Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Burimi i lumturisë

Burimi i lumturisë

Kapitulli 75

Burimi i lumturisë

GJATË shërbimit në Galile, Jezui kreu shumë mrekulli dhe tani ai i përsërit ato edhe në Jude. Për shembull, ai dëbon nga një njeri, një demon që e pengonte të fliste. Turmat mbeten të mahnitura, por disa kritikë ngrenë të njëjtin kundërshtim që ishte ngritur edhe në Galile. «Ai i dëbon demonët me anë të Beelzebubit, princit të demonëve»,—pohojnë ata. Disa të tjerë kërkojnë nga Jezui dëshmi më të mëdha për të provuar identitetin e tij dhe përpiqen ta tundojnë duke i kërkuar një shenjë nga qielli.

Duke e ditur se çfarë po mendojnë, Jezui u jep këtyre kritikëve në Jude, të njëjtën përgjigje që u ka dhënë edhe atyre në Galile. Ai vëren se çdo mbretëri e përçarë në vetvete, rrëzohet. «Po të jetë, pra, edhe Satanai i përçarë në vetvete,—pyet ai,— si do të mund të qëndrojë mbretëria e tij?» Ai tregon pozitën e rrezikshme në të cilën e kanë vënë veten kritikët e tij, duke u thënë: «Por nëse unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, mbretëria e Perëndisë, pra, ka arritur te ju.»

Ata që panë mrekullitë e Jezuit, duhet të kishin reaguar ndaj tyre, në po atë mënyrë që reaguan shekuj më parë, ata që panë Moisiun duke kryer një mrekulli. Ata brohoritën: «Ky është gishti i Perëndisë!» Gjithashtu, ishte «gishti i Perëndisë», ai që gdhendi Dhjetë Urdhërimet mbi pllakat e gurit. Dhe përsëri, është «gishti i Perëndisë», fryma e tij e shenjtë ose forca aktive, ajo që i jep mundësi Jezuit të dëbojë demonët dhe të shërojë të sëmurët. Kështu, Mbretëria e Perëndisë, ka arritur me të vërtetë te këta kritikë, përderisa Jezui, Mbreti i caktuar i Mbretërisë, është pikërisht atje, në mes tyre.

Pastaj, Jezui ilustron faktin se aftësia e tij për të dëbuar demonët, është dëshmi e pushtetit që ka mbi Satanain, ashtu si një burrë më i fuqishëm, shkon dhe mposht një burrë të armatosur deri në dhëmbë, që ruan pallatin e tij. Gjithashtu, ai përsërit ilustrimin që tregoi në Galile në lidhje me një frymë të papastër. Fryma del nga njeriu, por, kur burri nuk e mbush vendin e mbetur bosh me gjëra të mira, fryma kthehet me shtatë të tjerë dhe gjendja e njeriut bëhet më e keqe se në fillim.

Ndërsa turma e njerëzve dëgjon këto mësime, një grua prej tyre, ndihet e nxitur të brohorasë: «Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën!» Pasi çdo grua judeje do të dëshironte të ishte nëna e ndonjë profeti dhe sidomos, nëna e Mesisë, është e kuptueshme që kjo grua të shprehet në këtë mënyrë. Me sa duket, ajo ka menduar se Maria duhet të jetë veçanërisht e lumtur, përderisa është nëna e Jezuit.

Megjithatë, Jezui e korrigjon menjëherë pikëpamjen e gruas, në lidhje me burimin e vërtetë të lumturisë: «Më tepër,—përgjigjet ai,—lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë.» Jezui nuk la asnjëherë të kuptohej se nënës së tij, Marisë, i duhej dhënë nderim i veçantë. Në vend të kësaj, ai tregoi se lumturia e vërtetë rrjedh nga të qenët shërbëtorë besnikë të Perëndisë dhe jo nga lidhjet e gjakut apo nga arritjet në jetë.

Ashtu si bëri edhe në Galile, Jezui vazhdon duke qortuar banorët e Judesë, për faktin që kërkojnë një shenjë nga qielli. Ai u thotë se atyre nuk do t’u jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonës. Jona u bë një shenjë, si me anë të qëndrimit të tij prej tri ditësh në barkun e peshkut, ashtu edhe me anë të predikimit të guximshëm, i cili rezultoi në pendimin e banorëve të Ninevisë. «Dhe ja,—thotë Jezui,—këtu është dikush më i madh se Jona.» Në mënyrë të ngjashme, mbretëresha e Shebës, u mrekullua nga mençuria e Solomonit. «Dhe ja,—thotë përsëri Jezui,—këtu është dikush më i madh se Salomoni.»

Jezui shpjegon se kur dikush ndez një llambë, ai nuk e vendos atë në një vend të fshehtë apo nën një shinik, por mbi shandan, në mënyrë që njerëzit të mund ta shohin dritën. Ndoshta me këtë, ai do të thotë se të mësosh apo të kryesh mrekulli para këtyre njerëzve kokëfortë që gjenden në auditorin e tij, është njësoj si të fshehësh dritën e një llambe. Këta vëzhgues nuk kanë një sy të thjeshtë apo të përqendruar, e kështu qëllimi për të cilin ai i kryen mrekullitë nuk arrihet.

Jezui sapo ka dëbuar një demon dhe e ka bërë një memec të flasë. Kjo gjë duhet t’i kishte nxitur njerëzit që e kanë syrin të thjeshtë apo të përqendruar, ta lavdëronin këtë vepër të lavdishme dhe të shpallnin lajmin e mirë! Por në rastin e këtyre kritikëve një gjë e tillë nuk ndodh. Për këtë arsye Jezui përfundon duke thënë: «Prandaj trego kujdes, që drita që është në ty të mos jetë terr. Nëse i gjithë trupi yt është i ndriçuar, pa asnjë pjesë të errët, gjithçka do të jetë e ndriçuar, sikurse ndodh kur llamba ndriçon me shkëlqimin e saj.» Luka 11:14-36; Eksodi 8:18, 19; 31:18; Mateu 12:22, 28.

▪ Cili është reagimi kur Jezui shëron një njeri?

▪ Çfarë është «gishti i Perëndisë» dhe në ç’kuptim i ka arritur Mbretëria e Perëndisë dëgjuesit e Jezuit?

▪ Cili është burimi i lumturisë së vërtetë?

▪ Si mund ta ketë një njeri syrin të thjeshtë?