Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ja! Njeriu!»

«Ja! Njeriu!»

Kapitulli 123

«Ja! Njeriu!»

PASI i bën përshtypje qëndrimi i Jezuit dhe e kupton se ai është i pafajshëm, Pilati kërkon të gjejë një mënyrë tjetër për ta liruar. «Ndër ju është një zakon,—i thotë ai turmës,—që unë të liroj dikë për Pashkë.»

I burgosur është, gjithashtu, edhe Baraba, një vrasës me nam, prandaj Pilati pyet: «Kë doni t’ju liroj, Barabën apo Jezusin, që quhet Krisht?»

Të bindur nga krerët e priftërinjve që i kanë nxitur, njerëzit kërkojnë që Baraba të lirohet, ndërsa Jezui të vritet. Por Pilati nuk dorëzohet dhe ua kthen duke pyetur përsëri: «Cilin nga të dy doni që t’ju liroj?»

«Barabën»,—bërtasin ata.

«Ç’të bëj, pra, me Jezusin që quhet Krisht?»—pyet i tronditur Pilati.

Me një ulërimë shurdhuese, ata përgjigjen njëzëri: «Të vihet në shtyllë! Në shtyllë! Vëre në shtyllë!»—BR.

Duke e ditur se ata po kërkojnë vdekjen e një të pafajshmi, Pilati lutet: «Po ç’të keqe bëri ky? Unë nuk gjeta në të asnjë faj që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë do ta liroj.»

Pavarësisht nga përpjekjet e tij, turma e tërbuar, e nxitur nga krerët fetarë, vazhdon të bërtasë: «Të vihet në shtyllë!» (BR) E nxitur deri në çmenduri nga priftërinjtë, turma do gjak. Dhe të mendosh që vetëm pesë ditë më parë, disa prej tyre ishin ndoshta midis atyre që e mirëpritën Jezuin në Jerusalem si Mbret! Gjatë gjithë kësaj kohe dishepujt e Jezuit, nëse janë të pranishëm, qëndrojnë të heshtur dhe ruhen të mos bien në sy.

Pilati, duke parë se thirrjet e tij nuk po japin asnjë rezultat, por përkundrazi, po krijohet një trazirë, merr ujë dhe lan duart para turmës, duke thënë: «Unë jam i pafaj për gjakun e këtij të drejti; mendoni ju.» Në atë moment njerëzit përgjigjen: «Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë.»

Kështu, sipas asaj që kanë kërkuar, duke dashur të kënaqë turmën në vend se të bëjë atë që e di se është e drejtë, Pilati u liron Barabën. Ai e merr Jezuin dhe urdhëron ta zhveshin e ta fshikullojnë. Ky nuk është një fshikullim i zakonshëm. Duke përshkruar praktikën romake të fshikullimit, një gazetë mjekësore thotë:

«Mjeti i zakonshëm ishte një kamxhik i shkurtër (flagrum ose flagellum) me disa rripa lëkure të gjatësive të ndryshme, më njësh ose të thurur, në të cilët ishin lidhur në intervale, sfera të vogla hekuri ose pjesë kockash deleje. . . . Ndërsa ushtarët romakë goditnin në mënyrë të përsëritur kurrizin e viktimës me sa fuqi që kishin, sferat e hekurit shkaktonin shembje të thella dhe rripat e lëkurës e kockat e deles çanin lëkurën dhe indet nën të. Pastaj, ndërsa fshikullimi vazhdonte, çarjet shtriheshin në thellësi deri në muskujt skeletorë dhe i katandisnin në copa të vogla mishi të gjakosur, që të drithërojnë.»—The Journal of the American Medical Association.

Pas kësaj rrahjeje torturuese, Jezuin e çojnë në pallatin e guvernatorit ku thirret e gjithë trupa e ushtarëve. Atje, ushtarët e keqtrajtojnë më tej, duke thurur një kurorë me gjemba dhe duke ia ngjeshur në kokë. I vënë një kallam në dorën e djathtë dhe i veshin një mantel ngjyrë vjollcë, nga ata që mbajnë personat e rangut mbretëror. Pastaj i thonë me qesëndi: «Tungjatjeta, o mbret i judenjve!» Gjithashtu, e pështyjnë dhe e qëllojnë me shuplaka në fytyrë. Pasi ia marrin nga dora kallamin e fortë, e përdorin për ta qëlluar në kokë, duke ia ngulur edhe më thellë në lëkurë gjembat e mprehtë të ‘kurorës’ së tij poshtëruese.

Dinjiteti dhe forca e jashtëzakonshme e Jezuit përballë këtij keqtrajtimi i bëjnë kaq përshtypje Pilatit, sa ai nxitet të bëjë edhe një përpjekje tjetër për ta çliruar. «Ja, po jua nxjerr jashtë, që ta dini se nuk gjej në të asnjë faj»,—i thotë ai turmës. Ndoshta ai mendon se duke parë gjendjen e Jezuit pas torturimit, zemrat e njerëzve do të zbuten. Ndërsa Jezui qëndron përpara turmës së pamëshirshme, me kurorën me gjemba dhe mantelin ngjyrë vjollcë, si dhe me fytyrën e gjakosur që shpreh dhimbje, Pilati thërret: «Ja! Njeriu!»—BR.

Edhe pse i plagosur dhe i rrahur, para tyre qëndron figura më e shquar e gjithë historisë, vërtet, njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë! Po, Jezui shfaq një dinjitet të qetë dhe një përmbajtje, të cilat dëshmojnë për një madhështi që edhe Pilati është i detyruar ta pranojë, sepse duket që fjalët e tij tregojnë si respekt, ashtu edhe mëshirë. Gjoni 18:39–19:5; Mateu 27:15-17, 20-30; Marku 15:6-19; Luka 23:18-25.

▪ Në ç’mënyrë përpiqet Pilati ta lirojë Jezuin?

▪ Si përpiqet Pilati ta çlirojë veten nga përgjegjësia?

▪ Çfarë përfshin fshikullimi?

▪ Si e tallin Jezuin pas fshikullimit?

▪ Cilën përpjekje të mëtejshme bën Pilati për ta liruar Jezuin?