Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Letër nga Trupi Udhëheqës

Letër nga Trupi Udhëheqës

Letër nga Trupi Udhëheqës

Të dashur Dëshmitarë të Jehovait:

Është kënaqësi e madhe t’ju shkruajmë ju të dashur shërbëtorë besnikë të Jehovait, që tani arrini mbi shtatë milionë. Kur takohesh me një bashkëbesimtar nga ana tjetër e botës, menjëherë ndien një lidhje të veçantë e të përzemërt me të. (Gjoni 13:34, 35) Pa dyshim, kur të lexosh këtë Libër vjetor tregimet tërheqëse të besimit e të besnikërisë së vëllezërve e të motrave të tua nga vende të ndryshme, do ta ndiesh sërish atë lidhje unike.

Raportet nga e gjithë bota tregojnë se shumë prej jush po e marrin seriozisht programin e Adhurimit Familjar. Ata që kanë fëmijë të vegjël kanë përdorur goxha fantazi që t’i mbajnë të përqendruar. (Efes. 6:4) Çiftet po lidhen më shumë me njëri-tjetrin si pasojë e bashkëbisedimit frymor që ofron ky program. (Efes. 5:28-33) Vërtet, si individët, edhe familjet po nxjerrin dobi nga kjo masë gjatë së cilës studiohet thellë Fjala e Perëndisë.​—Jos. 1:8, 9.

Zemrat tona bashkohen me të gjithë ju që keni pësuar humbje nga katastrofat natyrore të kohëve të fundit. Shfrytëzojmë rastin të falënderojmë mjaft veta që, pa ngurruar, kanë ndihmuar gjatë fatkeqësive të tilla. (Vep. 11:28-30; Gal. 6:9, 10) Për më tepër, në çdo kongregacion, ka disa prej jush që tregohen syçelë ndaj nevojave materiale të vëllezërve dhe, pa rënë në sy, kujdesen për ta. Ashtu si personazhi biblik Dorka, ju bëni plot ‘vepra të mira dhe jepni lëmoshë me bollëk’. (Vep. 9:36) Jini të sigurt se Jehovai e vëren këtë dhe do t’ju shpërblejë.​—Mat. 6:3, 4.

Në disa vende të drejtat tuaja po i shkelin manipuluesit e ligjit për të ‘kurdisur telashe me anë të dekretit’. (Psal. 94:20-22) Ngaqë e dini se Jezui e paratha këtë përndjekje, po qëndroni me guxim dhe po kërkoni strehë te Jehovai. (Gjoni 15:19, 20) Të dashur, jini të sigurt se ju përmendim rregullisht në lutjet tona ndërsa vazhdoni ‘të mbroheni para kujtdo që ju kërkon arsye për shpresën tuaj’.​—1 Pjet. 3:13-15.

Me ngrohtësi lavdërojmë miliona prej jush që po qëndrojnë të pastër moralisht, vit pas viti, edhe pse Satanai me dinakëri nxit sjelljen imorale. Në një kohë kur normat morale të botës po bien gjithnjë e më poshtë, ju po «merrni fuqi në Zotërinë dhe në madhështinë e forcës së tij». (Efes. 6:10) Keni veshur «armaturën e plotë të Perëndisë» dhe prandaj po qëndroni të patundur kundër «intrigave të Djallit». (Efes. 6:11, 12) Dijeni se Jehovai po e përdor shembullin tuaj që t’i japë një përgjigje ushtuese sfiduesit, Satanait.​—Prov. 27:11.

U gëzuam shumë kur morëm vesh se në vitin 2011 ishin të pranishëm 19.374.737 veta në Përkujtimin e vdekjes së Zotërisë. Ky numër mbresëlënës u arrit pjesërisht falë përgjigjes suaj të mrekullueshme ndaj thirrjes për pionierë ndihmës prillin e kaluar. Miliona banorë mund të dëgjonin kur Dëshmitarët besnikë lëvdonin njëzëri Jehovain. (Rom. 10:18) Ndoshta edhe ti ishe një nga 2.657.377 vetat që shërbyen si pionierë ndihmës atë muaj ose u përpoqe të rritje shërbimin në ndonjë mënyrë. Sidoqoftë, të gjithë bëtë që të na rrezatonin fytyrat nga gëzimi, falë frymës së gatshme dhe zellit që treguat për veprën.​—Psal. 110:3; Kolos. 3:23.

Vitin e kaluar 263.131 veta e simbolizuan kushtimin ndaj Jehovait. Për këtë falënderojmë Jehovain, si dhe të gjithë ju që u bashkuat me ne për t’u ofruar të tjerëve ftesën: «‘Eja!’ Kush ka etje, le të vijë. Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.» (Zbul. 22:17) Në kongreset tona krahinore të vitit 2011 shqyrtuam aspekte të Mbretërisë së vendosur të Perëndisë. Pas kësaj ngjarjeje, nxitemi edhe më shumë të themi nga thellësia e shpirtit: «Ardhtë Mbretëria e Perëndisë!» Të shtyrë nga siguria që na dha Jezui se ‘do të vijë me të shpejtë’, me gjithë zemër bashkojmë zërat me përgjigjen e apostullit Gjon: «Amin! Eja, o Zotëri Jezu!»​—Zbul. 22:20.

Teksa qëndroni vigjilentë ndaj kësaj ngjarjeje emocionuese, ju lutemi, jini të sigurt se e duam secilin prej jush vëllezër e motra të shtrenjta që tregoni dashuri për Jehovain «me vepra e të vërtetë».​—1 Gjon. 3:18.

Vëllezërit tuaj,

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait