Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besimi i madh i një oficeri të ushtrisë

Besimi i madh i një oficeri të ushtrisë

Kapitulli 36

Besimi i madh i një oficeri të ushtrisë

KUR mban Predikimin e tij në Mal, Jezui ka arritur gati në gjysmën e shërbimit të tij publik. Kjo do të thotë se, pak a shumë, i ka mbetur vetëm një vit e nëntë muaj, për të përfunduar veprën e tij në tokë.

Tani, Jezui hyn në qytetin e Kapernaumit që është bërë në njëfarë mënyre qendra e aktivitetit të tij. Këtu, disa pleq judenj i afrohen për t’i bërë një kërkesë. Ata i ka dërguar një oficer i ushtrisë romake që është johebre, domethënë me një prejardhje të ndryshme nga judenjtë.

Një shërbëtor i këtij oficeri, të cilin ai e do shumë, është gati në të vdekur, për shkak të një sëmundjeje serioze dhe ai do që Jezui ta shërojë. Këta judenj i luten me ngulm në favor të oficerit: «Ai e meriton që ti ta pranosh këtë gjë,—thonë ata,—sepse ai e do popullin tonë dhe ai na e ndërtoi edhe sinagogën.»

Pa ngurruar, Jezui niset me këta burra. Por, kur afrohen, oficeri dërgon njerëz për t’i thënë: «Zot, mos u shqetëso, sepse unë nuk jam i denjë që t’i të hysh nën pullazin tim. Për këtë shkak nuk e çmova veten të denjë të vij tek ti.»

Çfarë shprehje përulësie për një oficer që është mësuar të urdhërojë të tjerët! Por ka mundësi që ai mendon edhe për Jezuin, duke qenë i vetëdijshëm se zakoni i ndalon judenjtë të kenë lidhje shoqërore me jojudenjtë. Madje edhe Pjetri tha: «Ju e dini se nuk është e ligjshme që një jude të shoqërohet me një të huaj.»

Ndoshta, duke mos dashur që Jezui të vuante pasojat e shkeljes së këtij zakoni, oficeri ka dërguar njerëz për t’i thënë: «Por ti fol një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam një njeri nën autoritetin e tjetërkujt dhe kam nën urdhër ushtarë; dhe i them njërit: ‘Shko’ dhe ai shkon; dhe një tjetri: ‘Eja’ dhe ai vjen; dhe shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë’ dhe ai e bën.»

Kur dëgjon këtë, Jezui mrekullohet. «Unë po ju them,—thotë ai,—se në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh.» Pasi shëron shërbëtorin e oficerit, Jezui përfiton nga rasti për të treguar se si jojudenjtë që kanë besim do të favorizohen me privilegje që judenjtë pa besim i kanë hedhur poshtë.

«Shumë do të vijnë,—thotë Jezui,—nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin në mbretërinë e qiejve; por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi i dhëmbëve.»

‘Bijtë e mbretërisë të flakur në errësirat e jashtme’ janë judenjtë nga lindja, të cilët nuk e pranojnë mundësinë për të qenë sundimtarë me Krishtin, e cila së pari iu është ofruar atyre. Abrahami, Isaku dhe Jakobi përfaqësojnë rregullimin e Mbretërisë së Perëndisë. Kështu, Jezui po tregon se si johebrenjtë do të jenë të mirëpritur për t’u shtrirë, si të thuash, në tryezën qiellore, «në mbretërinë e qiejve». Luka 7:1-10; Mateu 8:5-13; Veprat 10:28.

▪ Përse disa judenj luten në favor të oficerit të ushtrisë që është johebre?

▪ Si mund të shpjegohet fakti që oficeri nuk e ka ftuar Jezuin të hyjë në shtëpi?

▪ Çfarë do të thotë Jezui me vërejtjet e tij të fundit?