Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

NGJARJET e spikatshme nga bota vërtetojnë se Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë më të zënë se kurrë duke predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë «në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet». (Mat. 24:14) Si rezultat i qëndrueshmërisë dhe veprave të tyre të përbashkëta të nxitura nga dashuria altruiste, ‘fjala e Jehovait ka ushtuar dhe besimi i tyre te Perëndia është përhapur në çdo vend’.—1 Sel. 1:8.

ADHURIMI FAMILJAR, INKURAJUES DHE I KËNDSHËM

Më 1 janar 2009, Dëshmitarët e Jehovait bënë një ndryshim domethënës në programin e mbledhjeve javore. Studimi i Librit i Kongregacionit u quajt Studimi i Biblës në Kongregacion dhe u programua të mbahej në të njëjtën ditë me Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe Mbledhjen e Shërbimit. Të gjithë u inkurajuan që ta përdornin për Adhurimin Familjar mbrëmjen që më parë ia kushtonin Studimit të Librit të Kongregacionit.

Si i janë përgjigjur shërbëtorët e Jehovait kësaj mase të dashur? Ndjenjat e shumë Dëshmitarëve përmblidhen në fjalët e një bashkëshorti që shkroi: «Faleminderit, faleminderit, faleminderit! S’e shprehim dot me fjalë sa shumë dobi kemi nxjerrë unë dhe gruaja nga mbrëmja e Adhurimit Familjar. Na ka thelluar dashurinë për Jehovain dhe njëkohësisht na ka lidhur më shumë si çift. Ç’masë e mrekullueshme dhe e mençur nga Ati ynë qiellor!»

Ç’po bëjnë familjet për të përfituar sa më shumë nga kjo mundësi e re me vlerë për të kaluar kohë së bashku? Një nënë shkroi: «Disa mbrëmje shqyrtojmë bashkë faqen 31 të revistës Zgjohuni! dhe disa mbrëmje shohim një nga videot e organizatës. Fëmijët jo vetëm bëjnë kërkimet e tyre, por edhe kënaqen duke mësuar, dhe e shijojnë Adhurimin Familjar. Ata kanë si caktim që një muaj të bëjnë kërkime për një personazh biblik dhe muajin tjetër të mbajnë një fjalim. E njëjta gjë vlen edhe për mua e burrin. Fjalimi i parë që mbajti djali 10-vjeçar për Noenë, ishte i shkëlqyer! Ai madje na tregoi si mund ta zbatojmë atë informacion sot. Pastaj nxori një model në miniaturë që i kishte bërë arkës së Noesë. Javën pasuese, vajza mbajti një pjesë për udhëtimet misionare të apostullit Pavël. Kur mbaroi, të gjithë duartrokitëm dhe pastaj ajo na bëri një pyetësor të vogël që kishte bërë vetë, me titull: ‘A ju kujtohet?’ Ishte fantastike!» Për këtë familje, Adhurimi Familjar është një bekim i vërtetë nga Jehovai. Nëna thotë: «Unë e burri patëm shumë vështirësi vitin e kaluar dhe kjo masë na ndihmoi vërtet që të ecnim përpara.»

Një motër tjetër shkroi: «Do të doja të shprehja mirënjohjen time për këtë masë që më ka zgjuar frymësisht. Pasi fëmijët u rritën dhe ikën, unë e burri nuk bënim një studim familjar të rregullt. Tani po. Shpesh studimi zgjat dy orë dhe koha fluturon.»

Ndërsa shtrëngimi i madh afrohet edhe më shumë, urojmë që koha që keni programuar për Adhurimin Familjar t’ju ndihmojë të gërmoni më thellë në Fjalën e Perëndisë dhe të keni forcën frymore për t’iu kundërvënë Djallit! Përfitoni sa më shumë nga kjo kohë e çmuar ‘për t’iu afruar Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet’.—Jak. 4:7, 8.

MUNDËSI E MIRË PËR TË OFRUAR STUDIME BIBLIKE

Duke filluar nga janari i vitit 2009, kongregacionet u nxitën të caktonin një të shtunë ose të diel në muaj për t’u përqendruar në ofrimin e studimeve biblike. Cili ka qenë rezultati? Shumë lajmëtarë janë habitur e gëzuar jashtë mase. Janë habitur ngaqë kanë parë se të ofrosh një studim biblik është më e lehtë se ç’prisnin dhe janë gëzuar nga shumëllojshmëria e njerëzve që kanë pranuar të studiojnë me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Mbikëqyrësit udhëtues tregojnë se kongregacionet janë entuziaste për këtë masë të re dhe rezultatet e para janë mjaft premtuese. Për shembull, në pesë muajt e parë, në Itali u filluan mbi 8.000 studime biblike.

Lajmëtarët që nuk kanë drejtuar kurrë një studim, tani po bëjnë rivizita e po fillojnë studime. Karolina nga Peruja tha: «Më përpara nuk kisha asnjë studim biblik, por sugjerimi për t’u përqendruar një ditë në muaj në këtë gjë më bëri të kuptoja se sa e nevojshme është të përpiqemi të fillojmë studime biblike. Kam arritur t’u tregoj njerëzve se studimi biblik është i thjeshtë e nuk kërkon shumë kohë. Falë Jehovait, duke zbatuar sugjerimet që na janë dhënë, kam pasur rezultate të mira dhe tani drejtoj dy studime biblike.»

Satja, një pioniere në Britani, ngurronte të ofronte studime biblike që herën e parë. Por ditën e caktuar për të ofruar studime biblike vendosi të mos kthehej në shtëpi pa e provuar këtë metodë. U kënaq kur një vajzë e pranoi menjëherë ofertën e saj. Ishte më e lehtë se ç’priste!

Luka, një vëlla i ri në moshë në Palermo, Siçili, i linte rregullisht revista një vejushe që kishte frikë të fuste njerëz në shtëpi. Një të shtunë pasdite, ditën e caktuar për të ofruar studime biblike, Luka iu afrua kësaj vejushe me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? të hapur në dorë dhe i lexoi një pjesë të shkurtër. Zonjës i ngjalli kureshtje libri dhe bisedoi pak me Lukën. Ai i tha se kishte në dorë përgjigjet e pyetjeve të saj, përfshirë edhe pyetjen nëse do ta shihte më të shoqin. Hapi librin në faqen 72, ku shpjegohet se kush do të ringjallet. Zonja u prek nga shpresa që jep Bibla dhe pranoi një studim biblik. Tani ajo bën një studim biblik të rregullt dhe i fton brenda Dëshmitarët pa pasur frikë.

«Që në fillim,—tha një mbikëqyrës qarkor në Peru,—kjo masë i ka ndihmuar shumicën e kongregacioneve të rritin numrin e studimeve biblike. Një kongregacion në Çiklajo raportoi 25 studime të reja brenda një muaji dhe në Çepen u filluan 24 studime të reja.»

Edhe lajmëtarët e rinj në moshë kanë pasur sukses në ofrimin e studimeve biblike. Xhovana 11-vjeçare nga San-Paulo, Brazil, tregon: «Një të shtunë pasdite po predikoja me mamin nga shtëpia në shtëpi dhe po ofronim studime biblike me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Në shtëpinë e parë e pyeta të zotin, një biznesmen i njohur, nëse besonte se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. Ai tha po. Pastaj i lexova 2 Timoteut 3:16. Ai tha se i bëri përshtypje që një vajzë e vogël po i tregonte gjëra aq të bukura dhe e pranoi librin.

Për rivizitën, i shkova me gjyshin sepse e njihte. Burri na ftoi brenda dhe i thashë të shihte tabelën e përmbajtjes së librit Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe të zgjidhte temën që i interesonte më shumë. Ai zgjodhi kapitullin 11: ‘Pse i lejon Perëndia vuajtjet?’ Pasi lexoi dy paragrafët e parë, ai dhe gruaja e tij bënë shumë pyetje. Ishin mjaft të lumtur që po i gjenin të gjitha përgjigjet në Bibël dhe pranuan të studionin Biblën rregullisht. Sa e kënaqur isha që fillova një studim që në derën e parë ku predikuam!»

Sigurisht, jo të gjithë do të pranojnë një studim biblik dhe jo të gjithë ata që fillojnë, do të vazhdojnë. Por, si bashkëpunëtorë të Perëndisë, ne vazhdojmë t’u ofrojmë studime biblike sa më shumë njerëzve, me dijeninë se Jehovai po tërheq në organizatën e tij ata si dele para se të shkatërrohet sistemi i Satanait.—Gjoni 6:44; 1 Kor. 3:9.

TEKNOLOGJIA NDIHMON ‘PËR TË PËRSHPEJTUAR’ RRITJEN

Populli i Jehovait gëzon për përmbushjen e kësaj profecie drithëruese: «I pakti do të bëhet një mijë dhe i vogli një komb i fuqishëm. Unë, Jehovai, do ta përshpejtoj këtë gjë në kohën e vet.» (Isa. 60:22) S’ka asnjë dyshim se Jehovai vazhdon të përdorë risitë teknologjike për të përshpejtuar rritjen frymore në këto kohë emocionuese. Për këtë arsye, Trupi Udhëheqës dha miratimin të zhvillohej një program kompjuterik administrimi që të mund të përdorej nga të gjitha degët në mbarë botën.

Skuadra që zhvilloi këtë program, në fillim ishte me bazë në degën e Afrikës së Jugut, por pastaj u transferua në Selinë Botërore në Bruklin, Nju-Jork, ku vazhdon të zhvillojë dhe mirëmbajë këtë program. Rreth 20 degë shërbejnë si qendra mbështetjeje rajonale që ndihmojnë degët fqinje të përdorin veçoritë e këtij mjeti kompjuterik.

Cilat janë dobitë? Ngaqë përdorin të njëjtin program, të gjitha degët mund të japin e marrin informacione. Për shembull, të gjitha degët në mbarë botën që bëjnë shtypjen e botimeve mund ta dinë se çfarë botimesh kanë gjendje degët e tjera. Nëse një nga degët e ka me shumicë një botim, atëherë një degë tjetër mund të bëjë kërkesë për të, në vend që ta shtypë vetë. Kjo veçori, bashkë me elementet e programit që parashikojnë kërkesat për literaturë bazuar në kërkesat e mëparshme nga kongregacionet, ka bërë që të mos grumbullohet literaturë e tepërt në asnjë degë.

Programi i ndihmon vëllezërit në Bethel të kryejnë sa më mirë detyra të tilla, si marrjen e porosive për botime dhe revista, përpilimin e raportit vjetor të shërbimit, organizimin e kongreseve dhe asambleve, si edhe caktimin e mbikëqyrësve udhëtues dhe pionierëve specialë. Programi ndihmon edhe për blerjet, financën dhe mbajtjen e inventarëve, e kjo ka bërë më pak të varur nga programet kompjuterike tregtare të kushtueshme.

TA LËMË DRITËN FRYMORE TË NDRIÇOJË NËPËRMJET INTERNETIT

Ashtu siç hyn drita në qoshet e errëta, po kështu edhe shërbëtorët e Perëndisë lënë ‘të ndriçojë drita e tyre’ në çdo cep të tokës. (Mat. 5:16) Një mjet veçanërisht i dobishëm që ndriçon vendet më të largëta, është faqja jonë zyrtare e Internetit www.watchtower.org. Në këtë faqe gjenden artikuj revistash, fletushka dhe broshura në rreth 383 gjuhë, si edhe botimi i plotë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në 11 gjuhë. Gjithsej, janë më shumë se 700 artikuj të disponueshëm në këtë faqe. Në tabelën e faqes së parë, që përditësohet çdo javë, pasqyrohen artikujt më të fundit të temave më të pëlqyera. Cilat kanë qenë dobitë, duke pasur në Internet botime që tashmë janë të shtypura në kaq shumë gjuhë?

Për Patin, që jeton në Florida, SHBA, kjo faqe e Internetit është mënyra më e shpejtë për të gjetur literaturë në gjuhë të huaj. Ajo shkruan: «Pasi kishim mbaruar shpërndarjen e fletushkës A do të dish të vërtetën?, nisa të shtypja nga kompjuteri fletushkën në gjuhën e disave që e kishin pranuar në anglisht, por që flitnin edhe një gjuhë tjetër.» Cilat ishin rezultatet?

Pati shtypi një fletushkë në gjuhën tajlandeze për një grua që shet në treg. Gruaja ishte e kënaqur dhe s’mund ta besonte që Pati kishte gjetur aq shpejt literaturë në gjuhën tajlandeze. Ajo dhe disa klientë të saj kërkuan emrin e faqes sonë të Internetit që të hynin vetë. Një nga gratë e ftoi Patin t’i shkonte në shtëpi që të vazhdonin bisedën. Ashtu si Pati, shumë nxjerrin dobi duke shtypur disa faqe në gjuhë të ndryshme nga Interneti që t’ua japin të interesuarve nga kombësi të tjera.

Vitin e kaluar, më shumë se 24 milionë njerëz nga çdo kontinent hynë në faqen tonë të Internetit. Që nga viti 2007, numri i atyre që hyjnë në këtë faqe është rritur 33 për qind. Njerëz nga mbarë bota, përfshirë edhe nga ishuj të izoluar, bëjnë kërkesa që t’u shkojnë për një vizitë në shtëpi ose për të filluar një studim biblik. Numri i kuponëve elektronikë të plotësuar që nga viti 2007 është rritur rreth 55 për qind. Po, drita frymore po rrezaton deri në pjesët më të largëta të tokës, gjithçka për lavdi të Atit tonë në qiell.—Mat. 5:16.

Përveç faqes së Internetit www.watchtower.org, është krijuar edhe adresa www.pr418.com për të siguruar botimet kryesore në formë dixhitale. Cila është vlera e kësaj faqeje të veçantë?

Trisha, nga Misuri, SHBA, shprehu ndjenjat e shumë të tjerëve kur tha: «Mezi e pres të enjten.» Pse? Sepse e enjtja është dita kur mund të shkarkojë nga adresa www.pr418.com. incizimet e numrave të rinj të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Trisha është një nga mijëra vëllezërit e motrat përreth botës që hyjnë rregullisht në këtë faqe plot me botime biblike. Ata shkarkojnë në audio revista, Biblën, drama, libra, broshura dhe fletushka në 27 gjuhë. Edhe botimet në gjuhën amerikane të shenjave janë të disponueshme në dy formate në video mjaft të pëlqyera.

Kush e përdor këtë faqe Interneti për të shkarkuar botimet tona? Kryesisht janë vëllezërit dhe motrat në besim, por edhe publiku i gjerë në mbi 200 vende, përfshirë disa vende ku vepra jonë është e ndaluar. Në këtë faqe hyjnë njerëz nga vende të tilla, si Papua Guineja e Re, Shën-Elena e madje nga Antarktida. Si përfitojnë motrat e vëllezërit nga pjesët audio që shkarkojnë? Për shembull, në Polinezinë Franceze vonesat e dërgesave shpesh bëjnë që revistat e shtypura të mbërrijnë pasi u ka kaluar data. Meqë edhe lajmëtarët në ishujt më të largët kanë mundësi të përdorin Internetin, ata mund të dëgjojnë numrat më të fundit të revistave që ditën që vendosen në faqen e Internetit.

Debora nga Ilinoisi, SHBA, ka probleme të rënda shëndetësore që e mbajnë disi të izoluar nga kongregacioni dhe gjithashtu ia bëjnë të vështirë të kujtojë atë që lexon. Tani i shkarkon botimet nga Interneti dhe i dëgjon. Ajo shprehet: «Më është përmirësuar kujtesa dhe jam në gjendje të bisedoj me besim në vetvete për atë që kam dëgjuar.»

Një çift në një qytezë të Teksasit, SHBA, bëjnë studim biblik me një siberiane dhe janë të kënaqur që mund t’i shkarkojnë asaj revistat në audio në gjuhën ruse. Një vëllai nga Kalifornia, SHBA, i pëlqen të dalë herët në mëngjes për vrap dhe të dëgjojë me kufje revistat ndërsa vrapon.

Çdo javë, një çift nga një qytezë në veri të Zelandës së Re shkarkojnë materiale audio për mbledhjet: artikujt e studimit të Kullës së Rojës, kapituj nga librat ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’ e Të mësojmë nga Mësuesi i Madh dhe kapitujt e caktuar për leximin javor të Biblës. E dëgjojnë materialin gjatë gjithë javës. Bashkëshorti komenton: «Kemi kuptuar se tani flasim më shumë për gjëra frymore dhe më pak për streset e punës.» Shumë familje anembanë botës kanë zakone të ngjashme.

Çdo javë, kapitujt për leximin javor të Biblës shkarkohen mijëra herë, sidomos të martave. Artikujt e studimit të Kullës së Rojës shkarkohen më shumë se çdo gjë tjetër të shtunave dhe të dielave. Për më tepër, pleqtë e kongregacionit mund të shtypin formularët e organizatës dhe skemat e fjalimeve drejtpërdrejt nga faqja e Internetit. Mbi të gjitha, këto masa e ndihmojnë organizatën të kursejë kohë, para dhe mund.

‘MUNDËSI PËR TË DHËNË DËSHMI’

Ndonëse Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të bëjnë «një jetë të qetë dhe të patrazuar, plot me përkushtim hyjnor», nuk habiten kur i përndjekin. (1 Tim. 2:1, 2) Jezu Krishti i paralajmëroi dishepujt se do të bëheshin shënjestër urrejtjeje: «Njerëzit do t’ju kapin, do t’ju përndjekin dhe do t’ju dorëzojnë nëpër sinagoga e burgje, dhe do t’ju detyrojnë të dilni përpara mbretërve e guvernatorëve për hir të emrit tim.» Megjithatë, Jezui theksoi se kjo përndjekje nga armiqtë e adhurimit të pastër do të kishte efektin e kundërt. Ai paratha: «Kjo do t’ju japë mundësi që të jepni dëshmi.»—Luka 21:12, 13, 17.

Në përmbushje të profecisë së Jezuit, në mjaft vende Dëshmitarët e Jehovait përballen me trajtim të padrejtë. Fitoret gjyqësore në shumë vende kanë ndihmuar për të mbrojtur lirinë e tyre ligjore, përfshirë të drejtën e tyre për të predikuar nga shtëpia në shtëpi dhe për t’u mbledhur lirisht për të adhuruar. Megjithëse sfidat mbeten, këtë vit kemi pasur fitore ligjore të rëndësishme që mbështetin natyrën fetare të veprimtarive tona.

Austri:

Përpjekja 30-vjeçare e vëllezërve tanë u kurorëzua me sukses në maj të vitit 2009 kur Ministria Federale e Arsimit, Artit dhe Kulturës në Austri u dha Dëshmitarëve të Jehovait njohjen ligjore në nivelin më të lartë si komunitet fetar. Dëshmitarët tani janë shoqata e 14-të fetare në Austri që gëzon këtë status. Pas vendimit pozitiv që mori në korrik të vitit 2008, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nxori edhe tre vendime të tjera në favor të vëllezërve tanë në Austri. Vendimet përcaktuan në mënyrë të padiskutueshme se Dëshmitarët e Jehovait njihen plotësisht si shoqatë fetare.

Afrika e Jugut:

Në vitin 2005, shoqata Watch Tower Bible and Tract Society e Afrikës së Jugut dhe anëtarët e Urdhrit Mbarëbotëror të Shërbëtorëve Specialë në Kohë të Plotë që shërbejnë në Bethelin e Afrikës së Jugut, ngritën një padi në Gjykatën e Punës të Afrikës së Jugut kundër Departamentit të Punës të Afrikës së Jugut. Në padi kërkohej të merrej një vendim që bethelitët të mos klasifikohen si punëtorë sipas ligjeve të punës të Afrikës së Jugut. Në mars të vitit 2009 Gjykata e Punës mori një vendim në favor të kësaj çështjeje dhe gjithashtu vërtetoi natyrën fetare të veprimtarive që bëhen në Bethel.

Ugandë:

Në vitin 2007, Drejtoria e të Ardhurave të Ugandës (DAU) lëshuan një vendim sipas të cilit anëtarët e Urdhrit Mbarëbotëror të Shërbëtorëve Specialë në Kohë të Plotë të Dëshmitarëve të Jehovait që shërbejnë në Bethelin e Ugandës, janë të punësuar siç përcaktohet në ligjin «Për tatimet mbi të ardhurat» në Ugandë. Çështja iu parashtrua për zgjidhje Gjykatës së Lartë të Ugandës në Kampalë, në emër të Shoqatës së Studentëve Ndërkombëtarë të Biblës (IBSA) kundër DAU-t. Në qershor të vitit 2009, Gjykata e Lartë vendosi në favor të IBSA-s. Ajo vendosi se bethelitët e Ugandës nuk janë të punësuar. Gjykata theksoi në mënyrë të veçantë faktin se bethelitët «marrin të njëjtën mbështetje financiare pavarësisht nga detyrat që kryejnë». Gjykata arriti në përfundimin se bethelitët janë anëtarë të një urdhri fetar dhe u jepet ushqim, strehim e një mbështetje financiare modeste vetëm për të plotësuar nevojat personale ndërsa kryejnë veprimtari bamirëse dhe fetare në Ugandë.

Armeni:

Autoritetet vazhdojnë të arrestojnë dhe të futin në burg vëllezërit tanë që mbushin moshën e ushtrisë, ngaqë nuk pranojnë të shkojnë në ushtri për shkak të ndërgjegjes. Në gusht 2009, në burg ishin 74 vëllezër. Meqë të gjitha gjykatat e vendit kanë marrë vendim kundër vëllezërve, janë bërë katër kërkesa me shkrim pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për të kërkuar lirimin e tyre. Qeveria gjithashtu vazhdon të vërë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në mënyrë të ekzagjeruar për literaturën fetare që vëllezërit marrin nga vende të tjera. Pavarësisht nëse kjo barrë financiare e padrejtë do të hiqet ose jo, kemi besim se vëllezërit tanë do të vazhdojnë të ushqehen mirë nga ana frymore.—Isa. 65:13.

Azerbajxhan:

Vëllezërit tanë atje po hasin një kufizim gjithnjë e më të madh të lirisë së adhurimit. E kanë jashtë mase të vështirë të marrin literaturë dhe të mblidhen për adhurim. Megjithëse në Baku, në kryeqytet, ata gëzojnë statusin ligjor, mungesa e regjistrimit në qytete të tjera ka çuar shpesh në sulme të paligjshme nga ana e policisë gjatë mbledhjeve në shtëpi private, të pasuara nga orë të tëra arresti në rajonet e policisë. Kjo ndodh edhe pse ligji nuk kërkon që adhuruesit të regjistrohen me qëllim që të mblidhen në shtëpi private. Më 9 prill 2009, vëllezërit tanë i bënë një kërkesë me shkrim qeverisë së Azerbajxhanit për regjistrim kombëtar. Shpresojmë që ky regjistrim të pakësojë vështirësitë që hasin vëllezërit tanë.

Egjipt:

Gjatë tri viteve të fundit, vëllezër nga Egjipti e nga Belgjika, Italia dhe Shtetet e Bashkuara janë takuar disa herë me autoritetet egjiptiane për të siguruar statusin ligjor për veprën tonë. Si rezultat, autoritetet u kanë dhënë leje vëllezërve tanë në Egjipt të mblidhen për të adhuruar në paqe nëpër shtëpi private në grupe prej 30 vetash. Pavarësisht nga kjo, disa elementë të qeverisë vazhdojnë t’i keqtrajtojnë vëllezërit tanë. Zyrat e Sigurimit të Shtetit i mbajnë nën vëzhgim vëllezërit dhe herë pas here i marrin në pyetje dhe i kërcënojnë pjesëtarët e kongregacionit. Përveç takimit drejtpërdrejt me autoritetet, vëllezërit po bëjnë përpjekje të sigurojnë njohjen ligjore nëpërmjet gjykatave.

Eritre:

Duke shpërfillur plotësisht të drejtat themelore të njeriut, më 28 qershor 2009 autoritetet arrestuan 23 pjesëtarë të një kongregacioni, përfshirë edhe motra të moshuara dhe tre fëmijë nga dy në katër vjeç. Megjithëse që atëherë motrat e moshuara janë liruar, fëmijët janë akoma në burg me nënat e tyre, kurse baballarët ishin burgosur kohë më parë. Domethënë, tani familje të tëra janë në burg. Numri i vëllezërve dhe motrave tona në burg tani arrin në 64, përfshirë edhe tre vëllezër të burgosur që në vitin 1994 për qëndrimin e tyre asnjanës për shërbimin ushtarak, pa u thënë ç’ligje mendohet se kanë thyer.

Indi:

Gjatë viteve të fundit, Dëshmitarët e Jehovait në Indi kanë qenë viktima të sulmeve nga turmat kur marrin pjesë në veprën e predikimit. Kanë duruar edhe keqtrajtime gojore e fizike, kërcënime për burgim dhe u kanë djegur literaturën. Shpesh, pas rrahjeve, vëllezërit arrestohen e burgosen dhe përballen me ndjekje penale. Turma të xhindosura ndikojnë tek autoritetet lokale që të veprojnë kundër vëllezërve tanë duke i akuzuar në mënyrë të rreme sikur kanë thyer ligjet e vendit.

Për shembull, në dhjetor të vitit 2008, tri Dëshmitare të Jehovait (një nënë, e bija dhe mbesa 10-vjeçare) në Kundapura, Karnataka, u kthyen për të vizituar një grua në fshatin Koni e cila kishte treguar interes për të mësuar për Biblën. Më vonë, erdhën pesë a gjashtë burra dhe me forcë i çuan tri Dëshmitaret në rajonin e policisë. U mblodh një turmë dhe policët i akuzuan motrat se kishin shkelur pronën private, nxitnin armiqësi midis klasave dhe kishin fyer një fe tjetër. Në fund motrat i lanë të ktheheshin në shtëpi. Vëllezërve e motrave që janë në këto rrethana, po u jepet ndihmë ligjore.

Moldavi:

Vëllezërit tanë në Transnistri, rajon i Moldavisë që nuk i është njohur pavarësia nga shumë vende, vazhdojnë të tregojnë zell për interesat e Mbretërisë edhe pse për 12 vjet kanë qenë nën kërcënimin e vazhdueshëm për t’u ndaluar ose për t’u mbyllur si ent ligjor. Pavarësisht nga vështirësitë e shumta, vëllezërit kanë pasur bekimin e Jehovait dhe njëfarë suksesi në mbrojtjen e interesave të Mbretërisë në gjykata. Le të shohim tre raste: një prift ortodoks, që keqtrajtoi gojarisht dhe fizikisht dy motrat tona ndërsa predikonin në fshatin Ordashei, u shpall fajtor dhe u gjobit; gjykata e qytetit në Tiraspol mori një vendim në favorin tonë për përpjekjet e vëllezërve për të regjistruar shoqatën tonë atje; gjithashtu, u mor një vendim kundër Inspektoriatit Tatimor të Qytetit të Ribnicës që në mënyrë të paligjshme kishte vënë taksë për ushqimin e siguruar për vullnetarët që po punonin për projektin e ndërtimit të një Salle Mbretërie.

Kazakistan:

Prokuroria e Përgjithshme në Republikën e Kazakistanit paraqiti disa ankesa që sollën si rezultat vendime gjyqësore në favor të vëllezërve tanë. Më parë, gjykatat e Kisilordës, Shimkentit dhe Sarjagashit kishin urdhëruar që veprimtaritë tona fetare të pezulloheshin për gjashtë muaj. Por, si rezultat i vendimeve të marra në nëntor 2008, liria jonë fetare u rivendos në rajonin e Kisilordës, në Shimkent dhe në të gjithë rajonin jugor të Kazakistanit. Për më tepër, në dhjetor 2008, pas shtatë vjetësh refuzimi nga qeveria lokale, gjykata e qytetit në Atirau vendosi se Dëshmitarët e Jehovait kanë të drejtën të regjistrohen ligjërisht në këtë qytet.

Rusi:

Gjatë vitit të kaluar të shërbimit, Qendra jonë Administrative në këtë vend i është nënshtruar një sërë hetimesh nga prokurori dhe nga shumë autoritete të tjera shtetërore, me qëllimin e dukshëm për të mbyllur në mënyrë të paligjshme veprimtaritë tona fetare. Individualisht, vëllezërit e motrat po hasin ngacmime dhe po u nënshtrohen qindra hetimeve të pabaza. Në një rast, një motër shtatzënë e dështoi fëmijën pas një mësymjeje të paligjshme të policisë gjatë një mbledhjeje fetare. Një 15-vjeçar, që ishte i pranishëm në atë mbledhje, u mbajt në arrest në mënyrë të paligjshme. Autoritetet e prokurorisë po përdorin ligjin «Për kundërveprimin ndaj veprimtarive ekstremiste» si bazë për të mbyllur disa nga kongregacionet vendëse dhe për të ndaluar literaturën tonë fetare. Këto supozime të pabaza për ekstremizëm kanë çuar në shkelje të tjera zyrtare të lirisë fetare, ku përfshihen arrestime të padrejta, dëbime dhe moslejimin në vend të katër përfaqësuesve ligjorë të Dëshmitarëve të Jehovait që po ndihmonin për mbrojtjen kundër këtyre akuzave të rreme. Një nga këta vëllezër u mbajt në arrest për 23 orë në një qeli paraburgimi në Moskë.

Anëtarë të Shërbimit të Sigurimit Federal kanë ndërhyrë në mjaft kontrata qirash për vendet e mbledhjeve dhe kongreseve duke bërë që të anulohen marrëveshje të qirave. Gjithashtu, autoritetet kanë penguar ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Në krimet kundër Dëshmitarëve përfshihen torturat kur janë në arrest me akuza kriminale të sajuara.

Koreja e Jugut:

Më 16 qershor 2008, qeveria e Koresë së Jugut e tërhoqi njoftimin që kishte bërë më 7 maj 2008 për t’u dhënë mundësinë për shërbim alternativ civil atyre që për shkak të ndërgjegjes nuk duan të bëjnë shërbimin ushtarak. Ajo tha se «çështja e refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes kërkonte studime të mëtejshme dhe krijimin e një marrëveshjeje të gjerë kombëtare». Deri tani, Asambleja Kombëtare Koreane nuk ka marrë në shqyrtim asnjë projektligj për shërbimin alternativ. Vëllezërit po presin vendimet që do të marrë Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i cili ka dalë në favor të dy kërkesave. Në janar të vitit 2009, Komisioni presidencial korean për vdekjet e dyshimta në ushtri, pranoi se qeveria koreane ishte përgjegjëse për vdekjen e dhunshme të pesë Dëshmitarëve të Jehovait që i kishin rekrutuar me forcë nga vitet 70 deri në mes të viteve 80. Ky është vendimi i parë domethënës që pranon përgjegjësinë e shtetit për vdekjet që vijnë nga dhuna brenda ushtrisë.

Taxhikistan:

Shoqata Fetare e Dëshmitarëve të Jehovait në Taxhikistan u ndalua në vitin 2007 dhe literatura jonë që vinte nga Gjermania u konfiskua nga punonjësit e doganës. U bë një apel në gjykatën ushtarake, i cili u refuzua në shtator 2008. Një apel tjetër u bë pranë Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, që po ashtu u refuzua. Këto vendime mbështetën ndalimin e veprës dhe konfiskimin e literaturës. Po bëhen përpjekje të mëtejshme për të ndihmuar vëllezërit tanë.

Turqi:

Vëllezërit atje hasin sprova në lidhje me shërbimin ushtarak. Një vëlla ka qenë dy vjet në burg për qëndrimin e tij të vendosur. Shumë vëllezër të tjerë që janë në moshë ushtrie vazhdojnë t’i kërcënojnë se do t’i gjobitin, do t’i burgosin dhe do t’i heqin nga puna. Në mars të vitit 2009, vëllezërit u informuan se Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka filluar të marrë në shqyrtim dy ankesa që kanë bërë Dëshmitarët.

Përveç kësaj, në maj të vitit 2009, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi të bashkonte tri kërkesa që ishin pezull, për të filluar procesin e hetimit nëse po dhunohen të drejtat e gjashtë vëllezërve tanë—katër prej të cilëve kanë qenë edhe në burg. Shërbëtorët e Jehovait janë mirënjohës për interesin që po tregojnë këto dy organe gjyqësore dhe shpresojnë se do të ketë njëfarë lehtësimi.

Uzbekistan:

Situata ligjore e adhuruesve të Jehovait në Uzbekistan po keqësohet dita-ditës dhe vëllezërit po bëhen gjithnjë e më shumë shënjestër e përndjekjes së nxitur nga shteti. Një burrë i martuar, baba i dy djemve, u lirua nga burgu më 14 maj 2009, pasi mbaroi dënimin prej dy vjetësh ngaqë u mësonte njerëzve për fenë. Të nesërmen e dëbuan në Taxhikistan, ku kishte nënshtetësinë. Tre vëllezër të tjerë janë ende në burg për organizim «të veprimtarive fetare të paligjshme». Avokatët e këtyre tre Dëshmitarëve po përgatitin apelime të tjera pranë Gjykatës së Lartë të Uzbekistanit. Në përpjekje për të zgjidhur çështjet, vëllezërit vendës dhe një delegacion i huaj vëllezërish kanë pasur disa takime me Komitetin e Shtetit për Çështjet Fetare të Uzbekistanit dhe me përfaqësuesit e tij.

GJYKATA EVROPIANE E TË DREJTAVE TË NJERIUT

Dëshmitarët e Jehovait në Armeni, Austri, Azerbajxhan, Francë, Gjeorgji, Qipro, Rusi, Serbi dhe Turqi kanë paraqitur gjithsej 22 kërkesa që priten të shqyrtohen pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg të Francës. Në kërkesa përmenden dhunime të të drejtave bazë që duhet të kenë të gjithë shtetasit që jetojnë nën juridiksionin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Nëntë nga kërkesat kanë të bëjnë me të drejtën për të refuzuar shërbimin ushtarak, shtatë me përndjekjen dhe diskriminimin për shkak të fesë, katër lidhen me çregjistrimin ose ndalimin e një enti ligjor të përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait për të organizuar veprën dhe dy janë kundër ndërhyrjes së qeverisë në të drejtën për t’u mbledhur paqësisht për adhurim.

Më 17 qershor 2008, GJEDNJ-ja mori në konsideratë kërkesën e paraqitur nga Association Les Témoins de Jéhovah (ATJ) kundër qeverisë së Francës. Kërkesa përqendrohet në taksën diskriminuese prej 60 për qind që ka vënë shteti mbi gjithë kontributet fetare që ka marrë shoqata nga viti 1993 deri në vitin 1996. Gjykata bëri disa pyetje shtesë për shkeljen e mundshme të nenit 9 të Konventës Evropiane, që trajton lirinë e fesë. Dëshmitarët e Jehovait në Francë dhe në vende të tjera të Këshillit të Evropës presin të shohin nëse Gjykata do ta pranojë këtë çështje.

Ndërsa Satanai përpiqet të pengojë adhurimin e vërtetë ‘duke kurdisur telashe me anë të dekretit’, shërbëtorët e Jehovait qëndrojnë «të fortë në besim, duke e ditur se të njëjtat vuajtje po ndodhin në gjithë vëllazërinë [e tyre] nëpër botë». Urojmë që të gjithë adhuruesit e vërtetë të vazhdojnë të kenë një qëndrim të patundur kundër Satanait dhe ta hedhin gjithë ankthin mbi Perëndinë e dashamirësisë së pamerituar, duke ditur se ai kujdeset për ta dhe se do t’i bëjë të vendosur e të fortë.—Psal. 94:20; 1 Pjet. 5:7-11.

‘TË KUALIFIKUAR PËR TË MËSUAR TË TJERË’

Stërvitja ka qenë karakteristikë e kongregacionit të krishterë që nga fillimet e tij. Apostulli Pavël i tha Timoteut që gjërat që dëgjoi ‘t’ua besonte njerëzve të besueshëm, të cilët pastaj duhet të jenë të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar edhe të tjerë’. (2 Tim. 2:2) Edhe sot, organizata e Jehovait ka programe stërvitjeje të shumta. Që nga viti 2008, për shembull, 6.528 pleq nga territoret e degës së Shteteve të Bashkuara—përfshirë Alaskën, Bermudet dhe ishujt Turks e Kajkos—ndoqën 70 klasa të Shkollës për Pleqtë e Kongregacionit në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork.

Gjatë një jave intensive plot udhëzime trajtohen aspekte të ndryshme të jetës së pleqve, që i ndihmojnë të marrin drejtimin në veprën e predikimit dhe të jenë mësues më të efektshëm në kongregacion. (2 Tim. 4:5; 1 Pjet. 5:2, 3) Gjithashtu, kursi i inkurajon të ruajnë gjendjen e tyre frymore dhe atë të familjes, dhe i stërvit që ‘ta përdorin drejt fjalën e së vërtetës’ kur ndihmojnë të tjerët. (2 Tim. 2:15) Më poshtë renditen disa nga shprehjet e shumta të mirënjohjes të pleqve që kanë ndjekur këtë shkollë.

«Përulësia e instruktorëve ishte një shembull se si t’i trajtojmë vëllezërit në kongregacion. Zemra më mbushet me vlerësim për Trupin Udhëheqës. Ky program arsimimi është një nga privilegjet më të mëdha që më janë dhënë gjatë gjithë viteve që kam qenë në të vërtetën.»

«Perëndia ynë, Jehovai, e di për çfarë kemi nevojë dhe kur të na e sigurojë. Besimi më është ripërtërirë dhe bateria ime frymore është karikuar. Kjo përvojë më ka ndihmuar të vlerësoj atë që ka bërë Jehovai me anë të pjesës së dukshme të organizatës dhe të kuptoj se si kujdeset për gjithë popullin e tij.»

«Kjo ka qenë një përvojë fantastike. Sa më shumë mësoja në shkollë, aq më shumë kuptoja sa pak dija. Kam mësuar të vlerësoj më shumë studimin personal dhe pse duhet ta zbatoj vetë gjithçka që kam mësuar.»

«Stërvitja më ka mësuar më shumë se si të kujdesem për familjen dhe kongregacionin duke pasur mendjen e Krishtit. (1 Kor. 2:16) Më ka ndihmuar të mendoj se ç’lloj njeriu jam.»

«Këtë javë që kalova me instruktorët e Jehovait nuk do ta ndërroja kurrsesi me arsimimin e një universiteti.»

«Ç’përvojë inkurajuese dhe dobiprurëse! Më ka dhënë energji të vazhdoj në shërbim të Jehovait, të jem vetëmohues dhe burim freskimi për vëllezërit e motrat. (Isa. 32:2) Faleminderit Jehova!»

«Me anë të këtij kursi kemi ndier dashurinë e Jehovait. Ka qenë si një vizitë baritore prej tij.»

«Falënderoj Jehovain për këtë privilegj që më mësoi si ta kryej sa më mirë caktimin tim në lavdi të tij.»

Kur të vijë koha, Trupi Udhëheqës do të njoftojë masat për pleqtë në vendet e tjera që do të nxjerrin dobi nga ky kurs në kohën e duhur.

KUSHTIMI I DEGËVE SJELL GËZIM

Më 24 janar 2009, Samuel Herdi nga Trupi Udhëheqës ishte oratori i ftuar për kushtimin e degës së re në Tanzani, në Afrikën Lindore. Njëzet e pesë vjet më parë, dega e vendit filloi punë në një ndërtesë me blloqe të mëdha, që kishte vetëm tri dhoma. Kjo ndërtesë njihej nga Dëshmitarët në mbarë Tanzaninë si Shtëpia nr. 46, lagjja «Magomini». Shumë nga 779 të ftuarit e gëzuar, nga 22 vende, kishin lot në sy ndërsa mendonin për përparimin e veprës që kur u hoq ndalimi atje, në vitin 1987. «Vetëm Jehovai mund ta bënte të mundur një gjë të tillë në këtë vend»,—tha një nga më të vjetrit në të vërtetën. Tani vepra e predikimit atje lulëzon dhe mbi 14.000 lajmëtarët gëzojnë, falënderojnë Jehovain dhe këndojnë për emrin e tij.—Psal. 92:1, 4.

Të shtunën, më 2 maj 2009, në zyrën e degës të Holandës rreth 600 vëllezër e motra nga 31 vende ndoqën fjalimin e kushtimit që mbajti Teodor Xharazi nga Trupi Udhëheqës. Ndërtesës së mëparshme të ngritur në vitin 1983 i ishte shtuar një godinë banimi dhe zonat që më parë përdoreshin për shtypjen e revistave ishin shndërruar në zyra e në një studio videoje për Qendrën Rajonale Audio Video (QRAV). QRAV-i ndihmon për prodhimin e CD-ve dhe DVD-ve në 24 gjuhë, shumë prej të cilave fliten në Evropë. Përveç kësaj, ajo mbështet prodhimin e videove në rreth 20 gjuhë shenjash. Kjo përfshin bashkërendimin e prodhimit të CD-ve në Evropë, Afrikë e Oqeani dhe të DVD-ve në mbarë botën. Dega e Holandës gjithashtu blen dhe dërgon mjetet për të cilat kanë nevojë degë të tjera në vende të ndryshme të botës, dhe godinat e rimodeluara janë përshtatur mirë për këto veprimtari.

‘RUAJ VETEN NË DASHURINË E PERËNDISË’

Vërtet, kemi shumë arsye për të gëzuar. Sa të bekuar jemi që jetojmë në këto kohë emocionuese! Është e vërtetë se, siç ishte parathënë, «ditët e fundit» janë «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Por, duke qenë se çlirimi është kaq afër, është jetësore që secili prej nesh të jetë i vendosur t’i vërë veshin nxitjes bindëse të Judës: «Ju, o të dashur, duke u forcuar mbi themelin e besimit tuaj shumë të shenjtë dhe duke u lutur me frymë të shenjtë, ruani veten në dashurinë e Perëndisë, ndërsa pritni mëshirën e Zotërisë tonë Jezu Krisht, me sytë nga jeta e përhershme.»—Juda 20, 21.

[Grafiku në faqen 13]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

VIZITORËT QË HYJNË ÇDO DITË NË www.watchtower.org

70.000

50.000

30.000

10.000

1999 2001 2003 2005 2007 2009

[Harta në faqen 21]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Vende ku së fundi ka pasur zhvillime të rëndësishme ligjore

AUSTRI

EGJIPT

ERITRE

UGANDË

AFRIKA E JUGUT

MOLDAVI

ARMENI

TURQI

AZERBAJXHAN

RUSI

KAZAKISTAN

UZBEKISTAN

TAXHIKISTAN

INDI

KOREJA E JUGUT

[Figura në faqen 11]

Edhe lajmëtarëve të vegjël u pëlqen të ofrojnë studime biblike

[Figurat në faqen 27]

Shkolla për Pleqtë e Kongregacionit i stërvit të përmbushin përgjegjësitë teokratike

[Figurat në faqen 28]

Vëlla Xharaz duke mbajtur fjalimin e kushtimit në degën e Holandës

[Figurat në faqen 29]

Vëlla Herdi duke mbajtur fjalimin e kushtimit në degën e Tanzanisë