Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bukët dhe majaja

Bukët dhe majaja

Kapitulli 58

Bukët dhe majaja

TURMA të mëdha janë grumbulluar rreth Jezuit, në Dekapoli. Shumë prej tyre kanë bërë një rrugë të gjatë deri në këtë vend me popullsi kryesisht johebreje, për të dëgjuar Jezuin dhe për t’u shëruar nga sëmundjet e tyre. Ata kanë marrë me vete shporta të mëdha apo kofinë, të cilat zakonisht i përdorin për të bartur furnizimet kur udhëtojnë nëpër rajonet johebreje.

Megjithatë, më vonë, Jezui i thërret dishepujt dhe u thotë: «Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua dhe nuk ka ç’të hajë. Dhe po t’i nis të pangrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg.»

«Si do të mund t’i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?»—pyesin dishepujt.

Jezui i pyet: «Sa bukë keni?»

«Shtatë,—përgjigjen ata,—dhe pak peshq të vegjël.»

Pasi i udhëzon njerëzit që të rehatohen përtokë, Jezui merr bukët dhe peshqit, i lutet Perëndisë, i thyen ato dhe fillon t’ua japë dishepujve. Këta, nga ana e tyre, ua shërbejnë njerëzve, të cilët hanë, derisa ngopen. Më pas, kur mblidhet ajo që ka mbetur, mbushen shtatë nga kofinët e mëdhenj edhe pse ata që kanë ngrënë, janë afërsisht 4.000 burra dhe shumë gra e fëmijë!

Jezui i lë turmat të kthehen, hipën në një barkë bashkë me dishepujt e tij dhe kalon në bregun perëndimor të Detit të Galilesë. Këtu, farisenjtë, të shoqëruar kësaj radhe nga anëtarë të sektit fetar të saducenjve, përpiqen ta vënë në provë Jezuin, duke i kërkuar që t’u tregojë një shenjë nga qielli.

Duke e kuptuar se po përpiqen që ta vënë në provë, Jezui përgjigjet: «Në mbrëmje ju thoni: ‘Do të jetë mot i mirë, sepse qielli është i kuq.’ Dhe në mëngjes thoni: ‘Sot do të jetë stuhi, sepse qielli është i kuq dhe i vranët.’ . . . Ju dini të dalloni dukuritë e qiellit, por nuk arrini të kuptoni shenjat e kohës.»

Pastaj, Jezui i quan ata, brez i lig e kurorëshkelës dhe i paralajmëron, ashtu siç u ka thënë më parë edhe farisenjve, se asnjë shenjë nuk do t’u jepet, përveç shenjës së Jonës. Duke u larguar, ai dhe dishepujt e tij hipin në një barkë dhe drejtohen për në Betsaida, e cila gjendet në bregun verilindor të Detit të Galilesë. Gjatë udhëtimit, dishepujt vënë re se kanë harruar të marrin bukë me vete, kështu që kanë vetëm një bukë për të gjithë.

Duke pasur akoma në mendje takimin e tij të fundit me farisenjtë dhe me saducenjtë mbështetës të Herodit, Jezui i paralajmëron: «Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit.» Me sa duket, kur përmendet majaja, dishepujt mendojnë se Jezui po i referohet faktit që kanë harruar të marrin bukë, prandaj fillojnë të bëjnë fjalë me njëri-tjetrin për këtë gjë. Duke parë se e kanë keqkuptuar, Jezui thotë: «Përse diskutoni që s’keni bukë?»

Pak më parë, Jezui, në mënyrë të mrekullueshme, kishte siguruar bukë për mijëra njerëz. Kjo mrekulli e fundit është kryer vetëm një apo dy ditë më parë. Ata duhet ta kuptojnë se ai nuk është i shqetësuar për mungesën e bukës fizike. «Nuk po mbani mend,—u rikujton ai,—kur ndava pesë bukët për të pesë mijtë, sa kofinë plot me copa mblodhët?»

«Dymbëdhjetë»,—ia kthejnë ata.

«Po kur theva të shtatë bukët për të katër mijtë, sa shporta plot me bukë mblodhët?»

«Shtatë»,—përgjigjen ata.

«Po si, ende nuk po kuptoni?—pyet Jezui.—Si nuk e kuptoni që nuk e kisha fjalën për bukën, kur ju thashë të ruheni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve?»

Dishepujt, më në fund, e kapin kuptimin. Majaja, një substancë që shkakton fermentimin dhe shërben që të fryhet buka, ishte përdorur për të përshkruar korruptimin. Kështu, tani, dishepujt e kuptojnë se Jezui po flet në mënyrë simbolike dhe se po i paralajmëron që të qëndrojnë vigjilentë ndaj ‘mësimit të farisenjve dhe të saducenjve’, mësim i cili ka ndikim korruptues. Marku 8:1-21; Mateu 15:32-16:12.

▪ Përse njerëzit kanë shporta të mëdha me vete?

▪ Pasi largohen nga Dekapoli, çfarë udhëtimesh bën Jezui me barkë?

▪ Si i keqkuptojnë dishepujt, fjalët e Jezuit mbi majanë?

▪ Çfarë do të thotë Jezui me shprehjen ‘majaja e farisenjve dhe e saducenjve’?