Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një libër që «flet» gjuhë të gjalla

Një libër që «flet» gjuhë të gjalla

Një libër që «flet» gjuhë të gjalla

Nëse vdes gjuha në të cilën është shkruar një libër, edhe vetë libri është thuajse i vdekur. Shumë pak njerëz sot mund të lexojnë në gjuhët e lashta, në të cilat u shkrua Bibla. E megjithatë, ajo është e gjallë. Ajo ka mbijetuar, sepse ka «mësuar të flasë» gjuhët e gjalla të njerëzimit. Përkthyesit që i «mësuan» asaj gjuhë të tjera, u ndeshën herë pas here me pengesa në dukje të pakapërcyeshme.

PËRKTHIMI i Biblës, me më shumë se 1.100 kapitujt dhe 31.000 vargjet e saj, është një punë me peshë. Megjithatë, përgjatë shekujve, përkthyes të devotshëm me gëzim e morën në sy sfidën. Shumë prej tyre ishin të gatshëm të vuanin, madje edhe të vdisnin për veprën e tyre. Historia e rrugës se si u përkthye Bibla në gjuhët e njerëzimit është një tregues i jashtëzakonshëm i ngulmimit dhe i shkathtësisë. Le të shqyrtojmë një pjesë të vogël të këtij tregimi të fuqishëm.

Sfidat që përballuan përkthyesit

Si do ta përkthenit një libër në një gjuhë që s’ka asnjë lloj alfabeti të shkruar? Kjo ishte pikërisht sfida që përballuan shumë përkthyes të Biblës. Për shembull, Ulfilasi, nga shekulli i katërt i e.s., vendosi të përkthente Biblën në një gjuhë që në atë kohë ishte moderne, por jo e shkruar, në gjuhën gotike. Ulfilasi e kapërceu sfidën, duke shpikur alfabetin gotik me 27 shkronja, të cilin kryesisht e bazoi mbi alfabetet greke dhe latine. Përkthimi që i bëri ai pothuajse të gjithë Biblës në gjuhën gotike përfundoi përpara vitit 381 të e.s.

Në shekullin e nëntë, dy vëllezër greqishtfolës, Sirili (i quajtur fillimisht Kostantin) dhe Mitiodisi, që të dy studiues dhe linguistë të zotët, kishin dëshirë të përkthenin Biblën për njerëzit që flitnin gjuhët sllave. Por gjuha sllavone, pararendësja e gjuhëve të sotme sllave, nuk kishte ndonjë alfabet të shkruar. Prandaj, dy vëllezërit shpikën një alfabet, në mënyrë që të bënin një përkthim të Biblës. Në këtë mënyrë, Bibla mund t’u «fliste» tani edhe më shumë njerëzve, atyre në botën sllave.

Në shekullin e 16-të, Uilliam Tindal vendosi të përkthente Biblën nga gjuhët origjinale në anglisht, por ndeshi një kundërshtim të fortë si nga kisha, ashtu edhe nga shteti. Tindali, i cili ishte arsimuar në Oksford, dëshironte të bënte një përkthim që edhe ‘një djalosh që drejtonte plugun’ të mund ta kuptonte.1 Por për ta bërë këtë, atij iu desh të ikte në Gjermani, ku «Besëlidhja e Re» e përkthyer prej tij në anglisht, u botua në 1526-n. Kur disa kopje të saj nisën të hynin fshehurazi në Angli, autoritetet u tërbuan aq shumë, saqë filluan t’i digjnin ato publikisht. Më vonë, Tindalin e tradhtuan. Pak përpara se ta mbytnin e t’i digjnin trupin, ai nxorri këto fjalë me zë të lartë: «O Zotëri, hapja sytë mbretit të Anglisë!»2

Përkthimi i Biblës vazhdoi; përkthyesit nuk mund të ndaleshin. Deri në vitin 1800, të paktën disa pjesë të Biblës kishin «mësuar të flitnin» në 68 gjuhë. Më pas, me formimin e shoqatave biblike e në veçanti me formimin e Shoqatës Biblike për në Angli dhe Jashtë, e themeluar në vitin 1804, Bibla me të shpejtë «mësoi» gjithnjë e më shumë gjuhë të reja. Qindra të rinj dolën vullnetarë për të shkuar në vende të huaja si misionarë, shumica e të cilëve me qëllimin kryesor që të përkthenin Biblën.

Duke mësuar gjuhët e Afrikës

Në vitin 1800, në Afrikë kishte vetëm rreth dymbëdhjetë gjuhë të shkruara. Qindra gjuhë të tjera të folura duhej të pritnin dikë që të shpikte një sistem shkrimi. Misionarët erdhën dhe mësuan gjuhët, pa ndihmën e ndonjë libri gramatikor apo të fjalorëve. Pastaj, ata iu përveshën punës për të zhvilluar një formë të shkruar e pas kësaj u mësonin njerëzve se si të lexonin shkrimet. Ata e bënë këtë, me qëllimin që ndonjë ditë njerëzit të mund ta lexonin Biblën në gjuhën e tyre.3

Një nga këta misionarë ishte një skocez me emrin Robert Mofat. Në vitin 1821, në moshën 25 vjeçare, Mofat ndërmori një mision mes njerëzve që flitnin gjuhën tsuana në jug të Afrikës. Për të mësuar gjuhën e tyre të pashkruar, ai u përzie me njerëzit, disa herë duke udhëtuar në brendësi të vendit, që të jetonte mes tyre. «Njerëzit ishin dashamirës,—shkroi ai më vonë,—dhe gafat e mia të gjuhës shkaktonin shumë shpërthime të qeshurash. Kurrë, në asnjë rast, asnjë individ nuk korrigjonte ndonjë fjalë apo frazë, pa e imituar origjinalin me kaq efektshmëri, sa t’u shkaktonte të tjerëve të qeshura të mëdha.»4 Mofati u tregua këmbëngulës dhe më në fund u bë mjeshtër i gjuhës, duke zhvilluar edhe një formë të shkruar të saj.

Në vitin 1829, pasi kishte punuar mes tsuanasve për tetë vjet, Mofati përfundoi përkthimin e Ungjillit të Lukës. Për ta shtypur atë, ai udhëtoi rreth 900 km drejt bregdetit me një qerre të tërhequr nga qetë e më pas mori një anije për në Kejp Taun. Atje, guvernatori i dha leje të përdorte një shtypshkronjë të qeverisë, por Mofatit iu desh ta faqoste dhe ta shtypte vetë, duke e botuar më në fund ungjillin në vitin 1830. Për herë të parë, tsuanasit mund të lexonin një pjesë të Biblës në gjuhën e tyre. Në vitin 1857, Mofati përfundoi përkthimin e Biblës së plotë në tsuana.

Më vonë, Mofati përshkroi reagimin e tsuanasve, kur për herë të parë morën në dorë Ungjillin e Lukës. Ai vërejti: «Kam njohur persona që vinin prej qindra kilometrash larg, për të marrë kopje të shën Lukës. . . . I kam parë tek merrnin pjesë nga shën Luka e qanin sipër tyre, i mbanin të shtrënguara në gji, duke derdhur lot falënderimi, derisa më duhej t’u thosha disave: ‘Ke për t’i prishur librat me lotët.’»5

Në këtë mënyrë, përkthyes të devotshëm si Mofati u dhanë shumë afrikanëve, mjaft prej të cilëve në fillim mendonin se s’kishin nevojë për një gjuhë të shkruar, rastin e parë që të komunikonin me shkrim. Megjithatë, përkthyesit besonin se po u jepnin njerëzve të Afrikës një dhuratë shumë më të çmuar, Biblën në gjuhën e tyre. Sot, e gjitha apo pjesërisht, Bibla «flet» në më shumë se 600 gjuhë afrikane.

Duke mësuar gjuhët e Azisë

Ndërkohë që përkthyesit në Afrikë përpiqeshin të zhvillonin forma të shkruara për gjuhët e folura, në anën tjetër të botës, përkthyes të tjerë hasnin një pengesë krejt të ndryshme, përkthimin në gjuhë që tashmë kishin një alfabet të shkruar e të koklavitur. Me një sfidë të tillë u ndeshën ata që përkthyen Biblën në gjuhët e Azisë.

Në fillimet e shekullit të 19-të, Uilliam Kerej dhe Xhoshua Marshman shkuan në Indi dhe mësuan shumë prej gjuhëve të atjeshme të shkruara. Me ndihmën e Uilliam Uardit, një botues, ata nxorën përkthime të paktën të disa pjesëve të Biblës në pothuajse 40 gjuhë.6 Në lidhje me Uilliam Kerejn, autori J. Herbert Kejn, shpjegon: «Ai shpiku një stil të bukur e mjaft të rrjedhshëm të foluri popullor [në gjuhën bengale], i cili zëvendësoi formën e vjetër klasike, duke e bërë kësisoj këtë gjuhë më të kapshme e tërheqëse për lexuesit modernë.»7

Adoniram Judson, lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara, udhëtoi për në Burma dhe në vitin 1817 nisi të përkthente Biblën në gjuhën e këtij vendi. Duke përshkruar vështirësinë e mësimit të një gjuhe lindore, deri në masën e nevojshme për të përkthyer Biblën, ai shkroi: ‘Kur mësojmë një gjuhë të folur nga njerëz në skajin tjetër të tokës, mendimet e të cilëve bredhin nëpër rrugë të ndryshme nga tonat, kodet e shprehjes së të cilëve janë si rrjedhojë krejt të reja, ku shkronjat dhe fjalët janë plotësisht pa ngjasimin më të vogël me ndonjë gjuhë tjetër që kemi hasur ndonjëherë; kur nuk kemi asnjë fjalor apo përkthyes e na duhet të kuptojmë diçka nga ajo gjuhë, përpara se të përdorim ndihmën e një mësuesi vendas: kjo do të thotë punë!’8

Në rastin e Judsonit, kjo nënkuptoi një punë të mundimshme për rreth 18 vjet. Pjesa e fundit e Biblës në gjuhën burmeze u shtyp në vitin 1835. Megjithatë, atij i kushtoi shtrenjt qëndrimi në Burma. Ndërsa po punonte me përkthimin, atë e akuzuan për spiunazh dhe e dërguan pothuajse për dy vjet në një burg të infektuar nga mushkonjat. S’kaloi shumë kohë pasi ishte liruar dhe gruaja e vajza e tij e vogël vdiqën nga ethet.

Në moshën 25 vjeçare, Robert Morrison mbërriti në Kinë në vitin 1807 dhe iu fut punës tejet të vështirë të përkthimit të Biblës në gjuhën kineze, një nga gjuhët e shkruara më të ndërlikuara. Ai kishte vetëm një njohuri të kufizuar për këtë gjuhë, të cilën kishte filluar ta studionte vetëm dy vjet më parë. Morrisonit i duhej, gjithashtu, të luftonte edhe me ligjin kinez, i cili përpiqej të ruante izolimin e Kinës. Kinezëve u ndalohej dhe gjendeshin nën dënimin me vdekje po të mësonin gjuhën e të huajve. Për një të huaj, përkthimi i Biblës në gjuhën kineze ishte shkelje që meritonte dënimin kapital.

Sypatrembur, por i kujdesshëm, Morrisoni vazhdoi të studionte gjuhën, duke e mësuar me shpejtësi. Brenda dy vjetëve, ai gjeti një punë si përkthyes për Kompaninë India Lindore. Gjatë ditës, ai punonte për kompaninë, por fshehurazi dhe nën rrezikun e vazhdueshëm se mos zbulohej, ai punonte në përkthimin e Biblës. Në vitin 1814, shtatë vjet pasi kishte mbërritur në Kinë, ai kishte gati për shtyp Shkrimet e Krishtere Greke.9 Pesë vjet më vonë, me ndihmën e Uilliam Milnes, ai përfundoi Shkrimet Hebraike.

Kjo ishte një arritje e pamasë; tani Bibla mund të «fliste» në gjuhën e përdorur nga më shumë njerëz se çdo gjuhë tjetër në botë. Falë përkthyesve të aftë, pasuan edhe përkthime në gjuhë të tjera të Azisë. Sot, pjesë të Biblës janë në dispozicion në mbi 500 gjuhë të Azisë.

Përse burra të tillë, si Tindali, Mofati, Judsoni dhe Morrisoni, punuan me vite, disa duke rrezikuar madje jetën e tyre, për të përkthyer një libër për njerëz që ata nuk i njihnin dhe në disa raste, për njerëz që nuk kishin një gjuhë të shkruar? Sigurisht, jo për lavdi apo për fitime financiare. Ata besonin se Bibla është Fjala e Perëndisë dhe se ajo duhet t’u «flasë» njerëzve, të gjithë njerëzve, në gjuhën e tyre.

Sido që të mendoni ju, se Bibla është apo jo Fjalë e Perëndisë, mbase do të jeni dakort se kjo lloj fryme vetësakrifikuese që shfaqën këta përkthyes të devotshëm, është tepër e rrallë në botën e sotme. A nuk është i denjë për t’u shqyrtuar një libër që ngjall altruizëm të tillë?

[Tabela në faqen 12]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Numri i gjuhëve, në të cilat janë shtypur pjesë të Biblës që nga 1800-a

68 107 171 269 367 522 729 971 1.199 1.762 2.123

1800 1900 1995

[Figura në faqen 10]

Tindali duke përkthyer Biblën

[Figura në faqen 11]

Robert Mofat

[Figura në faqen 12]

Adoniram Judson

[Figura në faqen 13]

Robert Morrison