Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Agoni mbi shtyllë

Agoni mbi shtyllë

Kapitulli 125

Agoni mbi shtyllë

BASHKË me Jezuin janë marrë për t’u ekzekutuar edhe dy hajdutë. Jo shumë larg qytetit, karvani i njerëzve ndalon në një vend të quajtur Golgota apo Vendi i Kafkës.

Të burgosurve u hiqen rrobat. Pastaj u jepet verë e droguar me mirrë. Me sa duket, ajo është përgatitur nga gratë e Jerusalemit dhe romakët nuk ua ndalojnë këtë përzierje për lehtësimin e dhembjeve atyre që do të gozhdohen në shtyllë. Megjithatë, pasi e provon, Jezui refuzon ta pijë. Pse? Sepse pa dyshim ai dëshiron t’i ketë të gjitha aftësitë e tij nën kontroll të plotë gjatë provës më të madhe të besimit të tij.

Tani, Jezuin e shtrijnë mbi shtyllë me duart të ngritura sipër kokës. Pastaj, ushtarët i ngulin gozhdë të mëdha në duar dhe në këmbë. Ndërsa gozhdët i shpojnë mishin dhe dejtë, ai përpëlitet nga dhembjet. Kur shtylla ngrihet në pozicionin vertikal, dhembja është therëse, sepse plagët e shkaktuara nga gozhdët shqyhen nga pesha e trupit. Megjithatë, në vend që të kërcënojë, Jezui lutet për ushtarët romakë, duke thënë: «O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë.»

Pilati ka ngulur mbi shtyllë një tabelë ku lexohet: «Jezusi nazareas, mbreti i judenjve.» Me sa duket, ai nuk e shkruan këtë vetëm për respektin që ka për Jezuin, por edhe sepse i urren priftërinjtë judenj, të cilët e kanë detyruar të japë dënimin me vdekje për Jezuin. Me qëllim që të kenë mundësi ta lexojnë të gjithë, Pilati e ka shkruar tabelën në tri gjuhë: në hebraisht, në gjuhën zyrtare latine dhe në greqishten e njohur.

Krerët e priftërinjve, duke përfshirë edhe Kajafën dhe Anën, janë të turbulluar. Kjo deklaratë e hapur, e shkatërron triumfin e tyre. Prandaj ata protestojnë: «Mos shkruaj: ‘Mbreti i judenjve’, por se ai ka thënë: ‘Unë jam mbreti i judenjve.’» I irrituar për faktin që priftërinjtë e kanë përdorur si vegël të tyre, Pilati përgjigjet me përçmim dhe prerë: «Atë që kam shkruar, e kam shkruar!»

Tani priftërinjtë bashkë me një turmë të madhe, mblidhen në vendin e ekzekutimit dhe mohojnë deklaratën e tabelës. Ata përsëritin dëshminë e rreme që ishte paraqitur më parë gjatë gjyqeve të Sinedrit. Prandaj, nuk është për t’u çuditur që kalimtarët fillojnë të flasin në mënyrë fyese dhe të tundin kokat me qesëndi, duke thënë: «O ti që do e rrëzoje tempullin dhe do e ndërtoje për tri ditë, shpëto veten tënde! Nëse je bir i Perëndisë, zbrit nga shtylla e mundimeve!»—BR.

«Të tjerët i ka shpëtuar; veten nuk mund ta shpëtojë,—ndërhyjnë krerët e priftërinjve dhe miqtë e tyre të ngushtë fetarë.—Ai është mbreti i Izraelit; tani le të zbresë nga shtylla e mundimeve dhe ne do të besojmë tek ai. Ai e ka vënë besimin te Perëndia; le ta shpëtojë tani Ai nëse e dëshiron, sepse ai tha: ‘Unë jam Biri i Perëndisë.’»—BR.

Të përfshirë nga kjo frymë, edhe ushtarët e vënë në lojë Jezuin. Duke u tallur, ata i ofrojnë verë të fermentuar, të cilën me sa duket e mbajnë fare pranë buzëve të tij të thara. «Nëse ti je mbreti i judenjve,—i thonë me shpoti,—shpëto veten.» Madje edhe hajdutët që janë gozhduar në shtyllë, njëri në të djathtë e tjetri në të majtë të tij, e përqeshin. Mendo mbi këtë! Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, po, ai që bashkëpunoi me Perëndinë Jehova në krijimin e gjithçkaje, duron pa u lëkundur gjithë këtë keqtrajtim!

Ushtarët i marrin rrobat e Jezuit dhe i ndajnë në katër pjesë. Ata hedhin short për të vendosur se kush do t’i marrë. Por rroba e brendshme nuk ka qepje, pasi është me cilësi të lartë. Kështu, ushtarët i thonë njëri-tjetrit: «Nuk e grisim, por hedhim short kujt t’i bjerë.» Në këtë mënyrë, pa e kuptuar, ata përmbushin shkrimin që thotë: «I ndanë midis tyre rrobat e mia dhe hodhën short për tunikën time.»

Më në fund, njëri prej hajdutëve e kupton se Jezui duhet të jetë me të vërtetë një mbret. Prandaj, duke e qortuar ashpër shokun e tij, thotë: «A s’ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim? Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe.» Pastaj i drejtohet Jezuit, duke iu lutur: «Kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde.»

«Me të vërtetë të them sot: Ti do të jesh me mua në Parajsë»,—përgjigjet Jezui. (BR) Ky premtim do të përmbushet kur Jezui të sundojë si Mbret në qiell dhe ta kthejë në jetë këtë keqbërës të penduar në Parajsën mbi tokë, të cilën të mbijetuarit e Harmagedonit dhe shokët e tyre do të kenë privilegjin ta kultivojnë. Mateu 27:33-44; Marku 15:22-32; Luka 23:27, 32-43; Gjoni 19:17-24.

▪ Përse Jezui refuzon ta pijë verën e droguar me mirrë?

▪ Përse është vendosur, me sa duket, tabela mbi shtyllën e Jezuit dhe çfarë shkëmbimi fjalësh shkakton ajo midis Pilatit dhe krerëve të priftërinjve?

▪ Çfarë keqtrajtimi të mëtejshëm pëson Jezui mbi shtyllë dhe siç duket, nga çfarë është provokuar?

▪ Në ç’mënyrë ajo që ndodh me rrobat e Jezuit përmbush një profeci?

▪ Çfarë ndryshimi bën njëri nga hajdutët dhe si do ta plotësojë Jezui kërkesën e tij?