Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Hyrja triumfale e Krishtit në Jerusalem

Hyrja triumfale e Krishtit në Jerusalem

Kapitulli 102

Hyrja triumfale e Krishtit në Jerusalem

MËNGJESIN tjetër, të dielën, më 9 nisan, Jezui largohet nga Betania me dishepujt e tij dhe drejtohet për në Jerusalem, duke kaluar mbi Malin e Ullinjve. Brenda një kohe të shkurtër, ata i afrohen Betfagës, e cila gjendet në Malin e Ullinjve. Jezui i udhëzon dy prej dishepujve të tij duke thënë:

«Shkoni në fshatin përballë jush; aty do të gjeni menjëherë një gomare të lidhur dhe një pulishtë me të; zgjidhini dhe m’i sillni! Dhe nëse dikush ju thotë gjë, i thoni se Zoti ka nevojë për to, por do t’i kthejë shpejt.»

Edhe pse në fillim dishepujt nuk arrijnë të dallojnë se këto udhëzime kanë të bëjnë me përmbushjen e profecisë biblike, më vonë ata e kuptojnë këtë gjë. Profeti Zaharia paratha se Mbreti i premtuar i Perëndisë do të hynte në Jerusalem mbi një gomar, po, «madje mbi një kafshë plotësisht të rritur, bir i një gomareje». (BR) Edhe mbreti Solomon, në mënyrë të ngjashme, kishte hipur në një pjellë gomari, për të shkuar në vendin e mirosjes së tij.

Kur dishepujt hyjnë në Betfagë dhe marrin kërriçin e nënën e tij, disa nga ata që janë të pranishëm thonë: «Ç’po bëni?» Por, kur u thuhet se kafshët janë për Zotërinë, i lënë dishepujt që t’ia çojnë ato Jezuit. Dishepujt i vendosin mantelet e tyre mbi gomaren dhe mbi kërriçin, por Jezui hipën mbi kërriç.

Ndërsa Jezui udhëton për në Jerusalem, turma rritet. Shumica e njerëzve shtrojnë mantelet e tyre në rrugë, ndërsa të tjerët këputin degë prej pemëve dhe i shtrojnë për tokë. «I bekuar është Ai që vjen si Mbreti në emër të Jehovait!—brohorasin ata.—Paqe në qiell dhe lavdi në vendet më të larta!»—BR.

Disa farisenj që janë në turmë, mërziten nga këto thirrje dhe i ankohen Jezuit: «Mësues, qortoi dishepujt e tu.» Por Jezui përgjigjet: «Unë po ju them se nëse këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin.»

Ndërsa i afrohet Jerusalemit, Jezui shikon qytetin dhe fillon të vajtojë për të, duke thënë: «Sikur ti, pikërisht ti, të kishe shquar në këtë ditë gjërat që kanë të bëjnë me paqen, por tani ato janë fshehur nga sytë e tu.» (BR) Jerusalemi duhet të paguajë çmimin për mosbindjen e vullnetshme, siç parathotë Jezui:

«Armiqtë e tu [romakët nën gjeneral Titin] do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët. Dhe do të rrëzojnë ty dhe fëmijët e tu në ty; dhe s’do të lënë në ty gur mbi gur.» Ky shkatërrim i Jerusalemit i parathënë nga Jezui, ndodh faktikisht 37 vjet më vonë, në vitin 70 të e.s.

Vetëm disa javë më parë, shumë nga njerëzit që janë në turmë, e kishin parë Jezuin të ringjallte Lazrin. Tani, këta vazhdojnë t’u tregojnë edhe të tjerëve mbi atë mrekulli. Prandaj, kur Jezui hyn në Jerusalem, në të gjithë qytetin fillon një rrëmujë. «Kush është ky?»—duan të dinë njerëzit. Dhe turmat vazhdojnë t’u tregojnë: «Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë.» Duke parë atë që po ndodh, farisenjtë ankohen se përpjekjet e tyre po shkojnë në hiç, pasi, siç thonë ata: «Bota shkon pas tij.»

Siç e ka zakon kur viziton Jerusalemin, Jezui shkon në tempull për të mësuar. Atje, vijnë tek ai të verbër e të çalë dhe ai i shëron! Kur krerët e priftërinjve dhe skribët shikojnë gjërat e mrekullueshme që po bën Jezui dhe kur dëgjojnë djemtë në tempull që thërrasin, «Shpëtoje, të lutemi, Birin e Davidit», (BR) zemërohen. «A po dëgjon ti çfarë thonë këta?»—ankohen ata.

«Po,—përgjigjet Jezui.—A nuk keni lexuar kurrë: ‘Nga goja e të vegjëlve dhe e foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi?’»

Jezui vazhdon të mësojë dhe shikon përreth, gjithçka që është në tempull. S’kalon shumë dhe meqënëse bëhet vonë ai largohet bashkë me të 12-t dhe udhëton afërsisht tre kilometra për t’u kthyer në Betani. Atje ai kalon natën e së dielës, ndoshta në shtëpinë e mikut të tij Lazrit. Mateu 21:1-11, 14-17; Marku 11:1-11; Luka 19:29-44; Gjoni 12:12-19; Zaharia 9:9.

▪ Kur dhe në ç’mënyrë hyn Jezui në Jerusalem si Mbret?

▪ Sa e rëndësishme është që turmat ta lëvdojnë Jezuin?

▪ Si ndihet Jezui kur shikon Jerusalemin dhe cilën profeci shpall ai?

▪ Çfarë ndodh kur Jezui shkon në tempull?