Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Letër nga Trupi Udhëheqës

Letër nga Trupi Udhëheqës

Të dashur vëllezër dhe motra:

Ati ynë qiellor, Jehovai, është personifikimi i dashurisë. Prandaj Bibla thotë: «Perëndia është dashuri.» (1 Gjon. 4:8) Ndonëse Jehovai është i Plotfuqishmi, Fjala e tij nuk thotë asnjëherë «Perëndia është fuqi» ose «Perëndia është forcë». Ai e bazon sundimin kryesisht te dashuria. Sa shumë na tërheq kjo drejt tij!

Sa të lumtur jemi që Jehovai nuk na detyron t’i shërbejmë! Ai nuk është diktator, por do që t’i shërbejmë nga dashuria që na buron nga zemra. Kur bëjmë kështu, tregojmë që e duam sundimin e tij ngaqë besojmë se është i drejtë dhe i dashur. Kjo ka qenë e dukshme që në fillim të historisë njerëzore.

Në vend që t’i detyronte Adamin dhe Evën t’i bindeshin, Jehovai u dha mundësi të zgjidhnin vetë. Nëse do ta donin vërtet Jehovain dhe do ta çmonin atë që kishte bërë për ta, do t’u kishin rezistuar përpjekjeve të Satanait për t’i çuar drejt rebelimit.

Më vonë, Moisiu i tha kombit të Izraelit në fjalimin e tij të fundit: «Ja, sot unë të vë përpara jetën dhe të mirën, vdekjen dhe të keqen.» (Ligj. 30:15) Populli kishte lirinë të zgjidhte si të jetonte. Po ashtu, Josiu u tha izraelitëve: «Në qoftë gjë e keqe në sytë tuaj t’i shërbeni Jehovait, zgjidhni sot kujt do t’i shërbeni.» Populli iu përgjigj Josiut: «Nuk na ka shkuar kurrë ndër mend që të lëmë Jehovain.» (Jos. 24:15, 16) Edhe ne sot ndihemi njësoj. Ngaqë e duam Jehovain, ‘nuk na shkon kurrë ndër mend’ që ta lëmë.

E kuptojmë mirë çështjen e vullnetit të lirë edhe brenda kongregacionit të krishterë. Pleqtë janë të autorizuar të këshillojnë e madje të disiplinojnë, por nuk përpiqen të sundojnë apo të kontrollojnë jetën a besimin e të tjerëve. Apostulli Pavël shkroi: «Jo se ne jemi zotërinj mbi besimin tuaj, por se jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj, sepse me anë të besimit tuaj po qëndroni në këmbë.»​—2 Kor. 1:24.

Sa shumë kënaqemi kur e bëjmë diçka sepse duam, jo sepse na detyrojnë! Jehovai na fton të bëjmë të mirën nga dashuria. Rëndësia e kësaj duket nga fjalët e frymëzuara të Pavlit: «Sikur të jap gjithë zotërimet e mia për të ushqyer të tjerët, dhe sikur të dorëzoj trupin tim që të mburrem, por të mos kem dashuri, nuk do të më sjellë asnjë dobi.»​—1 Kor. 13:3.

Sa gëzohet dhe sa lëvdohet Jehovai, kur sheh miliona vëllezër e motra që i shërbejnë ngaqë e duan me gjithë shpirt!

Nga ana tjetër, Jehovai i ka të shtrenjtë të gjithë shërbëtorët e vet, përfshirë të gjithë ju fëmijë e adoleshentë që tregoni se doni Jehovain, jo botën dhe plotësimin e dëshirave vetjake që ofron ajo. Ju sigurojmë se edhe ne ju duam shumë.​—Luka 12:42, 43.

Nga dashuria për Jehovain, vitin e shkuar ju vëllezër, motra dhe të rinj kaluat 1.748.697.447 orë duke shpallur lajmin e mirë. Të nxitur nga dashuria, 7.782.346 veta morën pjesë në shërbimin në fushë anekënd botës. Gëzohemi që 268.777 lajmëtarë, mes tyre shumë të rinj në moshë, e simbolizuan kushtimin ndaj Jehovait duke u pagëzuar në ujë. Kjo do të thotë se çdo fundjavë u pagëzuan mesatarisht 5.168 veta. Sa shumë na prek kjo!

Në këto kohë të fundit, popullit të Perëndisë i duhet të përballojë shumë probleme, sfida, përndjekje, sëmundje dhe disave u duhet të luftojnë me moshën e shkuar. Por jemi të vendosur që kurrën e kurrës të mos ‘sprapsemi’ a ‘të dorëzohemi’. Ju duam shumë të gjithëve!​—Hebr. 10:39; 2 Kor. 4:16.

Vëllezërit tuaj,

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait