Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ilustrimi i dasmës

Ilustrimi i dasmës

Kapitulli 107

Ilustrimi i dasmës

JEZUI i ka demaskuar skribët dhe krerët e priftërinjve me anë të dy ilustrimeve dhe ata duan ta vrasin. Por Jezui nuk ka mbaruar ende me ta. Ai vazhdon t’u tregojë edhe një ilustrim tjetër, duke thënë:

«Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit. Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë.»

Perëndia Jehova është Mbreti që përgatit një dasmë për Birin e tij, Jezu Krishtin. Në fund, nusja e përbërë nga 144.000 ithtarë të mirosur do të bashkohet me Jezuin në qiell. Nënshtetasit e Mbretit janë pjesëtarët e popullit të Izraelit, të cilëve, me të hyrë në besëlidhjen e Ligjit në vitin 1513 p.e.s., iu dha mundësia për t’u bërë «një mbretëri priftërinjsh». Kështu, në atë rast, ata ishin të parët që u ftuan për të marrë pjesë në dasmë.

Megjithatë, thirrja e parë e të ftuarve u bë jo më parë se vjeshta e vitit 29 të e.s., kohë në të cilën Jezui dhe dishepujt e tij (shërbëtorët e mbretit) filluan veprën e predikimit të Mbretërisë. Por izraelitët natyrorë, që morën këtë thirrje të shpallur nga shërbëtorët që prej vitit 29 të e.s. deri në vitin 33 të e.s., nuk deshën të shkonin. Kështu, Perëndia i dha kombit të të ftuarve një mundësi tjetër, siç tregon Jezui:

«[Ai] dërgoi përsëri shërbëtorë duke thënë: “U thoni të ftuarve: ‘Ja unë kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë.’ ”» Kjo thirrje e dytë dhe e fundit e atyre që ishin të ftuar, filloi në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., kur fryma e shenjtë u derdh mbi ithtarët e Jezuit. Ajo vazhdoi deri në vitin 36 të e.s.

Megjithatë, shumica e izraelitëve, e refuzuan edhe këtë thirrje. «Pa e përfillur,—thotë Jezui,—shkuan, dikush në arën e vet e dikush në punët e veta. Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë.» «Mbreti atëherë,—vazhdon Jezui,—kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjakësorë dhe dogji qytetin e tyre.» Kjo ndodhi në vitin 70 të e.s., kur Jerusalemi u rrafshua nga romakët dhe ata gjakësorë u vranë.

Pastaj, Jezui shpjegon se çfarë ndodhi ndërkohë: «Atëherë [mbreti] u tha shërbëtorëve të tij: ‘Dasma në të vërtetë është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë. Shkoni pra në rrugët që të çojnë jashtë qytetit dhe këdo që të gjeni ftojeni në dasmë.’» (BR) Shërbëtorët vepruan kështu dhe «vendi i dasmës u mbush me të ftuar».

Kjo vepër e mbledhjes së mysafirëve prej rrugëve jashtë qytetit të të ftuarve, filloi në vitin 36 të e.s. Oficeri i ushtrisë romake, Korneli dhe familja e tij ishin të parët nga jojudenjtë e parrethprerë që u mblodhën. Mbledhja e këtyre jojudenjve, të cilët janë të gjithë zëvendësues të atyre që fillimisht e refuzuan thirrjen, ka vazhduar deri në shekullin e 20-të.

Shekulli i 20-të është koha kur vendi i dasmës mbushet. Jezui tregon se çfarë ndodh në atë kohë, duke thënë: «Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme; dhe i tha: ‘Mik si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?’ Dhe ai mbylli gojën. Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh.’»

Burri pa veshjen e dasmës paraqet të krishterët e rremë të të ashtuquajturit krishterim. Perëndia nuk i ka njohur kurrë këta si persona që kanë karakteristikat dalluese të izraelitëve frymorë. Perëndia nuk i ka mirosur kurrë ata me frymën e shenjtë si trashëgimtarë të Mbretërisë. Kështu, ata janë hedhur në errësirat e jashtme ku do të përjetojnë shkatërrimin.

Jezui e përfundon ilustrimin e tij duke thënë: «Sepse janë shumë të ftuar, por pak të zgjedhur.» (BR) Po, shumë nga kombi i Izraelit u ftuan për t’u bërë anëtarë të nuses së Krishtit, por vetëm pak izraelitë natyrorë u zgjodhën. Pjesa më e madhe e 144.000 mysafirëve që marrin shpërblimin qiellor del se janë joizraelitë. Mateu 22:1-14; Eksodi 19:1-6; Zbulesa 14:1-3.

▪ Kush janë ata që u ftuan fillimisht në dasmë dhe kur iu bë kjo ftesë?

▪ Kur del për herë të parë thirrja për të ftuarit dhe kush janë shërbëtorët që e shpallin atë?

▪ Kur bëhet thirrja e dytë dhe cilët ftohen më pas?

▪ Cilët paraqet njeriu pa veshjen e dasmës?

▪ Kush janë të thirrurit e shumtë dhe të zgjedhurit e paktë?