Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Estonia

Estonia

Estonia

MIRËSEVINI në Estoni! Ky «xhevahir aq i dashur baltik» do t’ju mahnitë me bukurinë magjepsëse: me pyjet e livadhet, me fshatrat bregdetare piktoreske, me më shumë se 1.400 liqenet dhe mbi 1.500 ishujt. Thuajse gjysma e Estonisë është e veshur me pemë të dendura dhe gëmusha, mbetje të pyllit të lashtë që dikur mbulonte pjesën më të madhe të Evropës. Estonia, pak më e madhe se Zvicra ose Danimarka, është një nga vendet më të vogla në Evropë.

Do të zbuloni se banorët miqësorë, por të rezervuar të këtij vendi të vogël e të këndshëm, kanë shumë cilësi vërtet të admirueshme. Në përgjithësi janë të arsimuar mirë, kanë përqindje shumë të lartë të njerëzve me arsim bazë dhe vdesin të lexojnë. Ndonëse rreth 30 për qind e popullsisë flet rusisht, gjuha zyrtare është estonishtja. Megjithatë, kjo gjuhë nuk mësohet kollaj sepse është shumë e ndërlikuar. Për shembull, estonishtja ka disa terma për fjalën «ishull», kjo në varësi të pamjes, përmasave dhe vjetërsisë së tij.

E KALUAR E STUHISHME

Estoninë e kanë pushtuar popujt e fuqishëm fqinjë njëri pas tjetrit. Kalorësit gjermanë dhe trupat daneze e pushtuan vendin në fillim të shekullit të 13-të dhe më pas Danimarka, Lituania, Norvegjia, Polonia, Rusia dhe Suedia luftuan për shekuj me njëra-tjetrën që ta shtinin në dorë Estoninë.

Pasi suedezët sunduan për më tepër se një shekull në Estoni, ajo ra në duart e Rusisë në vitin 1721. Pas një periudhe të shkurtër pavarësie, nga vitet 1918 deri 1940, Bashkimi Sovjetik marshoi drejt Estonisë dhe e aneksoi. Në vitin 1941, Gjermania naziste pushtoi vendin, por humbi kontrollin ndaj Bashkimit Sovjetik në vitin 1944. Estonia ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik për afro 50 vjet, deri në vitin 1991 kur u bë republika e parë sovjetike që shpalli pavarësinë.

Si ndikuan këto ngjarje te Dëshmitarët e Jehovait në Estoni? Ç’u ndodhi shërbëtorëve të Perëndisë së vërtetë gjatë sundimit shtypës gjerman dhe gjatë epokës së vështirë sovjetike? Lexoni historinë emocionuese të besimit, guximit dhe mendjemprehtësisë së tyre përballë përndjekjes së egër.

VRAGAT E FESË SË RREME

Kryqtarët që mësynë në Estoni në shekullin e 13-të i detyruan njerëzit të bëheshin «të krishterë» me anë të shpatës. Por ky kthim në besim ishte veçse diçka sipërfaqësore. Më pas, në fshatra të tërë, banorët shpëlanë veten dhe shtëpitë me ujë që të hiqnin pagëzimin e detyruar para se t’i ktheheshin adhurimit pagan. Njerëzit vazhduan të praktikonin kultet e natyrës dhe ritet pagane derisa dalëngadalë i ndërthurën ritualet e tyre me bindjet katolike.

Në shekullin e 17-të estonezët u kthyen në besimin e Kishës Luterane dhe, më vonë, Kisha Ortodokse Ruse u bë kisha shtetërore në Estoni. Në vitin 1925 Kisha dhe Shteti u ndanë. Sipas një ankete, vetëm 14 për qind e estonezëve pohojnë se feja është pjesë e rëndësishme e jetës së tyre të përditshme.

Por kohët e fundit, mjaft estonezë të sinqertë e kanë mirëpritur balsamin shërues të Fjalës së Perëndisë, «mësimin e shëndoshë, i cili është sipas të lavdishmit lajm të mirë të Perëndisë së lumtur». (1 Tim. 1:10, 11) Si rezultat, që nga viti 1991, numri i Dëshmitarëve të Jehovait që shpallin Mbretërinë e Perëndisë është rritur nga më pak se 1.000 në mbi 4.000. Por, pikësëpari, si arriti lajmi i mirë në Estoninë e vogël?

«TI KE GOJË»

Që në fillim të shekullit të 20-të, kur Martin Koseja dhe vëllai i tij, Hugoja, ishin në SHBA, morën ca literaturë të botuar nga Studentët e Biblës (siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait). Entuziast për atë që kishte zbuluar, Martini merakosej për vendin e tij, ku e dinte se nuk kishte Studentë të Biblës. Ai e gjeti adresën e selisë së Nju-Jorkut në një broshurë dhe më vonë shkoi atje t’i shprehte merakun XH. F. Radhërfordit, i cili mbikëqyrte veprën e Studentëve të Biblës në atë kohë.

—Ç’duhet të bëj?—pyeti Martini.

—Po ja, ti ke gojë apo jo?—iu përgjigj vëlla Radhërfordi.—Atëherë kthehu dhe përdore.

Martini bëri pikërisht ashtu. Rreth vitit 1923 u kthye në Estoni dhe nisi të predikonte, duke u bërë i pari Student i Biblës në vend. Ai i mësoi familjes të vërtetat e Biblës dhe i biri, Adolfi, u bë shërbëtor besnik i Perëndisë dhe shtyllë stabilizuese gjatë ditëve të vështira që shtriheshin përpara. Edhe vëllai i Martinit, Hugoja, u bë një Student i Biblës, por kurrë nuk u kthye përfundimisht në vendlindje.

«NUK DO TË JESH VETËM»

Në Londër, në një kongres të Studentëve të Biblës që u mbajt në vitin 1926, vëlla Radhërfordi kërkoi për vullnetarë që të shkonin në vendet baltike. Albert Uesti, Persi Danëmi dhe Xhejms Uilliamsi ngritën dorën. Pak pas kësaj, këta u caktuan të organizonin predikimin e lajmit të mirë në Estoni, Letoni dhe Lituani. Uilliam Dei, në atë kohë mbikëqyrës i Zyrës për Evropën Veriore që ndodhej në Danimarkë, udhëtoi me Albert Uestin për në Talin, kryeqytetin e Estonisë. Pasi i gjeti një dhomë Albertit, vëlla Dei i rrahu lehtas shpatullën dhe i tha: «E po, mirupafshim Albert. Nuk do të jesh vetëm. Së shpejti do të të sjellin Kullën e Rojës

Përhapësit, siç njiheshin në atë kohë pionierët, erdhën nga Anglia, Gjermania dhe vende të tjera që të ndihmonin. Megjithatë nuk mund të rrinin gjatë, ngaqë e kishin të vështirë të shtynin vizën. Përhapësit finlandezë arritën të përshtateshin shpejt, meqë gjuhët estoneze dhe finlandeze janë shumë të ngjashme. Me dhjetëra predikues në kohë të plotë nga vende të tjera mbollën farat e Mbretërisë me zell dhe pa u kursyer. Të huajt, që ishin të pazakontë në vend, u mirëpritën përzemërsisht dhe shpesh u viheshin pseudonime si «soome Miina» (finlandezja Mina). Nëse një orator ishte nga Britania, e prezantonin thjesht si «londinez».

DEGA E PARË

Ishte e rrallë të gjeje vend të përshtatshëm për zyrën dhe, ngaqë mendohej se të huajt ishin të pasur, u kërkohej qira më e lartë. Megjithatë, në vitin 1926 u hap një degë në një apartament të vogël në Talin, në rrugën «Krojtzvaldi» nr. 17, ku Albert Uesti shërbeu si shërbëtor dege. Po atë vit, dolën broshurat e para në estonisht, përfshirë broshurën Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë.

Një e re nga Estonia, Hilda Angu, dëgjoi për të vërtetën nga shoqet. Kur shkoi te zyra e degës për të marrë literaturë, një vëlla gjerman e pyeti nëse ishte e gatshme ta ndihmonte me përkthimin e fjalimit të tij publik. Ajo pranoi dhe në vitin 1928 e ftuan të punonte në zyrë si përkthyese. Më vonë u martua me një vëlla britanik, Aleksandër Brajdsonin, që kishte shkuar në Estoni për të predikuar në kohë të plotë. Hilda tregoi se ishte përkthyese e zonja dhe e palodhur. Më vonë, kur vepra ishte nën ndalim dhe ajo me të shoqin duhej të largoheshin nga Estonia, vazhdoi të përkthente fshehtas nga jashtë vendit për disa dekada. Së bashku, çifti Brajdson shërbeu gjithsej më tepër se 100 vjet në kohë të plotë.

Në vitin 1928 Studentët e Biblës botuan librin e parë në estonisht, Harpa e Perëndisë. Përveç kësaj, para Luftës II Botërore u botua në estonisht Kulla e Rojës, shtatë libra të tjerë dhe mjaft broshura.

UNGJILLËZUESIT E HERSHËM

Përhapësit mbuluan territore të paana me biçikletë dhe flinin kudo që gjenin strehim​—qoftë në shtëpitë e fshatit, qoftë në mullarë bari. Njerëzit ishin të varfër, por kishin shumë dëshirë të dëgjonin mesazhin për Mbretërinë. Si pasojë, këta predikues në kohë të plotë harxhonin me gëzim rreth 150 deri në 200 orë në muaj në veprën e predikimit, dhe njëra prej tyre raportoi 239 orë në një muaj të vetëm! Shërbimi i tyre karakterizohej nga papërtueshmëria, guximi dhe ngulmimi. Ja çfarë tregon një motër për përvojën e parë në shërbim.

—A di t’i japësh biçikletës?—e pyeti një motër e zellshme finlandeze.

—Po,—iu përgjigj motra e re.

—Atëherë le të shkojmë në Saremë,—i tha motra finlandeze gjithë entuziazëm, duke iu referuar ishullit më të madh të Estonisë, rreth 200 kilometra larg.

Kur mbërritën në fshatin e parë të Saremës, motra finlandeze propozoi: «Ti fillo nga kjo anë, kurse unë po shkoj nga ana tjetër. Në mbrëmje takohemi në qendër të fshatit.» Motra e re nuk kishte predikuar ndonjëherë. Por, që në derën e parë, e ndjeu ndihmën e Jehovait dhe shpejt fitoi aq siguri sa të shijonte pjesën tjetër të udhëtimit.

Helina Aldoneni (më vonë Gronlundi) takoi njerëz nga ishulli i Vormsit dhe pa se flitnin një gjuhë të huaj.

—Nuk flitni estonisht ju?—i pyeti banorët e ishullit.

—Jo, flasim suedisht,—iu përgjigjën ata.

—Po libra në suedisht a keni?—i pyeti Helina.

—U bënë shekuj që s’kemi libra në suedisht,—iu përgjigjën ata duke e ekzagjeruar.

Helina e kuptoi se banorët e Vormsit kishin nevojë për literaturë në suedisht, prandaj vendosi të shkonte në ishull me Fana Hiedalën, e cila fliste suedisht.

Helina kujton: «Morëm të gjithë librat në suedisht që kishte zyra dhe shkuam atje me varkë. E mbaruam së predikuari të gjithë ishullin për tri ditë dhe shpërndamë thuajse të gjithë literaturën. Dekada më vonë, dëgjova se një vëlla suedez e kishte mësuar të vërtetën nga librat që kishte marrë në Vorms.» Herë pas here, predikuesit e Mbretërisë përjetuan të vërtetën që thuhet tek Eklisiastiu 11:6: «Në mëngjes mbille farën dhe gjer në mbrëmje mos e lër dorën tënde të pushojë; sepse nuk e di se ku do të ketë sukses.»

VËSHTIRËSITË QË HASËN PËRHAPËSIT

Puna e përhapësve nuk ishte e lehtë. Në dimër, me ski ose më këmbë, bënin nga 20 deri në 40 kilometra në ditë. Të ftohtët ishte i hidhur dhe ishte e rrallë të gjeje strehim të rehatshëm. Me vete mund të merrnin vetëm ushqimin bazë dhe gjëra të tjera jetësore, pasi përveç këtyre mbanin edhe kutitë me literaturë. Shirat e rrëmbyer shpesh i bënin të pakalueshme rrugët. Shumë net, përhapësit detyroheshin të flinin jashtë. Ky shërbim në kushte ekstreme kërkonte sa më shumë forcë fizike dhe rezistencë që të mundnin. E megjithatë, si ndiheshin ata predikues të përkushtuar për shërbimin që kryenin?

Vilho Eloranda, një vëlla i zellshëm finlandez që predikoi në kohë të plotë në zona të izoluara për shumë muaj, sjell ndër mend: «Nuk më mungoi kurrë ndonjë gjë vërtet e rëndësishme. Shumicën e kohës, në këmbim të literaturës, merrja ushqimin e përditshëm dhe strehim për të fjetur. Nuk kishim shumë nevojë për para. Kur binte mbrëmja, filloja të kërkoja strehim. Shumica e të zotëve të shtëpive pranonin të më gjenin një vend ku të flija, sidomos nëse ishte vonë ose isha tepër larg për të shkuar te ferma tjetër.»

Vilhoja vazhdon: «Kisha kaq merak që ta çoja mesazhin për Mbretërinë në duart e njerëzve, sa kushtet modeste të jetesës nuk ma hoqën aspak kënaqësinë dhe gëzimin që më sillte vepra e predikimit.»

Këta vëllezër e motra të palodhura hapën rrugën për rritje të mëtejshme në të ardhmen, duke shpërndarë sasi të mëdha literature. Në vitin 1929, u shpërndanë gjithsej 53.704 libra dhe broshura nga një grusht ungjillëzuesish.

Adolf Koseja kujton: «Estonia kishte afërsisht 30 përhapës të cilët e predikuan të gjithë vendin para Luftës II Botërore.»

Ende ndihet ndikimi i atyre predikuesve të hershëm e të zellshëm. Për shembull, në fillim të viteve 90, Dëshmitarët e Jehovait takuan Ruthën, një zonjë të moshuar. Mesazhi i tyre iu duk i njohur. Ajo kujtonte se, mbi 60 vjet më parë, kishte dëgjuar një Studente të Biblës nga Gjermania e cila e kishte vizituar disa herë fqinjën e saj. Sot, ndonëse nuk dëgjon dhe është e shkuar në moshë, Rutha e dalloi tingullin e së vërtetës, pranoi një studim biblik dhe u pagëzua​—rreth 70 vjet pasi kishte dëgjuar për herë të parë Dëshmitarët.

AKTIVITETI I HERSHËM NË DEGË

Ato vite të hershme, zyra e vogël e degës shërbente si vend ku mbaheshin kongreset. Në kongresin e parë, në qershor të vitit 1928, morën pjesë 25 veta nga të cilët 4 u pagëzuan. Vitin pasues, 80 vëllezër finlandezë erdhën që të ndihmonin me kongresin dhe të merrnin pjesë në shërbimin në fushë.

Albert Uesti, që shërbente si shërbëtor dege në Estoni, u caktua të ndihmonte dhe më vonë të zëvendësonte Uilliam Dein, si shërbëtor i degës së Danimarkës. Por kush do ta zëvendësonte vëlla Uestin si shërbëtor dege në Estoni? Uollas Baksteri nga Skocia ishte një vëlla i dashur me një ndjenjë të fortë humori. Para se të gjente të vërtetën, kishte luftuar në ushtrinë britanike, në Francë, gjatë Luftës I Botërore. Ajo që pa dhe kaloi në luftë nuk ishte në harmoni me mësimet e Jezu Krishtit.

Vëlla Baksteri kujton: «Isha i çorientuar dhe fillova të kuptoja se e gjithë lufta njerëzore ishte e gabuar, pavarësisht se kush ishte armiku. Gjithmonë besoja se të gjithë njerëzit janë vëllezër dhe se cilido që e kërkonte Perëndinë, do të arrinte ta gjente. Teksa mendoja këto gjëra, u ula në gjunjë në vendstrehimin tim dhe iu betova solemnisht Perëndisë se, po të mbetesha gjallë dhe të kthehesha në shtëpi, do t’i shërbeja për tërë jetën.»

Ashtu bëri. Pasi mësoi të vërtetën, filloi me zell shërbimin e plotkohor në vitin 1926. Dy vjet më vonë pranoi ftesën për të shërbyer në Estoni, ku tregoi të njëjtin zell. Ai u emërua shërbëtor dege në vitin 1930, vitin kur u largua vëlla Uesti. Në vitin 1932 dega u zhvendos në rrugën «Sur Tartu» nr. 72, në Talin, dhe vitin vijues Watch Tower Bible and Tract Society u regjistrua zyrtarisht në Estoni.

TRANSMETIME NË SHUMË GJUHË

Në fillim të vitit 1927 vëlla Uesti mori leje të transmetonte në një radio tregtare, në Talin. Fjalimi që mbajti, «Bekimet e Mijëvjeçarit», u përkthye në estonisht. Transmetimi jo vetëm nxiti shumë interes, por edhe ngjalli disa polemika. Prandaj nuk u dha më leja për të transmetuar deri në vitin 1929. Që nga ky vit, çdo të diel bëheshin transmetime të rregullta. Fjalimet mbaheshin në anglisht, estonisht, finlandisht, rusisht, me raste në suedisht dhe gjermanisht, si edhe të paktën një herë në danisht. Edhe këto fjalime nxitën mjaft interes e mund të dëgjoheshin deri në Norvegji, Danimarkë, Suedi, Finlandë dhe në Leningrad (sot Shën-Pjetërburg) të Rusisë. Gjatë vitit të shërbimit 1932, të 200 fjalimet e transmetuara patën rezultat, sepse bënë të njohur emrin e Jehovait. Siç pritej, provokuan edhe kundërshtimin e klerit.

Kleri e dinte sa frikë kishin zyrtarët nga gjithçka që kishte të bënte me komunizmin, prandaj në mënyrë të rreme pohoi se Dëshmitarët kishin lidhje me komunistët. Autoritetet estoneze vepronin me shpejtësi ndaj çdo gjëje që mendonin se mund të përbënte kërcënim për kombin, kështu që ndaluan fjalimet në vitin 1934. Por jo të gjithë ishin dakord me ndalimin. Një djalë i vogël që shkonte në shkollë shkroi letrën e mëposhtme në anglisht:

Të dashur Watch Tower dhe gjykatës Radhërfordi:

Më vjen keq që qeveria jonë në Estoni ka ndaluar fjalimet tuaja që transmetoheshin në radio. Unë jam një nxënës në shkollën fillore. Prindërit nuk janë të pasur; e fitojnë bukën e gojës me djersën e ballit për fëmijët. Por dashuria për Perëndinë dhe shpresa tek ai është si një rreze dielli në fytyrat e tyre. Në dimër u sëmura rëndë dhe fjalimet tuaja ishin e vetmja gjë që më jepte zemër. Atëherë lotët që derdhja ishin lot gëzimi. . . . Ku janë ato fjalime tani? . . . Nisa të mësoja anglisht, dhe kjo është letra e parë që shkruaj në këtë gjuhë, e gjitha pa ndihmën e fjalorit. . . . Të uroj gjithë të mirat dhe të përshëndes gjykatës Radhërford.

Vëlla Radhërfordi iu përgjigj personalisht me anë të një letre djalit të vogël dhe i dërgoi disa regjistrime të fjalimeve të tij.

NJË ‘KARROCË E MBRETËRISË QIELLORE’

Xhon Northi, një përhapës i zellshëm nga Anglia, jetonte me familjen në një rulotë ndërsa predikonte në Estoni. Kjo ngjalli mjaft interes në gjithë Estoninë e Jugut. Një gazetë vendëse e përshkruante kështu rulotën: «Shoqata [Watch Tower] po ndërton një automjet në Tartu që ngjan me një shtëpi, dhe ka si qëllim të udhëtojë përreth vendit me të, që të mbajë shërbime fetare. Ata u predikojnë njerëzve nga ‘karroca e Mbretërisë qiellore’ dhe shpërndajnë libra e shpjegojnë Biblën. Personeli i kësaj ‘karroce’ përbëhet nga pesë veta: misionari kryesor, gruaja e tij, fëmija i tyre dhe dy të rinj energjikë. Këta të fundit u japin me shpejtësi biçikletave (si Jehu) në të gjitha drejtimet rreth ‘karrocës’ duke shpërndarë literaturë.»

Gjatë trazirave politike në mes të viteve 30, një ish-pilot ushtrie, Nikolai Tuimani, u burgos ngaqë u përfshi në një lëvizje fashiste estoneze. Në bibliotekën e burgut, Nikolai gjeti disa libra të Xh. F. Radhërfordit nga të cilët kuptoi se nuk duhet t’i varte shpresat te lëvizja fashiste. Pasi u lirua, udhëtoi në Talin për në adresën që kishte gjetur në një libër të botuar nga Dëshmitarët, i cili i kishte rënë në dorë gruas. Me ndihmën e vëlla Baksterit, Nikolai ndryshoi si dita me natën, hoqi dorë nga aktivitetet politike dhe u bë një Dëshmitar i Jehovait i zellshëm e paqësor. Më vonë, kur vepra u ndalua, ai ishte një shtyllë në kongregacion duke ndihmuar me shtypjen fshehurazi. Mbeti besnik gjatë 15 viteve të internimit në Siberi.

Një tjetër që ishte përfshirë në politikë dhe mbeti i zhgënjyer prej saj, ishte një mjek, Artur Indusi. Shkëndija e parë për të vërtetën u ndez kur shkoi në shtëpinë e Martin Kosesë që të jepte ndihmën e nevojshme mjekësore. Vëlla Koseja e nxiti Arturin të studionte Biblën dhe, ngaqë Arturi dinte gjermanisht, vëllai i porositi atij të gjithë literaturën që ishte në dispozicion në atë gjuhë. Me ndihmën e Martinit, Arturi pranoi të vërtetën, ia kushtoi jetën Jehovait dhe u pagëzua. Ai nuk ishte vetëm mjek i njohur e i respektuar, por u bë i njohur edhe si vëlla i zellshëm e i respektuar.

RE TË ZEZA NË HORIZONT

Mesi i viteve 30 ishte kohë trazirash. Për shkak të presionit të Gjermanisë naziste dhe Kishës Katolike, u konfiskua broshura Sundimtar i drejtë në janar të vitit 1935.

Po atë vit, Ministri i Brendshëm mbylli Shoqatën Watch Tower në Estoni, konfiskoi literaturën dhe sekuestroi pronën me pretekstin se nuk kishin paguar disa detyrime ndaj shtetit. Ndonëse shumë literaturë tashmë ishte fshehur, rreth 76.000 copë u konfiskuan. Gjithsesi, kjo pengesë nuk e ndaloi veprën. Për gëzimin dhe habinë e madhe të vëllezërve, përmbajtja e dy broshurave të konfiskuara u botua në dy gazeta kryesore që, së bashku, kishin një tirazh prej 100.000 kopjesh. Pavarësisht nga humbja e literaturës, emri i Jehovait u bë shumë më i njohur sesa do të bëhej po të shpërndaheshin broshurat nga vëllezërit.

Ndërkohë, vepra e predikimit vazhdonte dhe aktivitetet e zyrës rifilluan. Një numër i madh librash vazhduan të konfiskoheshin vitet pasuese. Helina Aldoneni po punonte në degë kur ndodhi një nga bastisjet.

Motër Aldoneni kujton: «Tre policë të rinj erdhën kryesisht për të konfiskuar broshurën Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë. Por ne nuk kishim asnjë. I hoqën të gjithë librat nga raftet dhe i hodhën kapicë në dysheme. Vëlla Baksteri nuk bënte dot gjë, pasi ata nuk ia shqitnin sytë. Kurse unë fillova të rregulloja gjërat pas policëve dhe me stil shkova te tavolina e vëlla Baksterit të shihja nëse kishte ndonjë fletë që policia nuk duhej ta shihte. Vura re një letër me të gjithë emrat dhe adresat e lajmëtarëve. E hodha në një kosh që ndodhej në qoshe. Kur policia nisi të fuste librat nëpër kuti, oficeri përgjegjës kapi një kuti gjithë arrogancë dhe e vërviti kaq fort sa theu krahun. Policia u largua me të shpejtë që ta çonte në spital, dhe kështu kishim kohë të kontrollonim kutitë para se të ktheheshin.»

Vëlla Baksteri shton: «Policët u kthyen dhe, teksa vazhdonin me konfiskimin, më zunë sytë njërin prej tyre që futi librin Çlirim në xhepin e madh të kapotës. Shpesh kam pyetur veten sa libra të tjerë janë marrë e lexuar nga ata burra.»

Viti 1939 ishte kohë e pasigurt dhe e frikshme. Një numër i madh trupash sovjetike u lejuan të hynin në Estoni. Vëlla Baksteri shkroi: «Çdo ditë radioja transmetonte goxha propagandë komuniste. Kishte shumë spekulime, trazim, ankth dhe frikë që dukej sheshit. Kudo në qiell dëgjoheshin gumëzhimat e aeroplanëve luftarakë sovjetikë, të ngarkuar me trupa parashutiste.» A do ta paralizonte kjo veprën e dhënies së dëshmisë?

Me gjithë trazirën, në vitin 1940, shërbëtorët besnikë të Jehovait shpërndanë 59.776 libra dhe broshura​—një arritje e jashtëzakonshme nga vetëm 27 lajmëtarë dhe 15 pionierë. Ata po bënin maksimumin në atë periudhë lirie që u kishte mbetur.

ASAMBLEJA E FUNDIT NË LIRI

Vëllezërit arritën të organizonin një asamble në Talin pak para se të fillonte sundimi sovjetik​—e fundit që u mbajt në liri për pesë dekadat e ardhshme. Ata trajtuan artikuj të Kullës së Rojës, si «Teokracia», «Asnjanësia», «Leqet» dhe «Gjykimi i fesë»—​ushqim frymor në kohën e duhur që e ndihmoi popullin e Perëndisë për atë që shtrihej përpara.

Lufta II Botërore ishte gati ta përpinte Estoninë dhe vëllezërit tanë nuk do t’u shpëtonin pasojave të saj. Më 16 qershor 1940, Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike i dha një ultimatum qeverisë estoneze që të emëronte një qeveri të re dhe të lejonte më shumë trupa sovjetike në Estoni. Partia Komuniste Estoneze, me më pak se 150 anëtarë, u njoh ligjërisht dhe Estonia u aneksua e u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Brenda pak muajsh mijëra estonezë u internuan në Siberi dhe shtëpitë e fermat u braktisën, u dogjën ose ua morën pushtuesit rusë. Mijëra të tjerë u përpoqën të arratiseshin me barka të vogla peshkimi, kryesisht për në Suedi. Mjaft prej tyre ia dolën mbanë, kurse të tjerë u zhdukën në detet e stuhishme.

LARGOHEN TË HUAJT E FUNDIT

Me ardhjen e regjimit komunist, zyra e degës u mbyll sërish. Ndonëse vëlla Baksteri dhe Aleksandër e Hilda Brajdsoni ishin të vendosur të vazhdonin në caktim, po bëhej gjithnjë e më e rrezikshme për të huajt që të rrinin. Si pasojë, vëlla Radhërfordi i këshilloi të largoheshin nga vendi. Vëlla Baksteri dhe çifti Danëmi nga Letonia u larguan me tren përmes Siberisë dhe përfunduan në Australi. Çifti Brajdson u largua për në Suedi rreth një vit më vonë. Vëlla Baksteri shërbeu me besnikëri në Komitetin e Degës në Australi, derisa mbaroi jetën në tokë më 21 qershor 1994. *

Çfarë e priste grupin e vogël të vëllezërve tani që vëllezërit e huaj ishin larguar? Ata ishin relativisht të rinj në të vërtetën dhe një luftë mizore po i tërhiqte në vorbullën e saj. Lufta kërkonte çmimin e vet dhe vepra u ngadalësua. Pas raportit të fundit në vitin 1941, për vëllezërit tanë nuk u dëgjua asgjë për afro 20 vjet.

SPROVA TË RËNDA BESIMI

Teksa Lufta II Botërore bënte kërdinë, trupat gjermane i dëbuan sovjetikët dhe pushtuan Estoninë nga viti 1941 deri më 1944-n. Megjithatë, për vëllezërit kushtet nuk u përmirësuan. Jan Parati, një vëlla që nuk dëgjonte, po predikonte në Tartu në vitin 1942 kur e arrestuan gjermanët. E akuzuan për veprimtari armiqësore ndaj shtetit dhe e burgosën. Sipas dokumenteve të burgut, drejtorin e burgut të tij e urdhëruan që këtë të dënuar, Jan Paratin, «ta ekstradonin për një sistemim të veçantë». Në fakt ky ishte urdhër ekzekutimi. Një grup burrash e panë kur e çuan jashtë e më pas dëgjuan të shtëna. Nuk u kthye e as u pa më.

Ishte vërtet kohë peripecish për vëllezërit. Në fillim ushtria sovjetike e më pas ajo gjermane donin të rekrutonin të rinjtë. Adolf Koseja kujton: «Na u desh të fshiheshim që të mos shkonim ushtar. Po të na kapnin, ose duhej të bindeshim e të futeshim në ushtri, ose ishim të vdekur. Pa dyshim që vepra për Mbretërinë u ngadalësua, pasi ishte shumë e vështirë të bëje diçka.»

Vala e luftës u kthye sërish. Nga fundi i vitit 1944, ushtria sovjetike i dëboi gjermanët nga Estonia, duke e vënë përsëri Estoninë nën sundimin e egër sovjetik. Lufta dhe vitet pasuese të shtypjes patën pasoja shkatërruese te populli estonez. Të paktën çereku i popullsisë u vra ose u internua në vende të largëta të Bashkimit Sovjetik, ose ia dolën mbanë të largoheshin nga vendi. Gjatë viteve, qindra mijë rusë u transferuan në Estoni dhe përbërja e popullsisë ndryshoi ndjeshëm. Sundimi sovjetik ishte një sprovë e rëndë besimi për vëllezërit tanë, siç do ta shohim.

NGA VËLLA I PYLLIT NË VËLLA FRYMOR

Një lëvizje partizane nacionaliste dhe antisovjetike e asaj kohe, u bë e njohur si «Vëllezërit e Pyllit», sepse anëtarët fshiheshin në pyjet e thella. Midis tyre kishte mjaft që nuk ishin partizanë, por që duhej të fshiheshin nga Komiteti i Sigurimit të Shtetit Sovjetik, KGB-ja. Është llogaritur se ndonjëherë, në pyje fshiheshin nga 15.000 deri në 20.000 burra, disa prej të cilëve zhdukeshin për vite e autoritetet nuk arrinin t’i gjenin. Në fakt, i fundit nga këta, nuk u gjet deri në vitin 1978. A do ta pranonte të vërtetën ndonjë nga Vëllezërit e Pyllit dhe të bëhej vëlla frymor?

Për shkak të punës që kishte pasur në shërbimin e shtetit estonez, Erik Henloja e dinte se ishte në rrezik. Kur Bashkimi Sovjetik pushtoi Estoninë, bashkë me gruan, Magdën, u përpoqën shumë herë të arratiseshin me varkë në Suedi. Herën e fundit që provuan, u prish motori i varkës dhe iu desh të ktheheshin. Për shtatë vjet ia doli t’u shpëtonte autoriteteve duke u fshehur nëpër pyje, derisa e arrestuan. Më pas, atë dhe gruan i dërguan në kampe burgu të ndryshme të Bashkimit Sovjetik.

Ndërsa ishte në burg, Magda takoi dy Dëshmitare të cilat i folën për shpresën e Mbretërisë. Menjëherë Magda e kuptoi se kishte gjetur të vërtetën dhe ishte kaq e kënaqur sa hidhte valle nga gëzimi. Magdën e liruan në vitin 1956 dhe u pagëzua në vitin 1960. Shtatë vjet pas lirimit, edhe Eriku pranoi të vërtetën. Më në fund, një Vëlla i Pyllit u bë vëlla frymor.

I NDJEKIN DHE I ARRESTOJNË

Pasi vëllezërve të huaj iu desh të largoheshin nga Estonia, një vëlla i guximshëm dhe i zellshëm, Martin Koseja, u caktua të mbikëqyrte veprën në Estoninë Veriore. Estonia e Jugut u vu nën mbikëqyrjen e Fridrih Altperit, një estonez i gjatë e i edukuar që ishte mësues anglishteje në një shkollë të mesme. Në vitet 30 i kishin kërkuar të përkthente një fjalim që do të mbante një pionier i huaj në Voru. Pas kësaj kuptoi se kishte gjetur të vërtetën. Tashmë kishte bërë aq përparim sa të merrte drejtimin e veprës së predikimit në Estoninë e Jugut.

Këto caktime ishin të vështira për të dy vëllezërit, pasi s’kishin as lidhje me organizatën e as mjaft përvojë. Me gjithë vështirësitë e veprës fshehurazi, të dy vëllezërit shërbyen me besnikëri nga viti 1940 derisa i arrestuan në fund të vitit 1948.

Në vend të Martin Kosesë dhe Fridrih Altperit, u formua një Komitet Shërbimi që përbëhej nga Albert Krusi, Karl Talbergu dhe Artur Indusi. Lembit Tomi shërbente si ndihmës. Ndryshe nga pjesa tjetër e komitetit, vetëm vëlla Tomi mund të udhëtonte lirisht dhe të vizitonte grupet. Pse? Ai ishte mullis në një mulli me erë dhe ditëve të qeta, kur mulliri nuk punonte, ishte i lirë të bënte ç’të donte.

Vëllezërit përgjegjës në Estoni rrezikuan jetën që të ndihmonin bashkadhuruesit. Fotografi të atyre që mendohej se ishin udhëheqës, u vunë në stacione treni, si të ishin kriminelë në kërkim. KGB-ja caktoi deri në katër agjentë sigurimi që të gjurmonin secilin nga vëllezërit tanë të butë, me natyrë si të deleve. Edhe pse periudha e viteve 1948-1951 ishte e vështirë, Jehovai i bekoi përpjekjet e shërbëtorëve të tij të përkushtuar në veprën e predikimit. Si rrjedhojë, numri i lajmëtarëve u rrit në më se 100.

‘TË KUJDESSHËM SI GJARPËRINJTË, TË PAFAJ SI PËLLUMBAT’

Gjithnjë e më tepër, dishepujt e Jezuit në Estoni po përjetonin sa të vërteta ishin fjalët paralajmëruese të Zotërisë së tyre: «Jini të kujdesshëm si gjarpërinjtë, e megjithatë të pafaj si pëllumbat. Ruhuni nga njerëzit, sepse do t’ju dorëzojnë në gjykata dhe do t’ju fshikullojnë nëpër sinagogat e tyre. Për shkakun tim do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, që të jepni dëshmi para tyre dhe kombeve.» (Mat. 10:16-18) Por disa, me besim të lavdërueshëm, nuk e kuptonin plotësisht se Jehovai nuk siguron gjithnjë mbrojtje me anë të ndonjë mrekullie kundër tiranisë së Satanait. (Jobi 1:9-12; 2:3-6) Disa Dëshmitarë nuk ishin gjithmonë aq sa duhej «të kujdesshëm si gjarpërinjtë», dhe kështu u bënë pre e lehtë për përndjekësit mizorë.

Adolf Koseja sjell ndër mend: «Një burrë i interesuar dukej shumë i zellshëm dhe i guximshëm. Këtij iu dha përgjegjësi në kongregacion dhe pëlqehej shumë nga motrat. Por vëllezërit filluan të dyshonin dhe i paralajmëruan motrat të mos e çonin në të gjitha vendet ku mblidheshim.» Mjerisht, disa nuk ia vunë veshin këshillës dhe ai njeri arriti t’u jepte shumë të dhëna KGB-së, drejt e në dorë.

Lembit Tomi tregon: «Në vitin 1950 morëm disa kopje të Kullës së Rojës nga Gjermania, dhe donim t’i ndanim me të gjithë vëllezërit tanë të krishterë në Estoni.»

Po planifikohej një asamble në një hambar bari, në një zonë të veçuar të vendit. Por KGB-ja i mori vesh planet dhe u bë gati të arrestonte të gjithë vëllezërit e motrat. Ata ngritën pritë dhe vunë dy kamionë plot me ushtarë në stacionin hekurudhor ku duhej të zbritnin vëllezërit. Tre Dëshmitarë po pritnin te një gur kilometrik të planifikuar në rrugën për te vendi i asamblesë, që të drejtonin delegatët. Një nga vëllezërit dëgjoi një zhurmë të dyshimtë në pyll dhe shkoi të kontrollonte. Papritur u gjend përballë tytës së një arme! Ushtarët e çuan te dy vëllezërit e tjerë dhe që të tre Dëshmitarët i arrestuan.

Kur Lembit Tomi dhe Ela Kikasi (më vonë Tomi) kuptuan se tre vëllezërit i kishin arrestuar, reaguan vetëtimthi. Ata hipën vrik në motoçikletën e Lembitit dhe i dhanë me tërë shpejtësinë për te një stacion pararendës që t’i lajmëronin vëllezërit që po vinin me trenin e radhës. Lembiti dhe Ela nxituan për në stacion, hipën vrap e vrap në tren dhe shpejtuan t’i zbritnin vëllezërit. Si rezultat, kur treni arriti në stacion ku oficerët e KGB-së po pritnin, u zhgënjyen kur panë se nuk kishte asnjë Dëshmitar në tren.

Ndërkohë, disa vëllezër të tjerë shpejt gjetën një fermë tjetër ku të mbahej asambleja. Më pas i drejtuan delegatët në një rrugë të qetë anësore për më shumë se 10 kilometra për në vendin e ri. Sakaq, ushtarët po kërkonin me makina lart e poshtë nëpër rrugët kryesore për delegatët që ishin zhdukur në mënyrë të mistershme. Asambleja me 111 të pranishëm u mbajt pa shqetësime. Atmosfera ishte e nderë, pasi të gjithë ishin të vetëdijshëm se edhe ata mund të arrestoheshin nga çasti në çast. Programi përmbante raporte për vëllezër e motra të vendeve të tjera, përfshirë përvoja besimforcuese të Dëshmitarëve të Jehovait në kampet naziste të përqendrimit. Edhe pse ky shpëtim nga arrestimi në masë zgjati për një kohë të shkurtër, ajo asamble siguroi udhëheqje dhe forcë vendimtare për sprovat që shtriheshin përpara.

I MARRIN NË PYETJE DHE I DËNOJNË

Gjatë atyre pak muajve që pasuan, të gjithë vëllezërit përgjegjës i arrestuan njëri pas tjetrit, bashkë me më tepër se 70 lajmëtarë dhe të tjerë që kishin ndonjë lidhje me Dëshmitarët e Jehovait. Shërbëtorët paqedashës të Jehovait tani u përballën me seanca pyetësore që dukej se nuk mbaronin, kurse ata që ende ishin të lirë e dinin se mund t’i priste e njëjta gjë.

Ngaqë i merrnin në pyetje natën, dhe kjo vazhdonte për muaj të tërë, ata që mbaheshin nën ruajtje nuk mund të flinin siç duhej për periudha të gjata. Sa më shumë rrinin pa gjumë, aq më tepër ligështoheshin nga stresi. Vëllezërit dënoheshin pa gjyq të rregullt; thjesht u thoshin dënimin​—5 deri në 12 vjet në burg ose në kampet e punës. Shumica u dënua me 10 vjet. Çfarë krimi kishin bërë? Sipas dokumentimeve zyrtare, «dënoheshin për veprimtari armiqësore dhe propagandë kundër shtetit». Pak pas kësaj, ligji ndryshoi dhe filluan t’i dënonin Dëshmitarët me 25 vjet burg. Thuhet se, pasi mori dënimin, 63-vjeçari August Presraudi ka thënë me ironi: «Falënderoj gjykatën e nderuar që më dënoi kaq gjatë. Mendoja se do të jetoja vetëm nja 12 vjet. Por ju ma zgjatët jetën edhe një çerek shekulli!»

Dëshmitarët i dënonin në burgje ose kampe pune famëkeqe në të gjithë Bashkimin Sovjetik, kryesisht në Siberi dhe në Veriun a Lindjen e Largët të Rusisë, ku kushtet ishin të egra. Dukej sikur nuk kishte shpresa për t’u kthyer dhe mjaft të burgosur mendonin se ishte më e lehtë të vdisje.

Edhe vëllezërit e rremë që bashkëpunuan me autoritetet nuk i shpëtuan shtypjes së përndjekësve. Një rast i tillë është ajo që u ndodhi dy vëllezërve të cilët u bënë spiunë për KGB-në. Fill pasi kishin kryer detyrën e tyre, ata vetë u bënë objekt përndjekjeje të KGB-së. Që të dy i internuan në kampe burgu. Dukej se KGB-ja nuk kishte aspak respekt për këta informatorë burracakë. *

NGA ESTONIA NË SIBERI

Tani që KGB-ja kishte arrestuar ata që konsideroheshin Dëshmitarët më kyç, ishin të vendosur të shfarosnin çdo Dëshmitar që kishte mbetur. Mësymja u krye herët në mëngjesin e 1 prillit 1951. Me anë të një manovre të koordinuar mjaft mirë, u vunë në shënjestër në të njëjtën kohë të gjitha pjesët e vendit (si dhe Letonia, Lituania e Ukraina Perëndimore).

Pothuajse të gjithë Dëshmitarët e Jehovait, shumë prej të afërmve të tyre të ngushtë si dhe të interesuarit, i morën shpejt nga shtëpitë e tyre, i grumbulluan së bashku në disa stacione treni dhe i futën nëpër vagonë mallrash. U lejohej të merrnin me vete pak ushqim dhe sende personale, kurse të gjitha zotërimet e tjera ua konfiskuan. Atë ditë​—pa ndonjë gjyq a shpjegim—​afro 300 njerëz nga Estonia i çuan me tren në Siberi, kryesisht në rajonin e Tomskut që ndodhej rreth 5.000 kilometra larg.

TË RINJ TË GUXIMSHËM

Korina Enika, 17-vjeçare, dhe motra e saj 13-vjeçare, Eni, kishin shkuar që të takonin të afërmit. Përfytyroni dëshpërimin e tyre kur u kthyen në shtëpi. Gjithçka e gjetën të mbyllur dhe nëna nuk dukej gjëkundi. Por, kur morën vesh se nënën ua kishin arrestuar, u lehtësuan disi. Pse?

Korina thotë: «Të paktën ishte gjallë! Kur kuptuam se edhe të tjerë mund të ishin arrestuar, menduam se të paktën nëna duhej të ishte bashkë me popullin e Jehovait. Ndiemë një mbështetje dhe paqe të madhe nga Jehovai. Unë nuk qava, as Eni, e cila është pak e ndjeshme dhe e brishtë si tip. Të hënën, të dyja u kthyem në shkollë dhe nuk ia përmendëm askujt se nënën e kishin arrestuar.»

Korina dhe Eni ruajtën qetësinë edhe kur zyrtarët erdhën që t’i merrnin. Korina vazhdon: «Në vagonin tonë të gjithë ishin të qetë. Një motër na ngushëlloi duke na thënë se Jehovai nuk do të lejojë kurrë shtrëngim përtej forcave tona dhe se duhej t’i besonim premtimit të tij për të na ndihmuar.» Vajzat qëndruan larg nënës për më shumë se gjashtë vjet.

Tregues i urrejtjes pa arsye të përndjekësve është dokumenti i internimit të një foshnje gjashtë muajshe. Krimi për të cilin po internohej ishte «armik i shtetit».

Transferimi ishte mjaft shokues dhe të internuarit u poshtëruan e u çnderuan në çdo lloj mënyre. Çdo mëngjes dhe mbrëmje të gjithë lejoheshin të zbritnin nga treni dhe të shkonin në banjë, edhe pse nuk kishte banja. Një motër thotë: «S’kishte gjë më të ulët për sa i përket mirësjelljes dhe njerëzillëkut. Ishte e pamundur që burrat të veçoheshin nga gratë. Njerëzit kalonin aty pranë dhe të gjithë rojat ishin përreth duke na vështruar.»

JETA NË SIBERI DHE VDEKJA

Pas udhëtimit dyjavor rraskapitës me tren, të internuarit, me ato pak gjëra që kishin, më në fund i lanë të zbritnin nga vagonët e mallrave në dëborën e ftohtë. Në fermën kolektive aty afër, përgjegjësit erdhën që të zgjidhnin punëtorët më të mirë për fermën e tyre. Kjo ngjante shumë me pronarët e tokave që blejnë punëtorë në tregun e skllevërve.

Shumë nga ata që jetonin në Siberi ishin për vete të internuar dhe ndienin dhembshuri për të sapoardhurit. Kështu me ndihmën e bashkëbesimtarëve dhe vendësve miqësorë, vëllezërit e internuar u sistemuan shpejt. Disa arritën të bënin një jetë relativisht normale. Madje disa përjetuan dobi të papritura shëndetësore, siç ishin dy motrat estoneze me tuberkuloz, të cilat u shëruan kur u transferuan në klimën më të thatë të Siberisë.

Por jo të gjithë ishin kaq fatlum. Të paktën një fëmijë vdiq në tren dhe një Dëshmitar i moshuar vdiq nga kushtet e vështira ose trauma emocionale. Disa vëllezër mbetën të gjymtuar nga mungesa e mjekimeve të duhura ose nga puna stërmunduese që u kërkohej. Të tjerë vuajtën nga kushtet e egra të jetesës, kequshqyerja, sëmundjet, aksidentet dhe i ftohti ekstrem. Përveç kësaj, shumë duhej të duronin dhembjen emocionale që u solli ndarja nga familjet për vite me radhë dhe fakti që kurrë nuk i morën letrat që u shkruan njerëzit e dashur.

Tina Kruse shpjegon: «Ngaqë familja jonë përbëhej vetëm nga fëmijë dhe vajza adoleshente, na çuan në një fermë kolektive disi të varfër. Anëtarët e komunës nuk kishin ushqim të mjaftueshëm për vete e jo më për ne. Të sapoardhurit përtypnin lëvore pishe dhe rrënjë të ngrënshme, si dhe shpesh hanin supë hithre.»

Dimri në Siberi është i gjatë dhe tejet i ftohtë, një klimë e egër me të cilën të internuarit estonezë nuk ishin mësuar. Edhe punët më normale, si kultivimi i patates, rrallë kishin sukses. Për shumicën, viti i parë në internim ishte rraskapitës dhe shoqërohej nga dhembje të vazhdueshme urie.

Hisa Lemberi kujton: «Temperatura ishte minus 50 gradë celsius. Për shkak të të ftohtit, e mbanim furrikun e pulës poshtë krevatit, që pula të mos ngordhte nga të ftohtët. Disa futnin në shtëpi edhe viçin, nëse lindte në dimër.»

DREJT NJË TERRITORI TË RI ME SHPENZIMET E SHTETIT

Vite më parë, Uilliam Dei kishte thënë se, nëse Bashkimi Sovjetik do të merrte ndonjëherë kontrollin mbi vendet baltike, vëllezërit do të kishin territore të reja e të paana për të predikuar. Sa të vërteta dolën këto fjalë! Duke i çuar në internim, qeveria sovjetike i ndihmoi vërtet Dëshmitarët e Jehovait të zgjeronin veprën e tyre të predikimit në Siberi dhe në vende të tjera të largëta. Edhe pse Jehovai lejoi që Dëshmitarët e tij të sprovoheshin, falë kësaj, shumë që kurrë nuk e kishin dëgjuar as emrin hyjnor, patën mundësinë të mësonin të vërtetën.

Për shembull, Lembit Trelin e kishin arrestuar për veprimtari antiqeveritare. Ai dëgjoi për të vërtetën në vitin 1948 në një mënyrë të pazakontë​—në një qeli burgu në Tartu. Një oficer ushtrie rus, i cili po ashtu ishte i burgosur, i tregoi për Dëshmitarët që kishte takuar në një qeli tjetër të burgut. Oficeri i tregoi Lembitit një përmbledhje të shkurtër të mësimeve të Dëshmitarëve. Ai shpjegoi se qeveria e Perëndisë është e vetmja zgjidhje dhe se Perëndia do të sundojë në të gjithë tokën së shpejti. Kjo nxiti interesin e Lembitit.

Me kalimin e kohës Lembitin e dërguan në një kamp burgu në Vorkutë, në veriun e largët të Siberisë, pranë Oqeanit të Ngrirë të Veriut. Atje dëgjoi pa dashje një grup Dëshmitarësh që po flitnin për Biblën. Kur u afrua më shumë, kuptoi se po flitnin për të njëjtat gjëra që kishte dëgjuar nga oficeri, prandaj filloi të bisedonte me ta.

—Pse je në burg?—e pyetën vëllezërit Lembitin.

—Po luftoja për drejtësi,—u përgjigj ai.

—A ia arrite?—pyeti një nga Dëshmitarët.

Përgjigjja ishte e qartë, por Lembiti ia ktheu: «Jo, nuk ia arrita.»

«Ja pra, ke luftuar në anën e gabuar,—ia vuri në dukje një vëlla Lembitit.—A nuk do të doje të luftoje në anën e drejtë?» Më pas shpjeguan çfarë thotë Bibla për luftën frymore. Sa më shumë dëgjonte Lembiti, aq më tepër e kuptonte se kishte gjetur të vërtetën, si dhe bëhej i vetëdijshëm për nevojën që të vihej në anën e Jehovait në luftën frymore.

Pasi e liruan, Lembiti u kthye në Estoni dhe filloi luftën e tij frymore. Tani shërben si pionier i rregullt. Gruaja, Maimi, e mori të vërtetën njësoj. Asaj iu ndez interesi nga një jo Dëshmitare në burg.

Vepra e predikimit ishte e vështirë për vëllezërit që nuk flitnin mirë rusisht. Por, edhe pse me fjalor të kufizuar, e kishin gjithnjë të lehtë të nisnin një bisedë duke folur për arsyen pse i kishin internuar në Siberi. Kjo i ndihmoi vëllezërit të bëheshin mjeshtra në dëshminë joformale. Për më tepër, ata kishin mundësi të bollshme t’u dëshmonin të internuarve estonezë në gjuhën e tyre. Një e mbijetuar tregon se nga 15 deri në 20 estonezë mësuan të vërtetën në kampe, e po ashtu edhe disa rusë e lituanë.

SI TË MERRNIN USHQIM FRYMOR?

Mjaft metoda u përdorën për të futur fshehurazi në burgje Bibla dhe ushqim frymor, si dhe për t’ua dhënë Dëshmitarëve të internuar që jetonin në zona të izoluara. Një vëlla shpjegon: «I merrnim faqet e literaturës në poçe me dhjamë derri ose të ndonjë kafshe tjetër. Ngaqë dhjami bëhej i bardhë në ambient të ftohtë, fletët nuk dukeshin kollaj. Edhe pse zyrtarët futnin thikën nëpër poçe, zor se e dallonin ndonjëherë letrën e hollë që ishte ngjeshur në anët e poçit.» Zyrtarët rrallë e gjenin ushqimin e çmuar frymor të fshehur në enët me ushqim fizik.

Copa të vogla literature mund të arnoheshin edhe në një çantë dore ose rrobë, të fshiheshin në kuti sapuni ose të ngjisheshin në një kallëp sapuni të gërryer nga brenda. Ela Tomi thotë: «Arrita të futja katër Kulla Roje në një sapun.»

Ndonëse letrat censuroheshin, Dëshmitarët mësuan t’i maskonin të vërtetat biblike dhe gjuhën teokratike me fjalët e përditshme. Për shembull, një motër shkroi: «Ati po kujdeset mirë për ne, si edhe kemi një litar që arrin deri te pusi.» Ajo donte të thoshte se, «Ati», Jehovai, po u siguronte ushqim frymor; se kishin lidhje me ‘pusin’, pra organizatën e Jehovait; dhe se merrnin ujërat jetëdhënëse të së vërtetës, literaturën biblike.

Ndonëse mjaft literaturë kopjohej me dorë, një pjesë riprodhohej me anë të metodave të thjeshta të shtypjes. Në kohën kur e kopjonin literaturën me dorë, Dëshmitarët ishin mirënjohës po t’i vinin në izolim si ndëshkim për predikimin. Pse? Një motër thotë: «U ndjeva mirë kur më futën në izolim. Atje mund të përktheja më mirë Kullën e Rojës pasi nuk më bezdisnin dhe aq.» Kjo është një nga mënyrat e shumta në të cilat taktikat e përndjekësve ishin të pasuksesshme dhe shpesh bënte që interesat e Mbretërisë të çoheshin përpara.​—Isa. 54:17.

RËNDËSIA E MBLEDHJEVE

Mundësitë për të qenë me Dëshmitarë të tjerë në mbledhje, ishin të rralla dhe çmoheshin shumë. Korina Enika përshkruan si ajo dhe një motër tjetër treguan guxim të largoheshin pa leje nga puna për disa ditë, që të shkonin në një mbledhje. Korina shpjegon: «U larguam nga vendi i punës në mbrëmje dhe ecëm për 25 kilometra deri te një stacion treni. Treni u nis në dy të mëngjesit dhe udhëtuam për gjashtë orë para se të zbritnim e të ecnim 10 kilometra për te vendi i mbledhjes. Gjetëm shtëpinë e duhur dhe po mundoheshim të vendosnim se kush do ta thoshte fjalëkalimin, kur një vëlla doli, na njohu që ishim motra dhe tha gjithë gëzim: ‘Jeni në vendin e duhur. Ejani brenda!’ Studiuam Kullën e Rojës dhe kënduam këngë të Mbretërisë. Ishte një përvojë tepër ndërtuese e besimforcuese për ne.» Kur u kthyen në punë tri ditë më vonë, u lehtësuan që morën vesh se përgjegjësi i fermës as e kishte vënë re mungesën e tyre. Ndjekja e mbledhjeve fshehurazi ua forcoi shumë besimin dhe guximin shërbëtorëve besnikë të Jehovait.

Në një rast tjetër, një grup vëllezërish po mbanin një mbledhje në burg, kur papritur, rojat erdhën që të kërkonin literaturë. Një vëlla, i cili kishte disa faqe literature në dorë, rrëmbeu një fshesë dhe filloi të fshinte. Rojat kërkuan, nuk gjetën gjë dhe u larguan. Ndërkohë literatura ishte mbledhur e sigurt rreth shkopit të fshesës, të cilën e shtrëngonte fort vëllai që po fshinte dyshemenë tërë zell.

FUQIA E DASHURISË SË VËRTETË TË KRISHTERË

Adolf Koseja kujton: «Për pesë vjet punova nën tokë në minierat e qymyrgurit. Ishim në veri të Rrethit Polar të Veriut, ku gjatë dimrit nuk ka dritë dielli. Kur mbaronim turnin dhe dilnim sipër, ishte errësirë. Prandaj nuk e shihnim dritën e diellit për muaj me radhë. Gjithashtu nuk hanim aq sa duhej. Kjo më ndikoi te kujtesa dhe te koncepti i kohës. Për shkak të punës së rëndë, ushqimit të paktë dhe rraskapitjes së tejskajshme, kishim fuqi vetëm për ndonjë bisedë që zgjaste pak minuta. Por, kur flitnim për të vërtetat e Mbretërisë, nuk ndiheshim kurrë të lodhur. Mund të flitnim për orë të tëra.»

Gjatë gjithë vështirësive, populli i Jehovait mësoi të tregonte dashuri vetëmohuese për njëri-tjetrin. Vëlla Koseja shpjegon: «Çdo gjë që kishim ose çdo gjë që merrte ndonjëri nga ne, e shpërndanim me vëllezërit. Të gjithë ishim në nevojë, kështu që mësuam të ndanim gjithçka kishim me njëri-tjetrin.»​—1 Gjon. 4:21.

Edhe rojat panë se Dëshmitarët gjithmonë e ndihmonin njëri-tjetrin. Kur Ajna Etmën e transferuan në një kamp tjetër, nuk kishte as lugë, as tas​—gjëra themelore për jetën në kamp.

Mbikëqyrësi i kampit i tha: «S’ka problem, motrat e tua do të të japin çfarë të nevojitet.» Dhe ashtu bënë. Herë pas here shfaqje të tilla të dashurisë së krishterë i sollën nderim emrit të Jehovait.

Megjithatë, sprovat e besnikërisë nuk mbaronin. Për shembull, edhe pse motër Etma kishte qenë në kampin e burgut për njëfarë kohe, rojat e pyetnin vazhdimisht: «Ende nuk pranon të bashkëpunosh me ne?» Sigurisht, bashkëpunimi që kërkonin ata ishte informacioni konfidencial për Dëshmitarët e Jehovait.

Motër Etma u përgjigjej gjithnjë: «Ju më mbani në kampet e burgjeve. Babai dhe nëna vdiqën për shkakun tuaj. E si mund të bashkëpunoj me ju?»

Edhe pse «nën vargonj», Dëshmitarët e internuar vazhduan të tregonin dashuri si të Krishtit duke u folur të tjerëve për lajmin e mirë për Mbretërinë sa herë që mundnin. Por cilëve u predikonin? Politika sovjetike për të transferuar elitën jokomuniste, u ‘hapi derën për t’u predikuar fjalën’. Shumë vëllezër e motra gëzuan biseda të frytshme me ata të internuar që kishin goxha arsim, të cilët përndryshe zor se do të kishin dëgjuar ose reaguar me kaq lehtësi ndaj mesazhit për Mbretërinë.​—Kolos. 4:2-4.

Vëlla Koseja shpjegon: «Më vonë na çuan në kampe të ndryshme. Në çdo qeli kryhej një vepër e madhe dëshmie. Arrita të dëshmoja më shumë në atë kohë, sesa para ose pas asaj periudhe e deri më sot.»

Gjatë gjithë viteve të internimit, sulmi ndaj Dëshmitarëve të Jehovait nuk reshti. U grabitën zotërimet dhe lirinë, si edhe i poshtëruan në çdo lloj mënyre. Por përndjekësit nuk i mundën kurrë moralisht dhe frymësisht.

KTHIMI NË ESTONI

Kur Josif Stalini vdiq në vitin 1953, shumë nga përkrahësit e tij të përkushtuar i mbërtheu hidhërimi. Në atë kohë Ela Tomi ishte në një qeli me gjashtë motra të tjera. Roja erdhi duke qarë dhe i urdhëroi të ngriheshin e të nderonin Stalinin. Ato refuzuan me guxim.

Si pasojë e vdekjes së Stalinit, atmosfera politike filloi të ndryshonte. Nga viti 1956 deri në vitin 1957, vëllazëria mbarëbotërore e Dëshmitarëve të Jehovait i dërgoi qeverisë sovjetike qindra peticione për vëllezërit e internuar. Njëri pas tjetrit, Dëshmitarëve të internuar iu dha amnistia. Ata në burg u liruan dhe ata në internim i lanë të ktheheshin në shtëpi. Disa Dëshmitarë u liruan pak pas vdekjes së Stalinit, kurse të tjerëve iu desh të pritnin për njëfarë kohe. Për shembull, familja Tuiman u internua në vitin 1951, por vetëm në vitin 1965 u lejua të kthehej. Edhe pse vëllezërit arritën të ktheheshin në Estoni, prapëseprapë duhej të gjenin një vend për të jetuar, pasi të gjitha pronat ua kishin konfiskuar kur i internuan.

SHIKOJNË PAS

Si ndikuan te Dëshmitarët frika, mizoria, puna e rëndë dhe kushtet e llahtarshme të burgjeve? Shumica dërrmuese mbetën të fortë frymësisht e besnikë edhe përballë vdekjes. Të paktën 27 Dëshmitarë estonezë vdiqën në burg ose në internim, përfshirë Artur Indusin, i cili, para se ta internonin, kishte shërbyer në Komitetin e Shërbimit në Estoni. Fridrih Altperi vdiq pak pas lirimit, ndoshta nga pasojat e punës së rëndë. Shërbëtorët e Jehovait iu nënshtruan sprovave të egra të besimit në Siberi, por nxorën shumë mësime dhe e mbajtën të pathyeshëm integritetin. Vërtet, nga sulmi i egër dolën me besim më të fortë dhe me qëndrueshmëri më të madhe.​—Jak. 1:2-4.

Viljard Karna shpjegon: «Vëllezërit përgjegjës ishin të gjithë në kampe burgu dhe ne mbanim lidhje me ta. Si pasojë, në Siberi kishim gjithmonë literaturë dhe qëndruam pranë Jehovait. Kur u kthyem në Estoni, ishte shumë më e vështirë të merrnim rregullisht ushqim frymor. Nuk mendojmë se do të kishim qenë aq të fortë frymësisht, po të kishim qëndruar në Estoni.»

Shumë jo Dëshmitarë të internuar u mbushën me mllef për shkak të vuajtjeve. Ndërsa Dëshmitarët e Jehovait e shihnin internimin si përvojë që i forconte frymësisht.

Korina Enika thotë: «Mësuam bindjen nga vuajtjet që hoqëm. E vumë shpresën te Jehovai dhe kurrë nuk na erdhi keq për këtë. Kuptuam sa pak gjëra na duheshin që të mbijetonim. Unë dhe motra, Eni, kishim vetëm një valixhe të vogël dhe një kuti poshtë krevatit. Tani, nëse mendojmë se na duhet ndonjë gjë më tepër, meditojmë për atë përvojë. Vitet më të mira të rinisë​—nga mosha 17 deri 23-vjeçare​—i kaluam në Siberi. Shpesh kam pyetur veten nëse do të ishim aq të forta frymësisht po të mos na kishin internuar. Mendoj se Siberia ishte vendi më i mirë për ne në atë kohë.»

Një motër tjetër shpjegon: «Ato pesë vjet në Siberi u harruan shpejt. Ishte sikur pashë një film për disa orë.»

Ajna Etma sjell ndër mend: «Kurrë nuk do ta harroj kërcimin e hareshëm të dritave veriore, ditët e acarta kur shtëllungat e reve shumëngjyrëshe ngriheshin nga deti ose nga lumenjtë, ditët polare kur dielli nuk perëndonte për dy javë dhe netët polare kur dielli nuk lindte për dy javë. Kujtoj luleshtrydhet që piqeshin gjatë verës së shkurtër dhe shpendët e egër të arktikut që ushqeheshin me degëzat e pemëve imcake. Pavarësisht nga të gjitha vështirësitë, në Siberi u ndjeva si të isha në ekskursion. Kuptova se, edhe në atë vend, me Jehovain është e mundur të jesh e lumtur.»

KOHË TË REJA, TAKTIKA TË VJETRA

Pasi vëllezërit u kthyen nga Siberia në Estoni, përndjekja nuk mbaroi. Policia sekrete përdori si taktikat e drejtpërdrejta, ashtu edhe ato të tërthorta që të merrte të dhëna për organizatën dhe që të shpifte për të.

Juri Shënbergu, të cilin e kishin arrestuar ngaqë nuk kishte pranuar të bënte shërbim ushtarak, e sollën nga kampi i punës që ta merrnin intensivisht në pyetje. Një agjent i veçantë i KGB-së kishte udhëtuar nga Kievi, Ukrainë, për në Estoni që ta bindte Jurin të punonte për KGB-në. Oficeri u përpoq t’i tregonte se literatura e Dëshmitarëve të Jehovait ishte antiqeveritare dhe plot gabime. Ai i dha Jurit ca kopje të Kullës së Rojës që t’i lexonte, por Juri nuk i pranoi, ndonëse revistat dukeshin si të vërteta. Kishte frikë mos ishin nga ato Kullat e Rojës fallso që KGB-ja përgatiste ndonjëherë për të çorientuar Dëshmitarët. Për një javë të tërë, agjenti i bëri presion Jurit nga mëngjesi në mbrëmje që të bashkëpunonte me KGB-në, por vëllai ynë mbeti i palëkundur dhe nuk pranoi të bënte kompromis.

RIPËRTËRIHET LIDHJA ME «NËNËN»

Edhe pse perdja e hekurt ishte e mbyllur fort, nuk mund ta ndalonte plotësisht dritën e së vërtetës biblike të depërtonte. Për vite me radhë vëllezërve iu desh të mbijetonin me literaturën e viteve të kaluara. Në fakt internimi në Siberi doli një bekim në shumë mënyra, sepse Dëshmitarët estonezë arritën të takoheshin me vëllezër të pjesëve të tjera të Bashkimit Sovjetik. Me t’u kthyer në Estoni, me guxim i mbajtën lidhjet me ata vëllezër në Bashkimin Sovjetik dhe herë pas here arritën të merrnin ushqim të freskët frymor. Për shembull, që nga viti 1956 ata mbajtën lidhje me Ivan Dzjabkon dhe me të tjerë nga Ukraina, e kështu mund të merrnin literaturë prej tyre. Por këto kontakte ishin të rralla dhe sasia e literaturës ishte e kufizuar. Nevojitej diçka më tepër, dhe nuk zgjati shumë e Jehovai i bekoi përpjekjet e guximshme të vëllezërve tanë.

Nën drejtimin e Trupit Udhëheqës, dega e Finlandës bëri plane që t’i ndihmonte vëllezërit në Estoni në mënyrë më të rregullt. Vilho Elorantoja, që kishte qenë pionier në Estoni në vitet 30, u caktua të lidhej me ta. Në fillim të viteve 60, gjatë udhëtimit të parë atje, ai arriti të lidhej me Fana Hiedalën. Më pas, mjaft vëllezër finlandezë, të cilët u hoqën si turistë, shërbyen si korrierë dhe ndihmuan për mbajtjen e një kanali të rregullt komunikimi. Më në fund, vëllezërit në Estoni kishin lidhje me «Nënën», siç e quanin vëllezërit organizatën e Jehovait. Ata mund të dërgonin raporte të shërbimit në fushë dhe korrespondencë, si edhe të merrnin literaturë me mikrofilm. Megjithatë, ngaqë ky rregullim duhej bërë krejt fshehurazi dhe me maturinë më të madhe, kontakti bëhej vetëm dy ose tri herë në vit.

Kushëriri i Adolf Kosesë, Hugo Kose i Riu, që jeton në SHBA, udhëtoi për në Estoni 15 herë si korrier. Në një nga këto udhëtime, rojat e kufirit e kontrolluan mbarë e prapë, por nuk gjetën gjë. Megjithatë situata u bë tensionuese kur rojat e pyetën drejtpërdrejt se cilës fe i përkiste. Pasi vuri re se oficerët nuk flitnin rrjedhshëm anglisht, Hugoja filloi të fliste shpejt e shpejt në anglisht. Oficerët nuk donin të dukeshin si injorantë e t’i kërkonin të fliste me ngadalë, kështu që, kur u ra telefoni, i thanë të nxitonte përpara, sepse anija ishte gati të nisej. Natyrisht, ai iu bind menjëherë këtij udhëzimi.

Ata që shërbenin si korrierë e dinin sa i rëndësishëm ishte caktimi i tyre dhe e merrnin shumë seriozisht. Ishin gjithnjë të kujdesshëm dhe vazhdimisht të vetëdijshëm për rrezikun se mos bëheshin tepër të sigurt te vetja. Raportet e shërbimit në fushë shkruheshin me kode, duke marrë parasysh rrezikun se mos binin në duar të gabuara. Korrierët e çmonin jashtë mase ushqimin frymor dhe e kuptonin se mund të rrezikonin jetën e tyre dhe atë të të tjerëve, po të mos tregonin kujdes. Ndonjëherë vërenin agjentët e KGB-së t’i ndiqnin. Teksa priste të merrte një pako nga dy vëllezër, Viljard Karna pa një agjent që i fotografoi dhe më pas i ndoqi. Pa dyshim ai po mblidhte dëshmi që të përdoreshin kundër Dëshmitarëve. Prapëseprapë, gjatë gjithë atyre viteve, vëllezërit nuk humbën kurrë as edhe një dërgesë literature ose ndonjë korrespondencë a raport.

PËRMIRËSOHET ORGANIZATA

Për njëfarë kohe vepra e predikimit në Bashkimin Sovjetik ishte nën mbikëqyrjen e një Komiteti Vendi me bazë në Ukrainë. Përveç kësaj, disa vëllezër shërbenin si mbikëqyrës krahinorë në të gjithë territorin e gjerë. Kurse tani organizata në rritje në Estoni kishte nevojë për dikë që të mbikëqyrte veprën që atje. Me natyrë të qetë dhe i stërvitur edhe më tej nga sprova të ndryshme besimi, Adolf Koseja u caktua të ndihmonte me organizimin e veprës në vitin 1976. Më vonë, përgjegjësia u rrit e përfshinte përpilimin e korrespondencës dhe raporteve për Letoninë, Lituaninë, Karelinë, Leningradin (tani Shën-Pjetërburgu) dhe për Murmanskun. Vëlla Koseja ndihmoi edhe me organizimin e punës së shtypjes në pika të ndryshme.

Si ia doli vëlla Koseja të kujdesej për gjithë ato përgjegjësi, si dhe të punonte në kohë të plotë bashkë me gruan, Koidulën, në një fermë derrash pranë qytetit të Tapait? Vëlla Koseja shpiku pajisje që ia lehtësuan disi punën në fermë. Kjo nga ana tjetër i dha më shumë kohë që të kujdesej për caktimet teokratike.

Më vonë, vëllezër të tillë, si Viljard Karna, Lembit Tomi dhe Silver Siliksari ndihmuan që të vizitoheshin kongregacionet në Estoni dhe në republikat fqinje të Bashkimit Sovjetik. Ndërsa fusha ruse në Estoni rritej, Aleksandër Jevdokimovi shërbeu si këta më sipër. Me kalimin e kohës, puna e shtypjes u nda, kështu që vëllezërit që flitnin rusisht në Estoni i shtypnin vetë botimet. Kur botimet e tyre vinin me mikrofilm, ishin tashmë në rusisht dhe mund të shumëfishoheshin drejtpërdrejt në letër fotografike. Por, me kohë, ndërsa kongregacionet rriteshin, kjo metodë e mundimshme e bërjes së shumë kopjeve nuk e ndiqte dot ritmin e duhur, pasi kërkohej që një numër i madh vëllezërish të ndihmonin me shtypjen në disa pika. Pavarësisht nga të ardhurat e kufizuara, u shtypën fshehurazi qindra kopje të më shumë se 20 librave të ndryshëm. U prodhuan me dorë mbi pesë milionë faqe literaturë në estonisht dhe rusisht, nga vitet 1966 deri më 1989.

KUJDESI ISHTE THELBËSOR

Një herë policët kontrolluan shtëpinë e një vëllai me pretekstin se po kërkonin një motoçikletë të vjedhur. Gjithsesi, ata shkuan drejt e te rafti i librave, një vend ku duket qartë se s’mund të fshihet një motoçikletë. Kuptohet, po kërkonin për literaturë të ndaluar. Sa u zhgënjyen kur s’gjetën gjë!

Si e maskuan vëllezërit literaturën dhe e mbajtën të fshehur? Kur prodhonin literaturën, shpesh u vinin kapakë të librave të vjetër jofetarë ose të revistave. Kështu, kur u bëhej kontroll i papritur në shtëpi, këto botime «të vjetra» zakonisht kalonin pa u vënë re.

Dëshmitarët përdornin raste të veçanta, të tilla si dasmat, për të maskuar mbledhjet dhe asambletë. Për shembull, dasma e Heimar dhe Elva Tuimanit zgjati dy ditë. Nganjëherë, grumbullime të tilla zgjatnin tri ose katër ditë. Pleqtë estonezë i nxitnin çiftet t’i bënin dasmat jo shumë të mëdha. Grupet e vogla nuk binin shumë në sy, tërhiqnin më pak vëmendjen dhe kishte më pak të ngjarë të krijonin vështirësi.

VIJNË VËLLEZËR RUSË

Në vitin 1970, Dëshmitarë prej shumë kohësh nga Ukraina, Bjellorusia dhe nga pjesë të tjera të Bashkimit Sovjetik, filluan të transferoheshin në Estoni. Për mjaft nga këta vëllezër, jeta në Estoni ishte shumë më e lehtë se në vendin amtar, ku kishin duruar përndjekje brutale.

Më 1972-shin, me ndihmën e vëllezërve, si Nikolai Dubovinski, një plak prej kohësh nga Ukraina, u formua kongregacioni i parë rusishtfolës në Tartu, me rreth 50 lajmëtarë. Fusha ruse ishte e frytshme dhe në 2010-n kishte 27 kongregacione dhe 4 grupe të gjuhës ruse, të cilat përbënin më tepër se gjysmën e lajmëtarëve në Estoni.

DËSHMI JOFORMALE NË MËNYRA TË NDRYSHME

Vëllezërit rusishtfolës ishin predikues të guximshëm e të zellshëm dhe nuk ngurronin t’u flitnin njerëzve në rrethana joformale. Për shembull, ata fillonin biseda me turistët që vizitonin kisha në Talin dhe u jepnin dëshmi. Shpesh, turistët mendonin se ­dikush që u fliste rreth Biblës ishte një ciceron, kështu që i kushtonin gjithë vëmendjen asaj që u thoshin vëllezërit.

Disa motra predikonin në tren. Ato blinin një biletë treni vajtje-ardhje nga Tartuja në Talin. Udhëtimi tetorësh u jepte goxha kohë të fillonin biseda dhe të ndanin lajmin e mirë me pasagjerët.

«U luta për një studim biblik»,—tregon Maria Paseçniku, e cila ishte transferuar nga Kazakistani në Estoni. Pasi mendoi për këtë, vendosi t’u predikonte atyre që pritnin me të për orë të tëra në radhët e gjata që të blinin ushqim në dyqane.

Maria vazhdon: «Një ditë, kur po rrija në radhë, fillova një bisedë me një grua dhe dalëngadalë ia drejtova vëmendjen te Bibla. Ajo grua nuk kishte shumë interes, por më çoi te disa të njohura të saj, më prezantoi me to dhe pastaj më la të vazhdoja bisedën. Si rrjedhojë, arrita të filloja katër studime biblike. Një nga gratë u bë Dëshmitare e pagëzuar dhe ende i shërben me besnikëri Jehovait.»

Siç është e vërtetë kudo, shumë shërbëtorë të Jehovait ishin shembullorë në vendet e punës. Për shembull, një përfaqësuese e Partisë Komuniste në një central elektrik tha se Leonard Nilski nuk i duhej më kompanisë ngaqë ishte fetar. Por, përgjegjësi i laboratorit elektrik i doli në mbrojtje dhe tha: «A na duhen komunistët që pinë e që nuk i kryejnë detyrat, më tepër se një fetar që njihet për besueshmërinë e tij?» Edhe kolegët e tjerë të Leonardit e mbrojtën për shkak të reputacionit të mirë, dhe çështja u la me kaq. Me sa duket, përfaqësuesja e partisë po përpiqej të fitonte pëlqimin e zyrtarëve të lartë të partisë dhe, kur sundimit komunist i erdhi fundi në Estoni, vetë ajo përfaqësuese e partisë humbi punën.

JEPET DËSHMI NËN NDALIM

«Kur isha në shkollë, me kujdes u flitja shumë prej shokëve të klasës,—kujton Lembit Rajli, i cili tani shërben në komitetin e degës në Estoni.—Një nga shokët e ftoja te vendi ku banoja dhe me maturi i predikoja. Pasi mbarova shkollën, nuk e pashë për afro 20 vjet. Kohët e fundit, po mbaja një fjalim te kongregacioni i qytetit tim dhe, a e gjeni dot kush ishte në auditor? Ishte shoku i shkollës! Kishte filluar të stu­dionte me Dëshmitarët e Jehovait dhe pak pas vizitës sime, u pagëzua. Sa shumë u gëzova!»

Meqenëse vepra jonë ishte nën ndalim, vëllezërit duhej të ishin syçelë kur jepnin dëshmi. Një plak shpjegon si e bënin këtë: «Duhej të merrnim kohë e të vëzhgonim ç’lloj njerëzish kishim përreth dhe me kë mund të fillonim një bisedë pa rrezikuar. Duhej të tregoheshim tepër të matur kur u flitnim të panjohurve. Pas pak kohe, shpesh ishim në gjendje ta dallonim dikë që ishte informator i KGB-së. Gjithashtu, nëse dikush fliste shumë ose me zë të lartë, fillonim të dyshonim. Nga ana tjetër, mund të ishte e sigurt t’i fli­tje dikujt që ishte i rezervuar. Shpesh fillonim biseda me ata që nuk mbështetnin qeverinë komuniste​—të ashtuquajtur disidentë—​që prireshin të ishin me mendje më të hapur.»

VIZITË INKURAJUESE NË NJË PARK

Trupi Udhëheqës mori masa që një nga anëtarët e tij, Llojd Berri, bashkë me Viv Moricin, nga dega e Finlandës, të takonin Adolf Kosenë, që po organizonte veprën në Estoni. Ata u takuan në një park në Le­nin­grad (tani Shën-Pjetërburg).

«Në fillim, vëlla Koseja ngurronte të fliste,—thotë vëlla Morici për takimin e tyre sekret—dhe tërë kujdes rrinte prapa gazetës. Por, ndërsa biseda rrodhi, gazeta u ul poshtë dhe Adolfi filloi të hapej.»

Vëlla Berri kujton: «Ai nuk e pranoi ftesën që të hante diçka me ne. Tha se ishte më mirë të rrinim vetëm për çështjet e nevojshme dhe ta linim me aq.»

Kur vëlla Koseja shprehu shqetësimin për zgjedhën e rëndë të përndjekjes dhe kufizimet ndaj Dëshmitarëve në Bashkimin Sovjetik, vëllezërit Morici dhe Berri ndanë me të disa mendime inkurajuese. «Edhe në vendet e tjera hasim sprova,—ia vunë në dukje.—Ato sprova duken më të lehta, por janë më të rrezikshme! Hasim shumë tundime që ju s’i keni, dhe po humbasim më tepër njerëz në Perëndim, se ju këtu.»

Kjo vizitë ishte në kohën e duhur dhe e forcoi frymësisht vëlla Kosenë. Vetëm më vonë e mori vesh se kishte folur me një anëtar të Trupit Udhëheqës, dhe këtë inkurajim nga organizata e Jehovait ua përcolli plot gëzim të gjithë atyre që po mbanin integritetin nën shtypjen tiranike.

«Zemrat tona i kuptojnë ndjenjat e vëllezërve tanë në Bashkimin Sovjetik. Ishte kënaqësi për mua të takoja vëlla Kosenë. Shtrëngimi i dorës dhe përqafimi i përzemërt e i madh që na dha teksa largoheshim, ishin mbyllje e përshtatshme e një mbledhjeje mjaft të këndshme»,—shkroi vëlla Berri.

TË RINJTË MBAJNË QËNDRIM TË GUXIMSHËM NË SHKOLLË

Në veçanti, shërbëtorëve të Jehovait në moshë të re iu bë presion të mbështetnin organizatat politike. Gjith­ashtu, i nxitnin të përfshiheshin në veprimtari të tjera që binin në kundërshtim me ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës.

Estera Tami sjell ndër mend: «Një ditë, kur isha e vogël, na thanë të gjithëve në klasë të ngriheshim, të dilnim para dhe të firmosnim një letër që i çonte urime për ditëlindje diktatorit, Josif Stalinit.»

Estera u çua në këmbë, por nuk pranoi të shkonte përpara. Në vend të kësaj, me mirësjellje tha se nuk do ta firmoste letrën. Mësuesja u inatos, por çuditërisht disa nga nxënësit e tjerë e mbështetën Esterën dhe me guxim thanë se as ata nuk do ta firmosnin letrën. Si përfundim, çështja u la me kaq.

Një çështje tjetër kishte të bënte me vënien e shallit të kuq të pionierit në mbështetje të komunizmit. Ata që nuk pranonin ta vinin, kërcënoheshin me nota të ulëta ose forma të tjera ndëshkimi. Vëllezërit dhe motrat tona të reja nuk pranuan të bënin kompromis. Kështu po shfaqnin të njëjtën frymë besnikërie si të Danielit me tre shokët hebrenj, në Babiloninë e lashtë.​—Dan. 1:8.

NJË EPOKË KREJT E RE

Fakti që vetëm 7 për qind e njerëzve i përkitnin Partisë Komuniste, tregon se populli estonez në përgjithësi nuk e mbështeste sistemin sovjetik. Zyrtarët estonezë nuk tregoheshin gjithnjë të zjarrtë të ndiqnin drejtimin nga Moska dhe madje disa i ndihmuan Dëshmitarët. Për shembull, në vitin 1985, një zyrtar vendës erdhi te Lembit Tomi dhe e këshilloi: «E di që je njëfarë drejtuesi mes Dëshmitarëve. Kur të mbani mbledhjet tuaja, mos e bëni këtë në ditë festash zyrtare.»

«Do t’ua përcjell këtë informacion edhe të tjerëve»,—tha Lembiti. Ishte e qartë se KGB-ja fyhej që Dëshmitarët përdornin festat zyrtare për mbledhjet e tyre. Nga sa duket, vëllezërit mblidheshin shumë hapur, kështu që bënë disa rregullime si përgjigje të asaj këshille miqësore.

Një epokë krejt e re filloi në vitin 1986 kur Bashkimi Sovjetik prezantoi politikën e perestrojkës ose të ristrukturimit. Trupi Udhëheqës i nxiti vëllezërit ta shfrytëzonin këtë liri të re për të organizuar kongrese në Evropën Lindore. Vëllezërit tanë në Bashkimin Sovjetik e kishin të vështirë ta besonin se liria mund të vinte para Harmagedonit. Të gjitha vuajtjet i kishin ende të freskëta në mendje dhe kontrollet në shtëpi vazhduan të ishin kërcënim i rregullt.

FTOHEN T’I DREJTOHEN PUBLIKUT

Tani që kishin liri më të madhe, gjithnjë e më shumë njerëz po tregonin interes për fenë dhe Biblën. Njerëzit ishin kureshtarë për qëndrimin e Dëshmitarëve të Jehovait dhe institucione të ndryshme ftonin vëllezërit që të mbanin fjalime publike për bindjet tona.

Një rast i tillë erdhi si një surprizë. Lembit Rajli ra dakord të mbante një fjalim para një grupi njerëzish. Kur dita erdhi, Ajnar Ojarandi, që kishte marrë në dorë organizimin, po dëgjonte radion ndërsa po rruhej, kur dëgjoi lajmërimin: «Sot në qendrën ‘Sakala’ do të mbahet një fjalim me titull ‘Çfarë mëson Bibla?’» Qendra «Sakala» ishte qendra kryesore e konferencave në Talin, ku Partia Komuniste mbante zakonisht mbledhjet e saj. Ajnarit gati sa nuk i ra përtokë makina e rrojës. Por, s’kishte asnjë mundësi ta njoftonte Lembitin se kjo mbledhje do të ishte shumë më e madhe nga sa e kishin menduar. E njoftoi vetëm kur e takoi te stacioni i autobusit.

Lembiti kujton: «Salla ishte plot e përplot. Kurrë nuk kisha folur para një auditori aq të madh. Kurrë nuk kisha përdorur mikrofon e as kisha folur nga një platformë. Pas një lutjeje të shkurtër, mendova për Pavlin në Areopag dhe mendova për një hyrje. Meqë shumica e të pranishmëve ishin vegjetarianë, e nisa fjalimin duke shpjeguar se Perëndia u dha njerëzve të parë të hanin vetëm fruta dhe perime. Vetëm pas Përmbytjes u lejuan të hanin mish.»

Kjo hyrje duket se pati efekt tek auditori, pasi disa u vunë në radhë që të linin emrin dhe adresën për të marrë literaturë kur të kishte. Me kalimin e viteve, shumë vëllezër mbajtën fjalime para auditoreve të mëdha në librari, shkolla dhe qendra kulturore. Si pasojë, mjaft njerëz të prirur siç duhet e dalluan dhe e pranuan të vërtetën.

RRINË ZGJUAR FRYMËSISHT

Në vitin 1989, shërbëtorët e Jehovait në Bashkimin Sovjetik filluan të kishin liri më të madhe fetare, duke i lejuar disa vëllezër të udhëtonin për në një kongres në Poloni. Çfarë ndjenjash përjetohen kur mblidhesh në liri, pas vitesh të tëra shtypjeje tiranike?

«Ishim shumë të lumtur! S’pushonim së qari! Për ne, ky kongres ishte vërtet një parajsë frymore»,—kujton Ela Tomi.

Një motër tjetër tregon: «Arritëm herët në Poloni, kështu që na çuan në një mbledhje te një Sallë Mbretërie. Kur pashë vëllezërit dhe motrat që hynin në sallë, fillova të qaja. Ishte hera e parë që ndodhesha në një Sallë Mbretërie.»

Atë vit, Teodor Xharazi dhe Milton Hensheli nga Trupi Udhëheqës, bashkë me Vili Polin nga dega e Gjermanisë, udhëtuan në gjithë Bashkimin Sovjetik. Donin të takonin vëllezërit që t’i inkurajonin dhe të kuptonin në ç’situatë ndodheshin. Skena e botës po ndryshonte me shpejtësi dhe s’duhej humbur aspak kohë për ta shfrytëzuar më së miri politikën e Bashkimit Sovjetik për perestrojkën. Kjo ishte ko­ha për ta riorganizuar veprën për Mbretërinë, duke i kushtuar vëmendje parësore përkthimit.

Që nga viti 1983, Tomas (Tom) Eduri, një ish-lojtar energjik i hokejit, me prejardhje estoneze, kishte bërë disa përkthime në estonisht në degën e Kanadasë. * Në atë kohë, ato botime u ishin vënë në dispozicion kryesisht estonezëve që jetonin jashtë shtetit. Por, në vitin 1990, kur vepra filloi të zgjerohej në Estoni, Tomasi dhe e shoqja, Elizabeta, u caktuan në degën e Finlandës që të ndihmonin me përkthimin e literaturës sonë në estonisht. S’kaloi shumë dhe u transferuan në Estoni.

Para kësaj, disa përkthyes kishin punuar veç e veç. Tani u bë e qartë se një skuadër përkthimi do të nxirrte dobi po të punonte së bashku në një vend të vetëm. Si pasojë, disa përkthyes nisën të punonin te shtëpia e Lembit Tomit në Tartu. Megjithatë, meqë ishte pothuajse e pamundur të gjeje kompjuterë në Bashkimin Sovjetik, përkthyesit nuk i kishin mjetet për ta kryer punën me efektshmëri. Por, situata u përmirësua kur një vëlla vendës vizitoi degën në Shtetet e Bashkuara dhe solli dy kompjuterë​—fillim i mbarë për një repart të efektshëm përkthimi. Puna ishte e vështirë, pasi vetëm pak nga përkthyesit kishin përvojë me kompjuterët dhe me Sistemin Elektronik Shumëgjuhësh për Fotoradhitjen, program i organizatës që njihet me emrin MEPS. Gjithsesi, ata kishin dëshirë të zjarrtë për të mësuar dhe s’kaloi shumë e po bënin një punë të shkëlqyer.

NJË TJETËR KONGRES I GËZUESHËM JASHTË SHTETIT

Teksa pushteti sovjetik mbi Evropën Lindore zbehej, njerëzit filluan të gëzonin liri gjithnjë e më të madhe. Në fakt, rreth 200 vëllezër dhe motra estonezë morën viza për të ndjekur kongresin krahinor «Gjuha e pastër» në Helsinki, Finlandë, në qershor të vitit 1990.

Kur delegatët estonezë zbritën nga anijet që i sollën në Finlandë, vëllezërit finlandezë në port shpërthyen në duartrokitje të fuqishme që zgjatën afro gjysmë ore. Njerëzit ishin kureshtarë për atë që po ndodhte dhe donin të dinin kush ishin ata personazhë të famshëm. Çfarë ndryshimi rrënjësor! Vëllezërit tanë të përulur që ishin keqtrajtuar për dekada nga autoritetet sovjetike, po mirëpriteshin si të ishin kampionë olimpikë!

Sa u emocionuan vëllezërit estonezë teksa e dëgjonin në estonisht një pjesë të programit dhe kur morën disa botime të reja në gjuhën e tyre amtare! «Kur mbajtëm në duar për herë të parë një broshurë në estonisht, ishte si të mbanim një xhevahir të çmuar»,—tha një Dëshmitar i kohëve të vjetra.

Delegatët estonezë u emocionuan akoma më shumë nga një njoftim mallëngjyes gjatë fjalimit të fundit. Oratori tha se Trupi Udhëheqës kishte miratuar që një revistë gjysmëmujore me katër ngjyra e Kullës së Rojës në estonisht, të botohej njëkohësisht me botimin në anglisht, duke filluar nga janari 1991! Auditori tejet i entuziazmuar u çua në këmbë dhe shpërtheu në duartrokitje të zgjatura. Pastaj, kur ra heshtja pas duartrokitjes, dikush nga auditori pyeti: «A do të ketë vetëm një revistë për çdo grup studimi, siç ishte më parë? Apo çdokush do të marrë një kopje personale?» Përgjigjja, se çdokush do të merrte një kopje personale, ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë dhe ia behu një raund tjetër me duartrokitje plot mirënjohje.

Dega e Finlandës iu fut menjëherë punës për të shtypur literaturë në estonisht, si dhe vuri në dispozicion botimet që nga viti 1990. Përveçse morën ndihmë frymore, Dëshmitarët estonezë morën dhe shpërndanë mjaft ndihma humanitare nga vëllezërit e tyre në vende të ndryshme​—ndihmë tejet e nevojshme, duke pasur parasysh gjendjen ekonomike.

KONGRESI I PARË NË LIRI

Organizata e Jehovait u tregua e shpejtë për ta përdorur mirë lirinë fetare gjithnjë e në rritje, që të organizonte kongrese të mëdha krahinore në gjithë Bashkimin Sovjetik. Sa të emocionuar ishin vëllezërit estonezë që të mbanin në vendin e tyre një nga kongreset e para me temë «Ata që duan lirinë hyjnore», më 13, 14 korrik 1991, në Talin!

Ky kongres ishte veçanërisht i gëzueshëm për disa delegatë të moshuar. Pse? Sepse hera e fundit kur kishin mbajtur një kongres në liri në Estoni, ishte në vitin 1940. Sa të emocionuar ishin tani, mbi 50 vjet më vonë, që të mblidheshin edhe një herë lirisht!

Vëllezërit që flitnin rusisht, nga veriperëndimi i Bashkimit Sovjetik, nga vendet Baltike dhe nga Kaliningradi, u mblodhën në Talin, në Linanhall (Salla e Koncerteve të Qytetit). Salla ngjitur Jahal (Salla e Akullit) mblodhi gati një mijë veta për sesionet në estonisht, gjithsej me një maksimum prej 4.808 vetash në të dyja sallat. Me 447 të pagëzuarit, sigurisht që ishte një rast gëzimi të tejskajshëm!

Kongrese të tilla u dhanë goxha ndihmë të tjerëve që të mësonin të vërtetën. Për shembull, Amalia, gjyshja e Leonard Nilskit, ndiqte kishën adventiste, por kishte dyshime për mësimet e tyre. Leonardi e nxiti që të përdorte Biblën për të zbuluar të vërtetën. Gjithsesi, një pikë kthese për Amalinë ishte kur ndoqi kongresin në Talin, në vitin 1991. Pas ditës së parë, Amalia tha hapur se nuk do të shkonte më në kishën e saj. Ajo që i kishte thënë Leonardi, nuk ishte e mjaftueshme për Amalinë​—thjesht i duhej ta shihte vetë popullin e Jehovait. Ajo pranoi një studim biblik dhe u pagëzua më vonë.

ËNDRRAT BËHEN REALITET

Tani që retë e zeza të përndjekjes e të shtypjes nuk i kërcënonin më shërbëtorët e Jehovait, për disa ishte e vështirë të besonin se kishte vërtet liri në adhurim. Për shembull, një plak prej kohësh, e kishte ëndërruar ditën kur të kishte në estonisht librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. Në vitin 1991, ky u bë i pari nga librat tanë që u shtypën në estonisht në epokën e re të lirisë në rritje.

Ky plak thotë: «Tani që e kisha në duar këtë libër, nuk e besoja dot që ishte e vërtetë. Kur e prezantova në mbledhje, ishte e vështirë të mbaheshin lotët. Për një moment, ra heshtja te të gjithë se nuk u besonin veshëve. Pastaj shpërthyen të qarat e gëzimit. Vëllezërit gëzoheshin dhe qanin njëkohësisht. Ai ishte një nga momentet që nuk harrohen dot. Sa herë që mendoj për të, më rrjedhin lot nga sytë.»

Herë pas here, vëllezërve ‘u dukej si ëndërr’. (Psal. 126:1-6) Pas dekadash vështirësi, shumë veta mund ta përjetonin personalisht rezultatin e lumtur që premtohet në Fjalën e Perëndisë: «Në stinën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.»​—Gal. 6:9.

NGJARJE E RËNDËSISHME DHE E GËZUESHME TEOKRATIKE

Data 31 tetor 1991 nuk do të harrohet lehtë nga vëllezërit dhe motrat tona në Estoni. Kjo ishte data kur u regjistrua zyrtarisht në Estoni kongregacioni i parë i Dëshmitarëve të Jehovait.

Tani i priste një kohë rindërtimi nga ana frymore. Kishte jashtëzakonisht shumë interes për lajmin e mirë dhe njerëzit e shfaqnin hapur interesin për Biblën dhe fenë. Duheshin drejtuar studime biblike, si dhe të organizoheshin mbledhje kongregacioni, asamble qarkore dhe kongrese. Përkthyesit kishin nevojë për godina të mjaftueshme që të kujdeseshin për punën gjithnjë e në rritje.

Ndërkohë, misionarët e Galaadit filluan të vinin dhe duheshin gjetur shtëpi misionare të përshtatshme. Atyre u nevojitej ndihmë për të zgjidhur problemet me vizat dhe për të marrë leje qëndrimi. Çështja e asnjanësisë duhej zgjidhur me zyrtarët qeveritarë. Duheshin edhe leje ndërtimi për Salla Mbretërie.

Reino Kesku, që shërbente si mbikëqyrës qarkor në atë kohë, kujton: «Ato vite fluturuan si të ishin pak muaj të shkurtër, ngaqë duhej hedhur i gjithë themeli teokratik. Ishte edhe një kohë tejet emocionuese. Njerëzit e donin të vërtetën dhe e pranonin shpejt atë. Në çdo kongregacion shumë veta donin të pagëzoheshin. Disa të interesuar që erdhën në kongres, pa ditur shumë gjëra për Dëshmitarët e Jehovait, u kënaqën me fjalimet dhe donin të pagëzoheshin pa humbur kohë. Sa shumë punë duhej për t’i ndihmuar!»

Kur Estonia ra nën sundimin sovjetik, vepra e predikimit mbikëqyrej nga zyra e degës në Gjermani. Një nga kanalet sekrete të komunikimit mes Gjermanisë dhe Estonisë ishte nëpërmjet degës së Finlandës. Por, në vitin 1992, kur kufijtë u hapën dhe komunikimi mund të bëhej lirisht, mbikëqyrja e veprës në Estoni iu caktua degës së Finlandës.

ME ZELL TË PËRTËRIRË DHE DËSHIRË TË ZJARRTË

Meqenëse një lumë njerëzish po bënin përparim të shpejtë, ishte e vështirë t’u kushtonim vëmendje personale të gjithë atyre që donin të kualifikoheshin si lajmëtarë të papagëzuar. Për shembull, mëngjesin e Përkujtimit të vdekjes së Krishtit, Tom Eduri vizitoi një grup të ri e të vogël dhe ngeli gojëhapur nga numri i madh i atyre që erdhën për të dalë në shërbim.

—A i njeh të gjithë këta?—e pyeti vëllanë vendës Tomi.

—Në fakt, disa nuk janë lajmëtarë,—iu përgjigj ai.

Kështu, Tomi vazhdoi me mbledhjen për shërbimin në fushë dhe pastaj njoftoi: «Ndoshta pastaj mund të flas pak veçmas me ata që ende nuk janë lajmëtarë.»

Rreth dhjetë studentë biblikë u paraqitën dhe i shpjeguan se donin të kualifikoheshin për të dalë në predikim. Pasi Tomi trajtoi me ta kualifikimet bazë për lajmëtarët e papagëzuar, tri nga vajzat pranuan se ende nuk kishin dhënë dorëheqjen nga kisha e tyre. Tomi shpjegoi se nëse donin të identifikoheshin si Dëshmitare të Jehovait, ishte e nevojshme ta shkëputnin anëtarësinë nga kisha. Ashtu bënë. Shkuan menjëherë te ish-kisha e tyre, hoqën emrat nga regjistri dhe pastaj u bashkuan me të tjerët në veprën e predikimit.

Një burrë i pranishëm në mbledhjen për shërbim pinte akoma duhan. Do t’i duhej ca kohë që ta pastronte jetën, prandaj shkoi në shtëpi me mundësinë për t’u bërë lajmëtar më vonë.

Tani që vëllezërit mund të merrnin pjesë në veprën e predikimit pa kufizime nga qeveria, kishin dëshirë të zjarrtë të shfrytëzonin çdo mundësi për t’ua dhënë lajmin e mirë sa më shumë njerëzve të ishte e mundur. Disa ishin kaq të zellshëm, sa kishin nevojë për ndihmë që të mbanin një ekuilibër të shëndetshëm frymor. Për shembull, kur po rishikonte pyetjet e pagëzimit me një kandidat të ri në moshë, Tom Eduri e pyeti nëse e kishin këshilluar ndonjëherë pleqtë.

—Po,—tha i riu,—pleqtë më kanë këshilluar të jem pak më i ekuilibruar me mënyrën si e përdor kohën.

—Ashtu? Po cili ishte problemi?—pyeti Tomi.

—Epo, ngaqë kaloja 150 orë në shërbim çdo muaj, po lija pas dore përgjegjësi të tjera biblike. Pleqtë më sugjeruan se, po të kaloja 100 orë në shërbim, mund të lija kohë mënjanë për studimin personal dhe përgatitjen për mbledhje,—shpjegoi i riu.

KONGRES I HARESHËM NË RUSI

Një tjetër ngjarje e shënuar në historinë teokratike, ishte kongresi ndërkombëtar që u mbajt në Shën-Pjetërburg të Rusisë, në qershor të 1992-shit. Për shumë nga 1.000 delegatët e Estonisë, ishte një ribashkim i lumtur me ish⁠-⁠shokët e burgut dhe me Dëshmitarët e tjerë që kishin takuar gjatë internimit në Siberi.

«Koha kur u programua kongresi ishte e shkëlqyer për ne,—thotë një nga delegatët.—Morëm me qira një tren të veçantë me një çmim disi të ulët, me rubla ruse. Më pas, pikërisht një javë para kongresit, Estonia e ndryshoi valutën​—nga rubla në kruna estoneze. Po të ndodheshim larg atë javë kur ndryshoi valuta, nuk do të ishim në Estoni që të thyenim paratë. Gjithsesi, edhe pse gjendeshim atje e mund t’i thyenim paratë, na u lejua të këmbenim vetëm një sasi të kufizuar parash. Çfarë duhej të bënim me rublat e tepruara që s’arritëm t’i thyenim? Ngaqë rublat përdoreshin ende në Rusi, vëllezërit i morën me vete në kongres dhe i hodhën në kutitë e kontributeve. Përveç kësaj, nëse kongresi do të kishte qenë një javë më vonë, kur hynë në fuqi rregullat e reja për kufirin, do të na duhej të merrnim viza të shtrenjta për ta kaluar atë. Kongresi ishte tamam në kohën e duhur për vëllezërit!»

Shumë njerëzve iu prek zemra nga ky kongres historik. Një prej tyre ishte një grua e interesuar që ishte organizuar të udhëtonte nga Estonia me Dëshmitarët. Ajo tregon: «S’di si e kuptova keq orën e nisjes. Kur mbërrita në stacion, treni tashmë ishte nisur. Por kisha paguar për udhëtimin. Çfarë të bëja tani? I kërkova Jehovait në lutje të më ndihmonte dhe i thashë se do të bëja gjithçka mundja që të shkoja atje.

Përgjegjësi i stacionit tha se më duhej të blija biletë për një tren tjetër, por nuk kisha mjaft para për një biletë tjetër. Papritur, pashë një grup njerëzish që vinin në stacion. Ishin kaq të lumtur e të veshur mirë! Ishin Dëshmitarë nga ishulli i Saremës. Treni i tyre nuk kishte mbërritur ende dhe me biletën që kisha mund të udhëtoja me ta. Çfarë lehtësimi!

Gjatë udhëtimit, Dëshmitarët kënduan këngë të Mbretërisë, të cilat ndikuan thellë tek unë. Ndihesha si një e adoptuar që ishte bërë pjesë e familjes së tyre frymore. Qëndrova me ta gjatë gjithë kongresit dhe pashë sa të sinqertë e të dashur ishin. Kjo m’i fashiti tërë dyshimet. Tani e kisha të qartë se kisha gjetur organizatën tokësore të Perëndisë.» Kjo ish e interesuar tani shërben si pioniere e rregullt bashkë me burrin e saj.

MIRËPRITEN PUNËTORË TË GATSHËM

Vepra e predikimit dhe organizata po përparonin me ritme të shpejta dhe kishte nevojë për më shumë vëllezër me përvojë teokratike. Kush mund ta plotësonte këtë nevojë në rritje? Ashtu si Isaia, shumë veta u përgjigjën e thanë: «Ja ku jam! Më dërgo mua!»​—Isa. 6:8.

Katër misionarët e parë të stërvitur në Galaad, Vesi me Lena-Maria Edvigun, si dhe Esai me Jaela Nisinenin, mbërritën në vitin 1992. Edhe Reino me Lesli Keskun, që kishin 17 vjet në veprën udhëtuese në Kanada, ishin mes atyre që u caktuan në Estoni. Pastaj, në pranverën e vitit 1993, 20 pionierë nga Finlanda u caktuan të shërbenin si pionierë specialë në fushat ku flitej estonisht dhe rusisht. Erdhën edhe katër misionarë të tjerë.

Më pas, në Estoni u dërguan misionarë nga klasa të njëpasnjëshme të shkollës së Galaadit, duke sjellë me vete mjaft gëzim dhe entuziazëm. U caktuan edhe disa misionarë jo të stërvitur në Galaad. Misionarët plot energji dhe pionierët specialë të etur për shërbim, vazhduan ta forconin më tej themelin e qëndrueshëm që ishte hedhur nga vëllezërit e motrat besnikë estonezë përgjatë dekadave të shumta.

Përveç kësaj, rreth dyqind vëllezër e motra të huaj erdhën të shërbejnë ku nevoja është më e madhe. Pjekuria e tyre frymore i ka forcuar dhe i ka bërë më të qëndrueshme kongregacionet. U formuan shumë kongregacione të reja dhe, në disa prej tyre, këta vëllezër nga vende të tjera ishin të vetmit pleq, derisa vëllezërit vendës përparuan mjaftueshëm sa të merrnin përsipër më tepër përgjegjësi.

Lembit Valja është një nga ata që erdhën për të ndihmuar. Ai lindi në Estoni, i mbijetoi Luftës II Botërore dhe u transferua në Australi, ku u bë Dëshmitar. Kur ishte në prag të pensionit, vendosi të kthehej në Estoni në vitin 1990 që t’i ndihmonte të interesuarit e shumtë ta shuanin etjen frymore. Ai sjell ndër mend se njëherë kishte 18 grupe studimi me rreth 80 të pranishëm, të shpërndara përreth gjysmës së Estonisë. Ai udhëtonte me autobus për të shkuar tek ato grupe, shpesh duke e kaluar natën në stacionet e autobusit mbi dyshekun e tij portativ. Më shumë se 50 nga studimet e tij janë pagëzuar dhe, në moshën 84-vjeçare, ende drejton katër studime biblike. Puna e tij e palodhur dhe sakrificat e mëdha kanë dhënë fryte të shkëlqyera: tani ka kongregacione dhe Salla Mbretërie që lulëzojnë në shumicën e qyteteve që vizitonte dikur.

Nga ana tjetër, ata vëllezër të gatshëm që erdhën këtu për të ndihmuar, kanë nxjerrë dobi për vete. Mjaft prej tyre kanë përshkruar sa përvojë pasuruese ishte të njihnin vendësit dhe mënyrën e tyre të jetesës. Reino Kesku shpjegon: «Ta zgjeron pikëpamjen dhe të ndihmon t’i shohësh gjërat pak më shumë si i sheh Jehovai, pasi ai sheh gjithë botën.»

VIZITAT E PARA TË MBIKËQYRËSVE QARKORË

Në atë kohë, kur kishte një rritje të shpejtë frymore, vizitat inkurajuese të mbikëqyrësve udhëtues i ndihmuan goxha kongregacionet të forcoheshin. Mbikëqyrësit qarkorë u dhanë me gjithë shpirt në caktimet e tyre, shpesh për 15 orë në ditë​—duke marrë pjesë në shërbimin në fushë, duke ndjekur e drejtuar mbledhjet dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të vëllezërve.

Qarku i parë që u formua, mbulonte Estoninë, Letoninë, Lituaninë dhe Kaliningradin. Brenda atij territori, kishte 46 kongregacione dhe 12 grupe, në katër gjuhë. Gjithashtu, mbikëqyrësi qarkor kishte mjaft caktime të tjera që i hanin shumë kohë, si për shembull, të merrej me procedurat e regjistrimit në Letoni dhe Lituani. Tani, vetëm në Estoni ka katër qarqe.

Lauri Nordlingu, një vëlla vendës që shërbente si mbikëqyrës qarkor në vitin 1995, kujton: «Lajmëtarët i vlerësonin jashtë mase vizitat e mbikëqyrësit qarkor. Shpesh, kur mblidheshim për mbledhjen për shërbimin në fushë, dhoma ishte plot. Një herë, në një apartament të vogël me një dhomë ishin ngjeshur rreth 70 vëllezër e motra. S’kishe ku të hidhje kokrrën e mollës.»

SFIDAT E MËSIMIT TË NJË GJUHE TË RE

Për shumë veta është sfidë të mësojnë një gjuhë të re dhe veçanërisht estonishtja është e vështirë për t’u zotëruar. Për shembull, Mark Ketula, një misionar i ri, po fliste me një burrë për Jezu Krishtin. Në vend që të thoshte se Jezui është Rahuvuerst, Princi i Paqes, ai e theksoi disa herë se Jezui është rahuvorst​—salsiçja e paqes. Vetëm kur Marku hapi Biblën tek Isaia 9:​6, burri i çuditur e kuptoi se burimi i vërtetë i paqes nuk është diçka që hahet!

Një motër pioniere po mësonte rusisht pasi u transferua në Estoni. Ndërsa ishte në veprën e predikimit, pa dashje trokiti në derën e një plaku kongregacioni vendës, të cilin nuk e njihte. Me fjalor në dorë, ia nisi prezantimit. Vëllai u mundua t’i shpjegonte se ishte plak. Ajo shpejt e shpejt kërkoi fjalën «plak» dhe gjeti fjalën «i moshuar».

«Por ti nuk je dhe aq i moshuar! Përveç kësaj, në parajsë mund të bëhesh përsëri i ri»,—i tha motra. Vetëm pasi vëllai i tregoi botimet teokratike që kishte në shtëpi, motra e kuptoi se nuk ishte dhe aq i moshuar, por faktikisht ishte plak kongregacioni.

NJË GJYKATËS ATEIST MËSON TË VËRTETËN

Gjatë epokës sovjetike, Viktor Seni u dënua me dy vjet burg, ngaqë refuzoi të kryente shërbimin ushtarak. Pasi kaloi një vit në burg, ai bëri kërkesë që të internohej vullnetarisht në Siberi si i shpërngulur me dëshirë, mundësi që do t’i jepte më tepër liri. Në seancën për lirimin me kusht, trupi gjykues iu shfry gjithë zemërim. Madje një gjykatës tha se njerëzit si ai duheshin varur ose ekzekutuar.

Pak vite më vonë, në një kongres, një vëlla e prezantoi Viktorin me një grup njerëzish të interesuar dhe e pyeti: «A njeh ndonjë?»

—Jo,—iu përgjigj Viktori.

—Vërtet?—pyeti vëllai. Pastaj, duke drejtuar gishtin nga njëri prej burrave, i cili dukej qartë se ishte në siklet të madh, e pyeti: «Po këtë burrë, a e njeh?»

Viktori ende nuk ia kishte haberin. Sa u habit kur mori vesh se burri ishte Juri, një nga gjykatësit në seancën gjyqësore për lirimin me kusht. Tani po studionte Biblën dhe ndodhej në kongres me Viktorin. Çfarë e kishte bërë Jurin të ndryshonte mendim për Dëshmitarët e Jehovait?

Juri shpjegon: «Jam rritur në një familje me ateistë të flaktë. Kur isha në shkollë, shpesh mbaja fjalime për rrezikun e fesë. Pastaj, vite më vonë, isha i pranishëm disa herë kur shokët e mi studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. E kuptova se, ndonëse kisha mjaft njohuri për gënjeshtrat fetare, s’dija gjë fare për Biblën. Kështu m’u zgjua interesi që të mësoja më tepër për të.»

Pasi Juri u pagëzua, i tha Viktorit: «Herën e fundit, kur ishim në sallën e gjyqit bashkë, ishim kundërshtarë. Por, nëse do të përfundojmë prapë në një gjyq të ngjashëm, do të jemi në të njëjtën anë. Kurrë nuk do të jem pala që të dënon!» Tani Juri dhe Viktori shërbejnë si pleq në Talin.

PËRKUJTIM I PAHARRUESHËM

Një vëlla që sapo kishte ardhur në Estoni iu afrua Pavelit e Margaritës, dhe me një estonishte copë-copë ia doli të thoshte: «Nëse e doni jetën e përhershme, duhet të vini te Përkujtimi i vdekjes së Krishtit sonte.» Nga kureshtja, çifti vendosi të shkonte.

Pavelin dhe Margaritën i mirëpritën me ngrohtësi në Përkujtim. Por, gjatë programit, u alarmuan disi kur panë një burrë që ecte lart e poshtë midis rruginave të karrigeve, duke parë njerëzit e duke bërë ca shënime. Ata nuk e kuptonin se ai thjesht po numëronte sa veta ishin të pranishëm. Paveli dhe Margarita filluan të mendonin se s’duhej të kishin ardhur, por kishin frikë të largoheshin sepse u dukej sikur dy burra trupmëdhenj po ruanin te dyert. Duke mos e kuptuar se vëllezërit s’ishin gjë tjetër veçse përcjellës, Paveli dhe Margarita menduan se ishte më mirë të rrinin.

Megjithatë, në fund të fjalimit të Përkujtimit, kur dëgjuan oratorin të ofronte studim biblik pa pagesë në shtëpi për këdo që e donte një të tillë, Paveli dhe Margarita ishin të interesuar. Frika filloi t’u fashitej kur vëllezërit u prezantuan miqësisht me ta më pas, kështu që çifti kërkoi një studim biblik. Meqenëse kishin planifikuar të transferoheshin pas dy javësh, ata pyetën nëse mund të bënin studim çdo ditë. Kur shkuan te shtëpia e re, u telefonuan me padurim vëllezërve atje afër, u prezantuan dhe vazhduan studimin biblik.

‘DËSHMITARË OKULARË TË VEPRAVE TUAJA TË SHKËLQYERA’

Dëshmitarët e Jehovait në Estoni tregojnë dashuri për njëri-tjetrin, siç bëjnë motrat e vëllezërit e tyre në mbarë botën. (Gjoni 13:35) Të tjerët i vërejnë shprehje të tilla dhe afrohen drejt adhurimit të vërtetë.​—1 Pjet. 2:12.

Toivoja mori librin Njerëzimi në kërkim të Perëndisë nga një motër që më parë ia kishte prerë flokët në një floktore. Kur e mbaroi së lexuari, donte të ndiqte një mbledhje në Sallën e Mbretërisë, por ngurronte, sepse i kishin folur keq për Dëshmitarët. Prandaj vendosi të vërente Dëshmitarët te Salla e Mbretërisë, i sigurt nga makina e vet. Donte të shihte ç’lloj njerëzish hynin në sallë para mbledhjes dhe si dukeshin kur dilnin pas mbledhjes.

Atij i bënë veçanërisht përshtypje përqafimet e ngrohta të motrave. E dallonte kollaj se këta njerëz kujdeseshin vërtet për njëri-tjetrin. Me dëshirë të zjarrtë zuri të ndiqte mbledhjet dhe nisi të studionte Biblën. Bëri përparim të shpejtë dhe s’kaloi shumë e filloi t’u predikonte me zell të tjerëve. Tani është Dëshmitar i pagëzuar.

«JEHOVAI IU PËRGJIGJ LUTJES SIME!»

Në vitin 1997, në fshatin e vogël të Totsit, Marisë i ra në dorë një kopje e fletushkës Lajmërim i Mbretërisë nr. 35. Ajo e lexoi fletushkën dhe i shkroi zyrës së degës duke kërkuar një studim biblik. Pak pas kësaj, Mark dhe Sirpa Ketula, misionarë që jetojnë në Parnu, nisën të studionin Biblën me Marinë. Nuk zgjati shumë e Maria filloi t’u fliste të tjerëve për të vërtetën dhe shpejt, nusja e saj, Ingridi, bashkë me fqinjën e Ingridit, Malen, u bashkuan me të në studim. Kur Maria donte të dilte në shërbim, pleqtë i sugjeruan që fillimisht të ndiqte rregullisht mbledhjet e kongregacionit. Por kongregacioni më i afërt ishte në Parnu, 40 kilometra larg, dhe s’kishte mjaft para për udhëtimin. Kështu, me nxitjen e misionarëve, Maria iu lut për ndihmë Jehovait.

—Jehovai iu përgjigj lutjes sime!—tha Maria tërë gëzim herën tjetër kur e vizituan misionarët.

—Si iu përgjigj?—e pyetën Marku dhe Sirpa.

—Do të mbledh ca njerëz te shtëpia ime dhe ju mund të organizoni mbledhje e të formoni një kongregacion këtu. Kështu mund të ndjek mbledhjet, si dhe t’i futem shërbimit në fushë,—shpjegoi ajo gjithë entuziazëm.

Misionarët nuk donin t’ia shuanin zellin, por me takt i shpjeguan se formimi i një kongregacioni të ri nuk ishte edhe aq i thjeshtë. Ata e nxitën të përpiqej t’i ndiqte mbledhjet në Parnu, të paktën të dielave si fillim.

Përsëri Maria u lut që të ndiqte mbledhjet. Përveç kësaj, vendosi të kursente para duke mos e blerë më gazetën. Nuk zgjati shumë dhe ajo kishte mjaft para sa të ndiqte mbledhjet katër herë në muaj dhe i shndriste fytyra kur filloi të merrte pjesë në veprën e predikimit. Por Maria do të gëzonte bekime edhe më të mëdha.

Duke pasur parasysh interesin gjithnjë e në rritje në Totsi, pleqtë morën masa që atje të mbahej një studim libri, ku mund të merrnin pjesë Maria, Ingridi, Malja dhe të interesuar të tjerë. Vetëm pak muaj më vonë, Maria bashkë me Malen u pagëzuan, kurse Ingri­di u pagëzua verën tjetër. Burri i Males u pagëzua jo shumë kohë më pas, ndërsa motra e Males u pagëzua dimrin tjetër. Grupi i vogël që lulëzon në Totsi është mirënjohës që fletushka Lajmërim i Mbretërisë nr. 35, ia dha të vërtetën fshatit të tyre të vogël dhe që janë bekuar nga Jehovai, si përgjigje të lutjeve të tyre të shumta.

Dy dekadat e fundit kanë qenë plot aktivitet të frytshëm për Mbretërinë dhe gëzimi ishte i madh teksa mjaft njerëz me zemër të ndershme mblidheshin tek organizata e Jehovait. Megjithatë, ku do të mblidheshin për të adhuruar Perëndinë e vërtetë dhe për t’u mësuar prej tij, këta njerëz të prirur siç duhet?

NEVOJË URGJENTE PËR SALLA MBRETËRIE!

Vendi i parë i mbledhjes që do të ndërtohej, ishte në Rapinë, në Estoninë Jugore, dhe për shumë vjet u shërbeu mjaft mirë vëllezërve. Por ishte e qartë se përpjekjet vendëse për të ndërtuar, nuk do ta përballonin rritjen e shpejtë të numrit të lajmëtarëve. Zyra e Inxhinierisë në degën e Finlandës erdhi në ndihmë dhe filloi të projektonte Salla Mbretërie dhe godina zyre për vendet baltike. Çfarë kënaqësie ishte në vitin 1993, të shihje Sallën e parë të Mbretërisë që ngrihej në Mardu, sallë që do të pasohej me shpejtësi nga shumë të tjera.

Sot, në Estoni ka 33 Salla Mbretërie për 53 kongregacione. Vëllezërit janë të lumtur që kanë edhe dy Salla Asamblesh, një në Talin dhe tjetrën në Tartu, të dyja të përfunduara në vitin 1998.

Aleksandra Olesjuku, Dëshmitare prej kohësh, kujton: «E kishim ëndërr të ndërtonim një Sallë Mbretërie në Tartu. Kështu që, kur na kërkuan të shkonim e të pastronim vendin ku do të ndërtohej Salla e Mbretërisë, isha e para që shkova, edhe pse 79-vjeçare. Pastrova dhe transportova gjëra. Sa herë që kaloja me autobus afër kantierit të Sallës së Mbretërisë, qaja nga gëzimi. Qava edhe kur u përfundua salla.»

ZYRË E RE PËRKTHIMI

Ndërsa numri i lajmëtarëve vazhdonte të rritej ndjeshëm, duheshin godina më të mëdha për të plotësuar nevojat e vendit, veçanërisht të skuadrës së përkthimit. Në rrugën «Hertseni» nr. 77 (tani «Puhangu»), u gjet një pallat i papërfunduar që dukej i përshtatshëm, edhe pse kishte nevojë për një rikonstruktim rrënjësor.

Dega e Finlandës siguroi planet arkitekturore, materialet, paratë dhe forcën punëtore për të realizuar projektin. Pa ndihmën e tyre, do të kishte qenë pothuajse e pamundur. Për shembull, në Estoni, materialet e ndërtimit ishin të një cilësie të dobët ose thjesht nuk gjendeshin në atë kohë. Përveç kësaj, në fillim vetëm pak vëllezër vendës kishin aftësitë e nevojshme në ndërtim. Megjithatë, pak nga pak, vëllezërit vendës u stërvitën dhe u ndihmuan të fitonin më tepër përvojë. Rreth shkurtit të vitit 1994, u përfundua pjesa e parë e kompleksit të zyrës. Atë vit, u caktua një Komitet Vendi (Tomas Eduri, Reino Kesku dhe Lembit Rajli), që t’u shërbente tri vendeve baltike nën mbikëqyrjen e degës së Finlandës. Ngaqë nevojitej më tepër hapësirë, kompleksit iu bënë disa shtesa në vitin 1997 dhe 1999.

Firma e ujit, e cila në atë kohë ndodhej në ndërtesën ngjitur, shfaqi interes për projektin e kopshtit të Bethelit. Prandaj, që të merrnin ujë me çmim më të ulët, vëllezërit i ndihmuan të projektonin kopshtin, rrethimin dhe sistemin e ndriçimit. Si rrjedhim, në fund të punës, ndërtesa e tyre i ngjante shumë Bethelit. Më vonë, ata ia shitën ndërtesën vëllezërve me një çmim shumë të arsyeshëm. Hapësira shtesë po përdoret mjaft mirë si një studio regjistrimi për të prodhuar drama kongresi dhe DVD, duke përfshirë edhe DVD të gjuhës së shenjave. Edhe Shkolla e Stërvitjes për Shërbim është mirëpritur në një pjesë të rikonstruktuar të ndërtesës.

KONGRESE NDËRKOMBËTARE NË TALIN

Sa të emocionuar ishin vëllezërit e motrat estoneze kur morën vesh se në vitin 1996 do të mirëpritnin në shtëpinë e tyre kongreset ndërkombëtare «Lajmëtarë të paqes hyjnore»! Dy kongreset që u mbajtën në Talin u sollën dobi delegatëve që flitnin estonisht dhe rusisht, si dhe vëllezërve nga Letonia e Lituania. Gjithashtu, delegatët ishin të ftuar nga 15 vende të tjera. Dy programet 3-ditore u zhvilluan në gusht. Për të forcuar vëllezërit me fjalimet e tyre inkurajuese, ishin të pranishëm pesë anëtarë të Trupit Udhëheqës: vëllezërit Barber, Henshel, Xharaz, Shrëder dhe Sidlik. Një maksimum prej 11.311 vetash ishin të pranishëm në kongrese dhe u pagëzuan 501 të kushtuar të tjerë.

Kongreset dhanë dëshmi të shkëlqyer dhe bënë goxha bujë. Madje u dha edhe një intervistë prej dhjetë minutash në një emision televiziv. Pronari i një sta­cio­ni radiofonik transmetoi një program që i lavdëronte Dëshmitarët se ishin «njerëz për së mbari».

Dashuria e ngrohtë vëllazërore që shfaqnin delegatët vihej re lehtësisht në fund të çdo kongresi kur ishte koha për t’i thënë mirupafshim njëri-tjetrit. Deti i duarve që valëviteshin dhe shamitë, bashkë me lotët e gëzimit, shprehnin ndjenjat e thella të adhuruesve të vërtetë të Jehovait. Duartrokitjet e gjata të tërë auditorit pas lutjes mbyllëse, shprehnin mirënjohjen e thellë për Jehovain, Atin tonë qiellor mjaft bujar e të dashur. Ato kongrese mbeten një ngjarje e shënuar në historinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Estoni.

SËRISH DEGË

Mes viteve 1926 dhe 1940, në Talin funksiononte një zyrë. Pastaj, duke filluar nga viti 1994, një Zyrë Vendi vepronte në Estoni, nën mbikëqyrjen e degës së Finlandës. U bë shumë punë dhe mjaft veta pyesnin veten nëse Estonia do të kishte sërish degën e vet. Përgjigjja erdhi më 1 mars 1999, kur Trupi Udhëheqës emëroi Tomas Edurin, Reino Keskun (tani shërben në Republikën Demokratike të Kongos), Lembit Rajlin dhe Tomi Kaukon si anëtarë të Komitetit të Degës në Estoni. Aktualisht, në degë shërbejnë rreth 50 veta, duke u kujdesur për nevojat e 4.300 shërbëtorëve të palodhur e besnikë të Jehovait në Estoni.

E PRESIN TË ARDHMEN ME BESIM

Çfarë rezervon e ardhmja për popullin e Jehovait në Estoni? Jehovai u ka siguruar në çdo rast udhëheqje dhe forcë shërbëtorëve të tij besnikë. Vërtet, vëllezërit e motrat që e mbajtën integritetin gjatë përndjekjes naziste dhe sovjetike në Estoni, e kanë përjetuar forcën e Jehovait në mënyra unike dhe të paharrueshme. Bashkë me vëllezërit e motrat në mbarë botën, ata gëzohen se emri madhështor i Jehovait është bërë i njohur dhe është shenjtëruar në skajet më të largëta të republikave të ish-Bashkimit Sovjetik.​—Mal. 1:11.

Në të njëjtën kohë, në Estoni ka ende shumë njerëz të përulur e të sinqertë që duan të mësojnë për Perëndinë e vërtetë. Klima e sotme e lirisë fetare i lejon Dëshmitarët e Jehovait të shpallin si kurrë më parë lajmin e mirë për Mbretërinë e Jehovait.

[Shënimet]

^ par. 71 Jetëshkrimi i tij ndodhet në revistën Kulla e Rojës të 15 qershorit 1963, faqet 373-376, anglisht.

^ par. 97 Llojet e dënimeve dhe kushtet e burgjeve e të kampeve shpjegohen në Librin Vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 2002, faqja 157.

^ par. 207 Revista Zgjohuni! e 22 shkurtit 1986 (anglisht), tregon si dhe pse e la karrierën e hokejit vëlla Eduri.

[Diçitura në faqen 172]

«Nuk më mungoi kurrë ndonjë gjë vërtet e rëndësishme»

[Diçitura në faqen 204]

«U ndjeva mirë kur më futën në izolim»

[Kutia në faqen 168]

Pamje e përgjithshme e Estonisë

Vendi:

Estonia është një vend i paprekur e me popullsi jo të dendur. Karakteristikë e saj janë pyjet me pemë të larta e të dendura, më shumë se 1.400 liqenet, rreth 7.000 përrenjtë e lumenjtë dhe kënetat e pabanueshme. Mbi 1.500 ishuj përbëjnë një të dhjetën e Estonisë. Pjesa më e madhe e vendit është ultësirë dhe shtrihet më pak se 50 metra mbi nivelin e detit. Juglindja ka një peizazh të bukur e të larmishëm.

Popullsia:

Grupet etnike që përbëjnë popullsinë janë: estonezë 68 për qind, rusë 26 për qind, kurse pjesa tjetër janë kryesisht ukrainas, bjellorusë dhe finlandezë. Fetë përfshijnë atë luterane dhe ortodokse. Ka të tjerë që e quajnë veten të krishterë, myslimanë e judenj. Një pjesë e mirë e popullsisë nuk i përket ndonjë feje ose janë të lidhur me fe të tjera.

Gjuha:

Gjuha zyrtare, estonishtja, futet në të njëjtin grup gjuhësor me finlandishten dhe hungarishten. Pjesa e popullsisë që flet rusisht përbën më shumë se çerekun e kombit.

Ushqimi:

Leib (buka e zezë) dhe patatet janë të zakonshme, ashtu siç janë edhe turshitë me kunguj, sallata me panxhar dhe turshitë e lakrës. Specialitete të tjera përfshijnë sült (mishin e viçit në xhelatinë), rosolje (harengën me panxhar), supën me kërpudha të egra, mishin e derrit, peshkun dhe mishin e tymosur. Ëmbëlsirat përfshijnë kringel​—një lloj buke e thurur, e ëmbël dhe me rrush të tharë e me fruta të thata sipër—​si dhe petullat.

Klima:

Vera është e freskët, kurse dimri i butë. Dita më e gjatë në verë ka mbi 19 orë dritë dielli, ndërsa më e shkurtra në dimër ka vetëm 6 orë diell. Ndërkohë që në verë brigjet jugperëndimore gëzojnë temperatura të buta mesdhetare, në dimër temperaturat mund të bien deri në minus 20 gradë celsius.

[Kutia dhe figurat në faqet 183, 184]

«Ishim si një familje»

ADOLF KOSEJA

LINDUR: 1920

PAGËZUAR: 1944

VDEKUR: 2004 TË DHËNA: Ndodhej në një kamp burgu siberian nga viti 1951 deri më 1956. Ndihmoi me organizimin e veprës së predikimit në vendet baltike dhe në pjesën veriperëndimore të Bashkimit Sovjetik.

▪ ADOLFI kujton: «Më arrestuan në vitin 1950 dhe më dërguan në një kamp pune të rëndë në Intë të Siberisë. Në fillim, për një vit e gjysmë nuk dija asgjë për gruan dhe dy vajzat e vogla, të cilat i kishin internuar në një pjesë tjetër të Siberisë.

Kishte një unitet të veçantë midis vëllezërve. Ishim si një familje. Ndanim me njëri-tjetrin si ushqimin frymor, edhe atë fizik.

Kur u kthyem në Estoni, kaluam shumë peripeci. Si do të lidheshim me organizatën tonë ‘Nënë’? Si do ta ruanim unitetin me vëllezërit? Si do të vazhdonim veprën e predikimit?

Doja të mësoja finlandisht që të kuptohesha më mirë me korrierët. Kjo ishte më e lehtë ta thoshe sesa ta bëje, ngaqë nuk shiteshin libra gramatike ose fjalorë.

Sa për shtypjen, ishte krim të kishe një makinë shkrimi të paregjistruar, e jo më një mekanizëm shtypjeje. Cilido që prodhonte literaturë të ndaluar mund të burgosej për shtatë vjet. Gjithashtu ishte e vështirë, pasi çdo gjë që duhej për shtypjen mezi gjendej. Pas shumë provash e dështimesh me materialet që kishim në dispozicion, më në fund ia dola të krijoja një teknikë për shtypjen. Para së gjithash, sajova një makinë shtypi (poshtë). Më pas shtypja tekstin në një copë të lyer me dyll të cilën e bënim vetë. Kjo linte vrima në sipërfaqen e dyllit. I shtypëm botimet e para me bojë të bërë me përzierje bloze dhe zifti. Gjatë shtypjes, boja e bërë vetë pikonte përmes vrimave në copën me dyll dhe linte gjurmë në fletën poshtë saj. Puna ishte e ndërlikuar, kërkonte mjaft kohë dhe ishte e dëmshme për shëndetin, sepse era e bojës dhe e kimikateve të tjera ishte e rrezikshme. Ajrimi i duhur ishte i pamundur, pasi dritaret i izolonim mirë që të mos na diktohej puna.»

Në mes të vështirësive, Adolfi ndoqi pa frikë drejtimin e organizatës, gjithmonë me bindjen se Jehovai do të siguronte përgjigjet në kohën e duhur. Këtë besim dhe qëndrim të patundur në shërbim të Jehovait e mbajti derisa vdiq në vitin 2004.

[Kutia dhe figura në faqen 186]

Letër drejtuar Stalinit

Në qershor të vitit 1949, vëllezërit përgjegjës në Estoni me guxim u dërguan letra zyrtarëve në Moskë. Një ia dërguan Josif Stalinit, kurse një tjetër Nikolai Shvrenikut, Kryetarit të Presidiumit të Sovjetit Suprem.

Në letra vëllezërit kërkonin që Dëshmitarët e Jehovait që ishin arrestuar, të liroheshin menjëherë dhe që përndjekja kundër Dëshmitarëve të ndalonte. Gjithashtu, letrat përmbanin një paralajmërim të fortë, duke bërë një paralelizëm me faraonin e lashtë të Egjiptit, i cili refuzoi t’i linte izraelitët t’i shërbenin Jehovait lirisht. (Dal. 5:1-4) Vëllezërit thoshin me guxim: «Organizata e Perëndisë Jehova . . . duhet lejuar që t’ua predikojë pa pengesa lajmin e mirë për Mbretërinë e Jehovait gjithë banorëve të Bashkimit Sovjetik; përndryshe, Jehovai do të shkatërrojë krejtësisht Bashkimin Sovjetik dhe Partinë Komuniste.»

Adolf Koseja kujton: «E kuptuam se ishte një mesazh që kërkonte goxha guxim. Nuk donim të rrezikonim duke i postuar letrat nga Talini, meqë mund të na gjurmonin. Kështu që udhëtuam për në Leningrad (Shën-Pjetërburg) që t’i postonim atje.»

Nuk dihet nëse Stalini e lexoi letrën vetë, por me siguri tërhoqi vëmendje. Teksa i merrnin në pyetje, vëllezërve u tregonin një kopje të letrës mbi të cilën shkruhej: «Kjo organizatë duhet asgjësuar!» Shpejt u arrestuan më shumë vëllezër dhe përndjekja u intensifikua. Letra që iu dërgua Shvrenikut është gjetur në arkivat kombëtarë me një vulë qeveritare sipër.

[Kutia dhe figura në faqen 189]

KGB-ja dhe organizata jonë

Në fund të viteve 40, policia sekrete bëri përpjekje të bashkërenduara për të zbuluar si ishte e organizuar vepra e Dëshmitarëve të Jehovait. Që të merrnin informacion për KGB-në, disa individë hiqeshin si të interesuar për të vërtetën. Tabela shoqëruese, e gjetur në arkivat qeveritarë në Talin, tregon se KGB-ja ishte mjaft e informuar. Kjo tabelë përmban emrat e vëllezërve të Komitetit të Shërbimit, të atyre që mbikëqyrnin veprën në qytetet kryesore të Estonisë dhe të vëllezërve të përfshirë në punën e shtypjes.

[Kutia dhe figura në faqen 191]

Kundërshtarët nuk arritën t’ia mbyllnin gojën

ELA TOMI

LINDUR: 1926

PAGËZUAR: 1946

TË DHËNA: U dënua gjithsej me 13 vjet burg, por u lirua pasi bëri pesë vjet e gjashtë muaj.

▪ ELA thotë: «Autoritetet më futën në izolim për tri ditë që të më bënin të hiqja dorë nga besimi, që të mos u flitja më të tjerëve për qeverinë e Perëndisë e të mos besoja më në të. Oficerët bërtitën: ‘Ne do të gjejmë një mënyrë që as emri Jehova të mos kujtohet në Estoni! Ti do të shkosh në kamp, kurse të tjerët në Siberi!’ Duke u tallur, shtuan: ‘Ku e ke Jehovain tënd?’ Unë nuk pranova të bëhesha tradhtare. Më mirë në kamp me Perëndinë, se në shtëpi pa Perëndinë. Edhe pse isha në kampin e burgut, kurrë nuk m’u duk vetja e izoluar. Gjithnjë mendoja se Jehovai kishte lejuar të më çonin atje që të predikoja në territorin tim të ri.

Në një kamp bëja çdo ditë shëtitje me një të interesuar. Një ditë vendosëm të mos shkonim. Më vonë mora vesh se pikërisht atë ditë disa fanatikë fetarë kishin planifikuar të më mbytnin në lumë ngaqë predikoja.» Kundërshtarët nuk arritën t’ia mbyllnin gojën Elës dhe ajo ende i shërben me besnikëri Jehovait si pioniere e rregullt. *

[Shënimi]

^ par. 352 Jetëshkrimi i Ela Tomit tregohet në revistën Zgjohuni! të prillit 2006, faqet 20-24.

[Kutia dhe figurat në faqet 193, 194]

«U bëftë vullneti yt, o Jehova»

LEMBIT TOMI

LINDUR: 1924

PAGËZUAR: 1944

TË DHËNA: Ndodhej në Estoni gjatë sundimit gjerman, më pas në një kamp pune në Siberi gjatë viteve 1951-1956.

▪ LEMBITI ishte një nga shumë të rinjtë Dëshmitarë të Jehovait, të cilët refuzuan të futeshin në ushtrinë gjermane dhe iu desh të fshiheshin. Një natë oficerët e policisë mësynë në shtëpinë ku po rrinte Lembiti. Ata kishin marrë një denoncim se në atë fermë fshihej një i dyshimtë. Lembiti e fshehu shpejt shtratin dhe u fut rrëshqanas poshtë dyshemesë gjysmë i veshur. Mund të dëgjonte zhurmën e çizmeve të oficerëve që i kërcitnin tamam sipër kokës.

Polici i vuri pistoletën në kokë fermerit dhe i bërtiti: «Dikush fshihet në këtë shtëpi! Si shkohet poshtë dyshemesë?» Fermeri nuk foli.

Polici ulëriti: «Nëse ai që fshihet këtu nuk del, do të hedhim granatë nën dysheme!»

Më pas Lembiti pa vezullimin e elektrikut të tyre teksa përpiqeshin ta shihnin. Gjithçka që mund të bënte në atë çast ishte të lutej: «U bëftë vullneti yt, o Jehova.»

Lembiti sjell ndër mend: «Stresi që po kaloja ishte thuajse i padurueshëm, e u zvarrita për në një vend tjetër poshtë dyshemesë dhe gati sa nuk dola.»

Më pas qëndroi shtrirë në qetësi dhe pas pak minutash jashtëzakonisht stresuese, policia u largua. Lembiti priti atje ku ishte edhe gati një orë tjetër që të sigurohej se oficerët nuk do të ktheheshin. Pastaj, para agimit, u largua nga ajo shtëpi që të gjente një vend tjetër për t’u fshehur.

Kur sovjetikët morën kontrollin, Lembiti u përball me sprova të tjera. Ai thotë: «Më dënuan me dhjetë vjet në një kamp në Norilsk të Siberisë, 8.000 kilometra larg Estonisë. Kjo do të thoshte punë e rëndë në një minierë sipërfaqësore nikeli. Kushtet e jetesës në kamp ishin si mos më keq dhe puna tejet sfilitëse. Në pjesën veriore të Bashkimit Sovjetik, mbi Rrethin Polar të Veriut, dimri është i ashpër. Temperatura mund të bjerë deri në minus 30 gradë celsius dhe ndonjëherë shumë më poshtë. Për dy muaj në dimër, dielli nuk duket në horizont.»

Pas pesë vjetësh punë prej skllavi, Lembitin e liruan dhe në vitin 1957 u martua me Ela Kikasin. Gjatë viteve, edhe Lembiti ndihmoi me përkthimin dhe shtypjen e literaturës. Ai njihet si plak që tregon empati e përzemërsi, gjithmonë gati me një shkrim që të forcojë bashkëbesimtarët. *

[Shënimi]

^ par. 368 Jetëshkrimi i Lembit Tomit tregohet në revistën Zgjohuni! të 22 shkurtit 1999, faqet 10-16, anglisht.

[Figura]

Lembit dhe Ela Tomi

[Kutia dhe figura në faqen 199]

«Është mami jot»

KARINA RAJLI

LINDUR: 1950

PAGËZUAR: 1965

TË DHËNA: Lindi në burg dhe e morën nga e ëma që ta rriste gjyshja.

▪ KARINA thotë: «Linda kur mamaja, Maimi, ishte në burg për shkak të aktivitetit politik. Isha foshnjë shëndetligë dhe, nga ftohtësia në qelinë e burgut, u ftoha në të dy krahët. Por mbijetova, falë një të burgosure tjetër, Laina Promit, e cila më vonë mësoi të vërtetën.

Në atë kohë, mjaft foshnja të të burgosurave i dërgonin në jetimoret anekënd Bashkimit Sovjetik që t’i harronin prindërit. Fatmirësisht, mua më çuan te gjyshja. Mamanë e kishin dërguar në një kamp burgu në Mordvini, ku takoi Ela Tomin, një motër të guximshme. Mamaja pranoi të vërtetën dhe u pagëzua atje.

Pesë vjetët që pasuan më rriti gjyshja. Papritur, një ditë erdhi në shtëpinë tonë një zonjë e panjohur. Gjyshja tha: ‘Është mami jot.’ Ishte një përvojë tepër pështjelluese dhe m’u deshën disa vjet që ta merrja veten.» Lumturisht, edhe Karina me gjyshen pranuan të vërtetën.

Më vonë Karina mësoi anglisht dhe filloi të ndihmonte me përkthimin e botimeve tona. Ajo u martua me Lembit Rajlin dhe tani shërbejnë së bashku në degën e Estonisë.

[Kutia dhe figurat në faqen 201]

Emri hyjnor në Biblën estoneze

Shkrimet Greke u përkthyen në një dialekt jugor të Estonisë që në vitin 1686, kurse në dialektin e veriut në vitin 1715. Bibla e plotë, Piibli Ramat, u botua në vitin 1739 dhe gjendej kollaj nga njerëzit e thjeshtë. Ishte e jashtëzakonshme, sepse përdorte emrin hyjnor Jehova kudo ku ndodhej në Shkrimet Hebraike, praktikë që vazhdoi gjatë gjithë shekujve që pasuan. Një botim i Biblës në estonisht i vitit 1988, e përdor emrin hyjnor 6.867 herë në Shkrimet Hebraike. Si rezultat, mjaft estonezë e dinë se emri i Perëndisë është Jehova.

Një ngjarje kulmore ishte kur më 3 korrik të vitit 2009, në kongresin krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait në Tartu të Estonisë, Gaj Piërsi, anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke​—Përkthimi Bota e Re në gjuhën estoneze.

[Kutia dhe figurat në faqen 202]

Libra të bërë me dorë

HELMA LEKU

LINDUR: 1908

PAGËZUAR: 1945

VDEKUR: 1998

TË DHËNA: E burgosën dhe e dërguan në Siberi.

▪ HELMËN e arrestuan si Dëshmitare të Jehovait dhe e dërguan në Siberi, ku bëri një çantë të vogël që të mbante bllokun e saj të shënimeve. Ajo qëndisi një shkrim ngushëllues në të, Romakëve 8:35, që thotë: «Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Shtrëngimi, vuajtja, përndjekja, uria, të zhveshurit, rreziku apo shpata?»

Helma gjeti ca copa letre ngjyrë kafe dhe bëri një libër me to. Në të gjendeshin disa mendime biblike inkurajuese. Mjaft vëllezër bënë kopje me shkrim të të gjitha botimeve që u binin në dorë, pasi nuk kishin shumë botime të shtypura në dispozicion.

Pasi u kthye nga Siberia, Helma u tha zyrtarëve: «Ju jam mirënjohëse që më dërguat të shihja malet e bukura të Siberisë. Kurrë nuk do t’i gjeja paratë për të udhëtuar aq larg.»

[Kutia dhe figurat në faqet 209, 210]

Një frymë vetëmohuese

FANA HIEDALA

LINDUR: 1900

PAGËZUAR: 1925

VDEKUR: 1995

TË DHËNA: U transferua në Estoni në vitin 1930, shërbeu si pioniere dhe adoptoi një Dëshmitare jetime.

▪ FANA u pagëzua në Finlandë në vitin 1925 dhe, dy vjet më vonë, filloi shërbimin e plotkohor. Në një kongres në Helsinki takoi Uilliam Dein, mbikëqyrësin e Zyrës për Evropën Veriore. Ndonëse nuk flitnin të njëjtën gjuhë, vëlla Dei përsëriste vazhdimisht fjalën «Estoni». Duke menduar se po e nxiste të transferohej në një vend ku kishte më shumë nevojë, Fana, bashkë me disa pionierë të tjerë, u transferua në Estoni në vitin 1930. Gjatë viteve që pasuan, e përdori në maksimum biçikletën e saj për predikimin e lajmit të mirë në disa krahina të Estonisë, përfshirë ishullin e Saremës.

Fana nuk u martua kurrë, por adoptoi një vajzë jetime që quhej Estera. Babai Dëshmitar dhe mamaja tashmë i kishin vdekur kur ishte tetë vjeçe. Nën kujdesin e dashur të Fanës, Estera përqafoi të vërtetën ndërsa rritej.

Kur erdhi regjimi komunist dhe filloi përndjekja, Fana mund të ishte kthyer në Finlandë. Por tregoi frymë vetëmohuese duke qëndruar me një grup të vogël lajmëtarësh vendës. Ky vendim i solli shumë vështirësi dhe kushte të varfra jetese, por, ngaqë kishte shtetësi finlandeze, nuk e internuan në Siberi.

Fana shërbeu si korriere, duke çuar mikrofilmat dhe korrespondencën nga Finlanda në Estoni, në vitet 50. Ajo njihej për guximin e maturinë, dhe, ndonëse kaloi situata mjaft tensionuese, nuk e kapën kurrë. Për shembull, njëherë udhëtoi për në Leningrad (Shën-Pjetërburg) që të merrte një pako me mikrofilma në një park, nga një vëlla korrier finlandez. Kurse ajo, duhej t’ua dorëzonte pakon dy vëllezërve estonezë sa më shpejt të mundej. Megjithatë, vëllezërit estonezë kishin vënë re se po i ndiqte policia sekrete dhe u përpoqën të devijonin pa u diktuar nga Fana. Por Fana dhe vëllai finlandez po ecnin pikërisht drejt vëllezërve estonezë. Po t’i kishte përshëndetur ose të përpiqej t’u jepte pakon, policia sekrete do ta kishte zbuluar lidhjen e tyre. Si për mrekulli, Fana kaloi tamam pranë tyre si të mos i njihte. Faktikisht doli se ajo thjesht nuk i pa, ndonëse i njihte mjaft mirë që të dy. Si rezultat, policia sekrete nuk e zbuloi kurrë se kush ishin korrierët dhe pakoja u dorëzua e sigurt më pas. Ndihma e Fanës si ndërmjetëse bëri të mundur që vëllezërit në Estoni të merrnin rregullisht ushqim frymor, dhe, sa mirë që asnjë dërgesë mikrofilmash nuk u zbulua ndonjëherë.

Kjo motër e përzemërt i shërbeu me besnikëri Jehovait për 70 vjet, derisa vdiq në moshën 95-vjeçare, ndërsa jetonte ende në Estoni.

[Figura]

Me mision si korriere në Leningrad, 1966

[Kutia dhe figura në faqen 213]

Shënjestra shpifjesh

«Lum ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju përndjekin dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim!»—u tha Jezui dishepujve. (Mat. 5:11) Fjalët e Zotërisë së tyre kanë dalë të vërteta, prandaj Dëshmitarët e Jehovait shpesh janë shënjestra shpifjesh dashakeqe. Dëshmitarët i akuzuan në mënyrë të rreme se ishin organizatë politike që merrej me veprimtari antiqeveritare dhe spiunazh. Sidomos në fund të viteve 50 dhe në fillim të viteve 60, gazetat pohonin se vepra jonë drejtohej nga qeveria e SHBA-së dhe se na shfrytëzonin kapitalistë të pasur amerikanë.

Pasi refuzoi të bënte shërbimin ushtarak në vitin 1964, Silver Siliksarin e akuzuan si tradhtar të atdheut dhe e dënuan me burgim. Gjithashtu, një film i shkurtër me propagandë arrogante komuniste për gjyqin e tij, u shfaq në çdo kinoteatër në të gjithë Estoninë. Shumicën e vëllezërve që nuk pranuan të bënin shërbim ushtarak i burgosën me dy deri në tre vjet. Juri Shënbergun, Tavi Kuskun dhe Artur Mikitin, i burgosën secilin dy herë. Vëlla Mikitin e dënuan gjithsej me pesë vjet e gjysmë.

[Figura]

Silver Siliksari në gjyq për besimin

[Kutia në faqen 226]

Shkolla e Shërbimit Teokratik, në fshehtësi

Gjatë ndalimit, vëllezërit asnjëherë nuk ishin të sigurt për sa kohë do të kishin literaturë, madje as për Biblën. Prandaj, përveçse kishin vende të ndryshme për të fshehur literaturën, ata u përpoqën të mësonin përmendsh sa më shumë vargje biblike të ishte e mundur.

Shumë grumbullime shoqërore shfrytëzoheshin për të diskutuar dhe për të mësuar përmendsh vargje biblike. Për ato mbledhje, disa bënë kartona të vegjël që shërbenin si mjete ndihmëse për të mbajtur mend. Në njërën anë të kartonit shkruhej kapitulli i Biblës dhe numri i vargut, si Mateu 24:14, ose një pyetje a një emër biblik. Në anën tjetër, shkruanin tekstin biblik ose përgjigjen e pyetjes.

Vëllezërit përdornin çfarëdo botimi frymor në dispozicion, që të drejtonin mbledhjet. Për shembull, Shkolla e Shërbimit Teokratik mbahej çdo javë. Gjatë saj jepeshin detyra shtëpie, provime me gojë, madje edhe me shkrim. Çdo tre muaj kishte përsëritje dhe në pranverë bëhej provimi përfundimtar.

Një student kujton: «Ndër detyrat e shtëpisë që jepeshin çdo javë, ishte të mësonim përmendsh pesë shkrime biblike, të cilat duhej t’i thoshim javën e ardhshme. E mbaj mend provimin përfundimtar në vitin 1988. Ishte një ­karton provimi që thoshte vetëm: ‘Thuaj 100 shkrime përmendsh.’ Edhe pse mund të duket e çuditshme, çdokush shpresonte të merrte atë karton. Ato detyra na ndihmuan më së miri për veprën e predikimit, pasi rrallë mund ta përdornim Biblën haptazi.» Në vitin 1990, kongregacionet estoneze u gëzuan kur, më në fund, mund të mbanin Shkollën e Shërbimit Teokratik ashtu si pjesa tjetër e vëllazërisë mbarëbotërore.

[Kutia dhe figurat në faqet 236, 237]

«Shërbimi në fushë ishte i mrekullueshëm»

Disa misionarë tregojnë përshtypjet e tyre për caktimet në Estoni:

Mark dhe Sirpa Ketula: «Territori ku u caktuam ishte thuajse i paprekur. Shërbimi në fushë ishte fantastik, pasi njerëzit kishin shumë interes për Biblën. Kur mbërritëm në Parnu, kishte rreth 30 lajmëtarë. Kurse tani ka tri kongregacione.»

Vesi dhe Lena-Maria Edvigu: «Zor se gjeje gjë për të blerë në dyqane. Kështu, në vend që të bënin pazar, njerëzit kishin kohë të flitnin për Biblën. Kur bënim shërbim rrugor, njerëzit shpesh viheshin në radhë për literaturë.»

Esai dhe Jaela Nisineni: «Mund të mësosh mjaft nga të tjerët. Ka qenë privilegj të njihnim shumë nga ata që kanë qëndruar besnikë në sprovat më të egra.»

Ana dhe Ilk Leinoneni: «Ditë pas dite, javë pas jave dhe territor pas territori takonim njerëz që nuk e kishin dëgjuar kurrë mesazhin e Biblës. Predikonim që herët në mëngjes deri në mbrëmje vonë, dhe kënaqeshim vërtet kur shihnim rritjen e shpejtë. Ishte e vështirë ta besonim se në fund të shekullit të 20-të do të kishim privilegjin të shihnim këtë rritje. Nuk do t’i harrojmë kurrë ato vite të para.»

Riçard dhe Rejçëll Irgensi: «Njerëzit ishin mjaft mikpritës dhe shërbimi në fushë ishte i mrekullueshëm. Shkonim të predikonim në fshatrat përgjatë liqenit të Peipit. Asnjëherë nuk na duhej të merrnim diçka me vete për të ngrënë, sepse të zotët e shtëpive na ftonin brenda dhe na jepnin ushqim. E pamë se udhëzimet e Jezuit te Mateu 10:9, 10 mund të zbatoheshin edhe në kohën tonë. Caktimi në Estoni na mësoi të përqendrohemi te gjërat më të rëndësishme dhe të mos shpërqendrohemi nga gjërat jo dhe aq të rëndësishme.»

[Figurat]

Mark dhe Sirpa Ketula

Vesi dhe Lena-Maria Edvigu

Esai dhe Jaela Nisineni

Ana dhe Ilk Leinoneni

Riçard dhe Rejçëll Irgensi

[Tabela dhe figurat në faqet 244, 245]

KRONOLOGJIA​—Estonia

1920

1923 Martin Koseja kthehet që të predikojë në Estoni.

1926 Në Talin hapet një zyrë dege.

Mbërrijnë përhapësit e huaj që të ndihmojnë me predikimin.

1928 Mbahet kongresi i parë në zyrën e degës.

1930

1933 Regjistrohet ligjërisht The Watch Tower Bible and Tract Society.

1940

1940 Vëllezërit estonezë gëzuan asamblenë e fundit në liri për pesë dekadat e ardhshme.

1948 Disa Dëshmitarë i dërgojnë në burgje dhe në kampe burgu të Bashkimit Sovjetik.

1949 Dëshmitarët i shkruajnë letra proteste Stalinit.

1950

1951 Afro 300 Dëshmitarë dhe mjaft të afërm të tyre internohen në Siberi.

1953 Vdes Stalini; Dëshmitarët fillojnë t’i lirojnë.

1960

1970

1972 Formohet kongregacioni i parë rusishtfolës.

1980

1990

1991 Hapet një zyrë përkthimi në Tartu.

Dëshmitarëve të Jehovait u jepet liria fetare.

Mbahet në Talin kongresi i parë i Bashkimit Sovjetik.

1992 Mbërrijnë misionarët e parë të Galaadit.

1993 Ndërtohet Salla e parë e Mbretërisë në Estoni.

1994 Transferohet në Talin zyra e përkthimit.

1998 Në Talin dhe në Tartu ndërtohen Salla Asamblesh.

1999 Estonia bëhet sërish degë.

2000

2000 Mbahet klasa e parë e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim.

2009 Del në estonisht Shkrimet e Krishtere Greke​—Përkthimi Bota e Re.

2010

[Grafiku dhe figura në faqen 246]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Gjithsej lajmëtarë

Gjithsej pionierë

4,000

2,000

1990 2000 2010

[Hartat në faqen 169]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

FINLANDË

HELSINKI

Gjiri i Finlandës

RUSI

Sh. Pjetërburg

LETONI

RIGË

ESTONI

TALIN

Narvë

Mardu

Tapa

Vorms

Parnu

Liqeni i Vortsjarvit

Tartu

Rapinë

Voru

Hiumë

Saremë

Gjiri i Rigës

Liqeni i Peipit

Liqeni i Pskovit

[Figura që zë gjithë faqen në faqen 162]

[Figura në faqen 165]

Hugo dhe Martin Koseja

[Figura në faqen 166]

Albert Uesti

[Figura në faqen 167]

Aleksandër dhe Hilda Brajdsoni në vitet 30

[Figura në faqen 167]

Zyra e parë e degës ndodhej në këtë pallat

[Figura në faqen 170]

Pionieret e para nga Finlanda, Jena Felti dhe Irja Magela

[Figura në faqen 174]

Në vitin 1932 dega u transferua në rrugën «Sur Tartu» nr. 72, në Talin

[Figura në faqen 175]

Karlo Harteva duke mbajtur një fjalim në radio

[Figurat në faqen 177]

Xhon Northi dhe «karroca» e tij

[Figura në faqen 178]

Nikolai Tuimani

[Figura në faqen 179]

Policia konfiskoi sasi të mëdha literature

[Figura në faqen 181]

1940: Mbahet asambleja e fundit në liri para sundimit sovjetik

[Figurat në faqen 188]

Vëllezërit Krusi, Talbergu, Indusi dhe Tomi përbënin Komitetin e Shërbimit

[Figura në faqen 200]

Maimi dhe Lembit Treli në vitin 1957

[Figura në faqen 212]

Eni me të motrën, Korinën

[Figura në faqen 218]

Dasma e Heimar dhe Elva Tuimanit: një asamble që zgjati dy ditë

[Figura në faqen 227]

Tomas dhe Elizabeta Eduri

[Figurat në faqet 228, 229]

Kongrese që lanë gjurmë

Mirëpresin delegatët për kongresin krahinor «Gjuha e pastër», në Helsinki, Finlandë, 1990

Kongresi krahinor «Ata që duan lirinë hyjnore» i mbajtur në Talin, Estoni, 1991

[Figura në faqen 238]

Kongres ndërkombëtar në Shën-Pjetërburg, Rusi, 1992

[Figura në faqen 241]

Lauri dhe Jelena Nordlingu

[Figura në faqen 243]

Reino dhe Lesli Kesku

[Figura në faqen 247]

Juri dhe Viktori

[Figurat në faqen 251]

Salla e Mbretërisë në Mardu dhe Salla e Asambleve në Tartu

[Figurat në faqen 254]

Dega e Estonisë

Komiteti i Degës në Estoni, nga e majta në të djathtë: Tomi Kauko, Tomas Eduri dhe Lembit Rajli