Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dhembshuri për një të lebrosur

Dhembshuri për një të lebrosur

Kapitulli 25

Dhembshuri për një të lebrosur

NDËRSA Jezui dhe katër dishepujt e tij vizitojnë qytetet e Galilesë, lajmi mbi gjërat e mrekullueshme që ai është duke bërë, përhapet në të gjithë krahinën. Fjala mbi veprat e tij arrin në një qytet ku gjendet një i sëmurë me lebër. Mjeku Luka e përshkruan atë si «plot me lebër». Kjo sëmundje e tmerrshme, në fazat e saj të avancuara, përçudnon pak nga pak pjesë të ndryshme të trupit. Prandaj, gjendja e këtij të lebrosuri është e mjerueshme.

Kur Jezui arrin në qytet, i lebrosuri i afrohet. Sipas Ligjit të Perëndisë, një i lebrosur, duhet të bërtasë në shenjë paralajmërimi, «I papastër, i papastër!», që të tjerët të jenë të mbrojtur, duke mos u afruar aq shumë sa të rrezikojnë të infektohen. Tani i lebrosuri bie me fytyrë përmbys dhe i lutet Jezuit: «Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh.»

Çfarë besimi që ka ky burrë te Jezui! E megjithatë, sa e mjerueshme duhet të jetë pamja e tij, për shkak të sëmundjes! Çfarë do të bëjë Jezui? Po ju, çfarë do të bënit në atë rast? I shtyrë nga dhembshuria, Jezui shtrin dorën dhe e prek burrin, duke i thënë: «Po, unë dua, shërohu.» Dhe menjëherë lebra zhduket prej tij.

A do t’ju pëlqente të kishit një mbret kaq të dhembshur? Mënyra në të cilën Jezui e trajton këtë të lebrosur na jep sigurinë se gjatë sundimit të Tij Mbretëror, do të plotësohet profecia e Biblës që thotë: «Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.» Po, atëherë Jezui do të plotësojë dëshirën që ka në zemër për të ndihmuar të gjithë të munduarit.

Që përpara shërimit të të lebrosurit, vepra e Jezuit kishte ngjallur një entuziazëm të madh te njerëzit. Në përmbushje të profecisë së Isaisë, tani, Jezui e urdhëron burrin e shëruar: «Ruhu se i tregon gjë ndokujt.» Pastaj e udhëzon: «Shko, paraqitu te prifti dhe ofro për pastrimin tënd sa ka urdhëruar Moisiu, si dëshmi për ta.»

Por burri është kaq i lumtur, saqë nuk mund të rrijë pa ua treguar mrekullinë të tjerëve. Ai largohet dhe fillon ta përhapë lajmin gjithandej, duke shkaktuar me sa duket një interes dhe kuriozitet të tillë nga ana e njerëzve, aq sa Jezui nuk mund të shkojë hapur në ndonjë qytet. Kështu, Jezui qëndron në vende të vetmuara ku nuk jeton asnjeri dhe njerëz nga çdo anë vijnë tek ai për ta dëgjuar dhe për t’u shëruar nga sëmundjet e tyre. Luka 5:12-16; Marku 1:40-45; Mateu 8:2-4; Levitiku 13:45, BR; Le 14:10-13; Psalmi 72:13; Isaia 42:1, 2.

▪ Çfarë pasojash mund të ketë lebra dhe çfarë paralajmërimi duhet të jepte një i lebrosur?

▪ Si i lutet një i lebrosur Jezuit dhe çfarë mund të mësojmë nga përgjigjja e Jezuit?

▪ Në ç’mënyrë burri i shëruar nuk arrin t’i bindet Jezuit dhe cilat janë pasojat?