Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I pasuri dhe Lazri

I pasuri dhe Lazri

Kapitulli 88

I pasuri dhe Lazri

JEZUI u ka folur dishepujve të tij për përdorimin e duhur të pasurive materiale, duke shpjeguar se nuk mund të jemi skllevër të tyre dhe, në të njëjtën kohë, skllevër të Perëndisë. Edhe farisenjtë janë duke dëgjuar dhe fillojnë ta përqeshin Jezuin, sepse ata vetë janë dashurues të parave. Prandaj, ai u thotë: «Ju jeni ata që e justifikoni veten para njerëzve, por Perëndia i njeh zemrat tuaja; sepse ajo që vlerësohet shumë ndër njerëzit është gjë e neveritshme para Perëndisë.»

Tashmë ka ardhur koha që të ndryshojë situata e atyre njerëzve, të cilët janë të pasur për sa i përket të mirave materiale, fuqisë politike dhe autoritetit e influencës fetare. Ata duhet të ulen. Ndërsa njerëzit që e kuptojnë nevojën e tyre frymore, duhet të ngrihen. Jezui i referohet këtij ndryshimi, kur vazhdon t’u thotë farisenjve:

«Ligji dhe Profetët ishin deri te Gjoni [Pagëzuesi]. Që nga ajo kohë mbretëria e Perëndisë po shpallet si lajm i mirë dhe çdo lloj personi po ngutet përpara drejt saj. Në të vërtetë është më e lehtë që të kalojnë qielli dhe toka sesa një pjesëz e një shkronje të Ligjit të mbetet e paplotësuar.»—BR.

Skribët dhe farisenjtë pretendojnë se i përmbahen Ligjit të Moisiut dhe janë krenarë për këtë. Kujtoni që, kur Jezui i ktheu shikimin në mënyrë të mrekullueshme një burri në Jerusalem, ata u mburrën: «Ne jemi dishepuj të Moisiut. Ne e dimë se Perëndia i foli Moisiut.» Por tani, Ligji i Moisiut e ka përmbushur qëllimin që kishte, domethënë udhëheqjen e personave të përulur drejt Mbretit të caktuar nga Perëndia, Jezu Krishtit. Kështu, me fillimin e shërbimit të Gjonit, njerëzit e të gjitha llojeve, sidomos të përulurit e të varfërit, po e ushtrojnë veten për t’u bërë nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë.

Përderisa tani Ligji i Moisiut po plotësohet, detyrimi për ta zbatuar atë duhet të hiqet. Ligji e lejon divorcin për shkaqe të ndryshme, por tani Jezui thotë: «Çdo njeri që bën divorc me gruan e tij dhe martohet me një tjetër, kryen tradhëti bashkëshortore dhe ai që martohet me një grua të divorcuar nga burri, kryen tradhëti bashkëshortore.» (BR) Sa shumë duhet t’i irritojnë farisenjtë deklarata të tilla, sidomos meqë ata e lejojnë divorcin për një sërë arsyesh!

Duke vazhduar komentet e tij drejtuar farisenjve, Jezui bën një ilustrim që flet për dy burra, gjendja apo pozita e të cilëve ndryshon në mënyrë dramatike. A mund të përcaktoni se kë përfaqësojnë këta burra dhe çfarë nënkupton përmbysja e gjendjeve të tyre?

«Ishte një njeri i pasur,—shpjegon Jezui,—që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm. Atje ishte edhe një lypës, i quajtur Llazar, që rrinte para derës së tij dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara, dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut; madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët.»

Këtu, Jezui e përdor njeriun e pasur për të përfaqësuar krerët fetarë judenj, duke përfshirë jo vetëm skribët dhe farisenjtë, por edhe saducenjtë dhe krerët e priftërinjve. Ata janë të pasur në privilegje dhe mundësi frymore dhe sillen njësoj si njeriu i pasur. Veshjet e tyre të purpurta mbretërore përfaqësojnë pozitën e tyre të favorizuar dhe liri i bardhë paraqet drejtësinë e tyre të vetëshpallur.

Kjo klasë krenare e njeriut të pasur, i shikon njerëzit e varfër e të thjeshtë plot përçmim duke i quajtur ‛am ha’aʹrets ose njerëz të dheut. Prandaj, lypësi Lazër përfaqëson këta njerëz, të cilëve krerët fetarë u mohojnë privilegjet dhe ushqimin e duhur frymor. Ashtu si Lazri i mbuluar me plagë, njerëzit e thjeshtë shihen me përçmim, si njerëz me sëmundje frymore dhe si njerëz që meritojnë vetëm të shoqërohen me qentë. Megjithatë, ata të klasës së Lazrit janë të uritur e të etur për ushqim frymor dhe për këtë arsye qëndrojnë para derës, duke u përpjekur të marrin çdo thërrime të vogël ushqimi frymor që mund të bjerë nga tryeza e të pasurit.

Tani, Jezui vazhdon duke përshkruar ndryshime në gjendjen e të pasurit dhe atë të Lazrit. Çfarë janë këto ndryshime dhe çfarë përfaqësojnë?

I pasuri dhe Lazri përjetojnë një ndryshim

I pasuri, përfaqëson krerët fetarë që janë të favorizuar me privilegje dhe mundësi frymore, ndërsa Lazri paraqet njerëzit e thjeshtë që janë të uritur për ushqim frymor. Jezui e vazhdon tregimin, duke përshkruar një ndryshim dramatik në rrethanat e këtyre burrave.

«Tani me kalimin e kohës,—thotë Jezui,—lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gjirin e Abrahamit. Gjithashtu, vdiq edhe njeriu i pasur dhe e varrosën. Dhe në Hades, duke qenë në mundime, ai ngriti sytë dhe pa së largu Abrahamin dhe Lazrin në gjirin e tij.»—BR.

Përderisa i pasuri dhe Lazri nuk janë persona realë, por simbolizojnë klasa njerëzish, logjikisht edhe vdekjet e tyre janë simbolike. Çfarë simbolizojnë apo përfaqësojnë vdekjet e tyre?

Jezui sapo ka folur për një ndryshim të rrethanave, kur tha se ‘Ligji dhe profetët arritën deri te Gjon Pagëzuesi, por që atëherë është shpallur mbretëria e Perëndisë’. Prandaj, pikërisht nëpërmjet predikimit të Gjonit dhe atij të Jezu Krishtit, si i pasuri edhe Lazri vdesin në lidhje me rrethanat apo gjendjen e tyre të mëparshme.

Pjesëtarët e klasës së përulur dhe të penduar të Lazrit, vdesin në lidhje me gjendjen e privuar frymore, në të cilën gjendeshin dhe kalojnë në një pozitë që gëzon favorin hyjnor. Ndërkohë që, më parë, ata u drejtoheshin krerëve fetarë për të pasur edhe gjërat e vogla që binin nga tryeza frymore, tani nevojat e tyre po plotësohen nga të vërtetat e Shkrimeve të mësuara nga Jezui. Në këtë mënyrë, ata janë çuar në gji të Abrahamit më të madh, Perëndisë Jehova, apo në një pozitë të favorizuar para tij.

Nga ana tjetër, ata që përbëjnë klasën e të pasurit, hyjnë në një gjendje që nuk gëzon favorin hyjnor, sepse me këmbëngulje ata refuzojnë të pranojnë mesazhin e Mbretërisë të mësuar nga Jezui. Për këtë arsye, ata vdesin në lidhje me pozitën e tyre të mëparshme, në dukje të favorshme. Në fakt, për ta thuhet se janë në një mundim figurativ. Dëgjoni tani, ndërsa flet njeriu i pasur:

«O atë Abraham, ki mëshirë për mua dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë.» Janë mesazhet e zjarrta të gjykimit të Perëndisë, të shpallura nga dishepujt e Jezuit, ato që i mundojnë individët e klasës së njeriut të pasur. Ata duan që dishepujt të pushojnë së shpalluri këto mesazhe, duke u dhënë kështu njëfarë çlirimi prej mundimeve të tyre.

«Por Abrahami thoshte: ‘O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, kurse Llazari të këqijat; tani, përkundrazi, ai po përdëllehet dhe ti vuan. Dhe, veç të gjithave, midis nesh dhe jush është një humnerë e madhe, kështu që ata që do të donin të kalonin që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej tek ne.’»

Sa e drejtë dhe e përshtatshme është që kjo përmbysje dramatike e gjendjeve të ndodhë midis klasës së Lazrit dhe asaj të njeriut të pasur! Ndryshimi vjen disa muaj më vonë, në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., kur besëlidhja e vjetër e Ligjit zëvendësohet me besëlidhjen e re. Në atë kohë, bëhet e qartë në mënyrë të pagabueshme, se të favorizuar nga Perëndia janë dishepujt dhe jo farisenjtë apo krerët e tjerë fetarë. Prandaj, «humnera e madhe» që ndan njeriun e pasur simbolik nga dishepujt e Jezuit, përfaqëson gjykimin e pandryshueshëm e të drejtë të Perëndisë.

Më pas, i pasuri i bën këtë kërkesë ‘atit Abraham’: «Atëherë, o atë, të lutem ta dërgosh atë [Lazrin] te shtëpia e tim eti, sepse unë kam pesë vëllezër.» Me këto fjalë, njeriu i pasur tregon se ka një marrëdhënie më të ngushtë me një atë tjetër, që është në të vërtetë Satana Djalli. I pasuri kërkon që Lazri t’i zbutë mesazhet e gjykimit të Perëndisë, në mënyrë që ‘pesë vëllezërit’ e tij, aleatët e tij fetarë, të mos përfundojnë «në këtë vend mundimesh».

«[Por] Abrahami u përgjigj: ‘Kanë Moisiun dhe profetët, le t’i dëgjojnë ata.’» Po, nëse ‘pesë vëllezërit’ duan t’i shpëtojnë mundimit, gjithçka që duhet të bëjnë, është t’u vënë veshin shkrimeve të Moisiut dhe të profetëve, të cilët e identifikojnë Jezuin si Mesia dhe pastaj të bëhen dishepuj të tij. Por i pasuri kundërshton: «Jo, o atë Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkojë tek ata, do të pendohen.»

Por atij i thuhet: «Nëse nuk dëgjojnë Moisiun dhe Profetët, nuk do të binden edhe nëse dikush ngrihet nga të vdekurit.» (BR) Perëndia nuk do të bëjë shenja të veçanta apo mrekulli për të bindur njerëzit. Nëse duan të fitojnë favorin e tij, ata duhet të lexojnë Shkrimet dhe t’i zbatojnë ato. Luka 16:14-31; Gjoni 9:28, 29; Mateu 19:3-9; Galatasve 3:24; Kolosianëve 2:14; Gjoni 8:44.

▪ Përse, vdekja e të pasurit dhe e Lazrit, duhet të jetë simbolike dhe çfarë përfaqësohet nga vdekja e tyre?

▪ Çfarë ndryshimi ndodh me fillimin e shërbimit të Gjonit, siç tregon Jezui?

▪ Çfarë duhet të eliminohet pas vdekjes së Jezuit dhe si do të ndikojë kjo mbi çështjen e divorcit?

▪ Kë përfaqësojnë i pasuri dhe Lazri, në ilustrimin e Jezuit?

▪ Çfarë janë mundimet që përjeton i pasuri dhe me anë të cilës mënyrë kërkon ai që të çlirohet prej tyre?

▪ Çfarë përfaqëson ‘humnera e madhe’?

▪ Kush është ati i vërtetë i njeriut të pasur dhe kush janë pesë vëllezërit e tij?