Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përmbajtja e librit

Përmbajtja e librit

Përmbajtja e librit

Për një person që futet në një bibliotekë për herë të parë, radhët e librave mund të ngjajnë marramendëse. Por me një shpjegim të vogël të mënyrës se si janë rregulluar librat, ai mëson shpejt se si të gjejë librat që i duhen. Në mënyrë të ngjashme, për të gjetur rrugën nëpër Bibël, është më e lehtë pasi të keni kuptuar se si është rregulluar përmbajtja e saj.

FJALA «Bibël» rrjedh nga një fjalë greke bi·bliʹa, që do të thotë «rrotulla papiri» apo «libra».1 Në fakt, Bibla është një përmbledhje, një bibliotekë, me 66 libra të veçantë, shkrimi i së cilës përfshin pothuajse 1.600 vjet, që nga 1513 p.e.s. deri rreth 98 e.s.

Tridhjetë e nëntë librat e parë, rreth tre të katërtat e përmbajtjes së Biblës, janë të njohur si Shkrimet Hebraike, pasi në pjesën më të madhe janë shkruar në këtë gjuhë. Këta libra mund të ndahen në përgjithësi në tri grupe: (1) Historikë, nga Zanafilla tek Estera, 17 libra; (2) Poetikë, nga Jobi te Kantiku i Kantikëve [Kënga e Solomonit], 5 libra; (3) Profetikë, nga Isaia te Malakia, 17 libra. Shkrimet Hebraike mbulojnë historinë e hershme të tokës dhe të njerëzimit, si dhe historinë e kombit të lashtë të Izraelit që nga gjeneza e tij deri në shekullin e pestë p.e.s.

Pjesa tjetër, 27 libra, është e njohur si Shkrimet e Krishtere Greke, pasi u shkruan në greqisht, gjuha ndërkombëtare e asaj kohe. Në thelb, ata janë rregulluar sipas temave: (1) 5 librat historikë, Ungjijtë dhe Veprat, (2) 21 letrat dhe (3) Zbulesa. Shkrimet e Krishtere Greke përqendrohen mbi mësimet dhe aktivitetin e Jezu Krishtit dhe të dishepujve të tij në shekullin e parë të e.s.