Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Farisenjtë nuk duan të besojnë

Farisenjtë nuk duan të besojnë

Kapitulli 71

Farisenjtë nuk duan të besojnë

PRINDËRIT e lypësit që më parë ishte i verbër, frikësohen kur thirren para farisenjve. Ata e dinë se është marrë një vendim, sipas të cilit kushdo që shpreh besim te Jezui, përjashtohet nga sinagoga. Një shkëputje e tillë nga shoqëria me njerëzit e komunitetit, mund të shkaktojë një gjendje jashtëzakonisht të vështirë, sidomos për një familje të varfër. Prandaj, prindërit tregohen të kujdesshëm.

«A është ky djali juaj për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër?—pyesin farisenjtë.—Vallë si sheh tani?»

«E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër,—pohojnë prindërit.—Por ne nuk e dimë se si sheh tani ose se kush ia ka hapur sytë.» Me siguri i biri duhet t’u ketë treguar atyre gjithçka që ka ndodhur, por me maturi prindërit thonë: «Pyesni atë; ai moshë ka, do t’ju flasë për veten e vet.»

Atëherë, farisenjtë e thërrasin burrin përsëri. Këtë herë ata përpiqen ta frikësojnë, duke i treguar se kanë mbledhur dëshmi akuzuese kundër Jezuit. «Jepi lavdi Perëndisë,—i thonë ata.—Ne e dimë se ai është mëkatar.»

Ish i verbri duke mos e mohuar akuzën e tyre, vëren: «Në është një mëkatar nuk e di.» Por shton: «Por di një gjë, që isha i verbër dhe tani shoh.»

Në përpjekje për të gjetur ndonjë defekt në dëshminë e tij, farisenjtë e pyesin: «Ç’të bëri? Si t’i ka hapur sytë?»

«Tashmë ua kam thënë,—ankohet burri,—dhe ju nuk keni dëgjuar; pse doni ta dëgjoni prapë?» Pastaj me një ton sarkastik, pyet: «Doni ndoshta të bëheni edhe ju dishepuj të tij?»

Kjo përgjigje i tërbon farisenjtë. «Ti je dishepull i tij,—akuzojnë ata,—por ne jemi dishepuj të Moisiut. Ne e dimë se Perëndia i ka folur Moisiut; sa për atë [njeri], nuk dimë se nga është.»

Duke shprehur habi, lypësi i përulur përgjigjet: «E pra, është e çuditshme që ju të mos dini nga është ai; megjithatë ai m’i hapi sytë.» Në çfarë përfundimi duhet të çojë kjo? Lypësi tërheq vëmendjen drejt një fakti të pranuar: «Ne e dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por nëse dikush i druhet Perëndisë dhe bën vullnetin e tij, ai e dëgjon atë. Që nga kohët e lashta nuk është dëgjuar kurrë që dikush të ketë hapur sytë e ndokujt që ka lindur i verbër.» Prandaj, përfundimi duhet të jetë i qartë: «Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë.»

Farisenjtë nuk kanë ç’të thonë në përgjigje të kësaj logjike të saktë e të qartë. Por ata nuk mund ta përballojnë të vërtetën, prandaj e shajnë burrin, duke i thënë: «Ti ke lindur i tëri në mëkate e don të na mësosh?» Pas kësaj, ata e flakin burrin jashtë, me sa duket duke e përjashtuar nga sinagoga.

Kur Jezui mëson mbi atë që kanë bërë, e gjen burrin dhe i thotë: «A beson ti në Birin e Perëndisë?».

Duke u përgjigjur, lypësi ish i verbër pyet: «Kush është, Zot, që unë të besoj në të?»

«Është pikërisht ai që po të flet»,—ia kthen Jezui.

Menjëherë, burri përkulet para Jezuit dhe thotë: «Unë besoj, o Zot.»

Atëherë Jezui shpjegon: «Unë kam ardhur në botë për të bërë një gjyq, që ata që nuk shohin të shohin dhe ata që shohin të verbohen.»

Në këtë moment, disa farisenj që janë duke dëgjuar, pyesin: «Jemi të verbër edhe ne?» Nëse ata do ta pranonin se janë të verbër mendërisht, kjo do të përbënte një justifikim për kundërshtimin e tyre ndaj Jezuit. Në fakt Jezui u thotë: «Po të ishit të verbër nuk do të kishit asnjë mëkat.» Megjithatë, ata, zemërgurë siç janë, ngulin këmbë se nuk janë të verbër dhe se nuk kanë nevojë për ndriçim frymor. Për këtë arsye Jezui vëren: «Por tani thoni: ‘Ne shohim’, prandaj mëkati juaj mbetet.» Gjoni 9:19-41.

▪ Përse janë të frikësuar prindërit e lypësit ish të verbër, kur thirren para farisenjve dhe si tregohen të kujdesshëm kur përgjigjen?

▪ Si përpiqen ta frikësojnë farisenjtë burrin që kishte qenë i verbër?

▪ Çfarë argumentimi logjik bën burri, që i tërbon farisenjtë?

▪ Përse farisenjtë nuk kanë justifikim për kundërshtimin ndaj Jezuit?