Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën
Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën
DISHEPUJVE të Jezuit në shekullin e parë duhet t’u jenë dukur të çuditshme fjalët e tij. Ai paratha se ata do të ishin objekt urrejtjeje për të gjitha kombet, do t’i vritnin e do t’i dorëzonin deri në shtrëngim. Për më tepër, shumë do të hiqnin dorë nga besimi dhe do të tradhtonin. Megjithatë, më pas Jezui tha se lajmi i mirë do të predikohej në gjithë tokën. (Mat. 24:9-14) Po sa e suksesshme do të ishte një fushatë globale predikimi përballë kundërshtimit të gjithë botës? Në faqet në vijim do të gjeni përgjigjen e kësaj pyetjeje që na bën kureshtarë.
Totali i vitit 2010
Degë të Dëshmitarëve të Jehovait: 116
Numri i vendeve që raportojnë: 236
Numri i kongregacioneve: 107.210
Të pranishëm në Përkujtim në gjithë botën: 18.706.895
Marrësit e simboleve në Përkujtim në gjithë botën: 11.202
Maksimumi i lajmëtarëve të Mbretërisë: 7.508.050
Mesatarja e lajmëtarëve çdo muaj: 7.224.930
Përqindja e rritjes në krahasim me vitin 2009 2.5
Numri i të pagëzuarve: 294.368
Mesatarja e pionierëve ndihmës çdo muaj: 287.960
Mesatarja e pionierëve çdo muaj: 844.901
Shuma e orëve të kaluara në shërbim: 1.604.764.248
Mesatarja e studimeve biblike çdo muaj: 8.058.359
Gjatë vitit të shërbimit 2010, Dëshmitarët e Jehovait shpenzuan mbi 155 milionë dollarë për t’u kujdesur për pionierët specialë, misionarët dhe mbikëqyrësit udhëtues në caktimet e tyre të shërbimit.
▪ Në godinat e degëve në mbarë botën shërbejnë gjithsej 20.062 shërbëtorë të emëruar zyrtarisht. Të gjithë janë anëtarë të Urdhrit Mbarëbotëror të Shërbëtorëve Specialë në Kohë të Plotë të Dëshmitarëve të Jehovait.
AFRIKA
VENDE: 57
POPULLSIA: 888.219.101
LAJMËTARË: 1.222.352
STUDIME BIBLIKE: 2.596.614
NJË GRUP KËRKON TË VËRTETËN. Në një fshat të vogël në Madagaskar, 80 veta vendosën të largoheshin nga Kisha Protestante atje. Ata ndërtuan një kishë për vete dhe filluan të kërkonin fenë e vërtetë, duke shqyrtuar secilën nga fetë vendëse njëra pas tjetrës. Arritën në përfundimin se katolikët nuk e studionin Biblën dhe se brenda Kishës Luterane kishte fërkime. Për pentekostalët mendonin se nuk mësonin të vërtetën, kurse për Adventistët e Ditës së Shtatë mendonin se kishin mjaft tabu. Pastaj iu afruan njërit prej vëllezërve
tanë dhe e pyetën nëse mund t’u mësonte Biblën. Vëllai pranoi menjëherë.Disa lajmëtarë u organizuan që të takonin këta të interesuar. Vëllezërit takuan 26 veta të gatshëm të dëgjonin për Biblën në kishën që kishin bërë vetë. Duke përdorur kapitullin 15 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, vëllezërit shpjeguan si të gjendet feja që miraton Perëndia. Grupi u kënaq me shpjegimin. Kur vëllezërit u kthyen prapë, takuan 73 veta. Ndërsa në vizitën e tretë ishin të pranishëm 142 veta!
MESAZHI I SHKON PERSONIT TË GABUAR. Një Dëshmitare me emrin Manena, e cila jeton në Etiopi, i dërgoi me celular shkrimin e vitit 2009 studentes biblike, që ta inkurajonte. Por gaboi numër dhe mesazhi i shkoi dikujt tjetër. Gruaja që e mori, e lexoi disa herë rresht: «‘Jepni dëshmi të plotë për lajmin e mirë.’—Vep. 20:24, BR.» Meqë i frikësohej Perëndisë, ajo e pranoi atë që thoshte mesazhi, por nuk dinte si ta zbatonte. Nuk kuptonte as inicialet misterioze «BR» [Përkthimi Bota e Re] në fund të shkrimit. Kaluan javë, por asaj nuk i hiqej nga mendja mesazhi. Më në fund i telefonoi numrit që ia kishte dërguar. Motra u habit kur mori vesh se çfarë kishte ndodhur me mesazhin e saj, por përfitoi nga rasti t’i përgjigjej interesit të sinqertë të asaj gruaje. Kjo çoi në një studim biblik që e bëjnë dy herë në javë.
SHOQE TË VOGLA PIONIERE. Persida, e cila jeton në Kamerun, u bë lajmëtare e papagëzuar kur ishte gjashtë vjeçe. Në raportin e saj të parë të shërbimit shënoheshin dhjetë studime biblike. Sekretari i kongregacionit mendoi se kishte ndonjë gabim. Kur e pyeti Persidën, ajo i shpjegoi se kishte vërtet dhjetë studime. Më tej e
pyeti si e dinte sa kohë kalonte në shërbim, ngaqë ajo s’kishte orë dore. Persida i tha se e dinte që pushimi i madh në shkollë zgjaste një orë. E niste predikimin në fillim të pushimit dhe ndalonte kur binte zilja. Dëshmia e zellshme ndikoi te mamaja e saj dhe te kushërira, që më vonë u bënë lajmëtare të papagëzuara. Persida, tani dhjetë vjeçe, është pagëzuar dhe shërben si pioniere ndihmëse ndërkohë që shkon në shkollë. Shoqja e saj 8-vjeçare, Asia, tashmë është lajmëtare e papagëzuar. Një studente biblike tha për to: «Në mbledhje kënaqesha kur shihja fëmijët të përshëndetnin këdo, sidomos të moshuarit, para se të uleshin me prindërit. Kurrë s’e kam parë këtë në kishën time. E di se fëmijët që rriten kështu do të bëhen njerëz më të mirë për shoqërinë, në të ardhmen.»KONTINENTET AMERIKANE
VENDE: 55
POPULLSIA: 918.834.998
LAJMËTARË: 3.673.750
STUDIME BIBLIKE: 3.967.184
AJO NUK TROKITI. Miriami, e cila jeton në Bolivi, iu lut Perëndisë për një javë. Lutja e saj ishte pak a shumë kështu: «Të lutem më ndihmo të të njoh, por nuk dua ndihmë nga Dëshmitarët e Jehovait. Nuk dua që të trokasin në derën time.»
Më vonë atë javë ra telefoni. Ishte Kendi, një pioniere speciale, e cila u ofrua t’i sillte Miriamit revistat tona brenda një ore. Ajo pranoi. Brenda një ore Kendi ishte te dera e saj. Miriami e hapi menjëherë dhe i tha Kendit të hynte e të ulej. Pastaj ajo filloi të ecte lart e poshtë dhe të tundte kokën, me sa duket në shenjë mërzie. Kendi e pyeti si ishte puna. «Jam e tronditur,—i tha Miriami.—Më shumë se një javë i jam lutur Perëndisë për drejtim dhe udhëheqje, por isha shumë e qartë në lutje se nuk doja ndihmë nga Dëshmitarët e Jehovait që trokasin gjithë kohën në derën time. Pastaj ti më telefonove, në vend që të trokitje në derë. Që nga telefonata jote para një ore, i jam lutur Perëndisë që të mos vije tek unë. Kurse ti erdhe! Jam e tronditur! Është shumë e qartë se ai do që të më ndihmoni ju, Dëshmitarët e Jehovait.» Filluan menjëherë një studim biblik.
MENDUAN SE KISHTE VDEKUR. Pasensi ishte një ish-udhëheqës fshati ose kapiten i njohur në Surinam dhe
mik i ngushtë i granmanit, kreut ose mbretit të të gjithë krahinës së lumit, në pjesën e brendshme të vendit. Ai i mbronte me krenari zakonet vendëse. I kundërshtonte Dëshmitarët e Jehovait, pasi mendonte se ishin kërcënim për zakonet e tyre.Me kalimin e kohës, një i ri pretendonte se kishte aftësi të gjente fshatarët që merreshin me shtrigëri. Shoqëruesit e tij të shumtë e ndoqën këtë të ri me kanoe përgjatë lumit, duke rrahur ata që akuzoheshin për shtrigëri e duke u marrë gjithçka kishin. Këtij të riu duhej t’i paguheshin shuma të mëdha parash që të akuzuarit «të pastroheshin» nga fryma e ligë që u thuhej se zotëronin. Midis viktimave të shumta e të pafajshme ishte edhe Pasensi, të cilin e rrahën aq sa menduan se kishte vdekur. Edhe miku i tij, granmani, nuk e ndihmonte dot nga frika se mos jeta dhe reputacioni i viheshin në rrezik ngaqë ndihmoi një të akuzuar për shtrigëri. Miqve dhe të afërmve iu ndalua të ndihmonin. Por dhëndri i Pasensit me guxim e çoi në
një fshat ku banonin kryesisht Dëshmitarë të Jehovait. Vëllezërit biseduan për çështjen dhe, me gjithë rrezikun që u kanosej, vendosën ta ndihmonin. I organizuan gjërat që Pasensin ta çonin me kanoe në një fshat aty afër, ku një vëlla punon si përgjegjës në një pistë aviacioni. Që atje, këtë ish-kundërshtar e çuan me avion në një qytet për trajtim mjekësor.Pasensi, i cili e mori veten nga plagët, u prek nga dashuria e njerëzve që dikur i kishte kundërshtuar. Filloi të studionte Biblën dhe u pagëzua në dhjetor të vitit 2009. Pasensi tani është predikues i zellshëm i lajmit të mirë dhe shërbeu si pionier ndihmës në prill të vitit 2010, ndonëse është 80 vjeç.
MENDONTE SE E NJIHTE BIBLËN. Eriku, një burrë me mjekër, shkoi në një mbledhje kongregacioni me Bibël në dorë, në Shtetet e Bashkuara. Kur njëri nga vëllezërit e përshëndeti, Eriku nisi t’i bënte pyetje për bindjet tona. Ai nuk donte t’i referohej librit Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe preferonte të përdorte vetëm Biblën. Programi i tij i leximit të Biblës ishte 20 faqe në ditë dhe e kishte lexuar gjithë Biblën aq herë, sa nuk e mbante mend. Pas mbledhjes, vëllai bisedoi me të për më se tri orë. Në fund të bisedës, Eriku tha: «Jam i mërzitur.» Vëllai e pyeti pse. Eriku iu përgjigj: «Isha i sigurt se i njihja mjaft mirë Shkrimet. Por, pas këtij takimi, kuptova se nuk i njoh fare.» Pastaj pranoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla?
Ditën tjetër të dy filluan studimin. Natën përpara, Eriku qëndroi zgjuar duke lexuar dhjetë kapitujt e parë të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Në ç’përfundim arriti? «Më në fund e gjeta të vërtetën!»—tha me vete. Ata studionin tri deri në katër orë në ditë, për pesë ditë në javë. Ai nisi të përgatitej për mbledhjet dhe t’i ndiqte
të gjitha së bashku me familjen. Brenda javës së parë u shkroi letra dorëheqjeje tri kishave të ndryshme, hoqi mjekrën dhe vendosi të mos përfshihej në festat tradicionale. Brenda dy javëve u regjistrua në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe, brenda katër javësh, u bë lajmëtar i papagëzuar. U pagëzua në prill të 2010-s, vetëm gjashtë muaj pas takimit të parë me Dëshmitarët e Jehovait.PAGËZOHET SHTATË VJEÇE. Paolën, që jeton në perëndim të Meksikës, po e rritin gjyshërit. Gjyshja filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait kur Paola ishte pesë vjeçe. Ajo dëgjonte gjatë studimit dhe e vërteta zuri rrënjë në zemrën e saj të njomë. Megjithëse gjyshja nuk përparoi, Paola nisi t’i ndiqte vetë mbledhjet. Ajo u kërkonte gjyshërve që ta ndihmonin të vishej dhe që të kalonte rrugën për te Salla e Mbretërisë.
Sapo mësoi të lexonte e të shkruante, Paola u regjistrua në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe u bë lajmëtare. Nga dashuria për Jehovain, u pagëzua në moshën shtatëvjeçare. Kur e pyesin pse i ndjek mbledhjet dhe predikon me kaq zell, ndonëse familja nuk e mbështet, Paola, që tani është dhjetë vjeçe, përgjigjet: «Më pëlqejnë shumë fjalimet, sepse më nxitin të vazhdoj studimin e Biblës dhe t’u rri larg problemeve. Në predikim shkoj, sepse dua t’i mësoj njerëzit për atë që do të bëjë Jehovai për ta në të ardhmen dhe sepse Bibla mund t’i bëjë të lumtur që tani.»
U DËSHMOI ATYRE QË E TELEFONUAN GABIMISHT. Në Republikën Domenikane, një motër merrte shumë telefonata gabimisht, dhe këto e ndërpritnin nga puna. Pas pak ditësh mendoi: «Mund ta përdor këtë rrethanë për të predikuar.» Si ia bëri? Kur u përgjigjej numrave të gabuar, i thoshte telefonuesit se i vinte keq që ai i kishte rënë numrit gabim, por pastaj shtonte: «Më lejoni me këtë rast t’ju pyes nëse e keni lexuar Biblën sot.» Ndonëse disa ia mbyllnin telefonin, të tjerë i përgjigjeshin se nuk e kishin lexuar Biblën. Atëherë ajo u thoshte: «A e dini pse është kaq e rëndësishme kjo?» Që t’u përgjigjej nga Bibla, u lexonte Psalmin 1:1-3. Një zyrtar qeveritar foli gjatë me motrën dhe tha se nuk kishte Bibël. U morën masa që t’i çonin një Bibël dhe ca literaturë biblike. Dy javë më vonë ai i telefonoi motrës, këtë herë që ta falënderonte për interesimin dhe për literaturën.
Në një rast tjetër, një e re e pyeti: «Mos jeni Dëshmitare e Jehovait?» Kur motra i tha se po, ajo filloi të qante duke shpjeguar se ishte lajmëtare joaktive. Motra i dha zemër dhe mori masa që dikush ta ndihmonte frymësisht. Tani është përsëri lajmëtare aktive.
AZIA DHE LINDJA E MESME
VENDE: 47
POPULLSIA: 4.587.021.833
LAJMËTARË: 652.251
STUDIME BIBLIKE: 601.306
«GRUAJA SAMARITANE.» Ishte një ditë e nxehtë vere në Kazakistan. Dy pionierë, një vëlla e një motër, ishin në predikim dhe panë një grua që po nxirrte ujë nga një pus. Vëllai i kërkoi pak ujë për të pirë dhe, ndërsa pinte, motra i dëshmoi gruas. Gruaja tregoi interes dhe i ftoi pionierët në shtëpi që të mësonte më shumë për atë që po i flitnin. Biseduan për pak kohë dhe pionierët i lanë literaturë biblike. Motra i premtoi se do të kthehej pas dy ditësh.
Sipas premtimit, motra u kthye bashkë me mamanë, e cila është po ashtu Dëshmitare. Ato e gjetën gruan duke pritur jashtë me literaturën biblike në dorë. Ajo ia ktheu motrës dhe i tha: «Kjo është nga Dëshmitarët e Jehovait. Feja juaj është ruse.»
Pastaj mamaja e pyeti gruan nëse mund t’i lexonte një shkrim para se të iknin. Ajo donte t’i tregonte emrin e Perëndisë në Shkrime dhe e hapi Biblën te Dalja 3:15, ku lexoi: «Jehovai, Perëndia i paraardhësve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit, më ka dërguar te ju.» Për habinë e motrave, gruaja i ftoi në shtëpi. Çfarë e bëri të ndryshonte mendje kaq papritur? Gruaja kishte paraardhës me emrat Abraham, Isak dhe Jakob. Ajo arsyetoi se, nëse Jehovai ishte Perëndia i paraardhësve të saj, nuk duhej t’i dëbonte Dëshmitarët e tij. Herën tjetër filluan një studim biblik. Ishte aq e etur të mësonte të vërtetën, saqë e bënin studimin dy herë në javë. Me gjithë kundërshtimin e djemve, ajo përparoi frymësisht dhe tani është lajmëtare e papagëzuar. Përveç kësaj, nusja dhe mamaja e nuses po studiojnë Biblën dhe po i ndjekin rregullisht mbledhjet. Ngaqë takimi i parë ngjan me tregimin e Gjonit 4:3-15, ajo njihet në kongregacion si «gruaja samaritane».
«KAM CA PYETJE.» Një pionere e moshuar shkruan nga Qiproja: «Një të mërkurë në mëngjes nuk ndihesha dhe aq mirë, por, në vend që të rrija në shtëpi, kisha shumë dëshirë të jepja dëshmi rrugore. Prandaj iu luta Jehovait duke i kërkuar të më dërgonte dikë që të kishte kohë e të vinte të ulej pranë meje në stol, e kështu mund të filloja një studim biblik. S’kaloi shumë dhe erdhi një i ri nga Nepali. Revistat i kisha në dorë dhe, para se të më krijohej mundësia për t’i folur, më pyeti çfarë revistash ishin. Kur i thashë se bazoheshin në Bibël, ai u përgjigj: ‘Zonjë, unë kam kohë. A mund të ulem pranë jush, se kam ca pyetje për Biblën?’
Patjetër që pranova, pasi ishte pikërisht ajo që i kërkova Jehovait. Pastaj i riu vazhdoi: ‘Së pari doja t’ju pyesja se çfarë mëson vërtet Bibla.’ Kaq shumë u habita, sa e humba. Pastaj nxora nga çanta librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe ia tregova.
Ai pa librin, pa nga unë dhe pastaj pyeti: ‘Mos është gjë pyetja që sapo të bëra?’ Kështu që fillova një studim tamam atje, në stolin e parkut. Tani ai studion Biblën e shkon rregullisht në mbledhjet e krishtere, si dhe ka shprehur dëshirën të regjistrohet në Shkollën e Shërbimit Teokratik. I çmoj vërtet dobitë që vijnë kur mbështetem plotësisht te forca dhe drejtimi i Jehovait, që të kryej shërbimin e krishterë, edhe atëherë kur ndihem e lodhur fizikisht.»GJYSHI MËSON VRASËSIN E NIPIT. Nipin e Migelit e vranë para disa vjetësh. Vrasësin, Esmeraldon, e kapën, por nuk e pranoi krimin kur e akuzuan në gjyq. Megjithatë, në bazë të provave, e dënuan me burgim.
Më vonë, një plak kongregacioni e ftoi Migelin që të dëshmonin tamam në burgun ku ishte Esmeraldoja, në Filipine. Migeli ngurroi, se e dinte që atje
ishte vrasësi i nipit. Por shkoi me të dhe mori pjesë në studime biblike me disa të burgosur. Gjatë studimit, ai ngriti kokën dhe pa Esmeraldon që po vinte drejt tij. Që të mos e acaronte situatën, Migeli i foli me butësi dhe i tha: «Esmer, jam këtu që t’u tregoj dashuri njerëzve si ti, jo që të zihem. Ja, po flasim për Biblën me këtë burrë. Ajo që të ndodhi, nuk do të të kishte ndodhur po ta njihje Fjalën e Perëndisë. Të lutem, studio Biblën me ne.» Për habinë e Migelit, Esmeraldoja qëndroi gjatë pjesës tjetër të studimit. I prekur nga ajo që dëgjoi, e pranoi hapur para Migelit se ia kishte vrarë vërtet nipin. Pastaj i kërkoi falje.Plaku, i cili nuk e dëgjoi bisedën e tyre, pa se po flitnin në mënyrë miqësore, prandaj i kërkoi Migelit të studionte me Esmeraldon. Në fillim Migeli kishte frikë, pasi e dinte që nipi i tij nuk ishte viktima e vetme e këtij burri. Megjithatë pranoi. Esmeraldoja kishte goxha luftë për të bërë që ta përputhte jetën me normat e Perëndisë, por përpjekjet e tij plot durim u shpërblyen. Më 1 shkurt 2010, u pagëzua në simbol të kushtimit ndaj Jehovait. Tani Migeli po përpiqet t’ia shkurtojë dënimin në shenjë faljeje të krishterë nga ana e tij, që Esmeraldoja t’u flasë të tjerëve më tepër për të vërtetat biblike.
EVROPA
VENDE: 47
POPULLSIA: 739.193.855
LAJMËTARË: 1.575.094
STUDIME BIBLIKE: 830.888
DY DËSHIRAT E SAJ U PLOTËSUAN. Nelena, e cila është 19 vjeçe dhe jeton në Bullgari, kishte dy dëshira: të pagëzohej dhe të shërbente si pioniere ndihmëse. Por ajo vuan nga një neuropati e trashëguar, që i prek aftësitë motorike dhe ndijore e për momentin është e pakurueshme. Merr frymë me ndihmën e një makine, dhe kjo ia kufizon aftësinë për të lëvizur. Dëshira e parë, pagëzimi, ishte e vështirë të plotësohej, pasi gjendja fizike nuk e lejonte të dilte nga shtëpia që të shkonte në asamble. Kështu, kur ishte 18 vjeçe, në shtëpinë e saj u mbajt një fjalim i bazuar në Bibël. Pas fjalimit e pagëzuan në një vaskë.
Ç’të themi për dëshirën që të bëhej pioniere ndihmëse? Kur moti është i mirë, ndonjëherë ajo merr frymë vetë për rreth një orë. Prandaj u bë pioniere ndihmëse dhe një lajmëtar e shtynte karrocën e saj derë më derë. Gjithashtu Nelena
drejtonte një studim biblik me telefon, nëpërmjet Internetit. Me raste, motrat e kongregacionit i drejtonin studimet në shtëpinë e Nelenës, që edhe ajo të merrte pjesë. Si pasojë, Nelena arriti të shërbente tri herë si pioniere ndihmëse gjatë vitit të kaluar. Ajo thotë: «Jam e lumtur që m’u plotësuan dy dëshirat. Kjo më ka afruar më tepër me Jehovain, Krijuesin tim të dashur.»TANI AI VË KOLLARE. Një motër në Armeni e tallnin në vendin e punës ngaqë ishte Dëshmitare e Jehovait. Një koleg pune e kishte zakon ta ngacmonte duke i thënë se «njerëzit me kollare» e kishin bërë për vete që të pranonte fenë e tyre. Pasi u përpoq të arsyetonte me të shumë herë, por më kot, ajo vendosi t’i shpërfillte komentet e tij dhe, duke imituar Jezu Krishtin, «nuk kthente asnjë përgjigje». (Mat. 27:12) Me kalimin e kohës, punëtori u pushua nga puna për sjellje të keqe dhe se i shkaktonte telashe motrës. Pas shumë muajsh, një burrë erdhi në vendin e punës dhe kërkonte motrën. Ishte kolegu i mëparshëm që e kishte shqetësuar aq shumë. Pamja e tij i bëri përshtypje asaj. Edhe pse i kishte tallur Dëshmitarët ngaqë vinin kollare, tani ai vetë kishte kollare dhe mbante çantë. Ai i tha motrës: «Më fal për fjalët e rënda që të kam thënë. Tani e di se kam gjetur të vërtetën.» Burri kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe, megjithëse familja e kundërshtonte, ishte pagëzuar dhe ishte bërë pionier i rregullt.
«A E NJIHNI ZONJËN NADIA?» Nadia është pioniere në një kongregacion në veri të Italisë. Në shtator të vitit 2009 ajo foli në citofon me një burrë që e ndërpreu menjëherë e i tha se sapo i kishte vdekur gruaja dhe
se nuk donte të fliste me të. Të dielën tjetër, Nadia u kthye për ngushëllim dhe për të theksuar shpresën e ringjalljes nga Bibla, por ai reagoi njësoj. Studimi i Kullës së Rojës që u mbajt atë pasdite përfshinte përvojën e një motre që i shkroi letër dikujt që kishte humbur një njeri të dashur. Kjo e bëri Nadian të mendonte për burrin me të cilin kishte folur në citofon, prandaj vendosi t’i shkruante një letër ngushëllimi dhe përfshiu disa hollësi për shpresën e ringjalljes. Pas dy ditësh, e la letrën në kutinë postare të shtëpisë së tij.Disa ditë më vonë, Nadia ishte duke predikuar në rrugë dhe ndaloi një burrë në të 70-at, që t’i lexonte një varg biblik. Burri e pyeti nëse ishte Dëshmitare e Jehovait dhe Nadia i tha se po. Ai vazhdoi t’i shpjegonte se e kishte vizituar një Dëshmitare e Jehovait e cila i kishte lënë një letër të bukur që e preku thellë. Më pas e pyeti: «A e njihni zonjën Nadia?» Për habinë e të dyve, Nadia u prezantua dhe mori masa ta vizitonte me të shoqin. Burri jo vetëm filloi studimin e Biblës, por tani ndjek rregullisht edhe mbledhjet.
NUK STUDIOJNË DOT ME TË GJITHË. Katër Dëshmitarë të pagëzuar jetojnë në qytetin e Bujanovaçit, në jug
të Serbisë. Këta lajmëtarë të Mbretërisë u gëzuan tej mase kur në Përkujtimin e vitit 2010 patën 460 të pranishëm. Pleqtë e një kongregacioni aty afër kanë organizuar mbledhje të rregullta në Bujanovaç, në një godinë me qira. Mesatarisht marrin pjesë më se 50 veta, shumica me prejardhje rome. Për shkak të reagimit të jashtëzakonshëm ndaj mesazhit të Mbretërisë, pionierët specialë në këtë territor nuk arrijnë të bëjnë studim me të gjithë ata që tregojnë interes. Prandaj, studiojnë vetëm me ata që i ndjekin të gjitha mbledhjet të përgatitur mirë.MË SE QINDVJEÇARE. Elina, lajmëtarja më e moshuar e Suedisë, është 110 vjeçe, sa mosha që arriti Josiu. (Jos. 24:29) Ajo jeton në një azil dhe shfrytëzon çdo rast që t’u flasë vizitorëve dhe të gjithëve që takon atje. Ajo shpërndan shumë libra. Kur një plak kongregacioni me të bijën predikuan në lagje nga shtëpia në shtëpi, takuan një të re që u tha se i kishte predikuar Elina dhe i kishte lënë një libër. Kështu lindi një bisedë e bukur. *
I GJETI LIBRAT NË KISHË. Tatjana, e cila jeton në Bjellorusi, u çudit kur një ditë i telefonoi një e re që s’e njihte. Ajo donte të merrte përgjigje nga Bibla për pyetjet që kishte. Rrodhi
një bisedë entuziaste. Si e gjeti numrin e Tatjanës? Ajo shpjegoi se në një kishë kishte gjetur poshtë një stoli librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe Biblën Përkthimi Bota e Re. Në ta ishte shkruar numri i telefonit të Tatjanës. Si përfunduan në kishë librat? I kishte çuar nëna e një vajze me të cilën Tatjana kishte studiuar Biblën. Me sa duket, motivi i nënës ishte të merrte mendimin e priftit nëse vajza duhej t’i lexonte ata libra. Kushedi pse librat ishin lënë poshtë stolit. Gruaja i pa dhe vendosi t’i merrte me vete. Telefonata ka sjellë biseda të tjera biblike.PALLTOJA E HUMBUR HAP RRUGËN. Jelena, një motër pioniere speciale, vuri re një pallto të bukur në një rrugë të Minskit, Bjellorusi. Palltoja ishte e pastër dhe nuk dukej si e hedhur. Kur e ngriti, motra gjeti rreth 1.000 euro në xhep. Kur pa njerëzit që kalonin aty afër, e dalloi menjëherë burrin që duhej t’i kishte rënë palltoja. Ai po vraponte gjithë ankth, si të kërkonte për diçka. Jelenës iu desh të vraponte që ta arrinte. Ai ishte një biznesmen nga Bangladeshi që jetonte në Moskë. U gëzua që e gjeti sërish pallton me paratë. Gjithashtu donte të dinte pse motra ia kishte kthyer pallton, madje kishte vrapuar për ta arritur. Ajo i shpjegoi se ishte Dëshmitare e Jehovait. Burri i tha se, para pak ditësh, dy Dëshmitare të Jehovait kishin folur me të. Për rreth 30 minuta kishte debatuar me to dhe kishte mbrojtur bindjet e tij fetare. Pastaj ai e pyeti Jelenën si mund t’ia tregonte mirënjohjen për atë që kishte bërë. Ajo i tha se nuk donte asnjë shpërblim, por se mënyra më e mirë si ta tregonte mirënjohjen ishte të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait sapo të kthehej në Moskë. Ai pranoi.
OQEANIA
VENDE: 30
POPULLSIA: 39.384.408
LAJMËTARË: 101.483
STUDIME BIBLIKE: 62.367
ÇRREGULLIMI I TË FOLURIT S’E NDALON. Hamishi, një vëlla 23-vjeçar nga Australia, ka një çrregullim të rëndë të të folurit që e bën të flasë në mënyrë të ngatërruar ose të pakuptueshme, madje ndonjëherë nuk arrin dot të thotë gjë. Por kjo paaftësi nuk ia ka ulur zellin për të folur para auditorit ose për të predikuar. Për shembull, që të mbajë një fjalim në Sallën e Mbretërisë, Hamishi në fillim e shtyp dorëshkrimin në një pajisje elektronike portative që e kthen tekstin e shkruar në fjalim që mund të dëgjohet. Kur mban fjalim, ai e vë pajisjen në pultin e oratorit dhe me anë të tastierës zgjedh dhe transmeton sërish pjesët e fjalimit. Fjalimi kapet me anë të mikrofonit dhe amplifikohet me ndihmën e akustikës. Kur pjesa e tij kërkon pjesëmarrjen e auditorit, përdor pajisjen që të kërkojë e të falënderojë për komentet. Në shërbim komunikon pak a shumë njësoj, duke kombinuar fjali të përgatitura, citime nga Shkrimet dhe shtypjen e shpejtë. Si
pasojë, ka mjaft rivizita të mira. Në vitin 2007 Hamishin e emëruan shërbëtor ndihmës dhe, që nga ajo kohë, ka shërbyer si pionier ndihmës disa herë çdo vit.KISHTE PROBLEME ME PRINTERIN. Davidin, një riparues kompjuterësh nga Kaledonia e Re, e mori në telefon një grua që kishte probleme me printerin—nuk e shtypte dot një dokument. Davidi e rregulloi shpejt problemin, por u habit kur pa dokumentin e shtypur që thoshte: «MOS trokit! E kemi pranuar Jezuin. Nuk kemi nevojë për fe tjetër.»
Davidi i tha zonjës së shtëpisë: «Më falni, teksa po rregulloja printerin tuaj, më zuri syri mesazhin në dokument. A mund t’ju pyes pse e shkruat?»
Ajo ia ktheu: «I ke parasysh Dëshmitarët e Jehovait që vijnë çdo fundjavë?! U mërzitëm duke i parë gjithmonë vërdallë. Ja ku po ta them, asnjë prej tyre nuk do të shkelë në shtëpinë tonë.»
Davidi e pyeti: «A e di që tashmë e keni ftuar një prej tyre në shtëpi?»
Ajo ia ktheu: «E pamundur. Kjo s’ka për të ndodhur kurrë!»
Davidi i tha: «Unë jam një Dëshmitar i Jehovait dhe ju më ftuat brenda.» Gruaja mbeti gojëhapur dhe pak e turpëruar. Davidi me dashamirësi i shpjegoi pse Dëshmitarët e Jehovait shkojnë te shtëpitë e njerëzve. Vijoi një bisedë prej dy orësh. Ca ditë më vonë, Davidi u kthye te kjo grua e te burri i saj. Ata i shpjeguan se, pasi ishin menduar mirë për atë që kishte ndodhur, ishin të sigurt se Perëndia e kishte dërguar Davidin tek ata. Prandaj nuk mund ta refuzonin vizitën e tij. Tani i marrin rregullisht revistat.
I PAJISUR ME FLETUSHKA. Nejthëni 12-vjeçar jeton në Australi. Ai mban në çantën e shkollës fletushka të
bazuara në Bibël dhe u dëshmon rregullisht shokëve të shkollës. Një ditë, teksa kthehej nga shkolla, pa një zonjë të moshuar në oborrin e përparmë të shtëpisë së saj. Ajo buzëqeshi dhe Nejthëni ia ktheu buzëqeshjen e i dha një fletushkë. Zonja më pas i tha se burri i kishte vdekur tre vjet më parë. Kur Nejthëni dëgjoi këtë, futi dorën në çantë dhe nxori fletushkën Çfarë shprese ka për të vdekurit? Zonjës iu mbushën sytë me lot teksa Nejthëni i tregonte për ringjalljen e ardhshme në Parajsë, ku ajo mund të shihte sërish burrin. «Kur do të marrin fund të gjitha vuajtjet?»—pyeti zonja. Nejthëni nxori një fletushkë tjetër, Së shpejti të gjitha vuajtjet do të marrin fund! Atëherë gruaja e pyeti Nejthënin se çfarë besonte tjetër. Prandaj ai nxori fletushkën Çfarë besojnë Dëshmitarët e Jehovait? Pas kësaj, Nejthëni iku. Disa javë më vonë e pa prapë zonjën në oborr. Ajo e thirri dhe e përqafoi. Zonja i tha: «E di çfarë ka ndodhur Nejthën? Pasi më dhe ato fletushka, dy Dëshmitare më erdhën në shtëpi dhe tani po studioj Biblën me to.»KISHIN VETËM NJË FTESË PËRKUJTIMI. Majkëlli ndihmoi për ndërtimin e kompleksit të ri të degës në Ishujt Solomon. Pas kësaj përvoje vendosi t’u predikonte banorëve të ishullit të Mbanikës, ishull i thellë ku kishte
kaluar fëmijërinë dhe ku jetonin vëllezërit prej gjaku. Në ishull nuk kishte Dëshmitarë. Gjithashtu, nuk ka anije që shkon rregullisht atje, as shërbim postar dhe ka vetëm një telefon.Ai udhëtoi për në ishullin e Mbanikës me Hanslin, një pionier në moshë të re. Kur mbërritën, menjëherë filluan të bënin një Sallë Mbretërie me gjethe të vogla palme dhe të ftonin njerëzit në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Meqë kishin një ftesë të shtypur, vëllezërit vetëm ua treguan njerëzve dhe u shpjeguan rëndësinë e Përkujtimit.
Një ditë para këtij rasti, vëllezërit vozitën për dy orë deri në anën tjetër të ishullit që të ftonin familjen që jetonte atje. Por në shtëpi gjetën vetëm fëmijët. Majkëlli vendosi t’u linte të vetmen kopje të ftesës që kishte. Ia dha vajzës së madhe dhe i kërkoi t’ia jepte babait.
Pasditen tjetër, ndërsa Majkëlli dhe Hansli po përgatiteshin për Përkujtimin, panë familjen të vinte me kanoe. Babai e kishte lexuar ftesën dhe kishte nxjerrë përfundimin se Përkujtimi duhej të ishte një ngjarje mjaft e rëndësishme, kështu që e solli gjithë familjen. Atë mbrëmje, në Përkujtim morën pjesë 52 veta. Majkëlli dhe Hansli vazhdojnë t’u predikojnë e të studiojnë Biblën me të pranishmit.
[Shënimi]
^ par. 68 Elina vdiq ndërkohë që libri vjetor po përfundohej.
[Tabela në faqet 40-47]
RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 2010
(Shih botimin)
[Hartat në faqet 48-50]
(Shih botimin)