Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Darka e përkujtimit

Darka e përkujtimit

Kapitulli 114

Darka e përkujtimit

PASI u lan këmbët apostujve, Jezui citon shkrimin në Psalmin 41:9, duke thënë: «[Ai] që hante bukën time, ka ngritur kundër meje thembrën e tij.» Pastaj, i trazuar shpirtërisht ai shpjegon: «Një nga ju do të më tradhëtojë.»

Atëherë, apostujt pikëllohen dhe i thonë Jezuit një nga një: «Mos jam unë, Zot?» Edhe Judë Iskarioti pyet bashkë me ta. Gjoni, i cili është shtrirë në krah të Jezuit në tavolinë, mbështetet në kraharorin e Jezuit dhe e pyet: «Zot, kush është?»

«Është një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak,—përgjigjet Jezui.—Po, Biri i njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri me anë të cilit tradhëtohet Biri i njeriut. Do të ishte më mirë për të, që ai njeri të mos kishte lindur kurrë.» Pas kësaj, Satanai hyn përsëri te Juda, duke përfituar nga çarja në zemrën e tij, e cila është bërë e ligë. Më vonë, po atë natë, Jezui e quan Judën në mënyrë të përshtatshme ‘biri i shkatërrimit’—BR.

Tani, Jezui i thotë Judës: «Ç’ke për të bërë, bëje shpejt!» Asnjë nga apostujt e tjerë nuk e kupton se çfarë do të thotë Jezui me këtë. Disa mendojnë se, përderisa Juda mban kutinë e parave, Jezui po i thotë: «Bli gjërat që na duhen për festën» apo se duhet të dalë e t’u japë diçka të varfërve.

Pasi Juda largohet, Jezui themelon një kremtim ose përkujtim, krejt të ri me apostujt e tij të besueshëm. Ai merr një bukë, bën një lutje falënderimi, e thyen atë dhe ua jep atyre, duke thënë: «Merrni, hani.» Ai shpjegon: «Kjo nënkupton trupin tim, i cili duhet të jepet në favorin tuaj. Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.»—BR.

Kur të gjithë kanë ngrënë nga buka, Jezui merr një kupë me verë, siç duket, të katërtën nga kupat që përdoren në kremtimin e Pashkës. Ai bën një lutje falënderimi edhe për këtë, ua kalon atyre, u kërkon të pijnë prej saj dhe pohon: «Kjo kupë do të thotë besëlidhja e re në bazë të gjakut tim, i cili duhet derdhur për dobinë tuaj.»

Kështu, në fakt, ky është një përkujtim i vdekjes së Jezuit. Ai duhet përsëritur çdo vit më 14 nisan, siç thotë Jezui, në përkujtim të tij. Ai do të sjellë në kujtesën e kremtuesve, atë që ka bërë Jezui dhe Ati i tij qiellor për të siguruar çlirimin e njerëzimit nga dënimi me vdekje. Për judenjtë që bëhen ithtarë të Krishtit, kremtimi do të zëvendësojë Pashkën.

Besëlidhja e re, e cila është bërë e vlefshme me anë të gjakut të derdhur të Jezuit, zëvendëson besëlidhjen e vjetër të Ligjit. Në të, Jezui është ndërmjetës midis dy palëve: Perëndisë Jehova, në njërën anë dhe 144.000 të krishterëve të lindur nga fryma, në anën tjetër. Përveçse siguron faljen e mëkateve, besëlidhja jep mundësi për formimin e një kombi qiellor mbretërish dhe priftërinjsh. Mateu 26:21-29; Marku 14:18-25; Luka 22:19-23; Gjoni 13:18-30; 17:12; 1. Korintasve 5:7.

▪ Cilën profeci biblike në lidhje me një shok, citon Jezui dhe çfarë aplikimi i bën asaj?

▪ Përse pikëllohen thellësisht apostujt dhe ç’pyetje bën secili prej tyre?

▪ Çfarë i thotë Jezui Judës që të bëjë, por si i interpretojnë apostujt e tjerë këto udhëzime?

▪ Çfarë kremtimi themelon Jezui pas largimit të Judës dhe për çfarë qëllimi shërben ai?

▪ Cilat janë palët në besëlidhjen e re dhe çfarë realizohet me anë të saj?