Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Arratisja nga një tiran

Arratisja nga një tiran

Kapitulli 8

Arratisja nga një tiran

JOZEFI e zgjon Marinë për t’i dhënë një lajm urgjent. Engjëlli i Jehovait sapo i është shfaqur dhe i ka thënë: «Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt dhe rri aty derisa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë.»

Pa humbur kohë, ia mbathin që të tre. Dhe është tamam koha e duhur, sepse Herodi ka marrë vesh se astrologët e kanë mashtruar dhe janë larguar nga vendi. Mbani mend se pasi ta gjenin Jezuin, ata duhet të ktheheshin tek ai për t’i treguar. I tërbuar nga inati, në përpjekje për të vrarë Jezuin, Herodi jep urdhër që të vriten të gjithë fëmijët meshkuj të moshës dy vjeç e poshtë, në Bethlehem dhe rrethinat e tij. Llogaritjen e moshës ai e ka bërë në bazë të të dhënave që mori më parë nga astrologët e Lindjes.

Masakrimi i gjithë atyre fëmijëve është një pamje e tmerrshme! Ushtarët e Herodit hyjnë me forcë nga njëra shtëpi në tjetrën dhe aty ku gjejnë një fëmijë mashkull, e rrëmbejnë nga krahët e nënës. Nuk dihet se sa fëmijë janë vrarë, por të qarat dhe vajtimet e mëdha përmbushin një profeci të Biblës të parathënë nga profeti i Perëndisë, Jeremia.

Ndërkohë, Jozefi dhe Maria kanë arritur shëndoshë e mirë në Egjipt dhe tani jetojnë atje. Por një natë, engjëlli i Jehovait i shfaqet përsëri Jozefit në ëndërr. «Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij,—i thotë engjëlli,—dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që donin ta vritnin fëmijën kanë vdekur.» Kështu familja kthehet në vendin e vet, duke përmbushur në këtë mënyrë një profeci tjetër të Biblës, e cila thotë se Biri i Perëndisë do të thirrej nga Egjipti.

Me sa duket Jozefi ka ndër mend të rikthehet në Judë, në Bethlehem, aty ku jetonin përpara se të largoheshin për në Egjipt. Por ai mëson se tani mbret i Judës është biri i lig i Herodit, Arkelau dhe në një ëndërr tjetër Jehovai e paralajmëron për rrezikun që u kanoset. Kështu, Jozefi dhe familja e tij udhëtojnë për në veri dhe vendosen në qytetin e Nazaretit në Galile. Pikërisht në këtë qytet, larg qendrës së jetës fetare judaike, rritet Jezui. Mateu 2:13-23; Jeremia 31:15; Hozea 11:1.

▪ Çfarë gjëje të tmerrshme bën Mbreti Herod kur astrologët nuk kthehen tek ai, por si mbrohet Jezui?

▪ Pasi kthehen nga Egjipti, përse Jozefi nuk vendoset përsëri në Bethlehem?

▪ Cilat profeci biblike u plotësuan gjatë kësaj kohe?