Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën

Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën

Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën

AFRIKA

VENDE: 57

POPULLSIA: 848.582.269

LAJMËTARË: 1.122.493

STUDIME BIBLIKE: 2.202.217

Ruandë:

Tek kthehej nga shkolla, një vajzë nëntëvjeçare gjeti në rrugë një çantë të vogël me një shumë të madhe parash. Familja e saj, që po studionte Biblën me Dëshmitarët, vendosi të zbatonte atë që kishte mësuar nga Bibla. Kështu, kërkuan pronarin dhe i kthyen paratë. Ai e pyeti vajzën: «Po të të jepja ca para si shpërblim për ndershmërinë tënde, ç’do të bëje me to?»

«Do të blija një Bibël»,—ia ktheu vajza.

Kjo e habiti burrin, që i tha: «Mendova se do të blije rroba ose këpucë, se, me sa shoh, ato që ke veshur janë goxha të vjetra.» Vajza nguli këmbë se do të donte më shumë të kishte një Bibël. Burri donte të dinte pse familja nuk i mbajti paratë. Pasi mori vesh se po studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, bleu dy Bibla, një për vajzën dhe një për familjen e vet. Gjithashtu, kërkoi që Dëshmitarët të shkonin te familja e tij e të studionin Biblën me ta. Të dyja familjet po bëjnë përparim frymor.

Republika e Afrikës Qendrore:

Me ndihmën e Jehovait, Teodora arriti të mposhtte natyrën e saj tepër të ndrojtur. Edhe pse ishte rritur në një familje të krishterë, ajo rrallë i ndiqte mbledhjet në Sallën e Mbretërisë, sepse ishte e ndrojtur. Kur nisi t’i ndiqte, ulej vetëm, nuk fliste me askënd dhe ikte menjëherë pas këngës e lutjes mbyllëse. S’kaloi shumë dhe ishte gjithnjë në sallë, por rrallë zgjaste dorën t’i takonte ata që vinin ta përshëndetnin. Me kalimin e kohës, nisi të komentonte në mbledhje e t’u afrohej të tjerëve për t’i përshëndetur. Pjesëmarrja në shërbim ishte një hap i madh për të. Kur vajzat e lagjes e tallnin, Teodora donte ta linte predikimin, por iu lut Jehovait për këtë, duke i kërkuar forcë. Tani është motër e pagëzuar, shërben si pioniere ndihmëse dhe bën komente të bukura në mbledhje. Drejton katër studime biblike, njërin me një fqinj që më parë e tallte.

Madagaskar:

Një mbikëqyrës udhëtues me të shoqen po udhëtonin për te një kongregacion në një zonë rurale. Rrugës ndeshën disa hajdutë gjedhësh, të armatosur me sëpata e fuzhnja. Pasi u lut në heshtje për guxim, gruaja e mbikëqyrësit qarkor u ofroi fletushkën Jeta në një botë të re paqësore. U tha: «Sot jetojmë me frikë. Por së shpejti Perëndia do t’i shkatërrojë të ligjtë e do të vendosë një botë e re, ku do të sundojë paqja.» Njëri nga burrat e dëgjoi me vëmendje dhe e pranoi fletushkën.

Një vit më vonë, në një asamble, një burrë iu afrua dhe e pyeti nëse e mbante mend. I tha se kishte qenë me hajdutët që kishte takuar në atë rrugë me baltë dhe se ishte ai që pranoi fletushkën. Pastaj shpjegoi: «Kur ju takuam, po ktheheshim nga një grabitje. Ajo që the, më vuri në mendime. Thashë me vete: ‘Nga policët e nga ushtarët nuk kemi frikë, se mund t’u shpëtojmë. Po si t’i shpëtoj Perëndisë, në qoftë se do të shkatërrojë të ligjtë?’ Prandaj vendosa t’i hyja më thellë kësaj pune. Si u ktheva në shtëpi, shkova te një fqinj që po studionte Biblën me një pionier special. Pranova të studioja Biblën me të, dhe do të pagëzohem në këtë asamble.»

Mozambik:

Në vitin 1992, Madalena, që atëherë sapo kishte mbushur 30 vjeçe, pësoi aksident rrugor dhe mbeti paraplegjike. Pas kësaj, rrallë dilte nga shtëpia. Tre vjet më vonë, Dëshmitarët folën me babanë e saj te dera e shtëpisë. Ai ishte udhëheqësi i një grupi fetar tradicional, që mblidhej në oborrin e pasmë të shtëpisë. Madalena dëgjoi bisedën dhe që ata pyetën për të, prandaj i ftoi të hynin brenda. U prek shumë kur pa se interesoheshin vërtet për të. Pranoi një studim biblik dhe tregonte interes të thellë për atë që mësonte. Duke parë zellin e saj, Dëshmitarët e ndihmuan në shumë mënyra praktike, si për shembull që të vinte në mbledhje. Me këtë ndihmë, Madalena arriti të simbolizonte kushtimin ndaj Jehovait në vitin 2002.

Prindërve të Madalenës i bëri shumë përshtypje kujdesi që tregonin Dëshmitarët për vajzën e tyre. E ëma nisi të ndiqte mbledhjet dhe e la fenë e të shoqit. Kurse babai i Madalenës, fillimisht thoshte se nuk do ta braktiste kurrë fenë e tij, por me kalimin e kohës edhe ai nisi të ndiqte mbledhjet. Besimtarët e tjerë i bënë presion të mos shkonte më në mbledhje, se në fund të fundit ishte udhëheqësi i tyre. Por ai qëndroi i palëkundur dhe i dogji të gjitha sendet fetare që kishte. Në vitin 2007 u pagëzua bashkë me të shoqen. E gjithë familja po ecën mirë në adhurimin e Jehovait.

Zimbabve:

Desibela nëntëvjeçare u predikon shoqeve të klasës dhe mësuesve. Një ditë vuri re se mësuesja e saj dukej shumë e trishtuar, prandaj iu afrua dhe e pyeti pse ishte e mërzitur. Mësuesja iu përgjigj se motrës së saj i kishte vdekur një fëmijë. Desibela i premtoi se do t’i sillte diçka që do ta ngushëllonte. U mori prindërve broshurën Kur të vdes një njeri i dashur dhe ia çoi mësueses të nesërmen. Pasi lexoi nja dy paragrafë, mësuesja nisi të qante nga gëzimi. Më vonë, u shkroi një letër prindërve të Desibelës, duke i falënderuar për stërvitjen që i kishin dhënë vajzës së tyre dhe për ngushëllimin që i kishte sjellë Desibela gjatë asaj periudhe të vështirë.

Ganë:

Abigailës, e cila jetonte në jug të Ganës me gjyshërit e saj presbiterianë, i kishin mësuar se Dëshmitarët e Jehovait janë profetë të rremë. Kur mori vesh se prindërit, të cilët jetonin në një pjesë tjetër të vendit, po studionin me Dëshmitarët, u shqetësua dhe u shkroi një letër për t’i bindur që ta ndërpritnin studimin. Meqë letra nuk bëri punë, Abigaila udhëtoi vetë rreth 1.000 kilometra për t’i takuar. U shtang kur mësoi nga Bibla e saj se ferri nuk është një vend ku torturohen të ligjtë. Nisi të studionte Biblën e të ndiqte mbledhjet në Sallën e Mbretërisë bashkë me prindërit, dhe u bë lajmëtare e papagëzuar. U pagëzua në një asamble qarkore kohët e fundit.

KONTINENTET AMERIKANE

VENDE: 55

POPULLSIA: 898.130.531

LAJMËTARË: 3.449.038

STUDIME BIBLIKE: 3.548.101

Dominikë:

Në këtë ishull, shumë gra i lajnë rrobat në breg të lumit dhe i ndejnë në gurë e shkëmbinj të mëdhenj. Njëra nga gratë vuri re diçka të njohur që pluskonte në ujërat e cekëta pranë vendit ku lante rrobat. Ishte botimi që studionte çdo javë me Dëshmitarët e Jehovait. Pasi e vuri te një shkëmb aty afër që të thahej, vazhdoi të lante.

Pasdite, kur mblodhi rrobat e thara, e harroi librin. Por disa peshkatarë që po ktheheshin nga peshkimi, e panë librin në ngjyrë ari dhe njëri prej tyre e mori. I bëri përshtypje titulli Çfarë mëson vërtet Bibla?, prandaj filloi ta lexonte. Më vonë, e takuan dy pioniere që po predikonin në fshatin e tij. Ai u tregoi se vetëm 144.000 veta do të shkojnë në qiell dhe se Mbretëria e Perëndisë lindi në vitin 1914. U tha edhe se së shpejti toka do të kthehet në parajsë. Kur e pyetën nga i dinte këto gjëra, u shpjegoi si e kishte gjetur librin dhe shtoi se e lexonte çdo ditë. U tregoi librin që tani ishte i thatë, por i bymyer.

Një nga pionieret e kuptoi se ky ishte libri që studentja e saj e Biblës e kishte nxjerrë nga lumi. Me peshkatarin u nis një studim biblik. Ai i pret me padurim bisedat e përjavshme dhe po bën përparim.

Bolivi:

Predikimi në rajonin e Amazonës në Bolivi ka edhe vështirësi, edhe shpërblime. Një grup me dhjetë pionierë e pioniere, të ngucur në një motobarkë të vogël të mbushur me tenda, tenxhere dhe shumë kuti me literaturë biblike, udhëtoi rreth 800 kilometra nëpër lumin Beni, nga Rurrenabaku deri në Riberaltë. Vizituan më tepër se 70 komunitete të izoluara dhe lanë mbi 800 libra, si dhe broshura e fletushka. U demonstruan rreth 700 studime biblike të interesuarve dhe u kthyen të drejtonin studime me mbi 200 prej tyre. Kur bëheshin gati të largoheshin nga fshatrat, shpesh dëgjonin këtë koment: «S’mund të rrini e të studioni ca më tepër me ne?» Në një qytezë të vogël, një burrë nguli këmbë dhe u mërzit që Dëshmitarët po iknin, sepse donte të vazhdonte studimin me ta. U tha: «Pemën e pretë. Tani duhet ta gdhendni e ta latoni.»

Kanada:

Për shumë vjet, Normani ka punuar në një rafineri metalesh që ndodhet në Monreal. Gjatë pushimit të drekës, lexonte gjithnjë në kafene broshurën Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë. Shokët e punës e panë tek lexonte dhe disa e pranuan ftesën e tij për të shqyrtuar shkrimin e ditës. Gjatë këtyre bisedave të shkurtra, Normani përpiqej ta zbatonte materialin sidomos për jetën familjare dhe marrëdhëniet njerëzore. Edhe një punonjës i administratës ishte i pranishëm gjatë një bisede të tillë dhe më pas e thirri në zyrë Normanin që ta lavdëronte, duke thënë se bisedat do të ndikonin për mirë në jetën e punëtorëve dhe do të nxitnin marrëdhënie më të mira.

Kur numri i atyre që merrnin pjesë në këto biseda u rrit mbi 30, administrata i kërkoi Normanit të organizonte grupe më të vogla në pjesë të ndryshme të rafinerisë. Ai thotë: «Tani drejtoj tre grupe çdo ditë, të cilat kolegët e mi i quajnë përkujtuesit e përditshëm. U pëlqejnë kaq shumë këto biseda, saqë kur mungoj unë, njëri prej tyre drejton në vendin tim. Pastaj, kur kthehem, më pyesin për ato që s’kuptuan.» Normani ka pesë vjet që ndihmon kolegët e tij të meditojnë për një varg biblik çdo ditë. Rrjedhimisht, mbi 40 kolegë e familjarë të tyre, kanë pranuar të vërtetën.

Barbados:

Motra Barker, 89 vjeçe, donte të fillonte një studim biblik. Për shkak të shëndetit, ajo nuk shkon dot shtëpi më shtëpi, prandaj provoi dëshminë me telefon, por pa sukses. E nxitur nga një pjesë në mbledhje që fliste për lutjen, nisi t’i përgjërohej Jehovait për ndihmë që të fillonte një studim biblik. Disa ditë më vonë, me Biblën dhe revistat në dorë dhe e vendosur t’i dëshmonte kujtdo që kalonte aty pranë, doli para shtëpisë së vet, edhe pse rruga ku banon, nuk është shumë e rrahur. I ofroi revistat një burri që po kthehej nga puna. Një javë më vonë, teksa rrinte para shtëpisë, e takoi përsëri atë burrë. Meqë kishte treguar njëfarë interesi për revistat që i la, ajo i ofroi librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, dhe e ftoi të studionin Biblën bashkë. Për kënaqësinë e saj, ai e pranoi ftesën. Studimin e parë e bënë aty nga fundi i marsit të vitit 2008. Më vonë, mori vesh se ai nuk e kishte shtëpinë larg. Brenda disa javësh, burri nisi të ndiqte mbledhjet. Motra tha: «E di se Jehovai u përgjigjet lutjeve, por nuk mendoja se do ta bënte kaq shpejt!»

Kili:

Kur zbriti nga taksia në qendër të territorit të saj, një pioniere në Santiago pa dashje la në sedilje dosjen me revista. Aty kishte goxha revista, si dhe fletushkën Shërbimi ynë i Mbretërisë me emrin e saj. Falë kësaj, dy ditë më vonë, taksisti arriti ta gjente motrën me ndihmën e Dëshmitarëve të tjerë që po predikonin në atë zonë. Kur ia ktheu dosjen, brenda ishte vetëm Shërbimi ynë i Mbretërisë. Revistat s’ishin më. Ai i kërkoi falje dhe i shpjegoi se pasagjerë të tjerë i kishin shfletuar revistat dhe kishin pyetur a mund të mbanin ndonjë. Revistat ishin shpërndarë vetë brenda një dite!

Nikaragua:

Ernestoja, i cili kishte qenë kapiten në trupat speciale ushtarake, jetonte në një qytezë të vogël pranë bregdetit të Karaibeve. Hajroja, një pionier special që kishte shkuar nga një zonë tjetër e vendit për të predikuar aty, e takoi Erneston në shërbimin shtëpi më shtëpi dhe i ofroi një studim biblik. Edhe pse ky ish-ushtar nuk pranoi, Hajroja ngulmoi dhe më në fund oferta e tij u pranua. Gjatë bisedave, Hajroja i tregoi se babai i tij kishte qenë komandant i ushtrisë antirevolucionare që luftonte kundër trupave qeveritare në një zonë aty afër, por kishte rënë në betejë. Ernestoja e vazhdoi studimin dhe nisi të bënte përparim, por ndërkohë i mbante një të fshehtë mësuesit të tij të Biblës, të cilën herët a vonë duhej t’ia thoshte se s’bën. Me trishtim të thellë, i shpjegoi Hajros se kishte qenë në krye të grupit të ushtarëve që i kishte zënë rob të atin dhe se ai vetë kishte qenë përgjegjës për vdekjen e tij. Natyrisht, Hajroja u trondit, por e dinte se ishte e vërtetë, sepse hollësitë e frikshme që i tregoi Ernestoja përkonin me atë që i kishin thënë më parë shokët e babait. Ernestoja mendoi se ky do të ishte fundi i miqësisë së tyre. Por në vend që të ushqente urrejtje për studentin e tij, Hajroja e vazhdoi studimin. Ernestoja përparoi dhe u pagëzua, bashkë me të shoqen. Ai dhe Hajroja vazhdojnë të jenë miq të mirë edhe sot e kësaj dite.

Venezuelë:

Në perëndim të vendit, vëllezërit nga qyteza e Makikes po predikonin në një territor indigjen që punohej rrallë, pranë kufirit kolumbian. Të gjithë i dëgjonin me vëmendje. Kryetari i komunitetit të indianëve jukpa dha lejen që të mbahej Përkujtimi për herë të parë në atë zonë. Fqinjët dhe shkolla e zonës sollën karriget, dhe pati mbi 200 të pranishëm. Pasi mbaroi mbledhja, kryetari foli me respekt në emër të komunitetit: «Duam t’i falënderojmë Dëshmitarët e Jehovait. Shpresojmë të mos jetë hera e fundit që vini. Ju na mësoni të vërtetën dhe jeni më se të mirëpritur.» Tani mbi 50 veta bëjnë një studim biblik në shtëpi çdo javë.

AZIA DHE LINDJA E MESME

VENDE: 47

POPULLSIA: 4.026.656.360

LAJMËTARË: 618.088

STUDIME BIBLIKE: 538.957

Tajvan:

Një motër shkruan: «U gëzova shumë kur takova vëllanë tim nga babai, të cilin s’e kisha takuar kurrë më parë, sepse jeton me familjen në një vend të largët dhe udhëtimi atje është pothuajse i pamundur. Natyrisht, im atë dhe e gjithë familja u kënaqën kur morën vesh se vëllai me familjen po bënin këtë përpjekje të madhe të na vizitonin. Meqë e kanë shtëpinë në një zonë ku s’ka Dëshmitarë, shpresoja ta pranonin lajmin e mirë. Sa u kënaqa kur kunata dhe mbesa treguan interes për Biblën! Po si t’i ndihmoja të mësonin më tepër për qëllimet e Jehovait kur të ktheheshin në shtëpi, në atë zonë të izoluar? Mora vesh se kishin kompjuter dhe ishin lidhur me Internetin. Bashkë me tim shoq blemë kufjet dhe kamerën për komunikimin me kompjuter dhe, pasi ata u kthyen në shtëpi, e vazhduam studimin e Biblës me këtë metodë. Për habinë time, ajo punon për mrekulli. Arrijmë të shohim si reagojnë kur lexojnë nga Bibla e tyre dhe nga libri që po studiojmë. Kështu mund të kuptoj ç’duhet të bëj që t’i ndihmoj. Jemi mirënjohës që mund të përdorim këtë teknologji, e cila na jep mundësi t’u flasim për të vërtetën këtyre të afërmve që s’do t’i kontaktonim dot ndryshe.»

Nepal:

Purnamaja 16-vjeçare jeton në një qytezë të vogël në Nepal. Xhaxhai i foli për të vërtetën dhe ajo nisi të studionte. Tani, ndonëse i duhet të udhëtojë dy orë e gjysmë me autobus për në kongregacion, ajo i ndjek me besnikëri mbledhjet një herë në javë. Por s’e ka të lehtë. Të dy prindërit i ka të lebrosur, prandaj janë shumë të varfër. Herët në mëngjes, Purnamaja copëton gurë për të bërë zhavorr, që të mbështetë financiarisht familjen, përveçse gatuan, lan rrobat dhe bën punë shtëpie të tjera. Përpos kësaj, shkon edhe në shkollë. Bileta e autobusit për të shkuar në mbledhje vlen sa paga e një dite pune për një punëtor. Nganjëherë prindërit përpiqen ta bindin që të mos shkojë në mbledhje, por te një kishë aty pranë. Mirëpo Purnamaja e di se vetëm në Sallën e Mbretërisë mund të mësojë për Jehovain, prandaj bën ç’të mundë që të ndjekë mbledhjet. Kohët e fundit iu desh të shiste orën e dorës, një dhuratë nga gjyshja, për të përballuar udhëtimin. Jo vetëm që komenton mirë në mbledhje, por u flet për atë që mëson edhe njerëzve të tjerë në qytezën e saj. Është burim inkurajimi për të gjithë ata që e njohin.

Malajzi:

Gjatë sundimit kolonial britanik, në Malajzi sollën me mijëra punëtorë për plantacionet e kauçukut. I vendosën nëpër fshatra të ngritura brenda plantacioneve dhe shumë nga fshatrat ekzistojnë ende. Pjesa më e madhe e tyre arrihen me vështirësi dhe nuk janë shënuar nëpër harta. Ndërsa predikonte një territor të pacaktuar, një kongregacion arriti të gjente një fshat në një plantacion kauçuku. Dy djem të rinj rreth të njëzetave, që tashmë kishin marrë disa revista, treguan shumë interes për veprën e predikimit. Ata iu afruan vëllezërve dhe u thanë se mund t’u tregonin rrugën për te fshatrat e tjera. Ndryshe nga vëllezërit, ata e njihnin mirë territorin. Hipën në motoçikleta dhe i drejtuan makinat e vëllezërve përmes plantacioneve nëpër shtigje balte dhe rrugë me pluhur, duke udhëtuar deri në 45 minuta midis fshatrave. I çuan nëpër plantacione që s’ishin vizituar kurrë më parë nga Dëshmitarët. Ndërsa vëllezërit predikonin, dy të rinjtë i nxitnin fshatarët t’i merrnin revistat dhe t’i lexonin me çdo kusht. Gjithsej, i çuan vëllezërit në tre fshatra të izoluara. Kryesisht falë ndihmës altruiste të atyre të rinjve, iu dha një dëshmi e madhe njerëzve që kurrë më parë s’kishin pasur mundësi të dëgjonin lajmin e mirë. Gjatë fundjavës, 50 lajmëtarët e këtij kongregacioni shpërndanë mbi 5.000 revista.

EVROPA

VENDE: 47

POPULLSIA: 733.775.190

LAJMËTARË: 1.542.507

STUDIME BIBLIKE: 789.219

Rusi:

Tatjana ka tumor në tru. Disa vjet më parë, pas një operacioni të rëndë, e vunë në një pavijon për të sëmurët pa shpresë. Pavijonin e vizitoi një prift ortodoks, që pacientët të rrëfenin mëkatet para se të vdisnin. Tatjana vuri re një grua në pavijon që mblodhi gjithë forcat për t’i dhënë ca para priftit. Si iku ai, Tatjana e pyeti gruan nëse ndihej më mirë pas kësaj. «Jo,—u përgjigj ajo e mërzitur,—s’kuptova asnjë fjalë nga ato që më tha.» Atëherë Tatjana i dha lajmin e mirë për shpresën e ringjalljes. Gruaja e falënderoi dhe i tha: «Tani po që ndihem më mirë!» Administratori i klinikës mori vesh ç’kishte ndodhur dhe i tha priftit të mos shkonte më atje. Kurse Tatjanën e vunë në një ndarje të veçantë, që të mund të fliste me të tjerët. Gjithashtu, administratori kërkoi adresën ku i mbajnë mbledhjet Dëshmitarët e Jehovait. Para se të shtrohej në spital, Tatjana i kishte kërkuar Jehovait forcë që të vazhdonte të predikonte. Ajo është e bindur se Jehovai iu përgjigj lutjes së saj. Atë muaj raportoi më shumë se 100 orë. Ndonëse që nga ajo kohë gjendja e saj është përkeqësuar dhe tani s’del dot nga shtëpia, vazhdojnë ta vizitojnë ata të cilëve u dha dëshmi gjatë udhëtimeve të shpeshta për në spital.

Gjeorgji:

Dy pioniere speciale të përkohshme u caktuan të shërbenin në një zonë ku nuk banonte asnjë Dëshmitar i Jehovait. Duke eksploruar territorin e ri, humbën rrugën. Ndërsa çanin me vështirësi nëpër dëborën që arrinte deri në gju e përpiqeshin të gjenin rrugën për në shtëpi, u lodhën dhe u hyri të ftohtët gjer në palcë. Përfundimisht, vunë re gjurmë që të çonin te një shtëpi dhe thirrën. Nga shtëpia doli Katuna, një vajzë e re, që menjëherë i ftoi brenda në të ngrohtë, dhe motrat ishin mirënjohëse për këtë. Pasi verifikoi se ishin Dëshmitare të Jehovait, Katuna u shpjegoi se gjatë kohës që motrat endeshin të humbura nëpër dëborë, ajo dhe familja po i luteshin së bashku Perëndisë t’u tregonte cila ishte e vërteta. Disa minuta më vonë, pionieret iu afruan shtëpisë. Katuna tha se kjo ishte tamam përgjigjja e lutjes së tyre! Sot, katër pjesëtarë të kësaj familjeje po studiojnë Biblën dhe dy prej tyre, Katuna me të vjehrrën, janë lajmëtare të papagëzuara.

Britani:

Restoni, i cili s’e kishte përdorur kurrë metodën e drejtpërdrejtë për të filluar studime biblike, vendosi ta provonte një herë. Para se të trokiste në derën e parë, u lut shkurtimisht dhe i kërkoi Jehovait ta ndihmonte që të ishte pozitiv. Pastaj i ofroi drejtpërdrejt një studim biblik të zotit të shtëpisë, Andit, i cili pranoi menjëherë. Restoni vendosi që po atë ditë t’i çonte një libër Çfarë mëson vërtet Bibla? Kur po udhëtonte me autobus për të shkuar atje, vuri re se shoferi ishte një burrë të cilit i çonte rregullisht revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! I inkurajuar nga reagimi i Andit atë mëngjes, vendosi t’i ofronte shoferit një studim biblik falas, sapo autobusi të mbërrinte në stacion.

Ndërkohë, një pasagjere e moshuar e dalloi se Restoni ishte Dëshmitar dhe i kërkoi të vizitonte një miken e vet të sëmurë e të lutej për të. Restoni i tha se do t’i fliste me kënaqësi dhe do t’i jepte ngushëllim nga Bibla. Duke përdorur të vetmin libër Çfarë mëson vërtet Bibla? që kishte me vete, i tregoi pasagjeres si do ta ndihmonte studimi i Biblës. Gruaja tha se donte të kishte një studim të tillë. Bisedën e dëgjoi edhe një djalë i ri që ishte ulur përballë. Atë e tërhoqën figurat, prandaj Restoni me kënaqësi ia dha atij librin. Kur autobusi mbërriti në stacion, Restoni i ofroi shoferit një studim biblik falas. Për habinë e tij, shoferi pranoi me kënaqësi dhe tha se kishte shumë pyetje për Biblën. Restoni shkoi menjëherë në shtëpinë e një vëllai aty afër që të merrte një libër tjetër Çfarë mëson vërtet Bibla?, dhe përfundimisht mbërriti në shtëpinë e Andit në mbrëmje. Andi e mori me kënaqësi librin. Nisën një studim biblik dhe shpejt ai po zbatonte në jetë atë që mësonte. Andi dhe shoferi i autobusit ndjekin mbledhjet, kurse Restoni drejton 15 studime biblike që i nisi të gjitha me metodën e drejtpërdrejtë. Tani sigurohet që të ketë me vete disa libra Çfarë mëson vërtet Bibla? kur jep dëshmi.

Fransuai dhe Monika, bashkë me dy fëmijët e tyre, u kthyen në makinë, pasi kishin kaluar paraditen në shërbim. Mirëpo, vajza dy vjeçe e gjysmë, Shaeja, s’donte të hipte në makinë pa dhënë edhe fletushkën e fundit që i kishte mbetur. Pikërisht në atë kohë, në anën tjetër të rrugës ndaloi një makinë dhe zbritën dy gra. E lumtur, Shaeja i dha njërës prej tyre fletushkën Jeta në një botë të re paqësore, dhe Monika i shpjegoi për çfarë fliste. Gruaja, që quhej Siera, shfaqi interes dhe e ftoi Monikën në shtëpi që të studionte Biblën me dy motrat e saj adoleshente. Në studimin e parë, Siera pyeti nëse mund të studionin Biblën edhe dy djemtë e saj. Më vonë, edhe nipi u bashkua në studim. Siera rrinte aty sa herë bëhej studimi dhe bënte shumë pyetje. Përfundimisht, edhe ajo pranoi të bënte studim më vete. Pastaj edhe i shoqi filloi studim. Më tej, mamaja e Sierës, si dhe familjarë të tjerë e miq, kërkuan studim biblik. Vendosmëria e Shaejës për të dhënë fletushkën e fundit, solli si rezultat 11 studime biblike. Katër nga studentët i ndjekin rregullisht mbledhjet e kongregacionit.

Itali:

Xheniferi është në kongregacionin e gjuhës ruse në Milano. Ajo kishte folur disa herë në telefon me një ukrainase që quhej Valentina, po s’e kishte takuar ndonjëherë. Një ditë lanë takim në një stacion metroje. Që ta njihte Xheniferi, Valentina i tha se do të vishte xhaketë të kuqe. Kur mbërriti në stacion, Xheniferi pa një grua me xhaketë të kuqe që dukej qartë se po kërkonte dikë. Iu afrua the i tha: «Si je? Ti je Valentina?» Gruaja i tha po, kështu që ajo vazhdoi: «Unë jam Xheniferi.» Mirëpo, s’pati asnjë reagim. Pak e hutuar, Xheniferi e pyeti: «A nuk po më pritje mua?»

«Jo»,—ia ktheu gruaja. Siç doli, ajo ishte ukrainase dhe quhej Valentina, kishte veshur xhaketë të kuqe, por priste dikë tjetër. Xheniferi qeshi dhe i shpjegoi situatën. Gjithashtu, i sugjeroi t’i tregonte diçka nga Bibla, që e kishte përgatitur për Valentinën tjetër. Valentina pranoi dhe dëgjoi me interes. Më pas, i tregoi Xheniferit një copë letër ku kishte shkruar Psalmin 91, dhe i shpjegoi se i pëlqente shumë Bibla. Xheniferi nisi një studim biblik me të. Po me Valentinën tjetër, ç’u bë? Më pas, Xheniferi e takoi edhe atë dhe nisi një studim biblik.

Rumani:

Një vëlla vizitoi një të njohurin e tij dhe foli për tema biblike me të dhe me të shoqen. Atyre u interesonte sidomos të dinin ç’thoshte Bibla për marrëdhënien burrë-grua, por s’gjenin dot kohë për biseda biblike. Çifti vlerësonte jetën e shëndetshme dhe burri e kishte zakon të bënte vrap të lehtë për tetë kilometra çdo ditë. Pas disa përpjekjesh për të vazhduar bisedat biblike, vëllai vendosi ta pyeste burrin nëse mund ta shoqëronte për vrap. Ai pranoi me kënaqësi. Por vëllai s’ishte i stërvitur dhe shpejt e kuptoi se predikimi dhe vrapimi në të njëjtën kohë, është sfilitës. Ai tha: «Arrita të predikoja me rroba sportive dhe pa Bibël në dorë, duke i thënë vargjet biblike përmendësh.» Pas disa ditësh vrapimi, interesi i çiftit u shtua dhe me ta u nis një studim i rregullt biblik në shtëpi. Tani burri është lajmëtar i papagëzuar. Është i zellshëm në shërbim dhe është regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik bashkë me djalin dhe vajzën e tij.

OQEANIA

VENDE: 30

POPULLSIA: 37.545.115

LAJMËTARË: 97.329

STUDIME BIBLIKE: 55.266

Australi:

Një pionier shkruan: «Një mjeke me emrin Pam më kërkoi t’i çoja rregullisht revistat. Ishte shumë e zënë dhe e gjeja në shtëpi vetëm një herë në gjashtë muaj, prandaj thuajse gjithnjë ia lija revistat poshtë derës, bashkë me një shënim miqësor. Pasi isha përpjekur ta takoja për shtatë muaj, ia lashë revistat poshtë derës bashkë me një ftesë për kongresin krahinor që po afrohej. I lashë edhe numrin e telefonit, por nuk më telefonoi. Në nëntor, pas kongresit, shkova prapë dhe te dera më kishte lënë një shënim.

Pami shkruante se i pëlqejnë shumë revistat dhe se ua kalon kolegëve të saj. Ata pastaj ua japin pacientëve të tyre në spital. Më tej thoshte sa shumë i pëlqeu ‘grumbullimi’. E kishte lexuar ftesën dhe kishte marrë tri ditë pushim për ta ndjekur kongresin. Shpjegonte se kishte fotokopjuar ftesën dhe u kishte lënë nga një ftesë kolegëve të saj në kutitë postare, duke u kërkuar t’i telefononin nëse donin të shkonin. Nga fundi i javës, 16 kolegë të saj, të gjithë mjekë, kishin marrë tri ditë pushim për të ndjekur kongresin. Të 17 të interesuarit i kishin ndjekur të tria ditët e kongresit vetëm falë një ftese të lënë poshtë derës! Tani Pami bën një studim të rregullt me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe ka organizuar diskutime në grup me të gjithë ata që ndoqën kongresin.»

Një vëlla tjetër tregon: «Ndërsa kaloja pranë një shtëpie ku Dëshmitarëve u kishin kërkuar të mos shkonin, vura re një burrë e një grua në verandë që ishin të mërzitur e po qanin. Nuk ma bënte zemra t’i anashkaloja kur dukej qartë se kishin nevojë për ndihmë, prandaj iu afrova dhe i pyeta nëse mund të bëja diçka për ta. Më ftuan në shtëpi dhe nisën të më zbraznin zemrën. Po bënin tre vjet që s’kishin parë vajzën e tyre. Gruaja pas pak do të operohej nga kanceri dhe nuk ishte e sigurt a do të dilte me sukses. Kishte frikë se nuk do ta shihte kurrë më të bijën. Disa ditë më parë, i kishin kërkuar ndihmë pastorit të kishës së tyre karizmatike, por ai nuk e kishte vënë ujin në zjarr e s’kishte bërë asgjë. U tregova disa mendime biblike që thonë se Jehovai është pranë atyre që e kanë zemrën të thyer.

Rreth një orë më pas, u dëgjua një e trokitur në derë. Fillimisht mendova mos ishte pastori i kishës. Por atje te dera ishte një vajzë e re e veshur mirë. Ishte vajza që s’kishin parë prej vitesh! Çasti ishte shumë prekës, kështu që mendova më mirë të ikja. Por u habita kur vajza më tha se preferonte të qëndroja, pasi kishte diçka për t’u treguar prindërve. U shpjegoi se kishte rënë në vesin e pijes dhe të drogës e se po rrënonte jetën e saj, por studimi i Biblës e kishte bërë të kthehej në shtëpi dhe të rivendoste lidhjet me prindërit. Kohët e fundit ishte pagëzuar si Dëshmitare e Jehovait.»

Disa ditë më vonë, pastori shkoi tek ajo shtëpi, ku i thanë se vajza e tyre ishte kthyer, pasi ishte bërë Dëshmitare e Jehovait. Ai u largua pa thënë asnjë fjalë. Teksa ikte, burri e thirri dhe i tha të vinte të merrte një letër që ishte në tryezë: letrën e dorëheqjes nga kisha.

Papua Guineja e Re:

Një grup me 23 vëllezër e motra u nisën të predikonin në një territor të punuar rrallë. Udhëtimi në këmbë ishte i vështirë, sepse duhej të ngjitnin male e të kalonin lumenj. Në një fshat, një motër takoi pastorin anglikan, i cili u kënaq kur dëgjoi shpjegimin e Danielit 2:44. I tha motrës: «Këtu jemi si dele të humbura.» I pranoi revistat e broshurat dhe kërkoi një Bibël.

Tri ditë më vonë, në një fshat tjetër, dy motra folën me dy të reja që u kënaqën kur dëgjuan mesazhin për Mbretërinë. Po atë pasdite, kur babai i tyre u kthye nga bahçja, i treguan ç’kishin mësuar nga Bibla. Ai tha se donte ta dëgjonte vetë këtë mesazh të mrekullueshëm. E rregulloi t’i takonte të gjithë vëllezërit dhe motrat në kasollen ku po rrinin. Meqë ishte kryetari i fshatit, ai mori masa edhe që të gatuhej ushqim e t’u çohej vëllezërve. Më vonë atë mbrëmje erdhi me një llambë, i shoqëruar nga fshatarë të tjerë. Thanë: «U habitëm kur ju pamë, sepse është hera e parë që vijnë Dëshmitarë të Jehovait në fshatin tonë.» Vëllezërit u treguan si arsye të vizitës Mateun 24:14. U folën për bekimet e Mbretërisë dhe u lanë literaturë.

Ditën e pestë të udhëtimit, vëllezërit mbërritën në një fshat rreth orës një pasdite. Duke menduar se vëllezërit do ta kalonin natën atje, fshatarët nisën të përgatitnin një strehë pa mure për ta, që të flinin. Por ata u shpjeguan se donin të flitnin me të gjithë e të iknin po atë ditë. Iu dha dëshmi e mirë të gjithë banorëve, duke përfshirë edhe kryetarin, i cili pranoi literaturë dhe në këmbim u dha vëllezërve arra kokosi, banane e papaja.

Fixhi:

Në një zonë fshatare, pionierët ecin në këmbë kur dalin në shërbim, nëpër rrugë tërë pluhur ose baltë. Nagama me të bijën, Reshmën, janë pioniere të rregullta dhe e ftuan Ushlën, një motër të verbër, t’i shoqëronte si pioniere për një muaj. Ecnin shumë kilometra në ditë përkrah saj. Një ditë të lagësht, një familje ishte ulur në verandën e shtëpisë dhe shikonte këto tri motra ndërsa u vinin vërdallë pellgjeve në një rrugë me baltë. Pastaj panë motrën e verbër që hodhi këmbën pa dashje në një pellg dhe u bë me baltë. Motrat ndaluan që t’i pastronin këmbën. Babai i familjes s’po e linte rehat kureshtja, prandaj i thirri motrat. U tha: «Çdo ditë ju shohim të trijave duke ecur. Po nga shkoni xhanëm?» I shpjeguan se po shkonin të drejtonin një studim biblik. Ai ua ktheu se nëse mesazhi i tyre ishte kaq i rëndësishëm sa ato të ecnin aq shumë që t’ua mësonin njerëzve, të paktën duhej ta dëgjonte. Me këtë familje u fillua një studim.

Guam:

Liza, një e re nga Filipinet, banonte dhe punonte si shërbyese në një shtëpi në ishullin e Tinianit. Shpesh, kur shkonin Dëshmitarët e Jehovait, ajo u kërkonte revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Ndonëse thoshte se i pëlqenin revistat, faktikisht i përdorte për të ndezur zjarrin.

Në pranverën e vitit 2007, Liza humbi punën dhe s’kishte vend ku të rrinte, prandaj flinte në plazh. Një ditë, kaloi para Sallës së Mbretërisë, ku po rrinin dy motra ulur jashtë nën hije. Ato e ftuan Lizën që të hante ca mango dhe bënë një bisedë miqësore. Ditën tjetër, kur kaloi përsëri nga Salla e Mbretërisë, motrat i folën prapë dhe gjatë bisedës ajo tha: «Shpresoj që ndonjë ditë të vij në kishën tuaj.» Motrat u ndien pak në siklet që nuk e kishin ftuar tashmë, por e inkurajuan të ndiqte mbledhjen atë mbrëmje. Liza e pranoi ftesën, duke shpresuar se Dëshmitarët do ta ndihmonin të gjente punë.

Në mbledhje, i bëri përshtypje sinqeriteti i vëllezërve dhe motrave dhe interesimi i tyre për njerëzit. Iu mbushën sytë me lot, sepse e kuptoi që kishte shkuar në mbledhje për arsye egoiste. Iu kujtuan edhe gjithë ato revista që kishte djegur. Dashuria që i treguan vëllezërit e motrat i preku zemrën, prandaj që nga ajo ditë nisi të ndiqte çdo mbledhje dhe ta studionte Biblën rregullisht. Gjeti punë, u kualifikua si lajmëtare dhe u pagëzua në shkurt të vitit 2008.

[Figura në faqen 45]

Madalena

[Figura në faqen 48]

Studimi i «Kullës së Rojës» në motobarkë

[Figura në faqen 50]

Motra Barker pret me durim t’u predikojë kalimtarëve

[Figura në faqen 53]

Purnamaja copëton gurë për zhavorr, që të mbështetë familjen

[Figura në faqen 54]

I predikojnë një indianeje në një plantacion kauçuku

[Figura në faqen 57]

Restoni duke studiuar me Andin

[Figura në faqen 58]

Shaeja

[Figura në faqen 63]

Nagama dhe Reshma ndihmojnë Ushlën