Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të kemi besim në këtë libër?

A mund të kemi besim në këtë libër?

A mund të kemi besim në këtë libër?

«Unë gjej më shumë shenja të sigurta vërtetësie në Bibël, sesa në çdo histori tjetër profane [botërore] gjetkë.»—Sir Isak Njuton, shkencëtar i famshëm anglez.1

A MUND të kemi besim në këtë libër, Biblën? A bën fjalë ai për njerëz që me të vërtetë kanë jetuar, për vende që me të vërtetë kanë ekzistuar dhe për ngjarje që me të vërtetë kanë ndodhur? Nëse po, atëherë duhet të ketë dëshmi se ai është shkruar nga shkrimtarë të kujdesshëm e të ndershëm. Provat ekzistojnë. Shumë prej tyre janë gjetur të varrosura në tokë dhe shumë më tepër të tilla përmban vetë ky libër brenda vetes.

Nxjerrja e dëshmive

Zbulimi i prodhimeve të përpunuara, të groposura në vendet e përmendura në Bibël, ka mbështetur saktësinë historike dhe gjeografike të Biblës. Le të shqyrtojmë vetëm disa nga dëshmitë që kanë dalë nga gërmimet e arkeologëve.

Davidi, bariu i ri guximtar që u bë mbret i Izraelit, është i mirënjohur për lexuesit e Biblës. Emri i tij shfaqet 1.138 herë në Bibël dhe shprehja «shtëpia e Davidit», e cila shpesh i referohet dinastisë së tij, gjendet 25 herë. (1. Samuelit 16:13; 20:16) Megjithatë, deri kohët e fundit, përveç Biblës, nuk kishte asnjë dëshmi të qartë të ekzistencës së Davidit. A ishte Davidi thjesht një personazh i trilluar?

Në vitin 1993, një ekip arkeologësh, nën drejtimin e profesorit Avraham Biran, bëri një zbulim të jashtëzakonshëm, i cili u raportua në Israel Exploration Journal. Në vendin ku ndodhet një kodrinë e lashtë e quajtur Tel-Dan, në pjesën veriore të Izraelit, ata zbuluan një gur bazalti. Të gdhendura në gur gjenden fjalët «shtëpi e Davidit» dhe «mbret i Izraelit».2 Mbishkrimi, që datonte nga shekulli i nëntë p.e.s., thuhet se ishte pjesë e një monumenti fitoreje i ngritur nga arameasit, armiq të Izraelit që jetonin në lindje. Përse është kaq domethënës ky mbishkrim?

Në bazë të një raporti të bërë nga profesori Biran dhe kolegu i tij, profesori Jozef Naveh, një artikull në Biblical Archaeology Review thoshte: «Kjo është hera e parë që emri David është gjetur në ndonjë mbishkrim të lashtë jashtë Biblës.»3 * Por ia vlen të përmendim edhe diçka tjetër në lidhje me mbishkrimin. Shprehja «shtëpi e Davidit» është shkruar si një fjalë e vetme. Eksperti i gjuhësisë, profesori Anson Reini, shpjegon: «Një ndarës i fjalëve . . . shpesh fshihej, sidomos nëse kombinimi është një emër i përveçëm shumë i njohur. ‘Shtëpia e Davidit’ ishte sigurisht një emër i tillë i përveçëm politik dhe gjeografik në gjysmën e shekullit të nëntë p.e.s.»5 Pra, mbreti David dhe dinastia e tij me sa duket ishin fare mirë të njohur në botën e lashtë.

Po Ninevia, qyteti i madh i Asirisë që përmendet në Bibël, a ka ekzistuar me të vërtetë? Deri në fillimet e shekullit të 19-të, disa kritikë të Biblës nuk pranonin ta besonin këtë. Por në vitin 1849, sir Ostën Henri Lejard, nxori nga dheu rrënojat e pallatit të mbretit Senakerib në Kuyunjik, një vend që u provua se ishte pjesë e Ninevisë së lashtë. Në këtë mënyrë, kritikët heshtën në lidhje me këtë temë. Por ato rrënoja kishin akoma për të thënë. Mbi muret e një dhome të ruajtur më së miri paraqitej kapja e një qyteti shumë të fortifikuar, si dhe robërit që marshonin përpara mbretit pushtues. Sipër mbretit gjendet ky mbishkrim: «Senakeribi, mbret i botës, mbret i Asirisë, ulur mbi një fron nîmedu, duke kaluar në revistë plaçkën e luftës (të kapur) në Lakish (La-ki-su).»6

Kjo paraqitje dhe ky mbishkrim, të cilat mund të shihen në Muzeun Britanik, përputhen me tregimin e Biblës të kapjes së qytetit judaik Lakish nga Senakeribi, treguar në 2. Mbretërve 18:13, 14. Duke komentuar mbi domethënien e kësaj gjetjeje, Lejard shkroi: «Kush do ta kishte besuar përpara këtyre zbulimeve, se ekzistonin gjasat apo mundësitë që poshtë grumbujve të dheut e të mbeturinave që shënonin vendndodhjen e Ninevisë, do të zbulohej historia e luftërave mes Hezekisë [mbret i Judës] dhe Senakeribit, e shkruar në po atë kohë kur ndodhi nga vetë Senakeribi, duke vërtetuar edhe në hollësitë më të vogla tregimin biblik?»7

Arkeologët kanë nxjerrë nga dheu edhe shumë sende të tjera: enë balte, rrënoja ndërtesash, rrasa argjile, monedha, dokumenta, monumente dhe mbishkrime, të cilat vërtetojnë saktësinë e Biblës. Ekskavatorët kanë zbuluar Urin, qytetin e kaldeasve, qendrën tregtare dhe fetare ku jetonte Abrahami.8 (Zanafilla 11:27-31) Kronika e Nabonidit, e zbuluar në shekullin e 19-të, përshkruan rënien e Babilonisë në duart e Kirit të Madh në vitin 539 p.e.s., një ngjarje që tregohet në kreun 5 të Danielit.9 Një mbishkrim (fragmente të të cilit janë ruajtur në Muzeun Britanik) i gjetur mbi një hark në Selanikun e lashtë, përmban emrat e sunduesve të qytetit, duke i përshkruar si «politarkë», një fjalë e panjohur në literaturën klasike greke, por e përdorur nga shkrimtari biblik Luka.10 (Veprat 17:6, shënimi në DSF) Kështu, saktësia e Lukës u shfajësua në këtë hollësi, sikurse ishte shfajësuar tashmë edhe në hollësi të tjera.—Krahaso Lukën 1:3.

Megjithatë, arkeologët nuk janë gjithnjë dakort me njëri-tjetrin, jo më pastaj me Biblën. Gjithsesi, Bibla përmban në vetvete dëshmi të forta se ajo është një libër tek i cili mund të kemi besim.

Paraqitje me çiltërsi

Historianët e ndershëm do të regjistronin jo vetëm fitoret (si në mbishkrimin në lidhje me kapjen e Lakishit nga Senakeribi), por edhe disfatat, jo vetëm sukseset, por edhe dështimet, jo vetëm anët e forta, por edhe dobësitë. Vetëm pak histori të botës pasqyrojnë një ndershmëri të tillë.

Në lidhje me historianët asirianë, Daniel D. Lukenbill shpjegon: «Shpesh është e qartë se mendjemadhësia mbretërore kërkonte që saktësisë historike t’i bëhej me hile.»11 Duke ilustruar këtë «mendjemadhësi mbretërore», analet e mbretit asirian Asurnasirpal krenohen: «Unë jam madhështor, fisnik, i lëvduar, i fuqishëm, i nderuar, i lavdëruar, i shkëlqyer, i fortë, trim, zemërluan dhe hero!»12 A do të pranonit gjithçka që lexoni në këto anale si histori të saktë?

Përkundrazi, shkrimtarët e Biblës shfaqin një çiltërsi freskuese. Moisiu, udhëheqësi i Izraelit, raportoi me sinqeritet mangësitë e vëllait të tij, Aaronit, të motrës së tij, Miriamit, të nipërve të tij, Nadabit dhe Abihut, të popullit të tij, si dhe vetë gabimet e tij. (Eksodi 14:11, 12; 32:1-6; Levitiku 10:1, 2; Numrat 12:1-3; 20:9-12; 27:12-14) Gabimet serioze të mbretit David nuk u mbuluan, por u hodhën me shkrim, madje ndërkohë që Davidi ende sundonte si mbret. (2. Samuelit, kapitujt 11 dhe 24) Mateu, shkrimtari i librit që mban emrin e tij, tregon se si apostujt (një prej të cilëve ishte edhe ai) u grindën në lidhje me rëndësinë e tyre personale dhe se si e braktisën Jezuin natën e arrestimit të tij. (Mateu 20:20-24; 26:56) Shkrimtarët e letrave të Shkrimeve të Krishtere Greke pranuan hapur problemet, duke përfshirë edhe imoralitetin seksual dhe mospajtimet në disa kongregacione të hershme të krishtere. Ata nuk i grimcuan fjalët, kur folën për ato probleme.—1. Korintasve 1:10-13; 5:1-13.

Një raportim i tillë i çiltër dhe i hapur tregon një shqetësim të sinqertë për të vërtetën. Pasi shkrimtarët e Biblës ishin të gatshëm të raportonin informata të pafavorshme në lidhje me të dashurit e tyre, me njerëzit e tyre, madje edhe me veten e tyre, a nuk kemi arsye të vlefshme për t’u besuar shkrimeve të tyre?

E saktë në hollësi

Nëpër proceset e gjykimit, besueshmëria e dëshmisë së një dëshmitari shpesh mund të përcaktohet në bazë të fakteve më të vogla. Përputhja në hollësitë më të vogla mund t’i vërë dëshmisë vulën e saktësisë dhe të ndershmërisë, në kundërshtim me mospajtimet që mund të nxjerrë në pah nëse është një sajim. Nga ana tjetër, një tregim tejet i saktë, i tillë saqë edhe hollësia më e parëndësishme është rregulluar më së miri, mund të tradhtojë, gjithashtu, një dëshmi të rreme.

Si kualifikohet në këtë aspekt «dëshmia» e shkrimtarëve të Biblës? Shkrimtarët e Biblës shfaqën një uniformitet të jashtëzakonshëm. Ekziston një përputhje e madhe edhe në hollësitë e vogla. Megjithatë, harmonia nuk është rregulluar në mënyrë të qëllimshme, duke ngjallur dyshime për ndonjë bashkëpunim të fshehtë. Duket sheshit se rastësitë nuk janë të projektuara dhe shkrimtarët shpesh përputhen në mënyrë të paqëllimshme. Le të shqyrtojmë disa shembuj.

Shkrimtari biblik Mateu shkroi: «Pastaj Jezusi hyri në shtëpinë e Pjetrit dhe pa që e vjehrra ishte në shtrat me ethe.» (Mateu 8:14) Këtu, Mateu jep një hollësi interesante, por jo thelbësore: Pjetri ishte i martuar. Ky fakt i vogël mbështetet nga Pavli, i cili shkroi: «A thua nuk kam të drejtën të marr me vete një bashkëshorte të krishterë, si dhe apostujt e tjerë . . . dhe Pjetri?» (1. Korintasve 9:5, ECM) Konteksti tregon se Pavli po mbronte veten kundër kritikave të pajustifikuara. (1. Korintasve 9:1-4) Në mënyrë të dukshme, ky fakt i vogël, që Pjetri ishte i martuar, nuk ishte vendosur nga Pavli për të mbështetur saktësinë e tregimit të Mateut, por është përcjellë si diçka e vogël e parëndësishme.

Që të katër shkrimtarët e ungjijve: Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni, kujtojnë se natën e arrestimit të Jezuit, një nga dishepujt e tij nxori shpatën dhe goditi një skllav të kryepriftit, duke i prerë veshin. Vetëm ungjilli i Gjonit raporton një hollësi në dukje të panevojshme: «Dhe ai shërbëtor quhej Malk.» (Gjoni 18:10, 26) Përse vetëm Gjoni ka dhënë emrin e atij njeriu? Pak vargje më lart, tregimi na jep një fakt të vogël të pashkruar askund tjetër: Gjoni «ishte i njohur i kryepriftit». Gjithashtu, ai ishte i njohur edhe për shtëpiakët e kryepriftit; shërbëtorët kishin shoqëri me të dhe ai me ta. (Gjoni 18:15, 16) Prandaj, është e natyrshme që Gjoni të përmendte emrin e njeriut të plagosur, ndërsa shkrimtarët e tjerë të ungjijve, për të cilët ai njeri ishte një i panjohur, nuk e bënë.

Disa herë, shpjegime të hollësishme mungojnë në një tregim, por janë siguruar diku gjetkë nëpërmjet deklaratave të bëra rastësisht. Për shembull, tregimi i Mateut për gjyqin e Jezuit përpara Sanhedrinit judaik thotë se disa njerëz të pranishëm «e goditën me shuplaka, duke thënë: ‘O Krisht, profetizo! Kush të ra?’» (Mateu 26:67, 68) Përse do t’i kërkonin Jezuit «të profetizonte» se cili e kishte goditur, ndërkohë që goditësi ndodhej aty përballë tij? Mateu nuk e shpjegon. Por dy nga shkrimtarët e tjerë të ungjijve na furnizojnë me hollësinë që mungon: persekutuesit e Jezuit ia kishin mbuluar fytyrën përpara se ta godisnin me shuplaka. (Marku 14:65; Luka 22:64) Mateu e ka paraqitur materialin e tij pa u merakosur që të transmetonte çdo hollësi të vogël.

Ungjilli i Gjonit tregon për një rast, kur një turmë e madhe u mblodh për të dëgjuar mësimin e Jezuit. Sipas tregimit, kur Jezui vërejti turmën, «i tha Filipit: ‘Ku do të blejmë bukë, që këta të mund të hanë?’» (Gjoni 6:5) Nga të gjithë dishepujt e pranishëm, përse Jezui pyeti Filipin se ku mund të blinin ca bukë? Shkrimtari nuk e thotë. Por në tregimin paralel, Luka raporton se ngjarja ndodhi pranë Betsaidës, një qytet në bregun verior të Detit të Galilesë dhe diku më parë, në ungjillin e Gjonit, thuhet se «Filipi ishte nga Betsaida». (Gjoni 1:44; Luka 9:10) Prandaj, në mënyrë logjike Jezui pyeti një person, qyteti i lindjes i të cilit ishte aty pranë. Përputhja mes hollësive është e habitshme, megjithëse në mënyrë të qartë e të paqëllimshme.

Në disa raste, mungesa e disa hollësive s’bën tjetër, veçse shton besueshmërinë e shkrimtarit të Biblës. Për shembull, shkrimtari i 1. Mbretërve tregon për një thatësirë të tmerrshme në Izrael. Ajo ishte kaq e ashpër, saqë mbreti nuk mund të gjente ujë dhe bar të mjaftueshëm për të mbajtur gjallë kuajt dhe mushkat e tij. (1. Mbretërve 17:7; 18:5) Megjithatë, i njëjti tregim raporton se profeti Elija urdhëroi që t’i sillnin mjaft ujë në malin Karmel (që ta përdorte për një sakrificë), sa për të mbushur një gropë që rrethonte një zonë prej ndoshta 1.000 metrash katrorë. (1. Mbretërve 18:33-35) Nga erdhi gjithë ai ujë, në mes të asaj thatësire? Shkrimtari i 1. Mbretërve nuk e vrau shumë mendjen për ta shpjeguar. Megjithatë, kushdo që banonte në Izrael e dinte se Karmeli ndodhej në breg të Detit Mesdhe, siç tregon më vonë një shprehje e rastësishme në tregim. (1. Mbretërve 18:43) Pra, uji i detit mund të merrej me lehtësi. Sikur ky libër, i hollësishëm në aspekte të tjera, të ishte thjesht një trillim që hiqet si fakt, përse shkrimtari i tij, që në këtë rast duhej të ishte një falsifikues mendjehollë, do të linte në tekst një vështirësi të tillë të dukshme?

Pra, a mund të kemi besim në Biblën? Arkeologët kanë gërmuar mjaft sende, për të vërtetuar se Bibla flet për njerëz të vërtetë, për vende të vërteta dhe për ngjarje të vërteta. Megjithatë, shumë më e fortë është dëshmia që gjejmë brenda vetë Biblës. Shkrimtarë të çiltër nuk kursyen asnjeri, as edhe veten e tyre, duke regjistruar faktet e rënda. Koherenca e brendshme e shkrimeve, duke përfshirë edhe rastësitë e paplanifikuara, jep «dëshminë» e tingullit të qartë të së vërtetës. Me të tilla «shenja të sigurta vërtetësie», Bibla është në fakt një libër në të cilin mund të kemi besim.

[Shënimi]

^ par. 8 Pas këtij zbulimi, profesori Andre Lëmer raportoi se një rikonstruksion i ri i një rreshti të dëmtuar në përmendoren e Meshës (e quajtur edhe Guri i Moabit), e zbuluar në vitin 1868, zbulon se edhe ajo përmban një referim për «shtëpinë e Davidit».4

[Figura në faqen 15]

Fragment nga Tel-Dani

[Figura në faqet 16, 17]

Reliev asirian në mur, që përshkruan rrethimin e Lakishit, i përmendur në 2. Mbretërve 18:13, 14