Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fillimi i një dite vendimtare

Fillimi i një dite vendimtare

Kapitulli 105

Fillimi i një dite vendimtare

PASI largohet nga Jerusalemi të hënën në mbrëmje, Jezui kthehet në Betani, në shpatin lindor të Malit të Ullinjve. Dy nga ditët e shërbimit të tij të fundit në Jerusalem, kanë përfunduar. Pa dyshim, Jezui e kalon përsëri natën te miku i tij Lazri. Që prej ardhjes të premten nga Jerikoja, kjo është nata e katërt që kalon në Betani.

Tani, të martën herët në mëngjes, më 11 nisan, ai dhe dishepujt e tij janë përsëri në rrugë. Kjo ditë do të jetë një ditë vendimtare në shërbimin e Jezuit, dita më e ngarkuar deri tani. Është dita e fundit në të cilën ai shfaqet në tempull. Është, gjithashtu, dita e fundit e shërbimit të tij publik, para gjykimit dhe ekzekutimit.

Jezui dhe dishepujt marrin rrugën e zakonshme për në Jerusalem që kalon mbi Malin e Ullinjve. Gjatë rrugës nga Betania, Pjetri vëren pemën që mallkoi Jezui mëngjesin e mëparshëm. «Mësues,—thërret ai,—ja, fiku që ti mallkove qenka tharë.»

Po pse e thau pemën Jezui? Ai e tregon arsyen, ndërsa vazhdon të thotë: «Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t’i thoni këtij mali [Malit të Ullinjve ku po kalojnë]: Hiqu andej dhe hidhu në det’, kjo do të ndodhë. Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke pasur besim, do ta merrni.»

Kështu, duke bërë që pema të thahet, Jezui siguron një mësim praktik për dishepujt e tij mbi nevojën që kanë për të besuar te Perëndia. Siç pohon ai: «Të gjitha gjërat që kërkoni duke u lutur, kini besim se praktikisht i keni marrë dhe do t’i keni.» (BR) Çfarë mësimi i rëndësishëm për ta, sidomos duke pasur parasysh sprovat e tmerrshme që kanë për të ardhur së shpejti! Megjithatë, ka edhe një lidhje tjetër midis tharjes së fikut dhe cilësisë së besimit.

Kombi i Izraelit, ngjashëm këtij fiku, ka një pamje mashtruese. Edhe pse kombi është nën një besëlidhje me Perëndinë dhe në pamje të jashtme mund të duket se i zbaton normat e tij, ai ka treguar se është pa besim, i paaftë për të dhënë fryte të mira. Për shkak të mungesës së besimit, ai madje po arrin deri aty sa të hedhë poshtë Birin e vetë Perëndisë! Prandaj, duke bërë që fiku i pafrytshëm të thahet, Jezui tregon në mënyrë konkrete se si do të përfundojë ky komb i pafrytshëm e pa besim.

Pak më vonë, Jezui dhe dishepujt e tij hyjnë në Jerusalem dhe, siç e kanë zakon, shkojnë në tempull, ku Jezui fillon të mësojë. Krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit, pa dyshim, duke pasur akoma në mendje atë që u ka bërë Jezui një ditë më parë këmbyesve të parave, e sfidojnë duke pyetur: «Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?»

Duke u përgjigjur, Jezui thotë: «Edhe unë do t’ju bëj një pyetje dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë, gjithashtu, do t’ju them me ç’pushtet i kryej këto gjëra. Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?»

Priftërinjtë dhe pleqtë fillojnë të konsultohen me njëri-tjetrin për përgjigjen që duhet të japin. «Po t’i themi nga qielli, do të na thotë: ‘Përse atëherë nuk i besuat?’ Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet.»

Krerët nuk dinë se si të përgjigjen. Prandaj i thonë Jezuit: «Nuk e dimë.»

Atëherë edhe Jezui u thotë: «As unë nuk do t’ju them se me ç’pushtet i bëj këto gjëra.» Mateu 21:19-27; Marku 11:19-33; Luka 20:1-8.

▪ Përse dita e martë 11 nisan është një ditë domethënëse?

▪ Çfarë mësimesh siguron Jezui kur bën që të thahet fiku?

▪ Si u përgjigjet Jezui atyre që e pyesin se me ç’pushtet i bën gjërat?