Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një libër me profeci

Një libër me profeci

Një libër me profeci

Njerëzit janë të interesuar për të ardhmen. Ata kërkojnë parashikime të besueshme në lidhje me shumë tema, që nga parashikimi i motit deri te treguesit ekonomikë. Megjithatë, kur veprojnë në bazë të këtyre parashikimeve, shpesh ata ndihen të zhgënjyer. Bibla përmban shumë parashikime apo profeci. Sa të sakta janë këto profeci? A janë histori të shkruara para se të ndodhnin? Apo janë histori që hiqen si profeci?

BURRI i shtetit romak, Kato (234-149 p.e.s.), raportohet të ketë thënë: «Çuditem se si një fallxhori nuk i vjen për të qeshur, kur shikon një fallxhor tjetër.»1 Në fakt, edhe sot e kësaj dite, shumë njerëz janë skeptikë ndaj parashikuesve të fatit, astrologëve dhe fallxhorëve të tjerë. Shpesh, parashikimet e tyre shqiptohen në terma të mjegullt dhe janë subjekt i një llojshmërie të gjerë interpretimesh.

Ç’të themi, pra, për profecitë e Biblës? A ka ndonjë arsye për skepticizëm? Apo kemi ndonjë bazë për besim?

Jo vetëm hamendje të bazuara në njohuri

Njerëz të ditur mund të përpiqen që të përdorin prirjen për të vëzhguar, për të bërë spekulime të sakta në lidhje me të ardhmen, por ata asnjëherë nuk janë gjithmonë të saktë. Një libër vëren: «Çdo shoqëri ballafaqohet jo thjesht me një radhë ngjarjesh të ardhshme të mundshme, por me një radhë me ngjarje të ardhshme të mundura dhe me një konflikt mbi ngjarje të ardhshme të parapëlqyera.» Ai shton: «Natyrisht, askush nuk mund ‘ta njohë’ të ardhmen në kuptim absolut. Ne vetëm mund të sistemojmë e të thellojmë supozimet tona dhe të përpiqemi për t’u dhënë atyre probabilitete.»2Future Shock.

Por shkrimtarët e Biblës nuk u mjaftuan thjesht duke u ‘dhënë probabilitete’ «supozimeve» mbi të ardhmen. Gjithashtu, parashikimet e tyre nuk mund të shpërfillen si deklarata të zymta, në mëshirën e një llojshmërie të gjerë interpretimesh. Përkundrazi, shumë nga profecitë e tyre u thanë me qartësi të mahnitshme dhe ishin jashtëzakonisht specifike, shpeshherë duke predikuar tamam të kundërtën e asaj që mund të pritej. Le të marrim si një shembull çfarë tha Bibla para kohe, në lidhje me qytetin e lashtë të Babilonisë.

‘Do të fshihej me fshesën e shkatërrimit’

Babilonia e lashtë u bë «ajka e mbretërive». (Isaia 13:19, DSF) Ky qytet i shtrirë ishte vendosur në mënyrë strategjike në rrugën tregtare nga Gjiri Persik për në Detin Mesdhe, duke shërbyer si magazinë tregtare qoftë për biznesin tokësor, ashtu edhe për atë detar ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

Aty nga shekulli i shtatë p.e.s., Babilonia, me sa duket, ishte kryeqyteti i pamposhtur i Perandorisë Babilonase. Qyteti gjendej mes dy brigjeve të lumit Eufrat dhe ujërat e lumit ishin përdorur për të formuar një hendek të gjerë e të thellë me ujë, si dhe një rrjet me kanale. Veç kësaj, qyteti mbrohej nga një sistem masiv me mure të dyfishta, i mbështetur nga kulla të panumërta mbrojtëse. Nuk kemi pse të habitemi, pra, që banorët e saj ndiheshin të sigurt.

Megjithatë, në shekullin e tetë p.e.s., përpara se Babilonia të ngrihej në majat më të larta të lavdisë së saj, profeti Isaia paratha se Babilonia ‘do të fshihej me fshesën e shkatërrimit’. (Isaia 13:19; 14:22, 23) Isaia përshkroi, gjithashtu, edhe mënyrën se si do të binte Babilonia. Pushtuesit ‘do të thanin’ lumenjtë e saj, burimin e mbrojtjes së saj me hendeqe, duke e bërë qytetin një pre të lehtë. Isaia dha edhe emrin e pushtuesit, «Kiri», një mbret i madh persian, «para të cilit portat do të hapen dhe asnjë derë nuk do të mbyllet».—Isaia 44:27–45:2, The New English Bible.

Këto ishin parashikime të guximshme. Por, a dolën të vërteta? Historia përgjigjet.

‘Pa asnjë betejë’

Dy shekuj pasi Isaia shkroi profecinë e tij, natën e 5 tetorit 539 p.e.s., ushtritë e Medo-Persisë, nën komandën e Kirit të Madh, ngritën fushimin pranë Babilonisë. Por babilonasit ishin të sigurt. Sipas historianit grek, Herodotit (shekulli i pestë p.e.s.), ata kishin mjaft furnizime rezervë për të paktën pesë vjet.3 Kishin, gjithashtu, lumin Eufrat dhe muret e fuqishme të Babilonisë që i mbronin. Gjithsesi, po atë natë, sipas Kronikës së Nabonidit, «ushtria e Kirit hyri në Babiloni pa asnjë betejë».4 Si ishte e mundur?

Herodoti shpjegon se brenda qytetit, populli «po zbavitej dhe bënte aheng gjatë një feste».5 Ndërkohë, jashtë mureve, Kiri kishte devijuar ujërat e Eufratit. Me rënien e nivelit, ushtria e tij u turr në shtratin e lumit, me ujin që i vinte deri në kofshë. Ata marshuan tutje mureve hijerënda dhe hynë nëpërmjet atyre që Herodoti i quan «portat që hapën mbi lumë», porta të lëna hapur nga pakujdesia.6 (Krahaso Danielin 5:1-4; Jeremia 50:24; 51:31, 32.) Historianë të tjerë, duke përfshirë edhe Ksenofonin (rreth 431-352 p.e.s.), si edhe pllaka kuneiforme të gjetura nga arkeologët, vërtetojnë rënien e papritur të Babilonisë para Kirit.7

Në këtë mënyrë, profecia e Isaisë për Babiloninë u përmbush. Apo ndoshta nuk ishte kështu? A ka mundësi të mos ketë qenë një parashikim, por të jetë shkruar në të vërtetë pas ngjarjes? Vërtet, të njëjta pyetje mund të bëhen edhe për profeci të tjera të Biblës.

Histori që hiqet si profeci?

Sikur profetët e Biblës, duke përfshirë edhe Isainë, thjesht të kenë rishkruar historinë që të ngjajë si profeci, atëherë këta njerëz s’kanë qenë gjë tjetër, veçse mashtrues të shkathët. Por, cili do të ketë qenë motivi që i ka shtyrë ata në një gënjeshtër të tillë? Profetët e vërtetë e bënë menjëherë të ditur se ata nuk do të pranonin rryshfete. (1. Samuelit 12:3; Danieli 5:17) Tashmë kemi shqyrtuar edhe dëshmi të forta se shkrimtarët e Biblës (shumë prej të cilëve ishin profetë) ishin burra të besueshëm, të cilët ishin të gatshëm të zbulonin edhe vetë gabimet e tyre që i vinin në siklet. Duket e pamundur që burra të tillë të kishin prirjen për të kryer mashtrime të stërholluara, duke e maskuar historinë si profeci.

Por ka edhe diçka tjetër që duhet marrë në konsideratë. Shumë profeci të Biblës përmbajnë denoncime therëse kundër vetë popullit të profetëve, ku përfshiheshin edhe priftërinjtë dhe sundimtarët. Isaia, për shembull, përbuzi gjendjen e vajtueshme morale të izraelitëve, të krerëve dhe të popullit, në ditët e tij. (Isaia 1:2-10) Profetë të tjerë demaskuan me forcë mëkatet e priftërinjve. (Sofonia 3:4; Malakia 2:1-9) Është e vështirë të hamendemi se përse do të fabrikonin ata profeci që përmbajnë gjykimet më të ashpra të imagjinueshme kundër vetë popullit të tyre dhe përse priftërinjtë do të kenë bashkëpunuar në një dhelpëri të tillë.

Përveç kësaj, si kanë pasur mundësi profetët, nëse s’kanë qenë tjetër veçse mashtrues të mjerë, që ta kalonin këtë falsifikim? Në Izrael inkurajohej shkrimi dhe leximi. Që në moshë të hershme, fëmijët mësonin të lexonin e të shkruanin. (Ligji i përtërirë 6:6-9) Nxitej leximi personal i Shkrimeve. (Psalmi 1:2) Nëpër sinagoga, gjatë të shtunave të përjavshme, bëhej leximi publik i Shkrimeve. (Veprat 15:21) Duket e pamundur që një komb i tërë i arsimuar, me njohuri të mirë mbi Shkrimet, të mund të jetë mashtruar nga një hile e tillë.

Veç këtyre, ka edhe më në lidhje me profecinë e Isaisë mbi Babiloninë. Në të përfshihet një hollësi që s’ka se si të jetë shkruar pas përmbushjes.

«Ajo nuk do të banohet më»

Ç’do të ndodhte me Babiloninë pas rënies së saj? Isaia paratha: «Ajo nuk do të banohet më, as nuk do të popullohet brez pas brezi; arabi nuk do të ngrerë më aty çadrën e tij, as barinjtë nuk do t’i ndalin aty kopetë e tyre.» (Isaia 13:20) Do të ketë qenë e çuditshme, për të mos thënë më shumë, të parashikoje se një qytet në një vendndodhje të tillë të favorshme do të bëhej përherë i pabanueshëm. A mund të jenë shkruar fjalët e Isaisë pasi ai të ketë vëzhguar Babiloninë e shkretuar?

Pas pushtimit nga Kiri, një Babiloni e banuar, edhe pse më e dobët, vazhdoi për shekuj. Ndoshta ju kujtohet se Rrotullat e Detit të Vdekur përmbanin një kopje të librit të plotë të Isaisë, e cila daton nga shekulli i dytë p.e.s. Aty nga koha në të cilën rrotulla po kopjohej, partët morën kontrollin mbi Babiloninë. Në shekullin e parë të e.s., në Babiloni gjendej një komunitet judenjsh dhe shkrimtari biblik, Pjetri, e vizitoi atë. (1. Pjetrit 5:13) Në atë kohë, Rrotulla e Detit të Vdekur e Isaisë kishte qenë në ekzistencë për gati dy shekuj. Pra, në shekullin e parë të e.s. Babilonia nuk ishte shkretuar ende plotësisht, ndërkohë që libri i Isaisë kishte mbaruar shumë kohë më parë. *

Siç ishte parathënë, së fundi Babilonia u bë «një grumbull gërmadhash». (Jeremia 51:37) Sipas dijetarit hebre, Jeromi (shekulli i katërt i e.s.), në ditët e tij Babilonia ishte një truall për gjueti, në të cilin ulërinin «bisha të çdo lloji».9 Babilonia ka mbetur e shkretë edhe sot e kësaj dite.

Isaia s’jetoi aq sa për të parë Babiloninë e pabanuar. Por rrënojat e atij qyteti njëherë e një kohë të fuqishëm, rreth 80 km në jug të Bagdatit, në Irakun e sotëm, janë një dëshmi e heshtur e përmbushjes së fjalëve të tij: «Ajo nuk do të banohet më.» Ndonjë ristrukturim i Babilonisë si tërheqje për turistët mund t’i joshë vizitorët, por «fëmijët dhe pasardhësit» e Babilonisë janë shuar përgjithmonë.—Isaia 13:20; 14:22, 23.

Profeti Isaia, pra, nuk tha parashikime të vagëta, të cilat do të zbatoheshin për ndonjë ngjarje të ardhshme. Ai as nuk rishkroi historinë, për ta bërë që të dukej si profeci. Mendo pak: Përse një mashtrues do të rrezikonte, «duke profetizuar» mbi diçka që ai s’e kishte aspak nën kontroll, pra, se Babilonia e fuqishme nuk do të banohej më asnjëherë?

Kjo profeci mbi rënien e Babilonisë është vetëm një shembull nga Bibla. * Shumë njerëz shohin në përmbushjen e profecive të saj një tregues se Bibla duhet të jetë prej një burimi më të lartë se njeriu. Mbase ju do të jeni dakort se, më të paktën, ky libër me profeci ia vlen të shqyrtohet. Një gjë është e sigurt: Ka një ndryshim të thellë ndërmjet parashikimeve të mjegullta e sensacionale të fallxhorëve të sotëm modernë dhe profecive të qarta, të kthjellta dhe specifike të Biblës.

[Shënimet]

^ par. 24 Ekzistojnë dëshmi të forta se librat e Shkrimeve Hebraike, përfshirë edhe Isainë, u shkruan shumë kohë para shekullit të parë të e.s. Historiani Jozefi (shekulli i parë i e.s.) tregoi se kanuni i Shkrimeve Hebraike ishte vendosur shumë më parë se koha e tij.8 Veç kësaj, Septuaginta greke, një përkthim në greqisht i Shkrimeve Hebraike, kishte filluar në shekullin e tretë p.e.s. dhe përfundoi aty nga shekulli i dytë p.e.s.

^ par. 28 Për një diskutim të mëtejshëm të profecive të Biblës dhe të fakteve historike që dokumentojnë përmbushjen e tyre, ju lutemi të shikoni librin Bibla: Fjalë e Perëndisë apo e njeriut?, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., faqe 117-133.

[Diçitura në faqen 28]

Shkrimtarët e Biblës ishin profetë të saktë apo mashtrues të shkathët?

[Figura në faqen 29]

Rrënojat e Babilonisë së lashtë