Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën

Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën

Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën

SHUMË kohë më parë, në një vegim profetik, apostulli Gjon pa një shumicë të madhe dhe të panumërt «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». Këta do të ishin të mbijetuarit e ‘shtrëngimit të madh’ që do të hynin në botën e re të Perëndisë. (Zbul. 7:​9, 14) Shifrat dhe përvojat në faqet vijuese, tregojnë jo vetëm se shumica e madhe po mblidhet, por edhe se po rritet gjithnjë e më tepër. A nuk të forcohet besimi se premtimet e Jehovait janë të sigurta?

AFRIKA

VENDE: 57

POPULLSIA: 949.533.064

LAJMËTARË: 1.267.314

STUDIME BIBLIKE: 2.819.310

LETRA E SAJ E NGUSHËLLOI. Irisi, që banon në Afrikën e Jugut, u shkruan letra ngushëllimi atyre që u kanë vdekur të afërm të dashur. Te letrat fut fletushkat Së shpejti, të gjitha vuajtjet do të marrin fund! dhe Çfarë shprese ka për të vdekurit? Kohët e fundit mori përgjigje nga një burrë me emrin Sidnei, të cilit i kishte vdekur gruaja pas një martese të lumtur 38-vjeçare. Ai shkroi: «Edhe pse mjekët më përgatitën për humbjen e gruas së dashur, vdekja e saj më ka lënë deri diku të hidhëruar, të pështjelluar, të pasigurt dhe me zemrën copë. Duhet të falënderoj Zotin që ka njerëz si ju. Koha që harxhoni dhe përpjekjet që bëni për t’u treguar premtimet e Perëndisë atyre që s’e kanë haberin për to, pa dyshim që është diçka shumë fisnike. Shprehjet tuaja të besimit do të jenë si thesar në zemrën time gjatë vështirësive që kam përpara. Kur lexova letrën dhe fletushkat e tua, fillova të qetësohesha dhe t’i kuptoja më mirë gjërat.»

SHMANGET NJË ABORT. Gloria, një motër e re në moshë nga Benini, po i dëshmonte Arnoit, një studenti në universitet, kur këtij i ra zilja e telefonit. Arnoi i kërkoi ndjesë duke i thënë se një shok kishte nevojë për ndihmën e tij. Gloria shpejt futi dorën në çantë dhe i dha revistën e parë që gjeti. Arnoi e mori revistën pa e parë fare dhe iku.

Shoku e kishte marrë në telefon Arnoin që t’i thoshte se e dashura e vet ishte shtatzënë dhe se mendonte ta detyronte për abort. Rrugës për ta takuar, Arnoi i hodhi një vështrim të shpejtë revistës. «Kur pashë fjalën abort në kopertinë, s’u besoja syve»,—tha ai më vonë. Gloria i kishte dhënë revistën Zgjohuni! të qershorit 2009 me titull «Aborti: Pse duhet të shqetësohemi?» Pasi e lexoi, shoku i Arnoit arriti në përfundimin se aborti nuk ishte çështje zgjedhjeje. E dashura e tij më vonë lindi një vajzë të bukur.

S’NA FRIKËSOI MJEKJA MAGJISTARE. Kingu, një pionier i rregullt, shkoi te një zonë në Zimbabve ku nevoja është më e madhe. Teksa po predikonte me disa motra në shërbim, iu afrua shtëpisë së një mjekeje të njohur magjistare. Ndonëse motrat ngurronin të flitnin me gruan, Kingu vendosi t’i ofronte një studim biblik në shtëpi. Kur mjekja magjistare pa lajmëtarët tek afroheshin, i mori për klientë dhe i pyeti çfarë dëshironin. Kingu i tregoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe e ftoi të studionte Biblën. Ajo pranoi. Kingu tha: «U habitëm kur pamë sa pyetje kishte. Kështu lamë takim që të ktheheshim për të bërë studimin.» Tri javë më vonë e ftuan në një mbledhje kongregacioni dhe ajo shkoi. Shkatërroi të gjitha gjërat që kishin lidhje me spiritizmin dhe përparoi shpejt. U pagëzua pak muaj më vonë.

«TË LUTEM, LUTU QË TË MË BËJNË NJË VIZITË!» Dhjetë vjet më parë, Patriku vendosi të ikte nga Angola në Shtetet e Bashkuara. Por me nënën, Felisidadën, mbante lidhje me anë të telefonit. Megjithatë, kohët e fundit arritën të shihnin njëri-tjetrin nga një telefonatë me video në Internet. Ndërsa fliste me mamanë, vuri re se në dhomë ndodhej dikush dhe e pyeti kush ishte. Felisidada, që është Dëshmitare e Jehovait, i tha: «Është një motër nga kongregacioni im që ka ardhur të më takojë.»

Patriku iu përgjigj: «Pse Dëshmitarët nuk vijnë edhe tek unë?» Kam dhjetë vjet këtu dhe s’kanë ardhur një herë të më takojnë. Të lutem, lutu që të më bëjnë një vizitë!»

Pak të habitura, Felisidada dhe motra me të u përgjigjën: «Mirë, do të lutemi për ty.»

Vetëm tri ditë më vonë, një Dëshmitar i Jehovait i trokiti në derë Patrikut. Ai u çudit kaq shumë sa e pyeti mamanë mos kishte gisht ajo që dikush nga Shtetet e Bashkuara i erdhi në shtëpi. Ajo s’kishte bërë gjë. Patriku arriti në përfundimin se vizita ishte përgjigje nga Perëndia dhe pranoi të studionte Biblën. Menjëherë filloi të ndiqte të gjitha mbledhjet. Herën tjetër që foli me mamanë në një videotelefonatë, gjithë qejf i tregoi kapitullin që po studionte nga libri Çfarë mëson vërtet Bibla? Gjithashtu i tha se kishte blerë një kostum që ta vishte në mbledhje.

 KËRKESË PËR NJË PAGËZIM TË ÇUDITSHËM. Ditën e parë të kongresit krahinor 2010 në Brazavil, Republika e Kongos, një djalë me emrin Edvar kërkoi të pagëzohej. Kur e pyetën nga cili kongregacion ishte, u përgjigj: «Nga Mosaka.» Meqë në atë fshat të largët nuk kishte Dëshmitarë, vëllezërit pyetnin veten si i lindi dëshira për t’u pagëzuar.

Edvari u shpjegoi pleqve se në vitin 2007, në Brazavil, bashkë me gjyshin kishte studiuar broshurën Çfarë kërkon?, si dhe 14 kapituj të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Më pas, Edvari shkoi në Mosakë që të jetonte me prindërit. Ngaqë atje nuk kishte asnjë Dëshmitar aktiv, Edvari i kërkoi të atit ta ndihmonte të studionte pjesën tjetër të librit. I ati i bënte pyetjet dhe ai përgjigjej. Me këtë metodë Edvari e përfundoi librin. Pastaj e ndjeu të nevojshme t’u mësonte të tjerëve të vërtetat që dinte. Prandaj, në tetor të 2009-s, filloi të predikonte i vetëm në zonën e Mosakës duke përdorur broshurën Çfarë kërkon? Ai e mbante shënim kohën që kalonte në shërbim dhe raportet ia dërgonte rregullisht gjyshit në Brazavil. Por gjyshi kurrë nuk ia dha ato kongregacionit.

Më vonë, pa ditur asgjë për Edvarin, dega dërgoi dy pionierë specialë të përkohshëm në Mosakë që të shërbenin për tre muaj. Dy ditë para se të largoheshin, një nga pionierët specialë të përkohshëm, Danieli, pa Edvarin tek drejtonte një studim biblik me broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Prandaj Danieli shkoi te Edvari që të fliste me të. Edvari iu përgjigj: «Po predikoj. Jam lajmëtar. Pyete babanë tim po deshe.» Danieli takoi babanë e Edvarit, i cili vërtetoi gjithçka. Pionierët specialë të përkohshëm i kaluan dy ditët që u kishin mbetur me Edvarin, që ta stërvitnin në shërbim. Pasi u larguan, Edvari vazhdoi të predikonte me zell të përtërirë, duke drejtuar më shumë se dhjetë studime biblike. Gjithashtu ia kushtoi jetën Jehovait.

Me këtë informacion, të premten e kongresit të përmendur në fillim, dy pleq takuan Edvarin dhe shqyrtuan pyetjet për ata që dëshirojnë të bëhen lajmëtarë të papagëzuar. Përgjigjet e tij të shkëlqyera i habitën pleqtë. Ata mësuan nga pionierët specialë se sjellja e Edvarit ishte shembullore dhe se tashmë kishte nëntë muaj që predikonte në mënyrë jozyrtare. Si rezultat, u miratua si lajmëtar i papagëzuar. Meqë fundjavën tjetër atje do të mbahej një kongres krahinor në gjuhën lingale, pleqtë morën masa që Edvari të bënte pyetjet për pagëzim gjatë javës. Ai tregoi se kishte kuptueshmëri të mirë për të vërtetën dhe u pagëzua në kongresin e gjuhës lingale, në korrik të vitit 2010. Fiks një javë pasi Edvari u miratua si lajmëtar i papagëzuar, pleqtë bënë njoftimin se ai ishte një vëlla i pagëzuar.

Pas pagëzimit, shërbeu si pionier ndihmës për dy muaj në Brazavil. Pleqtë organizuan gjërat që Edvari të studionte librin ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’, dhe pastaj u kthye në Mosakë. Kohët e fundit në atë territor është caktuar një pionier special. Në prill Edvari shërbeu si pionier ndihmës. Bashkë me pionierin special mirëpritën në Përkujtim 182 të interesuar. Ka 16 studime që i drejton me pionierin special, 7 prej të cilave i vijnë në mbledhje. Në vitin 2011 Edvari ishte 15 vjeç.

KONTINENTET AMERIKANE

VENDE: 55

POPULLSIA: 941.265.091

LAJMËTARË: 3.780.288

STUDIME BIBLIKE: 4.139.793

‘S’ISHTE RASTËSI QË I RASHË NUMRIT TUAJ.’ Sendi, një motër nga Shtetet e Bashkuara, ishte në shtëpi dhe i ra telefoni. Një grua kërkonte dikë që Sendi s’e njihte. Motra i tha telefonueses se duhej t’i kishte rënë gabim. Telefonuesja i tha se ishte thuajse e verbër dhe ndonjëherë bën gabime. Gjatë bisedës, gruaja i shpjegoi se po përpiqej të kontaktonte të birin e t’i jepte një lajm të keq. Mjekët e kishin diagnostikuar me kancer. Gruaja ndihej e rrënuar fare dhe u shpreh se ishte e zhgënjyer nga Perëndia që lejonte këtë gjë. Sendi e kuptoi se duhej t’ia jepte mesazhin biblik kësaj gruaje. Pasi bëri një lutje të shkurtër për guxim, Sendi i tha ca shkrime inkurajuese që do t’i jepnin ngushëllim e shpresë. I shpjegoi se Perëndia ka emër dhe e nxiti ta përdorte këtë emër kur lutej, si dhe të ishte specifike në lutjet që i bënte. Gruaja e falënderoi Sendin që e dëgjoi dhe që e inkurajoi. «S’ma merr mendja të ishte rastësi që i rashë numrit tuaj»,—tha ajo.

Pasi shkëmbyen adresat, Sendi i dërgoi me postë incizimin e librit Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe i rregulloi punët që gruan të shkonte ta takonte një pioniere e asaj zone. Sendi u shpreh: «Jam mirënjohëse që Jehovai me dashuri na ka stërvitur kaq mirë si t’i ngushëllojmë individët në çdo rrethanë.»

FLETUSHKA IU PËRGJIGJ PYETJES SË TYRE. Disa motra bëjnë rregullisht predikim rrugor në një qendër spitalore të madhe, në Porto-Riko. Një motër iu afrua dy burrave që po ecnin me të shpejtë drejt njërit prej spitaleve. Kur pa se po nxitonin, u ofroi fletushkën A ke një frymë të pavdekshme? Zakonisht ajo nuk e jep këtë fletushkë në dëshminë rrugore, por vetëm atë kishte me vete. Më vonë, dy burrat iu afruan një motre tjetër dhe i shpjeguan se atë fletushkë e kishin marrë rrugës për te një familjar që ishte sëmurë rëndë. Ata kishin diskutuar nëse shpirti jeton pas vdekjes, dhe fletushka u dha përgjigjet. Thanë se i kishte ndihmuar tej mase.

LETËR DREJTUAR JEHOVAIT. Xhoshua shtatëvjeçar shkon në shkollë në Shtetet e Bashkuara. Gjatë dhjetorit, mësuesja i caktoi klasës së tij t’i shkruanin një letër plakut të vitit të ri. Kur Xhoshua refuzoi me edukatë ta bënte këtë, mësuesja i tha: «Shkruaji kujt të duash.» Ai vendosi t’i shkruante Jehovait. Xhoshua shkroi: «Faleminderit që ke premtuar një parajsë. Faleminderit që ke një Bir, i cili quhet Jezu dhe ishte i gatshëm të vdiste. Faleminderit që ke krijuar gjëra që na gëzojnë. Të dua shumë Perëndia Jehova.» Kjo letër, si edhe ato të nxënësve të tjerë, u botua në një gazetë vendëse.

FAMILJA REAGOI MIRË. Alehandroja, një vëlla nga Kolumbia, donte t’u predikonte pjesëtarëve të familjes. Ngaqë jetonin larg, u shkroi dhe u dërgoi disa revista Kulla e Rojës e Zgjohuni! Kur i afërmi i tij, Pabloja, lexoi revistat dhe pa shkrimet biblike, e kuptoi se mësimet e Kishës Katolike ishin të rreme. I emocionuar, foli për atë që lexoi me familjarët e tjerë, që po ashtu e dalluan tingullin e së vërtetës dhe e lanë fenë katolike.

S’kaloi shumë dhe 15 pjesëtarë të familjes nisën të mblidheshin çdo natë që të studionin Biblën me ndihmën e revistave. Donin të dinin më tepër dhe kërkuan Dëshmitarët në qytetet atje afër, por pa sukses. Ndërkohë, filluan t’u flitnin fqinjëve për gjërat që kishin mësuar. Me kalimin e kohës, mësuan se në një qytet afro një orë larg me makinë, ndodhej një sallë mbretërie. Menjëherë udhëtuan për atje dhe kërkuan ndihmë.

Tani atje shkon një pionier i rregullt një herë në javë dhe drejton një studim biblik me 26 veta, pra, me familjen e Alehandros dhe me 11 të interesuar të tjerë. Ata marrin me qira një automjet që shumica të ndjekë fjalimin publik dhe studimin e Kullës së Rojës.

A ISHTE VËRTET SHTËPIA E GABUAR? Një ditë, një motër ishte sëmurë dhe kërkoi që Dëshmitarë të tjerë të drejtonin për të një studim biblik në një zonë rurale të Ekuadorit, ku flitet kiçua. Vëllezërit nuk ishin të sigurt ku jetonte ajo familje, por pyetën në një shtëpi nëse ata po studionin Biblën. Familja u dha vëllezërve një mirëseardhje të ngrohtë, sikur të ishin duke i pritur. Vetëm pas studimit, vëllezërit e kuptuan se kjo familje nuk kishte studiuar kurrë më parë. Me sa duket pjesëtarët e kësaj familjeje i tërhoqi ideja e një studimi biblik së bashku dhe u sollën sikur tashmë studionin. Kështu që tani drejtohet një studim i ri biblik. Edhe studentët e motrës që nuk i gjetën atë ditë vazhdojnë studimin.

NJË ËMBËLSIRË ÇON NË DËSHMI. Kalebi është gjashtë vjeç. Ditën e parë të shkollës në Kanada, një nga shokët e klasës kishte ditëlindjen, prandaj mamaja e tij, Natalia, i solli klasës ëmbëlsira. Me mirësjellje, Kalebi nuk e pranoi. Natalia iu afrua dhe e pyeti nëse i bënte alergji ndonjë ushqim. Kalebi iu përgjigj: «Jo. Unë i shërbej Jehovait.»

Pas mësimit, Natalia iu afrua nënës së Kalebit dhe e pyeti: «Mos je Dëshmitare e Jehovait?» Kur ajo tha po, Natalia u entuziazmua. Kishte studiuar me Dëshmitarët gjatë adoleshencës, por, për shkak të kundërshtimit të fortë nga familja, e kishte ndërprerë studimin. Kur e pyeti nëse donte ta rifillonte studimin e Biblës, Natalia pranoi.

S’ISHTE VULLNETI I PERËNDISË. Lala, e cila jeton në Peru, nuk dëgjon që nga lindja. Kur e pyeti nënën pse kishte lindur e tillë, iu përgjigj se ishte vullneti i Perëndisë. Kjo e trishtoi Lalën dhe i ngjalli ndjenja zemërimi për Perëndinë. «Pse duhej të ishte i keq me mua?»—mendonte me vete.

Me kalimin e viteve, Lala u martua me një të ri të shurdhër. Fëmija i parë u lindi me sindromin Daun. E merakosur dhe e mërzitur, sërish iu afrua nënës për ndihmë dhe e pyeti: «Pse lindi kështu djali im?» Ajo e dërgoi te një prift që i tha të njëjtën gjë që i kishte thënë nëna më parë: «Është vullneti i Perëndisë.»

E dëshpëruar Lala i tha: «Pse është kaq mizor Perëndia? E pranoj se jam e shurdhër dhe se ky është ndëshkim nga Perëndia, po im bir pse të ndëshkohet? Sapo ka lindur, ç’mëkat ka bërë?» Që nga ai moment, ajo s’donte të dëgjonte më për Perëndinë dhe e la kishën.

Pas disa vjetësh, një Dëshmitare e Jehovait që e di gjuhën e shenjave, trokiti në derën e Lalës dhe ishte e gatshme t’i mësonte Biblën. Ajo s’pranoi dhe i tha se nuk besonte te Perëndia. Me durim, motra i shpjegoi se Perëndia që ajo s’donte të njihte, quhej Jehova dhe dëshironte t’i jepte sërish aftësinë për të dëgjuar e për të folur. Lala dyshonte, prandaj e pyeti Dëshmitaren ku e bazonte këtë. Motra e hapi Biblën tek Isaia 35:5, ku thuhet: «Do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve.» Kjo e habiti Lalën, e cila pranoi një studim biblik dhe përparoi deri në pagëzim. I biri e shoqëron në të gjitha mbledhjet dhe ka mësuar gjuhën e shenjave. Vlerësimi që ka për premtimet biblike vazhdon të rritet dhe tani shërben si pioniere e rregullt.

AZIA DHE LINDJA E MESME

VENDE: 47

POPULLSIA: 4.194.127.075

LAJMËTARË: 664.650

STUDIME BIBLIKE: 629.729

S’IU PËRGJIGJËN DOT DY PYETJEVE. një vend të Azisë, ku vepra jonë është e ndaluar, një i ri 24-vjeçar pranoi të studionte Biblën që të provonte se mësimet e Dëshmitarëve ishin të gabuara dhe se bindjet e tij katolike ishin të drejta. Por shpejt kuptoi se Dëshmitarët e Jehovait mësonin të vërtetën.

Kur familja e tij zbuloi se po studionte Biblën, e thirrën në një mbledhje familjare dhe i bënë presion të kthehej sërish në Kishën Katolike. Ngaqë i riu nuk pranoi, familja mblodhi gjithë të afërmit në fshat që ta detyronin të hiqte dorë nga bindjet e reja. Edhe pse e rrahën, ai nuk bëri kompromis. Atëherë familja foli me priftin, i cili e nxori para këshillit të famullisë. I riu i tha këshillit se do të kthehej në kishë nëse prifti u përgjigjej dy pyetjeve: cili është emri i Perëndisë? Pse kisha i lejon besimtarët e vet të hanë gjak kur Bibla e ndalon? Pasi nuk qe në gjendje t’u përgjigjej pyetjeve, prifti i gjuajti të riut me shuplakë në fytyrë që «të dëbonte demonin brenda djalit», siç tha ai. Pastaj mbledhja mbaroi.

Më pas, familja e të riut mblodhi gjithë miqtë që ta detyronin të gjunjëzohej para një shëmbëlltyre të Marisë. Ndonëse e rrahën prapë, nuk bëri kompromis. Atëherë familja i rregulloi punët që një vajzë tërheqëse t’i thoshte se do të martohej me të nëse kthehej në kishë. I riu ra dakord të kthehej në qoftë se ajo do t’u përgjigjej dy pyetjeve që ia kishte bërë edhe priftit. Vajza iku e s’u duk më. Në fund, pasi e kishin mbajtur në fshat kundër dëshirës për shtatë muaj, ai u arratis dhe u kthye në qytet, ku u takua me vëllezërit. Një muaj më vonë u bë lajmëtar i papagëzuar. Në mars të vitit 2011, u pagëzua në një asamble qarkore.

ZYRTARI I BURGUT MBRON MOTRËN. Një motër pioniere e rregullt kishte shkuar të takonte të birin e burgosur për asnjanësinë e krishterë në Korenë e Jugut. Ndërsa ishte në dhomën e pritjes, i dha një fletushkë një burri të ulur afër saj. Ai i bërtiti: «Edhe këtu predikoni ju që ndiqni një fe të rreme?!» E bërtitura e burrit tërhoqi vëmendjen e 30 a 40 vizitorëve në dhomë. Atëherë një zyrtar i burgut doli në mbrojtje dhe e qortoi burrin me fjalët: «Këta njerëz kanë fenë e vërtetë. Gjithë fetë e tjera janë të rreme. I kam parë për shumë vjet teksa punoj në këtë burg dhe kam kuptuar se janë të vetmit që zbatojnë vërtet atë që mësojnë.» Burri që ngriti zërin, heshti.

SHKRIME NË MUR. Kur Harindri nisi të studionte Biblën, jetonte i vetëm prej dhjetë vjetësh, pasi kishte ikur për punë në një qytet të madh në Nepal, që të mbante familjen në fshat. Ai ishte analfabet, prandaj një Dëshmitar studioi me të broshurën Gëzo jetën në tokë përgjithmonë! Meqë në atë kohë broshura nuk gjendej në gjuhën nepaleze, përdorën një në anglisht. Një ditë i erdhi bashkëshortja nga fshati që ta takonte. Ajo u habit kur pa se burri po studionte një broshurë në anglisht. Përveç kësaj, kishte lënë pijen dhe nuk e rrihte më. Kur mori vesh se gjithë këto ndryshime ishin pasojë e studimit biblik, edhe ajo filloi të studionte Biblën e të ndiqte mbledhjet në fshat. Harindri donte të dinte më tepër për Jehovain, prandaj vendosi të mësonte lexim e shkrim. I kërkoi Dëshmitarit që i mësonte Biblën t’i shkruante shkronja të gjuhës nepaleze në copa letre, që i ngjiti në muret e dhomës, derisa s’la asnjë hapësirë bosh. Pastaj praktikonte leximin e të gjitha fjalëve dhe shkronjave të reja, gjersa dalëngadalë mësoi të lexonte. Me kohë mori masa që familja të vinte e të jetonte me të në qytet, që të adhuronin Jehovain së bashku. Brenda dy vjetësh, Harindri u pagëzua. Tani me familjen ndjek mbledhjet dhe mban pjesë ku lexon Biblën në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Ai thotë: «Jeta jonë është përmirësuar rrënjësisht falë arsimimit të Jehovait.»

AS PËR 200.000 DOLLARË. Zarhanuma, e cila jeton në Azerbajxhan, ishte e përfshirë kokë e këmbë në spiritizëm. Për 15 vjet mendonin se kishte aftësi të mbinatyrshme për të ditur gjërat dhe se ishte në gjendje të parashikonte të ardhmen. Gjithashtu besohej se kishte aftësi të hiqte magjitë e të shëronte. Zarhanuma ishte e famshme dhe mjaft nga klientët e saj, duke qenë zyrtarë të lartë me gratë e tyre, i jepnin 2.000 deri 4.000 dollarë amerikanë për seancë. Prandaj u bë e pasur. Edhe pse kishte fuqi spiritiste, brenda vetes ndihej bosh frymësisht dhe e shqetësonin shumë pyetje. Në martesë nuk pati sukses dhe nuk kishte qëllim në jetë. Një ditë, ndërsa e dëshpëruar ia zbrazte shqetësimet Perëndisë, dëgjoi të trokitura në derë. Kur e hapi, pa dy motra që nisën t’i dëshmonin. Zarhanuma u prek kur i thanë se Perëndia nuk kënaqet vetëm me fjalët që themi, por edhe me veprat që bëjmë. Njihte mjaft njerëz fetarë, veprat e të cilëve s’ishin aspak të perëndishme. Po ashtu e dinte se spiritizmi që praktikonte ishte mëkat. Pranoi një studim biblik. Me kalimin e kohës nisi të lutej duke përdorur emrin Jehova dhe pa si i përgjigjej. Por ishte e vështirë të linte praktikat e saj, pasi demonët e shqetësonin vazhdimisht e madje e rrihnin. Në fund, me ndihmën e Jehovait, u çlirua nga ndikimi demonik dhe i shkatërroi sendet e shumta që e lidhnin me spiritizmin dhe me fenë e rreme.

Shpejt Zarhanuma u bë lajmëtare e zellshme e lajmit të mirë dhe u pagëzua në maj të vitit 2011. Menjëherë pas pagëzimit, plotësoi kërkesën për pioniere ndihmëse. Nuk e kishte problem të plotësonte kuotën e orëve, sepse, edhe para pagëzimit predikonte më tepër se 70 orë në muaj, me gjithë shëndetin e dobët. Dy muaj para pagëzimit, gruaja e një zyrtari qeveritar i ofroi 200.000 dollarë amerikanë që t’i hiqte një magji. Gruaja kishte prerë njërën këmbë nga një sëmundje që besonte se e kishte nga magjia. Zarhanuma nuk pranoi dhe, në vend të kësaj, i dërgoi dy Dëshmitare në spital që t’i predikonin lajmin e mirë. Motra jonë e zellshme u predikon rregullisht klientëve të mëparshëm dhe u thotë se ajo që bënte, ishte e gabuar në sytë e Perëndisë. Si rrjedhojë, një kliente, pikërisht ajo që e kishte prezantuar me gruan e zyrtarit qeveritar, pranoi të studionte Biblën dhe nisi të ndiqte mbledhjet.

DËSHMI NË BURG. Indi, dy nga motrat tona i arrestuan se predikonin dhe i dënuan me pesë ditë burg. Njëra prej tyre tregon: «Sa na futën në burg, policët na pyetën pse ishim dënuar, e kjo ishte një mundësi e mirë për t’u dëshmuar. Ngaqë na kishin sjellë në rajonin e policisë drejt e nga shërbimi, kishim me vete shumë revista e fletushka. U dëshmuam të gjithëve dhe lamë mjaft literaturë. I dhamë zemër njëra-tjetrës, u lutëm dhe lexuam botimet që kishim me vete.

Më vonë, na çuan në një burg tjetër të qytetit. Menjëherë shoqet e qelisë na pyetën pse ishim aty. Kjo na dha mundësi t’u thoshim çfarë predikonim dhe të identifikoheshim si Dëshmitare të Jehovait. Një gardiane na dëgjoi shkarazi dhe na tha: ‘Ju burgosën sepse predikonit jashtë, kurse tani predikoni edhe brenda në burg!’» Tani motrat tona po planifikojnë të ndjekin interesin e të vizitojnë të burgosurat që treguan interes për të vërtetën.

POLICI E DALLOI DASHURINË. Në Betlehem, dy motra po përgatiteshin të dëshmonin në disa dyqane të vogla. Papritur, dy gra nxituan drejt tyre dhe i pyetën tërë entuziazëm në spanjisht, nëse ishin Dëshmitare të Jehovait. Gratë ishin Dëshmitare nga Meksika që po vizitonin Izraelin me një grup turistësh dhe kishin njohur literaturën që mbanin në duar motrat. Të katra u përqafuan, u puthën, bënë fotografi dhe shkëmbyen adresat. Pastaj motrat meksikane u bashkuan me grupin e tyre, ndërsa dy motrat vendëse vazhduan të predikonin nëpër dyqane.

Pak orë më vonë, një polic iu afrua motrave vendëse dhe i pyeti nëse ishin spanjolle. Motrat i thanë jo. Polici tha se po i vëzhgonte kur ishin takuar të katra dhe kishte menduar se ishin mike të vjetra ose kishin lidhje gjaku. Motrat i shpjeguan se të gjitha ishin Dëshmitare të Jehovait dhe se, edhe kur Dëshmitarët e Jehovait janë nga vende të ndryshme ose s’janë takuar kurrë më parë, ndihen si familje sepse kanë dashuri mes tyre. Policit i bëri kaq shumë përshtypje, saqë mori literaturë dhe pyeti ku të mësonte më tepër për këtë fe. U morën masa për një rivizitë.

«MBASE GJEJ NDONJË.» Jusuku, një pionier në moshë të re, shërben në një grup anglishtfolës në Japoni. Një ditë mori vesh se mëngjesin vijues do të vinte një anije turistike me pasagjerë nga shumë vende. Kështu që u zgjua herët. Edhe pse binte shi me gjyma, udhëtoi dy orë me makinë për në portin e Nagasakit. Teksa lagej në skelë, shumë nga pasagjerët që zbarkonin e merrnin për ciceron dhe i afroheshin. Nga ky keqkuptim, Jusuku arriti të shpërndante 70 revista dhe 50 broshura në disa gjuhë, brenda gjysmë ore.

Ai u kthye në makinë që të merrte më shumë literaturë dhe, kur u kthye, pa një pasagjer që po rrinte vetëm. Kur Jusuku iu afrua, djali i ri e pyeti në anglisht: «Mos je Dëshmitar i Jehovait?» Kur Jusuku tha po, ai filloi të qante me dënesë. Jusuku e çoi në kafene që të bisedonin.

Ky i ri 21-vjeçar quhej Xhejson dhe vinte nga Shtetet e Bashkuara. Ai shpjegoi se prindërit ishin aktivë në të vërtetën dhe se, deri në adoleshencën e vonë, kishte qenë lajmëtar i papagëzuar. Rreth gjashtë muaj më parë, e kishte ndërprerë shoqërimin me Dëshmitarët e Jehovait dhe kishte nisur një udhëtim me anije për në disa vende aziatike, me mendimin se në Azi nuk do t’i takonte. Por, ngaqë kishte pasur probleme me stomakun, nuk kishte zbritur në Tajlandë, në Vietnam dhe në Tajvan. Vendi i parë ku kishte zbritur ishte Japonia dhe i pari që i kishte folur ishte një Dëshmitar i Jehovait. Xhejsoni menjëherë kishte menduar: «Kurrë s’mund t’ia mbath nga Jehovai.» Ja pse kishte filluar të qante.

Në kafene, Jusuku trajtoi me Xhejsonin ca paragrafë nga libri ‘Dashuria e Perëndisë’ që ta siguronte se Jehovai e donte ende. Jusuku iu përgjërua Xhejsonit të mos largohej nga organizata. Mjerisht kaluan fare pak kohë bashkë. Anija e Xhejsonit u nis po atë mbrëmje për në Inkon, Koreja e Jugut, ku Xhejsoni kishte planifikuar disa ditë vizita turistike.

Jusuku pyeste veten ç’mund të bënte për ta ndihmuar Xhejsonin dhe u kujtua se kishte takuar një vëlla në një kongres ndërkombëtar në Korenë e Jugut. Vëllai fliste anglisht dhe jetonte në Inkon. Jusuku i telefonoi atë mbrëmje. Patjetër që Xhejsoni s’dinte gjë për këtë. Ndërsa Xhejsoni zbriste nga anija mëngjesin pasues, pa një tabelë të madhe me fjalët «Mirë se erdhe në Kore, Xhejson!», të cilën e mbanin lart pesë Dëshmitarë të qeshur. Xhejsoni i anuloi të gjitha planet për vizitat turistike dhe ndenji me vëllezërit. U prek shumë kur dëgjonte vëllezërit e moshës së tij të tregonin si i kishin burgosur për besimin. Atje ndoqi edhe Përkujtimin.

Xhejsoni u kthye në Shtetet e Bashkuara, u bë sërish lajmëtar aktiv dhe u kërkoi pleqve të studionin me të katër herë në javë. Ai përfundoi librat Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe ‘Dashuria e Perëndisë’ e u kualifikua për pagëzim. 107 ditë pasi Jusuku i kishte folur për herë të parë, u pagëzua. Muajin pasues shërbeu si pionier ndihmës.

Jusuku sjell ndër mend se, atë mëngjes të ftohtë e të lagësht, kishte një dëshirë të fortë të shkonte deri në Nagasaki, ndonëse ishte vetëm. Kishte menduar: «Mbase gjej ndonjë që do të dëgjojë.»

EVROPA

VENDE: 47

POPULLSIA: 736.505.919

LAJMËTARË: 1.589.052

STUDIME BIBLIKE: 843.405

GJETËN DIÇKA TEPËR TË VEÇANTË. Ana shkoi nga Bullgaria në Holandë që të punonte për disa muaj. Një ditë, ngaqë ndihej e shkurajuar, u ul në trotuar dhe iu lut Perëndisë që t’i dërgonte dikë nga kisha e saj. Tek lutej, dy nga motrat tona kaluan aty pranë dhe ndaluan që t’i dëshmonin. Ana e mori si përgjigje të lutjes, prandaj i dëgjoi dhe nisi të shkonte në mbledhje. Edhe pse nuk i kuptonte mbledhjet, e shihte qartë dashurinë e Dëshmitarëve. Kjo ishte ndryshe nga përçarja në kishën e saj në Bullgari dhe ishte e bindur se kishte gjetur diçka tepër të veçantë. Kur u kthye në Bullgari, motra që studioi me të në Holandë vendosi ta shoqëronte, që ta ndihmonte të takonte Dëshmitarët në Sofje. Kjo i bëri edhe më tepër përshtypje Anës, dhe arriti në përfundimin se kishte gjetur fenë e vërtetë.

Brenda pak kohe Ana me burrin, Ajvon, filloi të studionte e të ndiqte mbledhjet. Ndërsa ecte përpara me studimin, vinin edhe njerëz të tjerë të dëgjonin. Njëri prej tyre, Aseni, ishte pastori i një grupi fetar. Kishte ardhur tek Ana dhe Ajvoja që të provonte se Dëshmitarët e Jehovait e kishin gabim, por shpejt zbuloi se nuk ishte ashtu. Ai bëri pyetje të thella për Biblën. Si rrjedhojë i ofruan një studim biblik që e pranoi bashkë me familjen. Për njëfarë kohe, Aseni vazhdoi të drejtonte mbledhjet fetare me grupin e tij, ndonëse tani u predikonte të vërtetat që po mësonte nga libri Çfarë mëson vërtet Bibla? Shpejt edhe Denkoja, dhjaku i grupit, donte të studionte Biblën. S’kaloi shumë e tri familje nga grupi po studionin Biblën. Meqë tani shumë veta nga grupi i kishës po studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, vendosën të mos i mbanin më mbledhjet e tyre e të ndiqnin mbledhjet e kongregacionit. Denkoja u bë lajmëtar dhe drejtonte studime biblike me disa miq. Deri tani, rreth 30 veta kanë filluar studim biblik dhe ndjekin mbledhjet, vetëm ngaqë Anën e takuan Dëshmitarët në Holandë.

THJESHT LEXOI SHKRIME PËR MARTESËN. Një vëlla me gruan në Republikën Çeke drejtonte një studim biblik në Sallën e Mbretërisë me një çift të ri nga Mongolia. Edhe pse çifti i Dëshmitarëve u përpoq fort të mësonte mongolisht, gjuha ishte goxha pengesë. Megjithatë, çifti i ri mongol dukej se e pranonte të vërtetën biblike me përulësi e durim. Një mbrëmje, gruaja erdhi në mbledhje pa të shoqin. Ajo tha se kishte ndër mend të ndahej, sepse nuk merreshin vesh me njëri-tjetrin. Pak minuta më vonë erdhi bashkëshorti, i cili nuk ia hidhte sytë gruas. Dukej sheshit se situata ishte e rëndë. Vëllai e mori burrin te biblioteka e Sallës së Mbretërisë që të flitnin për këtë. Por ai mezi fliste mongolisht dhe nuk arrinte të kuptonte ç’kishte ndodhur mes çiftit, prandaj nuk jepte dot ndonjë këshillë specifike. Në vend të kësaj vendosi që thjesht t’i lexonte shkrime nga Bibla. Kështu i lexoi të gjitha shkrimet që kujtonte për martesën dhe komunikimin. Dukej se burri prekej nga çdo shkrim. Papritur doli vrik nga biblioteka, vrapoi për te gruaja dhe e puthi. Kur po dilnin nga salla, i shoqi këmbënguli t’ia mbante çantën gruas, pasi mësoi se duhej ta ndihmonte.

Të nesërmen dukeshin si të sapomartuar, dhe tërë lumturi shprehnin çmueshmërinë e thellë për Jehovain e për këshillat e mençura biblike rreth martesës. Më vonë, u kthyen në Mongoli që të kujdeseshin për dy fëmijët. Familja jeton në një qytet ku s’ka kongregacion. Ndërkohë gruaja është pagëzuar dhe i shoqi vazhdon të përparojë drejt pagëzimit.

«PSE U SOLL ASHTU?» Një pioniere nga Ukraina, Olha, i dëshmoi një kamionisti që shpërndante produkte ushqimore. Ajo e pyeti: «A mund t’i besojmë ndokujt sot?»

«Jo»,—iu përgjigj shoferi. Pastaj shtoi: «Gruaja më la dhe mori me vete djalin tonë dyvjeçar. E ç’mund të donte më tepër? Punoja fort çdo ditë dhe çdo gjë e bëja për të. Donte unazë, urdhëro! Donte çizme, ja ku i ke! Varëse, ia blija! Gjithçka ishte për të, atëherë pse u soll ashtu?»

Me mirësjellje motra e pyeti sa kohë kalonte me gruan dhe djalin. Ai tha: «Po si të rrija me ta kur më duhet të punoj deri në mesnatë? Shkoj në punë në katër të mëngjesit. Madje punoj edhe në fundjavë.»

Olha i tregoi numrin special të revistës Zgjohuni! të tetorit 2009, me serinë «Sekrete për një familje të suksesshme». Ajo ia drejtoi vëmendjen te sekreti i parë, «Më të rëndësishmet në fillim». Pasi panë materialin e kësaj teme, me sa duket burri u prek dhe tha: «Mendoja se paraja ishte kryesore për lumturinë e familjes dhe se s’kishte asgjë më të rëndësishme. Tani e kuptoj që nuk është kështu. Kuptoj çfarë nuk shkon në këtë mes dhe për çfarë ka nevojë gruaja.»

Një javë më vonë, Olha takoi të njëjtin shofer që i tha se e kishte lexuar revistën, ishte menduar gjatë dhe kishte rishqyrtuar shumë gjëra. I kishte telefonuar së shoqes dhe ishin pajtuar. Atëherë Olha i dha librin Familja. Javën pasuese, kur Olha pa sërish kamionin e shpërndarjes, vuri re një shofer tjetër. Ai i shpjegoi se shoferi i mëparshëm e kishte lënë punën dhe kishte shkuar të jetonte në një zonë tjetër me familjen. Por kishte lënë këtë mesazh për motrën: «Olha, të falënderoj ty dhe Perëndinë tënd, Jehovain, që më ndihmuat të shpëtoj familjen. Po t’i takoj prapë Dëshmitarët e Jehovait, pa dyshim që do t’i ruaj lidhjet me ta.»

DONTE NJË SHENJË NGA PERËNDIA. Një të ri në Letoni e tërhoqi mesazhi i Biblës rreth 15 vjet më parë kur i predikuan Dëshmitarët. Ai e studionte Biblën me hope, por s’e besonte dot që Bibla, një libër «i thjeshtë», mund ta ndihmonte të gjente Perëndinë. Ai priste që Perëndia t’i bëhej i njohur vetë, ndoshta në ndonjë mënyrë të mbinatyrshme ose mistike. Kështu që e ndërpreu studimin e Biblës dhe më vonë humbi çdo lidhje me Dëshmitarët. Pas disa vjetësh po haste gjithnjë e më shumë probleme, prandaj iu lut Perëndisë për ndihmë. Ende nuk ndodhi ndonjë mrekulli, por, kur pa nga dritarja, vuri re dy motra në shërbim. Pasi u lut sërish disa javë më vonë, pa nga dritarja që po kalonin të njëjtat motra. Kur u lut një javë më vonë, për të tretën herë vërejti po ato motra në shërbim. Arriti në përfundimin se kjo ishte shenjë nga Perëndia. Vrapoi jashtë dhe u tha motrave të habitura se donte të rifillonte studimin e Biblës që e kishte ndërprerë vite më parë. Me kohë, gjeti forcën t’i kapërcente problemet e t’i afrohej Perëndisë. Si? Me ndihmën e Biblës. Ai u pagëzua në një kongres krahinor në vitin 2010.

EDHE POÇET E VOGLA KANË VESHË. Danimarkë kjo shprehje do të thotë se fëmijët kuptojnë më tepër se ç’mendohet nga bisedat e të rriturve. Rreth 16 vjet më parë, një motër daneze studionte Biblën me një grua që kishte tre djem. Që të tre vinin shpesh në studimin që mbahej në shtëpinë e motrës e të burrit të saj. Gruaja e ndërpreu studimin kur më i vogli, Roni, ishte tetë vjeç. Teksa rritej, Ronit s’i ndaheshin problemet. Megjithatë, një ditë në vitin 2008, kur ishte 22 vjeç, ai pa revistat tona në shtëpinë e nënës dhe i shkrepi në mendje të shkonte e të takonte Dëshmitarët që kishin studiuar me të kur ishte fëmijë. Çerek ore më vonë, i ra ziles së shtëpisë së çiftit Dëshmitar dhe, kur vëllai hapi derën, Roni hyri menjëherë brenda. U desh ca kohë derisa vëllai ta njihte, por ishte një ribashkim i lumtur. Roni pranoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe një studim biblik. Gjërat shkuan mirë. Ngaqë Roni kishte qenë tejet i përfshirë në botën joreale të lojërave kompjuterike, disa prej të cilave ishin spiritiste dhe të dhunshme, shpesh bisedat i vërtiste rreth tyre. Por Dëshmitarët i mësuan se kuptueshmëria jonë për gjërat frymore nuk duhet modeluar sipas lojërave. Roni e kuptoi këtë dhe tha: «Të lutem, më ndalo kur të flas për ato gjepura.» Që nga ajo kohë, ka përparuar shkëlqyeshëm. Ky i ri, i cili në fillim e kishte dëgjuar të vërtetën gjatë studimit biblik të nënës, kur ishte ‘një poçe e vogël me veshë’, tani është lajmëtar i papagëzuar.

NGUSHËLLIM NGA SHKRIMET. Në një varrezë në Britani, një vëlla vuri re një burrë të gjunjëzuar që qante pranë një varri. Vëllai e pyeti nëse mund t’i ulej pranë. Burri, i cili quhej Alf, pranoi. Ai shpjegoi: «Sapo më vdiq vajza. Ishte vetëm 42 vjeçe. Tani si gruan, edhe vajzën i kanë varrosur këtu.» Alfi kishte kërkuar konsulta psikologjike nga shteti, por i kishin thënë se duhej të priste tre muaj. Ai tha: «Jam biznesmen i pasur dhe kam shumë biznese, por e gjithë kjo s’ka vlerë pa familjen time. Do të jepja gjithçka që t’i kisha sërish.» Alfi tha se besonte te Perëndia, e respektonte Biblën dhe shkonte në kishë, por s’kishte marrë përgjigje të kënaqshme. Kur kërkoi njëfarë ngushëllimi në kishë, i thanë të ndizte një qiri ose të shkruante një shënim e ta varte në një pemë. Ai u shpreh i indinjuar: «Një shënim s’i nxë gjërat që dua të them.» Vëllai e ngushëlloi Alfin me anë të Shkrimeve. Tani ai studion Biblën.

OQEANIA

VENDE: 29

POPULLSIA: 38.162.658

LAJMËTARË: 94.309

STUDIME BIBLIKE: 58.465

FTUAN EDHE BASHKËSHORTIN. Një vëlla në Zelandën e Re tregon se, kur po shoqëronte gruan te një studim me një nënë të re, vërejtën se i shoqi ishte në shtëpi, prandaj e ftuan edhe atë në studim. Ai pranoi dhe planifikuan që të studionin sërish kur të ndodhej në shtëpi. Burri dhe gruaja që studionte ranë dakord të shkonin në mbledhje të dielën, ku i mirëpritën ngrohtësisht dhe u pëlqeu programi. Mbledhjen tjetër, burri komentoi në Studimin e Kullës së Rojës. Artikulli i studimit nxiste adhurimin familjar dhe ai pyeti si të drejtonte studimin me gruan dhe djalin katërvjeçar. Gjithashtu shprehu dëshirën që të zbatonte edhe gjëra të tjera që kishte mësuar në mbledhje. Çifti i interesuar vazhdon studimin, ndjek mbledhjet dhe po përparon frymësisht. Vëllai thotë: «Sa të kënaqur jemi që e ftuam atë burrë në studim!»

PËRKUJTIMI NË NJË ISHULL TË LARGËT. Ishulli i Reaut, me vetëm 362 banorë, i është caktuar si territor kongregacionit Vaiete, një prej 18 kongregacioneve të Tahitit, në Polinezinë Franceze. Ishulli ndodhet rreth 1.350 kilometra në lindje të Tahitit. Përkujtimi s’ishte mbajtur kurrë në këtë ishull të largët dhe Dëshmitarët kishin 30 vjet pa vajtur atje. Manoahu, mbikëqyrësi i shërbimit të kongregacionit Vaiete, donte të organizonte një grup të vogël që të predikonin në këtë ishull gjatë javës së Përkujtimit. Më pas do të mbanin edhe Përkujtimin. Por biletat e fluturimit për të dhe gruan kushtonin rreth 65.000 franga (510 euro), shumë më tepër nga sa ua mbante xhepi. Më vonë ai mori një shpërblim në punë: 65.000 franga! Menjëherë nxorën përfundimin se Jehovai po ua bekonte planin. Në fund, në Reau shkuan shtatë lajmëtarë dhe Përkujtimin e ndoqën 47 veta. Tani lajmëtarët në Tahiti drejtojnë studime biblike me të interesuarit në Reau me anë të telefonit.

S’KA KOHË TË HAJË MËNGJES. Një përvojë e ngjashme vjen nga Vanuatu, ku një kongregacion mbështet një grup me 11 lajmëtarë në një ishull të largët që quhet Ambrim. Pleqtë e kongregacionit ftuan lajmëtarë me përvojë të mendonin nëse mund të shkonin ca ditë atje, që të predikonin me grupin para Përkujtimit. Marineta, një pioniere e rregullt me përvojë dhe mësuese në pension, nuk e humbi rastin. Ajo dhe disa të tjerë vendosën të shkonin me synimin që të fillonin studime të reja biblike. Pasi kaloi vetëm pak ditë në shërbimin në fushë, ajo u mrekullua kur zbuloi se ishte thuajse e pamundur të dilte nga shtëpia ku rrinte. Marineta kujton: «Zor se gjeja kohë të lahesha ose të haja mëngjes, sepse njerëzit tashmë ishin jashtë në radhë për studime biblike. Predikoja gjithë ditën pa shkuar gjëkundi. Arrita të drejtoja 31 studime biblike gjatë javës.» Grupi qëndroi në Ambrim për një javë, duke u mësuar të tjerëve gjithë kohën të vërtetat e lajmit të mirë. Përkujtimin e ndoqën 158 veta. Grupi u trishtua kur iu desh të largohej. Marineta tha: «E si të ikësh nga një vend i tillë me kaq shumë njerëz të etur për të vërtetën biblike?» Zyra e degës ka marrë masa që të dërgojë pionierë specialë të përkohshëm që të kujdesen për të interesuarit në atë zonë.

NJË DREJTORESHË REAGON MIRË. Në një shkollë të mesme, në një komunitet të Ishujve Solomon, nxënësit duhet të ngrihen e të këndojnë këngë fetare të Kishës Evangjeliste të Deteve Jugore. Dy motra të reja i kërkuan me mirësjellje drejtoreshës të mos këndonin, meqë kjo do t’ua vriste ndërgjegjen. Drejtoresha i falënderoi që shkuan tek ajo me respekt dhe u tha se s’kishin pse të këndonin, por mund të rrinin ulur me nxënës të tjerë Dëshmitarë.

Më pas ajo pyeti nëse vajzat mund të ftonin dikë nga kongregacioni që t’i fliste asaj për Dëshmitarët e Jehovait dhe arsimin. Shkoi një misionare dhe, për afro një orë e gjysmë, folën për bindjet tona, si dhe për problemet që hasin të rinjtë. Drejtoresha tha se i kishte pëlqyer revista Zgjohuni! dhe se linte kopje të saj në sallën e mësuesve. Kur misionarja i ofroi librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, ajo pyeti nëse mund të merrte 16 kopje për mësuesit dhe 367 për nxënësit. U shpërndanë katërqind libra.

Si rrjedhojë e guximit të këtyre dy motrave të reja që folën me drejtoreshën, u dha dëshmi e shkëlqyer. Përveç kësaj, motrave u kanë thënë shumë komente vlerësimi për librin. Një e re, prindërit e së cilës ishin ndarë kohët e fundit, tha se libri ishte pikërisht ai që i duhej për problemet. Dy motrat janë pioniere ndihmëse në vazhdimësi dhe i çojnë rregullisht revistat drejtoreshës.

BESNIKE, ME GJITHË KUNDËRSHTIMIN. Diku tjetër në Ishujt Solomon, një misionare studioi Biblën me një grua që do ta quajmë Liza. Ajo bëri përparim të shkëlqyer edhe pse i duhej të ecte më se dy orë për në Sallën e Mbretërisë, me dy binjakët dhe me dy vajzat e vogla. Gjithashtu iu desh të duronte kundërshtimin e egër të të shoqit. Ai abuzonte me të fizikisht dhe ia digjte rrobat e mbledhjes, Biblën e librat teokratikë. Kishte edhe lidhje jashtëmartesore me një grua tjetër. Por, përballë gjithë kësaj, Liza u pagëzua dhe i shërben Jehovait pa u lëkundur.

Vitin e kaluar, burri i Lizës u prek nga mënyra si e trajtonte gruaja pavarësisht nga ç’i kishte bërë, prandaj e la të dashurën dhe kërkoi një studim biblik. Siç mund ta merrni me mend, motra jonë, Liza, është tejet e gëzuar për këtë ndryshim. Jeta e saj u lehtësua më tej kur afër shtëpisë u formua një grup në atë zonë të thellë, dhe tani i duhet më pak se një orë për të shkuar në sallë. Me përkrahjen e të shoqit ka arritur të shërbejë edhe si pioniere ndihmëse.

[Diçitura në faqen 66]

«Pse është kaq mizor Perëndia? . . . Po im bir pse të ndëshkohet? Sapo ka lindur, ç’mëkat ka bërë?»

[Diçitura në faqen 68]

I riu i tha këshillit se do të kthehej në kishë nëse prifti u përgjigjej dy pyetjeve

[Diçitura në faqen 72]

«Ju burgosën sepse predikonit jashtë, kurse tani predikoni edhe brenda në burg!»

[Diagrami dhe harta në faqen 84]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Tahiti → → → 1.350 kilometra → → → Reau

[Figura në faqen 56]

Sipër: duke drejtuar një studim biblik në Republikën e Kongos (shih  faqen 59)

[Figura në faqen 61]

Edvari (djathtas) me Danielin në pazar

[Figura në faqen 64]

Samaniego, Narinjo, Kolumbi

[Figura në faqen 67]

Tani botimet në gjuhën e shenjave gjenden në 59 gjuhë

San-Paolo, BRAZIL