Letër nga Trupi Udhëheqës
Letër nga Trupi Udhëheqës
Të dashur Dëshmitarë të Jehovait,
Ç’kohë emocionuese po jetojmë dhe ç’gëzim provojmë! Kënaqemi vërtet duke punuar së bashku me ju vëllezër dhe motra të dashura—si të thuash «sup më sup»—që të japim dëshminë më të madhe të të gjitha kohëve për Atin tonë qiellor, Jehovain.—Sof. 3:9; Gjoni 14:12.
Edhe pse provojmë gëzim në shërbim të Jehovait, kjo s’do të thotë se nuk kalojmë vështirësi të rënda. Gjatë vitit të kaluar të shërbimit, disa nga ju kanë kaluar peripeci si pasojë e tërmeteve, përmbytjeve, uraganeve dhe katastrofave të tjera natyrore kërcënuese për jetën. (Mat. 24:7) Shumë luftojnë çdo ditë me pasojat ligështuese të sëmundjeve dhe moshës së shkuar. Të gjithëve na duhet të përleshemi me ‘dhembjet e lindjes’ që po shtohen si kurrë më parë. (Mat. 24:8) Në disa vende, përfshirë Armeninë, Eritrenë dhe Korenë e Jugut, mjaft nga vëllezërit tanë i kanë burgosur për besimin.—Mat. 24:9.
Çfarë na ka ndihmuar të mbajmë një qëndrim pozitiv përballë këtyre vështirësive? Shkrimi i vitit 2010 na ka kujtuar një faktor të rëndësishëm: ‘Dashuria i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.’ (1 Kor. 13:7, 8) Po, dashuria që kemi për njëri-tjetrin, si edhe dashuria për Jehovain, na forcon që t’i përballojmë me sukses.
Shumë nga ata që pretendojnë se janë të krishterë habiten për shtrirjen e veprës sonë të predikimit dhe për rregullsinë me të cilën kryhet. Ndonëse mund të mos jenë dakord me bindjet dhe mësimet tona, disa janë nxitur të thonë: «Ju po bëni veprën që duhej të bënim ne!» Cili është një faktor që u jep mundësi Dëshmitarëve të Jehovait të predikojnë pa u ndalur? Edhe një herë përgjigjja është dashuria. Ashtu si Ati ynë qiellor, edhe ne nuk duam që të shkatërrohet ndonjë. (2 Pjet. 3:9) Dëshira jonë që të gjithë të pendohen, pasqyrohet në maksimumin e ri të 7.508.050 lajmëtarëve për vitin e kaluar të shërbimit. Cila organizatë tjetër fetare ka kaq shumë shërbëtorë të angazhuar tej mase në këtë vepër dashurie, të cilët ofrohen vullnetarisht që t’i ndihmojnë frymësisht të tjerët?
Nxitemi të shohim vazhdimin e përmbushjes të profecisë së dokumentuar nga Isaia: «Në ditët e fundit, mali i shtëpisë së Jehovait do të lartësohet patundshmërisht mbi majat e maleve dhe do të ngrihet më lart se kodrat. Drejt tij do të vërshojnë të gjitha kombet.» (Isa. 2:2-4) Mes shumicës tejet të madhe që vërshon në shtëpinë e Jehovait ndodhen edhe 294.368 veta që u pagëzuan vitin e kaluar të shërbimit. I mirëpresim në familjen tonë këta të çmuar. Le të na motivojë dashuria e krishterë që të vazhdojmë t’i ndihmojmë t’u kundërvihen sulmeve të armikut tonë, Satana Djallit!—1 Pjet. 5:8, 9.
Maksimumi i të gjitha kohëve me 18.706.895 veta që morën pjesë në Përkujtim, më 30 mars 2010, tregon se ka ende miliona të tjerë që mund të bashkohen me ne në adhurimin ndaj Jehovait. Sa të lumtur jemi që Jehovai nuk e ka sjellë akoma fundin e këtij sistemi të lig! Ndërkohë, dashuria na ndihmon të qëndrojmë.—2 Sel. 3:5.
Kongreset krahinore «Qëndroni pranë Jehovait!», shumica e të cilave u mbajtën në mbarë botën në vitin 2010, na e forcuan marrëdhënien me Atin tonë qiellor, Jehovain. Sa të vërteta janë fjalët e psalmistit: «Lum ai popull që ka për Perëndi Jehovain!» (Psal. 144:15) Pavarësisht se çfarë mund të sjellë e ardhmja, jemi të sigurt se, për sa kohë kemi Jehovain në anën tonë, nuk ka pse të frikësohemi nga asgjë. (Psal. 23:4) Së shpejti Jehovai me anë të Birit të tij ‘do të zhbëjë veprat e Djallit’. (1 Gjon. 3:8) Vërtet, duam me gjithë shpirt të vijë ajo ditë. Por, derisa të vijë ajo kohë, kemi mjaft punë për të bërë.—1 Kor. 15:58.
Jini të sigurt se ju përmendim «pa pushim» në lutjet tona. (Rom. 1:9) Urojmë të «ruani veten në dashurinë e Perëndisë, ndërsa pritni mëshirën e Zotërisë tonë Jezu Krisht, me sytë nga jeta e përhershme».—Jud. 21.
Ju duam të gjithëve!
Vëllezërit tuaj,
Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait