Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ajo i preku mantelin

Ajo i preku mantelin

Kapitulli 46

Ajo i preku mantelin

LAJMI mbi kthimin e Jezuit nga Dekapoli, arrin deri në Kapernaum dhe një turmë e madhe mblidhet në breg të detit për ta pritur. Padyshim, ata kanë dëgjuar për qetësimin e stuhisë dhe për shërimin e burrit të pushtuar nga demonët. Tani, ndërsa zbret në tokë, ata mblidhen rreth tij me kureshtje të madhe dhe me padurim.

Midis atyre që mezi presin të shohin Jezuin, është Jairi, një nga drejtuesit e sinagogës. Ai bie para këmbëve të Jezuit dhe i lutet pa pushim: «Vajza ime e vogël është në buzë të vdekjes. Të lutem, eja vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë.» (BR) Duke qenë se është fëmija e tij e vetme dhe është vetëm 12 vjeçe, ajo është veçanërisht e çmuar për Jairin.

Jezui pranon dhe i shoqëruar nga turma, drejtohet për në shtëpinë e Jairit. Siç mund ta imagjinojmë, njerëzit janë tejet të entuziazmuar, ndërsa presin të shohin një mrekulli tjetër. Por vëmendja e një gruaje që ndodhet në mes të turmës, është e përqendruar mbi problemin e vet serioz.

Për 12 vjet, kjo grua ka vuajtur nga një fluks gjaku. Ka shkuar nga njëri doktor te tjetri, duke i harxhuar të gjitha paratë për kura. Megjithatë, në vend që të gjente derman, gjendja e saj është keqësuar.

Siç mund ta kuptoni, problemi që ka, jo vetëm e dobëson fizikisht, por edhe e vë në siklet dhe e ul përpara të tjerëve. Zakonisht, dikush që ka një sëmundje të tillë nuk flet publikisht për të. Për më tepër, sipas Ligjit të Moisiut, një rrjedhje gjaku e bën një grua të papastër dhe kushdo që e prek atë ose rrobat e saj të njollosura me gjak, duhet të lahet dhe konsiderohet i papastër deri në mbrëmje.

Kjo grua ka dëgjuar për mrekullitë e Jezuit dhe tani e ka gjetur. Për shkak të papastërtisë së saj, ajo ecën në mes të turmës, duke bërë kujdes që, sa të jetë e mundur, të mos vihet re dhe mendon me vete: «Nëse vetëm e prek rrobën e tij, do të shërohem.» Sapo e bën këtë, ajo ndien menjëherë se fluksi i gjakut i pushon.

«Kush më preku?» Sa shumë duhet ta kenë tronditur gruan, këto fjalë të Jezuit! Si mundi ta kuptonte? «Mësues,—thotë Pjetri,—turmat po shtyhen dhe po të ndeshin dhe ti thua: ‘Kush më preku?’»

Duke kërkuar me sy gruan, Jezui shpjegon: «Dikush më preku sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje.» Në fakt, kjo nuk është një prekje si gjithë të tjerat, sepse shërimi që ka rezultuar prej saj, ka shfrytëzuar fuqinë e Jezuit.

Duke parë se nuk ka mbetur pa u vënë re, gruaja vjen dhe bie para këmbëve të Jezuit, e frikësuar dhe duke u dridhur. Para gjithë njerëzve, ajo tregon të gjithë të vërtetën mbi sëmundjen e saj dhe se si ishte shëruar pikërisht në atë moment.

I prekur nga rrëfimi i saj i plotë, Jezui me dhembshuri e ngushëllon, duke i thënë: «Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote.» Sa gjë e mrekullueshme është të dimë se Ai, të cilin Perëndia e ka zgjedhur për të qeverisur tokën, është një person kaq i ngrohtë dhe i dhembshur, që jo vetëm kujdeset për njerëzit, por edhe që ka fuqi për t’i ndihmuar! Mateu 9:18-22; Marku 5:21-34; Luka 8:40-48; Levitiku 15:25-27.

▪ Kush është Jairi dhe përse vjen te Jezui?

▪ Çfarë problemi ka një grua dhe përse e ka kaq të vështirë që të kërkojë ndihmë nga Jezui?

▪ Në ç’mënyrë shërohet gruaja dhe si e ngushëllon Jezui?