Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Papua Guineja e Re

Papua Guineja e Re

Papua Guineja e Re

NË TË kaluarën e hershme, për shumë vite me radhë, dyndje të mëdha njerëzish emigruan në jug, përmes Azisë, në kërkim të një vendi të ri për të jetuar. Në skajin lindor të arkipelagut të Malakës, ata u gjendën para Guinesë së Re, një ishull tropikal me terren të thyer​—ishulli i dytë më i madh në botë. * Ata u çapitën përgjatë bregdetit të nxehtë e të lagësht, u vendosën në moçalishtet e saj të mëdha, në xhunglat e dendura dhe në ishujt e largët e të shpërndarë. Disa iu ngjitën shpateve malore për të banuar në vende të larta me mjaft lugina të gjera dhe tokë pjellore.

Popullsia nuk përbëhej nga një grup i vetëm kombëtar, por kishte më tepër se një mijë fise të vogla e shpesh në luftë me njëri-tjetrin. Ato ndiqnin zakone të ndryshme, kishin veshjet e tyre karakteristike dhe flitnin mbi 800 gjuhë. Shumica e tyre jetonin në territore të ndara e të mbrojtura mirë, të pavetëdijshëm për botën jashtë. Shumë besonin se pas horizontit fshihej një botë me demonë dhe paraardhës të vdekur që ndikonin në jetën e tyre si për mirë, edhe për keq. Jeta e njerëzve vërtitej rreth përpjekjeve për t’i qetësuar këto frymëra.

Këta njerëz ndryshonin shumë me njëri-tjetrin nga pamja, përveç një tipari të përbashkët. Kur vuri re këtë tipar, Zhorzh de Menesesi, një zyrtar portugez që vizitoi vendin në vitin 1526, e quajti ishullin Iljas-dush-Papuash, që do të thotë «vendi i njerëzve me flokë të fryrë e rrica-rrica». Detari spanjoll Inigo-Ortis de Retes mendonte se banorët i ngjanin popullit të Guinesë në Afrikën Perëndimore, prandaj i vuri emrin Nueva Ginea ose Guineja e Re.

Në shekullin e 19-të, fuqitë evropiane e ndanë ishullin në tri pjesë. Holandezët, të cilët erdhën të parët, donin të merrnin gjysmën perëndimore që sot është pjesë e Indonezisë. Britanikët dhe gjermanët e ndanë gjysmën lindore në Guinenë e Re Britanike në jug (më vonë u quajt Papua) dhe në Guinenë e Re Gjermane në veri (më vonë u quajt Guineja e Re). Pas Luftës I Botërore, të dyja këto territore u vunë nën kontrollin e Australisë. Së fundi, më 1975-n, Papua dhe Guineja e Re u bashkuan për të formuar kombin e pavarur të Papua Guinesë së Re. *

Sot Papua Guineja e Re është ende në zhvillim e sipër. Disa nga qytetarët e saj jetojnë në qytete moderne plot me komoditete të teknologjisë së lartë. Prapëseprapë, në çdo 5 njerëz, 4 jetojnë në fshatra të vogla e të largëta, ku jeta ka ndryshuar fare pak për qindra vjet. Në këto fshatra, të kesh derra do të thotë pasuri. Çmimi i nuses është i zakonshëm, spiritizmi është i përhapur gjerësisht dhe besnikëria ndaj fisit është parësore.

Gjithsesi, këto dekadat e fundit, ky vend plot kontraste ka parë një shndërrim më domethënës, që prek njerëzit e sinqertë nga të gjitha grupet etnike dhe ua përmirëson jetën në mënyra të panumërta. Bëhet fjalë për një shndërrim frymor që vjen nga studimi dhe zbatimi i të vërtetave që gjenden në Fjalën e Perëndisë, në Bibël.​—Rom. 12:2.

PËRHAPËSIT E PARË TË LAJMIT TË MIRË

E vërteta biblike mbërriti në Papua Guinenë e Re në vitin 1932 kur Peku, një pionier britanik, bëri një ndalesë gjatë rrugës për në Malakë (tani Malajzi). Nuk e la t’i shpëtonte ky rast, por kaloi disa javë duke u predikuar vendësve. Shpërndau qindra kopje literaturë biblike para se të shkonte në caktimin e tij.

Tre vjet më vonë, shtatë pionierë në një anije me vela e me motor, e quajtur Përhapësja e dritës, ndaluan në Port-Moresbi që të riparonin motorin. Gjatë qëndrimit të tyre njëmujor, predikuan me zell anekënd Port-Moresbit dhe në rrethinat e tij. Një prej tyre, Frenk Duori, një burrë i fortë nga Zelanda e Re, përshkoi më këmbë vendin i ngarkuar me libra dhe shpërndau literaturë biblike deri 50 kilometra larg bregdetit.

Ca nga ajo literaturë i ra në dorë Heni-Heni Niokit, një mjeku magjistar nga fisi i koiarit. Pas kësaj, të vërtetat biblike që mësoi, mbetën të fjetura në zemrën e tij, duke pritur që Dëshmitarët e Jehovait të ktheheshin e të ujitnin atë që ishte mbjellë.​—1 Kor. 3:6.

Gjatë fundit të viteve 30, një tjetër pionier u angazhua në një fushatë të zgjeruar predikimi që mbuloi qytetet kryesore të Papua Guinesë së Re, duke përfshirë ishullin e Britanisë së Re, Irlandës së Re dhe të Buganviles. Ai shpërndau mjaft literaturë biblike. Por, para se dikush tjetër të vazhdonte atë që kishte filluar, rajoni u zhyt në kaosin e Luftës II Botërore.

PREDIKIMI NË «FSHATIN E MADH»

Dymbëdhjetë vjet më vonë, më 22 shtator 1951, një gjatosh australian zbriti nga një aeroplan në nxehtësinë dhe lagështinë mbytëse të Port-Moresbit. Tom Kitoja, një Dëshmitar 47-vjeçar, i ishte përgjigjur një thirrjeje për vullnetarë që të fillohej vepra e Mbretërisë në Ishujt e Paqësorit. Gjashtë javë më vonë, edhe e shoqja, Rovena, u bashkua me të. E gjithë Papua Guineja e Re ishte territori i tyre.

Shpejt çifti Kito kuptoi se shumica e të bardhëve në Port-Moresbi ishin indiferentë ndaj mesazhit të Mbretërisë. Por, pikërisht atëherë, takuan Xhef Beknelin, një tjetër australian, që ishte larguar nga e vërteta kur ishte i ri. Xhefi pranoi të studionte dhe më vonë u bë Dëshmitar besnik bashkë me gruan e tij, Irenën.

Tomi dhe Rovena vazhduan për në Hanuabadë, emër që në motu, në gjuhën vendëse, do të thotë «fshat i madh». I zgjeruar përreth limanit të Port-Moresbit, fshati përfshinte qindra shtëpi të ndërtuara mbi shtylla. Këto shtëpi lidheshin me njëra-tjetrën nëpërmjet rruginave të gjata prej druri që shtriheshin nga bregdeti. «Njerëzit bëheshin grumbull përreth nesh që të dëgjonin lajmin e mirë. Kishte kaq shumë të interesuar saqë u kthyem çdo mbrëmje për të drejtuar studime biblike. Munguam vetëm dy mbrëmje në dy muaj»,—shkruan Rovena. Tomi shton: «Shpresa e ringjalljes dhe e jetës në një tokë parajsore iu duk vërtet tërheqëse këtyre njerëzve. Kur misionarët e të ashtuquajturit krishterim bashkë me një polic vendës u bënë presion të ndërpritnin studimin, asnjëri nuk u lëkund. E vërteta ishte rrënjosur thellë në zemrat e tyre.»

Mes atyre që qëndruan në të vërtetën ishin Raho dhe Konia Rakatani, Oda Sioni, Geua Nioki me burrin e saj Heni-Heni, të cilët kishin marrë literaturë nga ekuipazhi i anijes Përhapësja e dritës, 16 vjet më parë. S’kaloi shumë dhe një grup me rreth 30 të interesuar filloi të vinte në shtëpinë e Heni-Henit që të ndiqte rregullisht mbledhjet. Oda Sioni, i ri në atë kohë, kujton: «Burrat dhe gratë uleshin veç e veç. Gratë mbanin funde kashte, kurse sipër s’vishnin asgjë. Foshnjat i mbanin në rrjeta shumëngjyrëshe që i varnin në trarët e dhomës. Pasi i ushqenin me gji foshnjat, i vinin në këto rrjeta dhe i përkundnin lehtë-lehtë që t’i zinte gjumi.»

Tom Kitoja i drejtonte këto mbledhje me ndihmën e një përkthyesi. Kuptohet, gjërat nuk shkonin gjithnjë vaj. «Në një mbledhje vëllai i Heni-Henit, Badu-Heni, shërbeu si përkthyes,—tregon Don Filderi, i cili erdhi në vitin 1953.—Në fillim dukej se gjërat shkonin mirë, përderisa Baduja përkthente fjalët e Tomit, madje imitonte edhe gjestet e tij. Vetëm më vonë Baduja rrëfeu se ai nuk kuptonte asgjë nga ato që thoshte Tomi. Thjesht përsëriste ato të vërteta që dinte dhe imitonte gjestet e Tomit që të dukej se fjalimi po ecte mirë.» Pavarësisht nga këto sfida, grupi u rrit me shpejtësi dhe s’kaloi shumë e një grup i dytë u formua në shtëpinë e Raho Rakatanit, si dhe në fshatin Hanuabadë.

«HAJDE E MËSO NJERËZIT E MI!»

Më herët, në vitin 1952, Bobogi Naiori, kre i fisit koiari dhe mjek magjistar i shquar, takoi Heni-Henin, uantokun ose fisanakun e vet, dhe ndoqi një mbledhje në shtëpinë e tij. Meqë i bëri shumë përshtypje ajo që pa e dëgjoi, më vonë Bobogi iu afrua Tom Kitos dhe iu përgjërua: «Të lutem, hajde e mëso njerëzit e mi për të vërtetën!»

Jo shumë kohë më pas, Tomi dhe Rovena udhëtuan me kamionçinën e tyre të vjetër në rrugët tërë baltë për në shtëpinë e Bobogit në Haimë, një fshat i vogël rreth 25 kilometra në veri të Port-Moresbit. Tomi u predikoi fshatarëve që ishin mbledhur, ndërsa Bobogi përktheu. Si rrjedhim, rreth 30 veta filluan të studionin Biblën.

Më vonë, në atë muaj, grupi në Haimë ndërtoi një sallë të vogël për mbledhjet e krishtere. Elsi Horsburgu, i cili më vonë i ndoqi mbledhjet atje, kujton: «Salla kishte një strukturë të thjeshtë druri, çati kashte dhe mure të larta gjer në bel me bambu të thurur. Dekorin e brendshëm e kompletonin karriget e thurura me thupra, një llambë me vajgur dhe një dërrasë e zezë e vogël.» Kjo strukturë modeste u bë Salla e parë e Mbretërisë në Papua Guinenë e Re.

Më pas Bobogi donte që edhe uantokët e tij në malet aty afër të dëgjonin lajmin e mirë. Kështu që, ai dhe Tomi u nisën përgjatë një rruge të rrëpirët malore drejt rrafshnaltës së Sogerit. Shumë shpejt këta po studionin me më tepër se 90 veta në tri fshatra atje.

Kjo veprimtari nuk kaloi pa u vënë re nga autoritetet qeveritare. Në Joadabu, një qeveritar hyri vrullshëm në vendin e mbledhjes duke pyetur se kush i kishte autorizuar Dëshmitarët e Jehovait të mësonin fshatarët vendës. Gjithashtu, disa të interesuar, policia i mori në pyetje për veprën tonë. Madje ca pastorë të fshatit dhe pronarë plantacionesh i kërcënuan me dhunë vëllezërit.

Nën një presion të tillë, disa të interesuar e lanë të vërtetën. Pavarësisht nga kjo, një grup i vogël vazhdoi të përparonte. Në vitin 1954, 13 studentë të Biblës u pagëzuan në lumin e Lalokit në Haimë, pagëzimi i parë në Papua Guinenë e Re. Një prej tyre ishte Bobogi, i cili tha: «Edhe nëse largohen të gjithë koiaritët, unë nuk do të largohem, sepse e di që kjo është e vërteta.» Në përputhje me këto fjalë, Bobogi e mbajti integritetin duke shërbyer me besnikëri si plak në kongregacionin e Haimës, derisa vdiq më 1974-n.

GRUMBULLIME TË PAHARRUESHME

Në korrik të vitit 1955, Xhon Katforthi, një misionar kanadez që shërbente në Australi, ishte mbikëqyrësi i parë qarkor që mbërriti në Port-Moresbi. Xhonit filloi t’i pëlqente menjëherë tropiku, mënyra e jetesës dhe njerëzit e përulur. As e kishte idenë se do të shërbente në Papua Guinenë e Re për më se 35 vjet.

Xhoni solli me vete filmin Shoqëria Bota e Re në veprim, një dokumentar që thekson punën organizative dhe kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait. Gjatë vizitës së tij trijavore ua shfaqi 14 herë filmin auditoreve që varionin nga ca qindra në rreth 2.000 njerëz. Filmi pati një ndikim të madh te popullsia vendëse, shumë prej të cilëve nuk kishin parë kurrë një film.

Vizita e Xhonit arriti kulmin në një asamble qarkore njëditore në Haimë. Tom Kitoja kujton: «Kur kandidatëve për pagëzim iu kërkua të çoheshin, . . . shtatëdhjetë veta u ngritën në këmbë. Plot mirënjohje zemrat na gufuan vërtet kur pamë dyzet vëllezërit dhe tridhjetë motrat të rreshtuar gjatë lumit në xhungël, gati për t’ia simbolizuar kushtimin e tyre Jehovait.»

Vitin pasues, vëllezërit morën masa që të mbanin një asamble të dytë qarkore në Haimë. Bobogi, kreu i fshatit, u caktua të ndërtonte strukturat e nevojshme dhe të përgatiste ushqimin për pjesëmarrësit që priteshin të vinin. Tri ditë para asamblesë, Xhon (Ted) Sueli, mbikëqyrësi i ri qarkor nga Australia, u takua me Bobogin që të fliste për përgatitjet.

—Çfarë ke ndërtuar?—pyeti Tedi duke hyrë drejt e në temë.

—Deri tani asgjë,—u përgjigj Bobogi.

—Po sot është e enjte Bobogi dhe asambleja është të dielën!—tha Tedi me ton pak qortues.

—Mos ki merak vëlla,—u përgjigj Bobogi.—Do t’i bëjmë të gjitha të shtunën.

Tedi u shokua dhe u kthye në Port-Moresbi i bindur se asambleja do të ishte një katastrofë nga ana organizative.

Të dielën i hipi makinës dhe u nis tërë ankth për në Haimë, që të shihte ç’kishte ndodhur. Çfarë shndërrimi! Nën një pemë të madhe përballë një zone të gjerë e të pastruar, ndodhej një podium i fortë druri. Shumë më tutje ndodheshin vatra gatimi prej guri ku piqeshin derra, kangurë të vegjël, drerë, pëllumba, peshq, jams dhe patate të ëmbla. Çajnikët zienin mbi një zjarr të hapur aty jashtë. Turma njerëzish gumëzhinin të lumtura te vendi ku shërbehej ushqimi, i sajuar me materiale nga pylli. Dhe mes gjithë asaj veprimtarie qëndronte Bobogi, që dukej fare i qetë. Tedi mbeti krejt i shtangur.

—Ku e mësove ta bësh gjithë këtë Bobogi?—tha ai i mahnitur.

—Eh, gjithçka e pashë tek ai filmi që na tregoi Xhon Katforthi vitin e kaluar,—u përgjigj Bobogi.

Në asamble morën pjesë mbi 400 njerëz nga tetë grupe etnike, 73 prej të cilëve u pagëzuan. Në vitet që pasuan ajo kujtohej si asambleja e Bobogit.

PREDIKOJNË ME VIZATIME

Në vitin 1957, Xhon Katforthi u shpërngul një herë e mirë në Papua Guinenë e Re dhe nisi të shërbente në veprën udhëtuese. Që në vizitën e parë e kishte menduar gjerë e gjatë cila do të ishte mënyra më e mirë për t’u predikuar vendësve, shumica e të cilëve ishin analfabetë. Tani ishte gati t’i vinte në zbatim idetë.

Kur i drejtohej një kongregacioni ose një grupi të izoluar, si fillim Xhoni shkruante në dërrasën e zezë emrin e tij dhe të përkthyesit. Pastaj, duke treguar me gisht drejt qiellit, pyeste auditorin: «Perëndia, çfarë emri?» Ai shkruante përgjigjen e tyre «Jehova» dhe «Psalmi 83:18» në fillim të dërrasës. Më pas, poshtë në të majtë, shkruante titullin «Bota e vjetër» dhe vizatonte dy burra që ziheshin, një njeri që qante, një varr dhe «Romakëve 5:12». Në të djathtë, shkruante titullin «Bota e re» dhe vizatonte dy burra që i jepnin dorën njëri-tjetrit, një fytyrë që qeshte, një varr që i kishte hequr kryq dhe «Zbulesa 21:4». Pastaj mbante një fjalim të gjallë duke shpjeguar vizatimet dhe në fund ftonte individë nga auditori të vinin para dhe të përsëritnin atë që kishin dëgjuar. Kur e kuptonin, i ftonte t’i kopjonin vizatimet në një fletë dhe t’i përdornin në predikim.

«Predikimi i parë me vizatime», siç quhej, pati ndikim të madh në veprën e predikimit në Papua Guinenë e Re. Shumë shpejt u bënë të tjera predikime me vizatime. «Kaluam orë të panumërta duke i kopjuar nëpër fletore këto predikime me vizatime. Çdo student i Biblës merrte një fletore, të cilën e përdorte që t’u predikonte të tjerëve»,—thotë Lina Dejvisoni e cila shërbeu këtu për 47 vjet. Fëmijët i bënin vizatimet në fletoret e tyre dhe i ngjyrosnin gjithë krenari.

Kjo metodë mësimi u përdor edhe për mbledhjet e kongregacionit. «Vizatimet në dërrasë të zezë përdoreshin gjerësisht gjatë Mbledhjes Publike dhe Studimit të Kullës së Rojës, duke i ndihmuar shumë ata që nuk dinin të lexonin»,—shpjegon Xhois Uillis, një pionier kanadez që qëndroi më shumë se 40 vjet në Papua Guinenë e Re. Predikimet me vizatime të bëra në kanavacë përdoreshin për të mësuar nëpër asamble. Majk Fisheri, që shërbeu në veprën qarkore, thotë: «Këto piktura të mëdha njiheshin gjerësisht dhe ngulitnin mësime themelore në mendjen e të pranishmëve. Shumë nga pikturat përfunduan të varura në shtëpitë e lajmëtarëve në zona të thella, të cilët i përdorën tërë krenari që t’u dëshmonin mysafirëve.»

Dekada më vonë, kur më tepër njerëz filluan të mësonin lexim e shkrim dhe literatura me ilustrime gjendej kollaj, predikimet me vizatime u ndërprenë.

SHTRIHET MË TEJ VEPRA E PREDIKIMIT

Gjatë fundit të viteve 50, pati një vërshim të vazhdueshëm të australianëve të zellshëm që u shpërngulën në Papua Guinenë e Re, të etur për të predikuar lajmin e mirë. Përveç kësaj, shumë njerëz që morën të vërtetën në Port-Moresbi u kthyen në fshatrat e tyre me mesazhin e Mbretërisë. Kështu lajmi i mirë u përhap me shpejtësi në të gjithë vendin.

Në vitin 1957, David Uokeri, një vëlla australian 26-vjeçar që jetonte në Port-Moresbi, mori vesh se njerëzit në fshatin fqinj të Manu-Manut dhe në rajonin e Gabadit kishin interes për të vërtetën. Davidi e la punën, filloi si pionier special dhe kaloi një vit duke predikuar në atë rajon, ku shërbeu i vetëm gjatë gjithë kohës. Më vonë, të tjerë vazhduan atë që nisi ai dhe tani Manu-Manu ka një kongregacion e një Sallë Mbretërie.

Ndërkohë, Don Filderi takoi disa peshkatarë të interesuar për të vërtetën, ndërsa predikonte në pazarin e Kokit, në Port-Moresbi. Ata ishin nga Hula, fshat bregdetar rreth 100 kilometra në lindje. Që t’i ndihmonte më tej ata dhe familjarët e tyre, Doni bashkë me Atol (Dap) Robsonin dhe me disa të interesuar nga Hula, nisën lundrimin për atje me kanoen e re 8-metërshe, së cilës Doni i kishte bashkëngjitur një kanoe tjetër. Ata ndenjën në Hula tri ditë dhe formuan një grup të vogël studimi.

Jo shumë kohë më vonë, Doni shkoi në Hulë si pionier special dhe mori me vete gruan, Shirlin, dhe vajzën 2-vjeçare, Debin. Doni tregon: «Ndërtuam një kasolle të vogël dhe filluam predikimin në pesë fshatrat e zonës. Kjo kërkonte që çdo ditë t’i vinim rreth e rrotull më këmbë një distance gati 12 kilometra. Rraskapiteshim fizikisht, por freskoheshim frymësisht, pasi filluam mjaft studime biblike dhe shpejt kishim tetë lajmëtarë të rinj që shërbenin me ne.»

Predikimi i Donit dhe i Shirlit i fryu zemërimit të klerikut të Kishës së Bashkuar vendëse, i cili i bëri presion pronarit të tokës që t’ua hiqte kasollen. Doni thotë: «Kur njerëzit e një fshati fqinjë dëgjuan për këtë, u zemëruan jashtë mase, sepse nuk donin të largoheshim. Afro 20 prej tyre na ndihmuan të shpërngulnim kasollen, me gjithçka që kishte, në një pronë të fshatit të tyre.»

Kleriku i tërbuar nuk u dorëzua. U përpoq të bindte autoritetet e Port-Moresbit që të mos e lejonin çiftin Filder ta vendoste kasollen në atë krahinë. Doni thotë: «Në vend që të largoheshim nga caktimi, i kërkuam Alf Grinit, zdrukthëtar i aftë, të na ndërtonte një strehë të vogël në kanoen tonë që të mos na shkonte dëm druri i kasolles. Më pas e ankoruam kanoen në një moçalishte mangrovash, buzë grykëderdhjes së një lumi aty afër. Mes mizërisë së mushkonjave e mes krokodilëve që zinin pritë, jetuam dhe shërbyem si pionierë për dy vjet e gjysmë.» Kur u lindi vajza e dytë, Viki, çifti Filder u kthye në Port-Moresbi. Më vonë morën pjesë në veprën udhëtuese dhe Doni shërbeu në Komitetin e Degës.

TË TJERË DËGJOJNË LAJMIN E MIRË

Gjatë asaj kohe në Port-Moresbi, Lans dhe Dafna Gosoni filluan të studionin Biblën me disa djem që ishin nga Kerema, fshat bregdetar rreth 225 kilometra në perëndim të Port-Moresbit. Kur djemtë u kthyen në fshat për pushime, Lans Gosoni me Xhim Çamblisin vendosën t’i vizitonin për dy javë që të çonin lajmin e mirë në Keremë.

Lansi shkruan: «I gjithë fshati u mblodh që të na dëgjonte. Gjatë prezantimit tonë, ia behu pastori vendës i Shoqërisë Misionare të Londrës dhe sulmoi përkthyesin, duke e goditur disa herë radhazi para se të ndërhynin fshatarët. Ai ngulte këmbë se vendësit nuk na donin atje dhe na urdhëroi të largoheshim nga zona ‘e tij’. Iu përgjigjëm se ata që donin të na dëgjonin, të vinin me ne në anën tjetër të fshatit, kurse pjesa tjetër të rrinte me të. I gjithë fshati erdhi me ne.

Mëngjesin vijues shkuam të takonim shefin e policisë së krahinës, që t’i raportonim ç’kishte ndodhur. Rrugës takuam një grua shumë të sëmurë. U treguam të gatshëm ta çonim në spital, por ajo kishte frikë të shkonte. Vetëm pas shumë përpjekjesh për ta bindur, më në fund pranoi të vinte me ne. Pasi e lamë te mjeku, shkuam te shefi i policisë që dukej qartë se nuk na priti me qejf. Në fakt, na akuzoi gjithë inat se i mësojmë njerëzit të mos pranojnë ndihmë mjekësore. Pikërisht në atë moment, hyri mjeku i spitalit dhe e dëgjoi pa dashje akuzën e tij. I tha shefit të policisë që ne sapo kishim bindur një grua të sëmurë të shkonte në spital për t’u kuruar. Kur dëgjoi këtë, shefi kërkoi menjëherë falje. Na tha se prifti katolik sa e kishte takuar dhe i kishte keqinterpretuar bindjet tona. Më pas caktoi dy policë të armatosur të na mbronin nga telashet e tjera. Ishte përvojë e pazakontë të studionim Biblën me të tjerët në praninë e policëve me armë.»

S’kaloi shumë dhe dy të rinj australianë, Xhim Smithi dhe Lajonel Dingëlli, u caktuan në Keremë si pionierë specialë. Menjëherë iu futën punës që të mësonin tairuma, gjuhën vendëse. Xhimi shpjegon: «Thoshim çdo fjalë në gjuhën motu, kurse studentët biblikë na thoshin fjalën përkatëse në tairuma, të cilën e shkruanim. Kështu bëmë një fjalor të vogël dhe mësuam përmendsh një prezantim të thjeshtë biblik. Vendësit mahniteshin kur na dëgjonin t’u flitnim në gjuhën e tyre, pasi asnjë i bardhë tjetër në krahinë nuk e bënte këtë. Pas tre muajsh mbanim çdo javë mbledhje në gjuhën tairuma në të dyja anët e gjirit të Keremës.»

Më vonë, Glen Finleji, një tjetër pionier i ri australian, u nda nga Xhimi dhe Lajoneli e predikoi i vetëm në Keremë për 18 muaj. Gleni thotë: «Ishte kohë sprove për mua dhe ndonjëherë pyetja veten nëse po nxirrja gjë në dritë. Por më pas, një përvojë nga e cila mësova përulësinë, më ndryshoi pikëpamjen.

Njëri nga studentët e mi biblikë ishte një i moshuar që punonte si bukëpjekës në fshat e quhej Hevoko. Ishte krejt analfabet dhe iu deshën disa muaj që të mësonte vetëm ca të vërteta themelore. Pyetja veten nëse ia vlente ta mësoja. Por një mëngjes, teksa shkoja te shtëpia e tij, dëgjova një zë dhe ndalova të dëgjoja. Ishte Hevoko që po i lutej me zë Jehovait. Po e falënderonte me gjithë shpirt, sepse i kishte mësuar të vërtetën për emrin dhe Mbretërinë e Tij. Lutja e sinqertë e Hevokos më kujtoi se Jehovai sheh zemrat e njerëzve, jo intelektin. Ai i njeh mirë ata që e duan.»​—Gjoni 6:44.

PËRBALLEN ME KULTIN E PASURISË

Në vitin 1960, dy pionierë të tjerë nga Australia, Stivën Blandi dhe Alen Hoskingu, shkuan në Savajvajri, fshat rreth 50 kilometra në lindje të Keremës. Pasi jetuan në tendë për tre muaj, Stivëni dhe Aleni shkuan në një shtëpizë me shkurre në një plantacion arrash kokosi, rrethuar nga një kënetë e madhe.

Savajvajri ishte i njohur për kultin e pasurisë. Si filloi ky kult? Gjatë Luftës II Botërore, vendësit mrekulloheshin me pasurinë e madhe të ushtarëve të huaj. Kur përfundoi lufta, ushtarët u larguan me gjithçka kishin. Disa fshatarë arsyetonin se, meqë kjo pasuri vinte nga përtej horizontit​—vendi ku sipas tyre jetonin shpirtrat—​duhej t’ua kishin dërguar paraardhësit e tyre të vdekur, por që ishte penguar nga ushtarët. Që t’i njoftonin shpirtrat për nevojën e tyre, njerëzit u përfshinë në stërvitje gjoja ushtarake dhe ndërtuan mole të forta që të ishin gati për ditën e lavdishme kur të vinte ndonjë pasuri tjetër e madhe.

Nuk kaloi shumë dhe Stivëni e Aleni po studionin me 250 pjesëtarë të kultit të pasurisë, përfshirë udhëheqësin dhe disa nga «dymbëdhjetë apostujt» e tij. Stivëni thotë: «Shumë prej tyre e përqafuan të vërtetën. Jo më kot oficeri i patrullës së qeverisë vendëse më vonë na tha se predikimi ynë kishte ndihmuar shumë që të hiqej kulti i pasurisë në Savajvajri.»

PRODHOHET LITERATURË BIBLIKE

Pionierët e parë shpejt panë sa vlerë kishte përkthimi i literaturës biblike në gjuhët vendëse. Por si mund të siguronin literaturë në 820 gjuhët që fliteshin atje?

Më 1954, Tom Kitoja bëri hapin e parë dhe organizoi vëllezërit vendës që të përkthenin një kapitull të librit «Le të dalë Perëndia i vërtetë» * në motu, gjuha e Port-Moresbit. Mbi dyqind kopje të atij kapitulli të shaptilografuar me titullin ‘Toka e Re’, u shpërndanë në formë pamfletesh, dhe kjo gëzoi shumë njerëz që flitnin motu.

Teksa vepra zgjerohej në territore të reja, pionierët u munduan me mish e me shpirt të përkthenin literaturë në gjuhët vendëse. Xhim Smithi tregon: «Duke shkruar fjalët e shprehjet e reja, përpilova me mjaft kujdes një fjalor dhe shënime gramatikore për gjuhën tairuma, që më vonë i përdora për të përkthyer artikuj studimi të Kullës së Rojës. Shpesh punoja deri natën vonë duke shtypur artikujt e përkthyer në fleta letre që t’ua shpërndanim njerëzve që vinin në mbledhje. Më vonë përktheva një fletushkë dhe një broshurë në tairuma. Ato botime të hershme ndihmuan mjaft njerëz nga Kerema të mësonin të vërtetën.»

Botime të tjera u botuan në hula dhe toaripi. Meqë dukej e pamundur të shtypeshin botime në çdo gjuhë, më vonë vëllezërit i përqendruan përpjekjet te dy gjuhët që përdoreshin për tregti, hiri-motu dhe tok-pisine. Hiri-motu, një formë e thjeshtë e gjuhës motu, flitej nga shumë njerëz përgjatë bregdetit të Papuas. Don Filderi thotë: «Punuam fort që të përmirësonim formën e shkruar të kësaj gjuhe. Vërtet, Kulla e Rojës dhe botimet e tjera që përkthyem në hiri-motu bënë shumë për të zhvilluar gjuhën e për ta pasuruar siç përdoret sot.» Tok-pisine, një përzierje e anglishtes, gjermanishtes, kuanuas dhe gjuhësh të tjera, flitet gjerësisht në vendet malore, në rajonet bregdetare dhe në ishujt e Papua Guinesë së Re. Si filloi vepra e predikimit në këtë territor të larmishëm?

LAJMI I MIRË PËRHAPET NË VERI

Në qershor të vitit 1956, pionierët e sapomartuar Ken dhe Rosina Frejmi, ishin Dëshmitarët e parë që shkuan në Irlandën e Re, ishull në arkipelagun e Bismarkut, në verilindje të Papua Guinesë së Re. Keni, që ishte llogaritar, punoi në një kompani të madhe tregtare në Kavieng, qyteti kryesor i ishullit. Ai tregon: «Para se të largoheshim nga Sidnei, na këshilluan që fillimisht t’i linim njerëzit të mësoheshin me ne e pastaj t’u predikonim hapur. Rosina ishte rrobaqepëse e zonja dhe shpejt bëri shumë klientë. U dëshmonim në mënyrë joformale dhe s’kaloi shumë e u formua një grup të interesuarish që mblidheshin një herë në javë në shtëpinë tonë, pa rënë tepër në sy.

Tetëmbëdhjetë muaj më vonë, Xhon Katforthi, mbikëqyrësi qarkor, na vizitoi dhe na pyeti nëse mund të shfaqte filmin Lumturia e Shoqërisë Bota e Re. Fola me pronarin e kinemasë për filmin që donim ta shfaqnim falas. Ai ra dakord dhe na e dha ambientin pa kërkuar para. Punonjësit e kinemasë me siguri duhej t’u kishin treguar të tjerëve për filmin, pasi, kur erdhëm në kinema, hyrja ishte plot e përplot, sa na u desh të çanim para me ndihmën e policëve. Filmin e ndoqën mbi 230 veta, pa numëruar ata që mezi shihnin nga dritaret e hapura. Pas kësaj ngjarjeje predikuam më lirisht.»

Në korrik të vitit 1957, u themelua një kongregacion në Rabaul, në Britaninë e Re, një qytet-port i bukur midis dy vullkanesh aktive. Ky kongregacion mblidhej në oborrin e pasëm të një shtëpie që e kishin marrë me qira pionierët specialë. Norm Sharini, një pionier, thotë: «Çdo natë vinin mbi njëqind veta për të studiuar Biblën. I ndanim në grupe me rreth 20 veta dhe i mësonim nën dritën e llambës, poshtë pemëve.»

Kur kongregacioni mbajti asamblenë e parë qarkore, shtatë veta u pagëzuan në një plazh aty. Shpejt pesë prej tyre u bënë pionierë. Po ku mund të shërbenin sa më shumë? Zyra e Degës e Australisë dha përgjigjen​—në Madang.

Në Madang, qytet në pjesën bregdetare, në verilindje të Papua Guinesë së Re, «fushat» ishin të bardha për korrje. (Gjoni 4:35) Në fakt, grupi i vogël i lajmëtarëve mezi ia dilnin të ndiqnin gjithë atë interes. Kur pionieri kanadez Methju Poup me familjen shkuan atje dhe blenë një shtëpi me disa baraka prapa, u hap rruga për të dërguar më shumë pionierë.

Tetë pionierë mbërritën nga Rabauli dhe u shpërndanë në krahinën e Madangut. Njëri prej tyre, Tamul Marungu, gjeti një biçikletë, e vuri në barkë dhe lundroi përgjatë bregut për në Basken, fshati i tij i lindjes, 48 kilometra në veri të Madangut. Pasi predikoi në Basken, u kthye me biçikletë në Madang duke predikuar rrugës. Më pas u kthye në Basken, formoi një kongregacion dhe shërbeu si pionier edhe për 25 vite të tjera. Gjatë asaj kohe u martua dhe krijoi familje. Vajza dhe mbesa më vonë shërbyen në Bethel.

Ndërkohë, në Madang, Xhon dhe Lina Dejvisoni takuan Kalip Kanain, një mësues shkolle nga Talidigu, fshat i vogël midis Baskenit dhe Madangut. S’kaloi shumë dhe Xhoni e Lina udhëtuan për në Talidig që të studionin me Kalipin dhe të afërmit e tij. Kjo ngjalli zemërimin e inspektorit të shkollës, që ishte katolik, dhe urdhëroi policinë të dëbonte Kalipin dhe të afërmit e tij nga shtëpia e tyre. I palëkundur, grupi shkoi në Bagildig, një fshat fqinj, dhe atje u bë kongregacion i begatë. Më vonë ndërtuan një Sallë Mbretërie të madhe që u përdor për asamble dhe kongrese. Tani në krahinën e Madangut ka shtatë kongregacione dhe dy grupe.

Ndërsa vepra në Madang po zgjerohej, Xhim Bardi dhe Xhon e Magdalena Endori po bënin punë të mirë në Lae, qytet i madh bregdetar rreth 210 kilometra në juglindje. Xhoni kujton: «Thuajse çdo natë studionim me grupe të mëdha njerëzish në shtëpinë tonë. Brenda gjashtë muajsh, dhjetë prej studentëve tanë të Biblës u bashkuan me ne në predikim.» Më vonë, po atë vit, më se 1.200 veta panë filmin Shoqëria Bota e Re në veprim në kinoteatrin e Laes. Shumë veta në auditor ishin punëtorë me kontratë, të cilët e çuan lajmin e mirë në fshatrat e tyre të largëta, në male, kur u kthyen atje.

Lajmëtarë të fortë po bënin një punë të mirë edhe në brendësi të vendit, nga Lae. Në Uor, Xhek Arifaj, njeri trupmadh e fytyrërrumbullakët dhe me zell të paparë për t’i shërbyer Jehovait, kishte formuar një kongregacion të begatë në shtëpinë e tij. Përveç kësaj, rreth 30 pjesëtarë të fisit kukukuku​—dikur kanibalë të frikshëm—​po studionin Biblën e po bënin përparim të mirë frymor.

Ndërkohë, në Bulolon fqinj, predikimi i Uolli dhe Xhoi Busbrixhit nxiti inatin e komunitetit fetar të Fiseve të Reja, të cilët e mbanin zonën ekskluzivisht si territorin e tyre. Nga presioni i tyre, punëdhënësi i Uollit i dha ultimatumin: «Hiq dorë nga feja ose gjej punë tjetër!» Uolli dhe Xhoi shkuan në Lae dhe vazhduan predikimin. Më vonë filluan shërbimin e plotkohor dhe kaluan mjaft vjet në veprën udhëtuese.

Popondeta, qytet i vogël në juglindje të Laes, e dëgjoi lajmin e mirë me anë të Jerom dhe Lavinia Hototës, të cilët u transferuan nga Port-Moresbi në provincën e tyre. Jeromi ishte njeri i iniciativës dhe i përdorte Shkrimet në mënyrë bindëse, kurse Lavinia ishte një grua e dashur, e cila tregonte interes të vërtetë për të tjerët. Ata filluan predikimin dhe, siç pritej, peshkopi anglikan i shoqëruar me një grup të madh, shpejt arriti në shtëpinë e tyre e i kërkoi të mos predikonin më. Por Jeromi dhe Lavinia nuk u trembën. Vazhduan predikimin dhe formuan një kongregacion të vogël, por të zellshëm.

Më 1963, lajmi i mirë kishte arritur në Vivak, qytet në bregun e largët verior të Papua Guinesë së Re. Karl Tejnori dhe Oto Ejberharti, dy punëtorë ndërtimi gjermanë, ditën punonin në spitalin e Vivakut, kurse mbrëmjeve e fundjavëve studionin me më tepër se 100 veta. Predikimi i tyre ndezi zemërimin e priftit katolik vendës, i cili mblodhi një turmë dhe i flaku në det motoçikletat e Karlit e të Otos. Njëri nga bashkëpunëtorët e priftit, i cili ishte udhëheqës i shquar i fshatit, kishte një djalë që më vonë u bë Dëshmitar. Përmirësimet që djali bëri në jetë, i lanë kaq përshtypje këtij burri, sa qëndrimi iu zbut dhe u dha leje Dëshmitarëve të predikonin në fshatrat që vareshin prej tij.

THEMELOHET ZYRA E DEGËS

Ndërkohë që kleri përpiqej të mbante nën kontroll «problemin» e Dëshmitarëve, vëllezërit bënë hapa që të ‘themelonin ligjërisht lajmin e mirë’ në instancën më të lartë. (Filip. 1:7) Si rezultat, më 25 maj 1960, u regjistrua zyrtarisht nga qeveria Shoqata Ndërkombëtare e Studentëve të Biblës, korporatë ligjore e përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait në mjaft vende. Kjo u hapi rrugën vëllezërve që të siguronin tokë nga qeveria për të ndërtuar Salla Mbretërie dhe godina të tjera të nevojshme për përkrahjen e veprës së Mbretërisë.

Më vonë, atë vit, u themelua edhe një zyrë dege e Shoqatës Watch Tower në Papua Guinenë e Re. Xhon Katforthi u caktua shërbëtor i degës. Por jepeshin pak toka me qira, prandaj lindi pyetja se ku do të vendosej zyra.

Përgjigjja erdhi me anë të një çifti që sapo kishin mbërritur, Xhim dhe Florensa Dobinsit. Xhimi kishte shërbyer në Flotën Ushtarake të SHBA-së në Papua Guinenë e Re gjatë Luftës II Botërore. Më vonë, ai dhe gruaja pranuan të vërtetën dhe vunë si synim të zgjeronin shërbimin. Xhimi tregon: «Më 1958-n, një vëlla nga Port-Moresbi erdhi të na takonte në shtëpinë tonë në Ohajo dhe na tregoi disa fotografi të Papua Guinesë së Re. Më vonë gjetëm një fotografi që e kishte harruar. Në të tregohej një nga pamjet më të bukura që kishim parë ndonjëherë. Gruaja tha: ‘T’ia çojmë me postë.’ Por unë iu përgjigja: ‘Jo, le t’ia çojmë vetë.’»

Një vit më vonë, Xhimi dhe Florensa me bijat e tyre, Sherinë dhe Deborën, shkuan në një shtëpi të vogël betoni në Siks-Majl, në periferi të Port-Moresbit. S’kaloi shumë dhe Xhimi filloi t’i fliste Xhon Katforthit për një vend për zyrën e degës.

Xhoni u ankua: «Kam kërkuar gjithandej nëpër Port-Moresbi për një vend, por nuk kam gjetur asgjë.»

Xhimi iu përgjigj: «Po shtëpia jonë si të duket? Ti mund të përdorësh tri dhomat përpara, kurse unë me familjen mund të jetojmë në dhomat prapa.»

Shpejt u bënë të gjitha rregullimet e nevojshme dhe më 1 shtator 1960 shtëpia e çiftit Dobins u regjistrua zyrtarisht si zyra e parë e degës në Papua Guinenë e Re.

‘TË NDALOHEN DËSHMITARËT’

Gjithë ky përparim nuk u pëlqeu kundërshtarëve tanë. Nga viti 1960 e më tej, forcat e bashkuara të kishave të të ashtuquajturit krishterim, organizata e veteranëve dhe e personelit ushtarak të mbrojtjes australiane (Returned Services League, RSL) dhe media vendëse bënë një fushatë të organizuar, që të flitnin keq e të ndalonin Dëshmitarët e Jehovait.

Gjërat arritën kulmin kur disa mjekëve, klerikëve dhe qeveritarëve iu shpërndanë pamflete ku shpjegohej qëndrimi ynë ndaj transfuzioneve të gjakut. Siç pritej, kleri ishte i pari që reagoi. Më 30 gusht 1960, South Pacific Post kishte këtë artikull kryesor «Kishat acarohen për çështjen e gjakut». Në artikullin shoqërues, udhëheqësit e kishës i akuzonin Dëshmitarët si ‘antikrishtër dhe armiq të kishës’.

Artikuj të tjerë duke gënjyer pohonin se Dëshmitarët e Jehovait nuk u nënshtroheshin autoriteteve qeveritare dhe se mësimet e tyre sillnin mungesa pa arsye në shkollë, mospagim të taksave, kultet e pasurisë e madje higjienë të varfër. Raporte të tjera i akuzonin në mënyrë të rreme se përdornin një eklips diellor, që pritej të ndodhte së shpejti, për të frikësuar dhe «për të pasur nën kontroll mendjet e paarsimuara vendëse». Madje një artikull i qortonte Dëshmitarët sepse «jetonin, hanin dhe punonin me fshatarë». Gazeta South Pacific Post i kritikonte ngaqë mësonin se «të gjithë njerëzit janë të barabartë» dhe pohonte se Dëshmitarët ishin «një kërcënim më i madh se komunizmi».

Në fund, më 25 mars 1962, RSL-ja u bëri thirrje autoriteteve koloniale të ndalonin Dëshmitarët. Por qeveria australiane e refuzoi publikisht këtë thirrje. Don Filderi thotë: «Ky njoftim pati ndikim të mirë në të gjithë vendin. Ata me mendje të hapur panë se pohimet e kundërshtarëve tanë thjesht nuk ishin të vërteta.»

PREDIKOJNË NË VENDE MALORE

Po atë muaj, Tom dhe Rovena Kitoja u larguan nga Port-Moresbi e nisën një udhëtim rraskapitës që zgjati disa javë. Po e çonin lajmin e mirë në territore të paprekura​—në vendet e thepisura malore të Guinesë së Re.

Tridhjetë vjet më parë, kërkuesit australianë të arit kishin eksploruar vendet malore dhe kishin zbuluar një qytetërim prej rreth një milion banorësh, krejtësisht të ndarë nga pjesa tjetër e botës. Malësorët, gjithë nderim për të bardhët, menduan se ishin shpirtrat e paraardhësve të rikthyer nga të vdekurit.

Shpejt pasi kërkuesit gjetën këtë qytetërim, erdhën misionarët e të ashtuquajturit krishterim. Rovena tregon: «Kur misionarët dëgjuan për ardhjen tonë, i urdhëruan fshatarët të mos na dëgjonin. Por paralajmërimi i tyre doli një reklamë e mirë, pasi malësorët​—kureshtarë nga natyra—​mezi po na pritnin.»

Tomi dhe Rovena hapën një dyqan të vogël në Uabag, 80 kilometra në veriperëndim të qytetit Maunt-Hagen. Tomi thotë: «Kleri urdhëroi famullinë e tij të mos bënin pazar me ne e as të mos na flitnin, madje u bëri presion të kërkonin që kontrata jonë e tokës të anulohej. Megjithatë, me kalimin e kohës, fshatarët e panë se ne ishim ndryshe nga të bardhët e tjerë që njihnin. Ishte shumë e qartë që ne i trajtonim me dashamirësi. Vërtet, veprat tona të dashura shpesh bënë t’u dilnin lot nga sytë dhe thanë se nuk donin të largoheshim.»

MËSIMI ME DURIM SJELL REZULTATE

Që nga viti 1963 e më tej, një valë Dëshmitarësh nga jashtë shtetit shkuan në vendet malore që të ndihmonin për përhapjen e veprës së predikimit. Duke u shpërngulur herë pas here nga lindja në perëndim, këta vëllezër e motra arritën të mbulonin të gjithë rajonin, duke formuar grupe dhe kongregacione në shumë zona.

Në Gorokë, në Krahinën Lindore të Vendeve Malore, një kongregacion i vogël mblidhej si fillim në një shtëpi private. Më vonë ndërtuan me materiale nga pylli një vend modest ku të mblidheshin. Pastaj më 1967-n, ndërtuan një Sallë Mbretërie tërheqëse me 40 karrige. Xhorxh Kokseni, i cili shërbeu në vendet malore për dhjetë vjet, kujton: «Me shaka thoja se, derisa të vinte Harmagedoni, ato karrige nuk do të mbusheshin. Sa gabim e kisha! Brenda 12 muajsh mbledhjet po i ndiqnin kaq shumë veta, sa na u desh të formonim një kongregacion të dytë.»

Më larg drejt lindjes, afër Kainantos, Norm Sharini studionte Biblën me më shumë se 50 fshatarë, të cilët vinin në kasollen e tij çdo ditë. Më vonë, pionierët Bernt dhe Erna Anderseni u kujdesën për këtë grup për dy vjet e gjysmë. Erna tregon: «Njerëzit laheshin rrallë, vishnin pak rroba, ishin krejt analfabetë dhe të zhytur në demonizëm. Por, me durim dhe ndihmë të dashur, shpejt disa prej tyre mund të thoshin përmendsh dhe të shpjegonin 150 shkrime.»

Bernti dhe Erna u lidhën shumë me grupin e tyre. Ajo thotë: «Kur u caktuam në Kavieng, gratë u mblodhën rreth meje dhe qanin, po, zinin kujën. Vinin me radhë e më përkëdhelnin krahët dhe fytyrën teksa lotët u binin çurg. Herë pas here, kthehesha në kasollen time që të qaja ndërsa Bernti përpiqej t’u jepte zemër, por asgjë nuk i ngushëllonte dot. Kur në fund u nisëm, një turmë e madhe zbriti nga mali e na erdhi pas makinës dhe gratë qanin me të madhe gjatë gjithë rrugës. Ende e kam tepër të vështirë të përshkruaj sa m’u këput shpirti atë ditë. Sa shumë duam t’i takojmë ata njerëz të shtrenjtë në botën e re!» Punën e Berntit dhe të Ernës e vazhduan pionierë të tjerë dhe në Kainanto u themelua një kongregacion i shkëlqyer.

MBJELLJA E FARËS SË MBRETËRISË JEP FRYT

Në fillim të viteve 70 një grup i vogël Dëshmitarësh ishin vendosur me banim në Maunt-Hagen, rreth 130 kilometra në perëndim të Gorokës. Ky qytet ishte i njohur për pazarin e madh që bëhej një herë në javë e që tërhiqte mijëra fshatarë nga distanca prej mjaft kilometrash. Doroti Rajti, një pioniere sypatrembur, thotë: «Në këtë pazar shpërndamë qindra kopje literaturë.» Kur njerëzit ktheheshin në fshatrat e tyre, merrnin me vete edhe mesazhin për Mbretërinë, dhe kështu depërtonte në zona të thella ku lajmëtarët nuk shkonin dot në atë kohë.

Më vonë, djali i Dorotisë, Xhim Rajti, me shokun e tij pionier Keri Kej-Smithin, u caktuan në Banz; krahinë që ndodhej në luginën piktoreske Uagi në lindje të Maunt-Hagenit dhe ku kultivohej çaj e kafe. Atje u përballën me kundërshtim të ashpër nga grupet misionare të kishës, të cilët i nxitnin fëmijët t’u gjuanin me gurë e t’i dëbonin kur u shkonin në fshat. Kur Keri shkoi në një caktim tjetër, Xhimi qëndroi në Banz duke shërbyer i vetëm si pionier. Ai kujton: «Shpesh rrija zgjuar natën në kasollen time të vogël dhe lutesha: ‘Jehova, pse jam këtu?’ Vetëm shumë vjet më vonë e mora përgjigjen.»

Xhimi shton: «Më 2007-n shkova nga Australia në Banz që të ndiqja një kongres krahinor. Pranë vendit të kasolles sime të vjetër me kashtë ndodhej një Sallë Mbretërie e re dhe e shkëlqyer që mund të zgjerohej e të merrte 1.000 vende, që të përdorej si Sallë Asamblesh. Teksa hyja atje, një vëlla vrapoi drejt meje, më përqafoi dhe nisi të qante mbështetur tek unë. Kur më në fund e mblodhi veten, ky vëlla, Pol Taji, më shpjegoi se unë kisha studiuar me të atin 36 vjet më parë. Më vonë Poli kishte lexuar librat e studimit të të atit dhe kishte pranuar të vërtetën. Më tha se shërbente si plak.

Gjatë kongresit, më intervistuan në podium ku fola për përndjekjen që kishim kaluar në fillim në Banz. Zor se shihje në auditor ndonjë që nuk qante. Pas programit disa vëllezër erdhën e më përqafuan duke më kërkuar të falur me lot në sy. Kur ishin të rinj, më kishin dëbuar nga fshati duke më gjuajtur me gurë e duke më sharë me zë të lartë. Për më tepër, njëri prej tyre, Mangi Samgari, që tani shërben si plak, ishte ish-pastori luteran që i kishte nxitur ata djem. Çfarë bashkimi i mrekullueshëm doli ai kongres!»

FARAT MBIJNË NË ZONA TË THELLA

Ndërkohë që mjaft veta në Papua Guinenë e Re e morën të vërtetën drejtpërdrejt nga Dëshmitarët, të tjerë e morën nga farat e së vërtetës që arritën deri në zonat e thella. (Ekl. 11:6) Për shembull, rreth vitit 1970, zyra e degës filloi të merrte raporte të rregullta për shërbimin në fushë nga një i panjohur, i cili ishte në një kongregacion që nuk figuronte e që ndodhej në një fshat të paidentifikuar, në një zonë të thellë të lumit Sepik. Zyra e degës i kërkoi Majk Fisherit, një mbikëqyrësi qarkor, që të hetonte.

Majku tregon: «Që të shkoja deri në fshat, udhëtova me kanoe me motor për dhjetë orë nëpër rrugët e ngushta ujore përmes xhunglës së pushtuar nga mushkonjat. Më në fund, pasi mbërrita vonë atë ditë, takova korrespondentin tonë misterioz, një burrë që e kishin përjashtuar para shumë vitesh kur ishte në një zonë tjetër. I penduar për mëkatet, ishte kthyer në fshatin e tij dhe kishte filluar t’u predikonte të tjerëve. Në fshat, mbi 30 të rritur e quanin veten Dëshmitarë të Jehovait dhe disa prej tyre ishin të kualifikuar për pagëzim. Shpejt pas kësaj, burri i penduar u rivendos dhe grupi u bë i njohur zyrtarisht nga dega.»

Më 1992-shin, një tjetër mbikëqyrës qarkor, Deril Brajëni, dëgjoi për një fshat të thellë në brendësi të vendit, për të cilin mendohej se banorët kishin interes për të vërtetën. Derili shpjegon: «Për të shkuar në fshat, udhëtova 80 kilometra me makinë, eca përmes xhunglës së dendur për një orë e gjysmë dhe më pas vozita me kanoe edhe për një orë tjetër. Për habinë time, buzë lumit, rrethuar nga male të larta, ndodhej një godinë e sapondërtuar me mbishkrimin ‘Salla e Mbretërisë e Dëshmitarëve të Jehovait’.

Rreth 25 të interesuar mblidheshin në sallë çdo të diel që të studionin librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. Meqë pretendonin se ishin Dëshmitarë, i pyeta nëse përtypnin arrë beteli. Ata u përgjigjën: ‘Oh, jo. E kemi lënë para një viti kur morëm të vërtetën’. Sigurisht, m’u bë qejfi kur zyra e degës e shtoi këtë grup në qarkun që duhej të vizitoja.»

BUM MISIONARËSH

Gjatë viteve 80 e 90 të shekullit të 20-të, aktiviteti në fushën e Papua Guinesë së Re mori hov kur erdhën dhjetëra misionarë të stërvitur në Galaad, të diplomuar të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim dhe pionierë specialë nga Australia, Kanadaja, Anglia, Finlanda, Gjermania, Japonia, Zelanda e Re, Filipinet, Suedia, SHBA-ja dhe vende të tjera. Shpesh kjo doli bekim i dyfishtë, pasi disa nga këta ungjillëzues më vonë u martuan me bashkëshortë po aq të zellshëm.

Kur mbërrinin, shumica e të sapoardhurve bënin një kurs dy ose tremujor që të mësonin tok-pisine ose hiri-motu. Studentët e studionin gjuhën çdo paradite dhe i zbatonin mësimet në shërbim çdo pasdite. Falë kësaj stërvitjeje, brenda pak muajsh, mjaft prej tyre drejtonin studime biblike domethënëse dhe mbanin fjalime.

Gjithashtu, mësimi i një gjuhe të re i ndihmoi të tregonin durim dhe empati kur mësonin njerëzit që nuk dinin lexim e shkrim. Kështu ndihmuan dhjetëra të interesuar të kishin aq njohuri, sa të lexonin Fjalën e Perëndisë. (Isa. 50:4) Kjo bëri që numri i lajmëtarëve të rritej nga 2.000 në vitin 1989, në rreth 3.000 në vitin 1998, një rritje prej 50 për qind vetëm në nëntë vjet.

Megjithëse mjaft prej këtyre ungjillëzuesve më vonë iu desh të largoheshin nga Papua Guineja e Re për arsye shëndetësore dhe të tjera, ata lanë pas një trashëgimi afatgjatë. Vërtet, këta njerëz të shtrenjtë kujtohen ende me përzemërsi për besnikërinë dhe për veprat e tyre të dashura.​—Hebr. 6:10.

VEPRA E NDËRTIMIT NXIT PËRPARIMIN

Me rritjen e numrit të lajmëtarëve të Mbretërisë, u rrit edhe nevoja për Salla Mbretërie, për Salla Asamblesh dhe për godina të tjera në degë. Si u plotësua kjo nevojë?

Para vitit 1975, Seksioni i Trojeve i qeverisë vinte mënjanë rregullisht ngastra toke për përdorim fetar. Kishat e interesuara aplikonin për tokë dhe e paraqitnin çështjen e tyre para Këshillit të Trojeve të caktuar nga qeveria. Ai që fitonte tenderin e merrte tokën falas, por me kusht që të ndërtonte në të brenda një periudhe kohe të arsyeshme.

Më 1963, me gjithë kundërshtimin e ashpër nga kleri i të ashtuquajturit krishterim, Shoqata Ndërkombëtare e Studentëve të Biblës siguroi një kontratë për një pronë të shkëlqyer në Port-Moresbi. Nga kjo pronë buzë kodrës dukeshin pamje mahnitëse të pazarit të Kokit dhe të Detit të kaltër të Koraleve. Më vonë, në këtë vend u ngrit një ndërtesë dykatëshe që shërbente si zyrë dege dhe Sallë Mbretërie. Leje të tjera toke në Port-Moresbi u përdorën që të ndërtoheshin Salla Mbretërie në Sabamë, Hoholë, Gerehu dhe Gordon.

Toka në Gordon, që ndodhej në një vend të rëndësishëm pranë qendrës së qytetit, fillimisht ishte rezervuar për ndërtimin e një katedraleje anglikane. Ron Fini, që shërbeu në Papua Guinenë e Re për 25 vjet, shpjegon: «Megjithatë, në sy të të gjithëve, kryetari i Këshillit të Trojeve i tha klerikut anglikan se nuk ishin të kënaqur me mënyrën si kisha kishte marrë toka të shumta dhe shpesh i keqpërdorte për qëllime tregtare. Kryetari shtoi se anglikanët nuk do të merrnin më tokë derisa Këshilli të ishte i kënaqur me përdorimin e tokave që tashmë kishin, sipas qëllimit për të cilin u morën.

Pasi tha këtë, kryetari m’u drejtua dhe më pyeti për kërkesat tona në lidhje me tokën. I thashë se dëshira jonë e parë ishte toka ‘e katedrales’ në Gordon. Kleriku anglikan kërceu përpjetë që të kundërshtonte, por kryetari i tha me vendosmëri të ulej. Pasi mbarova me prezantimin, të gjithë të pranishmit u mahnitën kur komiteti ia dha tokën kongregacionit tonë.»

Në atë truall u ndërtua një Sallë Mbretërie dhe zyra e degës me katër kate. Godina e re e zyrës u kushtua më 12 dhjetor 1987. Kurse vendi i parë në Koki u shit. Në vitet 2005 deri 2010, godinave të zyrës iu shtua edhe një godinë banimi me katër kate, një Sallë Mbretërie dhe një zyrë përkthimi. Këto ndërtesa u kushtuan më 29 maj 2010.

Sot, në të gjithë vendin ka 89 Salla Mbretërie dhe ambiente të tjera për mbledhje. Në mjaft zona rurale, materialet nga pylli përdoren ende për ndërtimin e këtyre ambienteve. Kurse në qytete më të mëdha përdoren materiale bashkëkohore ndërtimi. Mjaft nga këto salla të reja, janë ndërtuar falë programit për vende me të ardhura të kufizuara, që ka filluar në Papua Guinenë e Re nga viti 1999.

NGULMOJNË PAVARËSISHT NGA VËSHTIRËSITË

Fetë e ndryshme në Papua Guinenë e Re kishin bërë një marrëveshje jozyrtare në lidhje me territorin që i takonte secilës fe. Çdo grup fetar kishte territorin e vet dhe priste që fetë e tjera t’i rrinin larg atij territori. Sigurisht, Dëshmitarët e Jehovait ia predikojnë lajmin e mirë kujtdo që dëshiron ta dëgjojë, pavarësisht se ku jeton. Ky qëndrim, si dhe reagimi pozitiv i shumë vetave që dëgjuan për të vërtetën, i zemëruan klerikët.

«Pasi u shpërngula në ishullin e vogël të Kurmalakut, në Britaninë e Re Perëndimore, ndër të parët që më erdhi për vizitë ishte një prift anglikan,—kujton Norm Sharini.—Ai më tha: ‘S’ke asnjë të drejtë të predikosh në famullinë time. Njerëzit këtu tashmë janë të krishterë.’

Më vonë, pashë një studentin tim teksa voziste si i çmendur me lundër drejt bregut, në shi të rrëmbyer dhe det të trazuar. Në fakt, po rrezikonte jetën në një mot të tillë. E tërhoqi lundrën në breg dhe duke dihatur më tha se një varkë plot me katolikë, të cilëve u printe një katekist, po vinte për të më rrahur. S’kisha nga t’ia mbaja, prandaj iu luta Jehovait për mençuri dhe forcë.

Kur erdhi varka, rreth 15 burra zbritën, me fytyrat të lyera me të kuqe, në shenjë armiqësie. Në vend që t’i pritja aty ku isha, u nisa drejt tyre. Pak më përpara kisha frikë, por tani frika ishte zhdukur. Ndërsa afrohesha, ata më shanin, me shpresën që t’u jepja shkas për t’u zënë, por e ruajta qetësinë.

Aty ndodhej edhe një nga studentët e mi biblikë, një i moshuar që ishte edhe pronar i ishullit. Me synimet më të mira, ai u tha burrave: ‘Dëshmitarët e Jehovait nuk zihen. Jepini, goditeni! Dhe do ta shihni!’

‘Po ky në anën e kujt është?’—thashë me vete, duke dashur që të mos fliste fare.

Pasi arsyetova për disa minuta me burrat, u sugjerova të largoheshin dhe në shenjë mirëkuptimi, i zgjata dorën e djathtë udhëheqësit të tyre. Të habitur panë njëri-tjetrin. Pastaj udhëheqësi më dha dorën. Kjo i dha fund tensionit dhe të gjithë i dhamë dorën njëri-tjetrit. Sa u lehtësova kur, pas kësaj, u larguan! S’më hiqeshin nga mendja fjalët e Pavlit drejtuar Timoteut: ‘Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël me të gjithë, . . . ta frenojë veten kur të jetë nën të ligën.’»​—2 Tim. 2:24.

Bernt Anderseni kujton se në një fshat malor, pastori luteran bashkë me një turmë me rreth 70 burra nga një fshat tjetër, u përpoqën t’i dëbonin Dëshmitarët dhe t’u shkatërronin Sallën e Mbretërisë. Turma u çudit kur Bernti doli jashtë fshatit që t’i takonte. Ai iu afrua pastorit dhe e pyeti pse kisha luterane thotë se emri i Perëndisë është Anutu, emër vendës i përshtatur nga disa misionarë të të ashtuquajturit krishterim. Pastori tha se gjendej në Bibël, kështu që Bernti e pyeti ku. Pastori e hapi Biblën e tij dhe, kur ishte e dukshme se nuk mund ta gjente një shkrim të tillë, Bernti e ftoi të lexonte Psalmin 83:18. Pasi u ndihmua të gjente librin e Psalmeve, pastori filloi të lexonte me zë të lartë. Kur arriti te emri Jehova, e mbylli Biblën dhe bërtiti: «Kjo është gënjeshtër!» Shumë vonë, e kuptoi se sapo kishte dënuar Biblën e vet. Pas kësaj ngjarjeje, shumë nga ithtarët e tij ndryshuan qëndrim ndaj Dëshmitarëve.

Nganjëherë, kundërshtarët fetarë, i shkrumbonin Sallat e Mbretërisë prej kashte, siç ndodhi në fshatin Agi, në provincën e Gjirit Miln. Megjithatë, në këtë rast, njëri nga zjarrvënësit, që ishte i dehur kur vuri zjarrin, shprehu keqardhje të thellë për veprimet e tij. Në fakt, më vonë, iu afrua vëllezërve, pranoi një studim biblik dhe u bë pionier. Për më tepër, atij i thanë të përdorte shtëpinë e pionierëve ngjitur me sallën e rindërtuar. Kështu, tani ai filloi të kujdesej pikërisht për vendin ku kishte kryer krimin.

Përndjekja fetare pothuajse është ndalur sot. «Kemi hyrë në një periudhë paqeje. Por është zhvilluar një problem tjetër: dhuna, e cila shpesh shkaktohet nga rrugaçët dhe hajdutët që quhen raskols,—thotë Krejg Spigelli.—Prandaj, kur japin dëshmi në zona të rrezikshme, vëllezërit organizohen në grupe dhe nuk ia ndajnë sytë njëri-tjetrit.»

«Të identifikohesh si Dëshmitar të ndihmon goxha,—thotë çifti i misionarëve Adrian dhe Andrea Reli. Adriani thotë: «Qoftë kur bën pazar, qoftë kur predikon, është e mençur të mbash literaturë me vete. Vërtet, kjo mund të mos garantojë sigurinë tënde, por mund të jetë ndihmë, sepse të identifikon si shërbëtor të Jehovait. Në një rast, m’u prish makina në një zonë të frikshme të Laes. Isha vetëm dhe s’kaloi shumë e më rrethoi një bandë të rinjsh që dukeshin të rrezikshëm. Dy prej tyre më njohën, falë një bisede rreth Biblës që kisha bërë me ta kohët e fundit. Si pasojë, më dolën në mbrojtje. Kështu, në vend që të më vidhnin a të më bënin ndonjë të keqe, i gjithë grupi më shtyu makinën e prishur rreth 400 metra për në shtëpinë misionare. Mbeta komplet i habitur dhe i lehtësuar.»

Në një rast tjetër, një motër ishte në pazar kur raskolët e armatosur me thika i pëshpëritën: «Na e jep çantën.» Ajo ua zgjati menjëherë dhe ata ia futën vrapit. Pak minuta më vonë, u kthyen, kërkuan falje dhe ia dhanë çantën me gjithçka brenda. Pse? Kur hapën çantën, panë Biblën dhe librin Të arsyetojmë e u ndien fajtorë për atë që kishin bërë.

METODA TË NDRYSHME PREDIKIMI

Elsa Tui, e cila shërbeu në Papua Guinenë e Re bashkë me të shoqin, Billin, nga viti 1958 deri më 1966, kujtonte: «Predikonim kudo ku kishte njerëz. U predikonim nëpër fshatra, në shtëpitë e tyre, në kopshte, tregje dhe në shtigjet mes pyllit. Flitnim me peshkatarë në plazhe dhe buzë lumenjve. Gjithashtu, ditët e para mbanim me vete një hartë të botës që t’u tregonim njerëzve të zonave më të thella nga vinim. Kjo ishte e rëndësishme, sepse ndonjëherë shkonim me rrugë ajrore, dhe fshatarët, të pavetëdijshëm për botën jashtë, mendonin se kishim zbritur nga qielli. Prandaj u tregonim se kishim ardhur nga një pjesë tjetër e së njëjtës botë.»

E vetmja mënyrë për të arritur shumë nga fshatrat e shpërndara anekënd bregdetit të gjatë të Papua Guinesë së Re dhe përgjatë lumenjve të shumtë, është me varkë ose kanoe. Stiv Blandi kujton: «Vëlla Dair Guba nga Hanuabada, Port-Moresbi, ishte një burrë i moshuar dhe kishte mjaft përvojë në lundrim. Ai kishte dy trungje të zgavërta poshtë shtëpisë së tij, prandaj bashkë me shokun tim pionier e ndihmuam të përftonte lëndën e nevojshme drusore që të ndërtonte një puapua, një lloj katamarani të atij vendi. Veli u bë me kanavacë. Me Dairin si kapiten dhe dy a tre vëllezër të tjerë nga Hanuabada si ekuipazh, bëmë ca udhëtime për te fshatrat bregdetare afër Port-Moresbit.»

Në fund të viteve 60, Bernt Anderseni bashkë me gruan po shërbenin në Irlandën e Re, një ishull i bukur rreth 650 kilometra në verilindje të vendit. Bernti shkruan: «Njerëzit vinin nga ishujt e vegjël andej rrotull e na kërkonin t’i vizitonim. Por, që të shkonim, na duhej një varkë, e cila dukej si një ëndërr e parealizueshme duke pasur parasysh ndihmën e vogël financiare që merrnim çdo muaj. Kishim disa dërrasa në një barakë, por jo mjaftueshëm për të ndërtuar një varkë. Prandaj iu lutëm Jehovait për këtë. Pastaj, krejt papritur, një vëlla në Lae na dërgoi para me vlerë 138 euro, si ndihmë për të vizituar ishujt e largët. Kështu mundëm të ndërtonim një varkë, së cilës ia vumë emrin Pionieri. Por s’kishte motor. Edhe një herë, i njëjti vëlla i shtrenjtë na dha paratë e nevojshme, kësaj radhe që të blinim një motor të vogël. Tani mund t’i përgjigjeshim thirrjes për të vizituar ata ishuj piktoreskë.»

Rreth vitit 1990, një mbikëqyrës qarkor, Xhim Dejvisi, bashkë me tre vëllezër të tjerë, bënë plane t’i predikonin një kampi refugjatësh larg lumit Flaj, duke u ngjitur drejt kufirit me Indonezinë. Vëllezërit kishin marrë masa për t’u strehuar te një grua e interesuar, burri i së cilës ishte i dyti në kamp për nga pozita. Xhimi thotë: «Udhëtimi kundër rrymës në lumin Flaj zgjati gati dy orë me një lundër me motor. Rreth orës nëntë fiks të mëngjesit, arritëm në një zonë të hapur të xhunglës, nga ku pamë një rrugë me baltë që të çonte në kampin e largët. Pritëm atje për ndonjë mjet transporti.

Më në fund, në orën pesë të pasdites, u shfaq një makinë. Ngarkuam plaçkat, hipëm në të dhe udhëtuam rreth njëqind metra para se të prishej mekanizmi i drejtimit. Krejt i qetë, shoferi e pikasi problemin, gjeti pak tel, u fut rrëshqanas poshtë makinës dhe i lidhi pjesët e ndara. ‘Kjo s’do të na çojë shumë larg’—mendova. Por e kisha gabim. Teli mbajti gjatë gjithë rrugës, për pesë orë, me të katërta rrotat aktive për shkak të gjendjes së rrugës. Në fakt, shumë herë ngecëm në baltë dhe na u desh ta shtynim makinën. Arritëm në dhjetë të darkës, të rraskapitur dhe të veshur me baltë.

Për tri ditë dëshmuam në kamp, që ishte i shpërndarë në një zonë të gjerë të xhunglës dhe e dhamë gjithë literaturën. Gjithashtu, takuam një burrë të përjashtuar i cili shprehu dëshirën për t’u kthyer te Jehovai. Më vonë, u emocionuam kur morëm vesh se ishte kthyer. Edhe e shoqja bashkë me disa nga fëmijët janë në të vërtetën tani. E njëjta gjë ndodhi edhe me gruan e interesuar dhe burrin e saj, që me mirëdashje na ofruan strehim.»

VEPRA QARKORE NË LUMIN SEPIK

Mbi 1.100 kilometra i gjatë, lumi Sepik është si një gjarpër i madh ngjyrë kafe që gjarpëron nga malet drejt detit. Në disa pjesë është kaq i gjerë sa është e vështirë të shohësh nga njëra anë e lumit në tjetrën. Lumi është si një autostradë që përdoret rregullisht nga vëllezërit, përfshirë mbikëqyrësit udhëtues me gratë e tyre. Le t’i bashkohemi një mbikëqyrësi qarkor me të shoqen teksa vizitojnë kongregacionet përgjatë kësaj rruge gjigante ujore.

Uoren Rejnoldsi shkruan: «Bashkë me gruan, Lianën, u nisa herët në mëngjes nga qyteti i Vivakut me lundrën prej alumini të lidhur mbi skarën e makinës. Pas tri orësh rrugë, shumicën e kohës me të katërta rrotat aktive, e parkojmë makinën buzë lumit për disa ditë ndërsa i ngjitemi lumit për të vizituar rreth 30 lajmëtarë në katër fshatra përgjatë degëzimeve të Sepikut.

Me lundrën tonë që ka fund të sheshtë e të ngarkuar me plaçka, ndezim motorin 25 kuaj-fuqi dhe nisemi kundër rrymës. Një orë më vonë, arrijmë lumin Juat, një degë e lumit Sepik, e udhëtojmë edhe nja dy orë të tjera para se të mbërrijmë te fshati Baivat. Atje na presin me ngrohtësi vëllezërit dhe studentët e tyre biblikë, disa prej të cilëve na e tërheqin në breg lundrën dhe e çojnë te një shtëpi e tyre. Pasi shijojmë një vakt me një lloj bananeje jeshile dhe qumësht arrash kokosi, të gjithë nisemi në udhëtimin më këmbë prej dy orësh përmes xhunglës moçalore, me lajmëtarët që na prijnë e na ndihmojnë me plaçkat. Më në fund, arrijmë te një fshat i vogël i quajtur Dimir, ku shuajmë etjen me qumësht arre kokosi dhe vendosim rrjetat kundër mushkonjave dhe krevatin në një shtëpi mbi shtylla, e ndërtuar me materiale nga pylli. Së fundi, pas një darke me jams të gatuar, shkojmë të flemë.

Në tri fshatra të kësaj zone jetojnë katërmbëdhjetë lajmëtarë. Për pak ditë, japim dëshmi te secili fshat dhe gjejmë mjaft njerëz të interesuar. Gjithashtu, gëzohemi kur shohim dy studentë biblikë që e ligjërojnë martesën e tyre dhe miratohen të shërbejnë si lajmëtarë të Mbretërisë. Lajmëtarët e tjerë organizojnë një darkë të thjeshtë dasme me jams, miell palme, disa gjethe të ngrënshme dhe dy pula.

Të dielën emocionohemi kur shohim 93 banorë të fshatit që ndjekin fjalimin publik. Pas mbledhjes, me çantat e shpinës plot, nisemi nën diellin e mesditës për t’u kthyer në Baivat, ku i lëmë gjërat tona te shtëpia e një studenti të Biblës dhe fillojmë të predikojmë. Disa pranojnë literaturë dhe disa të tjerë studim biblik. Atë natë, te shtëpia e një studenti biblik, hamë përreth një zjarri ku tymi i mban larg mushkonjat.

Herët në mëngjesin tjetër, kthehemi te lundra jonë, e futim sërish në lumë dhe zhytemi në mjegullën e mëngjesit, të mrekulluar nga gjallëria e zogjve dhe pllaquritja e peshqve në ujë. Familjet në trape bambuje të tejmbushura me mallra që t’i shesin në tregun vendës, vijnë qetë-qetë përballë nesh dhe vazhdojnë rrugën.

Kur kthehemi te makina, furnizojmë serbatorin e motorit të lundrës dhe marrim furnizime të reja, si ujë të pijshëm dhe artikuj të tjerë. Pastaj lundrojmë prapë, këtë herë për të vizituar 14 lajmëtarët në Kambot. Mbërrijmë dy orë më vonë, të bërë qull deri në palcë, falë një rrebeshi tropikal. Nga Kamboti drejtohemi kundër rrymës​—kësaj radhe lundrën e kemi plot me lajmëtarë—​drejt një fshati të madh që shtrihet në të dyja anët e lumit. U japim dëshmi këtyre njerëzve mirënjohës deri pasdite vonë. Rrugës së kthimit, u predikojmë atyre që rrinë në skelat e tyre pluskuese prej bambuje. Në mëngjes na panë ndërsa i ngjiteshim lumit dhe presin kthimin tonë. Meqë paratë janë të rralla në këtë zonë të thellë, banorët e fshatit e tregojnë vlerësimin për vizitën tonë dhe për fletushkat që lëmë, duke na dhënë ushqim: arra kokosi, kunguj, peshq të tymosur dhe banane. Në perëndim të diellit kthehemi në Kambot e gatuajmë këto ushqime.

Në Kambot, vendi i mbledhjeve ndodhet mbi shtylla, si gjithë shtëpitë në këtë zonë. Gjatë stinës së lagësht, kur e gjithë zona përmbytet, banorët shkojnë me kanoe dhe ndalojnë tamam te shkallët e vendit të mbledhjeve. Vizita jonë përfundon me fjalimin publik, ku marrin pjesë 72 veta, përfshirë disa që kanë bërë pesë orë rrugë më këmbë.

Pasi kthehemi te makina që e përdorim për veprën qarkore dhe e lidhim lundrën mbi skarë, bëjmë një udhëtim tri orësh për në shtëpi. Gjatë rrugës, mendojmë për vëllezërit dhe motrat tona të shtrenjta që jetojnë përgjatë lumit Sepik. Mendojmë edhe për dashurinë që Jehovai ka për ta, e cila pasqyrohet në përpjekjet që bën organizata për t’u siguruar se janë të ushqyer mirë frymësisht. Është vërtet privilegj të jesh pjesë e kësaj familjeje të mrekullueshme!»

PËRLESHJE ME FRYMËRAT E LIGA

Edhe pse një përqindje e lartë e popullsisë së Papua Guinesë së Re thonë se janë të krishterë, shumë janë të dhënë pas besimeve tradicionale, ku përfshihet adhurimi i të parëve dhe frika ndaj frymërave të liga. Dhe sipas një libri udhërrëfyes, në vitet e fundit, «ka pasur një rilindje të fortë të magjisë së zezë dhe të shtrigërisë». Kështu, sëmundjet dhe vdekjet shpesh njerëzit ua atribuojnë mjekëve magjistarë dhe frymërave të paraardhësve.

Në një mjedis të tillë, e vërteta biblike është një çlirim i vërtetë. Në fakt, edhe disa mjekë magjistarë kanë njohur fuqinë e Fjalës së Perëndisë, kanë braktisur praktikat e tyre dhe kanë përqafuar adhurimin e vërtetë. Ja dy shembuj:

Soar Maiga jetonte në një fshat rreth 50 kilometra larg Port-Moresbit dhe të tjerët e kishin shumë frikë për shkak të fuqisë së tij. Megjithatë u bë kureshtar për bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe filloi të merrte pjesë në një grup që studionte Biblën. S’kaloi shumë dhe e pranoi të vërtetën e i braktisi udhët e tij të vjetra. Por, kur u përpoq t’i hiqte qafe të gjitha sendet që kishin lidhje me spiritizmin, në mënyrë të mistershme ato vazhdonin të ktheheshin. Sidoqoftë, Soari ishte i vendosur ‘t’i kundërvihej Djallit’, kështu që një ditë i futi të gjitha sendet në një çantë, vuri edhe një gur e i vërtiti në detin pranë Port-Moresbit. (Jak. 4:7) Pas kësaj, sendet nuk iu kthyen më. Që atëherë, ky burrë i guximshëm u bë një Dëshmitar i zellshëm i Perëndisë së vërtetë, Jehovait.

Korai Leke përdorte shtrigërinë dhe kura bimore për të shëruar të sëmurët. Gjithsesi, kur filloi të studionte Biblën, luftoi vërtet që të çlirohej nga një frymë e cila e kishte ndihmuar me magjinë e tij. Ashtu si Soari, edhe Korai ishte i vendosur të mos merrej më me demonët dhe me ndihmën e Jehovait ia doli. Më vonë, shërbeu si pionier i rregullt e pastaj si pionier special. Edhe në moshë të shkuar, kur këmbët s’e mbanin më, ky vëlla besnik vazhdoi ta ndante lajmin e mirë me fqinjët.

Si arrinte Korai deri te vendi i tij i preferuar për të dhënë dëshmi? Vëllezërit e mbartnin me një karrocë dore deri atje, mjeti më praktik që gjendej. Më vonë, një vëlla i zoti që punonte te zyra e degës, i bëri me mirëdashje një karrige me rrota duke përdorur skeletin prej çeliku të një karrigeje normale, rrota biçiklete dhe një kanavacë për ndenjësen. Mënyra e re e transportit i dha Korait pavarësi më të madhe dhe e përdori më së miri. Po, sa shembuj nxitës që janë këta të moshuar dhe sa shumë që ia ngrohin zemrën Jehovait!​—Prov. 27:11.

U MËSOJNË NJERËZVE LEXIM DHE SHKRIM

«Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë»,—thotë Romakëve 15:4. Është e qartë, Perëndia dëshiron që populli i tij të jetë i arsimuar. Kështu, siç e kemi përmendur më sipër, Dëshmitarët e Jehovait në Papua Guinenë e Re kanë bërë përpjekje të mëdha që t’u mësojnë njerëzve lexim dhe shkrim.

Sigurisht, të mësosh lexim dhe shkrim mund të jetë e vështirë, veçanërisht për të moshuarit. Por, nëse një student jepet me gjithë zemër, zakonisht suksesi është i garantuar. Vërtet, Fjala e Perëndisë ka një ndikim të fuqishëm te njerëzit më të përulur dhe më të pashkolluar.

Të shqyrtojmë shembullin e Save Nanpenit, një të riu që jetonte afër burimit të lumit Sepik. Kur Saveu u shpërngul në Lae, për herë të parë përjetoi një mënyrë jetese krejt ndryshe, që përfshinte gjëra të botës moderne. Përveç kësaj, ai takoi Dëshmitarët e Jehovait, të cilët i dhanë shpresën e Mbretërisë. Zemra e Saveut u prek, filloi të ndiqte mbledhjet e krishtere dhe, pa kaluar shumë kohë, u kualifikua si lajmëtar i papagëzuar. Nga ana tjetër, ai ngurronte të ndërmerrte hapin pasues: pagëzimin. Pse? I kishte premtuar Jehovait se nuk do të pagëzohej derisa ta lexonte vetë Biblën. Prandaj studioi shumë dhe i arriti synimet frymore.

Edhe pse analfabetizmi është akoma i përhapur, shkollat janë hapur në disa zona dhe fëmijët e Dëshmitarëve arsimohen në to. Në fakt, të rinjtë tanë shpesh shkëlqejnë në shkollë, dhe kjo falë punës jo të vogël të prindërve dhe stërvitjes që marrin te mbledhjet e kongregacionit, siç është edhe Shkolla e Shërbimit Teokratik.

E VËRTETA BIBLIKE TRANSFORMON JETË

Apostulli Pavël shkroi: «Armët e luftës sonë nuk janë sipas mishit, por të fuqishme nga Perëndia, që të përmbysim gjëra të fortifikuara mirë.» (2 Kor. 10:4) Nganjëherë, vetëm një shkrim mund të ketë ndikim të madh, siç ndodhi me Elfridën. Pasi i treguan emrin e Perëndisë në Biblën e saj në gjuhën vedau, Elfrida bëri kërkime te një enciklopedi, e cila ia konfirmoi atë që thoshte Bibla për emrin e Perëndisë. «Dëshmitarët e Jehovait mësojnë të vërtetën»,—mendoi ajo. Megjithatë, i shoqi, Armitixhi, s’donte të merrej fare me Dëshmitarët. Ai ishte pijanec, përtypte arrën e betelit, pinte duhan dhe ishte nevrik.

Pasi e la punën në Lae, ai bashkë me Elfridën u shpërngulën në Alotau, në provincën e Gjirit Miln, ku nuk kishte asnjë Dëshmitar. Ndërkohë, Elfrida u pajtua në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si dhe studioi me korrespondencë me një pioniere, Kajlin Nilsenin. «Elfrida me besnikëri m’i dërgonte çdo javë përgjigjet e saj në letra»,—thotë Kajlina.

Më vonë, të diplomuarit e Galaadit, Xhordi dhe Xhoana Rajli u caktuan në Gjirin Miln. Ata e vizituan Elfridën që ta inkurajonin dhe të dilnin me të në shërbim. Xhordi kujton: «Armitixhi më kërkoi të studioja Biblën me të. Për shkak të reputacionit të tij, dyshoja nëse e kishte me tërë mend. Por, pasi studiuam për një muaj, e kuptova se ishte i sinqertë. Më vonë, u pagëzua dhe me kalimin e kohës u bë shërbëtor ndihmës.» Sot, tre breza të familjes së tij janë në të vërtetën dhe nipi, Kegaval Bijama, i përmendur në fillim, shërben në Komitetin e Degës në Port-Moresbi.

Ndërsa shërbenin si pionierë në Hulë, Don dhe Shirli Filderi filluan studim biblik me Alogi dhe Renaga Palanë. Doni shkruan: «Alogi ishte hajdut dhe gjithmonë zihej me të tjerët. Ai vuante nga një sëmundje tropikale që ia kishte prishur tej mase lëkurën, dhe një pjesë të gojës ia kishte konsumuar një ulcerë tropikale. Bashkë me të shoqen përtypnin edhe arrë beteli, kështu që hapësirat mes dhëmbëve të nxirë ishin shpesh të kuqe flakë. Alogi ishte njeriu i fundit që pritej të merrte të vërtetën. Prapëseprapë, filluan të tregonin interes për të vërtetën dhe ndoqën mbledhjet tona, duke u ulur në fund pa bërë zhurmë.

Për gjashtë muaj, pamë tek Alogi një transformim që të lë gojëhapur,—kujton Doni.—Nuk vidhte më, as zihej, as debatonte. Bashkë me Renagën u pastruan fizikisht dhe filluan të ndiqnin mbledhjet. Nisën edhe të merrnin pjesë në predikimin e lajmit të mirë. Në fakt, bashkë me disa të tjerë u bënë lajmëtarët e parë në zonën e Hulës.»

Abel Uaraku jetonte në Irlandën e Re dhe kishte vuajtur nga lebra. Si pasojë, duart dhe këmbët i kishte të pandjeshme. Kur dëgjoi për herë të parë për të vërtetën, Abeli ecte me vështirësi dhe mezi e shtynte jetën. Mirëpo, e vërteta ia transformoi tërësisht qëndrimin dhe pikëpamjen, duke e mbushur me gëzim dhe gjallëri të ripërtërirë. Madje, më vonë u bë pionier. Që të siguronte ushqimin, Abeli e kishte zakon të shkonte për peshk. Por, ngaqë i kishte këmbët të mpira, nuk mund të ecte më nëpër shkëmbinj, sepse dëmtohej pa e kuptuar. Prandaj, vëllezërit i blenë çizme llastiku deri në gju. Gjithashtu mësoi t’i jepte biçikletës, dhe kjo i jepte mundësi ta çonte më larg lajmin e mirë. Në fakt, nganjëherë e ngiste biçikletën për 100 kilometra që të ndiqte interesin dhe në një rast e ngau për 145 kilometra vetëm vajtje, që të ftonte një të interesuar në Përkujtim.

Në disa raste, ‘njohuria e Jehovait’ i ka ndihmuar edhe ata me tipare shtazarake të bëjnë ndryshime drastike. (Isa. 11:6, 9) Për shembull, në vitin 1986, rreth 60 veta nga dy fshatra afër Banzit erdhën në një kongres krahinor në Lae dhe u ulën në radhët e para. Këta banorë të vendeve malore ishin armiq prej vitesh dhe shpesh luftonin me njëri-tjetrin. Por, pasi dëgjuan lajmin e mirë nga pionierë specialë, vendosën të jetonin në paqe. Përvoja të tilla na sjellin ndër mend fjalët e Zakarisë 4:6: «‘Jo me ndonjë forcë ushtarake, as me fuqi, por me frymën time’,—thotë Jehovai i ushtrive.» Për më tepër, e njëjta frymë i ka shtyrë shumë njerëz të sinqertë të zbatojnë normat morale të Biblës.

NDEROJNË DHURATËN E MARTESËS QË VJEN NGA PERËNDIA

Në shumë vende, është normale që zakonet vendëse dhe kishat e të ashtuquajturit krishterim të shpërfillin pikëpamjen që japin Shkrimet për martesën. (Mat. 19:5; Rom. 13:1) Edhe në Papua Guinenë e Re ndodh e njëjta gjë. Kështu, për të kënaqur Jehovain, shumë çifte që jetonin bashkë të pamartuar ligjërisht a në një martesë poligame, kanë bërë ndryshime të mëdha në jetë. Shqyrtoni shembullin e Fransisit dhe gruas së tij, Kristinës.

Kur Fransisi e la ushtrinë, u nda nga gruaja. Kristina me dy fëmijët u kthyen në fshatin e saj në ishullin e Gudinafit, në provincën e Gjirit Miln. Ndërsa ai u kthye në Maunt-Hagen. Atje, Fransisi filloi të jetonte me një grua tjetër me fëmijët e saj dhe shkonin në Kishën e Asambleve të Perëndisë. Me kalimin e kohës, Dëshmitarët takuan partneren e Fransisit dhe filluan studim biblik me të. Më vonë, edhe Fransisi tregoi interes e s’kaloi shumë dhe të dy filluan të ndiqnin mbledhjet e krishtere.

Fransisi donte të bëhej lajmëtar i Mbretërisë, që do të thoshte se duhej ta rregullonte situatën martesore. Pasi u lut shumë për këtë, e diskutoi çështjen me partneren. Pastaj, ajo bashkë me fëmijët shkuan në një shtëpi tjetër dhe Fransisi shkoi të takonte Kristinën, nga e cila ishte ndarë prej gjashtë vjetësh. Kuptohet, Kristina dhe të afërmit e saj u habitën shumë kur e panë Fransisin. Duke përdorur Shkrimet, Fransisi u shpjegoi me mirësjellje të gjithëve dëshirën për të bërë atë që është e drejtë në sytë e Jehovait. Më pas, i kërkoi gruas të kthehej bashkë me fëmijët në Maunt-Hagen dhe të bashkoheshin sërish si familje. Të gjithë ngelën gojëhapur kur panë sa kishte ndryshuar. Kristina e pranoi ftesën e burrit dhe ai, nga ana e tij, u dha të afërmve të gruas një kompensim financiar për gjithë ndihmën që i kishin dhënë familjes gjatë atyre gjashtë vjetëve.

Pasi Kristina u kthye në Maunt-Hagen, edhe ajo nisi të studionte Biblën. Kjo do të thoshte se duhej të mësonte të lexonte. Ndërkohë, e la përtypjen e arrës së betelit dhe duhanin. Tani ky çift janë shërbëtorë të kushtuar të Jehovait.

FËMIJË QË NDEROJNË KRIJUESIN E TYRE

Shumë fëmijë në Papua Guinenë e Re kanë dhënë dëshmi të shkëlqyer duke e ndjekur me guxim ndërgjegjen e tyre të stërvitur sipas Biblës. Për shembull, nga fillimi i vitit 1966, një mësuese filloreje u tha shtatë fëmijëve të Dëshmitarëve vendës se duhej të nderonin flamurin gjatë ceremonive që do të zhvilloheshin javën e ardhshme. Kur erdhi koha, në prani të 300 nxënësve të mbledhur, të shtatë fëmijët nuk pranuan ta nderonin flamurin. Si pasojë, u përjashtuan nga shkolla, edhe pse prindërit kishin kërkuar me shkrim që fëmijët e tyre të mos përfshiheshin në ceremoni. Një plak në kongregacionin vendës ua apeloi çështjen zyrtarëve qeveritarë, si në Papua Guinenë e Re, ashtu edhe në Australi.

Më 23 mars, administratori australian i Papua Guinesë së Re u telefonoi autoriteteve të shkollës dhe u tha që fëmijët të ktheheshin menjëherë në shkollë. Adhurimi i vërtetë kishte korrur një fitore të vogël ligjore. Sot, qeveria e Papua Guinesë së Re vazhdon të respektojë të drejtën e fëmijëve që të mos nderojnë flamurin për arsye të ndërgjegjes.

Edhe ‘fëmijët dhe foshnjat e gjirit’ mund ta lëvdojnë Jehovain në mënyra të tjera. (Mat. 21:16) Shqyrtoni shembullin e Naomit nga vendet malore, prindërit e së cilës, Xhoi dhe Helena, nuk ishin në të vërtetën. Kur Naomi ishte rreth tre vjeçe, ndenji afro një vit në Lae me motrën e Helenës, një Dëshmitare e zellshme. Tezja e merrte me vete rregullisht Naomin kur dilte në predikim, shpesh duke e mbajtur në një çantë të varur mbi shpatull. Kështu, Naomi e njohu mirë shpresën e Mbretërisë, dhe kjo kryesisht ngaqë tezja i përdorte mirë ilustrimet te Libri im i tregimeve biblike.

Kur Naomi u kthye te prindërit, mori një botim të Dëshmitarëve, doli jashtë shtëpisë dhe pastaj trokiti fort në derë. «Futu prapë brenda!»—i thanë prindërit. Duke hyrë brenda, vajza e vogël tha: «Përshëndetje. Unë jam një Dëshmitare e Jehovait dhe kam ardhur t’ju flas për Biblën.» Teksa Xhoi dhe Helena shihnin tërë habi, Naomi vazhdoi: «Bibla thotë se Parajsa do të vijë këtu në tokë dhe një mbret, Jezui, do të sundojë mbi ne. Çdo gjë që shohim përreth e ka bërë Jehovai.»

Xhoi dhe Helena shtangën. «Çfarë do të mendojnë fqinjët tani? Nesër mbaje mbyllur në shtëpi»,—i tha me ton të lartë Xhoi gruas.

Ditën pasuese, ndërkohë që prindërit ishin ulur jashtë shtëpisë, Naomi i ra fort murit të dhomës së saj të gjumit. «Hajde jashtë!»—tha Xhoi. Naomi doli dhe ia behu me një prezantim tjetër: «Përshëndetje. Unë jam një Dëshmitare e Jehovait dhe kam ardhur t’ju predikoj. Njerëzit e mirë do të jetojnë përgjithmonë në tokë. Por njerëzit që zemërohen dhe bëjnë gjëra të këqija nuk do të jenë në Parajsë.» Krejt e çorientuar, Helena ia plasi të qarit, kurse Xhoi iku gjithë nerva në shtrat.

Atë natë, Xhoit iu zgjua kureshtja, shfletoi Biblën e vjetër King James dhe aty rastisi emrin Jehova. Mëngjesin vijues, në vend që të shkonte në punë, u shkroi një letër Dëshmitarëve dhe pastaj udhëtoi me makinë 40 kilometra për në Maunt-Hagen që ta linte letrën te Salla e Mbretërisë.

Vëllezërit shkuan te shtëpia e Xhoit dhe e Helenës e morën masa që me ta të bëhej një studim biblik i rregullt. Gjithashtu, ata e mësuan Helenën të lexonte. Dalëngadalë, si Xhoi edhe Helena u pagëzuan, dhe Helena ishte në gjendje të mësonte studentë të tjerë biblikë të lexonin. Gjithçka falë zemrës së një vajze të vogël, nga e cila buronin lëvdime për Jehovain.

PËRPJEKJE PËR TË NDJEKUR GRUMBULLIME TË KRISHTERE

Në disa pjesë të botës, vëllezërit përdorin rrugë të dyndura të ndotura ose metro të mbipopulluara për të arritur te mbledhjet dhe kongreset e krishtere. Por, në Papua Guinenë e Re, shpesh problemi është mungesa e rrugëve dhe e transportit të mirë. Për këtë arsye, shumë familjeve u duhet të udhëtojnë, të paktën për një pjesë të rrugës, më këmbë a me kanoe ose të dyja bashkë. Për shembull, lajmëtarët me fëmijët e tyre ecin rregullisht më tepër se 160 kilometra në male të rrëshqitshme e të thepisura, që të ndjekin kongresin krahinor vjetor në Port-Moresbi. Udhëtimi rraskapitës njëjavor përshkon Shtegun e Kokodës, vend i njohur në gjithë botën për betejat e shumta e të egra të Luftës II Botërore. Me vete marrin ushqim, enë gatimi, rroba dhe gjëra të tjera që u duhen për kongresin.

Vëllezërit në atolin e largët të Nukumanut, zakonisht i ndjekin kongreset vjetore në Rabaul, 800 kilometra në perëndim. Xhim Dejvisi thotë: «Që të sigurohen se do arrijnë në kohë, ndonjëherë nisen gjashtë javë përpara, se transportit detar nuk i zihet besë. Edhe kthimi është i paparashikueshëm. Një herë, e vetmja anije që udhëtonte për në Nukumanu devijoi drejt Australisë për t’u riparuar dhe pastaj pronarët kishin probleme financiare. Si pasojë, vëllezërve iu desh më se gjashtë muaj të arrinin në shtëpi. Vërtet, ai ishte rast ekstrem, por vonesat për javë të tëra nuk janë të pazakonta, duke i ngujuar lajmëtarët te Dëshmitarët ose te të afërmit.»

SHEMBULLI I SHKËLQYER I MISIONARËVE

Shërbimi në një vend të huaj ku standardi i jetesës mund të jetë më i ulët se në vendlindje, kërkon goxha përshtatje për misionarët. Prapëseprapë, siç e kanë treguar shumë veta, kjo përshtatje mund të bëhet dhe shpesh vlerësohet nga vendësit. Një grua në Papua Guinenë e Re tha për dy motrat misionare që studionin me të: «Lëkurën e kanë të bardhë, por zemrën e kanë si ne.»

Disa misionarë shërbejnë në veprën udhëtuese. Që të vizitojnë kongregacionet, atyre mund t’u duhet të udhëtojnë me çfarëdo mjeti transporti në dispozicion. Kjo ishte e vërtetë për Edgar Mangomën. Qarqet ku shërbeu shtriheshin në lumin Flaj dhe liqenin Murrei. «Kur shërbeja në dy kongregacionet në liqen, shkoja me kanoe—herë kishte motor, herë s’kishte. Kur kanoeja s’kishte motor, më duheshin tetë orë të shkoja nga njëri kongregacion në tjetrin. Zakonisht, tre ose katër vëllezër më shoqëronin dhe, pasi më linin atje, e dinin se do t’u duhej t’u jepnin rremave gjatë gjithë rrugës së kthimit. Sa shumë i vlerësoja!»

Shembulli i mirë i misionarëve, përfshirë përulësinë dhe dashurinë që kishin për njerëzit, ka rezultuar një dëshmi e shkëlqyer. «Fshatarët befasoheshin kur më shihnin që rrija në shtëpitë e njerëzve të interesuar dhe haja vakte me ta,—shkroi një mbikëqyrës qarkor.—Në fakt, disa vendës më kanë thënë: ‘Adhurimi që ju i bëni Perëndisë është i vërtetë. Pastorët tanë nuk rrinë me ne siç bëni ju.’»

A e kanë të vështirë motrat e huaja të përshtaten me jetën në Papua Guinenë e Re? Rutha Bolandi, që ka shoqëruar burrin, Dejvidin, në veprën udhëtuese kujton: «Muajt e parë, e kisha shumë të vështirë. Shumë herë më dukej se s’ia dilja dot. Sidoqoftë jam e lumtur që nuk hoqa dorë, pasi fillova t’i vlerësoj dhe t’i dua vëllezërit e motrat. Burri dhe unë mendonim gjithnjë e më pak për veten dhe gjithnjë e më shumë për të tjerët. Vërtet, gëzimi që filluam të përjetonim ishte i pakrahasueshëm. Nga ana materiale s’kishim asgjë, por frymësisht ishim të pasur. Dorën e Jehovait e pamë në kaq shumë gjëra​—jo vetëm në lidhje me përparimin e lajmit të mirë, por edhe në jetën tonë. Pikërisht atëherë kur nuk ke asgjë nga ana materiale, mbështetesh vërtet te Jehovai dhe i sheh bekimet e tij.»

LUFTA CIVILE NË BUGANVILE

Në vitin 1989, në ishullin e Buganviles, thëngjijtë e mbuluar të një lëvizjeje separatiste që ekzistonte prej kohësh, u ndezën e shkaktuan një luftë civile të përgjithshme. Gjatë konfliktit 12-vjeçar, rreth 60.000 njerëzve iu desh të braktisnin shtëpitë dhe 15.000 të tjerë vdiqën. Mes atyre që u larguan ishin mjaft lajmëtarë, shumica e të cilëve u vendosën në pjesë të tjera të Papua Guinesë së Re.

Pak para se të largohej nga ishulli, Dan Ernestin, një pionier, e kapën ushtarët e Ushtrisë Revolucionare të Buganviles (URB) dhe e çuan në një magazinë të madhe. Dani kujton: «Brenda ndodhej një gjeneral i URB-së me një uniformë të mbuluar me medalje dhe me një shpatë në brez.

—A je ti Dan Ernesti?—pyeti ai.

—Po,—iu përgjigja.

—Kam dëgjuar se ke qenë spiun i Forcave të Mbrojtjes në Papua Guinenë e Re,—më tha.

Fillova t’i shpjegoj se Dëshmitarët e Jehovait nuk përfshihen në konfliktet e asnjë vendi, por ai më ndërpreu e tha: ‘E dimë! Të kemi vëzhguar. Fetë e tjera kanë mbështetur këdo që dukej se po fitonte. Feja juaj është e vetmja që mbeti plotësisht asnjanëse.’ Pastaj shtoi: ‘Populli ynë është trazuar gjatë kësaj lufte dhe ka nevojë për mesazhin tuaj ngushëllues. Do të donim të qëndroje në Buganvile e të vazhdoje predikimin. Por, nëse duhet të ikësh patjetër, do të sigurohem që plaçkat e tua të dalin të sigurta.’ Dy javë më vonë, kur bashkë me gruan u transferuam në një caktim të ri si pionierë, në ishullin e Manusit, gjenerali e mbajti fjalën.»

Zyra e degës u përpoq shumë që të kontaktonte lajmëtarët në zonën e prekur nga lufta dhe, me gjithë bllokimin e rrugëve detare, ishte në gjendje t’u dërgonte ushqim, ilaçe dhe literaturë. Një mbikëqyrës qarkor raportoi: «Vragat e luftës janë kudo, por vëllezërit dhe motrat vazhdojnë të predikojnë e të mbajnë mbledhjet. Po drejtohen edhe shumë studime biblike.»

Më në fund, në vitin 2001, palët luftuese arritën një marrëveshje paqeje që e deklaronte Buganvilen dhe ishujt përreth si rajon autonom. Sot, asnjë Dëshmitar nuk jeton në ishullin e Buganviles, por ishulli fqinj i Bukës ka një kongregacion të shkëlqyer me 39 lajmëtarë.

NJË VULLKAN SHKATËRRON RABAULIN

Qyteti i Rabaulit ka një port të madh që faktikisht është krateri i një vullkani të lashtë. Në shtator të vitit 1994, vatrat aktive në të dyja krahët e portit shpërthyen duke e shkatërruar Rabaulin dhe duke ua ndryshuar jetën banorëve në atë provincë. Salla e Mbretërisë dhe shtëpia misionare ngjitur u shkatërruan, por asnjë vëlla nuk vdiq. Gjithsesi, një vëlla kishte probleme me zemrën dhe vdiq ndërsa po ia mbathte nga shpërthimi. Të gjithë vëllezërit shkuan në zona të paracaktuara kilometra larg, duke ndjekur planin e evakuimit që për disa vjet ishte vendosur te tabela e informacionit në Sallën e Mbretërisë.

Zyra e degës mori menjëherë masa që të ndihmonte të prekurit nga shpërthimi dhe të organizonte dhënien e ndihmave. U dërguan rroba, rrjeta mushkonjash, ilaçe, benzinë, naftë dhe artikuj të tjerë, bashkë me oriz dhe taro nga një kongregacion aty pranë. Vërtet, dhënia e ndihmave shkoi kaq mirë sa zyrtarët vendës dhe të tjerë bënë disa komente pozitive.

Me kalimin e kohës, kongregacioni i Rabaulit pushoi së ekzistuari. Dy ditë pas shpërthimeve, rreth 70 lajmëtarë me fëmijët e tyre u mblodhën te një shkollë profesionale që ishte braktisur. Kur pleqtë arritën, lajmëtarët pyetën: «Në ç’orë do të fillojë studimi i librit?» Po, me gjithë vështirësitë, ndjekja e mbledhjeve dhe vepra e dhënies së dëshmisë nuk u lanë kurrë pas dore. (Hebr. 10:24, 25) Shumica e vëllezërve shkuan te grupe aty afër dhe, si pasojë, një prej tyre u bë kongregacion.

Qeveria në atë provincë u premtoi të gjitha feve që kishin humbur pronat se do t’u dhuronte troje në qytetin e Kokopos, rreth 24 kilometra larg Rabaulit. Megjithatë, edhe pse fetë e tjera morën troje, Dëshmitarëve nuk iu dha gjë. Më vonë, rreth shtatë vjet pas shpërthimit, një vëlla nga Afrika filloi të punonte në Zyrën e Urbanistikës së Qytetit. Pasi e vuri re padrejtësinë që u ishte bërë Dëshmitarëve, menjëherë piketoi një sipërfaqe toke të përshtatshme në Kokopo dhe i ndihmoi vëllezërit për aplikimin, i cili u miratua. Një skuadër vullnetare ndërtimi ndihmoi që një Sallë Mbretërie dhe një shtëpi misionare të ndërtoheshin. Në fakt, padrejtësia fillestare doli një bekim. Si ka mundësi? Trojet që iu dhanë kishave ndodhen lart në një kodër të rrëpirët. Kurse prona që iu dha vëllezërve gjendet për bukuri në qendër të qytetit.

PËRKTHIMI ECËN PËRPARA

«Në një vend me mbi 800 gjuhë, është jetësore të kesh një a më tepër gjuhë të përbashkëta, që njerëzit të komunikojnë me njëri-tjetrin,—thotë Timo Rajaletoja, që është anëtar i Komitetit të Degës dhe mbikëqyrës i Repartit të Përkthimit.—Gjuhët e thjeshta që përdoren për tregti, të tilla, si tok-pisine dhe hiri-motu, janë ideale për këtë qëllim. Ato janë relativisht të lehta për t’u mësuar si gjuhë e dytë dhe shërbejnë si mjete komunikimi për gjërat e përditshme. Por nuk janë ideale për të përcjellë koncepte të ndërlikuara. Kështu, përkthyesit tanë shpesh stërmundohen me disa fjalë.

Për shembull, zbuluam se fjala ‘parim’ s’kishte asnjë ekuivalent në tok-pisine. Prandaj, përkthyesit tanë bashkuan fjalët tok-pisine ‘drejtoj’ dhe ‘bisedë’ për të krijuar një fjalë, e cila përshkruan se si parimet i ‘drejtojnë’ njerëzit në drejtimin e duhur. Shprehja filloi të përdorej në media dhe tani përdoret nga shumë njerëz që flasin gjuhën tok-pisine.»

Kulla e Rojës filloi të botohej në motu në vitin 1958 dhe në tok-pisine më 1960-ën. Artikujt e studimit shtypeshin në Sidnei, Australi, në fletë të kapura jo fort me kapëse dhe dërgoheshin në Port-Moresbi. Në vitin 1970 revista u bë me 24 faqe dhe tirazhi i saj arriti mbi 3.500 kopje. Në janar të 1972-shit, doli botimi i parë i Zgjohuni! me 24 faqe në tok-pisine. Sot, dega përgatit një revistë gjysmëmujore të Kullës së Rojës dhe një Zgjohuni! çdo tre muaj në tok-pisine. Gjithashtu, edhe një botim mujor të Kullës së Rojës për studim bashkë me një botim për publikun çdo tre muaj në hiri-motu.

«Kohët e fundit përkthyem fletushka në disa gjuhë të tjera, ku përfshihen gjuhët: enga, kuanua, melpa, orokajva dhe xhiuaka,—thotë Timo Rajaletoja.—Pse iu futëm kësaj pune kur njerëzit që flasin këto gjuhë flasin tok-pisine, anglisht ose të dyja? Donim të shihnim si do të reagonin njerëzit ndaj mesazhit të Mbretërisë në gjuhët amtare. A do ta ndizte interesin e tyre për të vërtetën dhe të ndikonte për mirë te qëndrimi ndaj Dëshmitarëve?

Përgjigjja është një po ushtuese. Vërtet, njerëzit kanë thënë shumë fjalë të mira. Janë filluar studime biblike, madje disa kundërshtarë të mëparshëm kanë ndryshuar qëndrim ndaj Dëshmitarëve. Kur njerëzit marrin një botim në gjuhën amtare, ka ndikim shumë të madh.»

Sot në Repartin e Përkthimit punojnë 31 veta, ku përfshihen skuadra përkthimi në hiri-motu dhe tok-pisine. Në dhjetor të vitit 2009, të gjithë ishim të entuziazmuar kur lëvizëm te zyrat e reja të përkthimit.

SHKOLLA E SHËRBIMIT PËR PIONIERË U SJELL DOBI SHUMË VETAVE

Shkolla e Shërbimit për Pionierë është një ngjarje e rëndësishme në jetën e shumë shërbëtorëve të Jehovait. Shkolla i ndihmon pionierët jo vetëm të rriten frymësisht, por edhe i pajis që të bëhen pionierë më të mirë. Ja çfarë kanë thënë disa pasi ndoqën shkollën.

Lusi Koimi: «Shkolla më ka ndihmuar të kuptoj se një nga gjërat më të mira që mund të bëj në jetë, është të vazhdoj në shërbimin e plotkohor.»

Majkëll Karapi: «Para shkollës kisha shumë rivizita, por asnjë studim biblik. Tani kam mjaft studime.»

Ben Kuna: «Shkolla më mësoi të mendoj edhe më shumë si Jehovai.»

Sajfon Popoja: «Asnjëherë s’kam studiuar sa në këtë periudhë! Për më tepër, mësova të mos studioj nxitimthi.»

Xhuli Kajna: «Nga shkolla mësova të kem pikëpamjen e duhur për gjërat materiale. S’kemi vërtet nevojë për kaq shumë gjëra sa thonë të tjerët.»

Dan Burksi, anëtar i Komitetit të Degës, vërejti: «Kur pionierët bëhen më të frytshëm, u shtohet lumturia dhe zelli. Jemi të sigurt se Shkolla e Shërbimit për Pionierë do të vazhdojë t’u sjellë dobi qindra pionierëve në këtë vend. Sigurisht, nga kjo do të përfitojnë edhe lajmëtarët, edhe njerëzit e interesuar në territor.»

RRITEN SË BASHKU NË DASHURI

Jezu Krishti tha: «Do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Në Papua Guinenë e Re, dashuria e krishterë ka zhdukur çdo lloj hendeku: dallimet gjuhësore, ndryshimet raciale, kulturat fisnore dhe pabarazinë ekonomike. Kur njerëzit me zemër të ndershme e shohin një dashuri të tillë, nxiten të thonë: «Perëndia është me ju.»

Kështu mendonte edhe Mangi Samgari, i përmendur më herët, një pronar autobusi dhe ish-pastor luteran nga Banzi. Si arriti në këtë përfundim? Kongregacioni vendës prenotoi një nga autobusët e Mangit që të ndiqte një kongres krahinor në Lae. «Meqë ishte kureshtar për Dëshmitarët, udhëtoi me ta,—thanë Stiv dhe Katrin Dauali, që ishin te vendi i kongresit kur mbërriti autobusi.—Mangit i bëri mjaft përshtypje organizimi dhe uniteti mes racave dhe fiseve të ndryshme në popullin e Jehovait. Kur u kthye në shtëpi me autobusin plot me Dëshmitarë, ishte i bindur se kishte gjetur të vërtetën. Më vonë, bashkë me të birin, u bënë pleq të krishterë.»

Motër Hoela Forova, një pioniere e ve dhe e re në moshë, që kujdesej për nënën e saj vejushë, kishte nevojë të ngutshme për një shtëpi të re. Në dy raste i dha para një të afërmi që të blinte lëndë druri, por kurrë nuk e mori drurin dhe paratë s’i pa më me sy. Të vetëdijshëm për hallin e saj, Dëshmitarët vendës ia ndërtuan shtëpinë vetëm për tri ditë. Gjatë gjithë këtyre ditëve, Hoela qante herë pas here, e prekur thellë nga dashuria e vëllezërve. Gjithashtu, projekti dha dëshmi të jashtëzakonshme. Një prift i një kishe vendëse tha i habitur: «Si mund ta ndërtojnë një shtëpi për tri ditë këta njerëz që nuk kërkojnë para dhe vetëm bredhin me çanta librash?»

Apostulli Gjon shkroi: «Fëmijë të vegjël, le të mos duam veç me fjalë e me gjuhë, por me vepra e të vërtetë.» (1 Gjon. 3:18) Si rezultat i një dashurie të tillë, të shprehur në shumë mënyra, vepra në Papua Guinenë e Re vazhdon të ecë përpara. Vërtet, 3.672 lajmëtarët drejtojnë 4.908 studime biblike dhe në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit më 2010-n ishin të pranishëm 25.875 veta​—dëshmi e fuqishme e bekimeve të vazhdueshme të Jehovait.​—1 Kor. 3:6.

Rreth 70 vjet më parë, një grusht vëllezërish dhe motrash të guximshëm erdhën pa frikë në këtë vend të mahnitshëm e të mistershëm dhe sollën me vete të vërtetën që i liron njerëzit. (Gjoni 8:32) Në dekadat në vazhdim, shumë Dëshmitarë të tjerë​—të huaj dhe vendës—​u bashkuan në këtë vepër. Para tyre gjendeshin pengesa të pakapërcyeshme në dukje: xhungla të dendura, moçalishte me insekte që shkaktojnë malarjen, rrugë të këqija ose mungesa e tyre, si dhe varfëria, dhuna fisnore, spiritizmi i përhapur e ndonjëherë kundërshtimi i dhunshëm i klerit të të ashtuquajturit krishterim dhe i mbështetësve të tij. Gjithashtu, vëllezërit duhej të përballeshin me analfabetizmin dhe me vështirësinë që t’u predikonin mijëra komuniteteve fisnore të cilat flasin mbi 800 gjuhë. Kontributi i tyre bujar për predikimin rreth Mbretërisë vlerësohet jashtë mase nga ata që kanë ardhur pas tyre dhe kanë ndërtuar mbi themelet e hedhura.

Sidoqoftë, shërbëtorët e Jehovait i hasin ende shumë nga këto vështirësi në Papua Guinenë e Re. Por gjithçka është e mundur për Perëndinë. (Mar. 10:27) Kështu, me besim të plotë te Jehovai, vëllezërit e motrat në këtë vend të larmishëm janë të sigurt se, akoma më shumë njerëzve që janë të prirur për drejtësi, Jehovai ‘do t’ua ndryshojë gjuhën në një gjuhë të kulluar, që të gjithë të thërrasin emrin e Jehovait e t’i shërbejnë atij sup më sup’.​—Sof. 3:9.

[Shënimet]

^ par. 2 Ishulli më i madh në botë është Grënlanda. Australia është kontinent e jo ishull.

^ par. 5 Përgjatë këtij tregimi, do të përdorim emrin aktual Papua Guineja e Re, në vend se emrat e mëparshëm.

^ par. 66 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

[Diçitura në faqen 88]

«Ku e mësove ta bësh gjithë këtë Bobogi?»

[Diçitura në faqen 100]

‘Ai pranoi që ta shfaqnim falas filmin’

[Diçitura në faqen 104]

«Hiq dorë nga feja ose gjej punë tjetër!»

[Diçitura në faqen 124]

Kur panë çfarë kishte brenda në çantën e saj, u ndien fajtorë për atë që kishin bërë

[Diçitura në faqen 149]

«Lëkurën e kanë të bardhë, por zemrën e kanë si ne»

[Kutia dhe figura në faqen 80]

Pamje e përgjithshme e Papua Guinesë së Re

Vendi:

Papua Guineja e Re ndodhet në gjysmën lindore të ishullit të Guinesë së Re. Ajo përfshin 151 ishuj më të vegjël dhe është pak më e madhe se shteti i Kalifornisë, SHBA. Në brendësi të vendit mbizotërojnë malet e thepisura, kurse pranë bregdetit shtrihen pyjet e dendura të shiut dhe moçalet.

Popullsia:

Nga 6,7 milionë banorët, 99 për qind janë papuanë dhe melanezianë. Pjesa tjetër janë polinezianë, kinezë dhe të bardhë. Shumica e njerëzve e quajnë veten të krishterë.

Gjuha:

Papua Guineja e Re është vendi më kompleks në tokë nga ana gjuhësore, pasi fliten 820 gjuhë​—12 për qind e gjuhëve të të gjithë botës. Përveç gjuhëve të tyre indigjene, shumë njerëz flasin tok-pisine, hiri-motu ose anglisht.

Jetesa:

Rreth 85 për qind e popullsisë jetojnë sipas mënyrës tradicionale, duke u kujdesur për bahçet me perime në fshatrat e vegjël. Në vendet malore, kultivohen kafeja dhe çaji për të siguruar të ardhurat. Gjithashtu, ekonomisë i kontribuojnë edhe gazi, nafta dhe pylltaria.

Ushqimi:

Ndër ushqimet bazë janë patatet e ëmbla, tarot, maniokët, mielli i palmës dhe bananet që hahen të freskëta ose të gatuara. Të zakonshme janë edhe perimet, frutat tropikale, mishi e peshku i konservuar. Derri hahet në raste të veçanta.

Klima:

Vendi ka dy stinë: e lagësht dhe jo aq e lagësht. Ngaqë Papua Guineja e Re ndodhet pranë ekuatorit, në bregdet ka klimë tropikale, kurse në male bën më fresk.

[Kutia dhe figurat në faqet 83, 84]

‘E mposhta ndrojtjen’

ODA SIONI

LINDUR: 1939

PAGËZUAR: 1956

TË DHËNA: Pionieri i parë vendës në Papua Guinenë e Re. Tani shërben si pionier special në kongregacionin Hohola-Motu, në Port-Moresbi.

▪ KUR motra ime më e madhe pa Tom dhe Rovena Kiton duke predikuar në rruginat prej druri të fshatit Hanuabadë, më kërkoi të ndiqja mbledhjet e tyre e të zbuloja diçka për këtë «fe të re». Në atë kohë, mbledhjet mbaheshin në shtëpinë e Heni-Heni Niokit, një student i Biblës nga ajo zonë.

Isha 13 vjeç dhe shumë i ndrojtur. Shkova në shtëpinë e Heni-Henit, ku ishin mbledhur rreth 40 fshatarë, dhe u ula me qetësi në fund me kokën e zhytur ndër duar. Më pëlqeu ajo që dëgjova dhe vazhdova të shkoja. Shpejt, Heni-Heni më kërkoi të përktheja nga anglishtja e Tom Kitos në motu, gjuhën që fliste shumica e të pranishmëve.

Disa vjet më vonë, kur nisa punë në një spital vendës me synimin që të bëhesha mjek, Xhon Katforthi më mori mënjanë dhe me dashamirësi arsyetoi me mua duke më thënë: «Nëse bëhesh mjek në spital mund t’i ndihmosh njerëzit fizikisht, por, nëse bëhesh mjek frymor, mund t’i ndihmosh të fitojnë jetën e përhershme.» Atë javë fillova të shërbeja si pionier.

Caktimi im i parë ishte në Uau. E kisha vizituar këtë qytet kohët e fundit dhe kisha gjetur disa të interesuar për të vërtetën. Një burrë, Xhek Arifaj, më ftoi të predikoja në kishën luterane. Zgjodha të flitja për ligjin e Perëndisë rreth gjakut. Të 600 të pranishmit në kishë kushtuan tepër vëmendje, pasi mjaft prej tyre besonin se ngrënia e gjakut të dikujt bënte që shpirti i tij të pushtonte trupat e tyre. Prifti u tërbua dhe u tha njerëzve të mos kishin fare lidhje me mua. Por shumë vetave u pëlqeu ajo që dëgjuan dhe bënë përparim të mëtejshëm frymor.

Rreth një vit më vonë, u caktova në Manu-Manu, rreth 50 kilometra në veriperëndim të Port-Moresbit. Atje takova një nga krerët vendës, Tom Suraun, i cili më ftoi të predikoja në fshatin e tij. Pasi studiova me fshatarët për tri ditë, e bënë copë e thërrime idhullin e tyre prej druri të virgjëreshës Mari, dhe e hodhën në lumë.

Njerëzit që jetonin buzë lumit, mblodhën copat e idhullit dhe ua çuan priftërinjve katolikë në fshatin e tyre duke thërritur: «Ata kanë vrarë Marinë!» Dy priftërinj erdhën që të përballeshin me mua. Njëri prej tyre erdhi drejt meje dhe më gjuajti me grusht në fytyrë, duke më çarë faqen me unazën e vet. Kur fshatarët nxituan të më mbronin, priftërinjtë ia mbathën.

Udhëtova për në Port-Moresbi që të qepja plagën dhe të denoncoja në polici. Më vonë, ata u gjobitën dhe iu kërkua të jepnin dorëheqjen si priftërinj. Ndërkohë, u ktheva në fshat dhe formova një grup në këtë zonë të thellë. Me ndihmën e Jehovait, e kisha mposhtur ndrojtjen.

[Figura]

Mbledhjet e para mbaheshin në shtëpinë e Heni-Henit

[Kutia në faqen 86]

Sistemi uantok

Termi uantok, që në tok-pisine do të thotë «një të folur», ka të bëjë me një lidhje të fuqishme kulturore që i bashkon njerëzit e të njëjtit grup etnik, të cilët flasin të njëjtën gjuhë. Kjo lidhje përfshin disa detyrime dhe privilegje. Për shembull, pritet që njerëzit të kujdesen për nevojat materiale të uantokëve të moshuar (njerëz që flasin gjuhën e tyre) ose për të papunët a për ata që nuk janë në gjendje të punojnë. Në një vend ku ndihma sociale është e kufizuar, kjo është vërtet një ndihmë.

Por sistemi ka edhe anë negative. Për shembull, kur studentët biblikë marrin qëndrim për të vërtetën, pjesëtarë të familjes mund t’i mohojnë. Në rrethana të tilla, të rinjtë në të vërtetën duhet të drejtohen te Jehovai për ndihmë kur mbeten pa punë ose kur për ndonjë arsye tjetër u nevojitet ndihmë materiale. (Psal. 27:10; Mat. 6:33) Anëtari i Komitetit të Degës, Kegaval Bijama, thotë: «Gjithashtu sistemi uantok mund t’i vërë vëllezërit përballë një presioni të madh që të shoqërohen më shumë se ç’duhet me të afërm jo Dëshmitarë, përfshirë ata që janë të përjashtuar. Po ashtu, gjatë zgjedhjeve politike, të afërmit Dëshmitarë të kandidatëve hasin shpesh presion të bëjnë kompromis me asnjanësinë e krishterë.» Natyrisht ata nuk bëjnë kompromis.

[Kutia dhe figura në faqen 91]

Ai fitoi zemrat e shumë vetave

Gjatë shërbimit si misionar në Papua Guinenë e Re, Xhon Katforthi fitoi zemrat e shumë vetave. Ja ç’thonë për të disa nga misionarët dhe të tjerë që punuan me të.​—Prov. 27:2.

Erna Anderseni: «Xhoni na tha: ‘Një misionar i vërtetë bëhet çdo gjë për të gjithë. Nëse njerëzit të japin një copë druri për t’u ulur, ulu; të dhanë më të mirën. Nëse të japin një krevat të parehatshëm, fli në të; e kanë bërë me dashamirësi. Nëse të japin ndonjë ushqim të çuditshëm, haje; e kanë përgatitur me dashuri.’ Xhoni ishte shembull i jashtëzakonshëm i një misionari vetëmohues.»

Avak Duvuni: «Gjatë sundimit kolonial, Xhoni jo vetëm e hoqi paragjykimin mes zezakëve dhe të bardhëve, por e shkuli me gjithë rrënjë. Shpesh thoshte: ‘I zi apo i bardhë, s’ka asnjë ndryshim.’ I donte të gjithë njësoj.»

Piter Linki: «Një pasdite, pasi kishte udhëtuar gati gjithë ditën, Xhoni mbërriti tërë pluhur e i lodhur në shtëpinë tonë në Gorokë. Megjithatë, pas darke tha: ‘Sot nuk kam bërë ndonjë gjë për ndokënd’, dhe u çapit nëpër mugëtirë që të vizitonte dhe t’i jepte zemër një familjeje vendëse. Ai merakosej gjithnjë për të tjerët. Të gjithë e donim shumë.»

Xhim Dobinsi: «Xhoni na mësoi të jetonim thjesht dhe të mësonim me thjeshtësi, duke përdorur ilustrime që njerëzit i kuptonin, siç bënte Jezui. Kështu mundëm të flitnim me ata që nuk dinin lexim e shkrim.»

[Kutia dhe figura në faqen 101]

«Nuk do të heqim dorë kurrë»

KALIP KANAI

LINDUR: 1922

PAGËZUAR: 1962

TË DHËNA: Një nga të parët që pranuan të vërtetën në zonën e Madangut. Treguar nga i biri, Ulpep Kalipi.

▪ IM ATË ishte njeri i përulur dhe mendonte thellë. Kur haste ndonjë problem, dëgjonte me kujdes dhe analizonte çështjen para se të jepte mendimin e tij.

Kur isha 15 vjeç, u shtrova në spitalin e Madangut, ngaqë një peshkaqen më kishte kafshuar këmbën nga gjuri e poshtë. Kur erdhi të më takonte, babai hasi Xhon Dejvisonin. Xhoni i tha: «Në botën e re Jehovai mund t’i japë një këmbë të re djalit tënd.» Babait iu ngjall interesi, filloi të studionte Biblën me etje dhe shpejt besimi iu bë shumë i fortë.

Për shkak se babai dhe të afërmit e tij e kishin braktisur Kishën Katolike, policinë e nxitën që të na nxirrte me forcë nga shtëpitë. Të 12 shtëpitë tona, të rrethuara me kopshte plot lule, nuk kishin as një vit që ishin bërë. Policia hodhi pishtarë të ndezur në çatitë prej kashte që shpërthyen në flakë. Vrapuam që të shpëtonim plaçkat, por thëngjijtë e ndezur dhe tymi nuk na lanë. Qamë teksa shtëpitë bëheshin shkrumb e hi.

Me zemrën copë, ecëm për në Bagildig, në fshatin fqinj, ku kreu me dashamirësi na la të banonim në një kasolle të vogël me një dhomë. Atje, babai iu drejtua familjes: «Jezuin e përndoqën, prandaj presim që njerëzit të na përndjekin edhe ne. Por ne nuk do të heqim dorë kurrë nga besimi.»

[Kutia dhe figura në faqet 107, 108]

Mirënjohës që shkoi në shkollën «e gabuar»

MAJKËLL SAUNGA

LINDUR: 1936

PAGËZUAR: 1962

TË DHËNA: U bë pionier special në shtator 1964 dhe po shërben si i tillë në Papua Guinenë e Re më gjatë se gjithë të tjerët.

▪ MË 1959, shkova në Rabaul që të vazhdoja më tej shkollën. Kur dëgjova që Dëshmitarët kishin një shkollë, shkova në shtëpinë e «mësuesit», Lans Gosonit, me mendimin se po shkoja në një shkollë profesionale. Lansi më ftoi të merrja pjesë në studimin e Biblës që mbahej çdo të mërkurë. Me gjithë keqkuptimin, e pranova ftesën. E çmova shumë atë që mësova, sidomos se emri i Perëndisë është Jehova dhe se do të ketë ‘qiej të rinj e një tokë të re’. (2 Pjet. 3:13) U pagëzova mëngjesin e 7 korrikut 1962, me mirënjohje të thellë se kisha shkuar në shkollën «e gabuar».

Po atë ditë, ndoqa një mbledhje me të interesuarit për shërbimin si pionier. Drejtuesi, Xhon Katforthi, i cili ishte mbikëqyrësi krahinor, theksoi se fushat ishin të bardha për korrje dhe se kishte nevojë për më tepër punëtorë. (Mat. 9:37) Sa më shpejt që munda, fillova shërbimin si pionier i përkohshëm, siç quheshin pionierët ndihmës në atë kohë. Në maj 1964 u bëra pionier i rregullt dhe në shtator fillova si pionier special.

Më kujtohet një rast kur po predikoja afër Rabaulit. Një burrë i komunitetit tolai më pyeti nëse mund të ma merrte Biblën që të lexonte vetë një shkrim. Kur ia dhashë, e grisi dhe e hodhi përtokë. Në vend që të acarohesha, ia raportova çështjen shefit të policisë, i cili dërgoi menjëherë një polic që ta arrestonte. Shefi i tha burrit: «Ti je njeri i keq. Theve ligjin e Perëndisë dhe të qeverisë. Duhet të blesh një Bibël të re për atë burrë nesër dhe, nëse nuk e bën, do të të futim në burg.» Më pas, shefi më tha të shkoja në rajonin e policisë të nesërmen, në orën 10.00, që të merrja paratë për Biblën. Kur shkova, paratë po më pritnin. Që atëherë, shumë njerëz nga komuniteti tolai kanë hyrë në të vërtetën.

Në një rast tjetër, me një grup Dëshmitarësh po shpërndaja fletushkën Lajmërim i Mbretërisë në një zonë, në perëndim të Vivakut. Të tjerët shkuan të predikonin para meje. Por një kre fshati zbuloi ç’po bënin vëllezërit dhe mblodhi kopjet që kishin shpërndarë. Ai duhet ta ketë ditur se po shkoja edhe unë, pasi po më priste në mes të rrugës me duart në bel, dhe në njërën dorë kishte kopjet e fletushkës. Pyeta nëse kishte ndonjë gjë që nuk shkonte. Ai m’i drejtoi fletushkat dhe tha: «Këtu drejtoj unë dhe nuk dua që t’i shpërndani këto.»

Ia mora fletushkat. Ndërkohë, ishin mbledhur fshatarët. Duke u kthyer nga ata, i pyeta: «Kur punoni në kopshtin tuaj ose shkoni për peshk, a merrni leje?»

—Jo,—tha një zonjë.

—A doni ta lexoni këtë?—i pyeta më pas.

—Po,—u përgjigjën. Kështu që i shpërndava sërish fletushkat pa kundërshtim. Por, më vonë, m’u desh ta mbroja veten para një mbledhjeje me rreth 20 krerë fshati. Sa mirë që të gjithë, përveç dy vetave, ishin dakord që të vazhdonim predikimin.

[Kutia dhe figura në faqen 112]

«Mos të kanë ngrënë zemrën?»

AJOKOVANA

LINDUR: 1940

PAGËZUAR: 1975

TË DHËNA: Një nga të parat që mësuan të vërtetën nga zona e Engës.

▪ KUR Tom dhe Rovena Kitoja erdhën në Engë, provincë e Uabagut, grupet fetare vendëse përhapën histori të rreme për ta. Për shembull, thoshin se Tomi dhe Rovena zhvarrosnin të vdekurit dhe i hanin. Këto histori më frikësonin vërtet.

Një ditë, Tomi e pyeti babanë tim nëse njihte ndonjë vajzë që të ndihmonte të shoqen me punët e shtëpisë. Babai bëri me gisht nga unë. Isha e tmerruar, por babai më detyroi ta pranoja punën.

Më vonë, Tomi e Rovena më pyetën: «Si mendon, ç’ndodh me njerëzit kur vdesin?»

—Të mirët shkojnë në qiell,—u përgjigja.

—E ke lexuar në Bibël këtë?—më pyetën.

—Nuk kam qenë në shkollë dhe nuk di të lexoj,—u përgjigja.

Filluan të më mësonin të lexoja dhe dalëngadalë nisa të kuptoja të vërtetën biblike. Kur i ndërpreva lidhjet me Kishën Katolike, njëri nga udhëheqësit e kishës më pyeti: «Pse nuk vjen më në kishë? Mos të kanë ngrënë zemrën çifti i bardhë?»

—Po,—u përgjigja.—Zemra ime e figurshme tani është me ta, sepse e di që po më mësojnë të vërtetën.

[Kutia dhe figura në faqen 117]

«Më jep një pulë dhe është yti»

EVAJAV SARE

LINDUR: 1950

PAGËZUAR: 1993

TË DHËNA: E mësoi të vërtetën në një zonë të thellë. Tani shërben si shërbëtor ndihmës në kongregacionin e Mundipit.

▪ KUR shkova në shtëpinë e një shoku, pashë librin E vërteta që të çon në jetën e përjetshme. Lexova ca kapituj dhe e pyeta nëse mund ta merrja. Ai u përgjigj: «Më jep një pulë dhe është yti.»

Këmbimi u bë dhe e mora librin në shtëpi, të cilin e lexova me kujdes. S’kaloi shumë dhe nisa t’u flitja të tjerëve për gjërat e mrekullueshme që kisha mësuar, ndonëse u thirra dy herë para udhëheqësve të kishës, të cilët më thanë të mos predikoja më.

Shpejt pas kësaj, i shkrova zyrës së degës dhe pyeta si të lidhesha me Dëshmitarët vendës. Më lidhën me Alfredo de Gusmanin, që më ftoi në një kongres krahinor në Madang.

Shkova në kongres me veshje të shkujdesur, siç visheshin normalisht në fshatrat e thella, dhe kisha gjithë atë mjekër të zezë. Megjithatë, të gjithë më trajtuan me dashamirësi dhe respekt. Gjatë programit fillova të qaja, sepse më preku ajo që dëgjova. Ditën tjetër mbërrita në kongres i rruar dhe i pastër.

Pas kongresit, Alfredoja erdhi në fshatin tim​—një udhëtim prej dy orësh me kamion, plus pesë orë më këmbë nga Madangu. Familja dhe miqtë e bombarduan me pyetje dhe ai iu përgjigj të gjithave nga Bibla.

Sot kongregacioni i Mundipit ka 23 lajmëtarë dhe më shumë se 60 veta ndjekin mbledhjet.

[Kutia dhe figura në faqet 125, 126]

«Ç’ke për të na thënë?»

MAKUJË MAREGU

LINDUR: 1954

PAGËZUAR: 1986

TË DHËNA: Për shumë vjet shërbeu si pioniere në një ishull ku nuk kishte Dëshmitarë të tjerë.

▪ NË VITIN 1980 pranova një fletushkë nga një pionier në Madang dhe e mora me vete në shtëpi, në ishullin e Bagabagut, gjashtë orë larg me barkë. Më pëlqeu ajo që lexova dhe i shkrova zyrës së degës për të ditur më shumë. Shpejt pas kësaj, mora një letër nga Badama Duvuni, një pioniere në Madang, e cila më ftonte të ndiqja një kongres krahinor. Qëndrova tek ajo për dy javë dhe nisa të studioja Biblën. Gjithashtu shkova te të gjitha mbledhjet në Sallën e Mbretërisë vendëse. Kur u ktheva në shtëpi, e vazhdova studimin me korrespondencë.

S’kaloi shumë dhe fillova të studioja me 12 familje në ishullin e Bagabagut. Mbanim rregullisht mbledhje në shtëpinë e xhaxhait tim, sipas modelit që kisha parë te grupi i studimit të Biblës në Madang. Kjo e acaroi babanë, i cili ishte anëtar i shquar i Kishës Luterane. «Emrin Jahveh e njoh, kurse emrin Jehova nuk e njoh fare»,—bërtiti ai. Hapa Biblën time në tok-pisine dhe i tregova shënimin për Daljen 3:15 që shpjegon emrin hyjnor. Babai mbeti pa fjalë.

Tri herë më kërkoi të dilja para krerëve të kishës që të mbroja besimin. Një nga këto mbledhje u mbajt në kishën më të madhe të ishullit. Vendi u mbush me më se njëqind veta. Gjendja ishte e tensionuar. «Ç’ke për të na thënë?»—më pyeti drejtuesi. Duke shtrënguar fort Biblën, iu përgjigja: «Dua vetëm të zbatoj Mateun 6:33 dhe të vë Mbretërinë e Perëndisë në vend të parë.» Babai u hodh përpjetë. «U bëre ti të na mësosh ne!»—tha gjithë tërbim. Njëri nga xhaxhallarët u ngrit të më godiste, por një i afërm tjetër më mbrojti. Mbledhja u bë rrëmujë. Në fund më thanë të ikja.

Sidoqoftë, problemet e mia nuk mbaruan me kaq. Mjerisht, njëra nga gratë, e cila ndiqte mbledhjet tona, kishte një foshnjë të sëmurë që i vdiq. Disa banorë të komunitetit ma hodhën mua fajin për këtë, duke thënë se foshnja vdiq ngaqë po i mësoja nënës një fe të re. Im atë më kërcënoi me një shufër hekuri dhe më dëboi nga shtëpia. Ia mbatha në Madang me hallën, Lamita Maregun, e cila po ashtu kishte pranuar të vërtetën. Jo shumë kohë më vonë, u pagëzuam që të dyja.

Pas njëfarë kohe, babai u sëmur rëndë. E mora në shtëpinë time në Madang dhe u kujdesa për të derisa vdiq. Gjatë asaj kohe ndryshoi qëndrim për fenë time. Para se të vdiste, më nxiti të kthehesha në ishullin e Bagabagut dhe t’u predikoja banorëve. Këtë e bëra në vitin 1987. Të afërmit më ndërtuan me dashamirësi një shtëpi të vogël dhe për 14 vjet isha e vetmja Dëshmitare atje. Për 12 vjet, gjatë kësaj periudhe, kam shërbyer si pioniere e rregullt.

Më pas u ktheva në Madang që të shërbeja si pioniere me Lamitën. Në vitin 2009, gjashtë veta nga ishulli i Bagabagut erdhën në Madang që të ndiqnin Përkujtimin e vdekjes së Krishtit që mbahet çdo vit. Nuk u martova kurrë, dhe jam e lumtur që e përdora beqarinë për t’i shërbyer plotësisht Jehovait.

[Kutia dhe figurat në faqet 141, 142]

Jehovai më mori në shtëpinë e vet

DORA NINGI

LINDUR: 1977

PAGËZUAR: 1998

TË DHËNA: E mësoi të vërtetën kur ishte e vogël, si dhe e mohoi familja. Më vonë filloi si pioniere dhe tani shërben në zyrën e degës.

▪ KUR isha 17 vjeçe, gjeta librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. Shpejt kuptova se kisha gjetur diçka shumë të veçantë. E lidha këtë libër me Dëshmitarët e Jehovait, pasi rreth moshës 4-vjeçare dy Dëshmitare më folën për premtimin e Perëndisë për parajsën në tokë.

Jo shumë kohë pasi gjeta librin Ti mund të jetosh, prindërit adoptues më thanë se, meqë kishin pesë fëmijë të vetët, më duhej të kthehesha te familja ime që jetonte në qytetin bregdetar të Vivakut. Kur shkova atje, në fillim ndenja te xhaxhai.

Doja me zjarr të takoja Dëshmitarët dhe e gjeta veten rrugës për te Salla e Mbretërisë. Mbërrita tamam në kohën kur një vëlla po njoftonte këngën përmbyllëse. Prapëseprapë, një misionare nga SHBA-ja, Pami, mori masa që të studionte Biblën me mua. Kënaqesha tej mase me atë që mësoja. Por pasi studiova vetëm tri herë, m’u desh të përballesha me xhaxhanë.

Teksa i afrohesha shtëpisë pas një mbledhjeje që kishim të dielën, pashë të dilte tym nga oborri i përparmë i xhaxhait. Po digjte të gjitha gjërat e mia, përfshirë librat për studimin e Biblës. Kur më pa, bërtiti: «Nëse do që të ndjekësh fenë e tyre, atëherë le të kujdesen ata për ty.» Ngaqë nuk më lejohej të jetoja më atje, nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të kthehesha te shtëpia e prindërve biologjikë që jetonin në një fshat rreth dy orë larg me makinë nga Vivaku.

Kur takova babanë, u tha vëllezërve e motrave në praninë time: «Kush është kjo vajzë? Nuk e njohim. E hoqëm kur ishte tre vjeçe.» E kuptova se as ai nuk më donte, kështu që ika dhe qëndrova ku të gjeja vend.

Rreth dy vjet më vonë, dy vëllezër pionierë specialë më takuan në fshatin e prindërve. U thashë: «Ju lutem thuajini Pamit se nuk e kam harruar atë që më mësoi, por s’kam si ta takoj.» Megjithatë, pak pas kësaj, arrita të takohesha me Pamin në Vivak dhe rifilluam studimin. Gjatë kësaj kohe, jetova në tri familje të ndryshme, por, për shkak të shoqërimit me Dëshmitarët, të gjithë më dëbuan. Pami me dashamirësi i rregulloi gjërat që të jetoja me një familje Dëshmitarësh në Vivak. U pagëzova në vitin 1998 dhe fillova si pioniere e rregullt në shtator 1999. Në vitin 2000 më ftuan në Bethel dhe kam privilegjin të punoj me skuadrën e përkthimit në gjuhën tok-pisine.

Familja ime më braktisi, dhe kjo më lëndoi tej mase. Por jam bekuar me motrat dhe vëllezërit e kongregacionit që për mua janë si familje. Një nga shkrimet që më pëlqen më tepër është Psalmi 27:10 që thotë: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai do të më merrte në gji.»

[Figura]

Literaturë në tok-pisine

[Kutia dhe figurat në faqet 147, 148]

«Jehovai është Mësuesi më i madh»

XHON TAVOISA

LINDUR: 1964

PAGËZUAR: 1979

TË DHËNA: Që fëmijë, mësuesit dhe shokët e shkollës e përndoqën mizorisht dhe u detyrua të linte shkollën, pasi bëri vetëm dy klasë. Tani shërben si mbikëqyrës qarkor.

▪ LINDA në fshatin e Govigovit, në provincën e Gjirit Miln. Babai filloi të studionte Biblën, kur isha shtatë vjeç, dhe më tregoi gjërat që mësonte.

Rreth asaj kohe fillova të shkoja në një shkollë publike. Kur dy mësuesit e mi, që ishin anglikanë, morën vesh se po shoqërohesha me Dëshmitarët, filluan të më përndiqnin. Shokët e shkollës bënë të njëjtën gjë e madje më gjuanin me purteka. Si pasojë, u detyrova ta lija shkollën vetëm pasi kisha bërë dy klasë.

Rreth një vit më vonë takova një nga mësuesit në pazar. Ai më tha: «Ti je djalë i zgjuar dhe do të kishe dalë shkëlqyeshëm në shkollë. Por, për shkak të fesë sate, do të përfundosh shërbëtor i shokëve të shkollës.» Kur ia thashë babait këtë, përgjigjja e tij më ngrohu zemrën. Ai tha: «Në qoftë se nuk të arsimon bota, do të të arsimojë Jehovai.»

Babai dhe një pionier special më ndihmuan të merrja arsimin më të çmuar​—njohurinë që të çon në jetën e përhershme. (Gjoni 17:3) Gjuha ime amtare ishte davava, por ata ma mësuan Biblën në hiri-motu që u bë gjuha ime e dytë, si dhe në tok-pisine që u bë gjuha e tretë. U pagëzova në moshën 15-vjeçare dhe pas dy vjetësh fillova si pionier.

Në vitin 1998 më ftuan të ndiqja Shkollën e Stërvitjes për Shërbim. Në atë kohë nuk dija mirë anglisht. Prandaj, që të kuptoja më shumë gjatë shkollës, dega më caktoi në një kongregacion të gjuhës angleze, në Port-Moresbi. Kështu anglishtja u bë gjuha ime e katërt.

Kur u diplomova, më caktuan në kongregacionin e Alotaut, në provincën e Gjirit Miln. Gjashtë muaj më vonë, u habita dhe u emocionova shumë kur më caktuan si mbikëqyrës qarkor. Qarku im i parë përfshinte Britaninë e Re, Irlandën e Re, ishullin e Manusit dhe ishuj të tjerë aty pranë. Në vitin 2006 u martova me gruan time të shtrenjtë, Xhudin, dhe shërbyem së bashku si pionierë specialë për një vit dhe më pas në veprën qarkore.

Kur vizitoj kongregacionet, shpesh u them të rinjve: «Jehovai është Mësuesi më i madh. Prandaj lëreni t’ju mësojë, pasi mund t’ju pajisë që të keni vërtet sukses në jetë.» Sigurisht, ky është një mësim i rëndësishëm që kam nxjerrë.

[Figura]

Me gruan, Xhudin

[Tabela dhe figurat në faqet 156, 157]

KRONOLOGJIA​—Papua Guineja e Re

1930

1935 Pionierët në anijen me vela Përhapësja e dritës predikojnë në Port-Moresbi.

1940

1950

1951 Tom dhe Rovena Kitoja mbërrijnë në Port-Moresbi.

1956 Pionierët transferohen në Irlandën e Re dhe në Britaninë e Re.

1957 Xhon Katforthi fillon predikimin me vizatime.

1960

1960 Njihet ligjërisht Shoqata e Studentëve Ndërkombëtarë të Biblës.

1962 Tom dhe Rovena Kitoja transferohen në vendet malore të Guinesë së Re.

1965 Ndërtohet një zyrë dege në Koki, Port-Moresbi.

1969 Mbahet në Haimë, në Papua, asambleja ndërkombëtare «Paqe mbi tokë».

1970

1975 Papua dhe Guineja e Re bashkohen dhe formojnë Papua Guinenë e Re.

1977-1979 Turma të dhunshme shkatërrojnë Sallat e Mbretërisë në provincën e Gjirit Miln.

1980

1987 Kushtohet një zyrë e re dege.

1989 Shpërthen lufta civile në ishullin e Buganviles.

1990

1991 Kulla e Rojës botohet në tok-pisine dhe në hiri-motu njëkohësisht me botimin në anglisht.

1994 Fillon të veprojë një Komitet i Lidhjes me Spitalet.

1994 Shpërthimet vullkanike shkatërrojnë Rabaulin, Britani e Re.

1999 Në degë fillon një Zyrë e Ndërtimit të Sallave të Mbretërisë.

2000

2002 Ndërtohet një Sallë Asamblesh në Gerehu, Port-Moresbi.

2010

2010 Kushtohen ndërtesat e reja të zyrës së degës.

2020

[Grafiku dhe figura në faqen 118]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Gjithsej lajmëtarë

Gjithsej pionierë

3,500

2,500

1,500

500

1955 1965 1975 1985 1995 2005

[Hartat në faqen 81]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

PAPUA GUINEJA E RE

PORT-MORESBI

Vivak

Lumi Sepik

Kambot

Dimir

Baivat

Lumi Juat

Uabag

Maunt-Hagen

Banz

Lugina e Uagit

VENDET MALORE TË GUINESË SË RE

Liqeni Murrei

Lumi Flaj

Basken

Talidig

Bagildig

Madang

Gorokë

Kainanto

Lae

Bulolo

Uau

Keremë

Savajvajri

Gjiri i Papuas

Popondetë

Shtegu i Kokodës

Hulë

Agi

Govigov

Alotau

DETI I KORALEVE

Ishulli i Manusit

Arkipelagu i Bismarkut

DETI I BISMARKUT

Ishulli i Bagabagut

Britania e Re

Rabaul

Kokopo

Ishulli i Kurmalakut

Irlanda e Re

Kavieng

DETI I SOLOMONIT

Ishulli i Gudinafit

Ishulli i Bukës

Ishulli i Buganviles

Atoli i Nukumanut

Ekuator

Haimë

Siks-Majl

Hanuabadë

Limani i Port-Moresbit

Pazari i Kokit

Rrafshnalta e Sogerit

Joadabu

[Figura që zë gjithë faqen në faqen 74]

[Figura në faqen 77]

«Përhapësja e dritës»

[Figura në faqen 78]

Lajmëtarët e parë vendës, nga e majta në të djathtë: Bobogi Naiori, Heni-Heni Nioki, Raho Rakatani dhe Oda Sioni

[Figura në faqen 79]

Fshati Hanuabadë me qendrën e Port-Moresbit në sfond

[Figura në faqen 82]

Shirli dhe Don Filderi pak para mbërritjes

[Figura në faqen 85]

Salla e parë e Mbretërisë në Papua Guinenë e Re, në Haimë të Port-Moresbit

[Figura në faqen 87]

Xhon Katforthi

[Figura në faqen 89]

Riprodhim i një predikimi me vizatime

[Figurat në faqen 90]

Djathtas: Xhon Katforthi duke mësuar me anë të vizatimeve; poshtë: një vëlla me tabelë me vizatime për të predikuar në fshatrat e thella e të vogla

[Figura në faqen 92]

Alf Grini, David Uokeri dhe Xhim Smithi

[Figurat në faqen 93]

Majtas: Shirli, Debi dhe Don Filderi; djathtas: Doni dhe kanoeja e tij

[Figura në faqen 96]

Xhim Smithi dhe Glen Finleji

[Figura në faqen 97]

Stivën Blandi duke kaluar gjirin e Keremës

[Figura në faqen 99]

Rosina dhe Ken Frejmi

[Figura në faqen 102]

Methju dhe Doris Poupi

[Figurat në faqen 103]

Shtëpia e Magdalena dhe Xhon Endorit ishte vendi i parë ku mbaheshin mbledhjet në Lae

[Figura në faqen 109]

Vendet malore

[Figura në faqen 110]

Tom e Rovena Kitoja përballë dyqanit dhe shtëpisë së tyre të vogël në Uabag

[Figura në faqen 113]

Erna dhe Bernt Anderseni

[Figura në faqen 114]

Keri Kej-Smithi dhe Xhim Rajti

[Figura në faqen 115]

Majk Fisheri në lumin Sepik

[Figurat në faqen 123]

Salla e Mbretërisë në Agi u dogj nga disa zjarrvënës, por pastaj u rindërtua dhe u zgjerua

[Figura në faqen 127]

Elsa dhe Bill Tui

[Figura në faqen 128]

Një «puapua» me vela të ngritura

[Figura në faqen 128]

Varka «Pionieri», e ndërtuar nga Bernt Anderseni

[Figurat në faqen 131]

Duke udhëtuar në lumin Sepik

[Figurat në faqet 132, 133]

Majtas: mbikëqyrësi qarkor Uoren Rejnoldsi me gruan, Lianën, vizitojnë fshatin Baivat; sipër: fjalimi publik gjatë vizitës së tij në fshatin e Dimirit

[Figura në faqen 135]

Soar Maiga

[Figura në faqen 135]

Korai Leke

[Figura në faqen 136]

Save Nanpeni

[Figura në faqen 139]

Xhord dhe Xhoana Rajli

[Figura në faqen 145]

Disa nga këta fëmijë u përjashtuan nga shkolla ngaqë nuk nderuan flamurin

[Figurat në faqet 152, 153]

Majtas: Rabauli me vullkanin Tavurvur në sfond; poshtë: Salla e Mbretërisë në Rabaul që u shkatërrua në vitin 1994

[Figura në faqen 155]

Skuadra e përkthimit, 2010

[Figurat në faqen 161]

Dega e Papua Guinesë së Re

Komiteti i Degës: Dan Burksi, Timo Rajaletoja, Kegaval Bijama, Krejg Spigelli