovai po vepron për ne. Kjo na e ka forcuar shumë besimin.»

KONGREGACIONET SIGUROJNË MBËSHTETJE

Dashuria me të cilën kongregacionet i kanë pritur këta pionierë, i ka ndihmuar jashtë mase që të përshtaten me caktimet e reja. Një mbikëqyrës qarkor tregon se shumë kongregacione i quajnë ata me përzemërsi «pionierët tanë specialë». Ai shton: «Tërë qarku i mirëpriti me krahë hapur e me gjithë zemër.» Një vëlla vendës shkroi me mirënjohje: «Dua të falënderoj degën. Sa të bekuar jemi të gjithë ne me këta pionierë!»

Një kongregacion në Kansas kishte 100 territore që nuk ishin predikuar për shumë muaj. Tani, me ndihmën e një çifti pionierësh specialë, pjesa më e madhe e territorit po predikohet rregullisht. Pleqtë shkruan: «S’mund ta përfytyronim kurrë sa i dobishëm do të ishte ky ndryshim.»

Kongregacionet kanë qenë «ndihmë fuqizuese» për pionierët, por edhe vetë lajmëtarët vendës kanë nxjerrë dobi. (Kolos. 4:11) Një mbikëqyrës qarkor raporton: «Zelli dhe entuziazmi i pionierëve i ka inkurajuar dhe i ka zgjuar vëllezërit e motrat.» Një tjetër mbikëqyrës udhëtues shkroi: «Çka vëmë re më tepër te pionierët specialë janë dashuria dhe gëzimi i tyre, që u janë ngjitur edhe të tjerëve.»

Një çift u gëzua që arriti të ndihmonte dhjetë lajmëtarë joaktivë të bëheshin përsëri aktivë. Gjithashtu, vëllezërit që shërbejnë si pleq po ndikojnë për mirë. Një plak shkroi: «Është një lehtësim të kemi në kongregacion një vëlla kaq të ekuilibruar e të stërvitur. Është tamam ajo që i duhej kongregacionit dhe trupit të pleqve.»

«BASHKËPUNËTORË TË PERËNDISË»

Jehovai i ka bekuar predikuesit e Mbretërisë me shumë përvoja të gëzueshme. Për shembull, Stivi dhe Gaja dolën shtëpi më shtëpi një ditë dimri të ftohtë. Në derën e parë nisën një studim biblik me një të moshuar të dëshpëruar. Brenda dy javësh, ai shkoi në një mbledhje në Sallën e Mbretërisë, ku çifti rastësisht i përmendi sa mirëdashës ishte treguar me ta në vizitën e parë. Ai u përgjigj: «Nuk ju ftova ngaqë po tregohesha i mirë. Ju ftova sepse e dija që do të vinit. Kisha tri ditë që lutesha për ndihmë.» Tani po ndjek rregullisht mbledhjet dhe po përparon drejt pagëzimit.

Një mëngjes, Reji dhe Xhili po udhëtonin me makinë kur panë një burrë që po ecte anës rrugës, në krahun tjetër, dhe vendosën t’i flitnin. I ofruan literaturë dhe një studim biblik. Ai i mori revistat dhe u shpjegoi se kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ishte transferuar kohët e fundit atje, dhe e pranoi me kënaqësi ofertën e tyre për të rifilluar studimin.

Të gjithë ata që vazhdojnë të bëjnë sakrifica në shërbim të Jehovait, e dinë se ‘Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën e tyre dhe dashurinë që treguan për emrin e tij’. (Hebr. 6:10) Ashtu si trupi i njeriut ka shumë gjymtyrë që sigurojnë secila atë që nevojitet, çdo pjesëtar i kongregacionit mund të kontribuojë diçka për rritjen frymore dhe bukurinë e kongregacionit. «Perëndia ka vendosur në [kongregacion] gjymtyrët, secilën ashtu si i pëlqeu» dhe bashkëpunimi i të gjithëve bën që ‘gjithë gjymtyrët të gëzojnë’. (1 Kor. 12:18, 26) Ky bashkëpunim i harmonishëm mes ‘bashkëpunëtorëve të Perëndisë’ i sjell lavdi Jehovait, i cili «vazhdon ta rritë» veprën.—1 Kor. 3:6, 9.

THEMELOHET LIGJËRISHT LAJMI I MIRË

Jezui u tha apostujve: «Për shkak të emrit tim do t’ju urrejnë të gjithë njerëzit.» (Mat. 10:22) Dishepujt e vërtetë duhej të pritnin që kundërshtarët, ‘duke gënjyer, të thoshin çdo lloj gjëje të ligë kundër tyre për shkakun e tij’. (Mat. 5:11) Ç’kanë bërë dishepujt e sotëm të Krishtit ‘për të themeluar ligjërisht lajmin e mirë’?—Filip. 1:7.

Armeni:

Nga prilli i vitit 2007 deri në prill të vitit 2008, punonjësit e doganës në Armeni mbajtën më tepër se shtatë tonë Bibla e literaturë biblike dhe nuk i lanë të kalonin, përveçse po të paguheshin taksa marramendëse. Si përfundim, në prill të vitit 2008, vëllezërve iu dha dërgesa e parë e literaturës pasi u paguan taksat mes protestash, ndërkohë që dërgesat e tjera vazhdojnë të mbahen. Vëllezërit po ndërmarrin hapa ligjorë për të zgjidhur këtë çështje.

Kazakistan:

Dy vëllezër nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait që kishin shkuar t’u jepnin inkurajim frymor bashkadhuruesve në Kazakistan, u arrestuan pas një mbledhjeje speciale në Alma-Atë. I mbajtën në rajonin e policisë, i morën në pyetje dhe pastaj i çuan para një gjykatësi të gjykatës administrative, i cili i shpalli fajtorë për «aktivitet misionar». Ndonëse më vonë i liruan, po bëhen përpjekje për anulimin e dënimeve të tyre. Këto kohët e fundit, autoritetet kanë hyrë me forcë në shtëpitë e vëllezërve e kanë ndërprerë mbledhjet që bëhen për t’u lutur e për të studiuar Biblën. Gjykatat kanë pezulluar aktivitetet fetare të tri kongregacioneve të regjistruara ligjërisht, dhe organet ekzekutive kanë ndërprerë vazhdimisht aktivitetet teokratike në një rajon në veri të detit Kaspik.

Taxhikistan:

Komuniteti Fetar i Dëshmitarëve të Jehovait në Taxhikistan u regjistrua ligjërisht në vitin 1994, duke u dhënë mundësi të mblidhen për adhurim. Por, më 11 tetor 2007, Ministria e Kulturës nxori një vendim që ndalonte besimin fetar të Dëshmitarëve të Jehovait. Po bëhen përpjekje për t’u treguar autoriteteve se Dëshmitarët e Jehovait janë paqedashës dhe nuk përbëjnë rrezik për rendin publik.

Uzbekistan:

Situata e Dëshmitarëve të Jehovait në Uzbekistan vazhdon të përkeqësohet. Në fillim të vitit 2008, një Dëshmitar i Jehovait u dënua me katër vjet në një koloni pune të detyruar, sepse praktikonte fenë e tij. Të tjerë janë arrestuar, mbajtur nën arrest, dënuar dhe gjobitur për shkelje të legjislacionit për organizatat fetare dhe rregullat për mësimin e bindjeve fetare. Kanë hyrë me forcë nëpër mbledhje, u kanë kontrolluar shtëpitë, është konfiskuar literatura dhe lajmëtarët janë mbajtur nën arrest. Shumë nga vëllezërit dhe motrat janë keqtrajtuar me fjalë dhe fizikisht nga punonjësit e policisë.

Disa zyrtarë nga ky rajon u kanë treguar vëllezërve se përgjegjës për nxitjen e këtyre akteve të liga janë klerikët vendës. Vazhdojmë të lutemi që së shpejti autoritetet ta shohin sa pa vend janë veprimet e tyre dhe t’i lejojnë vëllezërit e motrat ‘të vazhdojnë të bëjnë një jetë të qetë e të patrazuar, plot me përkushtim hyjnor dhe seriozitet’.—1 Tim. 2:1, 2.

Greqi:

Gjykata e lartë në Greqi dha dy vendime të favorshme për të drejtën e individëve që të njihen si kundërshtarë për arsye të ndërgjegjes, bazuar në bindjet e tyre fetare. Disa vjet para se të transferohej në Greqi e të bëhej Dëshmitar i Jehovait, Kostandinos Kotidhisi kishte shërbyer në forcat e armatosura të Bashkimit Sovjetik. Kur autoritetet e thirrën vëlla Kotidhisin për shërbimin ushtarak, nuk pranuan ta lejonin të bënte shërbim civil alternativ. Thanë se meqë ai tashmë kishte shërbyer në ushtri, nuk kishte baza që të pretendonte se ishte kundërshtar për arsye të ndërgjegjes. Megjithatë, Këshilli i Shtetit vendosi se një individ që kishte kryer shërbimin ushtarak e që më vonë kishte ndryshuar bindjet fetare, mund të njihej si kundërshtar për arsye të ndërgjegjes e të lejohej të kryente shërbim civil alternativ.

Në një rast tjetër, Stilianos Joanidhisit iu mohua e drejta e punës në një institucion publik ngaqë kishte qenë në burg si kundërshtar për arsye të ndërgjegjes e prandaj nuk i kishte kryer detyrimet ushtarake. Ndërsa Këshilli i Shtetit vendosi se, kur kundërshtarët për arsye të ndërgjegjes e kryejnë dënimin, kanë baza për përjashtimin nga shërbimi ushtarak. Gjithashtu, gjykata tha se statusi i tyre ushtarak do të ishte përcaktuar një herë e mirë, prandaj nuk do të ishte pengesë për punësimin në shërbimet publike. Kjo është hera e parë që Këshilli i Shtetit mori vendime mbi të njëjtat baza të lirisë fetare siç bëri Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në një rast tjetër, ku një Dëshmitari të Jehovait iu mohua e drejta e punës për shkak të bindjeve të tij si kundërshtar për arsye të ndërgjegjes.

Eritre:

Vëllezërit e motrat në Eritre vazhdojnë t’i trajtojnë ashpër e me të padrejtë. Autoritetet po mbajnë në burgje një numër Dëshmitarësh të Jehovait, disa në kushte jashtëzakonisht të këqija. Në korrik të vitit 2008, u arrestuan gjashtë vëllezër të tjerë, ndër ta disa pleq që merrnin drejtimin në këtë vend. Pavarësisht nga përpjekjet e shumta dhe kërkesat ndërkombëtare për lehtësim, qeveria mbetet e vendosur ta kundërshtojë adhurimin e Perëndisë së vërtetë, Jehovait.

Koreja e Jugut:

Në Korenë e Jugut, ku qeveria nuk ka pranuar të njohë të drejtën themelore për të kundërshtuar shërbimin ushtarak në bazë të ndërgjegjes, gjërat po ndryshojnë. Mbi 13.000 vëllezër kanë kryer dënime me burg gjatë 50 viteve të kaluara dhe aktualisht rreth 500 janë në burg. Me vendosmërinë dhe sjelljen e tyre të krishterë, ata kanë dhënë një dëshmi të shkëlqyer para autoriteteve të burgut e atyre shtetërore, duke kënaqur Perëndinë Jehova. (1 Pjet. 2:20) Deri më tani, 488 kërkesa i janë parashtruar Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i cili, në vitin 2006, vendosi në favorin tonë për dy prej tyre. Ndërkohë, vëllezërit shpresojnë se qeveria do të veprojë sipas synimit të saj për të vënë në zbatim një ligj që siguron shërbim civil alternativ të pranueshëm.

Ruandë:

Në prill të vitit 2008, të gjithë mësuesve në Ruandë iu kërkua të ndiqnin një seminar. Ndër ta kishte shumë mësues Dëshmitarë të Jehovait. Nuk u bë asnjë përjashtim për ata që nuk donin të merrnin pjesë në aktivitete që dhunonin ndërgjegjen e tyre të stërvitur sipas Biblës. Si pasojë, 215 Dëshmitarë që nuk pranuan të ndiqnin seminarin, i pushuan nga puna dhe dy motra i burgosën për disa javë. Në seminar përfshiheshin çështje politike e ushtarake, dhe të pranishmëve iu urdhërua të merrnin pjesë në aktivitete politike e në ceremoni nacionaliste. Ata që tentuan të iknin nga seminari, u ndaluan nga ushtarët. Që nga ajo kohë, 90 fëmijë të Dëshmitarëve të Jehovait janë përjashtuar nga shkolla ngaqë s’kanë kënduar himnin kombëtar ose s’kanë nderuar flamurin. Jemi të bindur se Jehovai do t’u japë forcë vëllezërve e motrave, si dhe fëmijëve të tyre, që të mbajnë integritetin përballë kësaj vale të re përndjekjeje.

Spanjë:

Qeveria e Spanjës miratoi një dekret mbretëror për Dëshmitarët e Jehovait në shërbim special të plotkohor, siç janë anëtarët e familjes Bethel dhe mbikëqyrësit udhëtues. Njoftimi zyrtar i njihte shërbëtorët e plotkohorë si «shërbëtorë të emëruar zyrtarisht . . . që i kushtohen vetëm aktivitetit misionar ose baritor, arsimimit fetar ose edhe aktiviteteve të tjera të nevojshme që shërbejnë për të mbështetur synimet e fesë së tyre». Ky dekret vjen në një kohë kur autoritetet në disa vende po diskutojnë nëse shërbëtorët specialë të plotkohorë Dëshmitarë të Jehovait janë vërtet shërbëtorë të cilëve u takojnë dobitë që u jepen atyre të grupeve të tjera fetare.

GJYKATA EVROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT

Dëshmitarët e Jehovait në Armeni, Austri, Azerbajxhan, Francë, Gjeorgji, Rusi, Turqi dhe Ukrainë kanë gjithsej 24 kërkesa që priten të shqyrtohen nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg të Francës. Kërkesat lidhen me të drejtat themelore të qytetarëve që jetojnë nën juridiksionin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, siç është e drejta e refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të kundërshtimit personal për arsye të ndërgjegjes. Kërkesa të tjera përfshijnë përndjekjen dhe diskriminimin në bazë të fesë, çregjistrimin ose ndalimin e entit ligjor të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait për të organizuar veprën, ndërhyrjen e qeverisë në të drejtën për t’u mbledhur paqësisht për adhurim dhe të drejtën e një nëne Dëshmitare për ta rritur fëmijën e saj si Dëshmitar të Jehovait.

Austri:

Më 31 korrik 2008, GJEDNJ-ja dha një vendim të favorshëm për çështjen Dëshmitarët e Jehovait kundër Austrisë. Gjykata përcaktoi se ligji austriak për fetë shkel të drejtën e Dëshmitarëve të Jehovait për lirinë e adhurimit, duke përdorur një sistem me dy kategori, që krijon një klasë fesh me status më të ulët e, si pasojë, një klasë qytetarësh me status më të ulët. Ky vendim vjen pas 30 vjet përpjekjesh të vëllezërve tanë për të marrë statusin e një shoqate fetare të njohur në Austri. Gjykata deklaroi: «[Periudha e gjatë e pritjes] nuk duket e justifikuar për grupet fetare që kanë ekzistuar prej kohësh në rang ndërkombëtar e që gjithashtu veprojnë prej kohësh në vend, prandaj janë të njohura për autoritetet kompetente, si në rastin e Dëshmitarëve të Jehovait.» Qeverisë austriake iu kërkua të rregullonte situatën ligjore aktuale, e cila mund t’i lejojë vëllezërit të kenë të njëjtat të drejta si grupet fetare të mëdha në Austri.

Azerbajxhan:

Në nëntor të vitit 2007, GJEDNJ-së iu parashtrua një kërkesë ku akuzohet policia për shkelje të së drejtës së lirisë së adhurimit. Edhe pse Dëshmitarët e Jehovait janë të regjistruar ligjërisht në Azerbajxhan, ka pasur një rritje alarmante të arrestimeve dhe keqtrajtimit të vëllezërve. Grupe të mëdha me policë të armatosur kanë mësyrë mbledhje paqësore të Dëshmitarëve të Jehovait, duke konfiskuar literaturë dhe sende personale, duke arrestuar e mbajtur nën arrest të pranishmit e duke sulmuar me fjalë e fizikisht vëllezërit e motrat. Ngaqë mësymjet e policisë kanë vazhduar, gjykata e ka pranuar urgjencën e situatës dhe e ka përshpejtuar rishikimin e çështjes. Shpresojmë që së shpejti vëllezërve t’u lejohet të mblidhen paqësisht pa pasur frikë se policia mund të ndërhyjë.

Francë:

Në shkurt të vitit 2005, GJEDNJ-së iu parashtrua një kërkesë lidhur me taksën e padrejtë e të paligjshme që i ka vënë qeveria franceze Shoqatës së Dëshmitarëve të Jehovait në Francë. Mbetet për t’u parë nëse gjykata do të pranojë ta shqyrtojë çështjen. Ndërkohë, kundërshtarët i kanë keqparaqitur kaq shumë bindjet tona, saqë vitin e kaluar kanë ndodhur 70 akte vandalizmi kundër Sallave të Mbretërisë. Megjithatë, vëllezërit në Francë vazhdojnë të shpresojnë se gjykata së shpejti do të vendosë se qeveria ka vepruar në mënyrë diskriminuese dhe do t’u sjellë lehtësim Dëshmitarëve të Jehovait atje.

Rusi:

Në dhjetor të vitit 2001, Dëshmitarët e Jehovait në Rusi i parashtruan GJEDNJ-së një kërkesë ku ankoheshin për ndjekje të vazhdueshme penale e civile kundër komunitetit fetar të Dëshmitarëve të Jehovait. Në qershor të vitit 2004, gjykata e qytetit të Moskës mbështeti vendimin e një gjykate më të ulët për të ndaluar veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë e për të shkrirë entin e tyre ligjor. Në përgjithësi, vëllezërit në Moskë ende janë në gjendje të mblidhen për adhurim e të predikojnë lajmin e mirë për Mbretërinë. Gjithsesi, në Moskë e gjetkë në Rusi, ka pasur incidente të shumta të ndërhyrjes zyrtare në mbledhje e asamble, si dhe akte të tjera keqtrajtimi ndaj vëllezërve dhe motrave. Për shembull, në korrik, në qytetin e Çehovit, rreth 60 kilometra në jug të Moskës, disa veta i vunë zjarrin dhe shkatërruan një Sallë Mbretërie. Ndonëse u thirrën menjëherë zjarrfikësit, dëshmitarët okularë thonë se ata s’bënë thuajse asgjë për të shuar zjarrin, dhe deri tani policia nuk ka pranuar të fillojë hetimet. Me gjithë vështirësitë dhe kundërshtimin, vëllezërit e motrat në Rusi mbeten besnikë dhe mbështeten te Jehovai.

Jehovai premton se asnjë armë e sajuar kundër shërbëtorëve të tij, nuk do të ketë sukses. (Isa. 54:17) Edhe rrethanat më të vështira mund të sjellin si rezultat «përparimin e lajmit të mirë». Prandaj, shërbëtorët e Perëndisë janë të vendosur të vazhdojnë ‘të qëndrojnë të patundur në një mendje, duke u përpjekur krah për krah me një shpirt për besimin e lajmit të mirë e duke mos u trembur në asgjë nga kundërshtarët e tyre’. (Filip. 1:12, 16, 18, 27, 28) «Vazhdoni të luteni» për vëllezërit e motrat në mbarë tokën që e vënë besimin te Jehovai, ‘kalaja e tyre dhe Ai që u sjell shpëtim’!—2 Sel. 3:1; Psal. 18:2.

KUSHTIMET E DEGËVE

Të shtunën më 10 nëntor 2007 pati shumë gëzim në degën e Afrikës së Jugut, pasi rreth 4.000 vëllezër e motra u mblodhën për kushtimin e një shtypshkronje të zgjeruar, të dhomës së ngrënies dhe një rezidence.

Vizitorët në shtypshkronjën e zgjeruar u kënaqën kur panë makinën e shtypit MAN Roland Litoman tek nxirrte me dhjetëra mijë Bibla e botime biblike. Reparti i ri i libralidhjes tashmë ka prodhuar mbi një milion kopje të Përkthimit Bota e Re në 16 gjuhë afrikane. Mysafirëve iu treguan ndërtesat e zgjeruara të dërgimit, ku dega magazinon literaturën biblike që përdorin pothuajse 8.000 kongregacione në dhjetë vende të pjesës jugore të Afrikës.

Më 7 qershor 2008, në Lagos të Nigerisë u kushtua një shtesë e ndërtesave të degës, 360 kilometra në jugperëndim të kompleksit të Bethelit në Igiedumë. Zyra e Lagosit përbëhet nga rezidenca me 24 dhoma, një depo dhe një ndërtesë zyrash. Shumë çështje të degës trajtohen në Lagos, që është kryeqyteti ekonomik i vendit. Ndërtesat e reja sigurojnë strehim për bethelitët që presin dërgesat në port dhe blejnë furnizimet për degën, si dhe për ata që mbërrijnë ose nisen nga aeroporti. Gjithashtu, zyra e Lagosit shërben si vend i përkohshëm ku bëhet Shkolla e Stërvitjes për Shërbim, derisa të mbarojë zgjerimi i degës në Igiedumë. Vërtet, bekimi i Jehovait është i dukshëm në veprën e predikimit në Afrikë, si edhe në mbarë tokën.

TË PAJISUR PËR TË BËRË VULLNETIN E PERËNDISË

Sa mirënjohës i jemi Jehovait që na ka pajisur «me çdo gjë të mirë për të bërë vullnetin e tij, duke kryer te ne, nëpërmjet Jezu Krishtit, atë që është e pëlqyeshme në sytë e tij»! (Hebr. 13:21) Ngaqë Jehovai ka treguar se është ai që «mund të bëjë shumë më tepër nga sa kërkojmë ose konceptojmë ne», themi me gjithë zemër: «[Atij] i qoftë lavdia me anë të kongregacionit dhe me anë të Krishtit Jezu brez pas brezi, në jetë të jetëve!»—Efes. 3:20, 21.

[Kutia në faqen 25]

Përse dhe si regjistrohet një fe?

Regjistrimi i një feje ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Disa vende, si Armenia dhe Azerbajxhani, kanë ligje specifike që i lejojnë një shoqate fetare të aplikojë për regjistrim dhe njohje ligjore. Nëse aplikimi pranohet, shoqata fetare njihet si fe zyrtare në atë vend. Në vende të tjera, ka dy kategori regjistrimi. Kategoria e parë është rezervuar për fetë kryesore. Kjo kategori ka shumë përparësi, ndër të cilat edhe përjashtimi nga taksat. Kategoria e dytë në përgjithësi rezervohet për grupet fetare më të vogla, më të reja dhe jotradicionale.

Në vende të tjera, si Gjeorgjia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka ndonjë legjislacion specifik për regjistrimin e feve. Në raste të tilla, kushtetuta garanton lirinë e fesë për të gjithë. Ndonëse nuk ka njohje formale të grupeve fetare individuale, një grup mund të aplikojë për regjistrimin e një enti ligjor. Po të pranohet aplikimi, grupi mund ta përdorë entin ligjor për të kryer veprimtaritë e veta, ndër të cilat janë shtypja dhe botimi i literaturës, si dhe zotërimi i pronave të paluajtshme.

[Harta në faqen 21]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

AUSTRI

FRANCË

SPANJË

GREQI

ERITRE

RUANDË

ARMENI

AZERBAJXHAN

RUSI

KAZAKISTAN

UZBEKISTAN

TAXHIKISTAN

KOREJA E JUGUT

[Figura në faqen 11]

Kongregacioni Siaja në gjuhën luo

[Figura në faqen 13]

Pjesërisht ose i plotë, «Përkthimi Bota e Re» është botuar në mbi 70 gjuhë

[Figura në faqen 22]

Kostandinos Kotidhisi

[Figura në faqen 22]

Stilianos Joanidhisi

[Figura në faqen 29]

Rezidenca e re në Lagos, Nigeri

[Figura në faqen 29]

Shtypshkronja, dega e Afrikës së Jugut