Letër nga Trupi Udhëheqës
Letër nga Trupi Udhëheqës
Të dashur Dëshmitarë të Jehovait,
Ç’privilegj është për ne si popull të mbajmë emrin e Sovranit Universal, Jehovait! Ky emër është i përjetshëm, i pavdekshëm dhe i pashoq. Vetë Jehovai na e ka dhënë dhe, sidomos që nga viti 1931, jemi identifikuar me këtë emër të veçantë. (Isa. 43:10) Me shumë krenari identifikohemi si Dëshmitarë të Jehovait.
Djalli përpiqet pareshtur të fshijë emrin e Perëndisë. Kombet, që janë nën sundimin e tij, e përçmojnë emrin e Jehovait. Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme, e urren emrin hyjnor dhe e ka hequr nga shumë përkthime të Biblës. Ndryshe nga ata, Jezui e lartësoi emrin e Atit të tij duke e renditur të parën si kërkesë në lutjen model që u mësoi dishepujve të tij. Ai tha: «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» (Mat. 6:9) Më vonë, në një lutje të përzemërt që po i drejtonte Atit, ai tha: «Unë ua kam shfaqur emrin tënd njerëzve që më dhe nga bota.» (Gjoni 17:6) Me dëshirën për të ndjekur shembullin e shkëlqyer të Jezuit, jemi më të vendosur se kurrë të lajmërojmë me zell emrin e Jehovait anembanë tokës.
Shkrimi i vitit 2009, ‘Jepni dëshmi të plotë për lajmin e mirë’, na nxiti ta bëjmë shërbimin tonë në mënyrë sa më të plotë. (Vep. 20:24) Nuk ka dyshim që Jehovai i ka bekuar pa masë përpjekjet tona gjatë vitit të kaluar të shërbimit. U dha një dëshmi e jashtëzakonshme në mbarë botën në lavdi dhe në nder të emrit të Jehovait. Një maksimum i ri prej 7.313.173 lajmëtarësh bashkuan zërat e tyre duke u predikuar të gjithëve e duke mësuar ata me zemër të sinqertë që kërkojnë zgjidhje për problemet e shumta që hasin çdo ditë. Pjesëmarrja e 18.168.323 vetave në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, tregon se miliona të tjerë mund të thërrasin emrin e Jehovait para se të vijë fundi i këtij sistemi të ligë.
Për aq kohë sa të lejojë Jehovai, do të vazhdojmë të predikojmë me zell lajmin e mirë për Mbretërinë, duke përdorur çdo mjet të mundshëm që t’ua japim këtë lajm njerëzve në territoret tona. (Mat. 24:14; Mar. 13:10) Qoftë shtëpi më shtëpi, në rrugë, me anë të letrave, me telefon ose në mënyrë joformale, le të përpiqemi t’u tregojmë sa më shumë njerëzve emrin dhe qëllimin e Jehovait.
Kemi mjaft arsye të besojmë se shumë shpejt Jehovai do të veprojë për të shenjtëruar emrin e tij. Ezek. 36:23) Po afron me të shpejtë koha kur do t’u mbyllet goja të gjithë atyre që hedhin baltë mbi të. Ç’ditë e lavdishme do të jetë ajo për të gjithë shërbëtorët besnikë të Jehovait, që kanë shpallur emrin e tij dhe kanë lartësuar sovranitetin e tij universal!
(Kujdesi i dashur i Jehovait për popullin e tij ishte më se i dukshëm në kongreset krahinore dhe ndërkombëtare me temë «Qëndroni vigjilentë!» që u mbajtën në shumë vende të botës në vitin 2009. Ato kongrese treguan se ishin një ngjarje e shënuar në historinë tonë teokratike. Ato na bënë më të vetëdijshëm se është e nevojshme të jemi vigjilentë për ditën e Jehovait.—Mar. 13:37; 1 Sel. 5:1, 2, 4.
Vërtet, Jehovai është i mirë me ne; ai na i mbush zemrat me gëzim. Na çon të shtrihemi në livadhe plot bar dhe të prehemi në vende të ujitura mirë.—Psal. 23:1, 2; 100:2, 5.
Të jeni të sigurt se Jehovai do të vazhdojë t’ju bekojë ndërsa u shërbeni interesave të Mbretërisë në muajt e ardhshëm!
Me dashuri të ngrohtë e të krishterë për vëllezërit tanë në mbarë botën.
Vëllezërit tuaj,
Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait