Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mjanmari (Birmania)

Mjanmari (Birmania)

MJANMARI është vend kontrastesh mahnitëse *, strehuar mes Indisë e Kinës, dy gjigantë aziatikë. Qyteti i tij më i madh, Janguni (më parë Ranguni), mburret me ndërtesat shumëkatëshe, me dyqanet e tejmbushura me klientë dhe me trafikun e zhurmshëm. Por, përtej Jangunit shpalosen fshatra ku buajt e egër të ujit lëvrojnë tokën, banorët i shohin të huajt gjithë kureshtje dhe jetën e marrin me nge.

Mjanmari i sotëm na sjell ndër mend Azinë e djeshme. Në rrugët gropa-gropa sheh të kalojnë autobusë të vjetruar, e aty pranë shihen qerre që bartin drithë për në treg dhe barinj dhish që kullosin tufat në fusha. Shumica e burrave në Mjanmar veshin ende një fund tradicional të mbështjellë rreth belit (lonxhi). Gratë bëjnë tualet duke lyer fytyrën me një lloj kremi nga lëvorja e pemëve (theneka). Njerëzit janë shumë fetarë. Budistët e devotshëm i përnderojnë murgjit më shumë se të famshmit dhe çdo ditë i lyejnë statujat rrezatuese të Budës me blatime ngjyrë ari.

Banorët e Mjanmarit janë të butë, të ndjeshëm ndaj të tjerëve dhe kureshtarë. Në vend banojnë tetë grupe etnike kryesore dhe të paktën 127 nëngrupe. Çdo grup ka gjuhën, veshjen, ushqimin dhe kulturën e vet karakteristike. Pjesa më e madhe e njerëzve jetojnë në një rrafshinë të gjerë në qendër të vendit që ushqehet nga lumi madhështor Ejarued (Iravav), një udhë ujore 2.170 kilometra e gjatë e cila gjarpëron që nga Himalajat e akullta, deri në detin e ngrohtë të Andamaneve. Miliona të tjerë popullojnë një deltë të paanë bregdetare dhe harkun e malësive në kufi me Bangladeshin, Kinën, Indinë, Laosin dhe Tajlandën.

Për rreth 100 vjet, Dëshmitarët e Jehovait në Mjanmar kanë treguar besim e qëndrueshmëri të çeliktë. Kanë mbajtur integritetin gjatë dhunës kaotike dhe kryengritjeve politike. (Gjoni 17:14) Populli i Jehovait ka predikuar pa u lodhur lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, pavarësisht nga vështirësitë fizike, kundërshtimi fetar dhe lidhjet e kufizuara me vëllazërinë ndërkombëtare. Historia e tyre të ngroh zemrën.

Për rreth 100 vjet, Dëshmitarët e Jehovait në Mjanmar kanë treguar besim e qëndrueshmëri të çeliktë

Hapet vepra e predikimit

Në vitin historik 1914, dy anglezë zbritën nga një anije me avull në dokun e Jangunit ku i nxehti të merrte frymën. Hendri Kermajkëlli me një pionier tjetër kishin udhëtuar nga India me caktimin sfidues për të hapur veprën e predikimit në Birmani. Territori i tyre përfshinte të gjithë vendin.

‘Mund të predikojmë në vendin tënd, nëse dëshiron ta fitosh botën e re duke paguar’

Hendri dhe shoku i tij filluan predikimin në Jangun dhe shpejt takuan dy burra anglo-indianë që treguan interes të sinqertë për mesazhin e Mbretërisë. * Bertrem Maselini dhe Vernen Frençi i shkëputën menjëherë lidhjet me të ashtuquajturin krishterim dhe nisën t’u jepnin dëshmi joformale miqve. S’kaloi shumë dhe 20 veta po mblidheshin rregullisht në shtëpinë e Bertremit që të studionin Biblën me anë të Kullës së Rojës. *

Më 1928, një tjetër pionier anglez nga India, Xhorxh Rajti, erdhi në Birmani dhe udhëtoi nëpër vend për pesë muaj duke shpërndarë shumë literaturë biblike. Patjetër, në ato fara të së vërtetës përfshihej edhe broshura e vitit 1920, Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë!, e para nga botimet tona që u përkthyen në gjuhën birmane.

Dy vjet më vonë, në Jangun erdhën pionierët Klod Gudmeni dhe Ronald Tipeni. Ata gjetën një grup të vogël vëllezërish që mbanin me besnikëri mbledhjet, por që nuk predikonin në mënyrë të organizuar. Klodi thotë: «I nxitëm vëllezërit që të vinin për të predikuar çdo të diel. Një vëlla pyeti nëse mund të na paguante ne pionierët që të predikonim për të. Roni i tha: ‘Mund të predikojmë në vendin tënd, nëse dëshiron ta fitosh botën e re duke paguar.’» Kjo nxitje e drejtpërdrejtë ishte pikërisht ajo që i duhej grupit. Shpejt Klodi dhe Ronaldi kishin mjaft shokë predikimi.

«Rakela, kam gjetur të vërtetën!»

Po atë vit, Roni dhe Klodi takuan Sidni Kutin, drejtor i stacionit të trenit në Jangun. Sidni pranoi të ashtuquajturin koleksion ylber, domethënë dhjetë nga librat tanë me ngjyrë të ndezur. Pasi lexoi disa pjesë të një libri, Sidni i thërriti gruas: «Rakela, kam gjetur të vërtetën!» Pa ngurruar, e gjithë familja Kuti nisi t’i shërbente Jehovait.

Sidni ishte student i zellshëm i Shkrimeve. E bija, Norma Barberi, misionare prej kohësh që tani shërben në degën e Britanisë, shpjegon: «Babai përpiloi vet një libër me referime. Sa herë që gjente një shkrim i cili shpjegonte një mësim biblik, e përfshinte në libër nën një temë të përshtatshme. Librin e titulloi Ku ndodhet?»

Sidni nuk donte vetëm ta studionte Biblën, por edhe t’ua tregonte mesazhin e saj të tjerëve. Prandaj i shkroi degës së Indisë që të pyeste nëse kishte ndonjë Dëshmitar në Birmani. S’kaloi shumë dhe i erdhi një arkë e madhe me literaturë dhe një listë emrash. Norma thotë: «Babai i shkroi secilit individ në listë dhe i ftoi të na takonin në shtëpi. Më vonë, në shtëpinë tonë erdhën pesë a gjashtë vëllezër, të cilët na treguan si të jepnim dëshmi joformale. Prindërit filluan menjëherë t’u shpërndanin literaturë miqve e fqinjëve. Gjithashtu, u dërguan letra e literaturë gjithë të afërmve.»

Kur Dezi Desuza, motra e Sidnit që jetonte në Mandalai, mori letrën e tij dhe broshurën Mbretëria shpresa e botës, menjëherë i ktheu përgjigje dhe i kërkoi më shumë botime e një Bibël. Vajza e saj, Filesa Tsatosi, tha: «Nëna fluturonte nga gëzimi teksa përpinte literaturën deri në orët e para të mëngjesit. Pastaj na mblodhi ne gjashtë fëmijët për njoftimin dramatik: ‘Po e lë Kishën Katolike, sepse kam gjetur të vërtetën!’» Më vonë, edhe burri e fëmijët e Dezit e pranuan të vërtetën. Sot, katër breza të familjes Desuza i shërbejnë me besnikëri Perëndisë Jehova.

Pionierë sypatrembur

Në fillim të viteve 30 të shekullit të 20-ë, pionierë të zellshëm po përhapnin lajmin e mirë përgjatë vijës hekurudhore kryesore të veriut nga Janguni në Mitkinë, qytet pranë kufirit me Kinën. Ata predikuan edhe në Molemajn (Malmin) e në Sitve (Akjab), qytete bregdetare në lindje e perëndim të Jangunit. Si rezultat, në Molemajn dhe në Jangun u formuan kongregacione të vogla.

Më 1938, veprën në Birmani s’e mbikëqyrte më dega e Indisë, por dega e Australisë, ndërkohë që në Birmani po vinin pionierë nga Australia dhe Zelanda e Re. Mes atyre punëtorëve të palodhur ishin: Fred Pejtëni, Hektor Otsi, Frenk Duori, Mik Engeli dhe Stjuart Kelti. Të gjithë këta vëllezër ishin pionierë në kuptimin e plotë të fjalës.

Fred Pejtëni tregon: «Gjatë katër viteve në Birmani, predikova thuajse në të gjithë vendin. Gjatë asaj kohe, mbijetova nga malaria, tifoja, dizenteria dhe nga probleme të tjera me shëndetin. Shpesh, pas një dite të lodhshme në shërbim, nuk kisha ku të flija. Megjithatë, Jehovai u kujdes gjithnjë për nevojat e mia dhe më dha forcë me anë të frymës së tij.» Frenk Duori, një guximtar nga Zelanda e Re, tha: «Hasa banditë, kryengritës dhe zyrtarë të frikshëm. Por pashë se po të isha i sjellshëm, i butë, i përulur e i arsyeshëm, zakonisht edhe pengesat më të vështira fashiteshin. Shumica e njerëzve shpejt e kuptuan se Dëshmitarët e Jehovait janë të parrezikshëm.»

Kishte një dallim të theksuar mes pionierëve dhe të huajve të tjerë në vend, të cilët zakonisht i përbuznin vendësit. Pionierët i trajtonin njerëzit me respekt e dashuri. Qëndrimi i tyre dashamirës i bënte për vete birmanët e thjeshtë, të cilët pëlqejnë më tepër ata që sillen me butësi e me takt, sesa ata që janë të ftohtë e të drejtpërdrejtë. Me fjalë dhe vepra, pionierët treguan se Dëshmitarët e Jehovait janë të krishterë të vërtetë.​Gjoni 13:35.

Kongres historik

Disa muaj pas ardhjes së pionierëve, dega e Australisë organizoi një kongres në Jangun. Vendi ku do të mbahej ishte bashkia e Jangunit, një godinë ekstravagante me shkallë mermeri dhe dyer gjigante bronzi. Delegatët e kongresit erdhën nga Tajlanda, Malajzia dhe Singapori, kurse Aliks Megilevrei, shërbëtori i degës së Australisë, solli një grup vëllezërish nga Sidnei.

Në horizont dukeshin retë e luftës, prandaj fjalimi publik me temë «Afrohet lufta universale» që u njoftua gjerësisht, zgjoi interes të madh te njerëzit. Fred Pejtëni tha: «S’kisha parë kurrë një sallë të mbushej aq shpejt. Kur hapa dyert kryesore, turma njerëzish vërshuan nëpër shkallë për te salla e auditorit. Në më pak se dhjetë minuta, salla me 850 vende u tejmbush me mbi 1.000 veta.» Frenku shtoi: «Na u desh t’ia mbyllnim dyert kryesore turmës që s’mbaronte, duke lënë përjashta edhe 1.000 të tjerë. Madje, pas kësaj disa të rinj gjithë fantazi hynë vjedhurazi nga dyert e vogla anësore.»

Vëllezërit u kënaqën shumë jo vetëm nga interesi i madh, por edhe nga shumëllojshmëria e auditorit që ishte plot grupe etnike vendëse. Deri atëherë, shumë pak vendës kishin treguar interes për të vërtetën, pasi shumica ishin budistë të devotshëm. Kurse ata që pohonin se ishin të krishterë​—kryesisht keinët (karenët), keçinët dhe çinët—​jetonin në zona të largëta ku zor se kishte arritur lajmi i mirë. Me sa dukej, fusha indigjene ishte gati për korrje. Shpejt ‘shumica e madhe’ shumëgjuhëshe e parathënë në Bibël do të përfshinte edhe grupet e shumta etnike të Birmanisë.​—Zbul. 7:9.

Dishepujt e parë nga fisi i keinëve

Më 1940, një pioniere me emrin Rubi Gafi po predikonte në Insen, qytet i vogël në periferi të Jangunit. Meqë nuk gjeti dhe aq të interesuar atë ditë, ajo iu lut Jehovait: «O Jehova, të lutem më lejo të gjej vetëm një ‘dele’ para se të shkoj në shtëpi.» Pikërisht në shtëpinë tjetër takoi Hema Jaingun, një baptiste nga fisi i keinëve që e dëgjoi me gatishmëri mesazhin për Mbretërinë. Shpejt, Hema Jaingu bashkë me vajzat, Çu Mein (Dezin) dhe Nin Mein (Lilin), nisën të studionin Biblën dhe bënë goxha përparim frymor. S’kaloi shumë dhe Hema Jaingu vdiq. Pavarësisht nga kjo, më vonë, Lili, vajza e vogël, u pagëzua dhe ishte e para nga fisi i keinëve që u bë Dëshmitare e Jehovait. Edhe Dezi u pagëzua.

Këto dy vajza u bënë pioniere të zellshme dhe lanë një trashëgimi afatgjatë. Sot, shumë pasardhës e studentë biblikë të tyre i shërbejnë Jehovait në Mjanmar dhe në vende përtej detit.

Sfida gjatë Luftës II Botërore

Në vitin 1939, në Evropë kishte shpërthyer Lufta II Botërore që tronditi gjithë botën. Me rritjen e histerisë së luftës, kleri i të ashtuquajturit krishterim në Birmani e shtoi presionin ndaj qeverisë koloniale që të ndalonte literaturën tonë. Nga ana tjetër, Mik Engeli që kujdesej për depon e literaturës në Jangun, iu drejtua një zyrtari të lartë të SHBA-së dhe i mori një letër që e lejonte të transportonte me kamionë ushtarakë rreth dy tonë literaturë nga Birmania në Kinë.

Fred Pejtëni dhe Hektor Otsi e çuan literaturën në stacionin hekurudhor në Lasho, qytet afër kufirit me Kinën. Kur u përballën me zyrtarin që kontrollonte ngarkesat për në Kinë, ai gati sa nuk shpërtheu gjithë nerva. Ai bërtiti: «Çfarë?! E si t’ju jap një vend të vyer në kamionët e mi për fletushkat tuaja të pavlera, kur s’kam fare vend për furnizimet urgjente ushtarake e mjekësore që po kalben këtu jashtë?!» Fredi heshti pak, nxori nga çanta letrën dhe i tha zyrtarit se do ta kishte keq punën, nëse shpërfillte urdhrin e një zyrtari nga Janguni. Atëherë, kontrolluesi u vuri vëllezërve në dispozicion një kamion të vogël me shofer dhe furnizime. Ata udhëtuan rreth 2.400 kilometra për në Çunçin (Çunking), në Kinën jugqendrore, ku shpërndanë literaturën e çmuar e madje i dëshmuan personalisht Çang Kaj-shekut, presidentit të qeverisë nacionaliste kineze.

Kur mbërritën autoritetet, literatura nuk ishte më aty

Si përfundim, në maj të vitit 1941, qeveria koloniale e Indisë dërgoi një telegram në Jangun, ku i urdhëronte autoritetet lokale të konfiskonin literaturën tonë. Dy vëllezër që punonin në zyrën e telegrameve, e panë telegramin dhe menjëherë i thanë Mik Engelit. Ai i telefonoi Lilit dhe Dezit, pastaj nxitoi për te depoja ku ngarkuan 40 kutitë e literaturës që kishin mbetur dhe i fshehën në shtëpi të sigurta përreth Jangunit. Kur mbërritën autoritetet, literatura nuk ishte më aty.

Më 11 dhjetor 1941, katër ditë pasi Japonia sulmoi Portin e Perlave, bombat japoneze nisën të binin edhe në Birmani. Atë fundjavë, një grup me pak Dëshmitarë u mblodhën në një apartament të vogël sipër stacionit hekurudhor qendror të Jangunit. Pas një shqyrtimi dinjitoz të Shkrimeve, Lili u pagëzua solemnisht atje në një vaskë shtëpie.

Dymbëdhjetë javë më vonë, ushtria japoneze hyri në Jangun, por e gjeti qytetin krejt të shkretuar. Më shumë se njëqind mijë veta kishin ikur drejt Indisë. Mijëra vdiqën rrugës nga uria, rraskapitja e sëmundjet. Sidni Kuti, i cili iku bashkë me familjen, vdiq afër kufirit me Indinë nga malaria në tru. Një vëlla tjetër e vranë ushtarët japonezë, kurse një tjetër humbi gruan e familjen kur i bombarduan shtëpinë.

Në Birmani mbeti vetëm një grusht Dëshmitarësh. Lili dhe Dezi u shpërngulën në Pin-U-Luin (Meimio), qytet i qetë kodrinor pranë Mandalait, ku mbollën farat e së vërtetës që më vonë dhanë fryt. Kurse një Dëshmitar i tretë, Siril Gei, u vendos në Taravad, fshat i vogël rreth 100 kilometra në veri të Jangunit, ku jetoi i patrazuar nga pasojat e luftës.

Një bashkim i gëzueshëm

Pas luftës, shumica e vëllezërve dhe motrave që kishin ikur në Indi nisën të ktheheshin në Birmani. Në prill 1946, kongregacioni i Jangunit kishte tetë lajmëtarë aktivë. Ndërsa në fund të vitit, kur kongregacioni ishte shtuar me 24 lajmëtarë, vëllezërit vendosën të mbanin një asamble.

Asambleja dyditore u mbajt në një shkollë në Insen. Tio Siriapolosi, i cili e mësoi të vërtetën në Jangun në vitin 1932, kujtonte: «Kur u ktheva nga India, më duhej të mbaja një fjalim publik për një orë. Deri atëherë, kisha mbajtur vetëm dy fjalime pesëminutëshe në mbledhje në Indi. Por, asambleja pati shumë rezultat dhe morën pjesë mbi 100 veta.»

Ca javë më vonë, një udhëheqës komuniteti nga fisi i keinëve që interesohej për të vërtetën, i ofroi kongregacionit një parcelë toke në Elon, zonë buzë lumit pranë qendrës së Jangunit. Atje vëllezërit ngritën një Sallë Mbretërie prej bambuje, me rreth njëqind vende. Kongregacioni fluturonte nga gëzimi. Vëllezërit e motrat i kishin mbijetuar luftës me besim të pacenuar dhe ishin gati e të etur për të vazhduar me veprën e predikimit.

Vijnë misionarët e parë të Galaadit

Në fillim të vitit 1947, një grup vëllezërish entuziastë u mblodhën në portin e Jangunit që të mirëpritnin Robert Kirkun, misionarin e parë të stërvitur në Galaad që hyri në Birmani. Shpejt pas kësaj, erdhën tre misionarë të tjerë, Norman Barberi, Robert Riçardsi dhe Habert Smedstadi. Erdhi edhe Frenk Duori që gjatë luftës kishte qenë pionier në Indi.

Misionarët kishin ardhur në një qytet të rrënuar nga lufta. Ndërtesa të panumërta tani ishin skelete të shkrumbuara. Mijëra njerëz banonin në kasolle të brishta bambuje, radhitur buzë rrugëve. Ata gatuanin, laheshin dhe jetonin nëpër rrugë. Prapëseprapë, misionarët erdhën që t’u mësonin të vërtetën biblike, prandaj iu përshtatën kushteve dhe u zhytën në shërbim.

Më 1 shtator 1947, në shtëpinë misionare në rrugën Signal Pagoda që ndodhej në zemër të qytetit, po themelohej një zyrë dege e Shoqatës Watch Tower. Robert Kirku u caktua mbikëqyrës dege. S’kaloi shumë dhe kongregacioni i Jangunit u shpërngul nga salla me bambu në Elon, në një apartament në kat të dytë në Rrugën Bogelej Zej. Salla e re ishte vetëm ca hapa larg Sekretariatit, një godinë madhështore ku strehohej qeveria koloniale britanike​—administratë që i kishte ditët e numëruara.

Shpërthen lufta civile

Më 4 janar 1948, britanikët ia dorëzuan pushtetin qeverisë së re birmane. Pas 60 vitesh sundimi kolonial, tani Birmania ishte shtet i pavarur. Sidoqoftë, vendi u zhyt në luftë civile.

Grupe të ndryshme etnike luftonin për të krijuar shtete më vete, ndërkohë që ushtri të pavarura e banda kriminale përpiqeshin të merrnin situatën nën kontroll. Në fillim të vitit 1949, shumicën e vendit e kontrollonin forcat rebele, kurse në periferi të Jangunit shpërtheu lufta.

Teksa betejat ashpërsoheshin gjithnjë e më shumë, vëllezërit predikonin pareshtur. Zyra e degës u transferua nga shtëpia misionare në Rrugën Signal Pagoda, në një apartament në katin e dytë në rrugën e 39-të, një zonë e sigurt ku ndodheshin disa ambasada të huaja dhe ishte vetëm tri minuta më këmbë nga posta kryesore.

Ushtria birmane e rriti gradualisht autoritetin, duke i dëbuar rebelët nëpër male. Nga mesi i viteve 50 të shekullit të 20-të, qeveria kishte rimarrë kontrollin e pjesës më të madhe të vendit. Megjithatë, lufta civile sapo kishte filluar. Ajo ka vazhduar në forma të ndryshme deri në ditët tona.

Predikojnë e mësojnë në gjuhën birmane

Deri nga mesi i viteve 50, vëllezërit në Birmani predikonin thuajse gjithë kohës në anglisht, gjuha që flitnin të arsimuarit në qytetet e mëdha. Por miliona të tjerë flitnin vetëm gjuhën birmane (mjanmare), keine, keçine, çine dhe gjuhë të tjera vendëse. Si do t’u jepej lajmi i mirë gjithë këtyre?

Në vitin 1934, Sidni Kuti mori masa që një mësues kein të përkthente disa broshura në gjuhët birmane e keine. Më vonë, lajmëtarë të tjerë përkthyen në birmane librin «Le të dalë Perëndia i vërtetë», si dhe disa broshura të tjera. Më pas, në vitin 1950, Robert Kirku ftoi Ba Ujin që të përkthente në birmane artikujt e studimit të Kullës së Rojës. Përkthimet e bëra me dorë u shtypën në shtypshkronja me pagesë në Jangun, e më pas iu shpërndanë atyre që vinin në mbledhjet e kongregacionit. Pas njëfarë kohe, zyra e degës bleu një makinë shkrimi birmane që përshpejtonte procesin e përkthimit.

Ata përkthyes të hershëm hasën mjaft vështirësi. Negar Po Hani që filloi përkthimin kur Ba Uji nuk ishte më në gjendje të përkthente, sjell ndër mend: «Ditën punoja për të mbajtur familjen, kurse natën vonë përktheja artikuj nën dritën e dobët të një llambe elektrike. Dija fare pak anglisht, prandaj përkthimi duhet të ketë qenë thuajse i pasaktë. Por donim me zjarr që revistat tona t’i kishin sa më shumë njerëz.» Kur Robert Kirku i kërkoi Doris Raxhit që të përkthente në birmane Kullën e Rojës, ajo u prek kaq shumë, sa filloi të qante. Dorisi shpjegon: «Isha vetëm me arsim bazë dhe s’kisha fare përvojë në përkthim. Prapëseprapë, vëlla Kirku më nxiti ta provoja një herë. Kështu, iu luta Jehovait dhe iu futa punës.» Sot, afro 50 vjet më vonë, Dorisi punon ende si përkthyese në Bethelin e Jangunit. Edhe Negar Po Hani që tani është 93 vjeç, ndodhet në Bethel dhe është më entuziast se kurrë për të çuar para veprën e Mbretërisë.

Në vitin 1956, Nejthën Nori nga selia botërore vizitoi Birmaninë dhe njoftoi daljen e Kullës së Rojës në gjuhën birmane. Gjithashtu i nxiti misionarët ta mësonin gjuhën që të kishin rezultat në predikim. Pasi morën zemër nga fjalët e tij, misionarët i shtuan përpjekjet për të mësuar gjuhën birmane. Vitin pasues, Frederik Franci, një tjetër vizitor nga selia botërore, kishte fjalimin kryesor në një asamble pesëditore që u mbajt në Sallën e Institutit Hekurudhor të Jangunit. Ai i nxiti vëllezërit përgjegjës të zgjeronin veprën e predikimit duke dërguar pionierë në qytete e qyteza të tjera vendëse. Zona e parë që nxori dobi nga pionierët e rinj ishte kryeqyteti i mëparshëm i Birmanisë dhe qyteti i dytë për nga madhësia, Mandalai.

Rezultate në Mandalai

Në fillim të vitit 1957, në Mandalai erdhën gjashtë pionierë specialë, të cilët u bashkuan me çiftin misionar të sapomartuar që tashmë ishte atje, Robert Riçardsi dhe e shoqja, Bejbi, e cila ishte nga fisi i keinëve. Pionierëve iu duk goxha i vështirë territori i qytetit. Mandalai është qendër e madhe budizmi dhe shtëpia e afro gjysmës së murgjve budistë të Birmanisë. Gjithsesi, pionierët e kuptuan se, ashtu si në Korintin e lashtë, ‘Jehovai kishte shumë njerëz në këtë qytet’.​—Vep. 18:10.

Një prej këtyre njerëzve ishte Robin Zauja, student 21-vjeçar, i cili kujton: «Një mëngjes herët, më erdhën në shtëpi Robert dhe Bejbi Riçardsi, të cilët u prezantuan si Dëshmitarë të Jehovait. Më thanë se po shpallnin lajmin e mirë nga shtëpia në shtëpi, siç kishte urdhëruar Jezui. (Mat. 10:11-13) Më treguan mesazhin që kishin dhe më dhanë adresën e tyre, bashkë me disa revista e libra. Atë mbrëmje, mora një nga librat dhe e lexova gjithë natën, derisa e mbarova në të gdhirë. Po atë ditë, shkova në shtëpinë e Robertit dhe, për disa orë, e mbyta me pyetje. Ai iu përgjigj secilës pyetje nga Bibla.» Nuk kaloi shumë dhe Robin Zauja u bë i pari nga fisi i keçinëve që pranoi të vërtetën. Më vonë, shërbeu për vite me radhë si pionier special në Birmaninë veriore, ku ndihmoi gati njëqind veta të merrnin të vërtetën. Dy nga fëmijët e tij tani shërbejnë në Bethelin e Jangunit.

Një dishepulle tjetër e zellshme ishte Premila Geliara, një 17-vjeçare që e kishte mësuar të vërtetën kohët e fundit në Jangun. Ajo thotë: «Babai, i cili ishte anëtar i fesë jaine, e kundërshtoi egërsisht besimin tim të ri. Dy herë ma dogji Biblën e literaturën biblike, e disa herë më rrahu në sy të njerëzve. Gjithashtu më mbylli në shtëpi që të mos shkoja në mbledhjet e krishtere, madje më kërcënoi se do t’ia digjte shtëpinë vëlla Riçardsit. Por, kur e pa se nuk ma theu dot besimin, gradualisht nuk kundërshtoi më.» Premila la universitetin, u bë pioniere e zellshme dhe më vonë u martua me mbikëqyrësin qarkor, Danstën Onilin. Që atëherë, ajo ka ndihmuar 45 veta të përqafojnë të vërtetën.

Ndërsa vepra ecte përpara në Mandalai, zyra e degës dërgoi misionarë e pionierë edhe në rajone të tjera, si në Paten (Besin), Kalejmjo, Bemo, Mitkinë, Molemajn dhe Mjei (Margui). Ishte e dukshme që Jehovai e bekoi veprën, pasi në secilin nga këto qytete u formuan kongregacione të forta.

Dëbohen misionarët

Teksa vepra e predikimit zgjerohej, tensionet politike dhe etnike sa vinin e egërsoheshin. Më në fund, në mars të vitit 1962, ushtria mposhti qeverinë. Qindra mijë indianë dhe anglo-indianë i dëbuan nga India në Bangladesh (në atë kohë Pakistani Lindor), dhe vizitorët e huaj mund të merrnin vetëm viza 24 orëshe. Birmania po ia mbyllte dyert pjesës tjetër të botës.

Vëllezërit shqetësoheshin gjithnjë e më tepër teksa shihnin këto zhvillime. Qeveria ushtarake garantonte liri adhurimi, por vetëm nëse fetë i rrinin larg politikës. Siç pritej, misionarët e të ashtuquajturit krishterim vazhduan të përziheshin në çështjet politike. Si përfundim, në maj të vitit 1966, qeverisë i kishte ardhur në majë të hundës dhe urdhëroi që të gjithë misionarët e huaj të largoheshin nga vendi. Misionarët Dëshmitarë nuk ishin përfshirë fare në politikë, prapëseprapë edhe ata i dëbuan.

Vëllezërit vendës u tronditën, por s’i lëshoi zemra. E dinin se Perëndia Jehova ishte me ta. (Ligj. 31:6) Megjithatë, disa vëllezër pyetnin veten si do të vazhdonte vepra e Mbretërisë.

Sakaq, drejtimi i Jehovait u bë i dukshëm. Moris Raxhi, ish-mbikëqyrës qarkor që kishte marrë njëfarë stërvitjeje në degë, shpejt u caktua që të mbikëqyrte zyrën e degës. Si indian autokton, Morisin s’e kishin dëbuar me popullsinë tjetër indiane. Ai shpjegon: «Disa vjet më parë, kisha aplikuar për nënshtetësinë birmane. Por nuk kisha 450 kiatët * që më duheshin për të marrë nënshtetësinë, prandaj e lashë për më vonë këtë çështje. Por një ditë, teksa kaloja pranë zyrës së firmës ku kisha punuar vite më parë, ish-shefi më pa. Ai thirri: ‘Ej Raxhi, hajde të marrësh paratë e tua! Kur ike, harrove të merrje shpërblimin.’ Ishin 450 kiatë.

Ndërsa largohesha nga zyra, mendoja për të gjitha gjërat që mund të bëja me ato para. Por, meqë ishin tamam sa më duheshin për të marrë nënshtetësinë, e kuptova se ishte vullneti i Jehovait që t’i përdorja për atë qëllim. Në fakt koha tregoi se ishte zgjedhja më e mirë. Ndërkohë që indianë të tjerë i kishin dëbuar nga Birmania, unë mund të qëndroja në vend, të udhëtoja lirisht, të importoja literaturë dhe të kryeja detyra të tjera jetësore për veprën tonë të predikimit; të gjitha këto sepse isha shtetas birman.»

Morisi dhe Danstën Onili u nisën në një udhëtim në mbarë vendin që t’i jepnin zemër çdo kongregacioni dhe grupi të izoluar. Morisi thotë: «U thamë vëllezërve: ‘Mos u shqetësoni, Jehovai është me ne. Nëse i qëndrojmë besnikë, ai do të na ndihmojë.’ Dhe Jehovai na ndihmoi vërtet. S’kaloi shumë dhe u caktuan mjaft pionierë specialë të tjerë, prandaj vepra e predikimit mori më tepër hov.»

Sot, rreth 46 vjet më vonë, Morisi që është anëtar i Komitetit të degës, udhëton ende anekënd Mjanmarit për të forcuar kongregacionet. Ashtu si Kalebi në Izraelin e lashtë, edhe zelli i tij për veprën e Perëndisë mbetet i pashuar.​—Jos. 14:11.

Vepra zgjerohet në shtetin e Çinit

Një nga zonat e para ku u dërguan pionierë specialë ishte shteti i Çinit, rajon malor në kufi me Bangladeshin e Indinë. Në këtë zonë banojnë shumë që thonë se janë të krishterë, trashëgimi kjo e misionarëve baptistë të periudhës së kolonive britanike. Prandaj, pjesa më e madhe e banorëve të Çinit respektojnë tej mase si Biblën, dhe mësuesit biblikë.

Nga fundi i vitit 1966, Lal Çanai, ish-ushtar që tani është pionier special, erdhi në Falam, asokohe qyteti më i madh i shtetit të Çinit. Me të u bashkuan edhe Danstën e Premila Onili dhe Tan Tumi, një tjetër ish-ushtar i pagëzuar nga pak kohë. Këta punëtorë të zellshëm piketuan disa familje të interesuara dhe shpejt formuan një kongregacion të vogël, por aktiv.

Vitin tjetër, Tan Tumi u transferua në Hakë, qytet në jug të Falamit, ku filloi si pionier dhe formoi një grup të vogël. Më vonë, vazhdoi të predikonte në mbarë shtetin e Çinit dhe ndihmoi të formoheshin kongregacione në fshatrat Vanë e Surkua, si edhe në qytezën e Gangos e në zona të tjera. Ende sot, 45 vjet më pas, Tan Tumi vazhdon të jetë po aq aktiv si pionier special në fshatin e tij, Vanë.

Kur Tan Tumi iku nga Haka, vendin e tij e zuri Donald Duori, pionier special 20-vjeçar. Ngaqë prindërit e Donaldit, Frenk dhe Lili Duorin (më parë Lili Mein), i kishin dëbuar kohët e fundit, me të shkoi edhe Samueli, vëllai i tij 18-vjeçar. Donaldi thotë: «Jetonim në një kasolle të vogël llamarine, ku në verë plasje vape dhe në dimër ngrije së ftohti. Gjithsesi, më e vështirë për mua ishte vetmia. Dilja gjithmonë vetëm në shërbim dhe zor se e flisja gjuhën vendëse, haka-çine. Në mbledhje ishim vetëm unë me Samuelin, si edhe një a dy lajmëtarë të tjerë. Dalëngadalë, u dëshpërova aq shumë, sa mendova ta lija caktimin.

Në atë kohë, lexova një tregim emocionues te Libri vjetor që tregonte si vëllezërit tanë në Malavi kishin qëndruar besnikë mes përndjekjesh të egra. * Mendova: ‘Nëse nuk e duroj dot vetminë, si do ta duroj përndjekjen?’ Ia zbraza shqetësimet në lutje Jehovait dhe fillova të ndihesha i lehtësuar. Gjithashtu, mora forcë nga leximi e meditimi i Biblës dhe i artikujve të Kullës së Rojës. Kur Moris Raxhi dhe Danstën Onili më bënë një vizitë surprizë, m’u duk sikur po shihja dy engjëj. Me kalimin e kohës, sigurisht që isha sërish i lumtur.»

Më vonë, teksa shërbente si mbikëqyrës udhëtues, Donaldi merrte shkas nga përvoja e vet që t’u jepte zemër Dëshmitarëve të tjerë në zona të izoluara. Edhe përpjekjet e tij në Hakë dhanë rezultat. Sot, atje lulëzon një kongregacion dhe mbahen rregullisht asamble e kongrese të krishtere. Dy nga lajmëtarët që i ndiqnin mbledhjet në Hakë, Xhonson Lal Vangu dhe Daniel Sang Keri, u bënë pionierë specialë të zellshëm dhe ndihmuan në përhapjen e lajmit të mirë në pjesën më të madhe të shtetit të Çinit.

‘Ngjitin malet’

Shteti i Çinit shtrihet 900 deri në 1.800 metra mbi nivelin e detit, madje disa maja arrijnë deri në 3.000 metra. Shumë male janë të veshura me pyje të dendura plot pemë tiku gjigante, halorë mbresëlënës, rododendra shumëngjyrëshe dhe orkide të bukura. Terreni i egër e madhështor e bën të vështirë udhëtimin. Qytetet bashkohen me rrugë gjarpëruese tërë baltë që zor se kalohen kur janë të lagura dhe shpesh bllokohen nga rrëshqitjet e dheut. Në shumë fshatra të thella shkohet vetëm më këmbë. Sidoqoftë, këto pengesa nuk i kanë sprapsur shërbëtorët e Jehovait, të cilët janë të vendosur t’ua çojnë lajmin e mirë sa më shumë njerëzve.

Ej Ej Tia, e cila shërbeu me të shoqin në veprën qarkore në shtetin e Çinit, tregon: «U rrita në deltën fushore të lumit Iravav dhe mahnitesha nga bukuria e Çin-Hillsit. Në malin e parë u ngjita gjithë qejf, por, kur arrita në majë, u shemba përtokë pa frymë. Pasi kisha kaluar disa kodra të tjera, isha kaq e lodhur sa thashë se vdiqa. M’u desh kohë që të mësoja t’i ngjitja malet; duke pushuar herë pas here që të ruaja energjitë. S’kaloi shumë e mund të ngjitesha deri në 32 kilometra në ditë, gjatë udhëtimeve që zgjatnin gjashtë ditë a më tepër.»

Gjatë viteve, vëllezërit në shtetin e Çinit kanë përdorur lloj-lloj transporti, si mushkën, kalin, biçikletën dhe, vetëm kohët e fundit, motoçikletën, kamionin e pasagjerëve dhe makinën me të katra rrotat aktive. Por shumicën e kohës ecin. Për shembull, që të arrinin fshatrat përreth Matupit, pionierët specialë Xho Uini dhe David Zama u çapitën për kilometra të tërë poshtë e përpjetë maleve. Për të shkuar në kongreset e krishtere në Hakë, mbi 270 kilometra larg, kongregacioni i Matupit eci afro gjashtëmbëdhjetë ditë vajtje-ardhje. Gjatë rrugës, këndonin këngët e Mbretërisë që jehonin përmes kodrave piktoreske.

Në këto udhëtime rraskapitëse vëllezërit përballeshin me motin e egër malor, si edhe me mushkonja tufa-tufa e gjithfarë insektesh të tjera, sidomos gjatë sezonit të shirave. Min Luini, mbikëqyrës qarkor, tregon: «Ndërsa ecja përmes pyllit, pashë se këmbët po më mbusheshin me shushunja. Kur i shkunda tutje, m’u ngjitën dy të tjera. Kërceva mbi një pemë të prerë, por në trung po zvarriteshin një mizëri shushunjash. I tmerruar, ia krisa vrapit nëpër pyll. Kur më në fund dola në rrugë, isha mbushur me shushunja.»

Megjithatë, udhëtarët në shtetin e Çinit dolën më të fortë se shushunjat. Në Mjanmar ka edhe derra të egër, arinj, leopardë, tigra dhe, sipas disa burimeve, asnjë vend tjetër i botës nuk ka më tepër lloje gjarpërinjsh helmues. Kur udhëtonin më këmbë nga njëri kongregacion te tjetri në shtetin e Çinit, mbikëqyrësi krahinor Gumja Noi me gruan, Nan Lunë, bënin një rreth me zjarre që të mbanin larg kafshët e egra.

Këta ungjillëzues të palodhur lanë një trashëgimi jetëgjatë. Moris Raxhi thotë: «Ata i shërbyen Jehovait me gjithë forcën. Edhe pasi u larguan nga shteti i Çinit, ishin gati të riktheheshin. Përpjekjet e tyre i dhanë vërtet lavdi Jehovait.» Sot, pavarësisht se është një nga rajonet më pak të populluara në vend, shteti i Çinit ka shtatë kongregacione dhe disa grupe të izoluara.

«Në Mitkinë s’ka ‘dele’»

Në vitin 1966, disa pionierë specialë mbërritën në Mitkinë, qytet i vockël e piktoresk në shtetin e Keçinit pranë Kinës, buzë një dredhe të lumit Iravav. Gjashtë vjet më parë, atje kishin predikuar për pak kohë Robert dhe Bejbi Riçardsi. Ata raportuan: «Në Mitkinë s’ka ‘dele’.» Gjithsesi, pionierët e sapoardhur gjetën njerëz të etur për të vërtetën.

Një prej tyre ishte Mio Maungu, një baptist 19-vjeçar, i cili po i lutej Perëndisë për ndihmë që të kuptonte Biblën. Ai tregon: «Kur një pionier më erdhi në vendin e punës dhe më ofroi studim biblik, u gëzova sa s’ka më. E kuptova se ishte përgjigjja e lutjeve të mia. Bashkë me vëllanë tim të vogël, San Ejin, studiuam dy herë në javë dhe bëmë përparim të shpejtë frymor.

Na ndihmoi një mësues i shkëlqyer, Uilson Tejni. Në vend që thjesht të na thoshte ç’të bënim, na e tregonte me vepra. Falë praktikimit të demonstrimeve, mësuam ta përdornim mirë Biblën, të predikonim me guxim, të përballonim kundërshtimin, të përgatitnim e të mbanim fjalime në kongregacion. Uilson Tejni na dëgjonte tek bënim prova për çdo fjalim dhe na jepte sugjerime si të përmirësonim. Stërvitja e tij e dashur na nxiti të kishim synime frymore.

«Sot, qytetet pranë hekurudhës, si Namti, Hopini, Monjini dhe Kata, kanë secili kongregacione për së mbari»

Në vitin 1968, San Eji dhe unë filluam si pionierë dhe u bëmë 8 pionierë në Mitkinë. Studentët tanë të parë të Biblës ishin nëna jonë dhe shtatë nga vëllezërit e motrat tona, të cilët e pranuan që të gjithë të vërtetën. Predikuam edhe në qytete e fshatra përgjatë hekurudhës Mitkinë-Mandalai, gjatë udhëtimeve që zgjatnin nga një në tri ditë. Farat që mbollëm, më vonë dhanë fryt. Sot, qytetet pranë hekurudhës, si Namti, Hopini, Monjini dhe Kata, kanë secili kongregacione për së mbari.»

Teksa punonte në një territor tregtar në Mitkinë, San Eji takoi Pum Ramin, një baptist keçin që punonte në një zyrë qeveritare. Ky e pranoi të vërtetën me dëshirë të zjarrtë dhe u shpërngul në Putao, qytet i vogël rrëzë Himalajave. Atje u predikoi shumë të afërmve dhe shpejt 25 veta po ndiqnin mbledhjet e krishtere. Ndërkohë që shërbente si pionier, Pum Rami ndihmoi gruan, shtatë fëmijët dhe mjaft të afërm që të merrnin të vërtetën. Tani shërben si pionier e plak në Mitkinë.

Ku janë vagonët?

Rritja e shpejtë frymore në shtetin e Keçinit e nxiti zyrën e degës që, në vitin 1969, të mbante asamblenë ndërkombëtare «Paqe mbi tokë» në Mitkinë e jo në Jangun, ku mbahej zakonisht. Për të transportuar delegatët e kongresit nga Janguni në Mitkinë, më se 1.100 kilometra drejt veriut, dega i kërkoi leje autoriteteve të hekurudhës së Birmanisë që të prenotonin gjashtë vagonë. Kjo kërkesë ishte tejet e pazakontë. Shteti i Keçinit ishte pikë e nxehtë kryengritjesh dhe hyrje-daljet në të kontrolloheshin rreptësisht. Megjithatë, për habinë e vëllezërve, autoritetet e hekurudhës e pranuan pa problem kërkesën.

Ditën që treni i kongresit duhej të arrinte në Mitkinë, Moris Raxhi me një grup vëllezërish shkuan në stacionin e trenit që të mirëpritnin delegatët. Morisi tregon: «Teksa pritnim, drejtori i stacionit nxitoi të na thoshte se sapo kishte ardhur një telegram ku thuhej se autoritetet i kishin shkëputur të gjashtë vagonët me delegatët, duke i lënë në mes të rrugës Mandalai-Mitkinë. Me sa duket, treni s’i tërhiqte dot nëpër kodër vagonët shtesë.

Po tani si do t’ia bënim? Gjëja e parë që menduam ishte të ndryshonim datat e kongresit. Por kjo do të thoshte të aplikonim prapë për një mori lejesh, dhe për këtë duheshin javë të tëra. Pikërisht kur po i luteshim me zjarr Jehovait, treni erdhi në stacion. Nuk po u besonim syve. Pamë të gjashtë vagonët plot me Dëshmitarë! Ata po buzëqeshnin dhe po na e bënin me dorë. Kur i pyetëm ç’kishte ndodhur, njëri prej tyre na tha: ‘Ata i shkëputën gjashtë vagonë, por jo tanët!’»

‘Ata i shkëputën gjashtë vagonë, por jo tanët!’

Kongresi në Mitkinë pati jashtëzakonisht sukses. Gjatë programit dolën tre botime të reja në gjuhën birmane dhe pesë në gjuhën angleze. Që kur ishin dëbuar misionarët tre vjet më parë, ushqimi frymor që hynte në Birmani sa vinte e pakësohej. Kurse tani, po vërshonte!

Mësojnë fisin naga

Katër muaj pas kongresit në Mitkinë, zyra e degës mori një letër nga një nëpunës poste nga Kamti, qytet buzë lumit, rrëzë kodrave që shtrihen në veriperëndim të kufirit Birmani-Indi. Në këtë zonë banon populli naga, një grup fisesh të ndryshme që dikur ishin gjahtarë të frikshëm kokash. Në letrën e tij, nëpunësi Ba Ji, ish-Adventist i Ditës së Shtatë, kërkonte ndihmë frymore. Zyra e degës dërgoi menjëherë dy pionierë specialë, Aung Najnin dhe Uin Penin.

Uin Peni tregon: «U trembëm shumë kur pamë luftëtarët e egër naga vetëm me veshje në ije tek qarkullonin në fushën e aviacionit në Kamti. Më pas, Ba Jiu po vinte me shpejtësi që të na përshëndeste dhe nxitimthi na çoi te disa të interesuar. S’kaloi shumë dhe po studionim me pesë veta.

Megjithatë, autoritetet vendëse kujtuan se ishim pastorë baptistë që kishim lidhje me rebelët. Ndonëse i siguruam se ishim asnjanës politikisht, ata urdhëruan që të largoheshim nga zona brenda një muaji.»

Tre vjet më vonë, kur ishin në fuqi autoritete të tjera, Biak Moia, një pionier 18-vjeçar, zbriti pikërisht aty ku ishin larguar pionierët e mëparshëm. Shpejt, Ba Jiu e la punën dhe nisi të shërbente si pionier. Më vonë, erdhën disa pionierë të tjerë. Brenda pak kohe, ky grup i zellshëm themeloi një kongregacion në Kamti, si edhe disa grupe të vogla në fshatrat përreth. Biak Moia sjell ndër mend: «Vëllezërit e motrat naga ishin të paarsimuar dhe analfabetë. Por e donin Fjalën e Perëndisë dhe ishin predikues të zellshëm që i përdornin me mjeshtëri figurat në botimet tona. Gjithashtu, mësuan përmendsh mjaft shkrime dhe këngë Mbretërie.»

Sot, në Kamti mbahen rregullisht kongrese krahinore dhe delegatët vijnë nga jugu i largët, siç është Homalini, qytet ku shkohet për 15 orë duke lundruar në lumë.

Kundërshtim në «Trekëndëshin e Artë»

Ndërkohë, në pjesën tjetër të vendit vepra po zgjerohej edhe në malësitë në kufi me Kinën, Laosin dhe Tajlandën. Kjo është zemra e Trekëndëshit të Artë, një rajon i bukur me vargje kodrinore dhe lugina pjellore që dallohet për prodhimin e opiumit, kryengritjet dhe për veprimtari të tjera ilegale. Pionierët që sollën të vërtetën në këtë rajon të paqëndrueshëm, ishin të kujdesshëm e të matur. (Mat. 10:16) Sidoqoftë, vepra e tyre e predikimit hasi vazhdimisht kundërshtim nga kleri i të ashtuquajturit krishterim.

Kur pionierët Robin Zauja dhe David Abrahami mbërritën në Lasho, qytet gumëzhitës në shtetin e Shanit, kleri vendës i akuzoi menjëherë si kryengritës. Robini thotë: «Na arrestuan dhe na futën në burg, ku i treguam policisë dokumentet nga ministria. Pas pak, erdhi një major i ushtrisë. Ai thirri: ‘Mirëdita zoti Zauja! Pra, Dëshmitarët e Jehovait kanë ardhur edhe në Lasho!’ Majori, të cilin dikur e kisha shokë shkolle, na liroi menjëherë.»

Dy pionierët iu përveshën punës dhe shpejt formuan një kongregacion goxha të madh. Pastaj ndërtuan një Sallë Mbretërie. Dy vjet më vonë, i thirrën në selinë e qeverisë ku ishin mbledhur më tepër se 70 zyrtarë ushtarakë, udhëheqës fisesh dhe kleri. Robini kujton: «Kleri na akuzoi gjithë inat se po u bënim presion njerëzve që të linin zakonet fetare. Kur drejtuesi i mbledhjes kërkoi përgjigje nga ne, pyeta nëse mund ta përdorja Biblën për t’u mbrojtur. Ai pranoi. Bëra një lutje të shpejtë dhe shpjegova pikëpamjen e Biblës për zakonet e feve të rreme, për shërbimin ushtarak dhe për ceremonitë kombëtare. Kur mbarova, drejtuesi u ngrit dhe shpalli se ligji i Birmanisë i lejonte të gjitha fetë të adhuronin lirisht. Kleri u zhgënjye shumë kur na liruan dhe na lanë të vazhdonim predikimin.»

Më vonë, në Mangpo, fshat i vogël në kufi me Kinën, një turmë baptistësh të xhindosur dogjën një Sallë Mbretërie. Kur ky veprim i poshtër nuk arriti t’i trembte Dëshmitarët vendës, turma dogji shtëpinë e një pionieri special dhe nisi t’i terrorizonte vëllezërit e motrat në shtëpitë e tyre. Vëllezërit apeluan te qeveritari i zonës, por ai përkrahu baptistët. Gjithsesi, më në fund, qeveria ndërhyri dhe u siguroi vëllezërve lejen që të ndërtonin një Sallë Mbretërie të re​—jo në vendin e mëparshëm në periferi të fshatit, por mu në qendër!

Më në jug, në Lejto, fshat i thellë në shtetin e Keinit në kufi me Trekëndëshin e Artë, Gregor Sareloja u përball me kundërshtim të egër nga Kisha Katolike. Gregori tregon: «Prifti i fshatit i urdhëroi besimtarët e tij të më shkatërronin kopshtin e perimeve. Pastaj më dhuruan ushqime, por një shok më paralajmëroi se ishin ushqime të helmuara. Një ditë, shoqëruesit besnikë të priftit më pyetën cilën rrugë do të merrja ditën vijuese. Atë ditë kalova nga një rrugë tjetër, kështu shmanga përpjekjet e tyre për të më zënë në grackë e për të më vrarë. Kur i raportova këto përpjekje që më kërcënonin jetën, autoritetet i urdhëruan prerazi priftin e shoqëruesit e tij që të më linin rehat. Jehovai më mbrojti nga ata që ‘kërkonin shpirtin tim’.»​—Psal. 35:4.

Mbajnë asnjanësi të patundur

Gjatë viteve, vëllezërve dhe motrave në Birmani iu është sprovuar integriteti edhe në një mënyrë tjetër që ia vlen të përmendet. Luftërat etnike dhe konfliktet politike shpesh ua sprovuan asnjanësinë e krishterë.​—Gjoni 18:36.

Në fshatin jugor të Tanpjuzejatit që është i njohur për stacionin perëndimor famëkeq Birmani-Tajlandë, ndërtuar gjatë Luftës II Botërore me emrin «Hekurudha e Vdekjes», pionieri special Hilej Aungu u gjend i rrethuar nga luftimet mes rebelëve dhe forcave qeveritare. Ai shpjegon: «Ushtarët bastisën fshatrat gjatë natës që të gjenin burrat dhe, nën kërcënimin e armës, i vinin në marshim e i shfrytëzonin si hamaj për ushtrinë. Shumë prej tyre s’u panë më. Një natë, ushtarët nisën të bastisnin fshatin tonë teksa po bisedoja me Donald Duorin në shtëpinë time. Shpejt, gruaja bërtiti duke na paralajmëruar dhe kështu arritëm të iknim në pyll. Pas asaj arratisjeje të rrezikshme, ngrita një vend të fshehtë në shtëpi ku mund të futesha vrik nëse na bastisnin prapë.»

Kur pionieri special Rajan Panditi erdhi në Daui, qytet në jug të Tanpjuzejatit, pa humbur kohë filloi disa studime biblike në një fshat të afërt që ishte qendër kryengritjeje. Ai tregon: «Kur u ktheva nga fshati, ushtarët më arrestuan dhe më rrahën, duke më akuzuar se bashkëpunoja me rebelët. Kur u thashë se isha Dëshmitar i Jehovait, kërkuan të dinin si erdha në Daui. U tregova biletën e avionit që e kisha mbajtur si kujtim, e cila vërtetonte se kisha udhëtuar me avion, mjet udhëtimi që rebelët nuk do ta përdornin kurrë. Prandaj nuk më rrahën më dhe më liruan. Gjithsesi, ushtarët morën në pyetje një nga studentët e mi të Biblës, i cili u vërtetoi që thjesht kishim studiuar Biblën. Pas kësaj, ushtarët më lanë rehat, madje disave u jepja rregullisht revista.»

Ndonjëherë, zyrtarët e qytetit përpiqeshin t’u bënin presion vëllezërve që ta shkelnin asnjanësinë e tyre duke votuar ose duke marrë pjesë në ceremoni patriotike. Kur zyrtarët në Zalun, qytet buzë lumit rreth 130 kilometra në veri të Jangunit, u bënë presion Dëshmitarëve vendës që të votonin gjatë zgjedhjeve, vëllezërit qëndruan të patundur duke përdorur Biblën si autoritetin e tyre. (Gjoni 6:15) Zyrtarët iu drejtuan autoriteteve rajonale. Por këto të fundit e dinin mirë se Dëshmitarët e Jehovait nuk përzihen fare në politikë. Vëllezërit i përjashtuan menjëherë nga procesi zgjedhor.

Kur 23 fëmijë të Dëshmitarëve në Kampat, qytet në kufirin Birmani-Indi, nuk pranuan të përkuleshin para flamurit kombëtar, drejtoresha i përjashtoi nga shkolla. Më pas, ajo thirri dy pleq kongregacioni që të dilnin para një grupi të madh zyrtarësh, ku përfshiheshin gjyqtari dhe komandanti ushtarak i qytetit. Njëri nga pleqtë, Pol Kaj Kan Tangu, thotë: «Teksa shpjegonim arsyet biblike të qëndrimit tonë, disa zyrtarë e treguan hapur armiqësinë. Më pas, u treguam një dekret qeveritar ku thuhej se Dëshmitarët e Jehovait lejohen të ‘qëndrojnë në këmbë, me qetësi dhe respekt gjatë ceremonive të flamurit’. Zyrtarët shtangën. Kur u ftilluan, komandanti ushtarak urdhëroi që drejtoresha t’i pranonte nxënësit sërish në shkollë. Gjithashtu, ajo shpërndau kopje të dekretit në çdo departament të shkollës.»

Sot, zyrtarë të lartë të qeverisë së Mjanmarit e njohin mirë asnjanësinë e Dëshmitarëve të Jehovait. Duke mos i shkelur parimet biblike, shërbëtorët e Jehovait kanë dhënë dëshmi të shkëlqyer, tamam siç paratha Jezu Krishti.​—Luka 21:13.

Disa nga personeli ushtarak bëhen të krishterë

Gjatë gjithë historisë së sotme të trazuar të Mjanmarit, shumë nga qytetarët e tij kanë marrë pjesë në ushtri ose kanë luftuar si kryengritës. Ashtu si Korneli, oficeri i ushtrisë romake në shekullin e parë, disa prej tyre janë ‘të përkushtuar dhe i frikësohen Perëndisë’. (Vep. 10:2) Sapo mësojnë të vërtetën, përpiqen fort të jetojnë në përputhje me normat e drejta të Jehovait.

Të lirë nga vargonjtë e urrejtjes, tani këta dy burra u bashkuan nga lidhjet e dashurisë, falë fuqisë çliruese të Fjalës së Perëndisë

Një njeri i tillë është Holon Mangu, ish-oficer marine që e mësoi të vërtetën teksa ndodhej me detyrë në Molemajn. Ai shpjegon: «Doja të filloja menjëherë predikimin. Kur po matesha të hiqja dorë nga ushtria, mora vesh se po mendonin të më ngrinin në detyrë dhe të më jepnin një bursë shkolle ushtarake në perëndim. Prapëseprapë, isha i vendosur të merrja pjesë në veprën e Perëndisë. Për habinë e shefave të mi, dhashë dorëheqjen dhe nisa t’i shërbeja Jehovait. Sot, rreth 30 vjet më vonë, jam ende i bindur se bëra zgjedhjen e duhur. E çfarë mund të krahasohet me privilegjin për t’i shërbyer Perëndisë së vërtetë?»

La Bang Gami po rimëkëmbej në një spital ushtarak kur Robin Zauja i tregoi librin Nga parajsa e humbur në parajsën e rifituar * (anglisht). La Bang Gami u magjeps pas librit dhe pyeti nëse mund ta mbante. Por Robini kishte veç një kopje, prandaj pranoi t’ia jepte hua vetëm një natë. Ditën tjetër, kur Robini u rikthye, La Bang Gami thirri: «Ja ku e ke librin tënd. Tani kam kopjen time!» Kishte qëndruar zgjuar gjithë natën duke kopjuar me dorë në disa blloqe shënimi librin me 250 faqe. Shpejt pas kësaj, La Bang Gami e la ushtrinë dhe, me anë të librit të tij «Parajsa», ndihmoi shumë të tjerë të merrnin të vërtetën.

Në shtetin malor të Shanit, Sa Tan Tun Aungu, kapiten në ushtrinë birmane, dhe Ajk Lini, komandant në ushtrinë e bashkuar të shtetit Ua, luftuan si kundërshtarë gjatë disa betejave të egra në xhungël. Kur më në fund ushtritë bënë armëpushim, të dy burrat shkuan të jetonin në shtetin e Shanit. Më vonë, secili mësoi të vërtetën, hoqi dorë nga caktimi ushtarak dhe u pagëzua. Këta dy ish-armiq u takuan në një asamble qarkore, ku u përqafuan ngrohtësisht si vëllezër të krishterë. Të lirë nga vargonjtë e urrejtjes, tani u bashkuan nga lidhjet e dashurisë, falë fuqisë çliruese të Fjalës së Perëndisë.​—Gjoni 8:32; 13:35.

Arsyetojnë me «njerëz të çdo lloji»

Mes viteve 1965 dhe 1976, numri i lajmëtarëve në Birmani u rrit mbi 300 për qind. Shumica e atyre që pranuan të vërtetën dolën nga i ashtuquajturi krishterim. Megjithatë, vëllezërit e dinin se vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:4) Si rezultat, nga mesi i viteve 70 të shekullit të 20-të e më tej, ata i shtuan përpjekjet për t’u predikuar besimtarëve të mjaft feve të tjera në Birmani, përfshirë budistëve, hinduistëve dhe animistëve.

Kishte shumë vështirësi. Budistët nuk pranojnë një Perëndi ose Krijues, hinduistët adhurojnë miliona perëndi, kurse animistët e Birmanisë përnderojnë frymëra të fuqishme që quhen nats. Bestytnitë, falli dhe spiritizmi lulëzojnë në këto fe. E ndërsa shumica e adhuruesve e shohin Biblën si libër të shenjtë, zakonisht dinë pak ose aspak për personazhet, historinë, kulturën dhe konceptet biblike.

Gjithsesi, vëllezërit e dinin se të vërtetat e fuqishme të Fjalës së Perëndisë mund të prekin zemrën e çdo njeriu. (Hebr. 4:12) Ata vetëm sa duhej të mbështeteshin te fryma e Perëndisë dhe të përdornin ‘artin e mësimdhënies’, domethënë arsyetim të shëndoshë që u prek zemrën njerëzve dhe i nxit të bëjnë ndryshime në jetë.​—2 Tim. 4:2.

Për shembull, le të shohim rastin e Rozalinës, pioniere speciale nga shumë kohë, se si tregon arsyetim të shëndoshë kur u flet budistëve. Ajo shpjegon: «Kur u mësojmë budistëve se ka një Krijues, shpesh pyesin: ‘Po Krijuesin kush e krijoi?’ Ata mendojnë se kafshët janë njerëz të rimishëruar, prandaj arsyetoj me ta duke marrë si shembull kafshët e tyre shtëpiake.

—A e di kafsha se pronari i saj ekziston?—i pyes.

—Po.

—Por a është e vetëdijshme për punën, martesën ose prejardhjen e pronarit?

—Jo.

—Po njësoj, përderisa njerëzit ndryshojnë nga Perëndia, i cili është Frymë, a duhet të presim që të kuptojmë gjithçka për ekzistencën ose origjinën e tij?

—Jo.»

«Dashuria që më treguan vëllezërit ishte si melhem për zemrën time»

Kjo mënyrë të arsyetuari ka bindur shumë budistë të sinqertë të shqyrtojnë dëshmi të tjera që vërtetojnë ekzistencën e Perëndisë. Kur arsyetimi i shëndoshë shoqërohet me dashuri të krishterë të sinqertë, mund të ndikojë shumë në zemrat e njerëzve. On Tuini, një ish-budist, tregon: «Kur krahasova besimin tim budist te Nirvana me premtimin e Biblës për një Parajsë në tokë, më pëlqeu më shumë kjo e dyta. Por, ngaqë besoja se shumë rrugë çojnë tek e vërteta, nuk më dukej e nevojshme të veproja në përputhje me atë që kisha mësuar. Pastaj fillova të ndiqja mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Dashuria që më treguan vëllezërit ishte si melhem për zemrën time. Kjo dashuri më nxiti të veproja në përputhje me atë që e dija se ishte e vërteta.»

Patjetër, kërkohet takt e durim për të ndihmuar njerëzit të ndreqin bindjet fetare. Kumar Çekrebeni ishte dhjetë vjeç kur i ati, hinduist i flaktë, e lejoi bethelitin Xhimi Zevier ta mësonte Kumarin të lexonte. Ai thotë: «Babai e paralajmëroi të më mësonte vetëm lexim, jo fenë. Prandaj, Xhimi i tha se Libri im i tregimeve biblike ishte i shkëlqyer për t’u mësuar fëmijëve lexim. Gjithashtu, pas mësimit tim të leximit, Xhimi gjente kohë që të fliste me babanë duke treguar interes të sinqertë për të. Kur babai nisi të bënte pyetje rreth çështjeve fetare, Xhimi i thoshte me takt: ‘Përgjigjet janë në Bibël. Le t’i gjejmë së bashku.’ Me kalimin e kohës, përveç babait, edhe 63 pjesëtarë të familjes sonë e pranuan të vërtetën dhe u bënë Dëshmitarë të Jehovait.»

Kongrese në kohë protestash

Nga mesi i viteve 80, skena politike në Birmani sa vinte e bëhej më e paqëndrueshme. Më në fund, në vitin 1988, dhjetëra mijë veta dolën në rrugë që të protestonin kundër qeverisë. Megjithatë, protesta e tyre u shtyp shpejt dhe pjesa më e madhe e vendit u vu nën kontrollin ushtarak.

Xho Uini, një bethelit, kujton: «Autoritetet vendosën ndalimqarkullim të rreptë dhe i ndaluan grumbullimet me më tepër se pesë veta. Pyesnim veten nëse duhej ta anulonim kongresin e ardhshëm krahinor. Por, me besim te Jehovai, iu afruam komandantit ushtarak të njësisë administrative të Jangunit dhe i kërkuam leje për të mbajtur një kongres me 1000 vende. Dy ditë më vonë, na e dhanë lejen. Kur ua treguam lejen autoriteteve të zonave të tjera, na lanë të mbanim kongrese edhe në to. Falë ndihmës së Jehovait, të gjitha kongreset dolën një sukses i padiskutueshëm.»

Nuk i braktisën mbledhjet e krishtere

Pas kryengritjes së vitit 1988, gjendja ekonomike në Birmani sa vinte e përkeqësohej. Megjithatë, vëllezërit e motrat treguan besim të fortë te Perëndia duke vazhduar të vinin të vend të parë interesat e Mbretërisë.​—Mat. 6:33.

Për shembull, le të shohim rastin e Çin Kan Dalit që jetonte me familjen në një fshat të thellë në Sagaing. Ai shpjegon: «Donim të shkonim në kongresin krahinor në Tahan, i cili ishte dy ditë larg me barkë e kamion. Por, askush nuk pranoi të na i ruante pulat kur të ishim larg. Gjithsesi, i besuam Jehovait dhe shkuam në kongres. Kur u kthyem në shtëpi, pamë se 19 pula kishin ngordhur​—një katastrofë ekonomike. Prapëseprapë, pas një viti, tufa jonë e vogël ishte shtuar me më tepër se 60 të tjera. Përveç kësaj, atë vit shumë fshatarë humbën shpendët nga sëmundjet, kurse ne nuk na ngordhi asnjë.»

Një çift tjetër që vazhdoi të përqendrohej te gjërat frymore ishte Aung Tin Njuti me gruan, Njen Mian, të cilët jetuan me të nëntë fëmijët në Jonsha, fshat i vogël 64 kilometra në veriperëndim të Jangunit. Aung Tin Njuti tregon: «Kryesisht familja jonë hante qull orizi dhe perime. Nuk kishim para, as gjëra për të shitur. Megjithatë s’ishim të dëshpëruar. I thashë familjes: ‘As Jezui nuk kishte ku të vinte kokën. Prandaj, edhe nëse duhet të jetoj poshtë një peme apo të vdes nga uria, do të vazhdoj ta adhuroj Perëndinë me besnikëri!’

«Jehovai është ai që më ndihmon, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?»​—Hebr. 13:6.

Por, një ditë, në shtëpi s’na kishte mbetur asgjë për të ngrënë. Ime shoqe dhe fëmijët më shihnin gjithë merak. U dhashë zemër me fjalët: ‘Mos kini merak. Perëndia do të na ndihmojë.’ Pas predikimit atë paradite, shkova për të peshkuar me djemtë. Por zumë peshq sa për një vakt. I lashë koshat e peshkimit në lumë, pranë një tufe zambakësh uji, dhe u thashë djemve: ‘Do të kthehemi më vonë, pas mbledhjes.’ Atë pasdite fryu shumë erë. Kur u kthyem, pamë shumë peshq të strehuar nga era poshtë zambakëve të ujit. Kështu që i ulëm koshat dhe kapëm aq shumë peshq, sa i shitëm e blemë ushqim për një javë të tërë.»

Herë pas here, shërbëtorët e Jehovait në Mjanmar kanë përjetuar përmbushjen e këtij premtimi të Perëndisë që të ngroh zemrën: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» Prandaj, ata thonë të bindur: «Jehovai është ai që më ndihmon, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?»​—Hebr. 13:5, 6.

Botime më të mira

Që nga viti 1956, populli i Mjanmarit ka nxjerrë dobi nga furnizimi i rregullt me ushqim frymor me anë të botimit të Kullës së Rojës në gjuhën birmane. Pavarësisht nga luftërat etnike, konfliktet civile dhe paqëndrueshmëria ekonomike që vazhdojnë pa ndërprerje, nuk ka munguar as edhe një numër reviste. Si është bërë e mundur kjo?

Për vite me radhë, zyra e degës i dërgonte censurës disa kopje të shtypura të tekstit të përkthyer të revistës. Kur ajo e miratonte tekstin, dega kërkonte leje që të blinte letër për shtypje. Pasi blinte letrën, një vëlla e çonte bashkë me tekstin e revistës te një shtypshkrues me pagesë, i cili shtypte shkronjë për shkronjë çdo faqe në gjuhën mjanmare. Pastaj, vëllai e redaktonte tekstin për saktësi dhe shtypshkruesi e shtypte revistën në një makinë shtypi të vjetër. Më pas, kopje të revistës i dërgoheshin censurës, e cila siguronte një certifikatë që miratonte botimin e revistës. Kuptohet, kjo procedurë e mundimshme kërkonte javë të tëra dhe cilësia e letrës dhe e shtypjes ishte goxha e ulët.

Në vitin 1989, dega mori një sistem të ri botimi që e transformoi krejtësisht procesin e shtypjes. Në selinë botërore u projektua dhe u krijua Sistemi Shumëgjuhësh me Fotoradhitje Elektronike (MEPS), i cili përdorte kompjuterë, programe kompjuterike dhe fotoradhitje për të shtypur tekste në 186 gjuhë, ku futej edhe gjuha mjanmare. *

Mio Maungu, i cili punonte në degë, thotë: «Dukej qartë që Dëshmitarët e Jehovait ishin të parët në Mjanmar që përgatitnin dhe botonin literaturë me anë të kompjuterëve. Sistemi MEPS, i cili përdorte shkronja cilësore në gjuhën e Mjanmarit që modeloheshin në degën tonë, solli ndryshime në industrinë vendëse të shtypjes. Njerëzit nuk arrinin të kuptonin si i bënim kaq të qarta shkronjat!» Gjithashtu MEPS-i solli metoda të reja shtypjeje që përmirësuan cilësinë. Përveç kësaj, MEPS-i mundësonte figura tejet cilësore dhe kjo e bënte Kullën e Rojës mjaft tërheqëse.

Në vitin 1991, qeveria e Mjanmarit miratoi botimin e revistës Zgjohuni! dhe kjo i gëzoi pa masë vëllezërit e publikun. Një zyrtar i lartë në Ministrinë e Informacionit u bëri jehonë komenteve të shumë lexuesve: «Zgjohuni! është ndryshe nga revistat e tjera fetare. Ajo trajton plot tema interesante dhe kuptohet kollaj. Më pëlqen shumë.»

Gjatë 20 viteve të fundit, tirazhi i revistave është rritur rreth 900 për qind!

Gjatë 20 viteve të fundit, tirazhi i revistave çdo muaj në gjuhën mjanmare është rritur nga 15.000 në më se 141.000, një rritje rreth 900 për qind! Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! tani janë tepër të njohura në Jangun dhe pëlqehen në të gjithë vendin.

Nevoja për zyrë dege të re

Pas kryengritjes së vitit 1988, autoritetet ushtarake ftuan organizata sociale dhe fetare në Mjanmar që të regjistroheshin zyrtarisht. Natyrisht që zyra e degës u bind menjëherë. Dy vjet më vonë, më 5 janar 1990, qeveria regjistroi zyrtarisht në Mjanmar «Shoqatën e Dëshmitarëve të Jehovait (Watch Tower)».

Rreth kësaj kohe, vëllezërit e kishin transferuar zyrën e degës nga Rruga e 39-të, në një shtëpi dykatëshe me rreth dy dynym tokë, në Rrugën Inia që ndodhej në një periferi të begatë në veri të qytetit. Sidoqoftë, godina e re tashmë ishte shfrytëzuar në maksimum. Viv Morici, i cili në atë kohë vizitoi Mjanmarin si mbikëqyrës zone, kujton: «Të 25 pjesëtarët e familjes Bethel punonin në kushte të vështira. Kuzhina s’kishte sobë, prandaj një motër gatuante me rezistencë elektrike. Lavanderia nuk kishte lavatriçe, prandaj një motër i lante rrobat në një gropë në dysheme. Vëllezërit donin të blinin një sobë e një lavatriçe, por këto mjete thjesht s’mund të importoheshin.»

Qartë, vëllezërit kishin nevojë për një degë më të madhe. Prandaj, Trupi Udhëheqës miratoi një propozim për të shembur shtëpinë ekzistuese dykatëshe dhe, në të njëjtin vend, të ngrihej një godinë katërkatëshe si për banim, edhe për zyra. Megjithatë, para se vëllezërit të nisnin ndryshimet, duheshin kaluar disa pengesa të mëdha. Së pari, duhej leje nga gjashtë zyrtarë të lartë të qeverisë, njëri më i rëndësishëm se tjetri. Së dyti, sipërmarrësit vendës të ndërtimit, të cilët s’ishin mësuar të ndërtonin me materiale çeliku, nuk e bënin dot punën. Së treti, në vend nuk mund të hynin vullnetarë Dëshmitarë nga shtete përtej detit. Së fundi, materialet e ndërtimit as nuk gjendeshin në vend, as nuk mund të importoheshin. Pa dyshim, projekti dukej i pashpresë. Prapëseprapë, vëllezërit besuan te Jehovai. Nëse Jehovai donte, zyra e degës do të ndërtohej!​—Psal. 127:1.

‘Jo me fuqi, por me frymën time’

Xho Uini, i cili punonte në Repartin Ligjor të degës, tregon çfarë ndodhi: «Kërkesa jonë për ndërtimin e godinës gradualisht kaloi në pesë nga gjashtë nivelet e qeverisë, përfshirë Ministrinë e Çështjeve Fetare. Më pas, Komiteti i Zhvillimit i Qytetit të Jangunit mendonte se një godinë katërkatëshe ishte shumë e lartë dhe e refuzoi kërkesën tonë. Kur e bëmë sërish kërkesën, e refuzuan përsëri. Komiteti i Degës më nxiti të mos dorëzohesha. Kështu, iu luta me zjarr Jehovait dhe e bëra kërkesën për herë të tretë. U miratua!

Pastaj, iu drejtuam Ministrisë së Emigracionit. Atje zyrtarët na thanë se të huajt mund të hynin në vend vetëm me viza turistike shtatëditore. Por, kur u shpjeguam se këta vullnetarë të aftë do të stërvitnin vendësit me teknika të përparuara ndërtimi, u dhanë viza gjashtëmujore.

Pas kësaj, iu drejtuam Ministrisë së Tregtisë, por morëm vesh se nuk lejohej asnjë lloj importi. Sidoqoftë, kur i informuam zyrtarët për natyrën e projektit tonë, na dhanë leje që të importonim materiale ndërtimi me vlerë mbi një milion dollarë amerikanë. Si ia bëmë për taksën e importit? Falë një vizite në Ministrinë e Financave, na lejuan t’i importonim materialet falas! Në këto dhe në shumë mënyra të tjera, përjetuam sa e vërtetë është ajo që tha Perëndia: ‘Jo me ndonjë forcë ushtarake, as me fuqi, por me frymën time’,—thotë Jehovai i ushtrive.’»​—Zak. 4:6.

Në vitin 1997, në kantierin e ndërtimit erdhën vullnetarët. Vëllezër nga Australia dhuruan shumicën e materialeve të ndërtimit, kurse furnizime të tjera erdhën nga Malajzia, Singapori e Tajlanda. Brus Pikeringu, i cili ndihmoi në mbikëqyrjen e projektit, tregon: «Disa vëllezër nga Australia i kishin përgatitur tashmë të gjitha strukturat prej çeliku, pastaj erdhën në Mjanmar që t’i lidhnin pjesët me njëra-tjetrën. Mrekullisht, secila pjesë u përshtat më së miri me tjetrën!» Vullnetarë të tjerë erdhën nga Britania, Fixhi, Gjermania, Greqia, Zelanda e Re dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Ishte hera e parë pas 30 vjetësh që lajmëtarët vendës mund të shoqëroheshin lirisht me vëllezër e motra të huaj. Donald Duori kujton: «Ishim aq të lumtur, sa na dukej si ëndërr. Karakteri frymor, dashuria dhe fryma vetëmohuese e vizitorëve na dhanë jashtëzakonisht zemër.» Një vëlla tjetër shton: «Fituam edhe aftësi të çmuara në ndërtim. Lajmëtarë që kishin përdorur vetëm qirinj, mësuan të lidhnin llamba elektrike. Të tjerë që kishin përdorur vetëm erashka, mësuan të instalonin kondicionerë. Madje mësuam të përdornim edhe pajisje elektrike.»

Nga ana tjetër, vullnetarët e huaj u prekën shumë nga besimi dhe dashuria që treguan vëllezërit e motrat në Mjanmar. Brus Pikeringu thotë: «Vëllezërit ishin të varfër, por kishin zemër të madhe. Shumë na ftonin në shtëpi për të ngrënë dhe na jepnin ushqimin që familjeve të tyre do t’u kishte mjaftuar për disa ditë. Ky shembull na kujtoi çfarë ka vërtet rëndësi në jetë​—familja, besimi, vëllazëria jonë dhe bekimi i Perëndisë.»

Më 22 janar 2000, në një mbledhje të veçantë që u mbajt në Teatrin Kombëtar, u bë kushtimi i godinave të reja të degës. Vëllezërit vendës u emocionuan shumë kur dëgjuan fjalimin e kushtimit nga Xhon Barri i Trupit Udhëheqës.

Ndërtohen Salla Mbretërie të reja

Teksa puna në degën e re shkonte drejt përfundimit, vëllezërit e kthyen vëmendjen te një tjetër nevojë urgjente—Sallat e Mbretërisë. Në vitin 1999, erdhën nga Japonia Nobuhiko dhe Aja Kojama. Nobuhikoja ndihmoi që në degë të formohej një Zyrë Ndërtimi për Salla Mbretërie. Ai thotë: «Ne vëllezërit filluam të inspektonim ambientet ku mbaheshin mbledhjet e kongregacionit në mbarë vendin. Kjo përfshinte të udhëtonim me autobus, avion, motoçikletë, biçikletë, barkë dhe më këmbë. Shpesh na duheshin leje udhëtimi nga qeveria, pasi të huajt ndaloheshin të hynin në shumë zona. Sapo kuptuam ku kishte nevojë për salla, Trupi Udhëheqës me dashamirësi dha fonde ndërtimi nga programi për vendet me të ardhura të kufizuara.

Pasi mblodhëm një skuadër me vullnetarë entuziastë, punëtorët erdhën në Shuipitë, një periferi e Jangunit, që të ndërtonin sallën e parë të re. Për projektin punuan së bashku vëllezër të huaj e vendës dhe kjo i habiti policët e zonës, të cilët e kishin pezulluar ndërtimin disa herë për të vërtetuar me shefat e tyre nëse kjo përzierje njerëzish ishte e ligjshme. Vëzhgues të tjerë i lavdëruan vëllezërit. Një burrë thirri: ‘Pashë një të huaj që pastronte banjën! S’kam parë kurrë të huaj të bëjnë punë të tilla. Ju po që jeni ndryshe!’

Ndërkohë, një skuadër tjetër ndërtimi nisi punën për një sallë të re në Taçilejk, qytet në kufirin Mjanmar-Tajlandë. Shumë Dëshmitarë tajlandezë kalonin kufirin çdo ditë që të punonin për projektin me vëllezërit në Mjanmar. Të dy grupet punuan në unitet, ndonëse flitnin gjuhë të ndryshme. Në kontrast të thellë me këtë, pak a shumë kur përfundoi salla, grupe ushtarake kundërshtare nisën luftimet në kufi. Përreth sallës vërshuan bombardime e plumba, por ajo nuk u prek. Kur luftimet u qetësuan, 72 veta u mblodhën në sallë që t’ia kushtonin ndërtesën Jehovait, Perëndisë së paqes.»

Që nga viti 1999, skuadrat për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë kanë ndërtuar mbi 65 Salla Mbretërie të reja në vend

Që nga viti 1999, skuadrat për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë kanë ndërtuar mbi 65 salla të reja në vend. Si ndikoi kjo te lajmëtarët vendës? Një motër mirënjohëse u shpreh me lot gëzimi në sy kur përcolli ndjenjat e shumë të tjerëve: «S’e mendoja kurrë që do të kishim një sallë të re kaq të bukur! Tani do të përpiqem edhe më shumë të ftoj në mbledhje të interesuarit. Falënderoj Jehovain dhe organizatën e tij për mirësinë që na treguan!»

Vijnë misionarë

Gjatë viteve 90, pas dekadash izolimi, gradualisht Mjanmari filloi t’ia hapte dyert vendeve të tjera. Prandaj, zyra e degës i kërkoi leje qeverisë që misionarët të vinin sërish në vend. Më në fund, në janar 2003, erdhën nga Japonia të diplomuarit e Galaadit Hiroshi dhe Junko Aoki, misionarët e parë që hynë në Mjanmar pas 37 vjetësh.

Hiroshi thotë: «Me kaq pak të huaj në vend, duhej të ishim të matur që autoritetet të mos e keqkuptonin natyrën e veprës së predikimit. Prandaj, si fillim shoqëronim vëllezërit e motrat vendëse në rivizita e studime biblike. Shpejt kuptuam se banorëve të Mjanmarit u pëlqente shumë të flitnin për Perëndinë. Mëngjesin e parë që dolëm në shërbim, nisëm pesë studime biblike të reja!»

Junkoja shton: «E përjetuam shpesh dorën e Jehovait që na drejtonte. Një herë, teksa ktheheshim me motoçikletë nga një studim biblik afër Mandalait, na u shpua njëra gomë. Kërkuam ndihmë në një ofiçinë aty afër, ku e çuam motoçikletën me të shtyrë. Hiroshin e lanë të hynte me motoçikletën, kurse unë duhej të prisja te kabina e rojës së sigurimit, i cili ishte kureshtar.

—Çfarë bëni këtu?—më pyeti.

—Po vizitojmë disa miq,—iu përgjigja.

—Pse? Keni ndonjë mbledhje fetare?—këmbënguli ai.

Nuk isha e sigurt për motivet e tij, kështu që nuk u përgjigja.

—Ji e sinqertë! Cilës organizate i përkitni?—vazhdoi ai.

Nxora nga çanta një revistë Kulla e Rojës dhe ia tregova.

—E dija!—tha i kënaqur. Duke u kthyer nga kolegët, tha tërë gëzim: ‘Ja! Një engjëll ka shpuar njërën gomë që t’i sillte këtu Dëshmitarët e Jehovait.’

Ai nxori nga çanta një Bibël dhe një nga fletushkat tona. Kishte studiuar me Dëshmitarët në një zonë tjetër, por i kishte humbur lidhjet me ta kur ishte shpërngulur në Mandalai. Menjëherë filluam studim biblik me të. Më vonë, studiuan edhe disa nga kolegët e tij.»

Në vitin 2005, në Mjanmar erdhën edhe katër misionarë të tjerë, kësaj radhe nga Shkolla e Stërvitjes për Shërbim (tani quhet Shkolla Biblike për Vëllezërit Beqarë) në Filipine. Njëri nga vëllezërit, Nelson Hunjo, u përball me një sfidë të zakonshme për shumë misionarë, mallin për shtëpinë. Ai thotë: «Shpesh qaja dhe lutesha para se të flija. Më vonë, një vëlla dashamirës më tregoi shkrimin e Hebrenjve 11:15, 16. Atje thuhet se Abrahami dhe Sara nuk vazhduan të dëshironin shtëpinë e mëparshme në Ur, por ecën përpara sipas qëllimit të Perëndisë. Pasi e lexova këtë shkrim, nuk qava më. Fillova ta shihja caktimin si shtëpinë time.»

Shembuj të mirë për të gjithë

Në shekullin e parë, apostulli Pavël e këshilloi Timoteun: «Gjërat që dëgjove nga unë . . . besojua njerëzve të besueshëm, të cilët pastaj duhet të jenë të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar edhe të tjerë.» (2 Tim. 2:2) Duke e marrë për zemër këtë parim, misionarët punuan për t’i ndihmuar kongregacionet në Mjanmar që të ecnin në një hap me procedurat teokratike të popullit të Jehovait në mbarë botën.

Për shembull, misionarët panë se mjaft lajmëtarë vendës ua mësonin studentëve Biblën duke u kërkuar të përsëritnin përgjigjet drejtpërdrejt nga libri​—metodë e përdorur në shumicën e shkollave të Mjanmarit. Jomar Ubinja thotë: «Me durim i nxitnim lajmëtarët t’i pyetnin studentët për pikëpamjen e tyre, që t’ua kuptonin mendimet e ndjenjat. Lajmëtarët i zbatuan menjëherë sugjerimet dhe u bënë mësues më të efektshëm.»

Gjithashtu, misionarët vunë re se shumë kongregacione kishin vetëm një plak ose shërbëtor ndihmës. Disa nga këta vëllezër të emëruar, ndonëse besnikë e të palodhur, u vinin motrave e vëllezërve shumë rregulla të rrepta. Patjetër, kjo prirje njerëzore duhet të ketë ekzistuar edhe në shekullin e parë, kur apostulli Pavël i nxiti pleqtë: «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj, jo . . . duke u sjellë si zotër me ata që janë trashëgimia e Perëndisë, por duke u bërë shembuj për kopenë.» (1 Pjet. 5:2, 3) Si mund t’i ndihmonin misionarët vëllezërit e tyre? Benjamin Rejesi thotë: «U përpoqëm të linim shembull të mirë duke qenë tejet të dashur, të butë e të afrueshëm.» Gradualisht, shembulli i tyre i mirë ndikoi te të tjerët. Shumë pleq ndryshuan qëndrim dhe nisën të kujdeseshin për kopenë më me dhembshuri.

Dobitë e një përkthimi më të mirë

Për shumë vite, vëllezërit në Mjanmar përdornin një Bibël të shekullit të 19-të, e përkthyer në gjuhën vendëse nga misionarët e të ashtuquajturit krishterim me ndihmën e murgjve budistë. Ky përkthim përmban shumë fjalë të vjetra në gjuhën pali dhe është shumë i vështirë të kuptohet. Prandaj, kur në vitin 2008 doli në gjuhën vendëse Shkrimet e Krishtere Greke-Përkthimi Bota e Re, vëllezërit rrezatonin nga lumturia. Moris Raxhi kujton: «Auditori duartrokiti gjatë, madje disa qanë nga gëzimi kur morën Biblën e tyre. Përkthimi i ri është i qartë, i thjeshtë dhe i saktë. Edhe budistëve u duket i lehtë për t’u kuptuar!» Pak pasi doli ky përkthim, numri i studimeve biblike në vend u rrit mbi 40 për qind.

Ashtu si shumë gjuhë të tjera, gjuha e Mjanmarit ka dy stile: stilin formal që i ka rrënjët në gjuhët pali dhe sanskrite dhe stilin bisedor që përdoret në jetën e përditshme. Të dy stilet ekzistojnë edhe në të folur, edhe në të shkruar. Pjesa më e madhe e botimeve tona të vjetra përdornin stilin formal, i cili sa vjen e u duket më i vështirë njerëzve. Me këtë në mendje, kohët e fundit dega filloi t’i përkthejë botimet në gjuhën e përditshme vendëse që kuptohet lehtë nga shumica.

Këto botime të reja kanë pasur ndikim të menjëhershëm. Mbikëqyrësi i Repartit të Përkthimit, Tan Tui Uji, shpjegon: «Dikur, njerëzit thoshin: ‘Literatura juaj është e një cilësie të lartë, por s’e kuptoj dot.’ Tani u qesh fytyra dhe menjëherë fillojnë të lexojnë. Shumë thonë të kënaqur: ‘Kjo literaturë kuptohet kaq lehtë!’» Edhe komentet në mbledhjet e kongregacionit janë përmirësuar, pasi tani të pranishmit e kuptojnë atë që shkruhet në botimet tona.

Sot, reparti i përkthimit ka 26 përkthyes në kohë të plotë, të cilët punojnë në skuadra për tri gjuhë​—mjanmare, haka-çine dhe sgo-keine. Gjithashtu, literatura është përkthyer edhe në 11 gjuhë të tjera vendëse.

Cikloni Nargis

Më 2 maj 2008, Mjanmarin e goditi cikloni Nargis, stuhi e fortë me erëra 240 kilometra në orë që la të vdekur e rrënoja që nga delta e Iravavit deri në kufirin tajlandez. Cikloni preku mbi 2 milionë veta dhe si pasojë, rreth 140.000 vdiqën ose s’u gjetën më.

Mijëra Dëshmitarë të Jehovait u prekën nga cikloni, por si për mrekulli asnjë s’u dëmtua. Mjaft mbijetuan duke u strehuar te Sallat e Mbretërisë të ndërtuara kohët e fundit. Në Botingong, fshat bregdetar në deltën e Iravavit, 20 Dëshmitarë dhe 80 fshatarë të tjerë qëndruan ulur për nëntë orë në trarët e çatisë së Sallës së Mbretërisë, teksa ujërat e përmbytjes ngriheshin kërcënues pranë tavanit, e pastaj uleshin sërish.

Zyra e degës dërgoi menjëherë një skuadër që ndihmoi në rajonin më të prekur, në grykën e deltës. Skuadra udhëtoi përmes terrenit të shkretë plot me kufoma dhe solli në fshat ushqim, ujë e ilaçe. Ishte skuadra e parë që ndihmoi në atë zonë. Përveç furnizimeve, skuadra u dha zemër vëllezërve e motrave duke mbajtur fjalime të bazuara në Shkrime, duke u dhënë Bibla e literaturë biblike, meqë të gjitha zotërimet ua kishte përlarë cikloni.

Për të koordinuar ndihmat e mëdha, zyra e degës ngriti Komitete Ndihme në Rast Katastrofe në Jangun dhe Paten. Këto komitete organizuan qindra vullnetarë që t’u shpërndanin viktimave ujë, oriz e furnizime të tjera bazë. Gjithashtu, organizuan skuadra ndërtimi të shpejta për të ndërtuar shtëpitë e Dëshmitarëve që ishin dëmtuar ose shkatërruar nga cikloni.

Një nga vullnetarët që ndihmoi, Tobias Lundi, tregon: «Ime shoqe dhe unë gjetëm 16-vjeçaren Mej Sin Uji, e vetmja lajmëtare në familje, tek thante në diell Biblën mes rrënojave të shtëpisë. Buzëqeshi kur na pa, por sytë i kishte me lot. S’kaloi shumë dhe skuadrat tona të ndërtimit me kaskat e forta, pajisjet elektrike dhe materialet e ndërtimit erdhën dhe nisën të ndërtonin një shtëpi fringo të re për familjen e saj. Fqinjët ngelën pa fjalë. Njerëzit qëndronin ulur për ditë me radhë afër ndërtimit, i cili tërhiqte goxha vëmendje në zonë. Vëzhguesit thanë: ‘S’kemi parë ndonjëherë diçka të tillë. Organizata juaj është kaq e bashkuar dhe e dashur. Edhe ne duam të bëhemi Dëshmitarë të Jehovait.’ Tani prindërit dhe vëllezërit e motrat e Mej Sin Ujit ndjekin mbledhjet dhe e gjithë familja po përparon shkëlqyeshëm frymësisht.»

Dhënia e ndihmave vazhdoi për muaj me radhë. Vëllezërit shpërndanë tonelata me furnizime dhe riparuan ose rindërtuan 160 shtëpi dhe 8 Salla Mbretërie. Cikloni Nargis solli tragjedi dhe vështirësi në Mjanmar, por retë e tij të stuhishme zbuluan sheshit diçka të çmuar​—lidhjet e dashurisë që bashkojnë popullin e Perëndisë dhe i japin lavdi emrit të Tij.

Ngjarje e paharrueshme

Në fillim të vitit 2007, zyra e degës në Mjanmar mori një letër emocionuese. Jan Sharpi, i cili bashkë me gruan, Janetën, kishte ardhur në degë një vit më parë, thotë: «Trupi Udhëheqës na kërkoi të organizonim një kongres ndërkombëtar në Jangun. Në këtë kongres të vitit 2009 do të vinin qindra delegatë të huaj nga dhjetë vende, diçka e re në historinë e degës sonë.

Na lindën dhjetëra pyetje: ‘Cili vend bën për kongresin? A do të vijnë dot lajmëtarët nga zonat e largëta? Ku do të rrinë? Si do të udhëtojnë? A do t’ia dalin të ushqejnë familjen? Po autoritetet e Mjanmarit, ç’do të thonë? A do të na lejojnë të mbajmë kongresin?’ Pengesat dukeshin pa fund. Gjithsesi, sollëm ndër mend fjalët e Jezuit: ‘Ato që janë të pamundura për njerëzit, janë të mundura për Perëndinë.’ (Luka 18:27) Kështu, me besim te Perëndia, filluam të bënim plane specifike për kongresin.

S’kaloi shumë e zgjodhëm një vend të përshtatshëm​—Stadiumin Kombëtar të Mjanmarit në qendër të qytetit, që është i mbuluar dhe ka 11.000 vende dhe ajër të kondicionuar. Pa humbur kohë, u kërkuam autoriteteve leje për vendin. Por, disa muaj më vonë dhe veçse ca javë para kongresit, kërkesa nuk na ishte miratuar ende. Pastaj morëm lajmin e hidhur: drejtorët e stadiumit ua kishin dhënë me qira vendin disa sportistëve të kikboksit në të njëjtat data me kongresin. Nuk kishim kohë për të gjetur vend tjetër, prandaj me durim biseduam me organizatorin e kikboksit, si dhe me dhjetëra zyrtarë për të zgjidhur këtë punë. Më në fund, organizatori tha se mund ta shtynte turneun vetëm nëse të 16 sportistët profesionistë do të pranonin të ndryshonin kontratën. Të gjithë pranuan sapo morën vesh se Dëshmitarët e Jehovait e donin vendin për një kongres të veçantë.»

Xho Uini, një tjetër anëtar i Komitetit të Degës, thotë: «Gjithsesi, ende s’kishim miratimin e qeverisë që të përdornim stadiumin dhe tashmë kërkesën na e kishin refuzuar katër herë. Pasi iu lutëm Jehovait, u takuam me personin që kishte nën kontroll të gjitha stadiumet e Mjanmarit. Ishim vetëm dy javë para kongresit dhe kjo ishte hera e parë që flitnim me një zyrtar kaq të lartë. Sa u kënaqëm që ai na e miratoi kërkesën!»

Ndërsa ndodhnin të gjitha këto, mijëra delegatë nga i gjithë Mjanmari dhe përtej detit po vinin në Jangun me avion, tren, barkë, autobus, kamion dhe më këmbë. Mjaft familje nga Mjanmari kursyen për muaj të tërë që të merrnin pjesë. Dhjetëra vëllezër kultivuan drithë, të tjerë rritën derra, disa qepën rroba dhe të tjerë akoma gërmuan për ar. Shumë s’kishin qenë kurrë në një qytet të madh ose s’kishin parë ndonjëherë një të huaj.

Mbi 1.300 delegatë nga veriu i Mjanmarit u grumbulluan në stacionin hekurudhor të Mandalait që të kapnin trenin e prenotuar për në Jangun. Një grup nga Naga Hillsi kishte udhëtuar gjashtë ditë duke mbajtur në kurriz dy lajmëtarë të cilëve, në fillim të udhëtimit, u ishin prishur karrocat e invalidit që i kishin bërë vetë. Qindra u mblodhën jashtë platformës së stacionit, ku bisedonin, qeshnin dhe këndonin këngë Mbretërie. Bum Çin Kaj, i cili ndihmoi me transportin, thotë: «Të gjithë ishin të kënaqur. U dhamë ushqim, ujë dhe dyshekë për të fjetur. Kur më në fund treni erdhi, pleqtë ndihmuan secilin grup të hipte në vagonin e caktuar. Në fund, një altoparlant jehoi: ‘Treni i Dëshmitarëve të Jehovait po niset!’ Pashë mirë mos kishte mbetur ndonjë në platformë dhe hipa në tren.»

Ndërkohë, në Jangun, afro 700 delegatë të huaj po strehoheshin në hotele. Por, ku do të strehoheshin mbi 3.000 delegatët nga Mjanmari? Min Luini që punoi në Repartin e Strehimit, thotë: «Jehovai ua hapi zemrën Dëshmitarëve në Jangun që të kujdeseshin për vëllezërit e motrat e tyre. Disa familje morën deri në 15 vizitorë. Ata paguan që t’i regjistronin mysafirët sipas ligjit dhe çdo ditë u siguruan mëngjes e transport vajtje-ardhje në stadium. Dhjetëra delegatë qëndruan në Sallat e Mbretërisë në qytet, kurse qindra të tjerë fjetën në një fabrikë të madhe. Por, me gjithë këto përpjekje masive, duhej ende strehim për afro 500 delegatë. Ua shpjeguam problemin drejtorëve të stadiumit dhe ata lejuan që delegatët të flinin në stadium​—rast i paprecedent!»

«Jehovai ua hapi zemrën Dëshmitarëve në Jangun që të kujdeseshin për vëllezërit e motrat e tyre»

Meqë stadiumi ishte në gjendje të mjerueshme, mbi 350 vullnetarë punuan për dhjetë ditë që ta përgatitnin për kongres. Ta Uini, mbikëqyrësi i kongresit, thotë: «Riparuam sistemin hidraulik, elektrik dhe sistemet e ajrit të kondicionuar. Pastaj lyem dhe pastruam të gjithë vendin. Kjo punë e jashtëzakonshme dha dëshmi të shkëlqyer. Oficeri ushtarak që kujdesej për stadiumin, tha me gëzim: ‘Faleminderit! Faleminderit! I lutem Zotit që ta përdorni stadiumin tim çdo vit.’»

Në kongresin që u mbajt më 3-6 dhjetor 2009, ishin mbi 5.000 të pranishëm. Ditën e fundit, shumë delegatë veshën kostume tradicionale që krijonin një pamje spektakolare ngjyra-ngjyra. Një motër tha: «Të gjithë përqafoheshin dhe qanin, që para se të fillonte programi.» Pas lutjes përmbyllëse që bëri Gerrit Lëshi nga Trupi Udhëheqës, auditori duartrokiti dhe përshëndeti me dorë disa minuta radhas. Një motër 86-vjeçare shprehu ndjenjat e shumë vetave: «U ndjeva si në botën e re!»

Ngjarja u bëri përshtypje edhe shumë zyrtarëve të qeverisë. Njëri prej tyre tha: «Ky grumbullim është unik. Asnjë nuk thotë fjalë të pista, nuk pi duhan, nuk përtyp arrë beteli. Grupe etnike të ndryshme janë në unitet. S’kam parë kurrë një grupim si ky!» Moris Raxhi tregon: «Edhe komandanti më i madh ushtarak i Jangunit na tha ne dhe kolegëve të tij se nuk kishte parë kurrë një ngjarje kaq mbreslënëse.»

Edhe shumë delegatë mendonin se kishin dhënë dëshmi të veçantë. Një vëlla vendës tha: «Para kongresit, vetëm sa kishim dëgjuar për vëllazërinë ndërkombëtare. Kurse tani e përjetuam vetë. S’do ta harrojmë kurrë dashurinë që na treguan vëllezërit!»

«Para kongresit, vetëm sa kishim dëgjuar për vëllazërinë ndërkombëtare. Kurse tani e përjetuam vetë»

«Të bardha për korrje»

Pothuajse 2.000 vjet më parë, Jezui u tha dishepujve: «Ngrini sytë dhe shihni fushat. Ato janë të bardha për korrje.» (Gjoni 4:35) E njëjta gjë vlen edhe për Mjanmarin sot. Aktualisht, vendi ka 3.790 lajmëtarë, pra 1 lajmëtar për çdo 15.931 banorë​—vërtet fushë e madhe për korrje! Përveç kësaj, në Përkujtimin e vitit 2012 morën pjesë 8.005 veta dhe kjo tregon potencialin e shkëlqyer për rritje.

Si dëshmi e mëtejshme e kësaj, le të shohim shtetin Rakajn, rajon bregdetar në kufi me Bangladeshin, i cili ka afro katër milionë banorë, por asnjë Dëshmitar të Jehovait. Moris Raxhi thotë: «Çdo muaj marrim shumë letra nga njerëzit e këtij rajoni, të cilët kërkojnë literaturë dhe ndihmë frymore. Po ashtu, gjithnjë e më shumë budistë në Mjanmar, sidomos të rinj, po tregojnë interes për të vërtetën. Prandaj, vazhdojmë t’i përgjërohemi Zotërisë që të dërgojë më shumë punëtorë në të korrat.»​—Mat. 9:37, 38.

«Vazhdojmë t’i përgjërohemi Zotërisë që të dërgojë më shumë punëtorë në të korrat»

Thuajse 100 vjet më parë, dy pionierë të guximshëm sollën lajmin e mirë në këtë vend kryesisht budist. Që atëherë, mijëra veta me prejardhje të ndryshme etnike kanë marrë anën e së vërtetës. Pavarësisht nga konfliktet e dhunshme, kryengritjet politike, varfëria e përhapur, përndjekja fetare, izolimi nga vendet e tjera dhe katastrofat natyrore, Dëshmitarët e Jehovait në Mjanmar kanë treguar përkushtim të patundur ndaj Perëndisë Jehova dhe Birit të tij, Jezu Krishtit. Ata janë të vendosur të predikojnë lajmin e mirë për Mbretërinë dhe ‘të qëndrojnë plotësisht e të jenë shpirtgjerë me gëzim’.​—Kolos. 1:11.

^ par. 2 Më parë Mjanmari quhej Birmani, sipas fisit të Bemarit (Birmanit), grupit më të madh etnik në Mjanmar. Vendi u riquajt Bashkimi i Mjanmarit më 1989, për të përfaqësuar grupet e shumta etnike të vendit. Për ngjarjet para vitit 1989 do të përdorim emrin Birmani, kurse për ngjarjet pas këtij viti do të përdorim emrin Mjanmar.

^ par. 8 Anglo-indianët kanë prejardhje të përzierë indiane dhe britanike. Nën sundimin britanik, mijëra anglo-indianë emigruan në Birmani e më pas u konsideruan pjesë e «Indisë britanike».

^ par. 8 Bertrem Maselini ishte i pari që u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait në Birmani. Ai vdiq atje në fund të viteve 60 të shekullit të 20-të, besnik deri në fund.

^ par. 62 Kjo shumë ishte baraz me 95 dollarë amerikanë, goxha para për atë kohë.

^ par. 71 Shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1966, faqja 192.

^ par. 113 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

^ par. 140 Tani MEPS-i siguron botime në më shumë se 600 gjuhë.