Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ruanda

Ruanda

Ruanda

RUANDA është një nga shtetet më të vogla e më të bukura të Afrikës. E njohur si «Vendi i Një Mijë Kodrave», ka male, pyje, liqene, ujëvara, si dhe një larmi të pafund bimësh e kafshësh. Në rajonin malor që e ndan atë në perëndim me Republikën Demokratike të Kongos * dhe në veri me Ugandën, ngrihen madhështore malet Virunga. Karisimbi, mali më i lartë i këtij vargmali, rreth 4.480 m, është një vullkan i fjetur që shpesh e ka kreshtën të zbardhur nga bora e lagësht dhe breshri. Duke zbritur, shpatet e këtyre maleve janë të veshura me pyje bambuje e pyje shiu, ku majmunët e artë, një lloj në zhdukje, kërcejnë lehtë-lehtë nëpër degë e bimë kacavjerrëse. Gjithashtu, ky mjedis i harlisur mban në gjirin e vet një nga thesaret më të vyera të Ruandës​—gorillën e malit.

Bimë ekzotike dhe një bimësi e dendur shtrihen deri poshtë në brigjet e liqenit Kivu dhe në pyllin Njungue. Në këtë pyll jetojnë shimpanze, majmunë bardhë e zi dhe mbi 70 lloje gjitarësh. Gjenden rreth 270 lloje pemësh dhe gati 300 lloje zogjsh. Ka flutura e orkide me bollëk që ia shtojnë edhe më shumë bukurinë kësaj zone të mbrojtur.

Nga zemra e pyllit Njungue një përrua nis të rrjedhë drejt lindjes. Më tutje, me të bashkohen gradualisht edhe përrenj e lumenj të tjerë që pastaj derdhen në liqenin Viktoria. Nga aty, ujërat zbresin vrullshëm dhe vazhdojnë udhën e gjatë drejt veriut përbri Etiopisë, përmes Sudanit, e përfundojnë në Egjipt ku derdhen në detin Mesdhe. Nga një përrua që nis në kodrat e pyllëzuara të Afrikës Qendrore, bëhet një nga lumenjtë më të gjatë në tokë, Nili, që përshkon një largësi prej 6.825 km.

KOHË TË VËSHTIRA

Edhe pse një vend i vogël, mjerisht, Ruanda ka përjetuar një dhunë të llahtarshme. Qindra mijë burra, gra dhe fëmijë janë vrarë mizorisht në një nga gjenocidet më të tmerrshme të kohëve tona. Nga skenat tronditëse të një dhune të papërmbajtshme që u transmetuan në mbarë botën, shumë u lemeritën nga sjellja çnjerëzore e njeriut ndaj njeriut.​—Ekl. 8:9.

Si ia dolën shërbëtorët besnikë të Jehovait gjatë këtyre kohëve të tmerrshme dhe në vitet që pasuan? Tamam si ai përrua, në dukje i papërfillshëm, që buron nga pylli Njungue dhe i kalon të gjitha pengesat, i mbijeton diellit të zjarrtë afrikan dhe bëhet një lumë i fuqishëm, po ashtu edhe populli i Jehovait në Ruandë i mbijetoi shtypjes dhe vazhdon të qëndrojë i fortë në shërbim të tij. Ata kanë përballuar përndjekje të ashpra e vështirësi të mëdha dhe janë bërë burim inkurajimi e force për vëllezërit e motrat anembanë botës. Historia e Ruandës do t’ju prekë ndërsa lexoni tregimet mbresëlënëse për dashurinë, besimin dhe besnikërinë. Shpresojmë që ky tregim t’ju inkurajojë ta çmoni edhe më tepër marrëdhënien me Jehovain dhe ta doni më fort vëllazërinë e krishterë.

SHKËNDIJAT E PARA TË PREDIKIMIT

Raporti i parë për predikimin e lajmit të mirë në Ruandë doli në Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1971. Aty thuhej: «Në mars të këtij viti [1970] dy pionierë specialë mundën të hynin në Ruandë dhe të fillonin veprën e predikimit në kryeqytet, në Kigali. Ata vunë re se njerëzit ishin të ngrohtë e reagonin mirë ndaj mesazhit të Mbretërisë, dhe një i interesuar ka dalë tashmë në shërbim. Pionierët kanë filluar dhjetë studime mes atyre pak njerëzve që flasin suahili. Tani ata po bëjnë mjaft përpjekje për të mësuar gjuhën kiniaruande që të dëshmojnë edhe më shumë.»

Dy pionierët specialë të përmendur në raport ishin Oden Muaisoba dhe e shoqja, Enea, nga Tanzania. Ngaqë nuk dinin ende gjuhën vendëse, kiniaruanden, filluan të vizitonin ata që flitnin suahili, shumë nga të cilët kishin ardhur nga Kongoja ose Tanzania. Në shkurt të vitit 1971, raportuan katër lajmëtarë, por nuk kishte asnjë botim tonin në gjuhën kiniaruande dhe, për shkak të vështirësive me gjuhën, rritja ishte e ngadaltë.

Stenli Makumba, një mbikëqyrës i guximshëm që kishte shërbyer në Kenia, vizitoi Ruandën për herë të parë më 1974. Ai kujton: «Në pikën kufitare mes Ugandës e Ruandës kishte pak autobusë që shkonin në Ruhenger të Ruandës. M’u desh të udhëtoja me një kamion të stërmbushur sa nuk arrija të lëvizja dot as këmbët. Gruaja ime u ul përpara me shoferin. Kur më në fund mbërritëm, ajo mezi më njohu sepse flokët e fytyrën m’i kishte mbuluar pluhuri. Kurrizin e kisha të dërrmuar nga udhëtimi, saqë m’u desh t’i bëja fjalimet ulur tërë javën para asamblesë së vogël qarkore dhe gjatë asamblesë. Kur vizitoja vëllezërit, nuk mund t’u thosha kur do të mbërrinim, sepse as e kishim idenë ç’do të gjenim për të udhëtuar.»

KTHIMI I NJË VENDËSI

Ndërkohë, Gaspar Ruakabubu, një ruandez, punonte si mekanik në minierat e bakrit në Kongo. Ai tregon: «Më 1974, ndoqa Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë në Koluezi. Një nga instruktorët, Majkëll Potixhi, tha se zyra e degës në Kinshasë po kërkonte një plak ruandez të gatshëm që të kthehej në Ruandë për të ndihmuar në predikim. Do të isha i gatshëm të shkoja? I thashë se do ta bisedoja me gruan, Melaninë.

Në atë kohë shefi im sapo më kishte ftuar të shkoja në Gjermani për specializim. Isha goxha i mirë në punë dhe vazhdonin të më rritnin rrogën. Megjithatë, na u desh vetëm pak ditë për të vendosur. I thashë vëllait Potixh se pranonim të ktheheshim në Ruandë. Shefi nuk mund ta kuptonte këtë vendim. Ai më pyeti: ‘Nuk mund të jesh Dëshmitar i Jehovait këtu? Pse duhet të kthehesh në Ruandë?’ Madje edhe disa vëllezër qëllimmirë u përpoqën të na ndryshonin mendjen. Na thanë: ‘Keni katër fëmijë. Lexoni Lukën 14:28-30, uluni dhe peshojini mirë gjërat.’ Por ne nuk u lëkundëm.

Shefi na hoqi gjithë shpenzimet e kthimit me avion për në Ruandë. Kur mbërritëm në Kigali, në maj të 1975-s, morëm një shtëpi me qira. Kishte mure qerpiçi dhe dysheme balte, shumë ndryshe nga shtëpia e mobiluar mirë që kishim kur punoja në minierë. Pavarësisht nga kjo, ishim parapërgatitur dhe ishim të vendosur të vazhdonim.»

Meqë pionierët specialë nga vende të tjera kishin përdorur gjuhën suahili për të komunikuar, shumë njerëz mendonin se pionierët kishin ardhur për t’u mësuar këtë gjuhë. Por, kur mbërriti Gaspari dhe familja e tij, ndryshuan mendim, sepse ata ua mësonin të vërtetën për Mbretërinë duke përdorur Biblën kiniaruande.

Për më tepër, vëlla Ruakabubu përktheu në gjuhën kiniaruande broshurën 32-faqëshe «Ky lajm i mirë për Mbretërinë». Ajo u botua në vitin 1976 dhe bëri shumë përshtypje. Njerëzit e lexonin në autobusë dhe rrugë. Përdorimi i emrit Jehova ngjalli shumë interes.

RUANDEZËT PËRQAFOJNË TË VËRTETËN

Në atë kohë, në vend kishte vetëm 11 lajmëtarë, shumica e të cilëve nuk ishin nënshtetas ruandezë. Një nga ruandezët e parë që mësuan të vërtetën ishte Zhystin Ruagatore. Ai filloi studimin me pionierët specialë që kishin ardhur nga Tanzania. Meqë këta nuk mund të flitnin as frëngjisht, as kiniaruande, ai studioi në suahili. Zhystini zemërmirë dhe miqësor u pagëzua më 1976 dhe banoi në Save, ku mbreti i Ruandës kishte lejuar për herë të parë misionarët katolikë të nisnin misionin e tyre në vitin 1900. Zhystini kujton se njerëzit ishin kureshtarë të dinin se ç’mësonte vërtet Bibla. Megjithatë, kleri u tregua armiqësor me Dëshmitarët e Jehovait dhe i ndaloi besimtarët e vet që t’i dëgjonin e të merrnin literaturën.

Ferdinand Mugarura, një vëlla i patundur, ishte një tjetër ruandez nga të parët që përqafuan të vërtetën. Më 1969, ndërsa jetonte në lindje të Kongos, mori një kopje të librit E vërteta që të çon në jetën e përjetshme në gjuhën suahili. Më vonë, mori vesh zonën më të afërt ku kishte Dëshmitarë. Bashkë me dy shokë, çdo të premte bënin 80 km më këmbë për të marrë pjesë në mbledhje dhe për të bërë studimin, e pastaj të hënën ktheheshin në shtëpi. Ferdinandi u pagëzua në vitin 1975, po atë ditë kur u pagëzua dhe një nga studentët e tij të Biblës. U dërgua të shërbente si pionier special në Ruandë më 1977. Ai kujton të ketë dëgjuar se një vit më parë, në dhomën e ndenjjes së shtëpisë së vëllait Ruakabubu, ishte mbajtur një asamble qarkore me 34 të pranishëm. U pagëzuan tre veta.

NUK LEJOHEN MISIONARËT

Trupi Udhëheqës, gjithnjë syçelë ndaj nevojave të predikimit në mbarë botën, kishte caktuar më parë misionarë në Ruandë. Më 1969, nga klasa e 47-të e Shkollës Biblike Watchtower e Galaadit, u ftuan të shërbenin atje katër të diplomuar.

Nikolas Foneja kujton: «Nga fundi i janarit, vëlla Nori i dorëzoi klasës caktimet. Dëgjuam që i tha Pol dhe Merilin Evansit se ishin caktuar në Ruandë. Pastaj më tha mua dhe gruas: ‘Me ta do të shkoni edhe ju!’ Ishim shumë të emocionuar, prandaj pas mbledhjes shkuam me vrap në bibliotekën e Galaadit dhe nxorëm një atlas të madh për të parë ku ishte Ruanda. Por më vonë, morëm një letër ku na thuhej se vëllezërit nuk kishin mundur të merrnin leje që të hynim në vend. U zhgënjyem, megjithatë pranuam një ndryshim caktimi dhe shkuam bashkë me Polin e Merilinin në Kongo.»

Në vitin 1976, pas diplomimit të klasës së 60-të të Galaadit, në Ruandë u caktuan edhe dy çifte të tjera. Pasi i lejuan të hynin në vend, katër misionarët morën një shtëpi me qira, predikuan me guxim dhe nisën të mësonin gjuhën kiniaruande. Kur tre muaj më vonë u skaduan vizat, Departamenti i Imigracionit nuk pranoi t’ua rinovonte, kështu misionarët u ricaktuan në Bukavu, në lindje të Kongos.

«ISHIN TË PAPËRTUAR»

Në mes të viteve 70, për arsye të ndryshme, pionierët specialë nga Tanzania dhe Kongoja filluan të largoheshin nga Ruanda. Ndërkohë, vëllezërit ruandezë nisën të bëheshin pionierë e të predikonin në mbarë vendin. Atëherë, më 1978, u përkthye në kiniaruande libri E vërteta dhe dy fletushka. Përveç kësaj, doli edhe botimi mujor i Kullës së Rojës. Këto botime ndihmuan edhe më shumë veprën e predikimit të Mbretërisë. Për ato ditë, misionari Manfred Tonaku tha për pionierët ruandezë: «Ishin të papërtuar dhe i kushtonin shumë kohë shërbimit. Lajmëtarët e rinj ndoqën shembullin e tyre.»

Gaspar Nijongira tregon si u përhap lajmi i mirë në atë kohë. «Në kohën kur u pagëzova unë, në vitin 1978, kleri u frikësua se pa që shumë po përqafonin të vërtetën. Në asambletë tona kishte qindra të pranishëm. Kur dilnim në predikim ishim si një mori karkalecash! Shpesh, rreth 20 lajmëtarë niseshin më këmbë nga qendra e Kigalit dhe predikonin deri në Kanombe, gati 9 km larg. Ndalonin për të ngrënë drekën e më pas vazhdonin edhe 7 km të tjerë deri në Masakë, pastaj në mbrëmje ktheheshin në Kigali me autobus. Të njëjtën gjë bënin edhe grupe të tjera pionierësh në pjesë të tjera të vendit. Nuk ishte e çuditshme që nga ky predikim intensiv njerëzit patën përshtypjen se kishte me mijëra Dëshmitarë të Jehovait. Si pasojë, kundër nesh filluan të ngriheshin akuza që ndikuan tek autoritetet, të cilat na mohuan njohjen ligjore.»

Plot entuziazëm për të vërtetën, vëllezërit në Ruandë donin të shijonin gëzimin në një kongres me vëllezër nga vende të tjera. Kështu, në dhjetor të 1978-s, 37 veta nga Ruanda, përfshirë edhe fëmijë, udhëtuan përmes Ugandës për në Najrobi të Kenias​—një largësi prej 1.200 km—​që të merrnin pjesë në Kongresin Ndërkombëtar «Besimi ngadhënjyes». Udhëtimi ishte i vështirë. Transporti ishte i pasigurt dhe kishte avari të shpeshta. Për më tepër, Uganda ishte politikisht e paqëndrueshme. Kur më në fund delegatët mbërritën në kufirin me Kenian, nëpunësit e kufirit të Ugandës i akuzuan vëllezërit se ishin spiunë, i arrestuan dhe i çuan në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë që gjendej në Kampalë, Ugandë. Atje i mori në pyetje vetë presidenti i Ugandës, Idi Amin Dada. I kënaqur nga përgjigjet e tyre, dha urdhër t’i lironin. Ndonëse e humbën ditën e parë të kongresit në Najrobi, vëllezërit u gëzuan kur panë mijëra vëllezër nga shumë vende të bashkuar paqësisht.

PËRPJEKJE PËR TË MARRË NJOHJEN LIGJORE

Të vërtetat biblike dhe normat e larta morale që mësonin Dëshmitarët nuk u pëlqenin të gjithëve. Veçanërisht kleri ishte i tmerruar që kaq shumë veta po i pranonin. Vëlla Ruakabubu sjell ndër mend: «Shumë që kishin qenë katolikë, protestantë e adventistë aktivë u dorëzuan letra dorëheqjeje kishave të tyre. Një vëlla tha se ndikimi i predikimit ishte për fetë tradicionale si një zjarr i pakontrollueshëm. Shpejt, në mbledhjet e kongregacionit në Kigali ishin të pranishëm më shumë se 200 veta. Në fillim, kleri nuk u bë shumë merak, sepse ishim pak. Por, ndërsa numri rritej, disa na akuzuan se ishim një rrezik për vendin. Është interesante se në këtë kohë kryepeshkopi i Kishës Katolike Ruandeze, Vinsent Nsengijumva, u bë anëtar i komitetit qendror të partisë politike në fuqi.

Meqë rritja ishte e shpejtë, na duhej statusi ligjor që të vinin misionarë, të ndërtonim Salla Mbretërie dhe të mbanim asamble të mëdha. Dega e Kenias mori masa që Ernest Hoiseja, nga Belgjika, të kontaktonte me ministrat e qeverisë dhe të kërkonte njohjen ligjore, por nuk arriti asgjë. Më vonë, më 1982, zyra e degës së Kenias na këshilloi të përgatitnim një letër për Ministrin e Drejtësisë e Ministrin e Punëve të Brendshme dhe t’u kërkonim njohjen ligjore. Këtë kërkesë e firmosa unë dhe dy pionierë specialë. Mirëpo nuk morëm asnjë përgjigje.»

Ndërkohë kundërshtimi u rrit edhe më shumë. Antuan Ruguiza, një vëlla i qetë e plot dinjitet, kujton se në një transmetim të radios kombëtare, presidenti deklaroi se nuk do t’i toleronte ata që njollosnin «besimin ruandez». Të gjithë e kuptuan se e kishte fjalën për Dëshmitarët e Jehovait. Jo shumë kohë pas kësaj deklarate, vëllezërit i ndaluan të mblidheshin. U përhapën fjalë se shpejt do të bëheshin edhe arrestime. Vëlla Ruakabubun e thirrën dy herë në Sigurimin e Shtetit për ta marrë në pyetje.

Në nëntor të vitit 1982, Kiala Muangoja, me gruan, Elainën, u dërgua nga Najrobi për të mbikëqyrur asambletë qarkore në Butare, Gisenji dhe Kigali. Vëlla Ruakabubu ishte drejtuesi i këtyre asambleve. Sapo mbaroi asamblenë në Kigali, atë e thirrën për herë të tretë në Sigurimin e Shtetit. Por kësaj radhe nuk u kthye! Brenda katër ditëve arrestuan edhe dy pionierët specialë që kishin firmosur kërkesën për njohjen ligjore. Që të tre u mbajtën në burg pa dalë në gjyq ose pa u dhënë të drejtën të mbroheshin ligjërisht. Pas kësaj, pati edhe arrestime të tjera. Sallën e Mbretërisë e mbyllën dhe dyert i bllokuan. Ministri i Drejtësisë u dërgoi një letër prefekturave ku ndalonte veprën e Dëshmitarëve të Jehovait.

Më në fund, në tetor të vitit 1983, u bë gjyqi i tre vëllezërve që kishin firmosur kërkesën për njohjen ligjore. Trupi gjykues i akuzoi se mashtronin njerëzit​—akuza krejtësisht të pathemelta. Në gjyq nuk u paraqit asnjë dëshmitar ose dokument që ta vërtetonte këtë. Megjithatë, të tre vëllezërit i dënuan me dy vjet burg. Kur të dënuar për vrasje u liruan gjatë një amnistie, këta vëllezër besnikë i lanë përsëri brenda. Në Gisenji, pesë Dëshmitarë të tjerë kaluan gati dy vjet në burg pa asnjë proces gjyqësor ose vendim gjykate.

JETA NË BURG

Jeta në burg ishte e rëndë. Ushqimi, që shërbehej vetëm një herë në ditë, përbëhej nga maniokë dhe fasule. Mishi hahej pak a shumë një herë në muaj. Dyshekët ishin plot me tartabiqe, por, për shkak të qelive të tejmbushura, shumë të burgosur flinin përtokë. S’kishte ujë për t’u larë. Vëllezërve u duhej të rrinin në një qeli me kriminelë të dhunshëm. Shpesh gardianët ishin të ashpër, edhe pse njëri prej tyre, Zhan Fataki, u tregua mirëdashës me vëllezërit. Ai pranoi një studim biblik, u bë një Dëshmitar i pagëzuar dhe ka shërbyer si pionier besnik deri sot e kësaj dite.

Vëlla Ruakabubu kujton: «Ndërsa ishim në burg, kryepeshkopi mbajti një meshë. Ai i tha auditorit që të ruhej nga Dëshmitarët e Jehovait. Pas kësaj, disa të burgosur katolikë pyetën pse kishte thënë kështu kryepeshkopi, sepse ata e shihnin që Dëshmitarët e Jehovait nuk ishin të rrezikshëm.»

Në këtë kohë, nga Belgjika mbërritën në Kigali Rozher dhe Noela Pëlsi. Rozheri kishte ardhur për një punë me kontratë. Tre vëllezërit ishin ende në burg, kështu Rozheri kërkoi një takim me ministrin e Drejtësisë që t’i shpjegonte bindjet tona dhe ta pyeste me mirësjellje se çfarë kishte qeveria kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Ministri ia preu shkurt duke i thënë: «Z. Pëls, boll ju dëgjova! Do të ktheheni në Bruksel me avionin tjetër. Dëboheni nga vendi!»

Meqë tre vëllezërit qëndruan të patundur dhe nuk u frikësuan, duhej të mbaronin dënimin dyvjeçar, edhe pse vitin e dytë i transferuan në një burg me kushte shumë më të mira. U liruan në nëntor të 1984-s.

PËRNDJEKJA RRITET

Kundërshtimi vazhdoi. Në një transmetim radiofonik thanë se Dëshmitarët e Jehovait nuk ishin njerëz të mirë dhe ishin ekstremistë. Nga marsi i vitit 1986, arrestimet ishin të zakonshme në tërë vendin. Mes atyre që u arrestuan ishte edhe Augustin Muraji. Për shkak të asnjanësisë së krishterë, e kishin pushuar nga detyra si drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit Fillor e të Mesëm. Atë e kishin sulmuar nëpër gazeta dhe shumë më tepër në radio.

Në mbarë vendin u arrestuan edhe vëllezër e motra të tjerë, madje edhe motra shtatzëna me fëmijë të vegjël. Nga fundi i vitit 1986 i transferuan në burgun qendror në Kigali, që të pritnin t’u bëhej gjyqi. Ngaqë vëllezërit nuk këndonin këngë patriotike, nuk mbanin stemën e presidentit dhe nuk blinin teserën e partisë, gabimisht njerëzit kujtonin se Dëshmitarët e Jehovait ishin kundërshtarë të qeverisë dhe po përpiqeshin ta rrëzonin.

Me një buzëqeshje Fokas Hakizumuami kujton: «Vëllezër të kongregacionit në Njabisindu ishin nga të parët që u arrestuan. Meqë ne të tjerët pritnim të na arrestonin herët a vonë, kuptuam se caktimi i territorit do të ndryshonte, nga jashtë burgut, brenda burgut. Prandaj vendosëm që në fillim të bënim një fushatë të gjerë predikimi në territorin tonë ‘jashtë’. Shkuam në pazare dhe shpërndamë shumë revista e libra. Iu lutëm Jehovait të na ndihmonte të mbulonim të tërë territorin para se të na burgosnin. Jehovai na ndihmoi, sepse e mbaruam territorin më 1 tetor 1985. Na futën në burg shtatë ditë më vonë.»

Vitin pasues, agjentët e Sigurimit të Shtetit arrestuan Palatin Nsanzuruimon dhe të shoqen, Fatumën. Pasi i morën në pyetje për tetë orë dhe kontrolluan mbarë e prapë shtëpinë e tyre, po i çonin në burg bashkë me tre fëmijët. Rrugës për në burg, vëllai i vogël i Palatinit, që po i ndiqte nga afër, mori nën kujdes djalin e tyre pesëvjeçar dhe vajzën katërvjeçare. Palatinin dhe Fatumën i burgosën bashkë me foshnjën e tyre 14-muajshe. Më vonë, Fatumën e transferuan në një burg tjetër dhe e liruan vetëm pas nëntë muajsh.

Në atë kohë, katër fëmijët e Zhan Çitejës i përjashtuan nga shkolla. Kur u kthye në shtëpi pak më vonë, ai pa se i kishin bastisur shtëpinë, gruan ia kishin arrestuar e fëmijët kishin mbetur vetëm. Pak më pas edhe vetë vëllanë Çiteja e arrestuan dhe e dërguan në një burg në Butare, ku ishte edhe gruaja e vëllezër të tjerë. Pastaj, të gjithë Dëshmitarët e burgosur më parë në burgjet e Butares i transferuan në burgun qendror në Kigali. Ndërkohë, vëllezërit në Kigali u kujdesën për fëmijët e vëllait Çiteja.

Vëlla Çiteja kujton: «Kur vëllezërit dhe motrat i sillnin nga burgjet e krahinave të tjera në burgun qendror në Kigali, e përshëndetnin njëri-tjetrin me gëzim ‘Komera!’ që do të thotë: ‘Merr zemër!’ Kur një nga rojat e burgut e dëgjoi këtë përshëndetje, tha me egërsi: ‘Ju jeni të çmendur! Si merr zemër në burg?’»

Me gjithë arrestimet, ata me zemër të sinqertë nuk u shkurajuan dhe përndjekja solli shpesh rezultate pozitive. Odeta Mukandekezi, një motër shumë miqësore dhe e gjallë, ishte mes të shumtëve që u arrestuan në atë kohë. Ajo tregon: «Gjatë kohës së përndjekjes, vëllezërit i arrestonin dhe i rrihnin. Një ditë rrugës vumë re një vogëlushe që quhej Zhozefina, e cila po kulloste bagëtinë. Kishte një Bibël e aty kishte lexuar për shpifjet kundër të krishterëve të hershëm dhe se si i kishin përndjekur, fshikulluar e burgosur. Meqë e dinte se Dëshmitarët e Jehovait po i përndiqnin, arriti në përfundimin se ata duhej të ishin feja e vërtetë, kështu kërkoi një studim biblik. Tani është një motër e pagëzuar.»

Gjatë ndalimit, Gaspar Nijongira punonte si kamionist dhe, për shkak të punës, shkonte shpesh në Najrobi, Kenia. Kur kthehej në Ruandë, fshehurazi sillte literaturë në një kuti të veçantë të montuar në kamionin e tij, e cila mund të mbante gjashtë kuti me literaturë. Në të njëjtën kohë, Henri Senjonga, nga jugperëndimi i Ugandës, fuste rregullisht revista nëpërmjet kufirit me motorin e tij.

Mbledhjet e kongregacionit mbaheshin në grupe të vogla. Nëse autoritetet dyshonin që Dëshmitarët e Jehovait mbanin mbledhje, mund të bënin kontrolle. Vëlla Nijongira kujton: «Kisha ndërtuar një shtesë në shtëpi ku mund të mbanim mbledhjet fshehurazi. Literaturën e futnim në thasë plastikë dhe e groposnim në tokë, pastaj e mbulonim me qymyr.»

Kur filloi vala e arrestimeve, Zhan-Mari Mëtezintare, i cili sapo ishte pagëzuar, ia doli që të merrte pjesë në Kongresin Ndërkombëtar «Mbajtës të integritetit» që u mbajt në Najrobi në dhjetor të 1985-s. Gjatë kthimit për në Ruandë, ai dhe Isaia Sibomana mblodhën revistat e vëllezërve në jugperëndim të Ugandës. Megjithatë në kufi ua gjetën revistat, i prangosën, i morën në pyetje dhe i mbajtën gjithë natën në një qeli të ftohtë. Pastaj ata i çuan në burgun qendror në Kigali. Atje takuan rreth 140 vëllezër e motra të burgosur, të cilët ishin të gëzuar të dëgjonin nga një burim i drejtpërdrejtë për kongresin në Najrobi. Pa dyshim, ajo që u treguan ishte inkurajuese dhe i forcoi vëllezërit.

Në burg vëllezërit mbanin mbledhjet dhe merrnin masa që të predikonin në mënyrë të organizuar. Jo vetëm u predikonin të burgosurve, por disave u mësonin edhe shkrim e lexim. Përveç kësaj, drejtonin studime biblike me të interesuarit dhe ndihmuan shumë lajmëtarë të rinj të ishin gati për pagëzim. Disa nga ata ishin duke studiuar kur u arrestuan, të tjerë e njohën të vërtetën në burg.

NJË MBIKËQYRËS QARKOR «VIZITON» BURGUN

Një nga vëllezërit tregon për ngjarjet e vitit 1986 në burgun e Kigalit: «Ishim shumë vëllezër. Mbajtëm një mbledhje për të parë si mund t’i ndihmonim vëllezërit që ishin jashtë. Vendosëm t’u shkruanim një letër inkurajimi. U thamë se do të ktheheshim në shtëpi kur të mbaronim predikimin në territorin tonë të burgut. Ne predikonim shtrat më shtrat dhe drejtonim studime biblike. Më vonë, kur dëgjuam se një mbikëqyrës qarkor po vizitonte kongregacionet jashtë, donim që edhe neve të na vizitonte një mbikëqyrës, kështu iu lutëm Jehovait. Nuk kaloi shumë dhe vëllanë Gaspar Ruakabubu, që ishte mbikëqyrës qarkor, e burgosën për herë të dytë. Për ne, burgimi i tij ishte e vetmja mënyrë që të na vizitonte.»

Gjatë përndjekjes, vetëm një vëlla bëri kompromis. Kur ai vuri një distinktiv politik, të burgosurit që nuk ishin Dëshmitarë e rrahën, e goditën me shkelma dhe e shanë duke e quajtur frikacak. E shoqja, që po studionte Biblën, e pyeti përse nuk qëndroi besnik. Më vonë, ai u shkroi një letër gjykatësve ku shpjegonte se kishte gabuar dhe ishte ende një Dëshmitar i Jehovait. Madje i shkroi edhe zyrës së degës në Kenia për të kërkuar falje. Tani po i shërben përsëri Jehovait me besnikëri.

VAZHDON PREDIKIMI JASHTË

Ata që nuk i kishin arrestuar, vazhduan predikimin plot zell, duke kaluar në shërbim më shumë se 20 orë në muaj. Alfred Semali, një nga vëllezërit jashtë burgut, kujton: «Megjithëse nuk më kishin burgosur asnjëherë, e prisja dhe isha përgatitur për këtë. Salla e Mbretërisë ishte mbyllur, kështu që takoheshim në grupe të vogla dhe vazhdonim predikimin. I futja revistat në një zarf ngjyrë kaki, shkoja në qytet sikur po kërkoja punë, dhe shikoja për ndonjë mundësi që të jepja revista e të diskutoja rreth Biblës.

Më 1986, shumë nga vëllezërit dhe të interesuarit i kishin futur nëpër burgje, madje edhe ata që sapo kishin filluar studimin. Vëllezërit dhe madje të rinjtë në të vërtetën qëndruan të patundur në mënyrë të habitshme. Ndërkohë Dëshmitarë nga shtete të tjera i shkruan presidentit të Ruandës ku protestonin për trajtimin e padrejtë, dhe lajmet në radio njoftonin se merrte me qindra letra çdo ditë. Kjo solli rezultate të mira, sepse vitin pasues, vëllezërit, motrat dhe të interesuarit u liruan me anë të një dekreti presidencial. Ishim shumë të lumtur.» Menjëherë pasi u liruan, pleqtë organizuan një pagëzim në Kigali, ku, nga 36 të pagëzuarit, 34 bënë menjëherë kërkesën për pionierë ndihmës!

Në kulmin e përndjekjes gjatë vitit 1986, raportuan mesatarisht 435 lajmëtarë; nga këta, 140 vëllezër dhe motra u burgosën. Këta Dëshmitarë formuan boshtin e organizatës së Jehovait në Ruandë. Besimi i tyre u ‘sprovua’ e qëndruan mjaft të fortë në të vërtetën.​—Jak. 1:3.

Më në fund, pas kohëve të trazuara të viteve 80, kongregacionet në Ruandë po përjetonin deri diku një periudhë paqeje dhe rritjeje. Por, çfarë do të sillte e ardhmja? Shumë përqafuan të vërtetën. A do të tregonin edhe këta dishepuj të rinj se ishin si një ndërtesë e ngritur me materiale zjarrduruese? (1 Kor. 3:10-15) A do t’i përballonte besimi i tyre sprovat që i pritnin? Vetëm koha do ta tregonte.

LUFTË DHE TRAZIRA POLITIKE

Më 1990, në Ruandë kishte afërsisht 1.000 lajmëtarë aktivë. Megjithatë, skena politike po bëhej më e paqëndrueshme dhe në tetor forcat e Frontit Patriotik Ruandez (FPR) pushtuan pjesën veriore të Ruandës nga Uganda fqinje.

Ferdinand Mugarura, një vëlla i guximshëm i cili ishte burgosur dy herë për besimin, jetonte në Ruhenger kur filloi ky pushtim. Ai kujton: «Urrejtja dhe krenaria fisnore ishin përhapur kudo. Por Dëshmitarët e Jehovait mbajtën një qëndrim asnjanës, duke mos u përfshirë në fraksionet politike ose etnike. Meqë vëllezërit e ruajtën fort asnjanësinë, disave iu desh të braktisnin shtëpinë dhe të tjerë humbën punën.»

Një motër vejushë me tre fëmijë punonte si mësuese. Kur nuk pranoi të jepte kontribute për ushtrinë, drejtori i shkollës e raportoi tek autoritetet ushtarake. Kështu e futën në burg për herë të dytë, meqë e kishin burgosur një herë gjatë viteve 80. Forcat pushtuese mbërritën në qytetin ku ishte burgosur, shpërthyen burgun dhe të gjithë të burgosurit ia mbathën. Megjithatë, në vend që të ikte bashkë me të burgosurit e tjerë, motra qëndroi në burg. Kur forcat pushtuese u tërhoqën nga qyteti, atë e arrestuan përsëri dhe e transferuan në burgun qendror në Kigali. Atje ajo u lut që të merrte vesh datën e Përkujtimit, sepse nuk donte ta humbiste. Për habinë e saj, e liruan nga burgu tamam në ditën e Përkujtimit! Edhe pse humbi shtëpinë dhe punën si mësuese për shkak të asnjanësisë, ajo u bë një pioniere e zellshme.

Me ndërhyrjen ndërkombëtare, pushtimi nga Uganda u ndal përkohësisht. Në vitin 1991, kishte filluar një lëvizje për të vendosur në vend një strukturë politike shumëpartiake. Formimi i disa partive të mëdha e të vogla, bëri që të lindnin ndjenja krenarie për krahinat apo fiset e ndryshme. Disa parti kishin qëllime të arsyeshme, por të tjera kishin pikëpamje ekstremiste dhe luftarake. Për herë të parë, qëndrimi asnjanës i Dëshmitarëve të Jehovait shihej me sy të mirë. Meqë nuk mbajtën anën e asnjë fraksioni politik apo fisnor, qeveria dhe njerëzit në përgjithësi nuk i konsideronin më Dëshmitarët si armiq.

Në shtator të 1991-shit, një delegacion ndërkombëtar vëllezërish i shoqëruar nga dy vëllezër ruandezë, Gaspar Ruakabubu dhe Tarsis Seminega, vizitoi ndërtesat qeveritare në Kigali. Vëllezërit folën me ministrin e ri të Drejtësisë që i dëgjoi me mirësjellje. Vëllezërit e falënderuan për hapat pozitivë që ishin ndërmarrë tashmë dhe e nxitën të vazhdonte t’i ndihmonte që të merrnin njohjen e plotë ligjore.

Në janar të vitit 1992, para se të jepej njohja ligjore, vëllezërit mbajtën një kongres krahinor në Kigali. Gadfri dhe Xheni Binti kujtojnë: «Në atë kohë shërbenim në Ugandë. Ishte një surprizë për ne kur morëm një letër nga zyra e degës në Kenia që na kërkonte të shkonim në Ruandë për tri javë, që të ndihmonim me përgatitjet e kongresit dhe për të incizuar dramën. Vëllezërit ishin tepër mikpritës. Çdo ditë, familje të ndryshme na ftonin të hanim me ta. Ishte marrë me qira një stadium privat dhe, kur mbërritëm, përgatitjet po ecnin mbarë. Vëllezërit kishin menduar tashmë për ta incizuar dramën, dhe puna shkoi mirë, pavarësisht se kishin pak pajisje në dispozicion. Ndonëse shumë vëllezër në veri të vendit nuk morën dot leje nga autoritetet për të udhëtuar dhe kufijtë me Burundin e Ugandën ishin mbyllur, të dielën kishte 2.079 të pranishëm e 75 u pagëzuan.»

MË NË FUND NJOHJA LIGJORE!

Pak muaj më vonë, më 13 prill të 1992-shit, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait më në fund​—dhe për herë të parë—​u regjistrua zyrtarisht në Ruandë. Beteja e gjatë për të shpallur lajmin e mirë përballë ndalimit, sulmeve dhe burgimeve kishte marrë fund. Vëllezërit mund të pritnin me gëzim një epokë të re zgjerimi dhe rritjeje teokratike.

Trupi Udhëheqës nuk humbi kohë dhe caktoi misionarë të rinj në Ruandë. Henk van Buseli, që kishte shërbyer më parë në Republikën e Afrikës Qendrore e në Çad, si dhe Gadfri e Xheni Binti, që kishin shërbyer në Zaire (tani Republika Demokratike e Kongos) e në Ugandë, ishin misionarët e parë që morën leje qëndrimi. Një Komitet Vendi u caktua të mbikëqyrte veprën e predikimit.

Vëlla Binti kujton çfarë ndodhi kur sapo mbërritën me Henk van Buselin: «Gjetëm shpejt një banesë të përshtatshme për shtëpinë misionare, shumë afër Sallës së Mbretërisë. Menjëherë iu futëm punës për të mësuar gjuhën kiniaruande, dhe hasëm goxha vështirësi, ashtu si pionierët e parë specialë në vitin 1970. Një libër mësimi jepte këtë këshillë: ‘Shkronjat CU së bashku shqiptohen TÇKU!’ Kujtojmë gjithashtu se motra që na mësonte tha: ‘Po të mos buzëqeshni, nuk do ta shqiptoni kurrë si duhet “shj” në “isinshja” [toka e re].’»

Më vonë, po atë vit, u arrit një maksimum i ri, 1.665 lajmëtarë. Në janar të vitit 1993, në Kigali u mbajt një kongres tjetër krahinor me 4.498 të pranishëm dhe 182 veta u pagëzuan. Nga dega e Kenias erdhi si përfaqësues vëlla Kiala Muangoja. Askujt nuk do t’ia merrte mendja në atë kohë se, në tokën në anën tjetër të rrugës, përballë stadiumit ku u mbajt kongresi, në vitin 2006 do të ndërtohej zyra e degës.

Ndonëse pati një tjetër pushtim nga veriu, vepra e predikimit nuk u ngadalësua. Në vitin 1993 ushtria antiqeveritare arriti deri pak kilometra afër Kigalit. Kufijtë me Ugandën mbetën të mbyllur dhe zjarri i artilerisë së rëndë mund të dëgjohej nga kodrat rreth kryeqytetit. Rreth një milion njerëz kishin ikur nga veriu i vendit. Këtu përfshiheshin edhe 381 vëllezër dhe motra, për të cilët u kujdesën vëllezërit në Kigali dhe përreth tij. Megjithatë, në Arushë, Tanzani, u bënë bisedime për armëpushim dhe u vendos një zonë asnjanëse. Qeveria ra dakord të përfshinte në pushtet forcat pushtuese dhe disa nga partitë e mëdha e të vogla.

NJË ASAMBLE SHUMË SPECIALE NJËDITORE!

Një asamble speciale njëditore ishte programuar të mbahej atë vit në Stadiumin Rajonal të Kigalit. Megjithatë autoritetet drejtuese të stadiumit kishin bërë dy rezervime​—në orën 15.00 ishte programuar edhe një ndeshje futbolli. Vëllezërit ndoqën sesionin e paradites, por, para se të fillonte sesioni i pasdites, tifozët filluan të vinin, e as policia nuk mundi t’i ndalonte që të hynin. Administruesi i stadiumit tha se ndeshja nuk do të mbaronte para orës 18.00. Prandaj vëllezërit ikën dhe u kthyen në atë orë për të vazhduar me programin e asamblesë.

Kjo shkaktoi njëfarë ankthi sepse ishte në fuqi gjendja e shtetrrethimit. Automjetet nuk lejoheshin të udhëtonin pas orës 18.00 dhe njerëzit nuk duhej të ishin jashtë shtëpisë pas orës 21.00. Mirëpo, në orën 19.00 në radio u njoftua se shtetrrethimi do të shtyhej deri në orën 23.00. Një problem tjetër ishte edhe se dritat iknin e vinin. Meqë vëllezërit nuk mundën ta përdornin stadiumin sipas kontratës që kishin bërë, kryetari i bashkisë së Kigalit e rregulloi që të mos u mungonte drita. Madje, ai u siguroi vëllezërve transport falas pas programit. Kështu vëllezërit arritën ta zhvillonin të gjithë programin e asamblesë. Përfytyroni habinë e tyre kur dolën nga stadiumi dhe panë gjithë ata autobusë që po i pritnin.

Gynter Reshke sjell ndër mend kur e vizitoi Ruandën në fund të shtatorit të 1993-shit. Ai thotë: «Dega e Kenias më dërgoi në Kigali të isha instruktor në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë së bashku me vëllanë Ruakabubu. Në atë kohë, në Ruandë kishte vetëm 63 pleq, megjithëse numri i lajmëtarëve ishte rritur në 1.881 veta. Tashmë në vend kishte shumë tension dhe dëgjoheshin ushtimat e luftimeve në veri. Sigurisht asnjë nuk i priste kohët e tmerrshme që do të vinin, por shkolla siguroi ushqim frymor në kohën e duhur. Ajo forcoi besimin e pleqve dhe i stërviti si barinj, që do të nevojitej shumë ndërsa retë e zeza të luftës po afroheshin.»

PLANE PËR TË VENDOSUR NJË ZYRË

Në fund të marsit të 1994-s, Leonard Elisi dhe e shoqja, Nensi, erdhën nga Najrobi për të marrë pjesë në asamblenë speciale dhe për të ndihmuar zyrën e përkthimit. Dega në Najrobi kishte rekomanduar që shtëpia misionare dhe zyra e përkthimit në Ruandë të bashkoheshin. Kështu të hënën, më 4 prill, në studimin e Kullës së Rojës morën pjesë skuadra e zgjeruar e përkthyesve, Komiteti i Vendit, misionarët dhe çifti Elis. Ishin çaste emocionuese​—fillimi i një zgjerimi më të madh.

Pasi përfunduan punën e tyre, çifti Elis u largua me avion dhe doli se, për muaj të tërë, ai kishte qenë fluturimi i fundit për pasagjerë nga Kigali. Të nesërmen pasdite, vëlla Ruakabubu telefonoi në shtëpinë misionare për t’u thënë se ambasada ruse kishte hequr dorë nga pretendimi për një tokë ku ne kishim shpresuar të ndërtonim një zyrë. Tani ajo mund t’u jepej Dëshmitarëve të Jehovait, prandaj do të takoheshim mëngjesin vijues, të enjten më 7 prill, me zyrtarë në Ministrinë e Tokave. Por takimi nuk u bë.

FILLON GJENOCIDI!

Të mërkurën në mbrëmje, më 6 prill, një avion u qëllua dhe mori flakë afër Kigalit. Në bord ishin presidentët e Ruandës dhe të Burundit. Të gjithë në avion vdiqën. Pak njerëz e morën vesh rrëzimin e avionit atë mbrëmje; radioja kombëtare nuk bëri asnjë njoftim.

Tre misionarët, çifti Binti dhe vëlla Henku, nuk do t’i harrojnë kurrë ditët që pasuan. Vëlla Binti shpjegon: «Më 7 prill, në mëngjes herët, u zgjuam nga zhurma e të shtënave dhe shpërthimet e granatave. Kjo nuk ishte e pazakontë sepse muajt e fundit situata politike në vend ishte bërë tejet e paqëndrueshme. Megjithatë, ndërkohë që po përgatitnim mëngjesin, na morën në telefon. Emanuel Ngirente, i cili ishte në zyrën e përkthimit, na tha se radioja lokale kishte njoftuar rrëzimin e avionit dhe vdekjen e dy presidentëve. Ministria e Mbrojtjes i paralajmëroi të gjithë në Kigali që të mos dilnin nga shtëpia.

Rreth orës nëntë të mëngjesit, dëgjuam plaçkitësit që shkallmonin shtëpinë e fqinjëve tanë. U vodhën makinën dhe vranë gruan e asaj familjeje.

Shpejt ushtarë dhe plaçkitës erdhën te ne, i ranë me forcë derës prej hekuri dhe ziles. Ne qëndruam në heshtje dhe nuk u përgjigjëm. Kushedi për ç’arsye nuk e shpërthyen derën, por vajtën në shtëpi të tjera. Të shtënat e automatikëve dhe shpërthimet dëgjoheshin gjithandej; nuk kishim asnjë mundësi për t’u larguar. Krismat dëgjoheshin shumë afër, prandaj shkuam në korridorin ndërmjet dhomave, në mes të shtëpisë, për t’u mbrojtur nga plumbat qorrë. E kuptuam se kjo gjendje nuk do të përfundonte shpejt, prandaj vendosëm të ndanim ushqimet në racione dhe të gatuanim vetëm një vakt në ditë për ta ngrënë së bashku. Të nesërmen, kur sapo kishim ngrënë drekë dhe po dëgjonim lajmet ndërkombëtare nga një radio e huaj, Henku thirri: ‘Po kapërcejnë gardhin tonë!’

Nuk kishim kohë për t’u menduar. Shkuam në banjë dhe mbyllëm derën. U lutëm së bashku dhe i kërkuam Jehovait të na ndihmonte të përballonim çfarëdolloj gjëje që mund të na ndodhte. Nuk kishim mbaruar ende lutjen kur dëgjuam milicët dhe plaçkitësit që shqyenin dyer e dritare dhe, brenda pak minutash, u futën në shtëpi duke bërtitur e përmbysur mobiliet. Ishin rreth 40 veta​—burra, gra dhe fëmijë—​bashkë me milicë. Dëgjuam të shtëna ndërsa plaçkitësit grindeshin për gjërat që kishin gjetur.

Kishin kaluar vetëm 40 minuta, por që neve na u duk një përjetësi, kur ata u afruan të hapnin derën e banjës. Mirëpo, meqë ishte kyçur, filluan ta shpërthenin. E kuptuam se duhej të dilnim. Burrat ishin të tërbuar dhe të droguar. Na kërcënuan me hanxharë dhe thika. Xheni filloi të thërriste me zë të lartë Jehovain. Një burrë vërtiti hanxharin e tij dhe me anën e sheshtë e goditi Henkun në zverk. Henku u rrëzua në vaskë. Nuk e di se si, po arrita të gjeja ca pará dhe t’ua jepja sulmuesve që filluan të ziheshin për to.

Befas dalluam një të ri që po na vështronte ngultas. Edhe pse nuk e dinim kush ishte, ai na njihte, ndoshta nga predikimi. Na mbërtheu, na shtyu mbrapsht brenda në banjë dhe na tha të mbyllnim derën. Na premtoi se do të na shpëtonte.

Zhurma e plaçkitësve vazhdoi pak a shumë edhe për 30 minuta, e pastaj u bë qetësi. Më në fund i riu u kthye që të na thoshte se mund të dilnim. Këmbënguli të largoheshim menjëherë dhe na shoqëroi jashtë shtëpisë. Nuk ndaluam të merrnim asgjë. Të tmerruar pamë kufomat e disa fqinjëve tanë që i kishin vrarë. Dy ushtarë të gardës presidenciale na shoqëruan për te shtëpia e një oficeri ushtarak aty pranë, i cili na çoi te hoteli «Një mijë kodrat», ku ishin strehuar shumë njerëz. Më 11 prill, më në fund, u larguam për në Kenia, pas orësh të ankthshme dhe një operacioni të mundimshëm ushtarak që na transportoi nëpërmjet një rruge dytësore nga qyteti në aeroport. Mbërritëm në Bethelin e Najrobit të pakrehur dhe të çrregullt. Henku arriti disa orë më vonë, sepse gjatë evakuimit e ndanë nga ne. Familja Bethel u kujdes dhe na mbështeti plot dashuri.»

SHPËTUAN FALË LUTJES SË VOGËLUSHES

Ditën tjetër pas rrëzimit të avionit ku u vranë presidentët e Ruandës dhe të Burundit, gjashtë ushtarë shkuan në shtëpinë e vëllait Ruakabubu. Sytë i kishin të skuqur, vinin erë alkool dhe nga mënyra si silleshin dukej se ishin të droguar. I kërkuan armë. Vëlla Ruakabubu u tha se ai bashkë me familjen ishin Dëshmitarë të Jehovait dhe nuk kishin armë.

Ushtarët e dinin se Dëshmitarët e Jehovait ishin asnjanës, nuk kishin pranuar të mbështetnin qeverinë dhe nuk jepnin kontribute për ushtrinë, prandaj kjo i tërboi. Gaspar dhe Melani Ruakabubu nuk janë nga fisi tutsi. Megjithatë, milicia Interahamue e përbërë nga ata të fisit hutu, nuk vriste vetëm tutsit, por edhe individë hutu që ishin të moderuar, sidomos nëse dyshohej se simpatizonin tutsit ose ushtrinë antiqeveritare.

Ushtarët goditën me shkopinj Gasparin dhe Melaninë dhe i çuan në dhomën e gjumit, së bashku me pesë fëmijët e tyre. Hoqën çarçafët nga krevati dhe nisën të mbulonin familjen me to. Disa prej tyre kishin granata në duar, prandaj kuptohej fare qartë se ç’donin t’u bënin. Gaspari pyeti: «A mund të bëjmë një lutje?»

Një ushtar me përbuzje nuk deshi t’ua plotësonte kërkesën. Pastaj, pasi debatuan ca, ushtarët duke ngurruar i thanë: «Mirë, mund të luteni për dy minuta.»

Familja u lut në heshtje, kurse Debora Ruakabubu, që ishte 6 vjeçe, u lut me zë të lartë: «O Jehova, ushtarët duan të na vrasin, por si mund të kthehemi tek ata që u predikova me babin dhe u lashë pesë revista? Ata po presin të kthehemi dhe kanë nevojë të mësojnë të vërtetën. Të premtoj se, nëse na lënë gjallë, do të bëhem lajmëtare, do të pagëzohem dhe do të bëhem pioniere! O Jehova, na shpëto!»

Kur dëgjuan këtë, ushtarët mbetën të habitur dhe në fund, një prej tyre tha: «Nuk do t’ju vrasim për hir të lutjes së kësaj vogëlusheje. Nëse vijnë ushtarë të tjerë, thuajuni se kemi qenë ne tashmë këtu.» *

GJENDJA PËRKEQËSOHET

Ndërsa ushtria antiqeveritare (Fronti Patriotik Ruandez) përparonte drejt kryeqytetit, Kigalit, lufta bëhej gjithnjë e më ashpër. Nga kjo, milicët Interahamue, tashmë të pashpresë, vazhduan të vrisnin edhe më shumë.

Në tërë qytetin dhe kryqëzimet, ishin ngritur barrikada që kontrolloheshin nga ushtarë e milicë Interahamue të armatosur, si dhe nga banorë vendas. Të gjithë burrat e aftë fizikisht i detyruan të qëndronin në barrikada me Interahamuen, ditë e natë. Barrikadat u ngritën me qëllim që të identifikonin dhe të vritnin tutsit.

Ndërkohë që vrasjet vazhdonin në mbarë vendin, qindra mijë ruandezë ikën nga shtëpitë. Shumë prej tyre, përfshirë edhe Dëshmitarët e Jehovait, kërkuan strehim në Kongon dhe Tanzaninë fqinje.

U BËJNË BALLË LUFTËS DHE VDEKJES

Më poshtë do të lexojmë historitë e vëllezërve e motrave ndërsa bota përreth tyre thërrmohej. Mos harrojmë se Dëshmitarët e Jehovait në Ruandë kishin kaluar sprova të rënda në vitet 80, sprova që u kishin forcuar e rafinuar besimin dhe guximin. Besimi i ndihmoi ‘të mos ishin pjesë e botës’ duke refuzuar të merrnin pjesë në votime, çështje politike dhe mbrojtjen e vendit. (Gjoni 15:19) Guximi i ndihmoi t’u bënin ballë pasojave të këtij refuzimi: përbuzjes, burgimit, përndjekjes dhe vdekjes. Falë këtyre cilësive të sprovuara dhe dashurisë për Perëndinë e njerëzit, Dëshmitarët e Jehovait arritën jo vetëm të mos përfshiheshin në gjenocid, por edhe të rrezikonin jetën e tyre për të mbrojtur njëri-tjetrin.

Shumë përvoja nuk janë përfshirë. Vëllezërit nuk duan t’i kujtojnë hollësitë e tmerrshme, sepse nuk kërkojnë hakmarrje. Shpresojmë që historia e besimit të tyre të na frymëzojë të gjithëve që ta tregojmë më plotësisht dashurinë që identifikon dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit.​—Gjoni 13:34, 35.

HISTORIA E ZHANIT DHE E SHANTALËS

Zhan dë Djë Mugabó, një vëlla i qeshur dhe i dashur, filloi të studionte me Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1982. Para se të pagëzohej më 1984, ishte burgosur tashmë tri herë për qëndrimin e tij si Dëshmitar i Jehovait. Edhe e shoqja, Shantala, u pagëzua në vitin 1984, dhe më 1987 u martuan. Kur filloi gjenocidi, kishin tre fëmijë, të gjitha vajza. Dy më të mëdhatë jetonin me prindërit e Shantalës jashtë qytetit, kurse Zhani dhe Shantala mbanin vetëm foshnjën 6-muajshe.

Ditën e parë të gjenocidit, më 7 prill 1994, ushtarët dhe Interahamue filluan të sulmonin shtëpitë e të gjithë tutsve. Zhanin e arrestuan dhe e rrahën me kërbaç, por ia doli të arratisej e, bashkë me një vëlla tjetër, vrapoi te Salla e Mbretërisë aty afër. Ndërkohë, Shantala tërë ankth, që nuk dinte seç kishte ndodhur me të shoqin, u përpoq furishëm të dilte jashtë qytetit me foshnjën për të shkuar te dy vajzat e tjera.

Zhani tregon se çfarë i ndodhi atij: «Salla e Mbretërisë më përpara kishte qenë furrë buke dhe kishte akoma një oxhak të gjerë. Për një javë u fshehëm në vetë Sallën e Mbretërisë dhe, kur nuk ishte e rrezikshme, një motër hutu na sillte ushqim. Më vonë, na u desh të fshiheshim në çati, ndërmjet llamarinës së çatisë dhe tavanit, ku dielli na piqte plotësisht gjatë ditës. Të dëshpëruar për të gjetur një vend fshehjeje më të mirë, hoqëm disa tulla nga oxhaku dhe u futëm brenda, ku qëndruam të fshehur kruspull për më shumë se një muaj.

Aty afër kishte një postbllok, dhe milicët Interahamue shpesh futeshin në Sallën e Mbretërisë për të bërë muhabet dhe për t’u mbrojtur nga shiu. Arrinim të dëgjonim muhabetet e tyre. Motra vazhdonte të na sillte ushqim sa herë që mundte. Nganjëherë mendoja se nuk do t’ia dilja të duroja më, por vazhduam të luteshim për qëndrueshmëri. Më në fund, më 16 maj, motra erdhi e na tha se Fronti Patriotik Ruandez kishte marrë nën kontroll pjesën e qytetit ku ishim ne, prandaj mund të dilnim.»

Por, çfarë kishte ndodhur ndërkohë me gruan e Zhanit, Shantalën? Ajo tregon: «Ia dola të ikja nga shtëpia me foshnjën më 8 prill. Gjeta dy motra, Imakulean që sipas kartës së identitetit ishte hutu dhe Suzanën, një tutsi. Kishim ndër mend të arrinim në Bugesera, një qytet rreth 50 km larg, ku dy vajzat e mia po qëndronin me prindërit e mi. Mirëpo dëgjuam se në të gjitha rrugët për të dalë nga qyteti kishin vënë postblloqe. Prandaj vendosëm të shkonim te një fshat aty afër në periferi të Kigalit, ku Imakulea kishte një kushëri, Gahizin, që ishte edhe vetë Dëshmitar i Jehovait. Gahizi, një hutu, na mirëpriti dhe bëri të pamundurën për të na ndihmuar, pavarësisht se fqinjët e kërcënuan. Kur ushtarët dhe Interahamue morën vesh se Gahizi kishte ndihmuar tutsit, e vranë.

Pas kësaj, ata na morën dhe na çuan poshtë te lumi që të na vrisnin edhe ne. Prisnim të tmerruara fundin. Befas, mes ushtarëve lindi një debat i zjarrtë dhe një prej tyre tha: ‘Mos i vritni gratë. Do të na sjellë tersllëk. Është koha të vrasim vetëm burrat.’ Pastaj, një vëlla që na kishte ndjekur, André Tuahirua, i cili ishte pagëzuar vetëm një javë më parë, na mori në shtëpinë e vet, pavarësisht nga kundërshtimi i fqinjëve. Të nesërmen, na shoqëroi në Kigali, ku shpresonte të na gjente një vend të sigurt. Na ndihmoi të kalonim disa postblloqe tejet të rrezikshme. Imakulea mbante foshnjën time me qëllim që, nëse na ndalonin, të paktën foshnja do të shpëtonte. Për të fshehur identitetin, Suzana dhe unë kishim grisur kartat e identitetit.

Në një postbllok, milicët Interahamue goditën Imakulean dhe e pyetën: ‘Pse po udhëton me këto gra tutsi?’ Mua dhe Suzanën nuk na lanë të kalonim. Atëherë, Imakulea dhe André shkuan përpara te shtëpia e vëllait Ruakabubu. Duke rrezikuar shumë, André u kthye me dy vëllezër të tjerë, Simonin e Matiasin, që të na ndihmonin të kalonim postbllokun. Mua më çuan te shtëpia e vëllait Ruakabubu, ndërsa Suzana shkoi në shtëpinë e një të afërmi të vet.

Mirëpo, tani për mua ishte shumë e rrezikshme të qëndroja në atë shtëpi. Atëherë, me mjaft vështirësi, vëllezërit e rregulluan që të më çonin në Sallën e Mbretërisë, ku ishin fshehur edhe Dëshmitarë të tjerë. Në atë kohë, atje ishin tashmë dhjetë vëllezër e motra tutsi dhe të tjerë që kishin ardhur për t’u strehuar. Imakulea ishte kaq besnike sa nuk donte të më linte vetëm. Ajo më tha: ‘Nëse të vrasin ty dhe unë jetoj, do të shpëtoj foshnjën tënde.’» *

Ndërkaq, një vëlla që jetonte aty pranë, Vedast Bimenjimana, i cili e kishte gruan tutsi, e çoi familjen e vet në një vend jashtë rrezikut. Pastaj, u kthye të ndihmonte ata që kishin mbetur në Sallën e Mbretërisë për të gjetur një vend të sigurt. Lumturisht, shpëtuan që të gjithë.

Pas gjenocidit, Zhani dhe Shantala mësuan se prindërit e tyre bashkë me dy vajzat, dy e pesëvjeçare që rrinin me prindërit e Shantalës, i kishin vrarë, si dhe 100 të afërm të tjerë. Si u ndien ata për këtë tragjedi të tmerrshme? «Në fillim ishte e papërballueshme,—pranon Shantala.—Ishim të mpirë. Një humbje e tillë ishte përtej asaj që një njeri mund të imagjinonte. S’bënim dot asgjë, vetëm mund ta linim në dorë të Jehovait, duke pritur kohën kur vajzat tona të ringjallen.»

TË FSHEHUR PËR 75 DITË!

Në kohën e gjenocidit, Tarsis Seminega që ishte pagëzuar në vitin 1983, jetonte në Butare të Ruandës, rreth 120 km larg Kigalit. Ai tregon: «Pas rrëzimit të avionit presidencial në Kigali, dëgjuam se kishte dalë një dekret për të vrarë të gjithë tutsit. Dy vëllezër bënë një plan si të arratiseshim për në Burundi si familje, por të gjitha rrugët dhe shtigjet kontrolloheshin nga milicia Interahamue.

Ishim ngujuar në shtëpinë tonë dhe nuk dinim ku të shkonim. Katër ushtarë vëzhgonin shtëpinë dhe njëri prej tyre kishte vendosur një mitraloz rreth 180 m larg shtëpisë sonë. Iu përgjërova Jehovait: ‘O Jehova, nuk mund të bëjmë asgjë për të shpëtuar jetën tonë. Vetëm ti mundesh!’ Aty nga mbrëmja, një vëlla erdhi me vrap te shtëpia jonë, i frikësuar se mos ishim të gjithë të vdekur. Ushtarët e lejuan të hynte në shtëpi dhe të qëndronte disa minuta. U lehtësua kur na pa ende gjallë, dhe ia doli që të merrte në shtëpinë e tij dy nga fëmijët tanë. Pastaj njoftoi dy vëllezër të tjerë, Zhystin Ruagatoren dhe Zhozef Nduajezun, se familja ime ishte fshehur e kishte nevojë për ndihmën e tyre. Ata erdhën menjëherë natën dhe, pavarësisht nga vështirësia e rreziku, na çuan në shtëpinë e Zhystinit.

Por ndenjëm shumë pak, sepse të nesërmen njerëzit e kishin marrë vesh që ishim fshehur atje. Po atë ditë, një burrë me emrin Vinsent, erdhi të na paralajmëronte se Interahamue po përgatitej të na sulmonte dhe të na vriste. Ky burrë kishte qenë student biblik i Zhystinit, por që nuk kishte vendosur të merrte një qëndrim për të vërtetën. Vinsenti sugjeroi që fillimisht të fshiheshim te shkurrnaja afër shtëpisë së Zhystinit. Pastaj, kur u errësua, na çoi në shtëpinë e tij dhe na fshehu në një kasolle ku mbaheshin dhitë. Ishte me mure qerpiçi, çati prej kashte dhe pa dritare.

Kaluam ditë e net të gjata në atë kasolle që ndodhej afër një kryqëzimi dhe vetëm pak metra larg pazarit të zhurmshëm të zonës. Mund të dëgjonim bisedat e kalimtarëve për atë që kishin bërë gjatë ditës, madje edhe tregimet e lemerishme të vrasjeve të tyre dhe planet për të ardhmen. Kjo na e shtoi më shumë frikën, megjithatë nuk reshtëm së luturi për shpëtimin tonë.

Vinsenti bëri çmos që të kujdesej për nevojat tona. U strehuam atje për një muaj dhe pastaj, nga fundi i majit, qëndrimi atje u bë shumë i rrezikshëm për shkak të ardhjes së milicëve Interahamue që ia mbathnin nga Kigali. Vëllezërit vendosën të na transferonin në shtëpinë e një vëllai që kishte një si tip qilari poshtë shtëpisë. Ai po fshihte tashmë dy vëllezër e një motër atje. Për të mbërritur në shtëpinë e tij, bëmë një udhëtim të rrezikshëm gjatë natës dhe ecëm për katër orë e gjysmë. Atë natë binte shi i rrëmbyer, e kjo ishte një bekim, sepse na fshehu nga vrasësit.

Vendstrehimi ynë i ri ishte një gropë rreth 1,5 metra e thellë me një dërrasë që shërbente si derë. Për t’u futur aty, na duhej të zbrisnim me anë të një shkalle dhe pastaj kruspull zvarriteshim nëpër një tunel derisa arrinim te dhoma me sipërfaqe rreth dy metra katrorë. Mbante erë myk dhe vetëm një fije dritë futej nga një e çarë. Unë me gruan, Shantalën, pesë fëmijët tanë dhe tre të tjerë, gjithsej dhjetë veta, qëndruam gjashtë javë në këtë gropë klaustrofobike. Nuk guxonim të ndiznim as edhe një qiri, sepse mund të na zbulonin. Megjithatë, në të gjitha këto vështirësi dhe vuajtje, Jehovai na mbështeti. Vëllezërit rrezikuan jetën e tyre për të na sjellë ushqime, ilaçe dhe për të na thënë fjalë inkurajuese. Nganjëherë mund të ndiznim një qiri gjatë ditës që të mund të lexonim Biblën, Kullën e Rojës ose shkrimin e ditës.»

Tarsisi vazhdon: «Çdo histori e ka një fund. Edhe kjo histori përfundoi më 5 qershor 1994. Vinsenti na njoftoi se Butaren e kishte marrë ushtria antiqeveritare. Kur dolëm nga qilari, disa njerëz nuk e kuptuan që ishim ruandezë, ngaqë lëkura na ishte zbehur nga mungesa e diellit. Për më tepër, nuk flitnim dot me zë të lartë për ca kohë, por vetëm pëshpëritnim. Na u deshën javë që të merrnim veten.

Të gjitha këto ngjarje patën një ndikim të thellë te gruaja ime, e cila gjatë këtyre dhjetë vjetëve nuk kishte dashur të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, tani ajo nisi studimin. Kur e pyetnin pse e filloi, u përgjigjej: ‘U preka nga dashuria që na treguan vëllezërit dhe sakrificat që bënë për të na shpëtuar. Ndjeva gjithashtu dorën e fuqishme të Jehovait, i cili na shpëtoi nga hanxharët e vrasësve.’ Ajo ia kushtoi jetën Jehovait dhe u pagëzua në asamblenë e parë pas luftës.

U jemi mjaft mirënjohës të gjithë vëllezërve dhe motrave që bashkëpunuan për të na shpëtuar, si me vepra edhe me lutjet e tyre nga zemra. Provuam dashurinë e tyre të thellë dhe të sinqertë, që tejkalonte çdo barrierë etnike.»

NDIHMË PËR DIKË QË NDIHMOI

Zhystin Ruagatore, një nga vëllezërit që ndihmoi për të shpëtuar familjen e vëllait Seminega, më vonë pati edhe vetë nevojë për ndihmë. Më 1986 e burgosën sepse nuk kishte pranuar të përfshihej në politikën e qeverisë në fuqi. Disa vjet më vonë, pasi mbrojti familjen e vëllait Seminega, Zhystinin e disa vëllezër të tjerë i arrestuan përsëri për shkak të qëndrimit të tyre asnjanës. Vëlla Seminega bënte pjesë në delegacionin që shkoi tek autoritetet vendëse për të sqaruar pse Dëshmitarët e Jehovait nuk përfshiheshin në politikë. Ai u shpjegoi autoriteteve se Zhystini kishte ndihmuar për shpëtimin e familjes së tij. Si përfundim, të gjithë vëllezërit i liruan nga burgu.

Shembulli i vëllezërve tanë gjatë gjenocidit nxiti të tjerë të pranonin të vërtetën. Suzana Lizinde, një katolike në mes të të 60-ave, pa rolin që luajti kisha për të mbështetur gjenocidin. Sjellja e Dëshmitarëve të Jehovait në zonën e saj gjatë kësaj kohe dhe dashuria që kishin ndaj njëri-tjetrit, e shtyu të bënte një përparim të shpejtë. Suzana u pagëzua në janar të 1998-s dhe nuk mungoi në asnjë mbledhje të kongregacionit, edhe pse i duhej të ecte pesë kilometra nëpër kodra. Ndihmoi edhe familjen e saj të mësonte të vërtetën. Sot, një nga djemtë është plak dhe një nga nipërit është shërbëtor ndihmës.

QINDRA MIJË IKIN NGA VENDI

Pasi u largua nga Ruanda për në Kenia në prill të 1994-s, Henk van Buseli, një misionar që u caktua në Ruandë më 1992, udhëtoi disa herë për në Gomë, në lindje të Kongos. Atje, ai ndihmoi me programin e ndihmës për refugjatët ruandezë. Nga krahu i Kongos, vëllezërit patrullonin përgjatë pikave kufitare duke mbajtur nëpër duar botime biblike dhe duke kënduar ose fishkëllyer këngët e Mbretërisë, kështu që Dëshmitarët ruandezë të mund t’i njihnin.

Kudo ishte përhapur paniku. Ndërsa vazhdonte lufta mes forcave qeveritare dhe Frontit Patriotik Ruandez, qindra mijë njerëz iknin nga vendi për në Kongo dhe Tanzani. Pika e grumbullimit për vëllezërit që vinin në Gomë ishte Salla e Mbretërisë. Më vonë, jashtë qytetit u ngrit një kamp refugjatësh, në të cilin mund të strehoheshin më shumë se 2.000 veta​—vetëm Dëshmitarë të Jehovait, fëmijët e tyre dhe të interesuarit. Vëllezërit ngritën kampe të ngjashme edhe në vende të tjera në lindje të Kongos.

Ndërsa njerëzit që linin vendin ishin kryesisht hutu të frikësuar nga raprezaljet, vëllezërit që iknin së bashku ishin hutu dhe tutsi. Të prisje tutsit përtej kufirit në Gomë ishte shumë e rrezikshme, meqë vrasja e tyre vazhdonte ende. Në një periudhë, çmimi për të nxjerrë fshehurazi vëllezërit nga vendi arriti në 100 dollarë për person.

Kur hynin në Kongo, vëllezërit donin të rrinin bashkë. Nuk donin të kishin të bënin me milicinë Interahamue, e cila ishte aktive në kampet që kishin ngritur Kombet e Bashkuara. Për më tepër, pjesa më e madhe e refugjatëve që s’ishin Dëshmitarë përkrahte qeverinë që po jepte dorëheqjen. Dëshmitarët e Jehovait nuk shiheshin me sy të mirë prej tyre, veçanërisht prej Interahamues, sepse nuk ishin bashkuar me ta. Vëllezërit donin të rrinin të ndarë, kështu mund të mbronin edhe vëllezërit e tyre tutsi.

Meqë ata që ishin larguar nga Ruanda kishin lënë gjithçka atje, kishin nevojë për ndihmë. Kjo ndihmë u erdhi nga Dëshmitarët e Jehovait të Belgjikës, Francës, Kenias, Kongos dhe Zvicrës, të cilët u dërguan pará, ilaçe, ushqime, veshje, si dhe mjekë e infermierë. Në një nga fluturimet e para për të sjellë këto ndihma, erdhën shumë tenda të vogla që i kishte dërguar dega e Francës. Më vonë, dega e Belgjikës dërgoi çadra të mëdha ku mund të strehoheshin familje të tëra. U dërguan edhe krevate portative dhe dyshekë me ajër. Dega e Kenias dërgoi më shumë se dy tonë veshje dhe mbi 2.000 batanije.

SHPËRTHEN KOLERA

Pasi ikën nga Ruanda, më shumë se 1.000 Dëshmitarë e të interesuar qëndruan në Sallën e Mbretërisë dhe në pjesën e tokës përreth. Tragjikisht, si pasojë e numrit shumë të madh të refugjatëve, në Gomë shpërtheu kolera. Dega e Kongos (Kinshasë) dërgoi menjëherë ilaçe për të luftuar epideminë dhe vëlla Van Buseli solli me avion nga Najrobi 60 kuti me ilaçe. Salla e Mbretërisë u përdor përkohësisht si spital dhe u bënë përpjekje për ta izoluar epideminë. Loik Damalaini dhe një vëlla tjetër, që të dy mjekë, bashkë me Emablë Habimana, një ndihmësmjek nga Ruanda, shërbyen pa u kursyer. Edhe vëlla Ameli nga Franca dha një ndihmë shumë të madhe gjatë atyre problemeve, siç bënë edhe shumë vëllezër e motra me përvojë në mjekësi, të cilët kishin ardhur si vullnetarë që të kujdeseshin për të sëmurët.

Ndonëse u bënë përpjekje të mëdha për ta ndalur, u infektuan më shumë se 150 vëllezër e të interesuar, dhe rreth 40 veta vdiqën para se përhapja e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse të mund të ndalej. Më vonë u mor me qira një pjesë e madhe toke që do të përdorej si kamp refugjatësh për Dëshmitarët e Jehovait. U vunë qindra tenda të vogla dhe një tendë e madhe, që e kishin dërguar nga Kenia, u përdor si spital. Kur punonjësit amerikanë të higjienës vizituan kampin, u bëri përshtypje pastërtia dhe rregulli.

Në fillim të gushtit të 1994-s, komiteti i ndihmës në Gomë po kujdesej për 2.274 refugjatë​—Dëshmitarë, fëmijë dhe të interesuar. Në të njëjtën kohë, kishte edhe shumë vëllezër të tjerë refugjatë në Bukavu dhe Uvira, në lindje të Kongos, si dhe në Burundi. Kurse 230 të tjerë ishin në kampin e refugjatëve në Tanzani.

Kur vëllezërit e zyrës së përkthimit në Kigali u detyruan të largoheshin për në Gomë, morën një shtëpi me qira që të vazhdonin përkthimin. Ata arritën ta vazhdonin punën, sepse gjatë luftës kishin shpëtuar një kompjuter dhe një gjenerator që i morën nga Kigali në Gomë.

Në Gomë, telefoni dhe shërbimet postare pothuajse nuk ekzistonin. Megjithatë, me ndihmën e Dëshmitarëve që punonin në aeroport, vëllezërit i dërgonin materialet e përkthyera dhe korrespondencën me atë të fluturimeve javore nga Goma në Najrobi. Vëllezërit nga dega e Kenias ua kthenin në të njëjtën mënyrë.

Emanuel Ngirente dhe dy përkthyes të tjerë vazhduan të përkthenin sa më mirë që mundën, edhe pse rrethanat ishin të vështira. Për shkak të luftës, disa artikuj të Kullës së Rojës nuk ishin përkthyer, por më vonë u përkthyen dhe u botuan në një broshurë të veçantë që vëllezërit e studiuan në Studimin e Librit të Kongregacionit.

JETA NË KAMPET E REFUGJATËVE

Teksa popullsia vazhdonte të ikte nga Kigali, Fransina, e cila kishte shkuar në Gomë pas vrasjes së të shoqit, Ananisë, u transferua në një nga kampet e ngritura nga Dëshmitarët. Ajo përshkruan jetën në kamp: «Disa vëllezër e motra ishin caktuar të përgatitnin ushqimin çdo ditë. Përgatitnim një mëngjes të thjeshtë me mel dhe bollgur misri. Bënim edhe drekën. Pasi mbaronim këtë caktim, ishim të lirë të shkonim në shërbim. U predikonim kryesisht familjarëve në kampin tonë që nuk ishin Dëshmitarë dhe gjithashtu atyre që jetonin jashtë kampit. Mirëpo, pas disa kohësh, milicët Interahamue në kampe të tjera, u acaruan kur shihnin Dëshmitarët nëpër kampe veçmas nga refugjatët e tjerë, dhe situata u bë e rrezikshme.»

Në nëntor të 1994-s u bë e qartë se vëllezërit do të ishin më të sigurt po të ktheheshin në Ruandë. Kjo faktikisht ishte e arsyeshme, duke parë sa të pasigurta ishin kampet me jo-Dëshmitarë në Kongo. Por kthimi do të ishte i vështirë. Interahamue shpresonte të riorganizohej dhe të sulmonte Ruandën, prandaj, për ta, kushdo që ikte nga Kongoja për t’u kthyer në Ruandë ishte një dezertor.

Vëllezërit informuan qeverinë në Ruandë se Dëshmitarët e Jehovait, të cilët kishin qenë asnjanës gjatë luftës dhe nuk kishin marrë pjesë në gjenocidin e tutsve, donin të riatdhesoheshin. Qeveria i këshilloi vëllezërit të bisedonin me Komisionin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) që kishte automjetet të cilat mund të përdoreshin për riatdhesimin. Megjithatë, ngaqë milicët do t’i kishin ndaluar të ktheheshin në Ruandë, vëllezërit duhej të përdornin një strategji.

Vëllezërit njoftuan se në Gomë do të mbahej një asamble speciale njëditore dhe u përgatitën banderolat për asamblenë. Pastaj informuan fshehtas Dëshmitarët për riatdhesimin në Ruandë. Për të mos ngjallur dyshime, vëllezërit morën udhëzime që të linin gjithçka kishin në kamp dhe të merrnin vetëm Biblat e librat e këngëve sikur po shkonin në një asamble.

Fransina kujton se ecën për disa orë derisa arritën te kamionët që po i pritnin për t’i çuar në kufi. Në kufirin ruandez, UNCHR-ja mori masa që t’i transportonte fillimisht në Kigali, pastaj në zonat ku kishin shtëpitë. Kështu shumica e vëllezërve me familjet e tyre, si dhe të interesuarit u riatdhesuan në dhjetor të vitit 1994. Gazeta belge Le Soir e 3 dhjetorit të 1994-s raportonte: «1.500 refugjatë ruandezë vendosën të lënë Zairenë [Kongon] sepse mendonin që nuk u garantohej siguri e mjaftueshme. Ata janë Dëshmitarë të Jehovait që kishin ngritur kampin e tyre sipër kampit të Katales. Qeveria e mëparshme ka përndjekur veçanërisht Dëshmitarët e Jehovait, sepse nuk pranonin të merrnin armët dhe nuk përfshiheshin në grumbullime politike.»

Pas kthimit në Ruandë, Fransina mori pjesë në një kongres krahinor në Najrobi. E ngushëlluar pas vdekjes së të shoqit dhe e forcuar nga shoqëria me vëllezërit e motrat, Fransina u kthye në zyrën e përkthimit e cila ishte rihapur në Kigali. Më vonë, u martua me Emanuel Ngirenten dhe të dy vazhdojnë të punojnë në zyrën e degës.

Si arriti Fransina t’ia dilte mbanë gjatë luftës? Ajo thotë: «Në atë kohë në mendje kishim vetëm një gjë​—të duronim deri në fund. Vendosëm të mos mbanim mendjen në gjërat e tmerrshme që po ndodhnin. Më ngushëlluan vargjet e Habakukut 3:17-19, që tregojnë si mund të gjejmë gëzim në kohë të vështira. Vëllezërit e motrat më inkurajuan shumë. Disa më shkruan letra. Kjo më ndihmoi që të mbaja një qëndrim frymor pozitiv. Nuk harroja se Satanai përdor shumë dredhi. Nëse mbajmë mendjen te një problem, mund të biem pre e një problemi tjetër. Nëse nuk jemi vigjilentë, mund të nxjerrë krye ndonjë dobësi.»

KTHIMI NË RUANDË

Vëllai Van Buseli ndihmoi jashtëzakonisht vëllezërit që u kthyen. Ai shpjegon: «U ndërmor një program ‘rifillimi’ për të ndihmuar vëllezërit që të mëkëmbeshin pas luftës, duke përfshirë edhe ata që kishin qëndruar në Ruandë e kishin humbur gati çdo gjë. U caktuan vëllezër që të vizitonin çdo kongregacion që të vlerësonin gjendjen. Familjeve dhe individëve iu dhanë ndihma sipas nevojave të tyre. Vëllezërit e kuptuan se pas tre muajsh duhej të fillonin të kujdeseshin vetë.»

Sigurisht iu kushtua vëmendje nevojave frymore të vëllezërve. Skuadra e përkthimit u kthye ku ishte në fillim në Kigali. Vëllai Van Busel sjell ndër mend se, shtëpia që kishim përdorur si zyrë, ishte bërë shoshë nga plumbat, por shumica e librave në depo ishte ende atje. Për shumë muaj gjetën plumba në kutitë e literaturës. Madje, një nga përkthyesit gjeti një granatë dore në kopsht. Vitin pasues, nga tetori i 1995-s, skuadra e përkthimit u transferua në një ndërtesë shumë më të madhe e më të përshtatshme, në anën tjetër të qytetit. Kjo ndërtesë me qira u përdor si zyrë dhe banesë derisa u ndërtua dega e re në vitin 2006.

«ISHTE SIKUR PO PËRJETONIM RINGJALLJEN!»

Nga dhjetori i 1994-s, pjesa më e madhe e vëllezërve ishin kthyer nga Kongoja tamam në kohë për kongresin krahinor, i cili kishte një temë të përshtatshme «Frikë Perëndie». Ishte programuar që të mbahej në sheshin e një Salle Mbretërie në Kigali. Për ta ndjekur këtë kongres, erdhën vëllezër nga Franca, Kenia dhe Uganda. Të premten në mëngjes, sheshi i Sallës ishte mbushur plot me vëllezër. Një motër kujton: «Ishte prekëse të shihje vëllezër dhe motra që përqafonin njëri-tjetrin me lot në sy. Ritakoheshin për herë të parë që nga fillimi i luftës. Takuan miq që mendonin se kishin vdekur!» Një motër tjetër thotë: «Ishte sikur po përjetonim ringjalljen!»

Vëlla Gynter Reshke ishte mes vëllezërve që kishin ardhur nga Kenia. Ai thotë: «Ç’ngazëllim ishte të takoheshim përsëri pas gjithë atyre vuajtjeve dhe të shihnim kush kishte mbijetuar! Por kishte një problem. Autoritetet ishin të shqetësuara që të mblidheshin kaq shumë veta. Pas mesditës, ushtarë të armatosur erdhën dhe thanë se për çështje sigurie asambleja ishte anuluar. Duhej të iknim menjëherë nga aty. Ndenjëm pak për të inkurajuar miqtë, por në fund na u desh të ktheheshim në Najrobi, të zhgënjyer që vëllezërit nuk mundën të shijonin programin e kongresit. Ndonëse ishte shkurajuese, e dinim se kishim bërë çmos për t’u dhënë zemër personalisht vëllezërve që të vazhdonin në besim, e u larguam të bindur se ata ishin të vendosur të vazhdonin.»

Tani që në vend ishte vendosur njëfarë paqeje, shumë njerëz me origjinë ruandeze, të cilët jetonin jashtë shtetit, vendosën të ktheheshin. Mes të kthyerve kishte edhe nga ata që kishin lindur jashtë Ruandës pasi prindërit ishin arratisur gjatë trazirave politike e etnike në fund të viteve 50 dhe gjatë viteve 60. Ndër këta kishte edhe njerëz që kishin mësuar të vërtetën në shtete të tjera. Për shembull, Xhejms Munjaburanga me familjen e morën të vërtetën në Republikën e Afrikës Qendrore. Ngaqë qeveria e re në Ruandë ishte gati t’u ofronte poste qeveritare të kthyerve nga mërgimi, vëllait Munjaburanga iu ofrua një punë. Megjithatë, pas kthimit në Ruandë, të afërmit e kolegët e përndoqën dhe e tallën sepse kishte zgjedhur të jetonte sipas parimeve të krishtere. Në fund, ai kërkoi të dilte në pension para kohe dhe u bë pionier i rregullt. Tani është një përfaqësues ligjor i zyrës së degës.

Ngirabakunzi Mashariki mësoi të vërtetën në lindje të Kongos. Ai thotë: «Ngaqë isha një tutsi, për vite të tëra, më është dashur të duroj diskriminimin. Kur takova Dëshmitarët e Jehovait, m’u duk sikur isha në një planet tjetër. Ishte si një mrekulli të rrije me njerëz seriozë që jetonin në përputhje me atë që mësonin. Kjo dashuri doli edhe më në pah gjatë gjenocidit të tutsve në vitin 1994. Vëllezërit fshehën dhe mbrojtën familjen time. Më ftuan në Bethel më 1998, e tani shërbej me gruan time, Emeransën. Mezi pres botën e re, ku çdo paragjykim e diskriminim do t’i përkasë së kaluarës dhe toka do të mbushet me njerëz që thërrasin emrin e Jehovait e që jetojnë së bashku në unitet.»

VEPRA MERR VRULL

Në mars të vitit 1994, vetëm pak para luftës, në Ruandë kishte 2.500 lajmëtarë. Në maj të 1995-s, u arrit një maksimum i ri prej 2.807 lajmëtarësh, pavarësisht se shumë ishin vrarë gjatë gjenocidit. Ata me zemër të sinqertë u mblodhën në organizatën e Jehovait. Për shembull, një motër pioniere speciale drejtonte më shumë se 22 studime biblike, dhe të tjerë pritnin radhën! Një mbikëqyrës qarkor vërejti: «Lufta i ndihmoi njerëzit të kuptonin se grumbullimi i gjërave materiale nuk kishte vlerë.»

Në janar të 1996-s, vëllezërit mbajtën kongresin krahinor me titull «Lavdërues të gëzuar». Sa kongres i gëzueshëm ishte! Meqë ai i vitit të kaluar ishte anuluar, ky ishte kongresi i parë që u mbajt pas luftës. Një vëlla tha: «Shihje përqafime bashkë me lot, dhe ajo që të prekte veçanërisht ishin vëllezërit e motrat hutu e tutsi tek përqafonin njëri-tjetrin.» Maksimumi i të pranishmëve ishte 4.424 veta dhe 285 u pagëzuan. Vëllai Reshke sjell ndër mend: «Ishte shumë prekëse të dëgjoje kandidatët për pagëzim që u përgjigjeshin me zë të lartë ‘Jego!’ (po) dy pyetjeve të pagëzimit. Pritnin në radhë në fushën e lojës që të pagëzoheshin dhe ishin bërë qull nga një stuhi e fortë. Nuk merakoseshin fare. Qëndrimi i tyre ishte: ‘Do të lagemi që do të lagemi!’»

Henk van Buseli u kthye në Ruandë dhe Gynter Reshke, që kishte ardhur për të ndihmuar me rifillimin e veprës, u caktua përgjithmonë atje. Nuk kaloi shumë, edhe Gadfri e Xheni Binti u kthyen përsëri në Ruandë.

I BIRI KISHTE HUMBUR DHE U GJET!

Në vitet pas luftës, familjet që ishin ndarë, u ribashkuan. Për shembull, më 1994, ndërsa lufta mes dy ushtrive intensifikohej në Kigali, popullata u largua në masë, dhe si pasojë në panik. Në këtë periudhë, Orest Murinda u nda nga gruaja dhe iku bashkë me djalin e tyre dy vjeç e gjysmë në Gitarama. Kur doli për të kërkuar ushqim, luftimet nisën përsëri, e në rrëmujë e sipër, u nda edhe nga i biri.

Pas luftës, Oresti dhe gruaja e tij u ribashkuan, por i biri ende mungonte. Ata menduan se e kishin vrarë. Megjithatë, më shumë se dy vjet më vonë, një burrë nga fshati, i cili nuk ishte Dëshmitar, erdhi në Kigali për punë. Ai takoi disa vëllezër dhe rastësisht muhabeti doli se dy fqinjë të tij në Gisenji kishin humbur fëmijët gjatë luftës, por tani po kujdeseshin për një jetim. Ky fëmijë kujtonte emrin e të atit dhe se prindërit ishin Dëshmitarë të Jehovait. Vëllezërit e njohën menjëherë emrin dhe u lidhën me prindërit të cilët i treguan këtij burri disa fotografi të të birit. Po, ishte djali i tyre! Oresti shkoi menjëherë ta merrte, dhe prindërit u bashkuan me të birin pas dy vitesh e gjysmë. Djali tani është lajmëtar i pagëzuar.

Të bën përshtypje se vëllezërit u kujdesën për të gjithë fëmijët që kishin mbijetuar dhe u kishin vdekur prindërit Dëshmitarë. Asnjë nuk u çua në jetimore. Nganjëherë vëllezërit u kujdesën edhe për fëmijët jetimë të fqinjëve ose të familjarëve të tyre. Një çift që kishte dhjetë fëmijë të vetët, mori dhe u kujdes edhe për dhjetë jetimë.

NË VERI KTHEHET PASIGURIA

Nga fundi i vitit 1996, për shkak të luftës civile në Kongo u bë gjithnjë më e vështirë të ruhej siguria në kampet e refugjatëve, ku kishin mbetur mbi një milion refugjatë ruandezë. Në nëntor, refugjatët u detyruan ose të ktheheshin në Ruandë, ose t’ia mbathnin nëpër pyjet e shiut të Kongos. Shumica u kthyen, përfshirë edhe vëllezërit që kishin mbetur e që nuk ishin kthyer në dhjetor të vitit 1994. Ishte një pamje e paharrueshme. Mori njerëzish, të moshuar dhe të rinj, ecnin në rrugët e Kigalit me rroba të pluhurosura nga dheu afrikan e bohçe në kokë. Të gjithë refugjatëve iu desh të ktheheshin në vendlindje, ose në komunitetin e tyre, që të regjistroheshin përsëri. Për njëfarë kohe, masat e sigurimit u forcuan shumë.

Mjerisht, me refugjatët u kthyen edhe shumë persona të padëshiruar, përfshirë disa milicë Interahamue të cilët u përpoqën të vazhdonin aktivitetin e tyre në veriperëndim të vendit. Si kundërpërgjigje, atje u dërgua ushtria për të rivendosur sigurinë. Në atë zonë jetonin shumë vëllezër dhe për ta ishte një sprovë e madhe të qëndronin asnjanës. Mes 1997-s dhe 1998-s, humbën jetën më shumë se 100 lajmëtarë, në shumicën e rasteve ngaqë mbajtën me besnikëri asnjanësinë e krishterë. Nganjëherë, në atë zonë ishte shumë e rrezikshme që mbikëqyrësit qarkorë të bënin vizita të rregullta.

NJË ÇIFT I GUXIMSHËM

Teobald Munjampundu me të shoqen, Beransilën, ishte një nga mbikëqyrësit e paktë qarkorë që vizitoi kongregacionet në atë rajon të pasigurt. Ata ishin mësuar me rrezikun. Teobaldi ishte pagëzuar në vitin 1984, dhe dy vjet më vonë ishte një nga shumë vëllezërit e motrat që i futën në burg, ku e rrahën mizorisht. Jo vetëm kaq, ai dhe e shoqja kishin rrezikuar jetën për të fshehur të tjerë gjatë gjenocidit të tutsve. Pasi i shpëtuan jetën një adoleshenti, mamaja e të cilit ishte vrarë gjatë gjenocidit, ata kaluan në Tanzani. Atje, Teobaldi vizitoi dy kampet e refugjatëve në Benako dhe Karague që të inkurajonte vëllezërit, ndonëse udhëtimi mes dy kampeve ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm për shkak të banditëve.

Kur u kthyen në Ruandë, Teobaldi dhe e shoqja rrezikuan prapë jetën për të vizituar Dëshmitarët në rajonin e trazuar në veriperëndim të vendit. Teobaldi thotë: «Ndonjëherë kongregacionet që vizitonim ishin larg. Ngaqë nuk kishte siguri, nuk mund ta kalonim natën atje. Më kujtohet një vizitë. Ishte stinë me shira dhe, që të shkonim për të vizituar vëllezërit, përditë na duhej të ecnim katër orë përmes rrebeshit e pastaj edhe katër orë të tjera për t’u kthyer në mbrëmje aty ku ishim strehuar.»

Teobaldi përshkruan një vëlla që takoi kur vizitoi një grup të izoluar në atë zonë: «Zhan-Pieri është i verbër, por unë u mahnita kur u ngrit për leximin e Biblës në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe recitoi përmendsh pjesën e caktuar, pa asnjë gabim, madje me pikësimin e duhur! I kishte kërkuar një vëllai, që ishte lexues i mirë, t’i lexonte më përpara pjesën, kështu ai mund ta mësonte përmendsh. U inkurajova vërtet nga vendosmëria e tij.»

Duke menduar thellë për jetën e plotë që ka bërë, nganjëherë edhe të rrezikshme, Teobaldi thotë: «Gjatë gjithë atyre kohëve të vështira, kemi pasur besim te Jehovai dhe shpesh kemi menduar për fjalët e Hebrenjve 13:6: ‘Jehovai është ai që më ndihmon, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?’» Pasi kanë shërbyer besnikërisht në veprën qarkore dhe krahinore, ai bashkë me të shoqen vazhdojnë të shërbejnë si pionierë specialë, me gjithë problemet shëndetësore.

SALLA E ASAMBLESË

Ndërsa numri i Dëshmitarëve rritej, në Kigali u bë gjithnjë e më e vështirë të gjendeshin ndërtesa të përshtatshme për të mbajtur kongreset. Për shembull, në dhjetor të vitit 1996 në një stadium u mbajt kongresi krahinor «Lajmëtarë të paqes hyjnore». Mirëpo një kanal shkarkimi i ujërave të zeza të burgut aty afër prishi gjithë programin. Vëllezërit ankoheshin për erën e keqe dhe prindërit kishin frikë për shëndetin e fëmijëve. Duke pasur parasysh kushtet e këqija, Komiteti i Vendit vendosi unanimisht se ky do të ishte kongresi i fundit krahinor që mbanin në këtë stadium. Po ku tjetër mund të mbaheshin kongreset?

Ministria e Tokave i kishte caktuar një truall një kongregacioni në Kigali për të ndërtuar Sallën e Mbretërisë. Toka ishte shumë më e madhe nga ç’duhej dhe, nëse vëllezërit paraqitnin projektin vetëm për një Sallë Mbretërie, kishe të ngjarë që ministria t’ua hiqte një pjesë toke dhe t’ia caktonte dikujt tjetër. Prandaj me besim te Jehovai, ata paraqitën një projekt për një Sallë Mbretërie dhe për një Sallë Asambleje të thjeshtë, me mundësinë për të ndërtuar më vonë një Sallë Mbretërie tjetër. Autoritetet vendëse e miratuan projektin.

Vëllezërit e përgatitën truallin dhe e rrethuan. Qindra vullnetarë pastruan vendin nga shkurrnajat dhe hapën gropa të thella që do të përdoreshin si nevojtore. Tani kishin një vend të bukur me një pjerrinë të butë, një vend ideal për asambletë.

Në muajt vijues, në këtë pronë vëllezërit mbajtën dy asamble dhe një mbledhje speciale, por erëra të forta dhe shiu i detyruan pjesëmarrësit të mblidheshin nën mushama dhe çadra. Si rrjedhojë, vëllezërit i bënë një rekomandim Trupit Udhëheqës për të ndërtuar një Sallë Asamblesh të thjeshtë e të hapur.

Në mars të 1998-s, Trupi Udhëheqës dha lejen për të ndërtuar Sallën e Asamblesë. Puna përgatitore filloi menjëherë. Gjatë gjithë ndërtimit, familje të tëra punuan së bashku duke gërmuar gropa të thella për themelet. Të gjithë punuan krah për krah në unitet. Më 6 mars 1999, Zhan-Zhyl Giju nga dega e Zvicrës bëri fjalimin e kushtimit të kësaj ndërtese të shkëlqyer.

Që nga viti 1999, siguria u kthye në të gjithë vendin. Në shkurt të atij viti, Ralf dhe Xhenifer Xhonsi, një çift misionarësh të rinj, u caktuan të punonin në zyrën e vendit, dhe familja Bethel u rrit me 21 veta.

Dy vëllezër ruandezë ishin diplomuar në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim (që tani quhet Shkolla Biblike për Vëllezërit Beqarë) në Kinshasë, Kongo, gati 1.600 km larg. Megjithatë, tani që në Kongo kishte luftë, ishte gjithnjë më e vështirë që ruandezët të shkonin në Kinshasë. Duke pasur parasysh këtë, Trupi Udhëheqës miratoi që në Kigali të mbahej Shkolla e Stërvitjes për Shërbim. Klasa e parë me 28 studentë nga Burundi, Kongoja dhe Ruanda u diplomua në dhjetor të vitit 2000.

Në maj të 2000-shit, Ruanda u bë degë, dhe shpejt pas kësaj, vëllezërit gjetën një truall të përshtatshëm për të ndërtuar një zyrë dege që do të kujdesej për veprën që po rritej me të shpejtë. Në prill të vitit 2001, ata blenë dy hektarë tokë. Shumë vëllezër nga Kigali nuk do ta harrojnë punën e vështirë që u bë për ta pastruar nga shkurret atë vend që ishte braktisur prej vitesh.

SHPËRTHIMI I VULLKANIT NË LINDJE TË KONGOS

Më 17 janar të vitit 2002, vullkani Njiragongo, në lindje të Kongos, rreth 16 km nga Goma, shpërtheu dhe pjesës më të madhe të popullsisë së asaj zone iu desh të braktiste shtëpitë. Shumica e 1.600 lajmëtarëve, bashkë me fëmijët e të interesuarit, kaluan kufirin e shkuan në Gisenjin aty afër, në Ruandë, dhe u drejtuan në Sallat e Mbretërisë aty përreth.

Të nesërmen vëllezërit e zyrës së degës të Ruandës ngarkuan një kamion tretonësh me ndihma, ku përfshiheshin ushqime, batanije dhe ilaçe. Ndihmat u shpërndanë me shpejtësi në gjashtë Salla Mbretërie të zonës në kufi me Kongon.

Për arsye sigurie, qeveria ruandeze kishte frikë të linte kaq shumë qytetarë kongolezë në Salla Mbretërie dhe nguli këmbë që të shkonin në kampe refugjatësh. Për të vendosur se ç’do të bënin, një delegacion nga Komiteti i Degës të Ruandës u takua në Gomë me dy anëtarë të Komitetit të Degës të Kongos dhe pleq të kongregacioneve në Goma. Vëllezërit kongolezë këmbëngulën që vëllezërit e tyre të mos shkonin në kampet e refugjatëve. Ata thanë: «Në vitin 1994, ne u kujdesëm për më shumë se 2.000 vëllezër ruandezë me familjet e tyre dhe të interesuarit, prandaj në vend që t’i lëmë vëllezërit t’i futin në kampe, më mirë të kthehen në Gomë, dhe do të kujdesemi për ta siç u kujdesëm për vëllezërit ruandezë.»

Vëllezërit kongolezë treguan një mikpritje të jashtëzakonshme, duke i marrë vëllezërit në shtëpitë e tyre, në vend që t’i linin në kampe që drejtoheshin nga organizata të tjera. Kështu, vëllezërit me familjet e tyre u kthyen në Gomë, ku gjetën mikpritje. Pas kësaj, u dërguan më shumë ndihma, ku përfshiheshin edhe tenda prej mushamaje nga Belgjika, Franca dhe Zvicra. Vëllezërit qëndruan në Gomë derisa të mund të ndërtonin shtëpi të reja për ta.

ARRITJE TEOKRATIKE

Sa për degën e re, Zyra Rajonale e Inxhinierisë në degën e Afrikës së Jugut bëri projektin dhe për ta ndërtuar u mor një firmë lokale ndërtimi. Vullnetarë ndërkombëtarë ndihmuan me projektin dhe shumë Dëshmitarë vendas erdhën vullnetarisht për rregullimin e mjedisit jashtë e përfundimin e punëve të tjera. Pavarësisht nga disa pengesa dhe vështirësi, familja Bethel hyri në ndërtesat e bukura të degës së re në mars të 2006-s. Po atë vit, Gaj Piërsi nga Trupi Udhëheqës dhe gruaja e tij erdhi për programin special të kushtimit të degës më 2 dhjetor 2006. Morën pjesë rreth 553 vëllezër e motra, në mes tyre edhe 112 delegatë nga 15 shtete të ndryshme.

Xhim dhe Rakela Holmsi, nga Kanadaja, punuan në projektin e ndërtimit. Ata njihnin gjuhën amerikane të shenjave dhe u ofruan që, pas studimit të Kullës së Rojës të hënave në familjen Bethel, t’ua mësonin këtë gjuhë edhe atyre bethelitëve që donin. Gjashtë bethelitë ishin të interesuar dhe u bënë kaq të aftë, sa shpejt filloi një grup i gjuhës së shenjave.

Atëherë, në qershor të vitit 2007, Kevin Rupi, një i diplomuar i Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në Zvicër, u caktua si misionar në Ruandë që të ndihmonte në fushën e gjuhës së shenjave. Pak më vonë, një çift misionarësh kanadezë me përvojë në gjuhën e shenjave erdhi në Ruandë. Në korrik të vitit 2008 u formua një kongregacion i gjuhës së shenjave dhe shpejt u formuan edhe shumë grupe të tjera.

Sa të lumtur ishin vëllezërit kur në kongresin krahinor 2007 u njoftua se ishte përfunduar botimi Shkrimet e Krishtere Greke​—Përkthimi Bota e Re gjuhën kiniaruande! Tashmë në vitin 1956, Shoqatat e Bashkuara të Biblës kishin botuar një Bibël të plotë në gjuhën kiniaruande. Edhe pse me këtë përkthim ishin bërë përpjekje të sinqerta për ta përcjellë Biblën në gjuhën vendëse, madje duke përdorur emrin JEHOVA shtatë herë në Shkrimet Hebraike, Përkthimi Bota e Re ishte në dispozicion të të gjithëve, pavarësisht nga mundësitë e pakta. Falë punës së palodhur të përkthyesve vendës në bashkëpunim me Repartin për Mbështetjen e Përkthimit në Nju-Jork, ky përkthim i ri është i saktë dhe lexohet lehtësisht. Sa të ngroh zemrën të shohësh shumë fëmijë në Sallën e Mbretërisë, secili me Biblën e vet, që ngrenë duart tërë dëshirë për të lexuar një shkrim në mbledhje!

SPROVA TË REJA ASNJANËSIE

Edhe pse kishin pasur liri fetare që kur morën njohjen ligjore në vitin 1992, vëllezërit kishin hasur probleme të vazhdueshme ngaqë mbanin asnjanësinë e krishterë. Gjatë 15 viteve të kaluara, qindra vëllezër janë arrestuar ngaqë nuk morën pjesë në patrullat ushtarake të natës. Megjithatë, pasi delegacione me vëllezër patën takime me ministra të qeverisë, autoritetet ranë dakord që t’i lejonin vëllezërit të bënin shërbim alternativ.

Në vitet e fundit, 215 mësues kanë humbur punën, sepse refuzuan të merrnin pjesë në seminare politike. Pas kësaj, 118 nxënës u përjashtuan nga shkolla, ngaqë nuk pranuan të këndonin himnin e flamurit. Përfaqësues të degës shkuan tek autoritetet për t’u shpjeguar qëndrimin tonë asnjanës dhe, pas shumë muajsh, shumica e fëmijëve u lejua të kthehej në shkollë. Duke iu referuar historisë së veprës në Ruandë, vëllezërit theksuan se në vitin 1986 Dëshmitarët e Jehovait u burgosën për shkak të asnjanësisë së tyre. Përsëri më 1994, qëndrimi asnjanës ishte një faktor kyç pse nuk u përfshinë në gjenocid.​—Gjoni 17:16.

Dëshmitarët e Jehovait u binden ligjeve të shtetit dhe janë asnjanës politikisht, pavarësisht se cila qeveri është në pushtet. Për shembull, për këtë qëndrim, më 1986, Fransua-Gzavje Hakizimanin e burgosën për 18 muaj. Pasi ndryshoi qeveria pas gjenocidit, e burgosën përsëri për të njëjtën arsye më 1997 dhe 1998. Shembuj të tillë tregojnë se qëndrimi asnjanës i Dëshmitarëve të Jehovait është i pandryshueshëm dhe ata nuk janë kundër asnjë lloj qeverie në veçanti. Asnjanësia e krishterë bazohet vërtet në parimet e Biblës.

Pavarësisht nga këto sprova të vazhdueshme, vëllezërit gëzojnë disa liri: mbajnë mbledhjet javore e kongreset, predikojnë e mbajnë mbledhje në shumë burgje, ku shumë të burgosur kanë pranuar të vërtetën. Për më tepër, gjatë vitit të shërbimit 2009, populli i Jehovait në Ruandë ka fituar gjashtë çështje gjyqësore.

NJË E ARDHME E SHKËLQYER

Tregimi për Ruandën do të ishte i paplotë po të mos përmendnim programin e shkëlqyer të ndërtimit të Sallave të Mbretërisë. Që nga viti 1999, kur filloi rregullimi i ri për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në vende me të ardhura të pakta, vullnetarë të zellshëm kanë ndërtuar rreth 290 Salla Mbretërie, të thjeshta por të këndshme.

Me mbështetjen entuziaste të lajmëtarëve vendës, vëllezërit përfunduan shumicën e këtyre sallave në tre muaj. Ndërsa Sallat e Mbretërisë ‘mbinin’ në tërë vendin, popullit të Jehovait iu dha një mundësi e mirë t’u jepte dëshmi atyre që vëzhgonin tërë kureshtje. Përveç Sallës së Asamblesë në Kigali, vëllezërit kanë ndërtuar edhe dhjetë Salla Asamblesh të hapura, më të vogla dhe më të thjeshta, që lajmëtarët të mos përshkojnë udhë tepër të largëta nëpër terrenin malor për të marrë pjesë në asamble. Gjithashtu, kanë përfunduar katër Salla Mbretërie që mund të zgjerohen e të përdoren edhe për të mbajtur asamble.

Në muajt e parë të çdo viti kalendarik, të gjitha kongregacionet predikojnë me zell territoret e pacaktuara ose që janë punuar rrallë. Disa herë, lajmëtarëve u duhet të udhëtojnë goxha dhe me shpenzimet e veta për të mbuluar këto territore. Në zona tepër të largëta janë dërguar pionierë specialë të përkohshëm për tre muaj. Si rrjedhojë, grupet e sapoformuara janë themeli për kongregacionet e ardhshme. Për shembull, gjatë fushatës janarmars 2010 janë filluar qindra studime biblike dhe janë formuar nëntë grupe. Gjithashtu, në të njëjtën periudhë, 30 pionierë specialë të përkohshëm hapën 15 grupe të reja.

NJË TJETËR NGJARJE E SHËNUAR PËR RUANDËN

Më 2009, në Kongresin Krahinor «Qëndroni vigjilentë!», vëllezërit u drithëruan kur mësuan për daljen e librit të ri të këngëve dhe dëgjuan një përzgjedhje të këngëve të reja në gjuhën kiniaruande. Libri i ri i këngëve jo vetëm u përkthye menjëherë në kiniaruande, por iu dërgua kongregacioneve tamam në kohë për të filluar mbledhjet me këngët e reja në janar të 2010-s, njësoj si vëllazëria mbarëbotërore.

Kuptohet, pas daljes së Shkrimeve të Krishtere Greke​—Përkthimi Bota e Re më 2007 në kiniaruande, gjithkush pyeste kur do të mund të përkthehej Bibla e plotë në këtë gjuhë. Ndërsa afronte koha për kongresin krahinor 2010, u njoftua se Gaj Piërsi, anëtar i Trupit Udhëheqës, do të vizitonte Ruandën në gusht gjatë kongresit që do të mbahej në Kigali. Kongresi do të mbahej në pallatin e sportit, tamam në anën tjetër të rrugës ku ishte zyra e degës. Atmosfera ishte emocionuese. Ishte e mrekullueshme të dëgjoje vëllanë Piërs tek njoftonte daljen e përkthimit të plotë të Shkrimeve të Shenjta​—Përkthimi Bota e Re në gjuhën kiniaruande! Çdonjëri nga 7.149 vetat që ishin të pranishëm të premten në mëngjes mori një Bibël. Të dielën erdhën edhe vëllezër nga krahina të tjera të Ruandës e numri i të pranishmëve arriti në 11.355 veta. Gjatë kongresit, ushtarët që po marshonin jashtë stadiumit kërkuan kopje të Biblës së re, dhe atyre iu dhanë 180 copë. Edhe kryebashkiaku i Kigalit, shefi i policisë dhe autoritetet në Ministrinë e Sporteve pranuan me kënaqësi kopje të Biblës.

Vepra e predikimit të lajmit të mirë në Ruandë filloi më 1970 me tre lajmëtarë. Tani në vend janë gati 20.000 lajmëtarë. Drejtojnë çdo muaj rreth 50.000 studime biblike. Në prill të 2011-s, në Përkujtim morën pjesë rreth 87.010 veta. Vëllezërit në Ruandë, si në të kaluarën edhe tani, janë të njohur për zellin e tyre. Rreth 25 për qind e lajmëtarëve janë në ndonjë formë të shërbimit të plotkohor dhe pjesa tjetër e lajmëtarëve raportojnë mesatarisht 20 orë çdo muaj. Vëllezërit tanë janë të zënë duke punuar përkrah «Zotërisë të të korrave» në këtë tokë pjellore, dhe as që kanë ndër mend të ngadalësojnë. Ndërkohë që Jehovai vazhdon të bekojë veprën, presim me padurim të shohim sa shumë njerëz nga «Vendi i Një Mijë Kodrave» do të ngjiten në malin e adhurimit të vërtetë të Jehovait.​—Mat. 9:38; Mik. 4:1, 2.

[Shënimet]

^ par. 2 Zakonisht quhet Kongo ose Kongo (Kinshasë) për ta dalluar nga vendi fqinj Kongo (Brazavil). Gjatë këtij tregimi do të përdorim emrin Kongo.

^ par. 95 Debora u bë lajmëtare, u pagëzua 10 vjeçe dhe tani shërben me mamanë si pioniere e rregullt.

^ par. 111 Ajo foshnjë tani është një motër e pagëzuar.

[Diçitura në faqen 178]

Ai i tha auditorit që të ruhej nga Dëshmitarët e Jehovait

[Diçitura në faqen 181]

E përshëndetnin njëri-tjetrin me fjalën «Komera!» që do të thotë: «Merr zemër!»

[Diçitura në faqen 218]

«O Jehova, nuk mund të bëjmë asgjë për të shpëtuar jetën tonë. Vetëm ti mundesh!»

[Kutia dhe figura në faqen 166]

Pamje e përgjithshme e Ruandës

Vendi:

Ruanda është e gjatë rreth 180 km nga veriu në jug dhe e gjerë rreth 230 km.

Popullsia:

Ruanda ka mbi 11.000.000 banorë dhe është vendi me popullsinë më të dendur në Afrikë. Kryeqyteti i saj është Kigali. Popullsia përbëhet nga hutu, tutsi e tua, si dhe aziatikë e europianë. Më shumë se gjysma e popullsisë është katolike dhe më shumë se një e katërta janë protestantë, ku përfshihen shumë adventistë. Pjesa tjetër janë myslimanë dhe të besimeve të ndryshme të zonës.

Gjuha:

Gjuhët zyrtare janë gjuha kiniaruande, angleze dhe frënge. Suahili është gjuha tregtare me vendet fqinje.

Jetesa:

Shumica e ruandezëve janë bujq. Meqë pjesa më e madhe e tokës është e varfër, shumë mund të rritin prodhime vetëm sa për të ushqyer familjet e veta. Përveç kafesë, që është produkti kryesor që eksportohet, rritet edhe çaji e piretroja—një bimë që përdoret për prodhimin e insekticideve.

Ushqimi:

Ushqimi bazë përfshin patatet, bananet dhe fasulet.

Klima:

Edhe pse gjendet afër ekuatorit, Ruanda ka në përgjithësi një klimë të butë. Në vendet malore në brendësi temperaturat shkojnë deri në 21 gradë dhe reshjet vjetore të shiut arrijnë deri në 114 cm.

[Kutia dhe figura në faqen 185]

«Jehovai do të na ndjekë nga pas!»

EMANUEL NGIRENTE

LINDUR: 1955

PAGËZUAR: 1982

TË DHËNA: Anëtar i Komitetit të Degës së Ruandës dhe mbikëqyrës i Repartit të Përkthimit.

▪ MË 1989 SHËRBEJA si pionier në lindje të Ruandës. Pastaj, në fund të atij viti, u caktova në zyrën e përkthimit. Nuk kisha fare përvojë në përkthim, prandaj isha i shtangur dhe nuk ndihesha i aftë. Megjithatë fillova të përktheja tri botime. Morëm një shtëpi me qira dhe blemë disa fjalorë. Nganjëherë punoja gjatë gjithë natës dhe pija kafe që të rrija zgjuar.

Kur ushtria antiqeveritare sulmoi në tetor të 1990-s, disa njerëz dyshonin se Dëshmitarët e Jehovait kishin lidhje me forcat pushtuese. Agjentët e sigurimit filluan të hetonin. Duke qenë se punoja në shtëpi, për ta unë isha i papunë, prandaj donin të dinin me çfarë merresha. Një ditë bënë një kontroll të papritur. Kisha shtypur me makinë shkrimi gjithë natën deri në 5 të mëngjesit, dhe u shtriva të flija. Papritur më thirrën të dilja dhe të merrja pjesë në një punë për komunitetin.

Ndërkohë që s’isha aty, autoritetet kontrolluan shtëpinë. Kur u ktheva, fqinjët më treguan se një polic dhe një këshilltar i zonës kishin kaluar një orë aty duke lexuar faqet e përkthyera ku përmendej shpesh Jehovai. Pastaj ata thanë: «Hajt të ikim nga kjo shtëpi, përndryshe Jehovai do të na ndjekë nga pas!»

[Kutia dhe figura në faqen 194]

Brenda 100 ditëve, vdiqën një milion

«Gjenocidi i vitit 1994 në Ruandë paraqet një nga rastet më të qarta të gjenocidit në kohët e sotme. Nga fillimi i prillit deri në mes të korrikut të 1994-s, në këtë shtet të vogël në Afrikën Qendrore, anëtarët e grupit më të madh etnik, hutu, therën sistematikisht anëtarët e minoritetit etnik, tutsi. Regjimi ekstremist hutu, nga frika e se mos humbte pushtetin për shkak të lëvizjes demokratike dhe luftës civile, planifikoi të zhdukte të gjithë ata që i shihte si një kërcënim​—si hututë e moderuar, ashtu edhe tutsit. Gjenocidi mbaroi vetëm kur një pjesë e madhe e ushtrisë rebele tutsi pushtoi vendin dhe e dëboi këtë qeveri të gjenocidit në mërgim. Vetëm në 100 ditë, një milion njerëz humbën jetën nga gjenocidi dhe lufta​—duke e bërë masakrën ruandeze një nga kasaphanat më të rënda të historisë.»​—Enciklopedia e gjenocidit dhe e krimeve kundër njerëzimit, anglisht.

Rreth 400 Dëshmitarë të Jehovait u vranë në gjenocid, mes të cilëve Dëshmitarë hutu që u vranë ngaqë mbrojtën vëllezërit e motrat e tyre tutsi. Asnjë Dëshmitar nuk vdiq nga duart e ndonjë bashkëbesimtari.

[Figura]

Refugjatë që ikin nga Ruanda

[Kutia dhe figura në faqen 197]

«Dhomat e vdekjes»

«Organizuesit e gjenocidit shfrytëzuan konceptin historik se në kohë lufte njerëzit i konsideronin kishat si vende të shenjta ku mund të gjenin mbrojtje. Prandaj i tërhiqnin si në grackë dhjetëra mijë tutsi nëpër kisha me premtimin e rremë se do të gjenin strehë. Pastaj milicia hutu dhe ushtarët i masakronin sistematikisht njerëzit e mjerë që kishin kërkuar strehim atje; qëllonin me pushkë dhe hidhnin granata mes turmave të mbledhura në kisha dhe shkolla, pastaj të mbijetuarit i vrisnin me hanxharë, kosore dhe thika. . . . Megjithatë, përfshirja e kishave nuk ishte thjesht pasive, vetëm sepse ndërtesat e saj i shfrytëzuan si dhoma vdekjeje. Në disa komunitete ngaqë klerikët, katekistët dhe nëpunës të tjerë të kishave e njihnin mirë popullsinë vendase, ndihmuan që t’i identifikonin tutsit për t’i eliminuar. Në raste të tjera, vetë personeli i kishës mori pjesë aktivisht në vrasje.»​—Krishterimi dhe gjenocidi në Ruandë, anglisht.

«Akuza kryesore ndaj Kishës [Katolike] është se e hoqi mbështetjen nga elita tutsi për të përkrahur fillimin e një revolucioni hutu. Kjo ndihmoi Habjarimanën të hipte në fuqi në një qeveri kryesisht hutu. Në lidhje me këtë gjenocid, kritikët sërish e konsiderojnë Kishën përgjegjëse për nxitjen e urrejtjes, për mbrojtjen e nismëtarëve të gjenocidit dhe për faktin që nuk mbrojti ata që kërkuan strehë brenda mureve të saj. Ka edhe nga ata që mendojnë se, si udhëheqësja shpirtërore e shumicës së popullsisë së Ruandës, Kisha ka përgjegjësi morale që nuk mori masa të mjaftueshme për t’i dhënë fund vrasjeve.»​—Enciklopedia e gjenocidit dhe e krimeve kundër njerëzimit, anglisht.

[Kutia dhe figurat në faqet 201-203]

«Si mund të vrasim dikë për të cilin të gjithë na përgjërohen?»

ZHAN-MARI MËTEZINTARE

LINDUR: 1959

PAGËZUAR: 1985

TË DHËNA: Mjeshtër ndërtimi dhe vëlla besnik me një buzëqeshje të ëmbël që e burgosën për tetë muaj në vitin 1986, jo shumë pas pagëzimit. U martua me Zhanën më 1993. Tani Zhan-Mari është drejtuesi i Komitetit të Sallës së Asamblesë në Kigali.

▪ MË 7 PRILL, unë, Zhana dhe vajza katërmuajshe, Zhemima, u zgjuam të trembur nga të shtënat e armëve. Në fillim menduam se ishte thjesht një konflikt politik, por shpejt morëm vesh se milicia Interahamue kishte nisur të vriste sistematikisht të gjithë tutsit. Meqë ne ishim tutsi, nuk guxonim të dilnim jashtë. Iu lutëm me zjarr Jehovait për ndihmë që të dinim ç’të bënim. Ndërkohë, tre vëllezër guximtarë hutu​—Atanasi, Çarlsi dhe Emanueli—​rrezikuan jetën e tyre që të na sillnin ushqim.

Për rreth katër muaj, bashkë me gruan na u desh të fshiheshim në shtëpitë e vëllezërve të ndryshëm. Në kohën kur gjuetia e tutsve kishte arritur kulmin, milicia erdhi me thika, heshta dhe hanxharë atje ku isha fshehur. I pashë duke ardhur dhe ia dhashë vrapit me sa fuqi kisha që të fshihesha te disa shkurre, por më gjetën. U gjenda i rrethuar nga një grup burrash të armatosur, të cilëve u thashë me përgjërim se isha Dëshmitar i Jehovait, por ma kthyen: «Ti je rebel!» Më shembën përdhe me shkelma e pastaj më goditën me kërbaçë e me qytat e pushkëve. Ndërkaq ishte mbledhur një turmë ku ishte edhe një burrë të cilit i kisha predikuar. Ai thirri me guxim: «Kini mëshirë për të!» Në atë moment u shfaq Çarlsi, një vëlla hutu. Duke më parë që dergjesha përtokë i mbuluar me gjak, gruaja e fëmijët e Çarlsit nisën të qanin. Vrasësit, të trembur, më lanë të lirë duke thënë: «Si mund të vrasim dikë për të cilin të gjithë na përgjërohen?» Çarlsi më mori në shtëpinë e vet për të më mjekuar plagët. Milicia na paralajmëroi se, nëse ia mbathja, ata do të vrisnin Çarlsin në vendin tim.

Ndërkaq, isha ndarë nga Zhana dhe vajza. Gjatë një sulmi të tmerrshëm, edhe atë e kishin rrahur dhe kishte shpëtuar për një fije nga vdekja. Më vonë, i thanë se më kishin vrarë dhe madje i kërkuan që të gjente ca çarçafë e të shkonte të mbështillte trupin tim.

Kur u ribashkuam në shtëpinë e Atanasit, Zhana dhe unë derdhëm lot lehtësimi. Megjithatë e pritnim të na vrisnin të nesërmen. Edhe një ditë tjetër tmerri, makthi, duke u fshehur sa në një vend në tjetrin. Më kujtohet që iu përgjërova Jehovait për ndihmë: «Dje na ndihmove. Të lutem na ndihmo përsëri. Duam të rritim vajzën tonë dhe të vazhdojmë të të shërbejmë!» Aty nga mbrëmja, duke rrezikuar shumë, tre vëllezër hutu rregulluan që bashkë me një grup prej rreth 30 tutsish, të na çonin përmes postblloqeve të rrezikshme në një vend të sigurt. Nga ai grup, gjashtë pranuan të vërtetën.

Më vonë mësuam se Çarlsi e grupi i tij kishte vazhduar të ndihmonte edhe të tjerë dhe milicia Interahamue ishte tërbuar kur kishte zbuluar se vëllezërit kishin ndihmuar të arratiseshin me dhjetëra tutsi. Në fund ata kapën Çarlsin dhe një lajmëtar hutu që quhej Leonard. Gruaja e Çarlsit i dëgjoi të thoshin: «Do të vdisni sepse keni ndihmuar tutsit që të arratisen.» Pastaj i vranë të dy. Kjo na sjell ndër mend fjalët e Jezuit: «Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet.»—Gjoni 15:13.

Përpara luftës, kur Zhana dhe unë po planifikonim të martoheshim, kishim vendosur që një nga ne duhej të bëhej pionier. Mirëpo, pas lufte, duke qenë se shumë nga të afërmit tanë i kishin vrarë, morëm në shtëpi gjashtë jetimë, ndonëse kishim tashmë dy fëmijët tanë. Megjithatë, Zhana ia doli të fillonte si pioniere pas luftës dhe ka vazhduar për 12 vjet. Gjithashtu, gjashtë jetimët që kishim marrë dhe që nuk i kishin prindërit Dëshmitarë të Jehovait, tani janë të pagëzuar. Tre djemtë janë shërbëtorë ndihmës dhe një nga vajzat po shërben me të shoqin në Bethel. Tani kemi katër fëmijë tanët, dhe dy vajzat e mëdha janë të pagëzuara.

[Figura]

Vëlla dhe motra Mëtenzintare me dy fëmijët e tyre dhe pesë jetimë

[Kutia dhe figura në faqet 204, 205]

«E ruajtëm ekuilibrin falë së vërtetës»

Valeria Musabjimana dhe Anzhelina Musabue janë motra gjaku. Vinin nga një familje e rrënjosur thellë në katolicizëm dhe babai i tyre ishte kreu i këshillit të një famullie. Valeria studioi katër vjet që të bëhej murgeshë. Mirëpo, pasi u zhgënjye nga sjellja e një prifti, i ndërpreu studimet në vitin 1974. Më vonë ajo studioi me Dëshmitarët e Jehovait, u pagëzua dhe filloi si pioniere më 1979. Edhe e motra, Anzhelina, studioi Biblën dhe u pagëzua. Të dyja motrat shërbejnë së bashku si pioniere speciale dhe kanë ndihmuar shumë veta të mësojnë të vërtetën.

Në kohën e gjenocidit, Anzhelina e Valeria jetonin në Kigali dhe fshehën në shtëpinë e tyre nëntë veta. Mes tyre ishin edhe dy gra shtatzëna, njërës prej së cilave sapo i kishin vrarë burrin. Më vonë, kësaj gruaje i erdhi koha të lindte dhe meqë ishte mjaft e rrezikshme të dilje nga shtëpia, motrat e ndihmuan të lindte foshnjën. Kur fqinjët e morën vesh, sollën ushqime dhe ujë.

Interahamue mësoi se Anzhelina dhe Valeria fshihnin tutsi, prandaj erdhën e i thanë: «Kemi ardhur të vrasim Dëshmitarët e Jehovait tutsi.» Por, meqenëse motrat kishin marrë me qira shtëpinë e një ushtaraku, vrasësit kishin frikë të hynin. * Shpëtuan që të gjithë.

Kur lufta u intensifikua dhe plumbat binin pa pushim si shi, Anzhelina dhe Valeria u larguan që atje. Bashkë me Dëshmitarë të tjerë ato shkuan në Goma, ku vëllezërit kongolezë i mikpritën ngrohtësisht. Atje vazhduan predikimin dhe drejtuan shumë studime biblike.

Si ia dolën t’i përballonin pasojat emocionale pas gjenocidit? Valeria thotë me trishtim: «Kam humbur shumë fëmijë frymorë, duke përfshirë edhe Euzhen Ntabanën e familjen e tij. E ruajtëm ekuilibrin falë së vërtetës. E dimë mirë se Jehovai do të gjykojë të ligjtë.»

[Shënimi]

^ par. 265 Pas luftës, pronari filloi të studionte Biblën. Ai vdiq, por e shoqja dhe dy fëmijët u bënë Dëshmitarë.

[Kutia dhe figura në faqet 206, 207]

Ata ishin gati të vdisnin për ne

ALFRED SEMALI

LINDUR: 1964

PAGËZUAR: 1981

TË DHËNA: Jetonte në periferi të Kigalit me të shoqen, Zhorzhetën. Alfredi, një burrë dhe baba i dashur, shërben në Komitetin e Lidhjes me Spitalet në Kigali.

▪ PASI filloi gjenocidi, Atanasi, një vëlla hutu që jetonte afër nesh, na dërgoi fjalë për të na paralajmëruar: «Ata po i vrasin të gjithë tutsit, do t’ju vrasin edhe juve.» Këmbënguli që të shkonim në shtëpinë e tij. Para luftës, ai kishte bërë një dhomë të nëndheshme rreth 3,5 m të thellë dhe donte që të fshiheshim aty. Isha i pari që zbrita shkallët për në atë dhomë. Atanasi e rregulloi që të kishim ushqime dhe dyshekë. Ndërkohë përreth vazhdonin vrasjet.

Edhe pse fqinjët dyshonin se po fshiheshim atje dhe e kërcënuan se do t’i digjnin shtëpinë, Atanasi dhe familja vazhduan të na fshihnin. Pa dyshim, ata ishin gati të vdisnin për ne.

Pas tri ditësh, në atë zonë pati luftime të ashpra, prandaj familja e Atanasit erdhi poshtë te ne dhe u bëmë kështu 16 veta. Ishim në errësirë totale, pasi nuk guxonim të përdornim asnjë lloj ndriçimi. Çdo ditë, secili kishte racionin e vet: një lugë oriz të pagatuar të zhytur në ujë me sheqer. Pas dhjetë ditësh na mbaroi edhe ky ushqim. Ditën e 13-të ishim tepër të uritur! Ç’mund të bënim? Nga shkallët sipër mezi mund të shihje se ç’ndodhte jashtë, dhe vumë re se situata kishte ndryshuar. Pamë ushtarë me uniforma të tjera. Meqë familja e Atanasit më kishte mbrojtur, tani ishte radha ime të bëja një sakrificë. Vendosa të shkoja sipër me një nga djemtë adoleshent të Atanasit dhe të kërkoja ushqim. Në fillim bëmë një lutje së bashku.

Pas rreth 30 minutash, u kthyem dhe u dhamë lajmin se tani zona ishte nën kontrollin e Frontit Patriotik Ruandez. Disa ushtarë erdhën me ne dhe unë i tregova se ku ishim fshehur. Nuk e besonin deri në çastin kur të gjithë vëllezërit dhe motrat dolën nga ajo vrimë, një nga një. Zhorzheta thotë se nuk do ta harrojë kurrë atë moment: «Dolëm jashtë të pistë; kishim qenë nën dhè për gati tre javë pa pasur mundësi të laheshim vetë ose rrobat.»

Ushtarët u befasuan kur panë që njerëz të të dy grupeve etnike kishin ndenjur bashkë në atë vrimë. I shpjegova se «ishim Dëshmitarë të Jehovait dhe nuk kemi asnjë paragjykim racial». U mahnitën dhe thanë: «Jepuni ushqim dhe sheqer këtyre njerëzve!» Pastaj na çuan në një shtëpi ku ishin strehuar përkohësisht rreth 100 njerëz. Më pas, një motër këmbënguli që të gjithë ne të 16 të qëndronim me familjen e saj.

Jemi mirënjohës që mbijetuam. Mirëpo, vëllanë dhe motrën time e familjet e tyre​—të gjithë Dëshmitarë të Jehovait—​i vranë, si shumë të tjerë përreth. E ndiejmë humbjen e tyre, por dimë edhe që ‘të gjithë kalojnë kohë të vështira dhe përjetojnë ngjarje të paparashikuara’. Zhorzheta i përshkruan me këto fjalë ndjenjat tona: «Humbëm shumë vëllezër e motra dhe të tjerë përjetuan tmerre kur arratiseshin dhe fshiheshin. Megjithatë u lidhëm më fort me Jehovain nëpërmjet lutjes dhe pamë se dora e tij është e fuqishme. Ai na ngushëlloi duke na ndihmuar tamam në kohën e duhur me anë të organizatës të tij, prandaj jemi shumë mirënjohës. Jehovai na ka bekuar me bollëk.»​—Ekl. 9:11.

[Kutia dhe figurat në faqet 208, 209]

Jehovai na ndihmoi gjatë atyre kohëve të frikshme

ALBERT BAHATI

LINDUR: 1958

PAGËZUAR: 1980

TË DHËNA: Plak, i martuar, me tre fëmijë. E shoqja dhe vajza më e madhe janë pioniere të rregullta. I biri është shërbëtor ndihmës. Kur Alberti, një vëlla i qetë hutu, filloi të shkonte në mbledhje më 1977, në vend kishte rreth 70 lajmëtarë. Në vitin 1988 e futën në burg dhe e rrahën. Kur nuk pranoi të vinte distinktivin e partisë, një fqinj që kishte qenë ushtar, ia nguli gjilpërën e distinktivit në lëkurë dhe i tha me shpoti: «Tani po e mban distinktivin!»

▪ PAS vdekjes së presidentit, disa vëllezër Dëshmitarë, të afërm dhe fqinjë erdhën në shtëpinë time për t’u fshehur. Megjithatë isha në ankth për dy motra tutsi, Goretin dhe Suzanën, që nuk ishin me ne. Ndonëse ishte tejet e rrezikshme, shkova t’i kërkoja. Njerëzit po merrnin arratinë dhe mes tyre dallova Goretin me fëmijët. I mora në shtëpinë time duke ditur se andej nga po shkonin kishte një postbllok dhe ishte e sigurt që do t’i vritnin.

Disa ditë më vonë, Suzana me pesë të tjera, ia dolën të vinin te ne. Tani, me të sapoardhurat, në shtëpi u bëmë 20 veta, të gjithë në rrezik të madh.

Të paktën në tri raste, Interahamue erdhi në shtëpi. Një herë panë nga dritarja gruan time, Vestinën, dhe e thirrën të dilte jashtë. Ajo është tutsi. U vura mes vrasësve e gruas dhe u thashë: «Nëse vritni atë, duhet në fillim të më vritni mua!» Pas një diskutimi, i thanë të kthehej në shtëpi. Njëri prej tyre tha: «Nuk dua të vras një grua, por një burrë.» Pastaj e përqendruan vëmendjen te vëllai më i vogël i gruas. Ndërsa po e nxirrnin jashtë, u futa mes tyre dhe këtij të riu e iu përgjërova: «Për hir të Zotit, lëreni!»

«Unë nuk punoj për Zotin»,—ma ktheu një prej tyre duke më gjuajtur me bërryl. Megjithatë u zbut e më tha: «Ik, merre!» Kështu kunatit tim nuk i bënë gjë.

Afërsisht një muaj më vonë, dy vëllezër erdhën për të na kërkuar ushqim. Kisha vënë mënjanë fasule, kështu u dhashë ca, por kur po i shoqëroja jashtë për t’i treguar një shteg të sigurt, dëgjova një të shtënë dhe humba ndjenjat. Ciflat e një predhe qorre më kishin goditur në sy. Një fqinj më ndihmoi të shkoja në spital, por e humba shikimin nga ai sy. Ç’ishte më e keqja, nuk kthehesha dot në shtëpi. Në këtë kohë, luftimet po ashpërsoheshin gjithnjë e më shumë. Prandaj, për ata që ishin në shtëpinë time ishte e rrezikshme të qëndronin aty. Kështu ikën e u strehuan në shtëpitë e vëllezërve të tjerë, të cilët vunë në rrezik jetën për t’i mbrojtur deri në qershor të 1994-s. U bashkova me gruan dhe familjen time vetëm në tetor. Falënderoj Jehovain që më ndihmoi mua e familjen time gjatë këtyre kohëve të frikshme.

[Figura]

Albert Bahati me familjen dhe të tjerë që fshehu

[Kutia dhe figura në faqet 210-212]

«Kjo është udha»

GASPAR NIJONGIRA

LINDUR: 1954

PAGËZUAR: 1978

TË DHËNA: Një luftëtar i paepur i së vërtetës, gjithnjë buzagaz dhe pozitiv. Është i martuar dhe ka tri vajza. Gaspari është anëtar i Komitetit të Degës të Ruandës.

▪ PAS të shtënave që kishin filluar herët në mëngjesin e 7 prillit, pashë se u kishin vënë flakën rreth 15 shtëpive të familjeve tutsi, përfshirë edhe 2 shtëpi vëllezërish. Do t’i vinte radha shtëpisë sonë? Gati sa nuk luajta mendsh nga frika se ç’mund t’i ndodhte gruas, që ishte tutsi, dhe dy vajzave.

Nuk e kisha të qartë ç’duhej të bënim. Mbizotëronte rrëmuja dhe paniku, si dhe kishte shumë thashetheme e lajme të rreme. Mendova se gruaja dhe vajzat do të ishin më të sigurta po të shkonin te shtëpia e një vëllai aty afër, kurse unë do të shkoja më vonë. Kur kishte më pak rrezik, shkova atje dhe mora vesh se ajo ishte detyruar të ikte e të strehohej në një kompleks të madh shkolle. Atë pasdite, një fqinj erdhi e më tha: «Të gjithë tutsit që janë strehuar në shkollë do t’i masakrojnë!» Vrapova menjëherë te shkolla, gjeta gruan e fëmijët, dhe mblodha rreth 20 të tjerë​—përfshirë vëllezër e motra—​e u thashë të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Kur po largoheshim që aty, pamë milicinë që i çonte njerëzit në një vend jashtë qytetit. Atje ata vranë më shumë se 2.000 tutsi.

Ndërkaq, gruaja e një fqinji tjetër kishte lindur në kompleksin e shkollës. Kur Interahamue hodhi një granatë në shkollë, burri i saj iku nga atje bashkë me foshnjën. Në panik, gruaja e tij u largua në një drejtim tjetër. Ndonëse ishte tutsi, i shoqi ia doli t’i kalonte postblloqet ngaqë kishte foshnjën në krahë dhe erdhi me vrap në shtëpinë tonë. Më kërkoi t’i gjeja qumësht për foshnjën. Kur guxova të dilja, pa e kuptuar u gjenda te një postbllok që mbikëqyrej nga milicia. Ngaqë po shkoja të gjeja qumësht për një foshnjë tutsi, ata menduan se isha simpatizant i tyre, prandaj thanë: «Vrasim këtë!» Një ushtar më goditi me qytën e pushkës, kështu humba ndjenjat dhe nga hunda e fytyra më rridhte gjak. Milicët kujtuan se kisha vdekur, prandaj më tërhoqën zvarrë pas një shtëpie aty pranë.

Një fqinj më njohu dhe tha: «Duhet t’ia mbathësh, përndryshe do të kthehen e do të të vrasin.» Ai më ndihmoi të kthehem në shtëpi.

Sado e dhimbshme, kjo përvojë doli se ishte një mbrojtje për mua. Ngaqë dihej se isha shofer, pesë burra erdhën të nesërmen që të më detyronin të bëhesha shoferi i një kreu ushtarak. Por, kur më panë plagët, nuk këmbëngulën dhe as u përpoqën të më shtrëngonin të dilja për patrullim me Interahamuen.

Pasuan ditë plot frikë, pasiguri dhe uri. Gjatë asaj kohe një grua tutsi erdhi në shtëpinë time me dy fëmijët e saj të vegjël. Atë e fshehëm në dollapin e kuzhinës, kurse fëmijët i çuam në një dhomë tjetër bashkë me fëmijët e mi. Forcat e Frontit Patriotik Ruandez (FPR), ushtria antiqeveritare, përparuan më tej. Ngaqë qarkullonin zëra se Interahamue kishte ndërmarrë një operacion spastrimi për të vrarë të gjithë burrat hutu që kishin gra tutsi, e tërë familja jonë u bë gati të merrte përsëri arratinë. Por FPR-ja e kishte marrë tashmë nën kontroll zonën, prandaj tutsit ishin jashtë rrezikut. Mirëpo, tani ekzistonte rreziku të më vritnin mua.

Bashkë me një grup fqinjësh shkova në postbllokun që tani ishte në dorë të ushtarëve të FPR-së. Kur më panë mua, një hutu, me kokën të fashuar, menduan se duhej të isha një nga ata të milicisë. Ata i thanë fqinjëve dhe mua: «Mes jush ka vrasës dhe plaçkitës, e megjithatë ju po kërkoni ndihmë! Kush prej jush ka fshehur ose mbrojtur tutsit?» U tregova gruan dhe fëmijët që kisha fshehur. Ushtarët i morën fëmijët mënjanë dhe i pyetën: «Kush është ky burri me kokën e fashuar?» Ata iu përgjigjën: «Ai nuk është me Interahamuen; është një Dëshmitar i Jehovait dhe njeri i mirë.» Kisha shpëtuar gruan tutsi dhe dy fëmijët e saj, e tani ata po më shpëtonin mua!

Të kënaqur nga përgjigjja, ushtarët na çuan në një kamp rreth 20 km larg Kigalit, ku ishin mbledhur afërsisht 16.000 të mbijetuar. Aty takuam gati 60 vëllezër e motra nga 14 kongregacione të ndryshme. Organizuam mbledhjet dhe në mbledhjen e parë ishin të pranishëm 96 veta. Megjithatë ishin kohë tepër të vështira, sepse morëm lajme për miq që i kishin vrarë dhe motra që i kishin përdhunuar. Isha i vetmi plak, dhe shumë vëllezër e motra kishin nevojë për ndihmë e ngushëllim nga Shkrimet. Dëgjova historitë e tyre që të copëtonin zemrën e i sigurova se Jehovai i donte dhe e kuptonte dhembjen e tyre.

Më në fund, më 10 qershor, pas shumë javësh terrori, mundëm të ktheheshim në shtëpitë tona. Më kujtohet se kur kisha frikë dhe isha në rrezik, shpesh më vinte ndër mend kënga me titull «Kjo është udha». Fjalët e asaj kënge më kanë dhënë jashtëzakonisht zemër: «Kurr’ djathtas a majtas ne nuk devijojm’, kur ndjekim Per’ndinë gjithnjë përparojm’.»

[Kutia dhe figurat në faqet 223, 224]

Dikush po më thërriste

HENK VAN BUSELI

LINDUR: 1957

PAGËZUAR: 1976

TË DHËNA: Shërbeu në Bethelin e Holandës para se të ndiqte Galaadin më 1984. U caktua në Republikën e Afrikës Qendrore, në Çad e më pas në Ruandë në shtator të vitit 1992. Tani shërben me të shoqen, Bertën, në zyrën e degës të Ruandës.

▪ KIGALI Jug ishte kongregacioni i parë ku u caktova në Ruandë, një kongregacion plot me fëmijë. Vëllezërit e motrat ishin të përzemërt dhe mikpritës. Në vitin 1992, në vend nuk kishte shumë kongregacione dhe ishin vetëm mbi 1.500 lajmëtarë. Autoritetet nuk kishin ende besim te ne, prandaj, herë pas here, policia na ndalte në shërbim që të na kontrollonte dokumentet e identifikimit.

Kur filloi gjenocidi, u detyrova të largohesha nga vendi. Por shpejt pas kësaj, më kërkuan të ndihmoja refugjatët në lindje të Kongos. Nga Najrobi udhëtova për në Gomë, një qytet në kufi me Ruandën. Ngaqë nuk kisha qenë kurrë më parë aty dhe nuk kisha asnjë informacion tjetër përveç emrit të një plaku, s’dija si do ta gjeja. Mirëpo, me të mbërritur, pyeta shoferin e taksisë që kisha marrë. Ai foli me shoferë të tjerë dhe, brenda 30 minutash, u gjenda para shtëpisë së plakut. Dy vëllezër të Komitetit të Vendit të Ruandës mundën të kalonin kufirin e të vinin në Gomë. U dhashë paratë që zyra e degës të Kenias dërgonte për të ndihmuar vëllezërit në Ruandë.

Herën e dytë që shkova nga Najrobi në Gomë, më kujtohet që në kufirin ruandez shkova më këmbë. Edhe pse ishte afër, m’u desh shumë kohë për të mbërritur, sepse ecja kundrejt një turme të stërmadhe refugjatësh që dyndej nga Ruanda.

Befas dikush po më thërriste: «Ndugu (vëlla në suahili) Henk! Ndugu Henk!» Kur po kërkoja se kush po më thërriste, ndesha sytë e Alfonsinës. Ishte një vajzë rreth 14 vjeçe nga kongregacioni i Kigalit ku kisha qenë, që kishte humbur të ëmën. Qëndruam bashkë në atë turmë të paanë, dhe e çova në Sallën e Mbretërisë që shumë vëllezër e motra të tjerë refugjatë e përdornin si pikë grumbullimi. Në fillim, për të u kujdes një familje kongoleze dhe më pas një motër refugjate nga kongregacioni i saj. Alfonsina u bashkua më vonë me të ëmën në Kigali.

[Figura]

Henku me gruan, Bertën

[Kutia dhe figura në faqet 235, 236]

Jehovai ka bërë gjëra të mëdha e të mrekullueshme!

GYNTER RESHKE

LINDUR: 1937

PAGËZUAR: 1953

TË DHËNA: Filloi si pionier më 1958 dhe ndoqi klasën e 43-të të Galaadit. Që nga viti 1967 ka shërbyer në Gabon, në Republikën e Afrikës Qendrore e në Kenia, dhe ka vizituar shtete të tjera si mbikëqyrës udhëtues. Tani shërben në Komitetin e Degës të Ruandës.

▪ VIZITOVA për herë të parë Ruandën më 1980. Nga Kenia më dërguan si mbikëqyrës krahinor. Në atë kohë, në vend kishte vetëm shtatë kongregacione dhe 127 lajmëtarë. Gjithashtu isha edhe një nga dy instruktorët e klasës së parë të Shkollës së Shërbimit për Pionierë që u mbajt në Ruandë. Shumë nga të 22 pionierët e asaj klase janë ende në shërbim të plotkohor. U ktheva në Kenia me kujtime të paharruara për zellin e vëllezërve në shërbim dhe çmueshmërinë për të vërtetën.

Në vitin 1996 mora një letër nga dega e Kenias që më ftonte të shërbeja në Ruandë. Kisha qenë në Kenia për 18 vjet, dhe më pëlqente shumë. Kur mbërrita, Ruanda ishte akoma e paqëndrueshme. Gjatë natës dëgjoheshin shpesh të shtëna. Por shpejt fillova të kënaqesha me caktimin tim, sidomos kur përjetoja bekimet e Jehovait në veprën e tij.

Vendet e asamblesë ishin primitive. Megjithatë, pa u ankuar, vëllezërit uleshin përdhe ose mbi gur. Vaska e pagëzimit ishte një gropë e madhe në tokë e veshur përbrenda me copë tende. Asamble si kjo mbahen edhe sot në shumë zona në brendësi të vendit, por me kalimin e kohës janë ndërtuar disa salla të thjeshta të hapura, si dhe disa Salla Mbretërie që në varësi të nevojave mund të zgjerohen.

Vëllezërit e predikonin me zell lajmin e mirë. Kongregacionet në Kigali i fillonin mbledhjet shumë herët në fundjavë. Më pas, lajmëtarët shkonin në shërbim dhe vazhdonin derisa errej.

Gjithmonë u kushtoja kohë fëmijëve në kongregacion, lajmëtarëve të ardhshëm që më vonë mund të merrnin më shumë përgjegjësi. Sa bukur është të shohësh se shumë u futën pa frikë në radhët e së vërtetës, duke treguar se, edhe pse të vegjël, kishin një marrëdhënie personale me Jehovain!

Për shembull, në jug, 11-vjeçarit Ljyk i kërkuan të këndonte himnin kombëtar në klasë. Me respekt, kërkoi nëse mund të këndonte një këngë të Mbretërisë në vend të himnit. Mësuesi pranoi dhe, kur Ljyk mbaroi këngën, të gjithë duartrokitën. Fakti që ai dinte jo vetëm melodinë, por edhe fjalët e këngës tregon se sa shumë kënaqej ky i ri teksa lavdëronte Krijuesin e vet. Kjo përvojë dhe të tjera më kanë inkurajuar vërtet. Takova edhe një motër që e kishin burgosur disa vjet përpara sepse predikonte lajmin e mirë. Në burg ajo lindi një djalë që e quajti «Shikama Hodari» (në suahili do të thotë «qëndroj i palëkundur»). Me jetën e tij, Shikama tregoi se ishte i denjë për këtë emër. Para pak kohësh ndoqi Shkollën Biblike për Vëllezërit Beqarë dhe shërben si shërbëtor ndihmës e pionier special.

Në tërë ato vite që vëllezërit në Ruandë përjetuan vështirësi të skajshme​—ndër të cilat ndalimi, lufta civile e gjenocidi—më ka prekur besnikëria dhe zelli i tyre në shërbim; është një privilegj i madh të shërbej me ta. E kam ndier gjithnjë bekimin e Jehovait, si dhe mbrojtjen e mbështetjen e tij, e kjo më ka bërë të afrohem më shumë me të. Vërtet, Jehovai ka bërë gjëra të mëdha e të mrekullueshme!​—Psal. 136:4.

[Kutia dhe figurat në faqet 254, 255]

KRONOLOGJIA​—Ruanda

1970

1970 Raportojnë lajmëtarët e parë.

1975 Familja e parë ruandeze kthehet nga Kongoja.

1976 Broshura «Ky lajm i mirë për Mbretërinë» botohet në gjuhën kiniaruande.

1978 Botimi mujor i Kullës së Rojës shtypet në gjuhën kiniaruande.

1980

1982 Ndalohet vepra; burgosen vëllezërit përgjegjës.

1986 Një e treta e lajmëtarëve burgosen.

1990

1990 Shpërthen lufta në veri.

1992 Mbahet kongresi i parë krahinor për të gjithë vendin.

Regjistrohet zyrtarisht vepra.

Mbërrijnë misionarë.

1994 Gjenocidi i tutsve.

1996 Kthehen sërish misionarët.

Formohet Reparti i Shërbimit.

1998 Kulla e Rojës në gjuhën kiniaruande del njëkohësisht me botimin anglisht.

1999 Kushtohet një Sallë e hapur Asamblesh në Kigali.

2000

2000 Hapet një zyrë dege.

Nis punën Zyra e Ndërtimit të Sallave të Mbretërisë.

2001 Blihet toka për ndërtesa të reja të degës.

2006 Kushtohen ndërtesat e reja të degës.

2007 Del në kiniaruande Shkrimet e Krishtere Greke​—Përkthimi Bota e Re.

2010

2010 Del në kiniaruande botimi i plotë i Shkrimeve të Shenjta​—Përkthimi Bota e Re.

[Grafiku dhe figura në faqen 234]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Gjithsej lajmëtarë

Gjithsej pionierë

20,000

15,000

10,000

5,000

1985 1990 1995 2000 2005 2010

[Hartat në faqen 167]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

UGANDA

REPUBLIKA DEMOKRATIKE E KONGOS

Vullkani Njiragongo

Goma

BURUNDI

TANZANIA

RUANDA

KIGALI

M. VIRUNGA

Vullkani Karisimbi

Ruhenger (tani Musanze)

Gisenji (tani Rubavu)

Liqeni Kivu

Bukavu

Kanombe

Masaka

Gitarama (tani Muhanga)

Bugesera

Njabisindu (tani Njanza)

Save

Butare (tani Huje)

Ekuator

[Figura në faqet 164, 165]

Duke peshkuar në liqenin Kivu

[Figurat në faqen 169]

Oden dhe Enea Muaisoba

[Figura në faqen 170]

Gaspar Ruakabubu me të bijën, Deborën, dhe gruan, Melaninë

[Figura në faqen 171]

«Ky lajm i mirë për Mbretërinë» në gjuhën kiniaruande

[Figura në faqen 172]

Zhystin Ruagatore

[Figura në faqen 172]

Ferdinand Mugarura

[Figura në faqen 173]

Tre të pagëzuarit më 1976: Leopold Harerimana, Pjer Tuagirajezu dhe Emanuel Bazatsinda

[Figura në faqen 174]

Literaturë në kiniaruande

[Figura në faqen 179]

Fokas Hakizumuami

[Figura në faqen 180]

Palatin Nsanzuruimo me gruan (në të djathtë) dhe fëmijët

[Figura në faqen 181]

Odetë Mukandekezi

[Figura në faqen 182]

Henri Senjonga me motorin e tij

[Figura në faqen 188]

Dokumenti i regjistrimit, 13 prill 1992

[Figura në faqen 190]

Vëllezërit duke zhvendosur platformën që të luhej ndeshja e futbollit

[Figura në faqen 192]

Leonard dhe Nensi Elisi (në qendër) me familjet Ruakabubu dhe Sombe

[Figura në faqen 193]

Mbetjet e avionit që ra afër Kigalit

[Figurat në faqen 199]

«S’pati vëllazëri mes nesh», një shkrim në kishën katolike të Kibujesë (tani Karongi)

[Figura në faqen 214]

Nga e majta në të djathtë: (pas) André Tuahirua, Zhan dë Djë, Imakuléa, Shantala (me foshnjën), Suzana; (para) fëmijët e Mugabos: Zhan-Lyk dhe Agapéja

[Figura në faqen 216]

Vedast Bimenjimana duke drejtuar një studim biblik

[Figura në faqen 217]

Tarsis Seminega dhe e shoqja, Shantala

[Figura në faqen 218]

Tarsisi dhe Zhystini pranë kasolles ku Tarsisi dhe familja e tij u fshehën për një muaj

[Figurat në faqen 226]

Lart: Kamp refugjatësh për Dëshmitarët ruandezë; poshtë: kamp refugjatësh për Dëshmitarë dhe të tjerë

Gomë, Kongo

Benako, Tanzani

[Figurat në faqen 229]

Salla e Mbretërisë u përdor si spital

[Figura në faqen 238]

Oresti me familjen e tij, 1996

[Figura në faqen 240]

Teobald dhe Beransila Munjampundu

[Figurat në faqen 241]

Vëllezër e motra hutu dhe tutsi duke pastruar truallin për Sallën e re të Asamblesë

[Figura në faqen 242]

Salla e hapur e Asamblesë, Kigali, 2006

[Figura në faqen 243]

Shkolla e Stërvitjes për Shërbim, Kigali, 2008

[Figura në faqen 246]

Sektori i gjuhës së shenjave në një asamble speciale njëditore në Gisenji, 2011

[Figura në faqen 248]

Fransua-Gzavje Hakizimani

[Figurat në faqet 252, 253]

Vëllezërit dhe motrat punojnë përkrah «Zotërisë të të korrave» në këtë tokë pjellore, dhe as që kanë ndër mend të ngadalësojnë