Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

PAVARËSISHT nga kushtet botërore tejet të vështira, Dëshmitarët e Jehovait kanë kaluar një tjetër vit të frytshëm në shërbimin e shenjtë. Me bekimin e Perëndisë, e vërteta e lajmit të mirë «po jep fryt e po rritet në mbarë botën». (Kolos. 1:5, 6) Jemi të sigurt se do të merrni zemër e do t’ju forcohet besimi nga raporti vjetor i këtij viti.

MASË E RE PËR PIONIERËT NDIHMËS

Entuziazmi ishte tejet i madh kur pionierëve ndihmës iu dha mundësia të plotësonin kërkesën prej 30 ose 50 orësh gjatë muajit prill. Mjaft nga ata që zakonisht nuk mund të angazhoheshin në këtë formë shërbimi, e shfrytëzuan me zell këtë mundësi. Mijëra lajmëtarë iu bashkuan për herë të parë radhëve të pionierëve ndihmës dhe, shumë nga ata që kishin qenë pionierë në të kaluarën, ishin të kënaqur të shërbenin sërish si të tillë. Për më tepër, mjaft lajmëtarë që nuk kishin mundësi të bëheshin pionierë ndihmës, bënë përpjekje që ta rritnin aktivitetin e predikimit. Cili ishte rezultati?

Shumica e degëve raportuan rritje që i tejkalonin ku e ku maksimumet e mëparshme. Në mbarë botën, 2.657.377 lajmëtarë shërbyen si pionierë ndihmës, rreth pesë herë më shumë se maksimumi i vitit të kaluar. Tetëdhjetë për qind e familjes Bethel në mbarë botën​—16.292 nga 20.290 vëllezër e motra—​morën pjesë në këtë privilegj shërbimi. A nuk është emocionuese të dimë që shërbëtorët e Jehovait bënë më tepër në prill në veprën e predikimit, sesa kanë bërë në ndonjë muaj tjetër në histori?

Në Haiti, vetëm më se një vit nga tërmeti shkatërrues që u mori jetën rreth 300.000 vetave, u raportuan maksimume të reja të të gjitha kohëve për aktivitetin e predikimit në prill. Nga 17.009 lajmëtarët, shërbyen si pionierë ndihmës 6.185 veta. Një fushatë e veçantë për të shpërndarë broshurën Kur të vdes një njeri i dashur . . . , e cila doli kohët e fundit në gjuhën kreole të Haitit, u dha njerëzve të pikëlluar ngushëllimin dhe shpresën për të cilat kishin aq shumë nevojë.

Vëllezërit e motrat tona në Nigeri hasën një vështirësi të pazakontë gjatë prillit. Gjatë katër ditëve të lëna mënjanë për votime (tri nga të cilat ishin të shtuna), qeveria shpalli ndalimqarkullim nga ora 7.00 e mëngjesit deri në orën 17.00 të pasdites, përveçse për qëllime elektorale. Megjithatë, fryma e pionierit nuk u mpak. Një kongregacion shkroi: «Po ju shkruajmë me gëzim të madh dhe zemrat na janë mbushur plot çmueshmëri për kohën e mrekullueshme që kaluam këtë muaj.» Në një kongregacion tjetër, nga 127 lajmëtarët e pagëzuar, 92 veta shërbyen si pionierë ndihmës, përfshirë gjithë pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës. Nga familja Bethel shërbyen si pionierë ndihmës 555 veta, nga 688 që ishin gjithsej.

 Ata e përballuan sfidën. Zhaneta, e cila jeton në malet e pjesës rurale të Burundit, ka dashur gjithnjë të ishte pioniere, por vuan nga një gjendje kronike e zemrës që s’e lejon të ecë për shumë kohë ose të ngjitë kodrat e rrëpirëta. Zhaneta u gëzua kur mori vesh se kërkesa e orëve për pionierët ndihmës në prill ishte ulur. Që ta ndihmonin t’i plotësohej dëshira për t’u bërë pioniere, pleqtë morën masa që të predikonte në territorin afër shtëpisë së saj. Për më tepër, pionierë e lajmëtarë i drejtonin studimet në shtëpinë e saj. Nga fundi i muajit, Zhaneta ishte e kënaqur që kishte nisur katër studime biblike. Ajo thotë: «Sa do të doja të isha përsëri pioniere! Jam e sigurt që Jehovai do të më ndihmojë.»

Në ishullin e Grenadës, një motër e re që nuk dëgjon shërbeu si pioniere, edhe pse ka një paaftësi fizike që ia vështirëson ecjen. Ajo tha: «Ishte sfidë e vërtetë të ecja për distanca të gjata që të arrija autobusin për në shërbim.» Gjithashtu, kjo motër ishte e papunë dhe iu lut me zjarr Jehovait për ndihmë. Në përputhje me lutjet, i siguroi të ardhurat duke shitur punime me grep dhe bizhuteri të bëra me dorë. Më pas ajo tha: «Mora pjesë plotësisht në predikim dhe e ndjeva përkrahjen dhe inkurajimin e vëllezërve. Kjo më bëri vërtet të lumtur.»

Toshi, një motër 101-vjeçare në Japoni, hyri gjithë entuziazëm në radhët e pionierëve ndihmës në prill. Meqë s’del dot nga banesa ku rri, ajo predikon me anë të letrave dhe duke u dëshmuar atyre që i shkojnë në dhomë për ta ndihmuar. Toshi shpjegon: «Ngaqë nuk dëgjoj mirë, flas me zë shumë të lartë. Kështu, ata që ndodhen rrotull më dëgjojnë.»

Feliksi nga Kosta-Rika, i cili është i paralizuar në të katra gjymtyrët, vendosi të shërbente si pionier ndihmës. Por, si do ia dilte? Jashtë shtëpisë i vunë një tavolinë me literaturë që t’u dëshmonte kalimtarëve. Nga fundi i muajit, Feliksi ishte i lodhur fizikisht, por ndihej i freskuar e i ngazëllyer frymësisht që kishte nisur katër studime biblike.

Edhe shumë lajmëtarë të rinj në moshë kishin dëshirë të zjarrtë të merrnin pjesë në aktivitetin e veçantë në prill. Për shembull, në Spanjë, Sandra 11-vjeçare dhe vëllai i saj 7-vjeçar, Aleandroja, donin të dilnin më shumë në predikim. Të nxitur nga fryma e zellshme e kongregacionit dhe nga shembulli entuziast i prindërve, Sandra e Aleandroja dëshironin të shërbenin si pionierë ndihmës. Por, si do ta arrinin pa qenë të pagëzuar? Të dy fëmijët bënë një program që të kalonin aq kohë në shërbim sa prindërit, e më pas përgatiteshin për shërbimin duke provuar prezantimet gjatë mbrëmjes së Adhurimit Familjar. Prindërit menduan se ndoshta fëmijët do të rraskapiteshin me kalimin e muajit. Por dy lajmëtarët e vegjël s’u lëkundën asnjë çast. Më 30 prill, gjithë familja kishte arritur synimin prej 30 orësh, përveç Aleandros së vogël që i duheshin edhe tre orë. Kështu doli me të atin ditën e fundit që të arrinte synimin. Sa të lumtur ishin që atë periudhë u angazhuan e ia kaluan bukur si familje e bashkuar!

Xhina tregon: «Lutesha përditë që bashkë me burrin, Filipin, të arrinim të predikonim 30 orë.» Por Filipi, i cili kishte shërbyer si mbikëqyrës krahinor derisa ishte bërë i paaftë për shkak të një aneurizme në tru, ndodhej i ngujuar në shtratin e një spitali në Spanjë e s’arrinte as të fliste. I vetmi mjet komunikimi ishin sytë, të cilët i mbyllte një herë për po dhe dy herë për jo.

Xhina vazhdon: «Kur i thashë për të shërbyer si pioniere ndihmëse, më tregoi se edhe ai donte të shërbente si i tillë.» Por si mund ta arrinte synimin?

Gjatë muajve të mëparshëm, Xhina e Filipi u kishin predikuar pacientëve, familjarëve që vinin për vizitë dhe personelit të spitalit. Ajo thotë: «Planifikuam që gjatë prillit të predikonim në pavijonin tonë të spitalit për një orë në ditë, kur Filipi të ishte zgjuar e të merrte pjesë në bisedë me anë të syve.»

Por, në mars, Filipin e transferuan në një pavijon izolimi. Gjithsesi, ai dhe Xhina arritën t’i përmbaheshin programit duke biseduar për disa minuta me pjesëtarë të personelit të spitalit në periudha të ndryshme të ditës. Një nga infermieret që pranoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, e pa Filipin në sy dhe i premtoi të vinte ditën tjetër që të lexonte shkrime. Kur infermierja erdhi, Xhina e ftoi të lexonte Gjonin 17:3 dhe i kërkoi të thoshte mendimin e saj për kuptimin e shkrimit. Teksa vazhdonin me këtë metodë, Filipi tregonte nëse infermierja ishte e saktë apo jo duke pulitur sytë. Edhe kur ajo nuk ishte në punë në pavijonin e Filipit, vinte ta siguronte se po i kërkonte Jehovait ta ndihmonte të afrohej me Të.

Shërbëtorët e Jehovait e shohin këtë zgjerim të shërbimit si një mënyrë për të treguar dashurinë për të afërmin, mirënjohjen për flijimin e Jezu Krishtit dhe përkushtimin ndaj Atit të tyre qiellor. Ata presin me padurim marsin e vitit 2012, kur do të kenë sërish rastin të plotësojnë kuotën prej 30 ose 50 orësh në muaj.

SHKOLLA QË MËSOJNË UDHËT E JEHOVAIT

Organizata e Jehovait e ka marrë shumë seriozisht profecinë e dokumentuar tek Isaia 2:3: «Ejani, le të ngjitemi në malin e Jehovait, në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit. Ai do të na mësojë udhët e tij.» Për shembull, ndërsa Lufta II Botërore vazhdonte gjithë tërbim, klasa e skllavit të besueshëm dhe të matur kuptoi se njerëz nga të gjitha kombet duheshin mësuar nga Jehovai para se t’i vinte fundi sistemit të Satanait. Prandaj u morën masa që të organizoheshin shkolla të tilla, si Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit dhe Shkolla e Shërbimit Teokratik. Kohët e fundit, Trupi Udhëheqës ka bërë ndryshime të mëtejshme për shkollat që japin stërvitje të specializuar.

Në tetor të vitit 2010, Shkolla e Stërvitjes për Shërbim u emërtua Shkolla Biblike për Vëllezërit Beqarë. Këtë shkollë dymujore do të vazhdojnë ta ndjekin vëllezër beqarë që shërbejnë si pleq ose si shërbëtorë ndihmës. Në mbarë botën, deri tani kanë nxjerrë dobi nga ky program mësimor 37.445 veta, shumë prej të cilëve shërbejnë si pionierë, mbikëqyrës udhëtues, misionarë dhe bethelitë.

Shkolla Biblike për Çiftet e Krishtere është një shkollë e re që zgjat dy muaj, ka nisur në korrik të 2011-s dhe si fillim është mbajtur në Paterson, Nju-Jork. Çiftet kualifikohen të ndjekin këtë shkollë nëse janë nga mosha 25-50 vjeç, me shëndet të mirë, të martuar nga të paktën dy vjet, në shërbim të plotkohor të paktën dy vitet e fundit dhe bashkëshorti ka dy vjet radhazi që shërben si plak ose shërbëtor ndihmës. Duke filluar nga viti 2012, kjo shkollë do të mbahet në të njëjtat ambiente që përdor Shkolla Biblike për Vëllezërit Beqarë.

Shkolla Biblike për Çiftet e Krishtere është krijuar që t’u japë stërvitje të specializuar çifteve të martuara, që të përdoren më plotësisht nga Jehovai dhe organizata e tij. Shumica e të diplomuarve do të shërbejnë si pionierë të rregullt në vendin e tyre ku të ketë më shumë nevojë. Megjithatë, disa do të caktohen si pionierë specialë të përkohshëm, madje të tjerë do të stërviten për veprën qarkore. Pak veta mund të caktohen në vende të tjera nëse kualifikohen dhe janë të gatshëm.

Ata që bëjnë kërkesë për këtë shkollë, duhet të jenë të pjekur frymësisht dhe të kenë frymë vetëmohuese. Të njëjtët instruktorë që mësojnë në Shkollën Biblike për Vëllezërit Beqarë do të japin mësim edhe në këtë shkollë të re, kryesisht duke ndjekur të njëjtin program mësimi. Disa mësime do t’i ndjekin vetëm vëllezërit ndërkohë që gratë do të shkojnë në shërbimin në fushë. Hollësitë e mëtejshme dhe kërkesat që duhet të plotësojnë ata që janë të interesuar, do të jepen në mbledhjen që do të mbahet në kongresin krahinor.

Trupi Udhëheqës ka treguar disa ndryshime për Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit. Duke filluar me klasën e 132-të, që filloi më 24 tetor 2011, stërvitja do t’u jepet vetëm atyre çifteve që tashmë janë në shërbimin special të plotkohor, siç janë misionarët që nuk e kanë bërë Galaadin, pionierët specialë, mbikëqyrësit udhëtues dhe bethelitët. Nëse dinë të flasin dhe të shkruajnë mirë anglisht, Komiteti i Degës mund t’i rekomandojë që të marrin pjesë.

Të diplomuarit e Galaadit do të caktohen që të forcojnë dhe t’i japin më shumë qëndrueshmëri organizimit të shërbimit në fushë dhe të degëve, duke shërbyer si misionarë në fushë, si mbikëqyrës udhëtues ose si bethelitë. Ata që caktohen në shërbimin në fushë do të përdoren në zona me popullsi të dendur, ku mund të japin sa më shumë në veprën e predikimit dhe në veprimtaritë e kongregacionit. Komiteti i Degës mund të vazhdojë të bëjë kërkesë për të diplomuar të Galaadit, nëse në territorin e tyre ka ndonjë nevojë të veçantë. Gjithashtu mund të rekomandojë shërbëtorë nga territori i degës së tyre që janë të kualifikuar mirë në shërbimin special të plotkohor, që të ndjekin Shkollën e Galaadit. Në disa raste, Komiteti i Degës mund të kërkojë që të kthehen sërish atje pas diplomimit.

Shkolla për Anëtarët e Komiteteve të Degëve dhe Gratë e Tyre do të mbahet në Paterson dy herë në vit në anglisht. Në disa raste do të ftohen edhe anëtarë të Komitetit të Vendit. Anëtarë të Komitetit të Degës që e kanë bërë një herë shkollën në të kaluarën do të ftohen ta ndjekin sërish bashkë me vëllezër që e kanë për herë të parë. Gratë e anëtarëve të Komitetit të Degës do të marrin pjesë në shumicën e mësimeve me bashkëshortët. Megjithatë, disa mësime për çështje organizative do të mbahen vetëm me vëllezërit, ndërkohë që gratë do të ndihmojnë me punë të ndryshme në Bethel.

Gjithashtu, çdo vit në Paterson do të mbahen dy klasa të Shkollës për Mbikëqyrësit Udhëtues dhe Gratë e Tyre. Klasat që mbahen tani në Shtetet e Bashkuara përfshijnë vëllezër që e kanë ndjekur më parë, të cilët përbëjnë gati gjysmën e klasës. Gratë e mbikëqyrësve udhëtues do të ftohen të marrin pjesë në shumicën e orëve të mësimit.

Sa i kënaqur është populli i Perëndisë që mund të nxjerrë dobi nga arsimimi që jep Jehovai! Vetë Jezui tha: «Te Profetët është shkruar: ‘Të gjithë do të mësohen nga Jehovai.’» (Gjoni 6:45; Isa. 54:13) Jemi të sigurt se këto ndryshime do t’i japin më tepër shtysë veprës urgjente të predikimit të lajmit të mirë në gjithë tokën e banuar, para se të vijë fundi.

TËRMET I MADH NË JAPONI

Lajme nga e gjithë bota kanë treguar për një vërshim të katastrofave natyrore, përfshirë tërmete, tsuname, tornado, uragane, përmbytje, zjarre dhe shpërthime vullkanike. Meqë ky material nuk lë vend që të raportojmë për të gjitha katastrofat e kohëve të fundit, guximi me të cilin i përballojnë Dëshmitarët e Jehovait vështirësi të tilla ilustrohet fare mirë nga bashkadhuruesit tanë në Japoni.

Të premten e 11 marsit 2011, në orën 14.46, Japoninë e goditi një tërmet 9-ballësh sipas shkallës Rihter. Tsunami që erdhi si pasojë shkatërroi shumë qytete e fshatra përgjatë bregdetit të Paqësorit. Rreth 20.000 veta rezultojnë të vdekur ose nuk janë gjetur. Në zonën e prekur nga katastrofa u shkatërruan katër Salla Mbretërie dhe katër të tjera dolën jashtë përdorimit. 235 shtëpi të vëllezërve e të motrave i përlau uji ose u dëmtuan rëndë, dhe mbi një mijë shtëpi kishin nevojë për riparim.

Lëkundja dhe tsunami e dëmtuan kaq rëndë një central bërthamor, sa ajri u mbush me grimca radioaktive. Qeveria nxori një urdhër evakuimi për banorët atje afër dhe, sa hap e mbyll sytë, mjaft vende u bënë qytete të shkreta. Edhe vëllezërit e motrat e asaj zone u detyruan të iknin dhe dy kongregacione «u zhdukën».

Nga më se 14.000 Dëshmitarët e Jehovait në shumicën e zonave të prekura, 12 veta humbën jetën dhe 5 të tjerë u dëmtuan rëndë. Kurse 2 veta nuk janë gjetur ende. Shumë nga ata që i mbijetuan kësaj përvoje traumatike humbën shtëpitë, zotërimet dhe, në mjaft raste, njerëzit e dashur.

Kijokoja nga Ofunatoja shpjegon: «Arrita të merrja në makinë mamanë që është e gjymtuar dhe u nisa për në strehën që na kishin thënë. Pastaj nuhata erë tymi. Dola nga makina dhe pashë një mur gjigant uji që përpinte shtëpinë tonë. Uji po vinte drejt nesh! Ndihmova mamanë të ngjitej me vështirësi në një trase të ngritur hekurudhe. Makinën na e gllabëroi uji para syve.»

Pas tërmetit, një vëlla i ri në moshë me emrin Koiki u përpoq të shkonte te shtëpia e prindërve në Ishinomaki, 5 kilometra larg detit. Por, teksa afrohej, pa se e gjithë zona ishte mbuluar me ujë. Ai tha: «Nuk shkoja dot më tutje pa barkë.» Tri javë pas tërmetit e gjeti babanë në një morg, e tri javë më vonë edhe nënën.

Sapo tërmeti mbaroi, Masaki nga Shiçigahama e parkoi makinën te Salla e Mbretërisë, 1 kilometër larg detit. Ai sjell ndër mend: «Gjeta një motër që kishte evakuar atje si unë. Kurrë s’e mendoja se tsunami do të shkonte aq larg. Por shpejt uji i zi mbuloi vendin. Makinat tona nisën të pluskonin. Unë hapa dritaren dhe që aty hipa mbi makinë e qëndrova atje, kurse makinën e motrës uji e mori tutje dhe m’u zhduk nga sytë. U luta që Jehovai ta ndihmonte.

Binte borë, u bëra qull e po dridhesha nga i ftohti. Bora pushoi, por ajri ishte i acartë. Shpejt dielli perëndoi dhe u bë errësirë. Yjet ishin të shndritshëm e të bukur, ndërsa unë gjendesha atje në çatinë e makinës, një ishull në ujin e akullt. Si unë, edhe të tjerë ishin të ngujuar nëpër pirgje gërmadhash ose në çatitë e ndërtesave. Pyetja veten nëse do të mbijetoja deri në mëngjes. Që t’i jepja kurajë vetes, vendosa të thosha përmendsh një fjalim publik që e kisha mbajtur dy javë më parë. Kishte temë me vend, ‘Ku mund të gjeni ndihmë në kohë vuajtjesh?’ Pastaj këndova të vetmen këngë që dija përmendsh, ‘Perëndia Jehova është im Atë dhe Mik’. E këndova disa herë radhazi. Ndërsa këndoja, mendoja si e kisha përdorur jetën në shërbim të Jehovait dhe lotët më ranë çurg.

Pastaj dikush nga shtëpia përtej rrugës më thirri: ‘A je mirë? Po vij të të ndihmoj!’» Burri që thirri kishte bërë një trap me copat e drurit që pluskonin dhe po shpëtonte ata që ishin afër. Me ndihmën e tij, Masaki arriti të hynte në shtëpinë e dikujt nga dritarja e katit të dytë. Më vonë u lehtësua kur mori vesh se edhe motra në makinën tjetër kishte shpëtuar.

Dasma e Kohit dhe e Jukos pritej me entuziazëm e do të mbahej të shtunën, më 12 mars, në Sallën e Mbretërisë në Rikuzentakatë. Pasi kishin bërë celebrimin të premten në bashkinë e qytetit, ia behu tërmeti. Kohi dëgjoi një transmetim që paralajmëronte për një tsunam, prandaj vrapoi në një vend më të lartë. Ai kujton: «Pashë gjithë qytetin të përfshirë nga tymi. S’kishte mbetur asgjë, përveç disa godinave të mëdha. Deri në atë moment e kisha mendjen te përgatitjet që do të bëja më vonë atë ditë, por shpejt e kuptova se diçka tejet e madhe kishte ndodhur.»

Kohi dhe Jukoja e kaluan të shtunën duke ndihmuar vëllezërit dhe motrat e kongregacionit. Ai tha: «Morëm ndihma nga kongregacionet fqinje. U kënaqa kur gruaja më tha sa e lumtur ishte që po e harxhonim kohën dhe energjinë për vëllezërit. E falënderova Jehovain për këtë bashkëshorte të mrekullueshme. Tsunami na rrëmbeu shtëpinë e re, makinën dhe gjithçka kishim. Por jam shumë mirënjohës për dashurinë që na treguan vëllezërit.»

Ndihmë fizike, frymore dhe emocionale. Shpejt dega e Japonisë organizoi tri Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash dhe dërgoi herë pas herë përfaqësues nga dega në zonën e prekur. Kur mbikëqyrësit e zonës Xhefri Xheksoni dhe Isak Mareja nga selia botërore erdhën në Japoni në maj, edhe ata u takuan me vëllezërit e motrat në një nga zonat më të shkatërruara. U organizua një mbledhje e veçantë për kongregacionet e prekura, dhe, me anë të lidhjes telefonike, rreth 2.800 vëllezër në 21 Salla Mbretërie i siguruan për dashurinë dhe merakun e vëllazërisë mbarëbotërore.

Komitetet e Ndihmës në Rast Katastrofash dhe vullnetarë të tjerë kanë siguruar ndihma gjithë kohën. Nevojë e ngutshme ishin ushqimi, uji dhe lënda djegëse. Gjithashtu, komitetet e ndihmës morën masa të dërgoheshin rroba të përmasave të ndryshme në kongregacionet e prekura. Vendet e mbledhjeve u kthyen në butikë të përkohshëm, pasi u mbushën me rafte rrobash e pasqyra.

Sa mirënjohës ishin vëllezërit e motrat e prekura nga katastrofa kur panë si ua plotësoi Jehovai nevojat fizike dhe emocionale! Ata u forcuan veçanërisht në mbledhjet e krishtere. Një motër në zonën ku goditi fatkeqësia shkroi: «Mbledhjet më japin paqe mendore. Them se janë të domosdoshme për gjendjen frymore.»

Një mesazh shprese. Vëllezërit japonezë nuk humbën kohë e u dhanë fqinjëve të dëshpëruar ngushëllim nga Fjala e Perëndisë. Një grup lajmëtarësh në një qytet të paprekur nga katastrofa vendosën të jepnin dëshmi rrugore me një tabelë të madhe, «Pse ndodhi tragjedia? Përgjigjja ndodhet në Bibël». Shumë veta treguan interes dhe vëllezërit dhanë 177 libra Çfarë mëson vërtet Bibla?, vetëm për një ditë e gjysmë.

Në zonat e goditura nga katastrofa, në fillim Dëshmitarët shkuan të ngushëllonin studentët biblikë e rivizitat, pastaj fqinjët. Akikoja thotë: «Kur i lexova Mateun 6:34 një gruaje, ajo nisi të qante. Dukej se e shqetësonin shumë gjëra. Kur i shpjegova si na ndihmon Bibla të ruajmë paqen mendore, menjëherë ra dakord dhe më falënderoi. Kjo ma ka ripërtërirë çmueshmërinë për fuqinë që kanë Shkrimet të prekin zemrat e njerëzve.»

Një burrë vërejti: «Ka shumë fe, por ju jeni të vetmit që na vizitoni edhe në këtë kohë të pazakontë.» Një burrë tjetër theksoi plot respekt: «Është e mahnitshme që e vazhdoni veprimtarinë tuaj edhe gjatë kësaj krize.» Një plak kongregacioni tha: «Mjaft veta i mirëpritën vizitat tona. Ata thoshin: ‘Jeni të parët që na vini në shtëpi që nga katastrofa. Ju lutemi, ejani prapë.’»

PËRKTHIMI BOTA E RE NË 106 GJUHË

E premtja e 15 korrikut 2011 shënoi një ngjarje të paharruar e historike për popullin e Perëndisë në Letoni dhe Lituani. Stivën Leti i Trupit Udhëheqës, në një fjalim që ishte i lidhur me të dyja vendet, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke​—Përkthimi Bota e Re në letonisht dhe në lituanisht, duke arritur numrin 99 dhe 100 të gjuhëve në të cilat është botuar ky përkthim. Trupi Udhëheqës i ka dhënë goxha përparësi përkthimit të Biblës këto shtatë vitet e fundit. Si rezultat, numri i gjuhëve në të cilat ishte botuar Përkthimi Bota e Re në vitin 2004, tani është dyfishuar dhe përkthyesit në mbarë botën po punojnë fort që ta përkthejnë Biblën edhe në mjaft gjuhë të tjera.

Mund ta imagjinoni entuziazmin e madh të vëllezërve kur e marrin Biblën në gjuhën e tyre. Një vëlla nga Republika e Afrikës Qendrore tha: «Të kesh një Bibël është diçka, por ta kuptosh në gjuhën e nënës është një ndër gjërat më të bukura në botë. Përkthimi Bota e Re në gjuhën sango i flet zemrës. Kur lexoj ungjijtë, tani i përfytyroj personazhet dhe ua kuptoj ndjenjat.» Një motër e re në moshë nga Etiopia, i përmblodhi kështu ndjenjat që provojnë mjaft veta: «Një faleminderit nuk e shpreh tamam atë që kam në zemër. Gjithnjë i lutesha Jehovait që ta kishim Përkthimin Bota e Re në gjuhën tonë. Sot lutja m’u plotësua.»

LAJME TË SHKURTRA NGA E GJITHË BOTA

I mbyllet goja një prepotenti në Rusi. Një motër e moshuar që quhet Vera, për disa vjet radhazi hasi probleme nga një fqinj, i cili s’i kishte qejf Dëshmitarët e Jehovait. Ai e kërcënonte dhe përdorte gjuhë të ndyrë në prani të mbesave të saj që vinin ta takonin rregullisht. Vera mbante në mendje fjalët e Romakëve 12:18 dhe gjithnjë ishte e qetë e nuk debatonte me të. Në janar të vitit 2011, fqinji u bë tejet agresiv. Ngaqë kishte frikë për jetën, Vera njoftoi policin e zonës që, çuditërisht, kishte qenë në shtëpinë e saj me një zyrtare të qytetit marsin e 2010-s. Kishin ardhur të shihnin nëse ajo dhe Dëshmitarët e tjerë që mblidheshin në shtëpinë e saj ishin të përfshirë në ndonjë veprimtari ekstremiste. Por këtë herë, polici e kuptoi ku qëndronte vërtet problemi. Ai e qortoi fqinjin dhe e gjobiti me 3.000 rubla (rreth 73 euro) për kërcënimet. Pastaj Vera nuk pati më probleme me fqinjin. Në shenjë vlerësimi, i shkroi një letër falënderimi rajonit të policisë. Për habinë e saj, shefi i policisë i ktheu përgjigje. Ai e falënderoi që tha fjalë të mira për policin që e kishte ndihmuar. Gjithashtu shkruante: «Fjalët tuaja të ngrohta në një kohë kur shumë njerëz flasin keq për policët në përgjithësi, tregojnë se keni besim te ne.» Vera thotë se tani polici i zonës e viziton rregullisht që të sigurohet se çdo gjë është në rregull.

«Pastruesi i plehrave» në Turqi. Dy veta që kohët e fundit kishin filluar të studionin Biblën, shkuan në një kongres krahinor. Ata shkruanin: «Na dukej si përrallë. Të gjithë buzëqeshnin dhe ishin kaq miqësorë e të sjellshëm. Gjatë pushimit të drekës, bëmë një xhiro vërdallë dhe nuk u ndiem fare të huaj. Pastaj vumë re të na afrohej vëllai që kishte filluar studimin e Biblës me ne. Në dorë kishte qese plehrash. U përpoqëm ta shmangnim, pasi menduam se puna e tij ishte pastrimi i plehrave dhe nuk donim të njiheshim si miqtë e një pastruesi plehrash. Prandaj ndërruam rrugë e u munduam të ngatërroheshim në turmë. Thamë me vete: ‘Pse duhet të studiojmë Biblën me një pastrues plehrash e jo me një që mban fjalime nga podiumi?’

Por, teksa studimi përparonte, morëm vesh se ‘pastruesi i plehrave’ që na bënte studimin, ishte anëtar i Komitetit të Degës dhe shërbente në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait. Vazhduam të përparonim dhe ia kushtuam jetën Jehovait. Arritëm të kuptonim se vëllai ynë po sillej me përulësi ‘si më i vogli’. (Luka 9:48) Sa e çmojmë mësimin e vlefshëm që morëm në mbledhjen e parë të madhe që ndoqëm!»

Gënjeshtra në Armeni. Në media nisi një fushatë e gjerë shpifjesh ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Në mënyrë të rreme thuhej se një i ri që kishte vrarë prindërit në qytetin e Sevanit, ishte Dëshmitar i Jehovait. Mediave iu shpërnda menjëherë një deklaratë përgënjeshtruese. Gjithsesi, shpifja vazhdoi dhe në televizor u transmetua një program special që këmbëngulte se i riu ishte Dëshmitar i Jehovait. Ndaj Dëshmitarëve u përdor gjuhë fyese e poshtëruese dhe disa titra gjatë programit thoshin «Ekzekutuesit mizorë e vullnetdobët të Jehovait». Madje kjo i nxiti teleshikuesit të përdornin dhunë kur Dëshmitarët u shkonin në shtëpi. Si rezultat, armiqësia kundër Dëshmitarëve të Jehovait u rrit ndjeshëm në vend. Kundër atij kanali televiziv u nënshkrua një ankesë ku kërkohej të tërhiqnin keqinformimin, të kërkonin falje dhe të jepnin dëmshpërblim që përgojuan emrin tonë të mirë. Në kohën kur Libri vjetor 2012 shkoi për shtyp, kanali televiziv ende s’e kishte bërë tërheqjen, ndonëse vazhdonin bisedimet për të arritur një zgjidhje miqësore.

Inxhinierët e ardhshëm të Venezuelës. Një grup fëmijësh që shkonin në kopsht në qytetin San-Hozé-de-Guaribe, çdo mëngjes kalonin pranë një kantieri ndërtimi të një Salle Mbretërie. Gjithnjë ndalonin pak e vështronin të mrekulluar nga ajo që po kryhej. Një ditë, në kopsht edukatorja i pyeti ç’donin të bëheshin kur të rriteshin. Për çudinë e saj, jo një, por disa fëmijë thanë se donin të bëheshin «inxhinierë si Dëshmitarët e Jehovait». Edukatorja u bë kureshtare dhe, bashkë me një edukatore tjetër, vendosi ta çonte gjithë grupin në ekskursion te kantieri i ndërtimit. Kur arritën atje, skuadra e ndërtimit u bëri një xhiro vizitorëve. Fëmijëve u pëlqeu jashtë mase, sidomos ngaqë i lanë të vinin kaskat me ngjyra. Edukatoret kishin shumë pyetje, dhe kjo çoi në dëshmi të mirë.

Kanadaja i jep hov prodhimit të revistave. Që fondet tona të përdoren sa më mirë, Trupi Udhëheqës i kërkoi degës së Kanadasë të furnizonte me revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! të gjitha kongregacionet në Bermude, Guajanë, Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe në shumicën e ishujve të Karaibeve. Prandaj në fillim të vitit të shërbimit 2011, dega e Kanadasë filloi të shtypte dymbëdhjetë herë më shumë revista se më parë. Tani ajo shtyp revista në 30 gjuhë, duke arritur afërsisht çerekun e gjithë sasisë së revistave që prodhohen në mbarë botën.

Pritje e lirë për publikun në Finlandë. Me lejen e Trupit Udhëheqës u organizua një fushatë e veçantë që u përqendrua te Dëshmitarët e Jehovait dhe te mesazhi që kanë shpallur në Finlandë për një shekull. Vëllezërit shpërndanë me zell revistën Zgjohuni! të gushtit 2010 me serinë «Cilët janë Dëshmitarët e Jehovait?» Kjo solli mjaft biseda të bukura rreth veprës sonë. Pastaj, në fund të gushtit, vëllezërit organizuan një pritje të lirë për publikun në zyrën e degës. E gjithë familja Bethel mori pjesë duke shpjeguar veprën që bëhej atje. Ata ekspozuan materiale që të informonin vizitorët për veprën tonë. Madje disa bethelitë veshën rroba të viteve 40 dhe 50 të shekullit të 20-të dhe demonstruan se si njoftoheshin fjalimet publike në atë kohë me anë të tabelave që i varnin nga të dyja anët në trup. Disa reparte kishin përgatitur dhurata të vogla për vizitorët. Në pritje erdhën rreth 1.500 vizitorë. Si rezultat, gazetat, radioja dhe televizioni folën në mënyrë të favorshme për veprimtaritë tona.

Trazira në Bregun e Fildishtë. Viti i shërbimit 2011 filloi me optimizëm dhe premtonte më tepër rritje, siç dëshmohet nga 23.019 studimet biblike që drejtuan 8.656 lajmëtarët. Gjithsesi, nga fundi i nëntorit 2010, debatet për zgjedhjet e zhytën vendin në kaos e trazira civile. Beteja që erdhi si pasojë arriti kryeqytetin tregtar të Abixhanit në mars dhe zgjati deri në prill të 2011-s, duke shkaktuar një eksod në masë të civilëve nga qyteti, madje nga i gjithë vendi. Mes tyre ishin edhe shumë nga vëllezërit tanë që ia mbathën më këmbë dhe lanë pas shtëpinë e zotërimet.

Gjatë kësaj periudhe të vështirë, qëndrimi asnjanës i vëllezërve tanë shpesh ishte mbrojtje. Në një rast, ushtarët hynë në një shkollë fillore ku mësuesit dhe këshilltarët po mbanin një seminar. Të gjithë i urdhëruan të shtriheshin përtokë dhe të dorëzonin gjërat me vlerë. Kur një vëlla u dha çantën e shërbimit plot me botimet tona, menjëherë ushtarët e kuptuan që ishte Dëshmitar i Jehovait. Ia kthyen çantën bashkë me paratë e celularin dhe i thanë: «Ti s’je kërcënim për ne.»

KUSHTIMET E DEGËVE I SJELLIN LAVDI PERËNDISË

Më 18 dhjetor 2006 dega e Kilit nisi të zgjerohej me një godinë të re dykatëshe me zyra, me një rezidencë të re trekatëshe dhe me një shtesë mjaft të madhe për magazinën. Më 16 tetor 2010, në programin e kushtimit morën pjesë 5.501 veta, ku Dejvid Splejni nga Trupi Udhëheqës e mbajti fjalimin në spanjisht.

Më 19 shkurt 2011, morën pjesë 210 veta në kushtimin e zyrës së vendit që u zgjerua në Burkina-Faso. Fjalimin e kushtimit e mbajti Xhon Kikoti nga selia botërore. Deri në maj të 2011-s vepra e predikimit në Burkina-Faso mbikëqyrej nga dega e Bregut të Fildishtë, pastaj u vu nën mbikëqyrjen e degës së Beninit. Sjellja e shkëlqyer në kantierin e ndërtimit i solli shumë lavdi emrit të Jehovait. «Askush nuk bërtiste. Kurrë nuk kemi punuar në një projekt ndërtimi me njerëz kaq të qetë e të lumtur»,—vërejti një i punësuar në një firmë të madhe furnizuese.

Kushtimi i godinave të reja të degës së Hong-Kongut më 27 gusht 2011 ishte një rast ngazëllyes. Zyrat e reja ndodhen në katin e 19-të të një ndërtese 37-katëshe me pamje nga porti «Viktoria». (Shih shigjetën poshtë.) Stivën Leti nga Trupi Udhëheqës mbajti fjalimin e kushtimit para një turme entuziaste prej 290 vetash të ulur në dhomën e ngrënies, në zyra dhe në zonën e dërgesave. Zyra e re ofron mjaft hapësirë për repartet e ndryshme si: Përkthimi, Shërbimi, Audio/​Video, Blerjet, Dërgimi dhe Llogaria.

Raporte Ligjore

Profeti besnik Jeremia kishte arsye të forta për të besuar se Perëndia i Plotfuqishëm s’do ta braktiste kurrë. Jehovai tha: «Ata do të luftojnë kundër teje, por nuk do të të mposhtin. Sepse unë jam me ty për të të shpëtuar e për të të çliruar.» (Jer. 15:20) Siç e tregojnë raportet vijuese, edhe shërbëtorët e Jehovait në ditët e sotme e kanë përjetuar mbështetjen dhe përkrahjen e tij teksa përmbushin caktimin e predikimit, ndonëse hasin kundërshtim.​—Mat. 24:9; 28:19, 20.

 Armeni: Vahan Bajatjani, një Dëshmitar i Jehovait, u dënua me dy vjet e gjysmë burg, ngaqë nuk pranoi të kryente shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Pasi i humbi gjyqet dhe apelet në gjykatat armene, çështja e tij u shqyrtua nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Më 27 tetor 2009, shtatë gjykatës të GJEDNJ-së morën vendim kundër vëlla Bajatjanit në favor të Armenisë. Gjithsesi, një gjykatës që s’ishte fare dakord, e quajti vendimin e gjykatës «të papajtueshëm me standardet e sotme evropiane për sa i përket kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes». Prandaj, duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj çështjeje, GJEDNJ-ja ra dakord t’ia kalonte çështjen Dhomës së Madhe, një organi të saj që përbëhet nga 17 gjykatës.

Më 7 korrik 2011, juria e përbërë nga 17 gjykatës, me një shumicë votash 16 me 1, mori vendim se Armenia kishte dhunuar të drejtën e vëlla Bajatjanit që të vendoste me ndërgjegje të lirë. Gjykata vuri në dukje se «nuk ka fare arsye të dyshojmë se kundërshtimi i paditësit për shërbimin ushtarak u motivua nga bindjet e tij fetare, të cilat i ndiqte plotësisht dhe që ishin në kundërshtim të hapur e të patolerueshëm me shërbimin ushtarak të detyrueshëm». Kemi shpresa se ky gjykim historik do të çojë në lirimin gradual të 69 vëllezërve të burgosur në Armeni, si dhe të vëllezërve që përballen me të njëjtën çështje në Azerbajxhan dhe Turqi. *

Bullgari: Më 17 prill 2011, më tepër se 100 veta​—përfshirë gra, fëmijë e të moshuar—​po kremtonin paqësisht përkujtimin e vdekjes së Krishtit në një Sallë Mbretërie në Burgas. Një turmë e zemëruar me rreth 60 burra u mblodh përjashta e nisi t’u gjuante me gurë të mëdhenj Dëshmitarëve te hyrja. Më pas, turma u vërsul drejt Sallës së Mbretërisë, por vëllezërit nuk i lejuan të hynin. Policinë e thirrën menjëherë, por reagimi ishte i ngadaltë. Nga ky sulm u plagosën disa Dëshmitarë dhe pesë u dërguan në spital me ambulancë. Pavarësisht nga kjo, kongregacioni nuk e ndërpreu Përkujtimin. Në përgjithësi Dëshmitarët e Jehovait trajtohen me respekt në Bullgari dhe ky sulm i pazakontë bëri jehonë për mirë. Trupi Udhëheqës mori masa që 13 degë t’ua vinin në dukje këtë sulm ambasadave bullgare në vendet e tyre. Që atëherë, qeveria bullgare e ka dënuar sulmin dhe prokurori vendës ka ngritur akuza ndaj tetë vetave që morën pjesë në sulm.

Koreja e Jugut: Më tepër se 800 Dëshmitarë të Jehovait janë ende të burgosur në Korenë e Jugut, ngaqë kanë refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes së bazuar në bindjet fetare. Që nga viti 1950, më shumë se 16.000 Dëshmitarë të Jehovait janë dënuar me më se 31.000 vjet burg, pasi kanë refuzuar të kryejnë shërbimin ushtarak. Pse kaq shumë të rinj kanë mbajtur këtë qëndrim të pakompromentueshëm?

Çdo i ri që refuzon të kryejë shërbimin ushtarak, merr vendim personal bazuar në ndërgjegjen e tij. Për shembull, Kim Xhi-Kuani shpjegoi në gjyqin që iu bë: «Jam prekur thellësisht nga mësime biblike, si ‘popujt nuk do të mësojnë më të luftojnë’ dhe ‘duaje të afërmin tënd si veten’. Gjithashtu kam mësuar se dashuria e bazuar në parime mund të na shtyjë t’i duam armiqtë. Duke u bazuar në këto shkrime e në të tjera, dhe si rezultat i bindjeve të mia të palëkundura, kam vendosur ta refuzoj shërbimin ushtarak.»​—Isa. 2:4; Mat. 5:43, 44; 22:36-39.

Tani për tani, të rinjve në Korenë e Jugut nuk u ofrohet asnjë mundësi për të kryer shërbim civil alternativ. Në një përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje, dhjetë raste iu apeluan Gjykatës Kushtetuese të Koresë. Më 11 nëntor 2010, gjykata shqyrtoi argumentin gojor, ku përfshihej mundësia nëse është dhunim i të drejtave të qytetarëve koreanë dështimi i Koresë që të hartojë një plan alternativ për ata që kundërshtojnë për shkak të ndërgjegjes.

Ndërkohë, më 24 mars 2011, Komiteti i Kombeve të Bashkuara i të Drejtave të Njeriut (KKBDNJ) vendosi se Koreja e Jugut kishte dhunuar standardet e të drejtave të njeriut të njohura në mbarë botën, kur burgosi 100 Dëshmitarë të Jehovait që kundërshtuan për shkak të ndërgjegjes. (Këta 100 vëllezër kishin apeluar në KKBDNJ për dënimin me burgim.) Përveç kësaj, gjykimi i favorshëm i çështjes së vëlla Bajatjanit nga Dhoma e Madhe e GJEDNJ-së (shih raportin e Armenisë në  faqet 34, 35.) iu dërgua Gjykatës Kushtetuese të Koresë që ta merrte parasysh kur të vendoste për dhjetë rastet e apeluara njëherazi. Prapëseprapë, më 30 gusht 2011, Gjykata Kushtetuese, plotësisht mospërfillëse ndaj vendimeve të KKBDNJ-së, iu përmbajt Ligjit për Shërbimin Ushtarak dhe lejoi vazhdimin e burgosjes së atyre që kundërshtonin për shkak të ndërgjegjes. Kur panë se Ligji për Shërbimin Ushtarak binte ndesh me respektimin kushtetues të lirisë së ndërgjegjes, dy nga nëntë gjyqtarët nuk ranë dakord dhe kërkuan një sistem për shërbimin civil alternativ.

Turqi: Më 31 korrik 2007, vëllezërit tanë këtu u gëzuan kur u njohën ligjërisht si shoqatë fetare. Megjithëse ka ende vështirësi për çështjen e asnjanësisë dhe përdorimin e Sallave tona të Mbretërisë, interesat teokratike vazhdojnë të shkojnë përpara në këtë vend. Më 26 prill 2011, Ministria e Arsimit Kombëtar e Republikës Turke nxori një direktivë ku thuhej se «Dëshmitarët e Jehovait janë të lirë të mos i ndjekin orët fetare të detyrueshme në shkollë». Ministria arsyetoi se, «ndonëse Dëshmitarët e Jehovait nuk i pranojnë disa bindje të përhapura të krishterimit, Dëshmitarët e Jehovait janë fe e krishterë». Ky vendim u mirëprit nga vëllezërit dhe motrat e reja, të cilët prej vitesh kanë marrë nota jokaluese në shkollë, ngaqë s’kanë pranuar të ndjekin orët fetare.

Shtetet e Bashkuara: Në maj të 2011-s, Gjykata e Apelit në Kansas mori një vendim të favorshëm për çështjen Meri D. Shtajmëtsi kundër Autoritetit të Sigurimeve Shëndetësore në Kansas. Gjykata vendosi se refuzimi i shtetit për të autorizuar motër Shtajmëtsin të kryejë kirurgji pa gjak jashtë shtetit, dhunonte të drejtat e saj kushtetuese federale dhe shtetërore. Meqë kjo lloj kirurgjie pa gjak që kërkonte motra nuk mund të kryhej në Kansas, gjykata urdhëroi shtetin që ta autorizonte kirurgjinë e motrës jashtë shtetit. Kjo është fitore jo vetëm për motër Shtajmëtsin, por edhe për lajmëtarë të tjerë në Shtetet e Bashkuara që përfitojnë kujdes shëndetësor të financuar nga shteti.

Më 10 gusht 2011, Gjykata e Lartë e Kansasit mbrojti një vendim të favorshëm që ia jepte kujdestarinë e të birit Monika Mek-Glorias, një Dëshmitareje të Jehovait. I ati i fëmijës kishte kërkuar kujdestarinë me pretekstin se motër Mek-Glorias s’duhej t’i jepej kujdestaria e të birit sepse (1) ajo nuk pranonte transfuzion gjaku, (2) e merrte me vete fëmijën në shërbimin shtëpi më shtëpi dhe (3) supozohet ta ketë ftohur me të atin dhe me komunitetin, duke e mësuar djalin për Harmagedonin.

Gjykata e Lartë e Kansasit mbështeti parimet kushtetuese që tashmë ishin nxjerrë në vitin 1957, në të cilat tha: «Liria fetare, siç garantohet nga kushtetuta jonë, duhet mbrojtur besnikërisht, dhe mësimet fetare që u mësohen fëmijëve nuk duhen marrë si bazë për të vendosur kujdestari fëmijësh.» Për sa i përket çështjes së transfuzionit të gjakut, gjykata tha: «Nuk mund t’i vendosim çështjet [e kujdestarisë] duke u bazuar në ndonjë aksident ose sëmundje të mundshme në të ardhmen që mund të kërkojë [një transfuzion gjaku].»

Francë: Data 30 qershor 2011 ishte një ditë gëzimi shumë të madh kur GJEDNJ-ja mori një vendim në favor të Shoqatës së Dëshmitarëve të Jehovait në Francë. Ky ishte kulmi i një beteje ligjore 16-vjeçare që lindi nga një taksë stratosferike dhe e diskutueshme, e cila kërkonte 60 për qind të kontributeve të degës. Dëshmitarët janë e vetmja organizatë fetare e madhe që janë taksuar në këtë mënyrë. Në total, qeveria e Francës u orvat t’i detyronte Dëshmitarët e Jehovait të paguanin 58 milionë euro, një shumë që e tejkalon jashtë mase pasurinë e Shoqatës. Gjykata të çdo instance në Francë e lanë në fuqi taksën, por më pas, në shkurt të 2005-s, çështja iu apelua GJEDNJ-së.

Më 30 qershor 2011, të shtatë gjyqtarët e GJEDNJ-së deklaruan unanimisht se, po t’i mbështetnin veprimet e Francës, ato do t’i pengonin drejtpërdrejt Dëshmitarët e Jehovait të praktikonin lirisht fenë e tyre. Gjykata konfirmoi se mbrojtja që ofron Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut zbatohet edhe për Dëshmitarët e Jehovait. Ky vendim do të shërbejë si precedent për të ndihmuar mjaft raste të ardhshme që t’u sjellë lirinë në adhurim vendeve të tjera nën juridiksionin e GJEDNJ-së, të tilla, si: Armenia, Bullgaria, Gjeorgjia dhe Rusia. Diçka tjetër domethënëse është se, për herë të parë, qeveria e Francës është gjetur fajtore se ka dhunuar klauzolën e Konventës Evropiane për lirinë e fesë. Qeveria e Francës nuk e apeloi vendimin.

Rusi: Më 10 qershor 2010, GJEDNJ-ja u dha Dëshmitarëve të Jehovait një fitore ligjore historike kundër qeverisë ruse, për çështjen Dëshmitarët e Jehovait në Moskë kundër Rusisë. Megjithëse qeveria ruse kërkoi t’ia çonte çështjen Dhomës së Madhe me 17 gjykatës, juria e Dhomës së Madhe e hodhi poshtë kërkesën e qeverisë më 13 dhjetor 2010, dhe kështu vendimi i 10 qershorit u bë përfundimtar. Ky vendim thoshte se qeveria ruse «ka detyrim ligjor . . . t’i japë fund dhunimit të vërtetuar nga Gjykata dhe t’i ndreqë pasojat sa më shumë të jetë e mundur». Gjithsesi, deri më sot qeveria nuk e ka vënë në zbatim këtë vendim. Përkundrazi ka gjetur mënyra të reja për t’i ngacmuar dhe për të mos i lejuar Dëshmitarët ta ushtrojnë lirisht fenë e tyre.

Për shembull, më 25 gusht 2011, policia bastisi herët në mëngjes 19 shtëpi të vëllezërve në qytetin e Taganrogut dhe konfiskoi literaturë fetare, kompjuterë dhe regjistrime të kongregacionit. Këto bastisje duket se kanë lidhje me një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Lartë të Federatës Ruse, i cili thoshte se organizata fetare në Taganrog të mbyllej dhe 34 nga botimet tona të shpalleshin ekstremiste. Duke u bazuar në vendimet e gjykatave ruse, qeveria ka futur 63 nga botimet tona në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste.

Përveç kësaj, vëllezërit dhe motrat tona kanë rënë pre e të paktën 950 bastisjeve, sulmeve, arrestimeve dhe ndalimeve nga policia. Autoritetet ruse kanë hapur 11 çështje kriminale kundër vëllezërve tanë dhe ndaj shumë Sallave të Mbretërisë kanë kryer akte vandalizmi. Madje autoritetet kanë instaluar kamera vëzhgimi në shtëpinë e të paktën një familjeje, kanë përgjuar linjat telefonike dhe kanë monitoruar email-et e shumë të tjerëve, që të sajonin akuza kriminale nën ligjin kundër ekstremizmit.

Një rast i akuzave të sajuara përfshin 35-vjeçarin Aleksandër Kalistratovin në qytetin e Gorni-Altaiskit. Ai u akuzua se «nxiste urrejtje ose armiqësi fetare». Kjo akuzë u bë në bazë të një ligji kundër ekstremizmit që u kritikua gjerësisht nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Gjatë seancave gjyqësore, që zgjatën nga 7 tetori i 2010-s deri më 18 mars 2011, asnjë nga 71 dëshmitarët e akuzës që u morën në pyetje, nuk arriti të provonte që Aleksandri të ketë kryer ndonjë akt kriminal​—madje as ta ketë pasur në mendje diçka të tillë. Gjykata e studioi gjerë e gjatë literaturën dhe mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe, më 14 prill 2011, gjykatësja e shpalli të pafajshëm. Megjithatë, prokurori e apeloi vendimin dhe, më 26 maj 2011, Gjykata e Lartë e Republikës së Altait vendosi t’ia rikthente çështjen një gjykate më të ulët që ta shqyrtonte një gjykatës tjetër. Kështu, edhe pse u shfajësua plotësisht nga akuzat, vëlla Kalastratovit i duhet të përballojë një raund krejtësisht të ri gjyqesh dhe rrezikon ende të shpallet padrejtësisht si ekstremist.

Normalisht, një çështje e tillë që supozohet të përfshijë veprimtari të rrezikshme, ia ka tërhequr goxha vëmendjen publikut për veprën tonë në qytetin e vogël të Gorni-Altaiskit. Si i kanë përballuar këto rrethana Dëshmitarët vendës, që gjithashtu rrezikojnë të hidhen në gjyq?

Një motër me emrin Ina, thotë: «Gjatë kësaj kohe të vështirë, Bibla është bërë më e çmuar. Vëllezërit dhe motrat më janë bërë si familje dhe ndihem afër Jehovait më tepër se kurrë më parë!» Ndonëse disa nga botimet tona i kanë ndaluar, janë filluar shumë studime duke përdorur vetëm Biblën. Numri i lajmëtarëve në Republikën e Altait është rritur 24 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe Dëshmitarët kanë kaluar 33 për qind orë më tepër në shërbimin në fushë. Pjesëmarrja në Përkujtim ishte 16 për qind më e lartë se vitin e kaluar dhe arriti dyfishin e lajmëtarëve në gjithë republikën.

Ndërkohë, Dëshmitarët e Jehovait në Rusi i kanë bërë GJEDNJ-së 13 kërkesa të reja kundër qeverisë ruse. Një kërkesë kundërshton vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 8 dhjetor 2009 dhe një tjetër kundërshton vendimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Altait që i shpalli ekstremiste 18 nga botimet tona.

[Shënimi]

^ par. 67 Që nga viti 1965 GJEDNJ-ja ka shqyrtuar 49 çështje ku përfshiheshin Dëshmitarët e Jehovait. Gjykata ka vendosur në favor të tyre për të gjitha çështjet, me përjashtim të 2 rasteve. Kjo fitore e fundit ku përfshihej vëlla Bajatjani i redukton në një këto humbje.

[Diçitura në faqen 14]

«Te Profetët është shkruar: ‘Të gjithë do të mësohen nga Jehovai’»

[Diçitura në faqen 25]

«Një faleminderit nuk e shpreh tamam atë që kam në zemër»

[Kutia në faqen 12]

Ja çfarë thanë ata për shërbimin si pionier ndihmës:

• «Për herë të parë në jetën time arrita të shërbeja si pioniere ndihmëse. S’gjej fjalë të them sa mirënjohëse jam për këtë mundësi.»

• «Ju falënderojmë shumë për këtë masë të re. Na ka mbushur me gëzim.»

• «Kjo ishte ngjarje historike në kongregacionin tonë.»

• «Pionierët e shumtë ndihmës i kanë kontribuar paqes dhe unitetit në kongregacion.»

• «S’do mend që Harmagedoni duhet të jetë afër!»—tha një jo Dëshmitar që vërejti rritjen e pjesëmarrjes në predikim gjatë prillit.

[Kutia në faqen 43]

‘LËSHONI BRITMA GËZIMI’

KJO botë që sundohet tërë zemërim nga Satanai, po përjeton gjithnjë e më tepër mjerime. (Zbul. 12:12) Krejt ndryshe, shërbëtorët e Jehovait «lëshojnë britma gëzimi për gjendjen e mirë të zemrës». (Isa. 65:13, 14) Pa e ndalur hapin, ata vazhdojnë të ftojnë sa më shumë veta drejt adhurimit të Perëndisë së vërtetë, duke e ditur se «ata që gjejnë strehë te [Jehovai], do të gëzojnë, britma të gëzuara do të lëshojnë gjithmonë».​—Psal. 5:11.

[Tabela dhe grafikët në faqen 26]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

ËSHTË SHTYPUR NË 106 GJUHË

Botimi i plotë i Shkrimet e

Përkthimit Bota e Re: Krishtere Greke:

62 gjuhë 44 gjuhë

Afrikanse Amerikane e shenjave

Angleze Amharike

Arabike Azerbajxhane

Armene Azerbajxhane (alfabet cirilik)

Bullgare Braziliane e shenjave

Cebuane Çitonge

Cibembe Estone

Çeke Eve

Çikeve Fixhiane

Daneze Gune

Efike Hiligainone

Finlandeze Hindi

Franceze Hiri-motu

Greke Italiane e shenjave

Gjeorgjiane Kamboxhiane

Gjermane Kanade

Holandeze Kazake

Hungareze Kikaonde

Igbo Kiribate

Iloke Kolumbiane e shenjave

Indoneziane Kreole e Haitit

Italiane Letone

Japoneze Lituane

Jorube Lugande

Kineze (e thjeshtuar) Luvale

Kineze (tradicionale) Malajalame

Kiniaruande Meksikane e shenjave

Kirgize Mjanmare

Kirundi Nepaleze

Koreane Pangasinane

Kroate Papiamento (e Kurasaos)

Lingale Punjabe

Malagase Ruse e shenjave

Malteze Sango

Maqedonase Siloze

Norvegjeze Sranantonge

Osetiane Tajlandeze

Polake Tamile

Portugeze Tok-pisine

Rumune Tongane

Ruse Tumbuke

Samoane Ukrainase

Sepede Uzbeke

Serbe Vietnameze

Serbe (alfabet romak)

Sesote

Sinhaleze

Sllovake

Sllovene

Spanjolle

Suahili

Suedeze

Shone

Shqipe

Tagaloge

Tsonge

Tsvane

Tui (akuapem)

Tui (asante)

Turke

Xhose

Zulu

[Grafikët]

◀ 76% ◁ 24%

Në vitin 2011, të paktën 76 për qind e popullsisë së botës e kishte në gjuhën e nënës «Përkthimin Bota e Re» (të plotë ose pjesërisht)

110

100

90

80

70

60

50

40

30

20

10

0

1950 1955 1960 1965 1970 1975 1980 1985 1990 1995 2000 2005 2010

[Grafiku në faqen 8]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Në mbarë botën, 2.657.377 lajmëtarë shërbyen si pionierë ndihmës

2,5 (MILIONË)

2

1,5

1

0,5

0

2008 2009 2010 2011

[Harta në faqen 35]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

SHTETET E BASHKUARA

FRANCË

BULLGARI

TURQI

ARMENI

AZERBAJXHAN

RUSI

KOREJA E JUGUT

[Figura në faqen 6]

Sipër: pionierë e lajmëtarë i drejtonin studimet në shtëpinë e Zhanetës. (Shih  faqet 8, 9)

[Figura në faqen 7]

Grup pionierësh të rregullt e ndihmës duke shkuar në shërbim në Madrid, Spanjë

[Figura në faqen 10]

Toshi duke i predikuar dikujt që e ndihmon në azil

[Figura në faqen 11]

Aleandroja me të atin ditën e fundit të muajit në San-Theloni të Barcelonës, Spanjë

[Figura në faqen 13]

Qendra e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, SHBA

[Figura në faqen 18]

Sallë Mbretërie në Rikuzentakatë, Japoni

[Figura në faqen 22]

Sipër: vullnetarë që po nxjerrin rrënoja nga shtëpia e një vëllai në Shibatë, Mijagi

[Figura në faqen 22]

Majtas: pjesëtar i Komitetit të Degës duke mbajtur fjalim në shtëpinë e një vëllai në Rikuzentakatë

[Figura në faqen 22]

Poshtë: vullnetarë që përgatitin drekën për të pranishmit e një asambleje speciale njëditore në zonën e katastrofës

[Figura në faqen 24]

Përkthimet në lituanisht dhe letonisht

[Figurat në faqen 31]

Pllakë përkujtimore nga stadiumi «Jenki», Nju-Jork, SHBA

[Figura në faqen 33]

Punëtorë ndërtimi në zyrën e Burkina-Fasos

[Figura në faqen 32]

Zyra e Burkina-Fasos

[Figura në faqen 32]

Dega e Kilit

[Figurat në faqen 33]

Zyrat e reja të degës në Hong-Kong

[Figura në faqen 34]

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Francë

[Figurat në faqen 38]

Nxënës me dëftesat e shkollës në duar. Ndiejnë lumturi sepse janë të lirë të mos i ndjekin orët fetare

[Figura në faqen 41]

Dëshmitarë duke predikuar në Gorni-Altaiski, Republika e Altait