Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezui është gjallë!

Jezui është gjallë!

Kapitulli 128

Jezui është gjallë!

KUR gratë e gjejnë varrin e Jezuit bosh, Maria Magdalena vrapon për t’ua treguar këtë Pjetrit dhe Gjonit. Megjithatë, gratë e tjera siç duket, qëndrojnë te varri. Pas pak, atyre u shfaqet një engjëll dhe i fton brenda.

Këtu gratë shikojnë edhe një engjëll tjetër dhe njëri prej tyre u thotë: «Mos kini frikë, sepse e di që po kërkoni Jezuin, i cili u vu në shtyllë. Ai nuk është këtu, sepse u ngrit lart, siç tha. Ejani, shihni vendin ku ishte shtrirë. Dhe shkoni shpejt e u thoni dishepujve të tij se ai u ngrit prej të vdekurve.» (BR) Kështu, me frikë dhe me gëzim të madh, edhe këto gra largohen me nxitim.

Tashmë Maria ka gjetur Pjetrin dhe Gjonin dhe i njofton duke thënë: «E kanë hequr Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e vunë.» Menjëherë, të dy apostujt largohen duke vrapuar. Gjoni, duke qenë siç duket më i ri, është më i shpejtë dhe arrin te varri i pari. Gratë ndërkohë kanë ikur, prandaj rrotull nuk ka asnjë njeri. Duke u përkulur, Gjoni hedh një vështrim brenda varrit dhe shikon rripat mbështjellës, por vetë qëndron jashtë.

Kur mbërrin, Pjetri nuk ngurron, por hyn drejt e brenda. Ai shikon rripat mbështjellës që kanë mbetur atje, si dhe pëlhurën që është përdorur për të mbështjellë kokën e Jezuit. Ajo është mbledhur në një vend. Tani, edhe Gjoni hyn në varr dhe e beson atë që tha Maria. Megjithatë, as Pjetri e as Gjoni nuk e kuptojnë se Jezui është ringjallur, ndonëse Ai u kishte thënë shpeshherë se kështu do të ndodhte. Të hutuar, të dy kthehen në shtëpi, por Maria, e cila është kthyer te varri, qëndron.

Ndërkohë, ashtu siç i ka urdhëruar engjëlli, gratë e tjera po nxitojnë t’u tregojnë dishepujve se Jezui është ringjallur. Ndërsa janë duke vrapuar me sa fuqi që kanë, Jezui i takon dhe u thotë: «Tungjatjeta!» Duke rënë para këmbëve të tij, ato i japin nderim. Pastaj Jezui thotë: «Mos kini frikë, shkoni të lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile dhe atje do të më shohin.»

Më parë, kur kishte rënë tërmeti dhe ishin shfaqur engjëjt, ushtarët që bënin roje ishin tronditur dhe ishin bërë si të vdekur. Pasi e morën veten, ata shkuan menjëherë në qytet dhe ua treguan ngjarjen krerëve të priftërinjve. Pas konsultimit me «pleqtë» e judenjve, u mor vendimi që të përpiqeshin ta mbanin çështjen të fshehtë, duke u dhënë ryshfet ushtarëve. Ushtarëve u dhanë këtë udhëzim: «Thoni: ‘Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim.’»

Pasi ushtarët romakë mund të dënoheshin me vdekje nëse flinin në vendrojë, priftërinjtë premtuan: «Në qoftë se kjo i shkon në vesh guvernatorit, ne do ta bindim dhe do të bëjmë në mënyrë që ju të mos keni merak.» Pasi ryshfeti ishte shumë i majmë, ushtarët vepruan ashtu siç ishin udhëzuar. Si rezultat, lajmi i rremë i vjedhjes së trupit të Jezuit u përhap gjithandej midis judenjve.

Maria Magdalena, e cila ka qëndruar te varri, është zhytur në hidhërim. Ku mund të jetë Jezui? Duke u përkulur përpara për të parë brenda varrit, ajo shikon dy engjëjt me të bardha, të cilët janë rishfaqur. Njëri është ulur në krye dhe tjetri në fund të vendit ku ishte prehur trupi i Jezuit. «O grua, pse po qan?»—pyesin ata.

«Sepse e kanë hequr Zotin tim,—përgjigjet Maria,—dhe nuk e di ku e kanë vënë.» Pastaj, ajo kthehet dhe shikon dikë që përsërit të njëjtën pyetje: «O grua, pse po qan?» Gjithashtu, ai e pyet: «Kë kërkon?»

Duke menduar se ky duhet të jetë kujdestari i kopshtit në të cilin gjendet varri, ajo i thotë: «Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr.»

«Mari!»—thotë ai. Dhe menjëherë, nga mënyra miqësore në të cilën i flet, ajo e kupton se është Jezui. «‘Rabboni!’ (që do të thotë Mësues)»,—thërret ajo. Dhe me një gëzim të papërmbajtshëm, kapet pas tij. Por Jezui i thotë: «Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita tek Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe tek Ati juaj, te Perëndia im dhe te Perëndia juaj.»

Tani, Maria vrapon për në vendin ku janë mbledhur apostujt dhe dishepujt e tjerë. Dëshmisë që tashmë kanë dhënë gratë e tjera, të cilat e kanë parë Jezuin e ringjallur, i shtohet edhe tregimi i saj. Megjithatë, këta burra, që nuk i besuan grave të para, me sa duket nuk i besojnë as Marisë. Mateu 28:3-15; Marku 16:5-8; Luka 24:4-12; Gjoni 20:2-18.

▪ Pasi e gjejnë varrin bosh, çfarë bën Maria Magdalena dhe çfarë u ndodh grave të tjera?

▪ Si reagojnë Pjetri dhe Gjoni kur e gjejnë varrin bosh?

▪ Kë takojnë gratë e tjera gjatë rrugës kur shkojnë të njoftojnë dishepujt për ringjalljen e Jezuit

▪ Çfarë u kishte ndodhur ushtarëve që ishin roje dhe si u prit raportimi i tyre nga priftërinjtë?

▪ Çfarë ndodh kur Maria Magdalena është vetëm te varri dhe si reagojnë dishepujt ndaj dëshmive të grave?