Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

EMOCIONOHEMI kur shohim se çfarë po arrin në mbarë tokën Jehovai me anë të popullit të tij. Ky Libër vjetor përmban raporte se si po ecën fusha e gjuhës së shenjave dhe shpjegon si i bën kërkimet Reparti ynë i Shkrimit. Lexoni për kongreset ndërkombëtare dhe zbuloni hollësi interesante për librin e ri të këngëve. Përditësohuni me zhvillimet ligjore rreth botës, me lajmet nga Haiti dhe kushtimet e degëve të reja. Kemi besim se do të kënaqeni me atë që do të lexoni e do të inkurajoheni.

‘PERËNDIA DO QË TA NJOHIN ATA QË S’DËGJOJNË’

Shqyrtoni çfarë po ndodh në fushën e gjuhës së shenjave. Salvatore, që jeton në Shtetet e Bashkuara, nuk dëgjon dhe gruaja e tij është Dëshmitare e Jehovait. Edhe pse kishte vite që e njihte të vërtetën biblike, ai nuk përparonte frymësisht. E shoqja i sugjeroi ta lexonte Biblën çdo ditë për një vit. Megjithatë, pas një lufte të pasuksesshme për ta kuptuar atë çka lexonte, u dorëzua. «Kurrë nuk do të arrij ta dua Jehovain»,—tha i trishtuar.

Gjithsesi, jeta e Salvatores filloi të ndryshonte kur i thanë se një pjesë nga Shkrimet e Shenjta​—Përkthimi Bota e Re ishte në dispozicion në gjuhën amerikane të shenjave në DVD. Pasi u thellua në Fjalën e Perëndisë në gjuhën e shenjave, thirri i emocionuar: «Isha i sigurt se Perëndia donte që ta njihja!» Salvatore studioi Biblën dhe tani i shërben Jehovait tërë lumturi, si një Dëshmitar i pagëzuar.

Ashtu si Salvatore, edhe individë të tjerë që s’dëgjojnë në mbarë botën, e kanë ndier dashurinë e ngrohtë dhe merakun e madh të Jehovait. Për ta janë prodhuar Bibla në gjuhën e shenjave, bashkë me botime të tjera që gjenden në DVD dhe në Internet, të cilat mund të shkarkohen. Tashmë, botimet janë në dispozicion në 46 gjuhë të shenjave dhe pritet të shtohen edhe në 13 të tjera. Kulla e Rojës gjendet në nëntë nga këto gjuhë dhe pjesë të Përkthimit Bota e Re kanë dalë në gjuhën amerikane të shenjave, atë braziliane, kolumbiane, italiane, meksikane dhe ruse.

Gjithmonë është shumë prekëse kur shohim se si botimet në gjuhën e shenjave i nxitin të veprojnë zemrat e të rinjve në të vërtetën. Natsueja, një grua japoneze që nuk dëgjon, thotë: «Fillimisht studiova në vitin 1981, duke përdorur botime të shkruara në japonisht. Kur nuk arrija t’i kuptoja dhe kur familja nisi t’i kundërvihej studimit që bëja, e lashë studimin.

Në prill të 2007-s, një lajmëtare më tregoi botimin Ti mund të jesh miku i Perëndisë! në DVD, në gjuhën e shenjave në japonisht. Kjo ndodhi 26 vjet pas studimit të parë biblik. E rifillova menjëherë studimin dhe e ndieja se nevojat frymore po më plotësoheshin. U pagëzova në nëntor të 2008-s.»

Sot, në gjithë botën ka më tepër se 16.000 lajmëtarë që s’dëgjojnë. Me duart dhe shprehjet e fytyrës, ata e lëvdojnë Jehovain në gjuhën e shenjave. Mbështetja që marrin nga 30 mjetet që kanë në dispozicion​—libra, broshura, video dhe drama biblike që janë përkthyer në disa gjuhë të shenjave​—i siguron për dashurinë dhe vlerësimin e Jehovait ndaj shërbimit të tyre besnik.

Të 54 degët që përkthejnë botime në gjuhë të shenjave, po marrin shumë shprehje mirënjohjeje nga vëllezërit e motrat dhe nga të interesuarit në fushë. Letrat e tyre tregojnë sa të entuziazmuar janë ata që s’dëgjojnë teksa zbulojnë të vërteta më të thella frymore në gjuhën e tyre të shenjave. Një rast tipik është ajo që thotë Emi nga Japonia, prindërit e së cilës nuk dëgjojnë.

Emi thotë: «Prindërit u pagëzuan shumë vite para meje, por stërmundoheshin t’i kuptonin botimet e shkruara në japonisht. Kur nuk kuptonin, më kërkonin mua t’ua shpjegoja. Tani mund të flasin tërë siguri për të vërtetën. Mamaja tha: ‘Vetëm pasi kisha në dispozicion botime në gjuhën e shenjave, nisa t’i kuptoja hollësitë e Biblës.’ Si rrjedhojë, ata janë afruar më shumë me Jehovain dhe lidhja jonë familjare është më e fortë se kurrë.»

‘GJURMOJNË ME SAKTËSI TË GJITHA GJËRAT’

Jezui tha se skllavi i besueshëm do të tregohej i matur duke u dhënë shërbëtorëve të shtëpisë së tij «ushqim në kohën e duhur». Kështu, Krishti tregoi se ata që do të shpërndanin këtë «ushqim» do të ishin të ndërgjegjshëm, të matur dhe me aftësi dalluese ndërsa jepnin ushqim frymor për familjen e besimit.​—Mat. 24:45-47.

Në kohën tonë, vëllezërit e mirosur të Krishtit përdorin Repartin e Shkrimit në Bruklin, Nju-Jork, që të sigurojnë informacione frymore në formën e revistave, broshurave, librave dhe materialeve të tjera të shtypura dhe elektronike. Ashtu si ushqimi fizik, ky ushqim frymor duhet të përgatitet mirë. Edhe shkrimtarët biblikë, që drejtoheshin nga fryma e shenjtë, siguroheshin që të dokumentonin informacion të saktë, pasi kishin bërë kërkime të kujdesshme. Për shembull, Luka mori informacione nga shumë dëshmitarë okularë dhe ‘i gjurmoi me saktësi të gjitha gjërat që nga fillimi’.​—Luka 1:1-4.

Reparti i Shkrimit ndjek të njëjtin model ‘për të gjurmuar me saktësi të gjitha gjërat’. Por, ku mund të gjendet informacion i besueshëm? Ndërkohë që Interneti është burim i leverdishëm e i shpejtë për informacione të bollshme, kërkuesit tanë nuk mbështeten në ditaret elektronike (blogs) ose në të dhënat e faqeve të Internetit, që janë dokumentuar keqas nga individë të paidentifikuar a të pakualifikuar. Për shembull, Wikipedia, një enciklopedi në Internet, paralajmëron se disa artikuj në sitin e vet «përmbajnë mjaft informacione të pasakta, joenciklopedike ose vandalizma» dhe shton se «përdoruesit duhet të tregohen të kujdesshëm për këtë». Kështu, Reparti i Shkrimit kërkon në vepra referimi standarde, në artikuj të shkruar nga ekspertë të njohur dhe në libra të botuesve të respektuar.

Vetë Reparti i Shkrimit ka bibliotekën e tij të pasur me mijëra libra. Përveç kësaj, kërkuesit tanë shfrytëzojnë bibliotekat publike dhe akademike atje. Gjithashtu, ata mund të gjejnë materiale të specializuara nga burime të tjera nëpërmjet marrëveshjeve për hua midis bibliotekave. Një nga bibliotekat e mëdha universitare që përdorin kërkuesit tanë, ka rreth pesë milionë libra, 58.000 botime periodike, 5,4 milionë riprodhime në miniaturë dhe mijëra baza të dhënash elektronike. Për më tepër, Reparti i Shkrimit mirëmban një arkiv të madh me copa artikujsh, me përvoja dhe me informacione historike që përditësohen vazhdimisht nga burime vendëse, si dhe nga zyrat tona të degëve përreth botës.

Sigurisht, është ashtu siç na kujton Eklisiastiu 12:12: «Nuk ka fund bërja e shumë librave.» Edhe burime me reputacion të mirë mund të përmbajnë informacion të gabuar. Por, si e kontrollojmë cilësinë, saktësinë dhe besueshmërinë?

Të marrim për shembull pohimin te broshura A u krijua jeta? Atje përmendet rrjeta e merimangës si një nga materialet më të forta në tokë. Në broshurë citohet: «Nëse do të kishte përmasat e një fushe futbolli, një rrjetë e endur me këtë fije, e trashë 1 centimetër dhe me fijet 4 centimetra larg njëra-tjetrës, mund të ndalte një avion shumë të madh në fluturim.» Edhe pse burimi për këtë pohim vinte nga një revistë shkencore me emër, nuk ishte burimi origjinal dhe ky burim nuk ishte shumë i qartë. Prandaj ishte e nevojshme të kontaktonim kërkuesin që bëri pohimin origjinal dhe të kontrollonim si arriti ai në këtë përfundim. Gjithashtu, kërkuesve tanë iu desh të gjenin formulën dhe informacionin e nevojshëm për ta llogaritur vetë se ç’ndikim mund të kishte te rrjeta e një merimange sa një fushë futbolli përplasja e një avioni shumë të madh. U bënë shumë orë kërkime e llogaritje të kujdesshme dhe në fund u konfirmua saktësia e këtij informacioni mahnitës.

Por, nganjëherë, edhe një burim në dukje me reputacion të mirë mund të mos sigurojë hollësi të sakta. Për shembull, është cituar se, në ashramin e tij (vend meditimi për hinduistët), Gandi i ka thënë lordit Iruin: «Kur vendi yt dhe imi të kuptohen së bashku në bazë të mësimeve që dha Krishti në Predikimin e tij në Mal, ne do të zgjidhim jo vetëm problemet midis vendeve tona, por edhe ato të botës mbarë.» Por një hetim i imtësishëm për këtë pohim zbuloi se nuk ka asnjë dëshmi që lordi Iruin ta ketë takuar ndonjëherë Gandin në ashramin e tij, dhe kjo ngriti pyetje që s’kanë marrë përgjigje, si: ku e tha Gandi këtë, kur e tha dhe nëse e ka thënë vërtet. Prandaj, botimet tona nuk e përdorin më këtë citim.

Ose mund të keni lexuar për ngjarjen me Isak Njutonin dhe modelin për sistemin diellor. Thuhet se një ateist që e vizitoi e pyeti: «Kush e bëri këtë?» Kur Njutoni u përgjigj: «Askush», ateisti ia ktheu: «Kujton se jam budalla?» Pastaj mendohet se Njutoni i ka thënë ateistit se imitimi i tij i papërfillshëm i sistemit diellor shumë më të madh, provon se duhet të ketë një projektues ose krijues. Edhe pse ky tregim mund të jetë tërheqës, burimet historike bashkë me studiuesit dhe hartuesit e biografisë së Njutonit nuk mund të sigurojnë prova se kjo bisedë ka ndodhur vërtet. Është interesante se referimet më të hershme për këtë incident u shfaqën në fillim të shekullit të 19-të dhe përdornin, jo emrin e Njutonit, por atë të studiuesit gjerman Athanas Kirherit. Rrjedhimisht, Reparti ynë i Shkrimit nuk e përdor më këtë tregim në botimet tona.

Ndonjëherë, edhe pohime të vogla kërkojnë kërkime shtesë për të vërtetuar saktësinë e tyre. Për shembull, një vëlla mund të thotë në jetëshkrimin e tij se ka lindur në Çekosllovaki në vitin 1915. Por Çekosllovakia u formua në vitin 1918. Pra, ku ka lindur vëllai? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje mund të duhet të shihen harta të vjetra ose dokumentime historike.

Gjithashtu, një vëlla mund të thotë në përvojën e tij se u pagëzua në San-Francisko në një datë të caktuar. Por një shqyrtim i kujdesshëm mund të zbulojë se nuk kishte ndonjë kongres ose asamble në atë datë tek ai qytet. Si mund të zgjidhet kjo mospërputhje? Nganjëherë disa kujtime mund të mjegullohen. Ndoshta vëllai nuk e ngatërron vendin e pagëzimit, por ka të ngjarë të mos e kujtojë me saktësi datën. Zakonisht saktësia e hollësive mund të verifikohet duke kontrolluar dhe krahasuar burime të ndryshme informacioni.

Për ta përmbledhur, Reparti i Shkrimit ngulmon që të përdorë vetëm material të saktë e të vërtetë, edhe për ato hollësi që duken të parëndësishme. Si rezultat, «skllavi i besueshëm dhe i matur» siguron vazhdimisht ushqim frymor që e nderon ‘Perëndinë e së vërtetës’, Jehovain.​—Psal. 31:5.

NDIHMË ‘PËR TË QËNDRUAR VIGJILENTË’

Miliona Dëshmitarë të Jehovait në mbarë botën e vlerësuan programin praktik në kohën e duhur që u paraqit në kongreset e shumta krahinore «Qëndroni vigjilentë!» gjatë vitit 2009. Mes të pranishmëve ishin më tepër se 200.000 delegatë që u ftuan nga 136 vende për të ndjekur një nga 37 kongreset ndërkombëtare. Ko­ngre­set u mbajtën në Afrikën e Jugut, Austri, Bregun e Fildishtë, Francë, Ganë, Gjermani, Itali, Kenia, Kili, Kore, Meksikë, Mjanmar, Peru, Poloni, Shtetet e Bashkuara dhe Trinidad-e-Tobago. Maksimumi i të pranishmëve për të gjitha kongreset ndërkombëtare ishte 1.495.045 veta dhe 15.730 u pagëzuan.

Për ç’qëllim organizohen kongreset ndërkombëtare? Trupi Udhëheqës i planifikon këto grumbullime çdo pak vite në qytete me vendndodhje strategjike​—nganjëherë në vende ku Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë nën ndalim. Kongrese të tilla shërbejnë për të forcuar vëllezërit dhe për t’i dhënë hov predikimit të lajmit të mirë në ato vende.

Gjithashtu, këto kongrese u japin vëllezërve mundësi unike ta përjetojnë vetë ‘lidhjen e bashkimit’ që është e veçantë dhe që e gëzon vëllazëria ndërkombëtare. (Kolos. 3:14) Çfarë kënaqësie është të shohësh dashurinë, paqen dhe unitetin në kongrese të tilla, të cilat i kapërcejnë pengesat kombëtare, kulturore dhe gjuhësore. Dashuria e vërtetë shfaqet nga grupe të ndryshme etnike teksa përzihen lirisht mes sesioneve. Ata hanë së bashku, shkëmbejnë dhurata të vogla dhe informacione për të mos humbur lidhjet dhe përqafojnë njëri-tjetrin me përzemërsi vëllazërore. Shumë nga delegatët dhe Dëshmitarët vendës vishen me kostume tradicionale.

Një pjesë e veçantë e programit të kongreseve ndërkombëtare është pjesa «Raporte nga vende të tjera», që paraqitet në të katërta ditët. Një mbikëqyrës udhëtues nga Italia pa se raportet i ndihmuan tërë të pranishmit «të ndiheshin pjesë e një vëllazërie të vërtetë ndërkombëtare që ndjek të njëjtin qëllim​—të kryejnë veprën e predikimit për Mbretërinë». Sa të ngrohej zemra kur dëgjoje përvoja inkurajuese nga misionarë dhe shërbëtorë të tjerë në kohë të ­plotë që ktheheshin të vizitonin vendlindjen nga caktimet e tyre jashtë shtetit! Shembulli i tyre i shkëlqyer vazhdon të jetë burim i madh inkurajimi: si për të rinjtë, edhe për të moshuarit.

Ç’gëzim i madh të kishim anëtarë të Trupit Udhëheqës në kongreset ndërkombëtare, që na përcillnin udhëzime frymore në kohën e duhur dhe inkurajim të dashur! Fjalimet që u mbajtën nga anëtarët e Trupit Udhëheqës dhe «Raporte nga vende të tjera» u përkthyen njëkohësisht për dobinë e të gjitha grupeve gjuhësore që po dëgjonin programin. Për shembull, në kongresin e dytë ndërkombëtar që u mbajt në Honolulu, Havai, Stivën Leti nga Trupi Udhëheqës paraqiti katër fjalime në anglisht, të cilat u përkthyen njëkohësisht në gjuhën çukeze, iloke, japoneze, mandarine, marshalleze dhe samoane.

Kur planifikon kongrese ndërkombëtare, Trupi Udhëheqës mendon për përmasat e godinave ku mund të mbahet kongresi, për numrin e Dëshmitarëve vendës dhe të Dëshmitarëve që do të marrin pjesë nga vende të tjera, si dhe për strehimin që mund të ofrohet. Më pas, vëllezër të përgjegjshëm në çdo qytet ku do të mbahet kongresi, marrin leje nga autoritetet vendëse dhe bëjnë kontrata me administratorët e ambientit të kongresit.

Ngaqë shpesh përdoren stadiume të mëdha sporti për këto kongrese, bëhet planifikim dhe punë e jashtëzakonshme, për t’u siguruar që këto ambiente të jenë vende dinjitoze për adhurimin e Jehovait. Për shembull, në Peru, meqë ishte planifikuar një ndeshje futbolli para kongresit, vëllezërit mundën të hynin në stadium që ta pastronin e të montonin gjërat vetëm natën para se të fillonin sesionet. Megjithëse u kërkuan 3.000 vullnetarë, mbi 7.000 vëllezër e motra erdhën në orën 18.00 dhe punuan me mish e me shpirt gjithë natën për ta mbaruar punën.

Në përfundim të kongresit ndërkombëtar të mbajtur në Long-Biç, Kaliforni, SHBA, tre punëtorë të mirëmbajtjes që po punonin te vendi i kongresit, thanë: «Kemi parë shumë fe të tjera të vijnë në këtë vend, por asnjëra nuk mund ta bëjë atë që bëni ju. Kjo është e mahnitshme.» Një nga burrat e pranoi se, kur Dëshmitarët i trokitnin në derë, ai thoshte me vete: «Bjeri se kot e ke.» Por tani tha se herën tjetër që vëllezërit do t’i trokasin, do ta hapë derën dhe do të dëgjojë. Madje, njëri u nxit të thoshte: «Kurrë nuk kam qenë në ndonjë fe më parë, por kjo është feja së cilës dua t’i përkas.»

Sa dëshmi e jashtëzakonshme është dhënë për lavdi të Jehovait në të gjitha qytetet e kongresit! Po ashtu, sa mirënjohës i jemi Jehovait që na siguron këto kongrese besimforcuese që të mund të vazhdojmë ‘të qëndrojmë vigjilentë’!​—Mat. 24:42.

I KËNDOJMË LAVDI JEHOVAIT

T’i këndojmë këngë lavdie Jehovait, është pjesë thelbësore e adhurimit tonë. Prandaj, në kongreset e vitit 2009, shërbëtorët e Jehovait u ngazëllyen kur i njoftuan për një libër të ri këngësh, Këndojini Jehovait. Por, pse kishte nevojë për një tjetër libër këngësh?

Herë pas here, i kemi rishikuar librat e këngëve që të jenë në një hap me dritën frymore që ndriçon gjithnjë e më shumë. (Prov.4:18) Kështu, përgatitja e një libri të ri këngësh krijon mundësinë që t’u bëhen rregullimet e nevojshme teksteve të këngëve tona. Fjalët janë renditur në mënyrë të atillë që të kapet më lehtë domethënia e këngës ndërsa këndohet dhe që fjalët të kujtohen më kollaj. Për t’i mbajtur mend më mirë, shumë këngë janë shkurtuar. Kur ka qenë e përshtatshme, janë shtuar refrene që të përsëriten në mënyrë domethënëse mendimet kyçe. Përveç kësaj, janë bërë përpjekje që çdo notë të përkojë me një rrokje të vetme e jo më shumë.

Një analizë e kujdesshme e librit të mëparshëm të këngëve, Këndojini lavdi Jehovait, zbuloi se disa melodi kishin nevojë për rregullime që të këndoheshin më kollaj. Si rrjedhim, disa këngë janë ulur në intonacion që notat e larta të këndohen më lehtë. Gjithashtu, jo të gjitha këngët këndoheshin fiks siç ishin në libër. Prandaj, në disa raste, vija melodike është rregulluar që t’i përshtatet më tepër mënyrës së natyrshme si këndohen këngët nga vëllezërit në mbarë botën.

Vëmendje e veçantë u është kushtuar edhe hollësive, si për shembull, mënyrës si shtypen këngët në faqet e librit. Edhe pse këngët më të gjata janë shtypur në dy faqe për t’iu përshtatur tekstit të gjatë në gjuhët e përkthyera, ato janë vendosur në mënyrë që të mos jetë e nevojshme të kthehet faqja gjatë këngës. Tani asnjë këngë nuk është më e gjatë se tre strofa.

Si u realizua puna gjigante për përgatitjen e librit të ri të këngëve? Në gusht të vitit 2007, një skuadër e përbërë nga kompozitorë dhe poetë me përvojë u ftuan të ndihmonin Trupin Udhëheqës për këtë projekt. Të gjitha këngët në librin e mëparshëm u shqyrtuan me imtësi për të identifikuar problemet me përmbajtje doktrinale, theksin e fjalës dhe melodinë. Ishte e dukshme se disa melodi të vjetra ishin shumë mirë, por kërkonin tekste të reja. Këngë të tjera që kërkonin pak ndryshime në tekst, kishin nevojë për ndryshime rrënjësore në melodi. Pastaj, Komiteti i Mësimit i Trupit Udhëheqës miratoi një listë me tema që të trajtoheshin në këngët për mbledhjet e krishtere, asambletë, kongreset dhe programet e kushtimit.

Përveç kësaj, kompozitorët kaluan kohë duke rishqyrtuar stilin e muzikës së përdorur nga vëllezërit në mbledhjet tona. Që të bëheshin këngë plot nderim, por edhe tërheqëse, ata shmangën muzikën që tingëllonte si himnet që përdorin kishat e të ashtuquajturit krishterim. Në të njëjtën kohë, nuk donin që këngët për të lëvduar Jehovain, të anoheshin drejt stileve që përdoren shumë në kishat ku këndojnë si të dalldisur.

Gjatë gjithë projektit, Trupi Udhëheqës e mbajti nën vëzhgim ecurinë e kompozimit dhe të fjalëve për secilën këngë. Grupe me këngë të reja, që Trupi Udhëheqës nuk i njihte mirë, u incizuan të kënduara nga këngëtarë, që Trupi Udhëheqës t’i dëgjonte e t’i rishikonte. Sapo u miratuan, këngët iu dërguan degëve për të përkthyer tekstet, me qëllim që librat e këngëve në gjuhë të tjera të dilnin njëkohësisht me atë në anglisht.

Për më tepër, më 2007-n, Trupi Udhëheqës mori ma­sa që një kor me këngëtarë të incizonte interpretime, si ndihmë për kongregacionet që t’i mësonin këngët. Për shumë vjet, një orkestër vullnetare nga 14 vende është mbledhur afro dy herë në vit në Paterson, Nju-Jork, që të incizojë muzikë për programet e arsimimit nga Dëshmitarët e Jehovait, ku përfshihen drama, video të ndryshme dhe muzikë e orkestruar për kongrese dhe asamble. Këta vëllezër e motra të kushtuara, shumica në shërbim të plotkohor, përdorin kohën dhe të ardhurat e tyre që të udhëtojnë e të incizojnë muzikë për dobinë e gjithë vëllazërisë mbarëbotërore. Të gjithë janë muzikantë të talentuar. Pastaj, incizimet orkestrale u dërgohen edhe degëve përreth botës për t’i përdorur si muzikë sfondi në kongrese ose për prodhimin e interpretimeve vokale në dhjetra gjuhë. Shumë interpretime vokale të incizuara në degë të ndryshme, tani mund të shkarkohen nga faqja jonë e Internetit www.pr418.com.

Si e kanë pritur librin e ri të këngëve Këndojini Jehovait? Janë dërguar qindra letra mirënjohjeje. Ja një letër tipike ku një motër u shpreh: «Ju lutem, më lejoni ta nis këtë letër duke ju falënderuar për këngët e reja në librin e ri të këngëve. Janë nxitëse, besimforcuese dhe të japin zemër​—dhuratë e këndshme nga Jehovai.»

Dëshira jonë është që libri i këngëve Këndojini Jehovait të jetë burim ngushëllimi dhe inkurajimi për vëllazërinë tonë mbarëbotërore. Qoftë kur jemi vetëm, qoftë kur mblidhemi me bashkadhuruesit, le ta përdorim për të shprehur dashurinë që kemi për Atin tonë qiellor, Jehovain!

‘I NXJERRIN PËRPARA GUVERNATORËVE DHE MBRETËRVE, QË TË JAPIN DËSHMI’

Jezui u tha dishepujve se do t’i çonin në «gjykata» dhe përpara «guvernatorëve dhe mbretërve». Sidoqoftë, ai tha se kjo do të ndodhte ‘që të jepnin dëshmi para tyre dhe kombeve’. (Mat. 10:17,18) Gjatë vitit të kaluar, Dëshmitarët e Jehovait kanë përjetuar pikërisht këtë që ka parathënë Jezui. Keqtrajtimi u dha mundësi të shkëlqyera që të jepnin dëshmi, siç tha Zotëria i tyre.

Armeni:

Vahan Bajatjani, një Dëshmitar i Jehovait, u dënua me dy vjet e gjysmë burg ngaqë kundërshtoi të kryente shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Pasi humbi gjyqin dhe apelet në gjykatat armene, në vitin 2003 i bëri një kërkesë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Më 27 tetor 2009, GJEDNJ-ja e gjykoi çështjen në favor të Armenisë, në përputhje me vendimet e marra në Armeni në më tepër se 50 vjet. Gjithsesi, një gjykatës që s’ishte fare dakord, e quajti këtë vendim «të papajtueshëm me standardet e sotme evropiane për sa i përket kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes».

Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj çështjeje, Gjykata Evropiane ra dakord t’ia kalonte çështjen Dhomës së Madhe, një organi të saj. Seanca u planifikua të zhvillohej më 24 nëntor 2010, në Strasburg, Francë. Vendimi i Dhomës së Madhe nuk ishte bërë ende i ditur kur ky raport u dërgua për shtypje.

Azerbajxhan:

Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë të hasin vështirësi në importimin e literaturës fetare. Autoritetet e miratojnë të importohet ca literaturë fetare, por nuk pranojnë importimin e botimeve të tjera, ngaqë pretendojnë se «përmbajtja e tyre nënkupton se besimi i Dëshmitarëve të Jehovait është besimi i vetëm i vërtetë dhe fyen rëndë ndjenjat e besimtarëve të feve të tjera të krishtere». Si pasojë, shtëpitë e disa vëllezërve e motrave i kanë bastisur dhe u kanë konfiskuar literaturën e tyre biblike.

Më 25 prill 2010, rreth 250 Dëshmitarë të Jehovait po ktheheshin nga një asamble në Gjeorgji në pesë autobusë të mëdhenj dhe në një furgon të vogël. Policia kufitare ua konfiskoi literaturën biblike, përfshirë edhe 33 Bibla. Shumë Dëshmitarë, madje të moshuarit dhe ata me shëndet të dobët, i mbajtën deri në tetë orë në kufi para se t’i linin të vazhdonin udhën. Kjo çështje i është parashtruar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që të pa­randalohen ngjarje të tilla dhe që të garantohet se vëllezërit në Azerbajxhan do të vazhdojnë të marrin ushqim frymor.

Bjellorusi:

Më 6 nëntor 2009, Dimitri Smeku, një Dëshmitar i Jehovait, u gjobit me 3.500.000 rubla (rreth 830 euro) ngaqë nuk pranoi të kryente detyrimin ushtarak. Vëlla Smeku tha: «Përpiqem t’i që­ndroj besnik Biblës në çdo aspekt të jetës dhe i ndjek mësimet e saj. Për mua, kjo përfshin besimin se dikush nuk duhet të stërvitet për luftë ose të marrë pjesë në të.»​—Isa. 2:1-4.

Megjithëse kushtetuta e Bjellorusisë garanton të drejtën për të zgjedhur shërbim civil alternativ, nuk ka asnjë masë ligjore për këtë. «Në letër duket se e kam të drejtën për shërbimin civil alternativ, por në realitet nuk mund ta ushtroj këtë të drejtë»,—shpjegoi vëlla Smeku.

Që të rregullonte këtë të metë legjislative, më 18 shkurt 2010, presidenti i Bjellorusisë formoi një komision që të hartonte një ligj për shërbimin alternativ. Pak pas kësaj, gjykata e shpalli të pafajshëm vëlla Smekun dhe e anuloi gjobën e madhe që i ishte vënë. Në Bjellorusi ka edhe të rinj të tjerë Dëshmitarë që ballafaqohen me të njëjtën çështje dhe nuk duan të mësojnë të luftojnë. Prandaj shpresojmë se qeveria do të sigurojë së shpejti një masë për shërbimin civil alternativ.

Belgjikë:

Deri në vitin 1993, prona e Bethelit në Bruksel, Belgjikë, ishte e përjashtuar nga taksat, si të gjitha godinat fetare në Belgjikë. Megjithatë, që nga ai vit organet tatimore ndryshuan qëndrim dhe nuk pranuan përjashtim të plotë nga taksat. Pretendonin se Betheli nuk përdoret vetëm për qëllime fetare, por edhe për përfitime financiare, dhe se bethelitët nuk punonin në kohë të plotë për veprimtaritë e tyre fetare. Më së fundi, çështja iu parashtrua një gjykate të shkallës së parë, por gjykatësi mori vendim në favor të tatimores. Vendimi u apelua dhe më 4 maj 2010, gjykata e apelit e hodhi poshtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Në vendimin e tyre të shkruar, tre gjykatësit deklaruan: «Jeta në Bethel, për Dëshmitarët që jetojnë atje, shoqërohet me bindje të thella fetare, dhe kjo kërkon të jepen plotësisht në shërbim të Perëndisë. . . . Të gjithë këta shërbëtorë janë anëtarë të Urdhrit Mbarëbotëror të Shërbëtorëve Specialë në Kohë të Plotë dhe jetojnë, luten, këndojnë e studiojnë Biblën së bashku. Gjithashtu, ata ndihmojnë në adhurimin e mëngjesit, që e mbajnë në mënyrë të organizuar.»

Eritre:

Dëshmitarët e Jehovait në Eritre vazhdojnë të durojnë shumë vështirësi teksa përpiqen t’i shërbejnë Perëndisë me besnikëri. Aktualisht, 58 Dëshmitarë janë në burg, përfshirë gra dhe fëmijë të vegjël. Është e vështirë të merren informacione për këta të burgosur, ngaqë ka kufizime qeveritare shtypëse dhe kërcënime të vazhdueshme për arrestime. Për vite të tëra, Dëshmitarët e Jehovait janë përpjekur t’ua lehtësojnë vuajtjet bashkadhuruesve të tyre në Eritre nëpërmjet kanaleve diplomatike. Dëshmitarët i kanë bërë apel zyrtarëve të Departamentit të Shtetit në SHBA, Bashkimit Evropian dhe ambasadave të ndryshme. Gjithashtu janë takuar me shumë zyrtarë në Kepin e Afrikës, të tillë si përfaqësues të Bashkimit Afrikan. Kohët e fundit, Dëshmitarët e Jehovait u kanë dërguar 18 ambasadave të Eritresë në mbarë botën, një letër dhe një listë me emra të të burgosurve që nuk janë në moshë për ushtar. Letra i bën apel presidentit Afuerki të lirojë të gjithë të burgosurit që nuk janë në moshë për ushtar, përfshirë fëmijët dhe të moshuarit. Por deri tani, qeveria nuk është përgjigjur.

Greqi:

Më 15 janar 2010, gjykata më e lartë e vendit, Këshilli i Shtetit, shpalli se Evangjelos Delisi, një Dëshmitar i Jehovait, kishte të drejtë ta refuzonte shërbimin si rezervist në ushtri. Vëlla Delisi kishte shërbyer në ushtri para se të bëhej Dëshmitar i Jehovait, por kur u thirr t’i bashkohej stërvitjes rezerviste, i shtyrë nga ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës, nuk pranoi. Megjithëse administrata shtetërore ia mohoi kërkesën që të konsiderohej si kundërshtar për shkak të ndërgjegjes, Këshilli i Shtetit, duke cituar artikuj të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, deklaroi se një individ ka të drejtë ta ndryshojë fenë edhe pasi ka shërbyer në ­ushtri. Ka të drejtë edhe të konsiderohet si kundërshtar për shkak të ndërgjegjes ngaqë ka ndërruar bindjet fetare. Ky vendim pozitiv i gjykatës më të lartë të Greqisë pa dyshim që do t’u sjellë dobi atyre që kundërshtojnë për shkak të ndërgjegjes në Greqi dhe në vende të tjera si: Armeni, Azerbajxhan, Kore e Jugut dhe Turqi.

Portugali:

Më 25 shtator 2009, Ministri i Drejtësisë deklaroi se Shoqata e Dëshmitarëve të Jehovait u miratua unanimisht si një Komunitet i Vjetër Fetar. Tani Dëshmitarët e Jehovait në Portugali klasifikohen në rangun më të lartë nga ana juridike dhe fetare, dhe kjo do t’i ndihmojë ta kryejnë shërbimin e tyre. Statusi i ri ligjor do t’i sjellë dobi të panumërta popullit të Jehovait. Këtu përfshihet mundësia që vëllezër të autorizuar të celebrojnë martesat në Sallat e Mbretërisë. Gjithashtu, Dëshmitarëve u është dhënë autorizim që të hyjnë në spitale e burgje për t’u dhënë ndihmë frymore atyre që e kërkojnë.

Porto-Riko:

Më 27 janar 2010, në një vendim historik, Gjykata e Lartë e Porto-Rikos mbështeti të drejtën e një pacienti të rritur për të refuzuar një lloj të caktuar trajtimi mjekësor. Gjithashtu, Gjykata e njohu të drejtën e një pacienti që të përdorë një deklaratë paraprake dhe të caktojë një kujdestar për shëndetin, që ta përfaqësojë kur të jetë në gjendje të pavetëdijshme. Biktor Ernandesi, një Dëshmitar i Jehovait, përgatiti një deklaratë paraprake para se të shkonte në spital. Më përpara, një gjykatë e shkallës së parë nuk e kishte pranuar si të vlefshëm vendimin mjekësor të vëlla Ernandesit, siç shprehej në deklaratën e tij dhe siç mbështetej nga kujdestari i tij për shëndetin. Duke hedhur poshtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë, Gjykata e Lartë e njohu «të drejtën themelore, në bazë të së cilës, paprekshmëria e trupit duhet konsideruar si një e drejtë e pamohueshme e çdo njeriu». Kjo fitore, jo vetëm që u sjell dobi më tepër se 25.000 Dëshmitarëve të Jehovait në Porto-Riko, por edhe gjithë pacientëve të tjerë në mbarë ishullin.

Rusi:

Muajt e fundit, aktiviteti i drejtuar nga fryma, që kryhet nga populli i Jehovait, është përballur me kërcënimet më të rënda që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Më 8 dhjetor 2009, Gjykata e Lartë në Rusi mbështeti vendimin e një gjykate të shkallës së parë në Rostov, që çoi në mbylljen e organizatës fetare në Taganrog, në konfiskimin e Sallës së Mbretërisë dhe në shpalljen e 34 botimeve si ekstremiste, përfshirë libra të shpërndarë gjerësisht, si: Çfarë mëson vërtet Bibla?, Libri im i tregimeve biblike dhe «Eja e bëhu ithtari im».

Pak javë më vonë, Gjykata e Lartë e Republikës së Altait, në Rusinë Jugore, mori një vendim të ngjashëm për organizatën fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Gorni-Altaiskit, që çoi në shpalljen e 18 botimeve të tjera si ekstremiste. Sipas vendimeve të këtyre gjykatave, tani për tani është e pamundur të importohet në Rusi ndonjëra nga këto botime. Për më tepër, vendimet gjyqësore u kanë dhënë zemër armiqve të Krishtit të kërcënojnë dhe të sulmojnë dishepujt e tij paqësorë në disa qytete. Që kur u mor vendimi i 8 dhjetorit, janë dokumentuar mbi 300 bastisje, arrestime, kontrolle shtëpish dhe trazira të tjera në adhurim.

Në përgjigje të këtij kërcënimi gjithnjë e në rritje, Trupi Udhëheqës miratoi shpërndarjen e 12 milionë kopjeve të një fletushke të veçantë me titull A mund të ndodhë përsëri? Një pyetje për qytetarët e Rusisë. Fletushka bënte një paralelizëm mes sulmit që iu bë Dëshmitarëve të Jehovait gjatë komunizmit dhe problemeve që po hasin sot. Dëshmitarët e Jehovait e shpërndanë këtë fletushkë të veçantë në mbarë Rusinë në datat 26 deri 28 shkurt 2010. Pavarësisht nga temperaturat e acarta, që shkonin deri në minus 40 gradë celsius, mjaft kongregacione i shpërndanë të gjitha fletushkat në vetëm dy ditë.

Në një kundërsulm që u mor, më 26 prill 2010, Shërbimi Federal për Mbikëqyrjen e Komunikimit, Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit në Masë (Roskomnadzori), na hoqi lejen për të importuar numrat e rinj të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!

Megjithatë, «dora e Jehovait nuk është shkurtuar aq sa të mos shpëtojë dot». (Isa. 59:1) Më 10 qershor 2010, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), shpalli një vendim historik kundër Rusisë e në favor të interesave të Mbretërisë. Në vendimin e çështjes Dëshmitarët e Jehovait kundër Rusisë, deklarohej se mbyllja dhe ndalimi i aktiviteteve të Komunitetit të Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë ishte i paligjshëm dhe dhunim i të drejtave themelore të njeriut për lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe të fesë. Mbyllja dhe ndalimi janë kryer me forcë në Moskë që prej datës 26 mars 2004 dhe si rezultat janë shtuar sulmet dhe abuzimet ndaj tyre. Ky vendim e thotë qartë se qeveria ruse «ka detyrim ligjor . . . t’i japë fund dhunimit të vërtetuar nga Gjykata dhe t’i ndreqë pasojat sa më shumë të jetë e mundur».

Ky vendim tepër i rëndësishëm u referohet në mënyrë të favorshme nëntë fitoreve të Dëshmitarëve të Jehovait në gjykatat e larta, në Kanada, Japoni, Rusi, Afrikën e Jugut, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara. U referohet edhe tetë vendimeve të mëparshme të shpallura nga vetë GJEDNJ-ja në favor të Dëshmitarëve të Jehovait. Duke vepruar kështu, gjykata ka konfirmuar se GJEDNJ-ja vazhdon të besojë se rastet e mëparshme ishin gjykuar drejt. Duke u bazuar te Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe te vendimet e mëparshme, gjykata vendosi se Dëshmitarët e Jehovait nuk ishin fajtorë për asnjë akuzë të ngritur kundër tyre nga autoritetet ruse.

Gjykata vërejti: «Pala paditëse, komuniteti i Dëshmitarëve të Jehovait, ka më tepër se dymbëdhjetë vjet që ekziston dhe vepron ligjërisht në Moskë, që nga viti 1992 deri 2004. Gjatë gjithë kësaj periudhe të ekzistencës së tij të ligjshme, komuniteti paditës, pleqtë e tij dhe secili anëtar nuk janë gjetur kurrë përgjegjës për ndonjë vepër penale, kundërvajtje administrative ose shkelje civile.» Si pasojë, gjykata vendosi se janë shkelur të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait dhe, siç thuhej më tej, «pala e paditur, Shteti, ka detyrim ligjor . . . të përcaktojë . . . masa ligjore që t’i japë fund dhunimit që vërtetoi Gjykata».

Më 9 shtator 2010, qeveria ruse kërkoi rishqyrtim të çështjes nga gjykata e Dhomës së Madhe, pa dyshim si taktikë që të vonojë përgjegjësinë e saj në zbatimin e vendimit. Pavarësisht nëse Jehovai do ta lejojë apo jo rishqyrtimin nga Dhoma e Madhe, jemi të sigurt se do të vazhdojë të jepet dëshmi e jashtëzakonshme.

Serbi:

Pas një lufte ligjore për thuajse katër vjet, Ministria e Çështjeve Fetare në Serbi më në fund i futi «Dëshmitarët e Jehovait: Komunitet Fetar i Krishterë» në Regjistrin për Kishat dhe Komunitetet Fetare në Serbi. Deri në atë moment, ministria i kishte refuzuar tri aplikime për regjistrim, megjithëse grupe të Studentëve Ndërkombëtarë të Biblës, siç njiheshin më parë Dëshmitarët e Jehovait, kanë qenë të pranishëm në këtë rajon që në fillim të viteve 20. Gjithsesi, pasi Gjykata e Lartë në Serbi mori dy vendime në favorin tonë, Ministria e Çështjeve Fetare e pranoi kërkesën për regjistrim.

Në të kaluarën, kundërshtarët​—me ndihmën e medias—​janë përpjekur shpesh t’i paraqitin Dëshmitarët e Jehovait si sekt i rrezikshëm. Pa dyshim, regjistrimi si një komunitet i ligjshëm fetar do t’i ndihmojë njerëzit e sinqertë në Serbi, ta kuptojnë se Dëshmitarët e Jehovait janë qytetarë të mirë që e respektojnë ligjin dhe nuk përbëjnë asnjë kërcënim për komunitetin ose për individët. Rezultati i parë pozitiv i këtij regjistrimi është se literatura biblike dhe artikuj të tjerë që përdoren për mbledhje ose predikim, tani mund të importohen pa paguar doganë ose taksa.

Slloveni:

Më 27 nëntor 2009, «Dëshmitarët e Jehovait: Komunitet Fetar i Krishterë» u fut në regjistrin për kishat dhe komunitetet fetare, që mbahet nga qeveria e republikës së Sllovenisë. Drejtori Zyrës së qeverisë për Komunitetet Fetare i njoftoi përfaqësuesit tanë se, nga 40 organizatat dhe grupet fetare në Slloveni, «Dëshmitarët e Jehovait: Komunitet Fetar i Krishterë» janë të tetët që u regjistruan sërish në bazë të ligjit të ri për lirinë fetare. Nga ky regjistrim, shërbëtorët në kohë të plotë do të përfitojnë disa dobi që qeveria i ofron për të gjithë ata që kryejnë veprimtari fetare në kohë të plotë.

Turqi:

Dëshmitarët e Jehovait në Mersin e kishin përdorur Sallën e tyre të Mbretërisë për afro 20 vjet. Më vonë, në gusht të vitit 2003, autoritetet e mbyllën, pasi sipas tyre ishte shkelur një ligj për urbanistikën. Megjithëse vëllezërit u përpoqën ta zgjidhnin çështjen duke iu drejtuar gjykatave, më 30 dhjetor të vitit 2009, gjykata më e lartë në Turqi e hodhi poshtë kërkesën e tyre dhe mori një vendim në favor të zyrës së guvernatorit në Mersin. Tani është bërë një kërkesë për t’u shqyrtuar në GJEDNJ.

DASHURIA VËLLAZËRORE VIHET NË VEPRIM NË HAITI

Më 12 janar 2010, një tërmet i fuqishëm shkatërroi kryeqytetin e Haitit, Port-o-Prensin, dhe zonat përreth. Qindra mijë njerëz vdiqën dhe shumë më tepër mbetën të pastrehë. Mijëra Dëshmitarë të Jehovait humbën shtëpitë dhe 154 veta humbën jetën. Mjaft të tjerë u plagosën rëndë ose shpëtuan për fije të perit.

Akloku ndodhej në shtëpi kur ra tërmeti. Muret u tundën dhe blloqet binin si të ishin gurë dominoje, duke e mbërthyer mes dyshemesë dhe soletës së shembur. Gjithsesi, nuk u dëmtua rëndë dhe nisi të prekte me duar gjërat që kishte rreth tij në terr. Akloku kujton: «Preka një kovë uji. Nuk lëvizte, por mund të ngjyeja gishtat në ujë e të njomja buzët me ca pika. Gjeta edhe një gur të shkëputur që të bëja zhurmë, me shpresën që dikush ta vinte re gjendjen time të vështirë.» Ai filloi të lutej për ndihmë dhe vazhdoi të trokiste me gur e të priste.

«S’kisha orë dhe nuk e dija sa ishte. Në fillim qava dhe iu përgjërova Jehovait të më shpëtonte. Por ndërsa koha kalonte, i ndryshova lutjet. ‘E di se do të më ringjallësh,—thashë në lutje.—Por jam djalë i ri! Nëse nuk vdes, mund të vazhdoj të të shërbej’»,—tregon Akloku.

Koha kalonte dhe ai mendonte se jeta po i shuhej. Në fund, edhe fuqitë iu shterën e nuk bënte më zhurmë me gur. Pastaj humbi ndjenjat.

Kur Akloku u përmend, disa Dëshmitarë po çanin drejt tij për ta shpëtuar. Ai tregon: «Papritur, betoni më ra mbi këmbë. E kuptova se lëvizja tjetër që do bënin do të ma thyente gjurin, prandaj u zgjata mes së çarës në errësirë dhe i mbërtheva krahun njërit prej tyre.» Shpejt Akloku u çlirua. Kishte qenë nën gërmadha për katër ditë.

JEPET NDIHMË ME SHPEJTËSI

Brenda 24-orëve nga tërmeti, mjeku i parë Dëshmitar erdhi nga dega e Republikës Domenikane. Pas tij pati një vërshim të vazhdueshëm me personel mjekësor dhe ekipe shpëtimi, që ishin Dëshmitarë, bashkë me materiale të dhuruara. Shpejt e shpejt u ngrit një kamp spitalor në pronën e degës, ku morën trajtim mjekësor mbi 1.000 Dëshmitarë dhe jo Dëshmitarë.

Mes pacientëve ishin edhe dy vajza dhe që të dyja kishin humbur krahun e djathtë. Milena, një vullnetare në degë, sjell ndër mend: «Ashtu si të gjithë pacientët beqarë që humbën gjymtyrë, edhe ato merakoseshin se mos nuk do të martoheshin kurrë a të krijonin familje.» Prandaj, Milena kontaktoi një motër që njihte nga Franca, e cila kishte humbur krahun në një aksident me makinë kur ishte e vogël dhe i kërkoi t’i inkurajonte dy vajzat. Motra në Francë dërgoi me postë elektronike ca fotografi të vetes me burrin dhe dy fëmijë të bukur. Teksa i shihnin ato, dy pacientet e reja u ngushëlluan shumë dhe tani po përshtaten mirë me rrethanat e reja.

Përveç ushqimit, rrobave dhe ilaçeve, të mbijetuarit kishin nevojë urgjente për strehim. Vullnetarë Dëshmitarë nga Haiti dhe jashtë vendit, projektuan e ndërtuan më tepër se 1.700 strehë të përkohshme që t’i mbronin nga shiu. Këto strehë ishin edhe njëfarë sigurie për familjet Dëshmitare që u ishin shkatërruar shtëpitë. Rreth muajit qershor, skuadrat e ndihmës kishin filluar të ngrinin Salla Mbretërie të përkohshme dhe, në korrik, autoritetet dhanë lejet e para që të ndërtoheshin Salla Mbretërie të përhershme.

SHËRIM FIZIK, EMOCIONAL DHE FRYMOR

Në mars, një mjek Dëshmitar i specializuar për trajtimin e stresit post-traumatik, u takua me pleqtë e 115 kongregacioneve që ishin prekur nga tërmeti. Mjeku u dha pleqve sugjerime praktike se si t’u jepnin mbështetje frymore anëtarëve të kongregacioneve që ishin traumatizuar emocionalisht. Pastaj, mjeku takoi një për një mbi 100 vëllezër e motra që kishin nevojë për ndihmë të specializuar.

Pak pas tërmetit, Dejvid Splejni nga Trupi Udhëheqës udhëtoi për në Haiti që të siguronte ngushëllim dhe inkurajim. Vëlla Splejni, i cili flet frëngjisht, iu drejtua vëllezërve në një asamble qarkore dhe takoi familjen Bethel, misionarët dhe mbikëqyrësit qarkorë. Të gjithë e çmuan thellë merakun e tij të dashur dhe kujdesin e butë të Trupit Udhëheqës.

Megjithëse dukej se kishte pengesa të pakapërcyeshme, Shkrimet e Krishtere Greke​—Përkthimi Bota e Re u përfundua në gjuhën kreole të Haitit, u shtyp dhe iu dërgua degës. Biblat e reja erdhën vetëm pak orë para se të prezantoheshin në kongresin krahinor në korrik. Gjatë gjithë ngjarjeve të furishme të 2010-s, secili nga ata të përfshirë e ka parë dhe ndier udhëheqjen e mbështetjen e vazhdueshme të Jehovait në mënyra të mëdha e të vogla, që nga përpjekjet fillestare për të dhënë ndihmë e deri tani. Vazhdimisht, furnizimet, transporti dhe personeli i nevojshëm vinin të gjitha bashkë, pikërisht në kohën e duhur e në mënyra kaq të përsosura sa nuk mund të ishin thjesht rastësi. Është ashtu siç u shpreh një misionar prej shumë kohësh: «Duhej të ishe këtu që ta kuptoje sa qartë dukej dora e Jehovait.»

KUSHTIMET E DEGËVE I SJELLIN LAVDI PERËNDISË

Data 13 shkurt 2010, ishte një ditë e paharrueshme për Dëshmitarët e Jehovait në Ishujt Solomon. Stivën Leti, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin e kushtimit në godinat e reja të degës. Mes 368 të pranishmëve ishte Dëshmitari i parë vendës, Klement Fabasua. Një muaj më parë, u bë një pritje për publikun, për ata që jetonin në afërsi të godinave të reja të degës, dhe 273 veta bënë një vizitë. Një nga vizitorët, një arkitekt, shkroi në gazetën kombëtare më të shpërndarë: «Si përfundim, e gjithë godina [e degës] merr notën 10 në të gjitha drejtimet. Shërben si model për komunitetin e Ishujve Solomon, që ta shohë çfarë mund të bëhet këtu pavarësisht se kush e përdor. Për projektuesit, për forcën punëtore të larmishme dhe për administratorët e tanishëm mund të thuhet se kanë krijuar një xhevahir në parajsë.»

Një program kushtimi i paharrueshëm u mbajt në degën e Estonisë, të shtunën, më 3 prill 2010. Të pranishmit, që ishin 438 veta, e shijuan tej mase programin, që përfshinte fjalimin e kushtimit nga Kristian Muntiani, nga dega e Greqisë. Një ndërtesë dykatëshe, që ndodhet në një pronë ngjitur me degën, iu ble kompanisë vendëse të ujit. Ndërtesa e rimodeluar ka studio audio e video, si dhe një klasë për shkolla të ndryshme, si Shkolla Biblike për Vëllezërit Beqarë.

Dega në Letoninë fqinje e gëzoi programin e saj të kushtimit më 10 prill 2010. Pasi lajmi i mirë u predikua si fillim në vitin 1918, vepra jonë përjetoi disa dekada me kundërshtim të egër. Por tani vepra e predikimit po lulëzon në Letoni dhe 248 delegatë nga nëntë vende ishin të pranishëm me vëllezërit e motrat vendëse, që të dëgjonin Kristian Muntianin ndërsa mbante fjalimin e kushtimit.

Të shtunën, më 8 maj 2010, më tepër se 2.200 veta shijuan fjalimin e kushtimit që mbajti Gerrit Lëshi nga Trupi Udhëheqës, në degën e Paraguait. U ndërtua një rezidencë me 32 dhoma dhe një kompleks i ri zyrash, ndërsa rezidenca aktuale u riparua e u rimodelua. Përveç kësaj, u ndërtua nën tokë një depozitë uji që mban 40.000 litra. Që në fillim, autoritetet vendëse mbetën shumë të kënaqura me cilësinë e punës së vullnetarëve vendës dhe të huaj. Një zyrtar tha se kishin pasur shumë probleme me ndërtesat e tjera fetare, por Dëshmitarët e Jehovait kishin reputacion të mirë, sepse çdo gjë e bënin në rregull. Si pasojë, kurrë nuk ishte e vështirë të nxirrje lejet e ndërtimit për degën.

Në degën e Papua Guinesë së Re, të shtunën, më 29 maj 2010, afërsisht 500 vëllezër dhe motra nga 12 vende u mblodhën për të dëgjuar fjalimin e kushtimit që e mbajti Uinston Pejni nga dega e Australisë. Ndërtesat e zgjeruara të degës përfshijnë një ndërtesë katërkatëshe me dhoma gjumi, dhomë ngrënieje, kuzhinë dhe lavanderi, si dhe një ndërtesë për shërbime të tjera bashkë me një Sallë Mbretërie dhe një zyrë përkthimi me hapësirë të bollshme. Në auditor ndodhej edhe një grup Dëshmitarësh që kishin ecur gjashtë ditë nëpër male të thepisura, për të qenë të pranishëm. Grupi ishte i veshur me kostume tradicionale orokajva dhe i mirëpritën me ngrohtësi vizitorët e tjerë, me këngë dhe valle. Një motër prej shumë kohësh, i shprehu me lot në sy ndjenjat e shumë vetave kur tha: «Sot ndihem si të isha në Parajsë!»

«VAZHDONI TË JEPNI SHUMË FRYT»

Nuk ka asnjë dyshim se përpjekjet e bashkuara të Dëshmitarëve të Jehovait vazhdojnë t’i japin lavdi Perëndisë. Jezui tha: «Kjo i jep lavdi Atit tim: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt e të tregoni se jeni dishepujt e mi.» (Gjoni 15:8) Me bekimin e Jehovait dhe drejtimin e tij të dashur, ata do të përpiqen ‘të ecin denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqejnë plotësisht atij. Ndërkaq, do të vazhdojnë të japin fryt në çdo vepër të mirë e të rriten në njohurinë e saktë të Perëndisë, duke u bërë shumë të fuqishëm nga fuqia e tij e lavdishme, që të qëndrojnë plotësisht e të jenë shpirtgjerë me gëzim’.​—Kolos. 1:10,11.

[Figura në faqen 8]

Natsueja rifillon studimin e Biblës

[Figurat në faqen 11]

Kërkuesit verifikojnë me kujdes informacionin

[Figura në faqen 13]

Kore

[Figura në faqen 14]

Meksikë

[Figurat në faqen 14]

Afrika e Jugut

[Figura në faqen 15]

Stivën Leti në një kongres ndërkombëtar në Havai

[Figura në faqen 22]

Dimitri Smeku

[Figura në faqen 25]

Evangjelos Delisi

[Figura në faqen 25]

Certifikata e lëshuar nga Ministria e Drejtësisë

[Figura në faqen 33]

Personeli mjekësor me Dëshmitarë mbërriti shpejt pas tërmetit

[Figura në faqen 33]

Vullnetarë Dëshmitarë nga Haiti dhe jashtë vendit projektuan e ndërtuan më tepër se 1.700 strehë të përkohshme

[Figura në faqen 34]

«Shkrimet e Krishtere Greke​—Përkthimi Bota e Re» del në gjuhën kreole të Haitit

[Figura në faqen 36]

Zgjerimi i degës së Estonisë

[Figura në faqen 37]

Dega e Paraguait

[Figurat në faqen 37]

Uinston Pejni mban fjalimin e kushtimit të degës së Papua Guinesë së Re