Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën

NË MBARË BOTËN

Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën
  • VENDE 239

  • LAJMËTARË 7.782.346

  • TOTALI I ORËVE NË SHËRBIMIN NË FUSHË 1.748.697.447

  • STUDIME BIBLIKE 8.759.988

  • VENDE: 58

  • POPULLSIA: 968.989.710

  • LAJMËTARË: 1.312.429

  • STUDIME BIBLIKE: 2.999.639

Ajo nuk bën abort

Në Adis-Abebë, kryeqyteti i Etiopisë, jetonte një pronare dyqani që quhej Sabe. Një ditë, dy motra iu afruan me një revistë Zgjohuni! që fliste për abortin. Sabja i futi brenda motrat dhe me lot në sy u tha se po mendonte të abortonte. Duke folur për këtë, të tria u prekën aq shumë sa nisën të qanin. Atë ditë, Sabja vendosi ta mbante fëmijën dhe tërë vendosmëri ia shpjegoi arsyen burrit. Më vonë, ajo lindi një vajzë të bukur. Gjithashtu, ajo filloi të studionte Biblën dhe u pagëzua. Tani është një pioniere e lumtur. Edhe i shoqi studioi e u bë vëlla, dhe në prill të 2012-s, u pagëzuan edhe dy fëmijët e tjerë.

‘A mund të flasim me të?’

Një mbikëqyrës qarkor në Etiopi, po predikonte shtëpi më shtëpi me një vëlla tjetër. Në një derë, ata takuan shërbyesen dhe e pyetën nëse mund të flitnin me të zotin e shtëpisë. Kur ajo u tha se s’mundeshin, ata e pyetën nëse mund të linin ndonjë literaturë për të. Ajo hyri të merrte leje, u kthye dhe u tha se fillimisht ai donte t’i hidhte një sy.

Prandaj, vëllezërit i dhanë një revistë që t’ia tregonte. Pas disa minutash, ajo u kthye dhe tha se ai donte ta lexonte. Më pas, njëri nga vëllezërit i tha: «Nëse s’mund të dalë, a mund të futemi ne dhe të flasim me të?» Gruaja u fut sërish të pyeste. Kësaj radhe ajo u vonua më shumë dhe vëllezërit pyetnin veten nëse do të kthehej më. Më vonë ajo u kthye dhe i ftoi brenda. Tani vëllezërit morën vesh se i zoti i shtëpisë, Irgu, ishte i moshuar e kishte zënë shtratin prej vitesh dhe as ulur s’mund të rrinte. Shërbyesja ishte vonuar shumë, sepse e kishte ndihmuar të vishej dhe kishte rregulluar dhomën.

Vëllezërit i folën për lajmin e mirë. Irgut i pëlqeu ajo që dëgjoi dhe pranoi një studim biblik. Edhe shëndeti iu përmirësua teksa përparonte me studimin. Pas pak kohe, ai ishte në gjendje të ngrihej nga krevati dhe të lëvizte me një karrige me rrota. S’kaloi shumë dhe filloi të ndiqte mbledhjet e u pagëzua kohët e fundit në një kongres krahinor.

Kisha e librave të babait

Kalvini nga Zimbabveja, ishte katër vjeç kur i vdiq babai, i cili i la vetëm një çantë që kishte brenda Biblën Përkthimi Bota e Re dhe librin Profecitë e Isaisë​—Dritë për gjithë njerëzimin, vëllimi I. Ai i kishte thënë Kalvinit: «Mos iu ndaj kishës së këtyre librave. Ajo mëson të vërtetën.»

Kur i vdiq mamaja, Kalvinin e rriti gjyshja. Për nëntë vjet, ai nuk pranoi të shkonte te kisha e gjyshes së tij; këmbëngulte se një ditë do ta gjente ‘kishën’ e botimeve që i kishte lënë babai.

Një ditë, gjyshja e djalit takoi një nga motrat tona. Pa e ditur që ishte Dëshmitare, gjyshja i tha se kishte një nip kokëfortë që nuk donte të shkonte te kisha e saj. Përkundrazi, i kalonte të dielat duke lexuar një libër që ia kishte lënë i ati. Motra e pyeti si titullohej libri. Gjyshja i tha se duhej të ishte «një nga ata librat e çmendur të Kullës së Rojës».

Motra i tha se donte ta takonte djalin. Kur u takuan, Kalvinit i shndritnin sytë nga gëzimi. Motra s’humbi kohë e nisi të studionte Biblën me të duke përdorur librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, dhe ai filloi menjëherë të ndiqte mbledhjet pavarësisht nga kundërshtimi i ashpër i gjyshes. Ai është i vendosur të mos i ndahet së vërtetës dhe mezi e pret kohën e ringjalljes kur shpreson të ribashkohet me prindërit. Kalvini u pagëzua në gusht të vitit 2012.

«Perëndia të cilit i shërben, është i fortë»

Keroja jeton në Ugandë. Veç një muaj kishte kaluar nga studimi i Biblës kur burri i saj, Martini, i cili praktikonte shtrigërinë, filloi t’i kundërvihej keqas. «Për shkak të librave të tu, paraardhësit s’mund të hyjnë më në shtëpi»,—i tha asaj. Ai e keqtrajtonte dhe e kërcënonte se do ta vriste nëse nuk e linte studimin e Biblës. Edhe për familjen nuk u kujdes më nga ana ekonomike. Keroja e ruante qetësinë, e mbante familjen me prodhimet që kultivonte në kopsht dhe vazhdonte të merrte njohuri të saktë. Më vonë, kur u bë e dukshme se i rrezikohej jeta, Keroja ia mbathi nga shtëpia. U mundua me mish e me shpirt të gjente të ardhurat për vete. Prapëseprapë, kur mori vesh se i kishte sëmurë fëmijët, me ato pak para që kishte fituar, u bleu ilaçe.

Pas pak kohe, Keroja mori një telefonatë nga i shoqi. Ai i tha: «Dua që të kthehesh në shtëpi. E kam parë se Perëndia të cilit i shërben, është i fortë dhe ka qenë me ty. Dua t’u thuash atyre që po të mësojnë, të vijnë e të më mësojnë edhe mua. Dua vërtet ta ndryshoj jetën time.» Martini e kishte seriozisht. Tani familja është e bashkuar dhe e lumtur. Martini dhe Keroja u pagëzuan të dy në një kongres në gusht të 2012-s.

Një predikues i vetëm në një qytet të largët

Gjatë kohës që jetonte në një qytet larg shtëpisë së tij në Kenia, Davidi filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Gjithsesi, s’kaloi shumë dhe iu desh të kthehej në Lokiçar, në fshatin e tij në një zonë të thellë të Kenias veriperëndimore. Kongregacioni më i afërt ndodhej rreth 165 kilometra larg, në qytetin e Loduarit. Për katër vjet, Davidi s’kishte kontakte me Dëshmitarët. Prapëseprapë, u predikonte fqinjëve dhe të afërmve duke u treguar gjërat që kishte mësuar gjatë kohës së shkurtër të studimit të Biblës. Disa reaguan pozitivisht dhe brenda pak kohësh ai po drejtonte disa studime biblike. Në vitin 2007 ai takoi vëllezërit në Loduar dhe rifilloi studimin; udhëtonte dy herë në muaj me motoçikletë, taksi dhe mikrobus.

Njohuria dhe zelli i Davidit për shërbimin rriteshin gjithnjë e më shumë. Ndonëse i papagëzuar, ai ndërtoi pranë shtëpisë së tij një «Sallë Mbretërie» me mure balte dhe çati kashte. Atje drejtonte mbledhjet me të interesuarit. Gjithsesi, jo të gjithë në fshat ishin të lumtur me aktivitetin e predikimit, dhe për dy vjet rresht iu desh të duronte keqtrajtim gojor dhe fizik. Një herë, disa fshatarë e rrahën dhe e lanë pa ndjenja duke e akuzuar se kishte futur në fshat «adhurimin e Djallit». Megjithatë, pasi Davidi kërkoi ndihmën e një zyrtari qeveritar, nuk e keqtrajtuan më dhe ai vazhdoi të predikonte. «E vërteta është jeta ime,—tha Davidi.—S’ka kundërshtim që të më ndalë!»

Në vitin 2009, Davidi u pagëzua dhe tani shërben si shërbëtor ndihmës e pionier i rregullt. Ai dhe i biri 15-vjeçar janë të vetmit lajmëtarë në atë zonë, por në prill të 2012-s, rreth 60 banorë të fshatit morën pjesë në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, që u mbajt në sallën e përkohshme pranë shtëpisë së Davidit.

«Duhet të përdorësh Shkrimet për të provuar se e ka gabim!»

Xhaneta, një pioniere e rregullt në Ganë, po lexonte librin Çfarë mëson vërtet Bibla? gjatë një udhëtimi të gjatë me autobus. Një predikues hipi në autobus, mbajti një fjalim dhe më pas i ftoi pasagjerët të kontribuonin pará për shërbimin e tij. Xhaneta i tha: «Ti thua se Jezui dhe Perëndia janë i njëjti person. Atëherë kush i foli Jezuit gjatë pagëzimit?»

Predikuesi iu përgjigj: «Kjo është mister.»

Xhaneta hapi kapitullin 4 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, zgjodhi ca shkrime dhe i ftoi disa pasagjerë t’i lexonin vargjet. Ajo shpjegoi ndryshimin mes Jezuit dhe Perëndisë së Plotfuqishëm, Jehovait.

—Ti je shtrigë!—tha predikuesi.

Më pas, pasagjerët i dolën në mbrojtje motrës duke i thënë atij: «Duhet të përdorësh Shkrimet për të provuar se e ka gabim, në vend se ta quash shtrigë.» Tërë zemërim, predikuesi zbriti nga autobusi në stacionin tjetër. Një e re që ishte ulur pranë Xhanetës, i tha: «Mendoja se Jehova është emri i kishës që kanë ndërtuar Dëshmitarët. Tani, në diskutimin që bëre me atë predikues, e kuptova që është emri i Perëndisë.»

Biseda vazhdoi dhe Xhaneta i mori numrin e telefonit dhe i premtoi ta telefononte. Kur ajo mbërriti në shtëpi, i tregoi gjyshes për ngjarjen. Edhe gjyshja u habit kur mësoi se emri i Perëndisë është Jehova. Më vonë, Xhaneta u sigurua që disa Dëshmitare ta vazhdonin bisedën me atë të re dhe gjyshen e saj. Tani, të dyja i ndjekin mbledhjet.

  • VENDE: 57

  • POPULLSIA: 946.087.916

  • LAJMËTARË: 3.861.145

  • STUDIME BIBLIKE: 4.196.922

Ajo e gjeti të vërtetën atje ku s’e priste

Rojat e burgut në Bolivi u kacafytën në oborrin e burgut me Andreanën, një 20-vjeçare, e cila po shante dhe kërcënonte. Ngaqë ishte e dhunshme dhe e fortë, ajo kishte pamje hijerëndë e frikësuese. Lejdi, një Dëshmitare e Jehovait që e kishin akuzuar e burgosur padrejtësisht, nuk kishte frikë nga Andreana, por i vinte keq për të. Çdo mëngjes, Lejdi e kishte zakon të lexonte me zë një këngë nga libri ynë i këngëve. Kur Andreana e dëgjoi, e pyeti: «Mos je gjë Dëshmitare e Jehovait?»

Kur Lejdi iu përgjigj po, Andreana i tha: «Nëna ime është Dëshmitare e Jehovait dhe dikur shkoja me të në mbledhje. Ajo studionte Biblën me mua.» Andreana shpërtheu në lot. Ato pak ditë që vijuan, Lejdi bëri biseda të thella frymore me Andreanën dhe, kur erdhi koha e gjyqit të Andreanës, u lutën së bashku për ndihmën dhe drejtimin e Jehovait. Andreanën e liruan dhe ajo vazhdoi të mësonte për Jehovain. S’kaloi shumë dhe u kualifikua si lajmëtare dhe tani po përgatitet për t’u pagëzuar.

Lejdi shfrytëzoi burgimin e saj të padrejtë dhe, para se ta lironin, nisi 21 studime biblike. Tani kthehet në burg tri ditë në javë që të ndjekë interesin.

Ishte siti www.pr418.com

Kur një çift i veshur bukur bashkë me dy fëmijët e tyre hynë në një Sallë Mbretërie në Kanada një të diel në pranverën e vitit 2011, të gjithë menduan se ishin Dëshmitarë të Jehovait nga një qytet tjetër. Domeniku, një shërbëtor ndihmës në kongregacion, dhe burri që kishte ardhur për vizitë e njohën menjëherë njëri-tjetrin. Domeniku kishte studiuar Biblën me këtë burrë 17 vjet më parë. Gjatë dy viteve të fundit, Mark-Andrea dhe e shoqja, Josea, kishin shkarkuar dhe lexuar revistat Kulla e Rojës e Zgjohuni! nga siti www.pr418.com dhe kishin kuptuar se të gjithë si familje duhej të shkonin në Sallën e Mbretërisë. U fillua menjëherë një studim biblik dhe familja nisi të ndiqte të gjitha mbledhjet. Vetëm pas dy muajsh studimi biblik, familja filloi të mbante Adhurimin Familjar një mbrëmje çdo javë. Ata po bëjnë përparim të shkëlqyer dhe, në maj të vitit 2012, Josea mbajti fjalimin e parë në Shkollën e Shërbimit Teokratik.

‘Më dha drekën e kapelën e tij’

Në kongresin krahinor të vitit 2010 në Kili, Marseloja 10-vjeçar vërejti se një zotëri i ulur pranë tij nuk kishte fare literaturë.

—Ai burri s’ka Bibël,—i pëshpëriti së ëmës.

—Afroji Biblën tënde,—ia ktheu ajo. Kështu Marseloja u spostua për t’i afruar Biblën atij burri që quhej Viktor, dhe pa me të çdo shkrim që përmendej. Gjatë intervalit, Marseloja u kthye nga mamaja dhe i tha: «Ai nuk ka ushqim për drekë.» Ajo i sugjeroi që ta ndante drekën me Viktorin. Prandaj, Marseloja i dha një sanduiç dhe një filxhan me çaj të nxehtë. Ndërkohë që Viktori hante drekë, Marseloja i tregonte të gjitha shkrimet biblike që mbante mend.

Pasdite, dielli të përcëllonte. Marseloja u kthye sërish nga mamaja dhe i tha: «Ai s’ka kapelë.»

Ajo iu përgjigj: «Jepi kapelën tënde!» Ashtu bëri. Pasi mbaroi programi, Marseloja dhe Viktori i thanë mirupafshim njëri-tjetrit.

Gjatë kongresit krahinor të vitit pasues, Marseloja pa përreth nëse Viktori kishte ardhur. Sa u kënaq kur e pa; kësaj here me kollare! Kur Viktori pa Marselon, tha para të gjithëve: «Sot jam këtu falë këtij djali të vogël. Vitin e kaluar, më ftuan në kongres dhe shkova. Ky djalë më afroi Biblën dhe më dha drekën e kapelën e tij. Tani studioj Biblën.» Viktori është lajmëtar i papagëzuar.

Lavdërime nga një gazetare

Në artikullin që shkroi në një gazetë, një gazetare e njohur nga Venezuela përshkruante përvojën e saj me shërbimin ndaj klientit të një kompanie kombëtare telefoni, ku kishte telefonuar për ndihmë teknike. Operatori i pasjellshëm e i prerë që iu përgjigj telefonatës së saj, s’i kishte dhënë asnjë informacion. Herën e dytë iu përgjigj një i ri që u identifikua me emrin Misael, i cili e ndihmoi me mirësjellje. Ajo shkruante: «Mirësjellja, respekti, gatishmëria për të ndihmuar dhe fryma bashkëpunuese që tregoi ky i ri gjatë gjithë telefonatës, ishin të jashtëzakonshme. Me ndihmën e tij arrita të zgjidhja problemin dhe mësova si t’i zgjidhja në të ardhmen raste të tilla.»

Kur kjo grua e lavdëroi Misaelin, ai i shpjegoi se ishte Dëshmitar i Jehovait dhe mundohej t’i trajtonte të tjerët siç mësoi Jezui. Gazetarja kërkoi të fliste me shefin e Misaelit dhe lavdëroi shërbimin e jashtëzakonshëm të punonjësit të tij. Në artikullin e saj përmendte se Misaeli është një venezuelas shembullor dhe një Dëshmitar i Jehovait. Në mbyllje të artikullit thoshte: «Kemi nevojë për njerëz të tillë në çdo sektor të shërbimit publik.»

«Mos jini kokëfortë!»

Gabriela 15-vjeçare, e cila nuk dëgjon, u emocionua tej mase kur u pagëzua në tetor të 2011-s në kongresin krahinor në gjuhën e shenjave në Ekuador. Ishte kaq e kënaqur sa, kur u kthye në shkollën e mesme të hënën, i kërkoi mësueses nëse mund të bënte një njoftim të shkurtër para klasës. Mësuesja pranoi dhe Gabriela doli para klasës ku gjithë entuziazëm tha me shenja: «Dua t’ju njoftoj se të premten, të shtunën dhe të dielën e kaluar isha në një kongres ku u pagëzova si Dëshmitare e Jehovait. Gjithashtu dua t’ju them se po jetojmë afër fundit të këtij sistemi. Ka mbetur fare pak kohë. Është urgjente të bëni ndryshimet e nevojshme. Prandaj, mos jini kokëfortë! Frikësojuni Perëndisë!» Shokëve të klasës u bëri përshtypje.

Më vonë gjatë drekës së asaj dite, Keti, një Dëshmitare joaktive që nuk dëgjon, iu afrua Gabrielës që ta pyeste për kongresin. Ajo i tha sinqerisht: «Ia kemi kaluar bukur! Por tani që jam Dëshmitare e pagëzuar, dua t’i qëndroj besnike Jehovait. Prandaj, duhet të të them se s’mund të jem më shoqja jote, sepse ti bën jetë të papastër. Miqësia me ty mund të ndikojë te miqësia ime me Perëndinë. Duhet të ndryshosh. Është e rëndësishme t’i lutesh Jehovait dhe të flasësh me pleqtë. E di se mund të ndryshosh për mirë.» Falë këshillës së drejtpërdrejtë por të dashur të Gabrielës, Keti foli me pleqtë, mori ndihmë frymore dhe u bë sërish aktive në shërbim.

Ajo përdori laptopin e mësueses

Shtetet e Bashkuara, e gjithë klasa nisi të pyeste një motër 16-vjeçare për fenë e saj, por ajo s’kishte literaturë me vete, madje as Biblën. Ngaqë donte të përdorte shkrimet për t’iu përgjigjur pyetjeve të klasës, ajo i mori hua mësueses laptopin dhe u fut në sitin www.pr418.com. Jo vetëm që iu përgjigj të gjitha pyetjeve të tyre, por u tregoi edhe si ta përdornin sitin. Ajo u shpjegoi se, kurdoherë që kishin pyetje biblike dhe nuk ndodhej afër ndonjë Dëshmitar që t’i ndihmonte, gjithnjë mund të hynin në sit e t’i gjenin vetë përgjigjet. Teksa java kalonte, ajo vuri re se shokët e klasës kishin më pak pyetje se më parë. Kur i pyeti pse, disa thanë se hynin rregullisht në sit me anë të celularit. Madje këtë e kishte bërë edhe mësuesja!

  • VENDE: 48

  • POPULLSIA: 4.222.869.785

  • LAJMËTARË: 674.608

  • STUDIME BIBLIKE: 662.736

Shmanget konflikti në fshat

Rrugës për në një funeral, një grup Dëshmitarësh kaluan përmes një fshati të vogël në Indonezi. Një pionier vuri re disa të rinj buzë rrugës. Ai foli me ta dhe u la broshurën Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë. Pak më vonë, një motër kaloi në të njëjtin vend teksa kthehej në shtëpi. Një burrë që kishte në dorë broshurën e mësipërme, iu afrua dhe e falënderoi që ua kishte dhënë atë fëmijëve të tij. Ai tha: «Kjo u shpëtoi jetën fëmijëve të mi!» Motra, e cila nuk dinte gjë për bisedën e mëparshme, pyeti ç’kishte ndodhur. Babai i shpjegoi se të rinjtë kishin plan të sulmonin një fshat. Sipas një zakoni vendës, ata kishin ndër mend të hakmerreshin për një shokun e tyre që e kishin sulmuar. Gjithsesi, pasi djemtë lexuan broshurën, mësuan se ata që zihen ose luftojnë me të tjerët nuk do të trashëgojnë Parajsën e ardhshme. Prandaj u qetësuan, hoqën dorë nga plani dhe shkuan në shtëpi. Falë mesazhit biblik të broshurës, u shmang një konflikt që mund të kishte qenë i rrezikshëm.

Një transvestit bën ndryshime

Reku u rrit në një familje me tradita në Kamboxhia, por, që në moshë të njomë, ai dhe vëllai i tij binjak mendonin se ishin femra. Luanin me kukulla dhe u pëlqente të vishnin rroba vajzash. Nëna e tyre ishte e pështjelluar dhe e turpëruar, sepse nuk dinte si t’ua hiqte këtë prirje. Në shkollë niseshin të veshur si djem, por me të mbërritur atje, visheshin menjëherë si vajza. Në moshën 16-vjeçare, binjakët hynë në një konkurs bukurie për transvestitë dhe u pikasën nga industria e zbavitjes. Si rezultat, spikatën në programe televizive dhe akte komedish. S’kaloi shumë dhe Reku nisi të jetonte si homoseksual dhe të shoqërohej me transvestitë të tjerë.

Mamaja e Rekut nisi të shkonte në Kishë dhe e detyroi Rekun ta shoqëronte. Ndonëse pranoi të vishej si burrë, flokët e gjatë nuk pranoi t’i priste. Pastori bënte shpesh komente poshtëruese për Rekun dhe tallej me mënyrën si jetonte. Prapëseprapë, Reku mendoi të niste studimin e Biblës në Kishë. Javën e parë, u ngrit herët dhe bëri disa kilometra me biçikletë për në Kishë, por pastori u justifikua duke thënë se s’mund ta mësonte. Reku u fye rëndë kur javën tjetër pastori nuk u duk fare.

Sidoqoftë, kur Reku u kthye në shtëpi, binjaku i tij i tha se kishte ardhur një grua dhe i kishte ofruar një studim biblik falas në shtëpi. Ajo kishte lënë librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Binjakët filluan studimin me motrën dhe të shoqin e saj. Pas gjashtë muajsh, vëllai i Rekut nuk ndihej gati për të ndryshuar mënyrën e jetesës dhe e la studimin. Kurse Reku u prek thellë nga shkrimi i 1 Korintasve 6:9, 10 dhe e kuptoi qartë ç’duhej të bënte. Me anë të studimit të zellshëm, leximit të Biblës, lutjes dhe pjesëmarrjes në mbledhje, ia doli mbanë ta pastronte jetën. Edhe mamaja e Rekut po studion dhe po bën përparim të mirë. Kur Reku u pagëzua, mamaja e tij tha me lot në sy: «Sa e lumtur jam ta shoh tim bir të pagëzohet si burrë!» Tani ai shërben si pionier i rregullt.

Një spiritiste ndryshon udhë

Orja praktikonte spiritizmin, shëronte, këshillonte dhe hidhte fall. Një çift pionierësh specialë që shërbenin në Haifë, Izrael, e takuan gjatë shërbimit shtëpi më shtëpi. Ajo i priti me fjalët: «Nëse bëhet fjalë për Zotin, ejani!» Shtëpinë e kishte plot me objekte që lidheshin me spiritizmin dhe misticizmin. Ajo thoshte se merrte mesazhe nga Perëndia, disa nëpërmjet «shpirtit» të një rabini të vdekur.

Asaj i pëlqeu mendimi i një studimi biblik falas në shtëpi me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Vetëm dy ditë para se t’i vinte në shtëpi ky çift, ajo i ishte lutur Perëndisë që t’i dërgonte dikë për t’i mësuar falas Biblën pa asnjë interpretim rabinik. Brenda një muaji, pyeti: «A ka të tjerë që kanë të njëjtat bindje si ju?» Ajo mori pjesë në një mbledhje kongregacioni dhe i bëri përshtypje ngrohtësia dhe dashuria që i treguan. Që atëherë, i ka ndjekur rregullisht mbledhjet.

«Keni vetëm dy muaj kohë të më përgatitni për pagëzim!»

Pasi studioi për dy muaj, Orja pyeti për asamblenë e ardhshme: «A nuk bëhen pagëzimet në asamble? Nëse po, keni vetëm dy muaj kohë të më përgatitni për pagëzim.» Hapi i parë që bëri, ishte flakja e të gjitha objekteve të kushtueshme spiritiste. Pastaj e la punën si spiritiste dhe filloi t’u dëshmonte të gjithë pacientëve dhe klientëve të dikurshëm duke u prezantuar revista e librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Kur u sëmur, nuk pranoi t’u kthehej metodave të mëparshme të shërimit. Mosushtrimi i profesionit të mëparshëm e la pa të ardhura për katër muaj. Megjithatë, ajo vendosi kushte për punën: të punonte vetëm katër ditë në javë nga gjashtë orë, që të kishte kohë për veprimtaritë teokratike. Më vonë e gjeti një punë të përshtatshme. Më pas, shiti shtëpinë e madhe dhe mori me qira një apartament të vogël.

Në kohën e duhur Orja u kualifikua për pagëzim, por theu këmbën një javë para asamblesë. E vendosur, ajo u pagëzua, por me këmbën në allçi. Sot Orja është lajmëtare aktive, e cila u dëshmon ish-klientëve dhe drejton studime biblike.

Një anëtar kulti gjen të vërtetën

Në një zonë malore të thellë në Filipine, u fillua një studim biblik me dy binjakë që nuk dëgjojnë. Të dy i përkitnin një kulti ku besohej se armët nuk mund t’i dëmtonin anëtarët e tij, për sa kohë që mbanin disa lloj nuskash dhe shalle për mbrojtje. Ishin stërvitur për të përdorur thika, disa lloje hanxharësh dhe armë zjarri, si dhe kishin bërë shumë beteja kundër grupeve rebele në male. Kulti i lejoi të studionin Biblën, ngaqë mendonin se Dëshmitarët nuk do t’u bënin presion për ta braktisur kultin.

Natyrisht që vëllezërit i nxitën binjakët të vendosnin vetë, bazuar në atë që po mësonin nga Bibla. Njëri nga binjakët mendonte se nuk i bënte dot ndryshimet e nevojshme për t’i shërbyer Perëndisë në mënyrë të pranueshme. Kurse tjetri e vazhdoi studimin. Që t’i jepte zemër, vëllai që studionte me të hapi Biblën dhe i shpjegoi në gjuhën e shenjave: «Emri yt, Samuel, ndodhet në Bibël. Samueli i Biblës i shërbeu Perëndisë së vërtetë, Jehovait, deri në moshë të shkuar. Edhe ti mund t’i bindesh me besnikëri Jehovait.» Kjo i preku zemrën Samuelit. Ai arsyetoi: «Nëse emri im ndodhet në Bibël, atëherë edhe unë duhet të marr anën e Jehovait.» Ai e njoftoi kultin se po largohej nga malet, i dogji të gjitha hajmalitë e objektet spiritiste dhe bëri përparim të shpejtë. Tani është shërbëtor i pagëzuar i Jehovait, i cili i ndihmon me zell të tjerët që nuk dëgjojnë, të mësojnë të vërtetën biblike.

Një fëmijë has përndjekje

Raxhivi jeton në një fshat të thellë në Indinë veriore. Kur ishte nëntë vjeç dhe në klasë të katërt, mësuesi i tij që ishte Dëshmitar i Jehovait, u mësoi fëmijëve norma morale me anë të librit Të mësojmë nga Mësuesi i Madh. Raxhivi e përpiu informacionin dhe nisi ta zbatonte. Ai i tha mësuesit se nuk gënjente e nuk zihej më me shokët e shkollës, si dhe e ndante ushqimin e drekës me ata që s’kishin.

«Ma ule kokën me forcë para kësaj statuje, por zemrën nuk do të ma ulësh kurrë!»

Teksa mësonte më shumë për premtimin e një Parajse në tokë, ai filloi t’ua thoshte këtë lajm të mirë të tjerëve në fshat, si dhe atyre që takonte në tren. Kjo i mërziti dhe i vuri në siklet prindërit e tij. Ata i thanë të mos fliste më për Jehovain dhe Jezuin. Kur ai vazhdoi të fliste, ata filluan ta rrihnin dhe, kur kthehej nga shkolla, mamaja ia fshihte rrobat që të mos dilte e të fliste për shpresën e sapogjetur. Prindërit nuk e linin të flinte në shtratin e vet dhe ia kufizuan ushqimin. Kur edhe këto masa dështuan, thirrën një prift që t’ia ndryshonte mendjen djalit.

Prifti qëndroi në shtëpi për disa ditë dhe u përpoq ta detyronte Raxhivin të përkulej para një idhulli. Kur Raxhivi i tha se idhulli ishte vetëm një gur dhe jo një Perëndi i gjallë, prifti iu përgjigj se ‘duhej ta shihte me sytë e zemrës’. Vetëm atëherë ‘do ta shihte’ Perëndinë te statuja. Raxhivi mori një copë letër dhe shkroi në të «100 rupi». Ai ia dha priftit dhe i kërkoi të blinte disa çokollata e t’i kthente kusurin. Prifti tha se nuk ishte budalla; ajo ishte veçse një copë letër pa vlerë. Raxhivi i tha: «Nëse sheh me sytë e zemrës, do të shohësh vlerën e vërtetë monetare të kësaj cope letre.» I tërbuar, prifti ia uli kokën djalit para idhullit. Raxhivi i tha: «Ma ule kokën me forcë para kësaj statuje, por zemrën nuk do të ma ulësh kurrë!» Më në fund, prifti iku duke thënë se ishte e pamundur ta ndryshonte djalin dhe se, po të rrinte më gjatë, ai vetë do të humbte besimin. Atëherë, prindërit e çuan Raxhivin në një shkollë tjetër. Por ai s’ka pushuar së foluri me këdo që e dëgjon, teksa u tregon për Jehovain dhe për premtimin e Parajsës. Tani që është dhjetë vjeç, ende vazhdon të mbështetet te Jehovai për ndihmë që ta mbajë të fortë besimin.

Ajo e gjeti Biblën që po kërkonte

Teksa Larisa po i dëshmonte një shitëseje në një librari në Armeni, hyri një grua që e pyeti shitësen nëse e kishte Biblën «Bota e Re». Shitësja i tha se nuk e kishte këtë Bibël, por mund t’i jepte një përkthim armen. Klientja e pyeti: «A kuptohet kollaj?» Shitësja lexoi disa vargje dhe i tha: «Duket e kuptueshme.» Kjo s’e bindi klienten, prandaj këmbënguli që të gjente Biblën «Bota e Re». Papritur, Larisës iu kujtua se kishte në çantë Biblën e saj armene. Ajo ia tregoi gruas dhe i kërkoi të lexonte titullin. Gruaja lexoi: «Përkthimi Bota e Re». Ishte pikërisht Bibla që po kërkonte!

Klientja shpjegoi se e bija dhe dhëndri në Greqi sapo kishin filluar të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Meqë nuk kishin mësuar akoma greqisht, ata i kërkuan së ëmës t’u çonte një Bibël Përkthimi Bota e Re në armenisht kur t’i vizitonte herën tjetër. Motra jonë ia dha Biblën gruas dhe i tha: «Të lutem, jepua atyre dhe thuaju se është dhuratë nga Jehovai.» Gruaja u entuziazmua kur Larisa u ofrua edhe për ta ndihmuar në studimin e Biblës. Shkëmbyen numrat e telefonit që gruaja të fillonte studimin sapo të kthehej nga Greqia.

  • VENDE: 47

  • POPULLSIA: 738.679.198

  • LAJMËTARË: 1.595.888

  • STUDIME BIBLIKE: 841.260

Ajo ia ktheu portofolin

Nina, një pioniere e rregullt në Bosnjë, studion me një familje rome. Një ditë, duke ecur rrugës, vajza dhjetëvjeçare e familjes gjeti një portofol me para, karta krediti dhe dokumente. Para se të mësonte të vërtetën, ajo do ta kishte konsideruar si një dhuratë të çmuar, por, pasi foli me të ëmën, vendosi ta dorëzonte në polici. Ky vendim ia vlen të përmendet, sepse familja ishte e varfër dhe s’i dilnin paratë as për të blerë bukë. Rreth dy orë pasi ia dorëzuan portofolin një polici të habitur, morën një telefonatë që i kërkonte të ktheheshin në rajonin e policisë. Pronari i portofolit po priste atje për t’i falënderuar dhe për t’u dhënë një shpërblim. U dha një shumë të barabartë me rreth 23 euro, sa rroga e dy ditëve punë.

Titulli i ngjalli kureshtjen

Nihadi, që jeton në Bosnjë, mbaroi shërbimin dhe teksa i afrohej makinës, pa një burrë që po rrinte pranë saj. Kur Nihadi e përshëndeti, burri e pyeti: «Më falni, te makina juaj pashë një revistë që përmbante një titull: ‘Si të jesh baba i mirë?’ Do të doja vërtet ta kisha këtë revistë. Kam rreth një orë që pres të vijë dikush. Ju lutem, a mund të ma jepni?» Nihadi ia dha me kënaqësi revistën dhe e shfrytëzoi këtë mundësi për t’i dhënë dëshmi.

Ngushëllohet ekuipazhi i një anije cisternë

Një çift po predikonte në territorin e portit të Roterdamit në Holandë dhe vizitoi një anije cisternë, ku takuan një ekuipazh me çehre të zymtë. Me lot në sy, kryeinxhinieri u tha se anija kishte hasur një sërë fatkeqësish; pothuajse ishin përplasur dhe kishin pësuar avari. Prandaj, i pyeti: «A mund të luteni për ne?» Çifti u tregua i gatshëm të mbante para ekuipazhit një fjalim biblik inkurajues. Ditën tjetër, në shtatë të mbrëmjes, lajmëtarët bashkë me dy çifte të tjera u mirëpritën në kabinën e komandimit. Aty ishin mbledhur 15 nga 16 anëtarët e ekuipazhit. Pas një lutjeje hapëse, një vëlla mbajti një fjalim me temën «A i shkakton Perëndia katastrofat natyrore?». Ekuipazhi mund t’i lexonte shkrimet biblike që përmendeshin, sepse lajmëtarët kishin sjellë Bibla të tjera dhe i ndihmuan të gjithë të gjenin shkrimet. Pas lutjes mbyllëse, i gjithë ekuipazhi qëndroi ulur dhe bisedoi me vëllezërit. Marinarët u ndien të lehtësuar dhe mirënjohës. Një prej tyre tha: «Kjo është përgjigjja e lutjeve tona.» Ekuipazhi mori 20 libra, Bibla dhe botime të tjera. Më pas, kapiteni u dha lajmëtarëve një zarf me rreth 150 euro si kontribut për literaturën.

U lut që të ndihmonte

Irena, e cila jeton në Suedi, shkroi: «Jam 80 vjeçe dhe, nga dhembjet që kam, s’arrij të dal në shërbimin në fushë. Iu luta Jehovait që të ndihmoja ndonjë të cilin e kisha vizituar kohë më parë dhe që tani do të ishte i gatshëm për të biseduar ose për ta vizituar.

Një ditë, ra telefoni dhe u përgjigj burri. Ishte një grua, e cila i tha: ‘Më falni, por ju jeni të vetmit që mbaj mend, prandaj ju telefonova. A dëshiron gruaja juaj të më bëjë një vizitë dhe të flasim për Fjalën e Perëndisë? Kam studiuar 15 ose 20 vjet më parë, por kur më kundërshtoi burri, që tani ka vdekur, e lashë studimin.’

Më kujtohet që e kisha vizituar gruan me një motër tjetër, e cila studioi me të. U habita që gruaja më mbante mend. E gëzuar, lashë takim me të. Që atëherë, e kemi bërë studimin çdo javë. Ajo mori pjesë në Përkujtim dhe në fjalimin special. Ka ardhur edhe në mbledhje. E falënderoj çdo ditë Jehovain që iu përgjigj lutjeve të mia.»

Çokollatën s’e nxë kutia e kontributeve

Tetëvjeçari Serxho, që jeton në Itali, donte t’i bindte pleqtë se ishte gati të bëhej lajmëtar i papagëzuar. Një ditë shoqëroi të atin në punë, i cili do të riparonte bravën e një çifti në të 70-at. Serxho mori disa revista me vete. Ai shpjegoi: «Babi po punonte, kurse unë i ofrova revistat burrit, i cili ishte kaq i habitur, sa thirri gruan dhe i tregoi revistat. Më pas, u mora shënim emrin, adresën dhe numrin e telefonit që t’u bëja një rivizitë. Pasi gruaja m’i tregoi të gjitha këto, më zgjati një çokollatë të madhe.» Disa ditë më vonë, Serxho dhe një plak i bënë një rivizitë çiftit. Serxho i ra ziles dhe kur gruaja u përgjigj, i shpjegoi se donte t’u jepte librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Gruaja e pranoi me kënaqësi. I dha një tjetër çokollatë të madhe. «S’mund ta futja çokollatën në kutinë e kontributeve, kështu që e hëngra»,—tha Serxho. Më pas shtoi: «Më në fund pleqtë e kuptuan sa shumë dëshiroja të bëhesha lajmëtar i papagëzuar.»

Pastori donte të mësonte më shumë

Simeoni ishte pastor i një kishe në Gurkovo, Bullgari, ku s’ka Dëshmitarë. Falë studimit të Biblës, kishte dalluar ndryshimin mes asaj që thotë Bibla dhe asaj që mëson Kisha. Një ditë, mori ca nga revistat tona teksa udhëtonte me tren. Simeoni u emocionua tej mase kur mësoi se Perëndia i vërtetë është Jehovai dhe se Triniteti nuk ekziston. I etur për të ditur më shumë, i shkroi zyrës së degës dhe të gjitha kishave që njihte. Iu përgjigj vetëm një kishë, e cila i tha të mos merakosej me «kotësi të tilla». Krejt ndryshe nga kjo, zyra e degës i rregulloi gjërat që dy Dëshmitarë të udhëtonin rreth 35 kilometra nga Kazanleku. Ata filluan një studim biblik me Simeonin dhe familjen e tij. Simeonit i pëlqente shumë ajo që po mësonte, prandaj ftoi edhe fqinjët e miqtë që të merrnin pjesë. S’kaloi shumë dhe në studimin javor të Biblës ishin të pranishëm 25 veta. Pasi mori pjesë për herë të parë në një nga diskutimet biblike, një fqinjë 75-vjeçare tha e përlotur: «Më tepër kam kuptuar brenda një ore, sesa për 30 vjet që shkoj në kishë.» Në mbledhjet që vëllezërit nga Kazanleku mbajnë çdo muaj në Gurkovo, marrin pjesë deri në 60 veta, kurse në Përkujtim ishin 79 të pranishëm.

«Më tepër kam kuptuar brenda një ore, sesa për 30 vjet që shkoj në kishë»

«Të lutem, vazhdo me këtë lloj jete!»

Valja, një motër 15-vjeçare në Ukrainë, vuri re mësuesen e saj që erdhi në shkollë e veshur me të zeza dhe që dukej se kishte qarë. Kur mori vesh se i kishte vdekur mamaja, Valja vendosi ta ngushëllonte me shkrime për ringjalljen. Valja mori një Bibël dhe dy broshura, Çfarë ndodh me ne kur vdesim? dhe Kur të vdes një njeri i dashur. Më pas vendosi t’i afrohej mësueses pas mësimit. Ajo tha: «Isha shumë në ankth teksa pritja te dera e zyrës së saj, prandaj iu luta Jehovait të më ndihmonte.»

Kur Valja hyri në zyrën e mësueses, ajo e pyeti: «Përse ke ardhur?»

Valja i tha: «Dua të të ngushëlloj, sepse e kuptoj si ndihesh. Para ca vitesh më vdiq gjyshi.»

Mësuesja u prek nga interesimi i Valjas. Me lot në sy, i tha se as të afërmit, as kolegët nuk i kishin treguar dhembshuri kaq të çiltër. Atëherë, Valja i lexoi e i shpjegoi Zbulesën 21:3, 4 dhe më pas mësuesja i pranoi broshurat duke thënë: «Ti je krejt ndryshe nga nxënësit e tjerë.»

Valja i shpjegoi pse: «Përpiqem të lexoj Biblën dhe të jetoj sipas saj, si dhe u bindem prindërve.»

Me kërkesë të mësueses, më vonë Valja i solli asaj një Bibël dhe librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Sërish mësuesja tregoi vlerësim dhe i tha Valjës: «Feja jote është feja e vërtetë dhe prindërit i ke shumë të mirë përderisa të mësojnë çfarë është e drejtë. Të lutem, vazhdo me këtë lloj jete!»

Ajo i ra numrit gabim

Ditën e parë të kongresit krahinor në vitin 2011, që u mbajt në Malakasa, Greqi, Natalia i telefonoi me celular babait për një udhëtim me autobus drejt vendit ku mbahej kongresi. Gjithsesi, ajo i ra numrit gabim dhe askush s’u përgjigj. Pak më vonë, personi pa thirrjen e humbur dhe i ra numrit që të zbulonte kush ishte. Megjithatë, programi i kongresit kishte filluar dhe, megjithëse Natalia donte ta fikte celularin, pa dashje e hapi telefonatën. Ajo nuk e dinte që burri po dëgjonte një pjesë nga fjalimi i drejtuesit të kongresit, dhe kjo ia nxiti interesin.

Më vonë, burri i dërgoi një mesazh ku e pyeste: «Kush je ti? Mos je gjë prift?» Në fund të sesionit të paradites, Natalia e pa mesazhin dhe u përgjigj: «Nuk jam prift. Jam Dëshmitare e Jehovait dhe po ndjek një kongres.»

Burri e telefonoi sërish të shtunën për ta pyetur nëse kongresi vazhdonte ende. Babai i Natalisë arriti t’i japë dëshmi dhe më pas burri shpjegoi: «Në pak minuta, fjalimi që dëgjova në telefon, iu përgjigj shumë pyetjeve që më mundonin.» Më vonë u mor vesh se familja e atij burri po vuante nga sulmet e demonëve dhe s’e kishte idenë kush ishin ato frymëra, si edhe arsyen pse po ndodhte kjo. Ai shpjegoi: «Deri tani, kurrë s’kam dashur të flas me Dëshmitarët e Jehovait. Por, nëse është e mundur, do të doja të flisja me atë që mbajti fjalimin.»

Sigurisht që ishte e mundur. Burri erdhi në kongres të dielën dhe u mahnit nga ajo që i zunë sytë​—familje të veshura mirë dhe fytyra të lumtura. Përtokë s’kishte plehra, askush s’përdorte fjalë të pista dhe as pinin duhan. Ai tha: «Nuk e dija që në këtë planet ekzistonin njerëz si ju! Më duket sikur jam në një botë tjetër.» Babai i Natalisë e çoi në zyrën e drejtuesit, i cili foli me të. Kongresi dhe përgjigjet që mori, i bënë shumë përshtypje burrit. Ai pranoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, një Bibël, disa revista dhe u la takim për një rivizitë.

  • VENDE: 29

  • POPULLSIA: 38.495.300

  • LAJMËTARË: 94.924

  • STUDIME BIBLIKE: 59.431

«Kënga më e bukur që kam dëgjuar ndonjëherë!»

Në Savai, Samoa, një ditë e zakonshme shkolle nis duke mbledhur të gjithë nxënësit për të kënduar një himn. Por Selina pesëvjeçare dhe Levai gjashtëvjeçar i thanë me respekt drejtorit se nuk mund të këndonin, ngaqë ishin Dëshmitarë të Jehovait. Një qëndrim i tillë mund të sillte ndëshkim të rëndë. Gjithsesi, duke menduar se nxënësit do ta këndonin himnin po të viheshin në siklet, drejtori u tha: «Po mirë, nëse s’mund të këndoni këngën tonë, atëherë na këndoni një tuajën.» Në përgjigje, Selina dhe Levai kënduan këngën numër 111, «Unë thërras!», të cilën e kishin mësuar kohët e fundit në mbrëmjen e Adhurimit Familjar. Kur mbaruan, drejtorit iu mbushën sytë me lot. Ai tha: «Kjo është kënga më e bukur që kam dëgjuar ndonjëherë! Këndojeni prapë, ju lutem!» Ata e kënduan. Më pas, u tha: «Tani e tutje, do t’ju kërkoj të këndoni këngët tuaja, jo tonat.»

«Tani e tutje, do t’ju kërkoj të këndoni këngët tuaja, jo tonat»

Gjithë jetën i ishte lutur Jezuit

Një burrë nga Fixhi, i cili shërbente në një kishë vendëse, vendosi të merrte pjesë në studimin biblik të dikujt tjetër. Gjatë studimit, ai dëgjoi se Jezui nuk është Perëndia. Kjo e trazoi kaq shumë, sa nuk e zinte gjumi i natës. Kur gruaja e vërejti shqetësimin e të shoqit, i tha: «Mos shko më t’i dëgjosh ata!» Megjithatë, burrit s’i hiqej nga mendja ajo që dëgjoi. Javën tjetër, ai mori pjesë sërish në studimin e Biblës. Pak ditë pas kësaj dhe ende pa filluar studim për vete, shkoi në kishë dhe e la punën atje. Kjo i tronditi dhe i zemëroi të afërmit e tij bashkë me anëtarët e kishës. Ai jo vetëm që po linte kishën, por po i kthente shpinën edhe një pune me rrogë të majme. Nga Bibla ai mund ta dallonte qartë të vërtetën për Jezuin, por e kishte të vështirë t’i lutej Jehovait, sepse gjithë jetën i ishte lutur Jezuit. Pas shumë muajsh, më në fund arriti t’i lutej Jehovait. Tani ai ua predikon lajmin e mirë të tjerëve dhe i ndihmon ta njohin e ta duan Jehovain.

Një komunitet i vogël pranon të vërtetën

Makatea, një ishull në Paqësorin Jugor, ka vetëm 62 banorë. Për nevojat e tyre frymore kujdeset një kongregacion i Dëshmitarëve të Jehovait në Tahiti. Nëntë nga banorët studiojnë rregullisht Biblën nëpërmjet telefonit. Në shtëpinë e një studenti të Biblës mblidhen deri në 15 veta për të dëgjuar mbledhjet që mbahen në Tahiti. Ndër ata që tani studiojnë Biblën, është një e re që më parë ishte shtyllë e kishës së saj dhe pritej ta caktonin si dhjake. Pak kohë më parë, ajo u kthye në kishë për të shpjeguar pse nuk merrte më pjesë në shërbesat atje. Ajo tregoi nga Bibla pse një grua nuk duhet të mësojë të tjerët në kongregacion. Gjithashtu, shpjegoi rolin e Jezu Krishtit dhe kuptimin e Darkës së Zotërisë, e cila duhej mbajtur një herë në vit, dhe jo çdo të diel. Për më tepër, ajo arriti të shpjegonte se vetëm 144.000 veta do të jenë në qiell me Krishtin dhe vetëm ata duhet t’i marrin simbolet e Përkujtimit. Një grua tjetër u nxit nga shembulli i saj dhe e la kishën. Tani studion rregullisht Biblën me Dëshmitarët.

Familja pranon ftesën

Në një përpjekje për të ftuar joaktivët në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, dy pleq në Ishujt Solomon, vizituan Joshuan, i cili s’i kishte ndjekur mbledhjet që nga viti 1998. Bashkë me 20 anëtarë të familjes së tij, Joshua eci dy orë që të ndiqte Përkujtimin. Ai u përlot kur pa sa ngrohtë e mirëpriti kongregacioni. Në fjalimin special erdhën edhe shumë pjesëtarë të familjes, pas të cilit u thanë pleqve se donin të studionin Biblën. U morën masa që 15 prej tyre të studionin.

Ai e dinte përgjigjen

Nga më se 1.000 ishujt dhe atolet në territorin e degës së Guamit, mbi 100 prej tyre janë të banuara. Megjithatë, vetëm 13 nga këta ishuj ndodhen pranë një kongregacioni. Ngaqë ka kaq shumë ishuj që Dëshmitarët e Jehovait s’i kanë vizituar kurrë, vëllezërit vazhdojnë të kërkojnë mënyra si të shkojnë atje. Në prill të vitit 2012, një grup lajmëtarësh udhëtoi me varkë me vela në Polouat, një nga ishujt më të izoluar. Polouati është thuajse i ndarë nga bota. Burrat vënë vetëm një cohë rreth këllqeve, bëjnë kanoe nga trungjet e pemëve dhe jetojnë me prodhimet e tokës.

Një nga lajmëtarët që kishte ardhur për vizitë, pyeti një të ri atje: «Çfarë ndodh pas vdekjes?»

«E di përgjigjen e kësaj pyetjeje»—tha i gëzuar ai. Më pas, brofi në këmbë, rrëmbeu nga rafti librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë në gjuhën çukeze dhe e hapi te përmbajtja. E vuri gishtin te kapitulli 8, «Çfarë ndodh kur vdes?», dhe tërë zell shpjegoi çfarë kishte mësuar nga libri.

Por, nga e kishte marrë librin ai? Në vitin 2009, lajmëtarët në ishullin kryesor të Çukut predikuan në porte për të takuar njerëz që shkonin në ishuj të largët e të izoluar, të cilëve u dhanë libra Ti mund të jetosh. Dikush që shkonte në Polouat kishte pranuar me kënaqësi të merrte një kuti me libra që t’ua shpërndante fqinjëve, dhe njëri prej tyre ishte ky i ri.

Para se të largoheshin nga Polouati, vëllezërit e vizituan disa herë këtë të ri për ta inkurajuar dhe për t’i treguar si të nxirrte dobi nga një program studimi. Gjithashtu, i mësuan si të kërkonte shkrimet dhe të mbante shënim pikat kryesore anash librit të tij.

Në këta ishuj të largët nuk ka as televizor, as radio, as gazeta dhe as internet. Por, sa të ngrohet zemra kur i sheh këta njerëz që e mësojnë të vërtetën në gjuhën mëmë falë literaturës sonë!

Tre plumba, tri arsye

Ana, në fillim të të 20-ave, ishte lajmëtare e papagëzuar kur lufta civile në Buganvile u intensifikua Papua Guinenë e Re. Në vitin 1991 ajo ishte pjesë e një grupi Dëshmitarësh me gjashtë të rritur dhe shtatë fëmijë nga kongregacioni i Arauas, të cilët u detyruan t’ia mbathnin në xhungël vetëm me ca plaçka. Për dy vjet, jetuan në shtëpi të braktisura dhe në kërkim të ushqimit. Mbledhjet i mbanin duke përdorur vetëm dy libra që kishin, Biblën e Anës dhe librin Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë. Ata luteshin së bashku, këndonin këngë Mbretërie dhe u predikonin atyre që takonin.

Pjesëtarë të ushtrisë revolucionare i gjetën dhe u kërkuan dy vëllezërve të grupit t’i bashkoheshin ushtrisë, por ama i respektuan për asnjanësinë e tyre. Njëherë, një ushtar i tregoi Anës tre plumba dhe i tha: «Martohu me mua ose do të vdesësh.» Ajo i tregoi atij tri arsye​—një për çdo plumb—​pse s’mund të martohej me të; kryesorja ndër to ishte urdhri i Biblës për t’u martuar «vetëm në Zotërinë». (1 Kor. 7:39) Më pas, burri u largua.

«Asgjë s’mund ta ndalë veprën e Jehovait, as lufta civile»

Në vitin 2012, Ana, e cila kishte nisur shërbimin si pioniere e rregullt, dëgjoi se kishte shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë në Araua. Prandaj, bashkë me shoqen e saj pioniere, u kthye që të ndihmonte në themelimin e një grupi atje. E pyetën nëse do të trazohej po të kthehej atje, meqë kishte parë kaq shumë masakra dhe kishte përjetuar kaq shumë vështirësi gjatë luftës. Ajo u përgjigj: «S’ndiej gjë tjetër veçse gëzim që do të kthehem atje. Asgjë s’mund ta ndalë veprën e Jehovait, as lufta civile.»