Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ilustrimi i minave

Ilustrimi i minave

Kapitulli 100

Ilustrimi i minave

NDOSHTA Jezui është akoma në shtëpinë e Zakeut, ku ka ndaluar ndërsa është në udhëtim për në Jerusalem. Dishepujt e tij besojnë se kur të hyjnë në Jerusalem, ai do të shpallë se është Mesia dhe do të vendosë Mbretërinë e tij. Për të korrigjuar këtë ide dhe për të treguar se Mbretëria është akoma shumë larg, Jezui bën një ilustrim.

«Një njeri fisnik,—tregon ai,—shkoi në një vend të largët për të marrë në dorëzim një mbretëri e pastaj të kthehet.» ‘Njeriu fisnik’ është Jezui, ndërsa ‘vendi i largët’ është qielli. Kur Jezui të arrijë atje, Ati i tij do t’i japë fuqinë mbretërore.

Megjithatë, para se të largohet, njeriu fisnik thërret dhjetë skllevër dhe i jep secilit prej tyre nga një minë argjendi, duke i thënë: «Tregëtoni derisa të kthehem.» Dhjetë skllevërit, në përmbushjen fillestare, përfaqësojnë dishepujt e hershëm të Jezuit. Ndërsa në një aplikim më të zgjeruar, ata paraqesin të gjithë individët me perspektivë për të qenë trashëgimtarë me Jezuin në Mbretërinë qiellore.

Minat e argjendit janë monedha me vlerë dhe secila është baraz me shumën e tri pagave mujore të një bujku. Por çfarë përfaqësojnë minat? Dhe çfarë lloj tregtie duhet të bëjnë skllevërit me to?

Minat përfaqësojnë zotërime, të cilat, dishepujt e lindur nga fryma, mund t’i përdornin për të prodhuar trashëgimtarë të tjerë të Mbretërisë qiellore, deri në ardhjen e Jezuit si Mbret në Mbretërinë e premtuar. Pas ringjalljes dhe shfaqjes para dishepujve të tij, Jezui u dha atyre minat simbolike që të bënin dishepuj të tjerë, duke shtuar në këtë mënyrë, pjesëmarrësit në klasën e Mbretërisë qiellore.

«Por,—vazhdon Jezui,—qytetarët e vet e urrenin [njeriun fisnik] dhe i dërguan pas një përfaqësi duke thënë: ‘Nuk duam që ky të mbretërojë përmbi ne.’» Qytetarët janë izraelitët, ose judenjtë, pa përfshirë dishepujt e tij. Pas ikjes së Jezuit në qiell, këta judenj, duke persekutuar dishepujt e tij, bënë të ditur se nuk donin që ai të ishte mbreti i tyre. Në këtë mënyrë, ata vepruan si qytetarët që dërguan përfaqësinë e tyre.

Si i përdorin minat e tyre dhjetë skllevërit? Jezui shpjegon: «Dhe kur ai u kthye, pasi mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t’i thërrasin ata shërbëtorë, të cilëve u kishte dhënë paratë për të marrë vesh sa kishte fituar secili duke tregtuar. Atëherë doli i pari dhe tha: ‘Zot, mina jote dha dhjetë mina të tjera’ dhe ai tha: ‘Mirë, o shërbëtor i mirë, sepse ke qenë besnik në gjëra të vogla, merr sundimin mbi dhjetë qytete.’ Pastaj erdhi i dyti duke thënë: ‘Zot, mina jote dha edhe pesë mina’ dhe ai i tha edhe këtij: ‘Edhe ti ji sundimtar mbi pesë qytete.’»

Skllavi me dhjetë mina, paraqet një klasë apo grup dishepujsh, që nga Rrëshajët e vitit 33 të e.s. e deri tani, që përfshin edhe apostujt. Skllavi që fitoi pesë mina përfaqëson, gjithashtu, një grup dishepujsh gjatë së njëjtës periudhë kohore, të cilët, sipas mundësive dhe aftësive të tyre, i kanë rritur zotërimet tokësore të mbretit të tyre. Të dyja grupet predikojnë me zell lajmin e mirë dhe si rezultat shumë njerëz me zemër të drejtë bëhen të krishterë. Nëntë prej skllevërve bënë tregti të suksesshme dhe i rritën të ardhurat e tyre.

«Por erdhi një tjetër,—vazhdon Jezui,—duke thënë: ‘Zotëri, ja mina jote që e mbajta mënjanë në një rrobë. Në fakt kisha frikë nga ti, sepse je një njeri i ashpër; ti merr atë që nuk ke depozituar dhe korr atë që nuk ke mbjellë.’ Ai i tha atij: ‘Nga vetë goja jote të gjykoj, skllav i lig. A e dije, pra, që unë jam një njeri i ashpër, që marr atë që nuk kam depozituar dhe korr atë që nuk kam mbjellë? Atëherë, përse nuk e vure paranë time prej argjendi në një bankë? Kështu kur të kthehesha do ta kisha marrë me interes.’ Pastaj u tha atyre që po qëndronin aty: ‘Merrjani minën dhe ia jepni atij që ka dhjetë mina.’»

Për skllavin e lig, humbja e minës simbolike, nënkupton humbjen e një vendi në Mbretërinë qiellore. Po, ai humb privilegjin për të sunduar, si të thuash, mbi dhjetë qytete ose mbi pesë qytete. Vëreni, gjithashtu, se skllavi nuk është quajtur i lig për shkak të ndonjë ligësie që bën, por sepse nuk ka punuar aspak për të rritur pasuritë e mbretërisë së zotërisë së tij.

Kur mina e skllavit të lig i jepet skllavit të parë, disa kundërshtojnë: «Zot, po ai ka dhjetë mina.» Por, Jezui përgjigjet: «Atij që ka, do t’i jepet; por atij që s’ka do t’i hiqet edhe ajo që ka. Veç kësaj, i sillni këtu armiqtë e mi, të cilët nuk donin që unë të mbretëroja mbi ta dhe i vritni përpara meje.» Luka 19:11-27; Mateu 28:19, 20.

▪ Çfarë e shtyn Jezuin të tregojë ilustrimin e minave?

▪ Kush është njeriu fisnik dhe cili është vendi ku shkon ai?

▪ Kush janë skllevërit dhe çfarë përfaqësojnë minat?

▪ Kush janë qytetarët dhe si e tregojnë urrejtjen e tyre?

▪ Përse njëri prej skllevërve quhet i lig dhe çfarë nënkupton humbja e minës së tij?