Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëgjohet për herë të tretë zëri i Perëndisë

Dëgjohet për herë të tretë zëri i Perëndisë

Kapitulli 104

Dëgjohet për herë të tretë zëri i Perëndisë

NDËRSA është në tempull, Jezui është në ankth të madh për vdekjen që duhet të përballojë së shpejti. Shqetësimi i tij kryesor është se në ç’mënyrë do të ndikojë kjo mbi reputacionin e Atit të tij, prandaj ai lutet: «O Atë, përlëvdo emrin tënd!»

Pasi thotë këto fjalë, një zë i fuqishëm vjen prej qiellit, duke deklaruar: «E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma.»

Turma që e rrethon mbetet e shtangur. «Një engjëll i ka folur»,—fillojnë të thonë disa. Të tjerë pohojnë se ishte një bubullimë. Por, në të vërtetë, ishte Perëndia Jehova ai që foli! Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që zëri i Perëndisë dëgjohet në lidhje me Jezuin.

Me rastin e pagëzimit të Jezuit, tre vjet e gjysmë më parë, Gjon Pagëzuesi e dëgjoi Perëndinë të thoshte për Jezuin: «Ky është biri im i dashur në të cilin jam kënaqur.» Më pas, pak kohë pas Pashkës së kaluar, kur Jezui u shpërfytyrua përpara Jakovit, Gjonit dhe Pjetrit, ata e dëgjuan Perëndinë të deklaronte: «Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni.» Dhe tani, për herë të tretë, më 10 nisan, katër ditë para vdekjes së Jezuit, zëri i Perëndisë dëgjohet përsëri prej njerëzve. Por kësaj radhe Jehovai flet në mënyrë që të mund ta dëgjojnë një mori njerëzish.

Jezui shpjegon: «Ky zë nuk ka ardhur për mua, por për ju.» Ai siguron dëshmi se Jezui është me të vërtetë Biri i Perëndisë, Mesia i premtuar. «Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote.» Rruga besnike e jetës së Jezuit vërteton, në fakt, se Satana Djalli, sundimtari i botës, meriton të «hidhet jashtë», të ekzekutohet.

Duke iu referuar pasojave të vdekjes së vet, e cila po afrohet, Jezui thotë: «Dhe nëse do të jem ngritur nga toka, do të tërheq tek unë njerëz të çdo lloji.» (BR) Vdekja e tij nuk është aspak një disfatë, sepse me anë të saj ai do të tërheqë të tjerë pranë vetes, në mënyrë që të mund të gëzojnë jetën e përhershme.

Por turma kundërshton: «Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; tani si mund të thuash ti se Biri i njeriut do të ngrihet lart? Kush është ky Bir i njeriut?»

Pavarësisht nga gjithë dëshmitë, përfshirë dëgjimin e zërit të vetë Perëndisë, shumica nuk besojnë se Jezui është Biri i vërtetë i njeriut, Mesia i premtuar. Megjithatë, ashtu siç bëri edhe gjashtë muaj më parë, në festën e tabernakujve, Jezui e krahason përsëri veten me ‘dritën’ dhe i nxit dëgjuesit: «Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës.» Pasi thotë këto gjëra Jezui largohet dhe fshihet, sepse me sa duket, jeta e tij është në rrezik.

Mungesa e besimit në Jezuin nga ana e judenjve, përmbush fjalët e Isaisë, sipas të cilave «sytë e njerëzve do të ishin verbuar dhe zemrat e tyre do të ishin ngurtësuar, në mënyrë që të mos ktheheshin e të shëroheshin». Isaia pa në vizion, oborret qiellore të Jehovait, duke përfshirë Jezuin në lavdinë e tij paranjerëzore bashkë me Jehovain. Megjithatë, në përmbushje të asaj që shkroi Isaia, judenjtë i hedhin poshtë me kokëfortësi provat që dëshmojnë se Ky është Çliruesi i tyre i premtuar.

Nga ana tjetër, shumë njerëz e madje sundimtarë (me sa duket anëtarë të Sinedrit, gjykatës së lartë judeje) në të vërtetë besojnë në Jezuin. Nikodemi dhe Jozefi nga Arimatea janë dy prej këtyre sundimtarëve. Por sundimtarët, të paktën tani për tani, nuk e deklarojnë besimin e tyre, nga frika se mos përjashtohen nga sinagoga dhe humbasin pozitat që kanë. Sa shumë që po humbasin!

Jezui vazhdon duke vërejtur: «Kush vë besim në mua, vë besim jo vetëm në mua, por edhe në atë që më dërgoi dhe kush më sheh mua, sheh edhe atë që më dërgoi. . . . Por nëse dikush i dëgjon thëniet e mia dhe nuk i zbaton, unë nuk e gjykoj; sepse unë nuk erdha për të gjykuar botën, por për të shpëtuar botën. . . . Fjala që kam thënë është ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit.»—BR.

Dashuria për botën e njerëzimit e shtyu Jehovain të dërgonte Jezuin, në mënyrë që ata që besojnë në të, të mund të shpëtohen. Shpëtimi i njerëzve do të përcaktohet nga bindja e tyre ndaj gjërave që Perëndia e udhëzoi Jezuin të thoshte. Gjykimi do të ndodhë «në ditën e fundit», gjatë mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit.

Jezui përfundon duke thënë: «Unë nuk kam folur nga vetja, por Ati vetë më ka dërguar dhe më ka urdhëruar ç’duhet të them e të shpall. Dhe unë e di se urdhërimi i tij është jetë e përjetshme; gjërat, pra, që them unë, i them ashtu siç m’i ka thënë Ati.» Gjoni 12:28-50; 19:38, 39; Mateu 3:17; 17:5; Isaia 6:1, 8-10.

▪ Cilat janë tri rastet në të cilat u dëgjua zëri i Perëndisë në lidhje me Jezuin?

▪ Si e pa profeti Isaia lavdinë e Jezuit?

▪ Kush janë sundimtarët që besuan te Jezui, por përse nuk e rrëfejnë hapur atë?

▪ Ç’është ‘dita e fundit’ dhe mbi çfarë baze do të gjykohen njerëzit atëherë?