Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Buka e vërtetë nga qielli’

‘Buka e vërtetë nga qielli’

Kapitulli 54

‘Buka e vërtetë nga qielli’

DITA e mëparshme, kishte qenë vërtet plot me ngjarje. Jezui ushqeu në mënyrë të mrekullueshme mijëra njerëz dhe më pas u shpëtoi përpjekjeve të njerëzve për ta bërë mbret. Atë natë ai eci mbi Detin e stuhishëm të Galilesë, shpëtoi Pjetrin që po fillonte të fundosej ndërsa ecte mbi detin e trazuar nga stuhia dhe qetësoi valët për të shpëtuar dishepujt e tij nga fundosja.

Tani, njerëzit që kishte ushqyer në mënyrë të mrekullueshme, në verilindje të Detit të Galilesë, e gjejnë Jezuin afër Kapernaumit dhe e pyesin: «Kur erdhe këtu?» Duke i qortuar, Jezui u thotë atyre se ata kanë ardhur për ta kërkuar, vetëm ngaqë shpresojnë të hanë ndonjë vakt tjetër falas. Ai i nxit që të punojnë, jo për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të përhershme. Atëherë, njerëzit e pyesin: «Çfarë duhet të bëjmë për të kryer veprat e Perëndisë?»

Jezui përmend vetëm një vepër, e cila ka vlerën më të madhe. «Kjo është vepra e Perëndisë,—shpjegon ai,—të besoni në atë që ai ka dërguar.»

Megjithatë, njerëzit nuk ushtrojnë besim në Jezuin, pavarësisht nga gjithë mrekullitë që ai ka kryer. Në mënyrë të pabesueshme, madje edhe pas gjithë gjërave të mrekullueshme që ai ka bërë, ata pyesin: «Çfarë shenje bën ti, pra, që ne ta shohim e ta besojmë? Ç’vepër po kryen? Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, siç është shkruar: ‘Ai u dha të hanë bukë nga qielli.’»

Në përgjigje të kërkesës së tyre për një shenjë, Jezui e bën të qartë burimin e atij ushqimi të mrekullueshëm, duke thënë: «Në të vërtetë po ju them se jo Moisiu jua ka dhënë bukët nga qielli, por Ati im ju jep bukën e vërtetë nga qielli. Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli dhe i jep jetë botës.»

«Zot,—thonë njerëzit,—na jep gjithmonë atë bukë.»

«Unë jam buka e jetës,—shpjegon Jezui.—Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje. Por unë jua thashë: ju më keni parë, por nuk besoni. Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë, sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e Atij që më ka dërguar. Ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë nga të gjitha ato që ai më ka dhënë, por t’i ringjall në ditën e fundit. Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përhershme.»

Pas kësaj, judenjtë fillojnë të murmuritin kundër Jezuit, sepse tha: «Unë jam buka që zbriti nga qielli.» Ata shohin tek ai, thjesht një njeri të lindur nga prindër njerëzorë e asgjë më tepër, dhe për këtë arsye, njëlloj si banorët e Nazaretit, kundërshtojnë, duke thënë: «A nuk është ky biri i Jozefit, të cilit ia njohim babanë dhe nënën? Si thotë, pra, ky: ‘Unë zbrita nga qielli?’»

«Mjaft murmuritët me njëri-tjetrin,—përgjigjet Jezui.—Askush nuk mund të vijë tek unë, nëqoftëse Ati që më ka dërguar, nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. Është shkruar në profetët: ‘Ata të gjithë do të mësohen nga Jehovai.’ Çdokush që ka dëgjuar nga Ati dhe ka mësuar, vjen tek unë. Jo se ndokush e ka parë Atin, përveç atij që është nga Perëndia, ky e ka parë Atin. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: Kush beson ka jetën e përhershme.»—BR.

Në vazhdim, Jezui përsërit edhe një herë: «Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund ta hajë e të mos vdesë. Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë.» Po, duke ushtruar besim te Jezui, i dërguari i Perëndisë, njerëzit mund të kenë jetën e përhershme. As mana e as ndonjë lloj tjetër buke, nuk mund ta sigurojë atë!

Diskutimi në lidhje me bukën nga qielli, me sa duket, filloi pak pasi njerëzit e gjetën Jezuin afër Kapernaumit. Por ky diskutim vazhdon dhe arrin kulmin më vonë, ndërsa Jezui mëson në një nga sinagogat e Kapernaumit. Gjoni 6:25-51, 59; Psalmet 78:24; Isaia 54:13; Mateu 13:55-57.

▪ Cilat ngjarje i paraprinë diskutimit të Jezuit në lidhje me bukën prej qiellit?

▪ Duke parë ato që Jezui sapo ka bërë, përse është kaq e papërshtatshme kërkesa për një shenjë?

▪ Përse murmuritin judenjtë, kur Jezui pohon se ai është buka e vërtetë prej qiellit?

▪ Ku u zhvillua diskutimi në lidhje me bukën nga qielli?