Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Libri më i shpërndarë në botë

Libri më i shpërndarë në botë

Libri më i shpërndarë në botë

«Bibla është libri i lexuar më gjerësisht në histori. . . . Janë shpërndarë më shumë kopje të Biblës, sesa të çdo libri tjetër. Gjithashtu, Bibla është përkthyer më shumë herë dhe në më shumë gjuhë, sesa çdo libër tjetër.»—“The World Book Encyclopedia.”1

NË DISA aspekte, shumica e librave janë si njerëzit. Ata dalin në skenë, mund të rriten në popullaritet dhe me përjashtim të pak librave klasikë, plaken e vdesin. Shpesh, bibliotekat shërbejnë si varreza për kush e di se sa libra që u ka ikur koha, që nuk lexohen më e që në fakt janë të vdekur.

Megjithatë, Bibla është një përjashtim madje edhe mes veprave klasike. Edhe pse origjina e shkrimit të saj shkon 3.500 vjet prapa, ajo është ende shumë e gjallë. Që prej kohësh, ajo është libri i qarkulluar më gjerësisht mbi tokë. * Çdo vit, shpërndahen rreth 60 milionë kopje të Biblës së plotë apo të pjesëve të saj. Botimi i parë, i shtypur me shkronja të lëvizshme, doli nga shtypshkronja e shpikësit gjerman Johanes Gutenberg, rreth vitit 1455. Që nga ajo kohë, është përllogaritur se janë shtypur katër miliardë Bibla (të plota apo pjesërisht). Asnjë libër tjetër, fetar apo tjetërsoj, nuk mund t’i afrohet asaj.

Bibla është, gjithashtu, libri më i përkthyer në histori. Bibla e plotë apo pjesërisht është përkthyer në më shumë se 2.100 gjuhë dhe dialekte. * Mbi 90 përqind e familjes njerëzore kanë të paktën pjesë të Biblës në gjuhën e tyre.2 Në këtë mënyrë, ky libër ka kaluar kufijtë kombëtarë, duke kapërcyer pengesat raciale dhe etnike.

Por vetëm statistikat nuk mund t’ju japin një arsye nxitëse për të shqyrtuar Biblën. Megjithatë, shifrat e qarkullimit dhe të përkthimit të bëjnë përshtypje, duke dëshmuar tërheqjen universale që ka Bibla. Sigurisht, libri më i shitur dhe më i përkthyer në gjithë historinë njerëzore është i denjë për shqyrtimin tuaj.

[Shënimet]

^ par. 4 Botimi tjetër i shpërndarë më gjerësisht mendohet të jetë broshura me kapak të kuq Citime nga veprat e Mao Ce Dunit, nga e cila është llogaritur të jenë shitur apo shpërndarë 800 milionë kopje.

^ par. 5 Statistikat në lidhje me numrin e gjuhëve janë bazuar në shifrat e botuara nga Shoqatat e Bashkuara të Biblës.

[Figura në faqen 6]

Bibla Gutenberg, në latinisht, libri i parë i plotë i shtypur me shkronja të lëvizshme