Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Agoni në kopsht

Agoni në kopsht

Kapitulli 117

Agoni në kopsht

PAS përfundimit të lutjes, Jezui dhe 11 apostujt e tij besnikë i këndojnë këngë lavdie Jehovait. Pastaj zbresin nga dhoma e sipërme, dalin në errësirën e freskët të natës dhe nisen për t’u kthyer në Betani, duke kaluar nëpër luginën e Kidronit. Por gjatë rrugës, ata ndalojnë në një nga vendet e tyre të preferuara, në kopshtin e Gjetsemanisë. Ky kopsht gjendet në Malin e Ullinjve ose në afërsi të tij. Në këtë vend, midis pemëve të ullinjve, Jezui është mbledhur shpesh me apostujt e tij.

Duke i lënë tetë prej apostujve, ndoshta pranë hyrjes së kopshtit, ai i udhëzon: «Uluni këtu, ndërsa unë po shkoj aty të lutem.» Pastaj merr tre të tjerët, Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin dhe shkon në thellësi të kopshtit. Jezui pikëllohet dhe shqetësohet jashtë mase. «Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje,—u thotë ai atyre.—Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua.»

Duke u larguar edhe ca, Jezui bie përmbys dhe me fytyrë përtokë fillon të lutet në mënyrë të zjarrtë: «Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti.» Çfarë do të thotë ai me këtë? Përse është «thellësisht i trishtuar, deri në vdekje»? A po heq dorë ai nga vendimi i tij për të vdekur dhe për të siguruar kështu shpërblesën?

Aspak! Jezui nuk po lutet që të kursehet nga vdekja. Për të, edhe vetëm ideja e shmangies së vdekjes flijuese që sugjeroi në një rast Pjetri, është e neveritshme. Në vend të kësaj, ai është në agoni sepse druan se, mënyra në të cilën do të vdesë së shpejti si një kriminel i urryer, do të sjellë sharje mbi emrin e Atit të tij. Tani ai e kupton se brenda pak orëve do të gozhdohet në një shtyllë si person i kategorisë më të keqe, si blasfemues kundër Perëndisë! Dhe është kjo gjë që e shqetëson jashtë mase.

Pasi lutet për një kohë të gjatë, Jezui kthehet dhe i gjen të tre apostujt duke fjetur. Duke iu drejtuar Pjetrit, ai thotë: «Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë? Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim.» Megjithatë, pasi e di se nën çfarë presioni kanë qenë dhe se është një orë e vonë, ai thotë: «Fryma është gati, por mishi është i dobët.»

Pastaj, Jezui ikën për herë të dytë dhe i kërkon Perëndisë që ta largojë prej tij «këtë kupë», që është pjesa që i ka caktuar Jehovai ose vullneti i tij për të. Kur kthehet, i gjen përsëri të tre apostujt duke fjetur, ndërkohë që duhet të ishin duke u lutur për të mos rënë në tundim. Kur Jezui u flet, ata nuk dinë çfarë të thonë për t’u përgjigjur.

Së fundi, Jezui ikën për herë të tretë, në një distancë sa largësia e hedhjes së një guri dhe i gjunjëzuar, me klithma e lot, lutet: «O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë!» Jezui vuan tmerrësisht për shkak të sharjes që vdekja e tij si një kriminel do të sjellë mbi emrin e Atit të tij. Të qenët i akuzuar si blasfemues, si një njeri që mallkon Perëndinë, është gati e padurueshme për të.

Megjithatë, Jezui vazhdon të lutet: «Jo atë që dua unë, por atë që do ti.» Në mënyrë të bindur, Jezui ia nënshtron vullnetin e tij atij të Perëndisë. Në këtë moment, një engjëll shfaqet nga qielli dhe e forcon me disa fjalë inkurajuese. Ka mundësi që engjëlli i thotë Jezuit se ka miratimin e plotë të Atit të tij.

Megjithatë, çfarë peshe ka Jezui mbi shpatulla! Është në lojë jeta e tij e përhershme dhe ajo e gjithë racës njerëzore. Tensioni emocional është i jashtëzakonshëm. Prandaj, Jezui vazhdon të lutet në mënyrë edhe më të zjarrtë, ndërsa djersa e tij bëhet si pika gjaku dhe bie në tokë. «Edhe pse është një fenomen shumë i rrallë,—vëren një gazetë mjekësore,—djersitja e shoqëruar me gjak . . . mund të ndodhë në gjendje me emocione të forta.»—The Journal of the American Medical Association.

Pas kësaj, Jezui kthehet për herë të tretë tek apostujt e tij dhe i gjen edhe një herë duke fjetur. Ata janë të rraskapitur nga hidhërimi i thellë. «Ende po flini dhe po pushoni?—thërret ai.—Mjaft! Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. Çohuni të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër!»

Ndërsa është akoma duke folur, afrohet Judë Iskarioti i shoqëruar nga një turmë e madhe njerëzish që kanë me vete pishtarë, llamba dhe armë. Mateu 26:30, 36-47; 16:21-23; Marku 14:26, 32-43; Luka 22:39-47; Gjoni 18:1-3; Hebrenjve 5:7.

▪ Ku i çon Jezui apostujt, pasi largohen nga dhoma e sipërme dhe çfarë bën ai atje?

▪ Çfarë bëjnë apostujt ndërsa Jezui lutet?

▪ Përse është në agoni Jezui dhe çfarë kërkese i bën Perëndisë?

▪ Çfarë tregon fakti që djersa e Jezuit bëhet si pika gjaku?