Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E çojnë tek Ana e pastaj te Kajafa

E çojnë tek Ana e pastaj te Kajafa

Kapitulli 119

E çojnë tek Ana e pastaj te Kajafa

TË LIDHUR si një kriminel, Jezuin e çojnë tek Ana, kryeprifti i mëparshëm me influencë. Ana ishte kryeprift kur Jezui 12-vjeçar i la gojëhapur mësuesit rabinë në tempull. Më vonë, disa prej bijve të Anës shërbyen si kryepriftërinj dhe aktualisht këtë pozitë e mban dhëndri i tij, Kajafa.

Jezuin e çojnë së pari në shtëpinë e Anës, ndoshta për shkak të pozitës me peshë të këtij kreu të priftërinjve për një kohë të gjatë në jetën fetare judease. Kjo ndalesë për të takuar Anën, i jep kohë kryepriftit Kajafa të mbledhë Sinedrin, gjykatën e lartë judease me 71 anëtarë, si dhe të gjejë dëshmitarë të rremë.

Tani Ana, që është një nga krerët e priftërinjve, e pyet Jezuin mbi dishepujt dhe mbi mësimet e tij. Por duke u përgjigjur, Jezui i thotë: «Unë i kam folur haptas botës, gjithmonë kam mësuar në sinagogë e në tempull, ku mblidhen të gjithë judenjtë dhe s’kam thënë asgjë në fshehtësi. Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar ç’u kam thënë atyre; ja, ata i dinë gjërat që kam thënë.»

Në këtë moment, një nga oficerët që ndodhet afër e qëllon Jezuin me shuplakë në fytyrë, duke thënë: «Në këtë mënyrë i përgjigjesh kreut të priftërinjve?»—BR.

«Po të kem folur keq,—përgjigjet Jezui,—trego ku është e keqja; por, po të kem folur mirë, përse po më bie?» Pas këtij shkëmbimi fjalësh, Ana e dërgon Jezuin të lidhur te Kajafa.

Ndërkohë fillojnë të mblidhen të gjithë krerët e priftërinjve, pleqtë dhe skribët, po, i gjithë Sinedri. Siç duket, vendi ku ata mblidhen është shtëpia e Kajafës. Mbajtja e një gjyqi të tillë, natën e Pashkës, është padyshim kundër ligjit judaik. Por kjo nuk i pengon krerët fetarë të vazhdojnë në qëllimet e tyre të liga.

Javë më parë kur Jezui ringjalli Lazrin, anëtarët e Sinedrit kishin vendosur tashmë midis tyre që ai duhej të vdiste. Dhe vetëm dy ditë më parë, të mërkurën, autoritetet fetare bënë plane së bashku që ta kapnin Jezuin me anë të një strategjie tinëzare dhe më pas ta vritnin. Imagjinoni, faktikisht ai ishte dënuar para se të gjykohej!

Ndërkohë, po bëhen përpjekje për të gjetur dëshmitarë që do të sjellin dëshmi të rreme, në mënyrë që të mund të ngrenë një akuzë kundër Jezuit. Megjithatë, nuk mund të gjenden dëshmitarë që të përputhen në dëshmitë e tyre. Më në fund, paraqiten dy që pohojnë: «Ne e kemi dëgjuar se ka thënë: ‘Unë do ta shkatërroj këtë tempull të bërë me duar dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër që nuk është bërë me duar.’»

«Nuk përgjigjesh fare?—pyet Kajafa.—Çfarë po dëshmojnë këta kundër teje?» Por Jezui qëndron i heshtur. As edhe në këtë akuzë të rreme dëshmitarët nuk arrijnë të përputhen në tregimet e tyre dhe kjo është poshtëruese për Sinedrin. Kështu, kryeprifti provon një taktikë tjetër.

Kajafa e di se sa të ndjeshëm janë judenjtë kur dikush pohon se është Biri i Perëndisë. Në dy raste të mëparshme judenjtë kishin dalë menjëherë në përfundimin se Jezui ishte një blasfemues që meritonte vdekjen. Në njërin prej këtyre rasteve kjo kishte ndodhur pasi kishin menduar gabimisht që Jezui po pohonte se ishte i barabartë me Perëndinë. Tani, Kajafa kërkon me tinëzi: «Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash nëse ti je Krishti, Biri i Perëndisë.»

Pavarësisht nga ajo që mendojnë judenjtë, Jezui është me të vërtetë Biri i Perëndisë dhe heshtja nga ana e tij mund të interpretohej sikur ai po e mohonte se është Krishti. Prandaj, Jezui përgjigjet me guxim: «Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit.»

Në këtë moment, Kajafa, me një shfaqje dramatike, shqyen rrobat e tij dhe thërret: «Ai blasfemoi; ç’na duhen më dëshmitarët? Ja, tani e dëgjuat blasfeminë e tij. Si ju duket juve?»

«Ai është fajtor për vdekje»,—dekreton Sinedri. Pastaj, fillojnë ta vënë në lojë dhe, duke blasfemuar thonë shumë gjëra kundër tij. Disa e qëllojnë me shuplaka në fytyrë dhe e pështyjnë. Të tjerë i mbulojnë fytyrën, e godasin me grushte dhe i thonë me sarkazëm: «O Krisht, profetizo! Kush të ra?» Kjo sjellje fyese dhe e paligjshme shfaqet gjatë gjyqit të natës. Mateu 26:57-68; 26:3, 4; Marku 14:53-65; Luka 22:54, 63-65; Gjoni 18:13-24; 11:45-53; 10:31-39; 5:16-18.

▪ Ku e çojnë Jezuin fillimisht dhe çfarë i ndodh atje?

▪ Ku e çojnë më pas Jezuin dhe për çfarë qëllimi?

▪ Si ia arrin Kajafa që ta bëjë Sinedrin të dekretojë se Jezui meriton vdekjen?

▪ Ç’sjellje fyese dhe e paligjshme shfaqet gjatë gjyqit?