Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezui bën një mrekulli Ushqen mijëra njerëz

Jezui bën një mrekulli Ushqen mijëra njerëz

Kapitulli 52

Jezui bën një mrekulli Ushqen mijëra njerëz

UDHËTIMI i predikimit nëpër Galile ka qenë i jashtëzakonshëm dhe 12 apostujt janë kënaqur shumë. Tani, pak pas ekzekutimit të Gjonit, ata kthehen te Jezui dhe i tregojnë përvojat e mrekullueshme që kanë pasur. Duke parë se ata janë të lodhur dhe se ka një vajtje-ardhje të tillë njerëzish, saqë nuk kanë kohë as për të ngrënë, Jezui thotë: ‘Le të veçohemi mënjanë, në ndonjë vend të vetmuar, ku të keni mundësi për të pushuar.’

Duke hipur në barkë, ndoshta afër Kapernaumit, ata drejtohen për në një vend të parrahur, me sa duket në lindje të Jordanit, matanë Betsaidës. Megjithatë, shumë njerëz i shohin kur largohen dhe shumë të tjerë e marrin vesh këtë gjë. Të gjithë turren para, përgjatë bregut dhe kur barka arrin atje njerëzit janë duke i pritur.

Pasi zbret nga barka dhe sheh turmën e madhe, Jezui preket dhe ndjen dhembshuri, sepse njerëzit janë si delet pa bari. Kështu, ai shëron të sëmurët që ndodhen mes tyre dhe fillon t’u mësojë shumë gjëra.

Koha kalon shpejt dhe dishepujt vijnë te Jezui dhe i thonë: «Ky vend është i shkretë dhe tashmë është vonë. Lejoi këta njerëz që të shkojnë në fushat dhe në fshatrat rreth e qark që të blejnë bukë, se s’kanë gjë për të ngrënë.»

Por duke iu përgjigjur, Jezui thotë: «U jepni ju të hanë!» Pastaj, meqënëse tashmë e di çfarë do të bëjë, ai vë në provë Filipin, duke e pyetur: «Ku do të blejmë bukë që këta të hanë?»

Nga pikëpamja e Filipit, situata është pa rrugëdalje. Në fakt, janë rreth 5.000 burra dhe ndoshta, gjithsej bëhen mbi 10.000 njerëz, duke përfshirë edhe gratë e fëmijët! Duke u përgjigjur, Filipi thotë se as «dyqind denarë [një denar ishte atëhere baraz me një pagë ditore] bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili të ketë një copë».

Ndoshta për të treguar se është e pamundur të ushqehen kaq shumë njerëz, Andrea shpjegon: «Këtu është një djalosh i vogël që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël,—dhe shton,—por ç’janë këto për aq njerëz?»

Është pragu i Pashkës së vitit 32 të e.s. dhe meqënëse është pranverë, vendi është plot me bar të njomë. Kështu, Jezui i dërgon dishepujt që t’u thonë njerëzve të rehatohen mbi bar, në grupe me nga 50 dhe 100 veta. Ai merr pesë bukët dhe dy peshqit, shikon drejt qiellit dhe bën një lutje. Pastaj fillon të thyejë bukët dhe të ndajë peshqit. Këto ua jep dishepujve, të cilët, nga ana e tyre, ia shpërndajnë njerëzve. Çuditërisht, të gjithë njerëzit hanë derisa ngopen!

Pas kësaj, Jezui u thotë dishepujve: «Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë.» Kur e bëjnë këtë, ata mbushin plot 12 shporta me atë që ka mbetur nga ajo që kanë ngrënë! Mateu 14:13-21; Marku 6:30-44; Luka 9:10-17; Gjoni 6:1-13.

▪ Përse Jezui kërkon një vend të vetmuar për apostujt e tij?

▪ Ku i çon Jezui dishepujt dhe pse nuk arrijnë të bëjnë pushimin e nevojshëm?

▪ Për çfarë e nxitin dishepujt Jezuin kur bëhet vonë, por në ç’mënyrë kujdeset ai për njerëzit?