Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

Ngjarje të spikatshme nga viti i kaluar

Pjesa tokësore e organizatës së Jehovait po lëviz me hapa të pandalshëm. Ju ftojmë të lexoni për ngjarjet emocionuese të muajve të kaluar.

Blihen e shiten prona

Vend i ri për selinë botërore

Në korrik të vitit 2009, Dëshmitarët e Jehovait blenë një truall në shtetin e Nju-Jorkut, SHBA, me synimin për të shpërngulur atje selinë e tyre botërore. Prona prej 102 hektarësh gjendet rreth 80 kilometra në veriperëndim të ndërtesave ekzistuese në Bruklin, Nju-Jork, që prej vitit 1909.

Rreth 800 bethelitë do të jetojnë e punojnë në kompleksin e ri, ku do të ketë një godinë zyrash, një godinë shërbimesh të ndryshme, godina mirëmbajtjeje dhe katër godina banimi. Është planifikuar edhe një muze modest që dokumenton historinë e Dëshmitarëve të Jehovait në ditët tona.

Ndërtesat do të zënë 18 hektarë të truallit të blerë, kurse pyjet dhe sipërfaqet natyrore ujore do të lihen të paprekura. Peizazhi nuk do të përfshijë vetëm lëndina të mëdha. Përkundrazi, godinat do të harmonizohen më së miri me pyllnajën. Arkitektët i kanë projektuar ndërtesat në atë mënyrë që të kursejnë sa më shumë energji e burime natyrore, prandaj kjo do të ulë në minimum ndikimin te mjedisi dhe shpenzimet. Për shembull, çatitë e ndërtesave do të vishen me një tapet bimësh rezistente e të kollajshme për t’u mirëmbajtur, qoftë për të zbutur derdhjen e ujit të shiut, qoftë për t’i mbajtur të qëndrueshme temperaturat brenda ndërtesave. Ndërtesa e zyrave është projektuar në atë mënyrë që të shfrytëzojë në maksimum dritën natyrore. Një nga prioritetet është edhe kursimi i ujit.

Pse u planifikua kjo lëvizje? Tani Biblat dhe literatura biblike, që dikur shtypeshin vetëm në Bruklin, shtypen në zyra të ndryshme të Dëshmitarëve të Jehovait nëpër botë. Në vitin 2004, shtypja dhe dërgimi i literaturës për Shtetet e Bashkuara u zhvendosën në Uollkill, Nju-Jork, rreth 145 kilometra në veriperëndim të Bruklinit. Një arsye ishin edhe shpenzimet. Është e kushtueshme t’i zotërosh e t’i mirëmbash ndërtesat e vjetra e të shpërndara në Bruklin. Duke u shpërngulur në një kompleks më të mbledhur, mund t’i përdorim më mirë fondet e dhuruara.

Shkrihen disa nga zyrat e degëve

Që nga shtatori i vitit 2012, mbikëqyrja e më shumë se 20 zyrave të degëve të Dëshmitarëve të Jehovait u ka kaluar degëve më të mëdha. Këto ndryshime janë bërë për dy arsye kryesore.

1. Teknologjia ka thjeshtuar punën. Vitet e fundit, përmirësimet në telekomunikacion dhe në teknologjinë e shtypjes kanë ulur nevojën për personel në degë të mëdha. Si pasojë, në këto degë u krijua mundësia për të mirëpritur vullnetarë nga shtete të tjera që kishin punuar në degë më të vogla.

Nga këto vende kyçe, një grup Dëshmitarësh me përvojë kujdesen për arsimimin biblik. Për shembull, vepra e predikimit në vende, si Kosta Rika, Salvadori, Guatemala, Hondurasi, Nikaragua dhe Panamaja tani mbikëqyret nga dega e Meksikës. Prandaj, zyrat e degëve në këto gjashtë vende u mbyllën. Dyzet bethelitë nga këto gjashtë degë u ricaktuan të punonin në degën e Meksikës. Rreth 95 të tjerë qëndruan në vendet ku ishin dhe filluan predikimin në kohë të plotë.

Ndërsa disa të tjerë filluan të punonin në zyra përkthimi nën mbikëqyrjen e degës së Meksikës. Për shembull, rreth 20 përkthyes në Panama përkthejnë botime biblike në gjuhë indigjene. Në Guatemalë, 16 Dëshmitarë përkthejnë botime në katër gjuhë vendëse. Në Amerikën Qendrore, ky riorganizim ka ulur numrin e bethelitëve nga 300 në rreth 75.

2. Më shumë punëtorë predikojnë në kohë të plotë. Falë këtyre shkrirjeve, vëllezër që kanë shërbyer në degë të vogla mund të përqendrohen tani në predikimin e lajmit të mirë. Një vëlla në Afrikë, që u ricaktua në shërbimin në fushë, shkroi: «Muajt e parë ishte një sfidë të përshtatesha me rrethanat e reja. Megjithatë, fakti që kam dalë në shërbim çdo ditë më ka sjellë gëzim të pa masë dhe shumë bekime. Për momentin, po drejtoj studime biblike me 20 veta dhe disa prej tyre marrin pjesë në mbledhjet e kongregacionit.»

Pikë referimi prej shumë kohësh në Bruklin

Ditë e natë, për më tepër se 40 vjet, shkronjat e kuqe 4,6 metra sipër selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait kanë qenë një pamje e njohur për banorët e qytetit të Nju-Jorkut, mjaft prej të cilëve e përdorin për të parë orën dhe temperaturën.

Si fillim, pronari i mëparshëm i ndërtesës vendosi një tabelë më shumë se 70 vjet më parë. Dëshmitarët e Jehovait i dhanë pamje të re tabelës, pasi e blenë ndërtesën në vitin 1969.

Që të ishte më e efektshme dhe më e saktë, tabela është modifikuar disa herë. Në mes të viteve 1980, përveç orës dhe temperaturës në farenhait, tabelës iu shtua edhe temperatura në celsius.

Ebonia, e cila e shikon tabelën nga apartamenti i saj në Bruklin, tha: «Më ndihmon kur shoh nga dritarja orën dhe temperaturën para se të shkoj në punë. Kështu jam e përpiktë dhe vishem sipas motit.»

A do të vazhdojë kjo tabelë të jetë atje edhe për 40 vite të tjera? Me planin e ri të shpërnguljes së selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në veri të Nju-Jorkut, ky vendim ngelet në dorë të pronarëve të ardhshëm të ndërtesës.

Përhapin Fjalën

Diçka e re për Manhatanin

Në nëntor të 2011-s, një grup Dëshmitarësh të Jehovait nisën t’ua jepnin mesazhin biblik njerëzve në Manhatan. Ata ekspozuan në mënyrë tërheqëse literaturë në tavolina e tezga. Kjo nismë po zhvillohet në jug të Manhatanit, lagjja më gumëzhitëse dhe më e vjetër e Nju-Jorkut. Zona u nda në katër pjesë. Secila ka vende ku kalimtarët mund të ndalen pranë një tavoline a tezge të rregulluar bukur, plot me literaturë biblike dhe një pionier vendës qëndron aty për të ndihmuar. Mjaft nga këto vende gjenden nëpër stacionet e transportit publik ose pranë tyre, ku çdo ditë kalojnë dhjetëra mijë njerëz.

Në këto vende njerëzit mund të marrin përgjigje nga Bibla për shumë pyetje. Ata që s’kanë kohë, mund të marrin ndonjë botim e ta lexojnë më vonë. Literatura është në dispozicion në shumë gjuhë. Nëse ndonjë botim nuk është në dispozicion në një gjuhë të kërkuar, mund të porositet e të merret brenda pak ditëve.

Publiku dhe autoritetet janë shumë entuziastë për këtë nismë. Një polic tha: «Ku keni qenë më parë?! Ju keni pikërisht atë që u nevojitet njerëzve.» Një burrë ndaloi menjëherë kur syri i kapi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Tha se kishte parë njerëz në metro duke lexuar librin dhe donte të dinte ku e kishin gjetur. Tani e mori vesh.

Një i ri kishte kaluar çdo ditë për gjashtë javë radhazi pranë njërës prej tavolinave, teksa shkonte për në punë. Në fund, u ndal dhe tha: «Kam nevojë për pak ndihmë.» Ata që kujdeseshin për tavolinën, e ndihmuan me kënaqësi. I dhanë një Bibël dhe i treguan si të nxirrte dobi prej saj. Kalimtarë entuziastë janë ndalur për të folur për besimin dhe, brenda tetë muajsh, 1.748 veta kanë shprehur dëshirën për të studiuar Biblën. Falë kësaj nisme, në qershor të 2012-s njerëzit kanë marrë 27.934 revista dhe 61.019 libra.

Revistat tona​—Më pak faqe, më shumë gjuhë

Duke filluar nga janari i 2013-s, revista Zgjohuni! dhe Kulla e Rojës për publikun janë me 16 faqe në vend se 32. Meqë revistat do të kenë më pak material, skuadrat e përkthimit do të mund t’i përkthejnë ato në më shumë gjuhë. Aktualisht, Zgjohuni! përkthehet në 98 gjuhë, kurse Kulla e Rojës në 204 gjuhë. Botimi për studim i Kullës së Rojës do të vazhdojë të dalë si revistë me 32 faqe.

Disa artikuj që më parë dilnin në revistë, tani dalin vetëm në sitin www.pr418.com/sq. Këtu përfshihen artikujt «Për të rinjtë», «Mësimet e mia të Biblës» dhe raporte të diplomimeve të Galaadit nga revista Kulla e Rojës për publikun, si dhe «Bashkëbisedim si familje» e «Të rinjtë pyesin» nga revista Zgjohuni!

Përveç kësaj, një seri artikujsh që tani gjenden vetëm në sit japin përgjigje të qarta e të sakta për pyetje biblike dhe për Dëshmitarët e Jehovait. Gjithashtu, tani mund të shkarkohen nga siti edhe revista, libra, broshura etj. Me një kompjuter ose pajisje portative, përdoruesit mund të hapin menjëherë botimet tona në sitin www.pr418.com, në më shumë se 440 gjuhë.

Siti ynë merr pamje të re

Gjatë këtyre muajve të fundit, dhjetëra Dëshmitarë në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork, kanë punuar që ta bëjnë sitin www.pr418.com më tërheqës dhe më të lehtë për t’u përdorur qoftë në kompjuter, qoftë në një pajisje portative. Për më tepër, ata e kanë ndryshuar e përmirësuar sitin me dy synime:

1. Që të shkrihen sitet tona. Tri sitet e Dëshmitarëve të Jehovait janë shkrirë në një sit zyrtar, www.pr418.com. Sitet www.watchtower.org dhe www.jw-media.org nuk ekzistojnë më. Shkrirja e përmbajtjes së siteve siguron një burim të vetëm për ata që duan informacion nga ose për Dëshmitarët e Jehovait. Për shembull, mund të lexoni, të dëgjoni ose të shtypni faqe të Biblës dhe botime biblike në shumë gjuhë.

Më 27 gusht 2012, doli versioni i ri i sitit www.pr418.com

2. Që të shtohet informacion. Siti i përditësuar ka përgjigje për pyetje biblike dhe informacione për veprën e predikimit, zyrat e degëve, Sallat e Mbretërisë dhe kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait. Në pjesën «Të rejat», raportohen ngjarje që ndikojnë te vëllezërit tanë në mbarë botën. Gjithashtu ka rubrika interaktive për familjet, adoleshentët dhe fëmijët.

Në një ditë normale, disa qindra mijë njerëz lexojnë botimet tona online. Ata shkarkojnë afro gjysmë milion dokumente në audio, në format EPUB, PDF ose në gjuhën e shenjave. Çdo ditë, njëqind veta kërkojnë që dikush të studiojë Biblën me ta.

Ndihmojnë njerëz të çdo lloji

Bibla 2-metërshe

Përkthimi Bota e Re i plotë​—në dispozicion në gjuhën braile në anglisht, spanjisht dhe italisht—​ka 20 deri në 28 vëllime dhe kërkon të paktën 2 metra vend në bibliotekë. Formatet e tjera në braile kërkojnë më pak vend se Bibla e shtypur në letër me reliev. Për shembull, pajisjet për mbajtjen e shënimeve në braile i ndihmojnë të verbrit të mbajnë shënime dhe të gjejnë informacione elektronike me anë të një pajisjeje portative, e cila përmes gjilpërave që ulen e ngrihen, krijon simbolet në braile. Gjithashtu, të verbrit mund t’i gjejnë e t’i dëgjojnë botimet me ndihmën e programeve që lexojnë tekstin e shkruar dhe e kthejnë në gjuhë të folur.

Për më shumë se 100 vjet, Dëshmitarët kanë nxjerrë botime biblike për të verbrit, të cilat tani janë në dispozicion në 19 gjuhë. Edhe pse të verbrit e interesuar mund t’i marrin ato pa pagesë, shumica prej tyre kontribuojnë me dëshirë.

Veç këtyre, Dëshmitarët kanë zhvilluar një program kompjuterik në gjendje që të transkriptojë tekstin në gjuhë të ndryshme braile. Pasi përgatitet tabela e konvertimit, e cila përmban shkronjat e një gjuhe të caktuar dhe ato të gjuhës braile, programi mund ta kthejë gjithë tekstin në braile. Gjithashtu, ky program e kthen botimin në një format që ia bën të lehtë të verbrit ta lexojë. Kjo formë automatike do të bëjë të mundur të prodhohen botime në gjuhën braile, përfshirë edhe Biblën, në pothuaj çdo gjuhë që ka alfabetin në braile, madje edhe ato që nuk përdorin shkronja latine.

Më parë, kur dilte një botim i ri në kongreset e Dëshmitarëve, njoftohej se botimet në braile mund të porositeshin më vonë. Në vitin 2011, zyra e degës në Shtetet e Bashkuara anketoi kongregacionet për t’u informuar se në cilin kongres planifikonin të merrnin pjesë të verbrit dhe cilin format parapëlqenin (letër me reliev, pajisje elektronike për mbajtjen e shënimeve ose për leximin).

Kopje të shtypura në letër me reliev u dërguan nëpër kongreset ku ishin të pranishëm persona të verbër dhe kjo bëri të mundur që ata t’i merrnin botimet e reja njëkohësisht me të tjerët. Formatet elektronike iu dërguan me postë elektronike kujtdo që dëshironte t’i kishte.

Një motër e verbër tha: «Ishte një privilegj i mrekullueshëm që e mora literaturën njëherazi me gjithë të tjerët. Psalmi 37:4 thotë se Jehovai do të na japë çfarë të na dojë zemra. Kështu bëri këtë fundjavë!» Një tjetri iu mbushën sytë me lot dhe tha: «Falënderoj Jehovain që kujdeset kaq mirë për ne.»

Mijëra veta mësojnë shkrim e lexim

Në vitin 2011, Dëshmitarët e Jehovait ndihmuan më shumë se 5.700 veta të shkruanin e të lexonin. Ja çfarë ka ndodhur në disa vende:

Ganë: Gjatë 25 viteve të fundit, kemi ndihmuar mbi 9.000 veta të shkruajnë e të lexojnë.

Mozambik: Gjatë 15 viteve të fundit, kanë mësuar të lexojnë më tepër se 19.000 veta. Një studente me emrin Felizarda tha: «Jam shumë e kënaqur tani që mund t’i gjej e t’ua lexoj të tjerëve shkrimet biblike. Më parë e kisha mjaft të vështirë.»

Ishujt Solomon: Zyra e degës shkruan: «Në të kaluarën, shumë nga ata që jetonin në zona të izoluara, nuk shkonin në shkollë. Gjithashtu, të pakta ishin vajzat që arsimoheshin siç duhet. Prandaj, sidomos gratë kanë nxjerrë dobi nga klasat për mësimin e shkrimit e të leximit. Pas kursit, mjaft veta kanë më tepër besim te vetja.»

Zambie: Që nga viti 2002, afro 12.000 veta kanë përmirësuar shkrim e lexim. Agnesa 82-vjeçare thotë: «Doja shumë të futesha në klasat për të mësuar shkrim e lexim që u njoftuan në kongregacion. Që në mësimin e parë, mësova të shkruaj emrin tim!»

Këngë lëvdimi në shumë gjuhë

Tashmë Dëshmitarët e Jehovait përkthejnë literaturë biblike në afro 600 gjuhë. Përkthimi i librit me të 135 këngët ka qenë shumë i mundimshëm. E prapëseprapë, brenda tre vjetësh libri Këndojini Jehovait u përkthye në 116 gjuhë. Një version tjetër me 55 këngë është në dispozicion në 55 gjuhë. Shumë shpejt, ky botim do të dalë edhe në dhjetëra gjuhë të tjera.

Përkthyesit e këngëve i përkthejnë paksa ndryshe tekstet, pasi ato duhet të jenë të kuptueshme, të bukura dhe që mbahen mend lehtë. Përveç kësaj, gjuha e përdorur në një këngë lëvdimi duhet të jetë shumë e thjeshtë, që këngëtari ta kapë menjëherë kuptimin dhe qëllimin e çdo vargu. Është e nevojshme që në çdo gjuhë fjalët dhe muzika të ndërthuren e të rrjedhin natyrshëm, sikur të ishin fjalët e vetë këngëtarit.

Si e arrijnë këtë qëllim përkthyesit? Në vend që të përkthejnë fjalë për fjalë vargje nga libri Këndojini Jehovait në anglisht, ata shkruajnë tekste të reja për muzikën që të përcjellin thelbin e këngës në gjuhën origjinale. Ndërsa përpiqen që për çdo këngë t’u përmbahen ngushtësisht mendimeve nga Shkrimet, përkthyesit përdorin shprehje të njohura në gjuhën e tyre që janë të lehta për t’u kuptuar e kujtuar.

Në fillim teksti është përkthyer fjalë për fjalë nga anglishtja. Pastaj, një Dëshmitari që i jepet për të shkruar tekste këngësh, e ka përshtatur tekstin e përkthyer në vargje të bukura, por me kuptim në gjuhën e re. Me synimin që të ruhej saktësia e Shkrimeve, më vonë skuadra e përkthyesve dhe e redaktorëve ka kontrolluar punën e atyre që kanë shkruar tekstin. Ndonëse kërkohet punë kolosale për përkthimin e librit të këngëve, Dëshmitarët e Jehovait nëpër botë janë kënaqur shumë që mund të këndojnë këngë lëvdimi në gjuhën e tyre.

Zyra përkthimi atje ku flitet gjuha e përkthyesve

Libri i Zbulesës profetizon se të mirosurit në ditët tona do t’i ftonin njerëzit të vinin e ‘të merrnin falas ujin e jetës’. (Zbul. 22:17) Kjo ftesë do t’u bëhej ‘të gjithë popujve dhe gjuhëve’. (Zbul. 7:9) Deri kohët e fundit, shumica e përkthyesve punonin në zyrën e degës, ndonëse gjuha në të cilën përkthenin flitej në pjesë të tjera të vendit. Kjo ua bënte të vështirë të vazhdonin përkthimin në gjuhën e tyre dhe t’u preknin zemrën lexuesve. Por tani, shumë skuadra përkthyesish po zhvendosen në zyra përkthimi në zonat ku flitet gjuha e tyre. Ky ndryshim ka dalë një bekim në shumë drejtime, siç e tregojnë komentet e mëposhtme të përkthyesve.

Një përkthyese maja në Meksikë, thotë: «U ndjeva si një bimë e vogël që e mbollën sërish në tokën e saj, në mjedisin e vet natyror.» Një përkthyes në jug të Rusisë, tha: «Kur përkthyesi e ka zyrën në zonën ku flitet gjuha në të cilën përkthen, ndihet si në parajsë. Gjuha e televizionit, e librave dhe e Internetit ndryshon kryekëput nga gjuha e përditshme. Në rastin tonë, e vetmja mënyrë që të përkthejmë natyrshëm është duke dëgjuar gjuhën e popullit.»

«U ndjeva si një bimë e vogël që e mbollën sërish në tokën e saj, në mjedisin e vet natyror»

Një përkthyes tshilube në Kongo, tha: «E flasim gjuhën tonë çdo ditë​—në veprimtaritë e përditshme si, kur blejmë, kur bisedojmë me fqinjët, në predikim dhe në mbledhjet e krishtere. Studiojmë atë që kemi përkthyer dhe përdorim botimet në gjuhën tshilube në shërbim, prandaj e dallojmë menjëherë nëse njerëzit e kuptojnë gjuhën që përdorin përkthyesit.»

Një përkthyes lukonze në Ugandë, tha: «S’e imagjinoni dot sa të lumtur jemi kur shkojmë në mbledhje që mbahen në gjuhën që flasim e përkthejmë. Gjithashtu kënaqemi më shumë në shërbim, pasi tani u flasim njerëzve në gjuhën mëmë.»

Edhe kongregacionet ku janë caktuar përkthyesit kanë nxjerrë dobi. Një motër tha për përkthyesit maja: «Ata na japin zemër me fjalët dhe shembullin e shkëlqyer. Është sikur të kemi këtu një copëz Bethel, dhe kjo është diçka shumë e veçantë.»

Komunikimi është inkurajues për të dyja palët. Një përkthyes në Kenia, thotë: «Me fare pak materiale të botuara në luo, njerëzit këtu s’e imagjinonin ndonjëherë të kishin botime kaq cilësore në gjuhën e tyre. Prandaj, mjaft veta emocionohen kur i marrin. Kur shoh këtë reagim, marr vërtet zemër dhe kam më shumë arsye për të vazhduar në caktim e për të bërë më të mirën.»

Shumë nga këta përkthyes kanë shërbyer për vite, madje dekada, në një zyrë dege. Fryma e shkëlqyer dhe gatishmëria për të vënë interesat e deleve të Jehovait para vetes çmohet shumë dhe kjo frymë po bekohet. Një përkthyes xhose në Afrikën e Jugut përmblodhi atë që ndiejnë shumë veta: «Vendimi për të hapur këto zyra përkthimi është një vendim i shkëlqyer nga Trupi Udhëheqës. Në Bethel jemi të lumtur, por në zyrën e përkthimit jemi edhe më të lumtur.»

Lajme të shkurtra nga e gjithë bota

«Vëllezërit u kujdesën shumë për ne»

Të dielën, më 3 qershor 2012, në Nigeri ndodhi një tragjedi ajrore. Një avion me 153 pasagjerë u rrëzua në një periferi shumë të populluar të Lagosit, qyteti më i madh i Nigerisë, duke vrarë kështu gjithë pasagjerët e tij, si edhe njerëz në tokë.

Kolins Iveji dhe familja e tij jetonin në katin e fundit të një pallati trikatësh që u godit nga avioni. Kur ndodhi aksidenti, familja ishte në një mbledhje kongregacioni në Sallën e Mbretërisë.

Rreth orës 15.35, gjatë studimit të Kullës së Rojës, Kolinsi dhe e shoqja, Çinjera, panë thirrje të humbura në celular. Sapo mbaroi mbledhja, Çinjera u përgjigj në telefon. Fqinjët e njoftuan se pallati i saj kishte marrë zjarr. Me të mbërritur atje, familja Iveji pa se avioni ishte përplasur me pallatin e tyre dhe ishte ndalur mbi një ndërtesë aty afër, ku kishte shpërthyer në flakë.

Çinjera tha: «Po të kishim qenë në shtëpi, me siguri do të kishim vdekur. Pas katastrofës, kishim vetëm rrobat e mbledhjes, ama ishim gjallë. Mbikëqyrësi qarkor organizoi menjëherë një komitet ndihme dhe vëllezërit u kujdesën shumë për ne. U jemi shumë mirënjohës.»

Kolinsi shton: «Të afërmit e mi që më kundërshtonin ngaqë isha Dëshmitar, kanë ndryshuar mendim. Një prej tyre më tha: ‘Jehovai juaj u përgjigjet lutjeve. Kapuni fort pas Perëndisë suaj, sepse ai ju ndihmon.’ Një tjetër tha: ‘Çfarëdo gjëje që bëni për t’i shërbyer Perëndisë, vazhdoni ta bëni me gjithë shpirt.’ E kemi parë vërtet dorën e Jehovait në rastin tonë. Jam shumë i lumtur.»

Parlamenti miraton regjistrimin e kishave

Më 27 shkurt 2012, qeveria e Hungarisë miratoi një shtesë në Ligjin e Kishës sipas së cilës Dëshmitarët e Jehovait njihen ligjërisht si komunitet fetar. Ky status ligjor do të jetë ndihmë e mëtejshme në predikimin e lajmit të mirë në Hungari. Gjithashtu, falë tij Dëshmitarët e Jehovait nuk paguajnë taksa dhe lejohen të pranojnë kontribute e të bëjnë vizita baritore në burgje dhe spitale.

Përkujtim në ambient të veçantë

Një pionier special nga Runduja, Namibi, tregon për Përkujtimin që ndoqi në një fshat aty afër. Vëllezërit kishin gjetur të interesuar atje dhe vendosën që, për herë të parë, ta mbanin Përkujtimin në gjuhën vendëse, rumanio. Ai shkroi: «Ambienti ishte i bukur, jashtë nën hënën e plotë, me llamba vajguri dhe dy drita me bateri.» Kjo e bënte grupin të ndihej afër Jehovait. Ndonëse i vetmi lajmëtar në zonë e nisi predikimin në mars, në Përkujtim erdhën 275 veta!

Kushtime degësh që nderojnë Jehovain

Data 19 nëntor 2011 zë vend të veçantë në historinë e organizatës së Jehovait në Republikën e Afrikës Qendrore dhe në Çad. Atë ditë, 269 vëllezër e motra u mblodhën përballë godinave të sapondërtuara të degës në Republikën e Afrikës Qendrore. Ishte kënaqësi të kishin atje Samuel Hërdin, anëtar i Trupit Udhëheqës, i cili do të mbante fjalimin e kushtimit të kompleksit të ri të Bethelit që do të përdorej në shërbim të Jehovait. Gjatë programit, u tregua shkurtimisht historia e veprës së predikimit në të dyja vendet. Në Republikën e Afrikës Qendrore vepra filloi në vitin 1947, kurse në Çad në vitin 1959. Fjalimi tjetër tregoi hollësi për ndërtimin dhe të gjithë ata që punuan për godinat. Pas përshëndetjeve nga vende të shumta, auditori u kënaq me fjalimin e kushtimit nga vëlla Hërdi. Të 42 pjesëtarët e familjes Bethel i vlerësojnë tetë zyrat për përkthim, një kuzhinë, një sallë ngrënieje dhe një lavanderi, të cilat i plotësojnë më së miri nevojat e tyre. Me 22 dhoma banimi e ambiente të tjera si, një recepsion, zyra administrative dhe një hapësirë dërgimesh, familja Bethel funksionon shumë mirë.

Ishte kushtimi i parë i degës në Kongo

E shtuna e 26 marsit 2012 ishte ditë e paharrueshme për Dëshmitarët e Jehovait në Kongo (Kinshasë). Pas tetë vjetësh ndërtimi e rinovimi, godinat e degës u kushtuan. Ky rast ishte i veçantë sepse, ndonëse një zyrë dege ka ekzistuar në Kongo për thuajse 50 vjet, ky ishte programi i parë i kushtimit të degës i mbajtur në vend. Xhefri Xheksoni nga Trupi Udhëheqës erdhi për të mbajtur fjalimin e kushtimit në pronën e degës para një auditori me 2.422 veta, shumica e të cilëve kishin mbi 40 vjet të pagëzuar. Kishte 117 mysafirë nga 23 vende. Disa misionarë që kishin shërbyer në Kongo shumë vjet më parë, treguan para auditorit përvojat e tyre inkurajuese. Të gjithë u emocionuan tej mase dhe me kënaqësi ranë dakord që këto godina të përdoren ekskluzivisht për të adhuruar Jehovain.

Raporte ligjore

Më 30 qershor 2011, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) vendosi se qeveria e Francës dhunoi të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait, kur u vuri taksën prej 60 për qind të gjitha kontributeve fetare që u ishin bërë Dëshmitarëve të Jehovait në Francë, nga viti 1993 deri më 1996. Ndonëse Gjykata i ftonte të dyja palët ta zgjidhnin çështjen paqësisht, qeveria këmbënguli se taksa tejet e lartë s’ishte e paligjshme, prandaj një zgjidhje miqësore ishte e pamundur. Kështu, sipas një vendimi të marrë më 5 korrik 2012, GJEDNJ-ja e urdhëroi qeverinë franceze të hiqte «të gjitha pasojat» e taksës. Përveç kthimit të 4.590.295 eurove që ishin konfiskuar kur u vu taksa (plus përqindjen e interesit të mbledhur që kur u konfiskuan paratë), qeveria duhet t’u paguajë Dëshmitarëve edhe 55.000 euro për shpenzimet ligjore.

Shërbëtorëve besnikë të Jehovait në Eritre ua hoqën nënshtetësinë ngaqë qëndruan asnjanës me besnikëri. (Isa. 2:4) Gjatë 17 viteve të fundit, shumë i kanë arrestuar dhe aktualisht janë në burg rreth 50 vëllezër e motra, ku përfshihen edhe të moshuara e fëmijë dyvjeçarë. Mjerisht, në korrik të vitit 2011, vëllai Misgin Gebretinsa ishte Dëshmitari i parë që vdiq në burgjet e Eritresë. Para vdekjes, kishte qenë në izolim në një kontenier llamarine për një javë. Supozohet të ketë vdekur në rrethana «misterioze». Vëllezërit vazhdojnë të përpiqen që të takohen me zyrtarët për t’i ndihmuar të kuptojnë se natyra jonë paqësore dhe dëshira që të mbetemi asnjanës nuk bien ndesh me respektin për qeverinë e Eritresë.

Indi, turmat vazhdojnë të përdorin dhunë ndaj Dëshmitarëve të Jehovait, teksa ata marrin pjesë në shërbim. Burra, gra, të mitur e madje një gjyshe 60-vjeçare e një foshnjë 18-muajshe kanë përjetuar sulme fizike e gojore. Disa i kanë zhveshur e i kanë kërcënuar me vdekje. Abuzimit ndaj Dëshmitarëve të Jehovait i shtohet edhe indiferentizmi e paragjykimet e policisë. Në vend që të akuzojë keqbërësit, policia ka futur në burg Dëshmitarët me akuza të rreme për krime. Të arrestuarve shpesh u kërkohen shuma të mëdha parash për t’u liruar derisa të bëhet gjyqi, si dhe sulmohen fizikisht e gojarisht nga policia. Gjithashtu, u mohohet kujdesi mjekësor, ushqimi dhe uji. Për më tepër, para se të shfajësohen, u duhet të kalojnë vite nëpër gjyqe të akuzuar si kriminelë. Disa ankesa për të drejtat e njeriut i janë apeluar Komisionit Kombëtar për të Drejtat e Njeriut, me shpresën që do t’u vijë në ndihmë vëllezërve.

Në nëntor të vitit 2011, GJEDNJ-ja nxori unanimisht përfundimin se Turqia kishte dhunuar të drejtën e lirisë së ndërgjegjes të Junus Erçepit, Dëshmitar i Jehovait që u dënua e u burgos ngaqë nuk pranoi të kryente shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Që nga marsi i vitit 1998, vëlla Erçepin e thirrën 39 herë për të kryer detyrimin ushtarak dhe e ndoqën penalisht mbi 30 herë. Vëlla Erçepin e kanë dënuar, burgosur dhe izoluar në një spital psikiatrik për «paranojë fetare».

Në tetor të vitit 2004, vëlla Erçepi i paraqiti një kërkesë GJEDNJ-së. Në vendimin e saj, Gjykata thoshte se «i pandehuri, anëtar i Dëshmitarëve të Jehovait, nuk kërkonte të përjashtohej nga shërbimi ushtarak për dobi personale ose ngaqë i leverdiste, por për shkak të bindjeve fetare të sinqerta».

Feti Demirtashi është një tjetër Dëshmitar i Jehovait në Turqi që refuzoi stërvitjen ushtarake kur e thirrën më 2005-n. E arrestuan, e rrahën, e ndoqën penalisht dhe e burgosën për 554 ditë, derisa e liruan në qershor të vitit 2007. Meqë vëlla Demirtashi nuk bëri kompromis me bindjet e bazuara në Bibël, u përpilua një raport që e klasifikonte si të sëmurë mendor. Në vendimin kundër Turqisë, GJEDNJ-ja konstatoi se vëlla Demirtashi vuajti trajtim çnjerëzor në duart e autoriteteve turke dhe se i është dhunuar e drejta e lirisë së ndërgjegjes.

Dy vendimet e mësipërme të GJEDNJ-së u morën jo shumë kohë pas vendimit të rëndësishëm në korrik të 2011-s (Bajatjani kundër Armenisë), sipas të cilit Dhoma e Madhe e GJEDNJ-së konfirmoi se Konventa Evropiane mbron të drejtat e atyre që kundërshtojnë për shkak të ndërgjegjes. Këto vendime zbatohen për të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë Turqinë.

Gjithashtu, në janar të 2012-s GJEDNJ-ja mori vendime kundër Armenisë në çështjet Bukaratjani kundër Armenisë dhe Tsaturiani kundër Armenisë, duke konfirmuar dhunimin e lirisë fetare të dy Dëshmitarëve që nuk kishin pranuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Kur mori vendimet, Gjykata përmendi vendimin e saj historik Bajatjani kundër Armenisë.

Pavarësisht nga këto vendime të rëndësishme kundër Armenisë, qeveria vazhdon t’i padisë, t’i dënojë e t’i burgosë ata që kundërshtojnë për shkak të ndërgjegjes. Mbeten ende për t’u shqyrtuar nga parlamenti amendamente ndaj Ligjit për Shërbimin Alternativ, i cili u miratua nga qeveria e Armenisë në mars të vitit 2012. Shpresojmë që qeveria armene të zbatojë vendimet e GJEDNJ-së duke i liruar vëllezërit që janë ende të burgosur, ngaqë kanë kundërshtuar për shkak të ndërgjegjes.

Dëshmitarët e Jehovait në Azerbajxhan vazhdojnë të përballen me presionin e qeverisë: sulme e arrestime ngaqë ndjekin mbledhje fetare, censurim të literaturës fetare, dëbim të të huajve nga vendi, abuzim fizik e gojor nga policia dhe kërcënim për t’i çregjistruar zyrtarisht. Që kur Komiteti Shtetëror për Punën me Shoqatat Fetare refuzoi kërkesën e Dëshmitarëve për t’u regjistruar sërish, policia ka prishur gjithnjë e më shumë qetësinë në mbledhjet paqësore për adhurim, ka penguar shërbimin dhe ka ndaluar importimin e shpërndarjen e literaturës së tyre biblike. Gjykatat u kanë vënë gjoba të rënda Dëshmitarëve të Jehovait për shpërndarje të literaturës fetare dhe ngaqë ndjekin mbledhje fetare. Për shembull, një motër e gjobitën me 1.909 dollarë amerikanë ngaqë shkoi në mbledhje në qytetin Ganja. Meqë këto veprime ndëshkuese dhunojnë të drejtën e lirisë së adhurimit të garantuar nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, shumë kërkesa i janë paraqitur për shqyrtim GJEDNJ-së me shpresën që t’i jepet fund ngacmimit dhe përndjekjes ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në Azerbajxhan.

Autoritete të ruajtjes së ligjit në zona të ndryshme të Rusisë vazhdojnë t’i ngacmojnë e t’i përndjekin Dëshmitarët e Jehovait, si edhe t’u bëjnë presion gjykatave që t’i dënojnë Dëshmitarët ngaqë adhurojnë lirisht Perëndinë. Në bazë të një ligji për ekstremizmin që është kritikuar gjerësisht, gjykatat ruse i kanë shpallur ekstremiste të paktën 64 botime të Dëshmitarëve të Jehovait. Kohët e fundit, një paditës kërkoi që të shpallej ekstremist libri Të mësojmë nga Mësuesi i Madh, i cili i mëson fëmijët për Jezu Krishtin. Gjithashtu, në shumë pjesë të Rusisë, gjykatat kanë bllokuar sitin zyrtar të Dëshmitarëve të Jehovait. Ato kanë autorizuar punonjësit e ruajtjes së rendit që, pa rënë në sy, t’i përgjojnë pjesëtarët e kongregacionit me anë të kamerave dhe t’u bllokojnë postën. Si rrjedhojë, policia merr në pyetje rregullisht fqinjët kundërshtarë, u kontrollon shtëpitë Dëshmitarëve dhe konfiskon literaturë fetare e gjëra të tjera personale. Dëshmitarët i kanë arrestuar teksa ecnin rrugës, i jepnin makinës ose tek zbritnin nga treni. Kanë prishur qetësinë gjatë mbledhjeve të krishtere dhe kanë paditur pleq për veprimtaritë baritore në kongregacion. Në disa rajone, paditësit po përpiqen t’i bindin gjykatat të urdhërojnë mbylljen e Organizatës Fetare Lokale të Dëshmitarëve të Jehovait.

Në maj të vitit 2012, në qytetin e Taganrogut, 17 Dëshmitarë u akuzuan për organizim dhe pjesëmarrje në veprimtari kriminale, vetëm ngaqë praktikojnë besimin e tyre. Pikërisht në këtë rajon, në vitin 2009 gjykata e mbylli Organizatën Fetare Lokale të Dëshmitarëve të Jehovait dhe Salla e Mbretërisë u konfiskua me akuzën për ekstremizëm. Pasi iu mohua përdorimi i Sallës së Mbretërisë, Dëshmitarët mblidheshin në shtëpi private ose në salla të marra me qira, por tani autoritetet po bëjnë çmos ta ndalojnë fare adhurimin e organizuar. Në korrik të 2012-s, një çift pionierësh në qytetin siberian Çita, i shpallën fajtorë për nxitje të urrejtjes teksa u flitnin të tjerëve për besimin, ngaqë shpërndanin librin biblik për studim Çfarë mëson vërtet Bibla?, të konsideruar si libër ekstremist. Të dy u dënuan me 200 orë punë të detyruar, por janë duke e apeluar këtë dënim.

Ndonëse GJEDNJ-ja u ka dhënë Dëshmitarëve të Jehovait dy fitore ushtuese kundër Rusisë​—në vitin 2007 Kuznetsofi dhe të tjerët kundër Federatës Ruse dhe në vitin 2010 Dëshmitarët e Jehovait në Moskë kundër Rusisë—​autoritetet ruse vazhdojnë t’i shpërfillin vendimet e kësaj gjykate të rëndësishme. Si pasojë, Dëshmitarët e Jehovait kanë edhe 19 apelime pezull pranë GJEDNJ-së, me shpresën se vendime të tjera të kësaj gjykate do t’i nxitin autoritetet ruse të mos e përndjekin më popullin e Jehovait dhe ta lejojnë ‘të vazhdojë të bëjë një jetë të qetë dhe të patrazuar, plot me përkushtim hyjnor dhe seriozitet’.​—1 Tim. 2:2.

Koreja e Jugut vazhdon të burgosë vëllezër të rinj në moshë, për shkak të asnjanësisë së krishterë. Çdo muaj dënohen rreth 45 vëllezër me një vit e gjysmë burg. Si rezultat, aktualisht në Kore po vuajnë burgimin rreth 750 vëllezër, numri më i madh në të gjithë botën i Dëshmitarëve të Jehovait të burgosur për besimin. Që nga viti 1950, rreth 17.000 Dëshmitarë të Jehovait i kanë dënuar gjithsej me mbi 32.000 vjet burg.

Në vitin 2012, autoritetet e rënduan shtypjen e Dëshmitarëve që kundërshtonin për shkak të ndërgjegjes duke dënuar me burgim​—për herë të parë—​edhe ata që për shkak të ndërgjegjes refuzonin thirrjen si rezervistë. Në të kaluarën, këta individë vetëm sa i gjobitnin kur refuzonin stërvitjen ushtarake si rezervistë. Por, ngaqë gjatë viteve ka pasur disa thirrje për këtë detyrë, ata që kundërshtojnë i presin gjyqe të panumërta. Për shembull, në nëntor të vitit 2011, San Hojungun e dënuan me tetë muaj burg. Më pas, në qershor të 2012-s, e akuzuan sërish dhe kësaj radhe e dënuan me gjashtë muaj burg. Pas gjyqit të dytë, e burgosën menjëherë dhe pas 29 ditësh e liruan me kusht, derisa të merrej një vendim për apelimin e tij. Tani ai po vuan dënimin me 14 muaj burg.

Në Korenë e Jugut, çdo muaj dënohen rreth 45 vëllezër me një vit e gjysmë burg

Në disa raste, Komiteti i Kombeve të Bashkuara i të Drejtave të Njeriut e ka dënuar Korenë e Jugut ngaqë ka dhunuar të drejtën e lirisë së ndërgjegjes. Ndërkohë, në përpjekje për të zgjidhur këtë çështje, këtij komiteti dhe Këshillit Kushtetues të Koresë së Jugut i janë bërë apelime të reja që aktualisht janë pezull.