Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezui denoncon kundërshtarët e tij

Jezui denoncon kundërshtarët e tij

Kapitulli 109

Jezui denoncon kundërshtarët e tij

JEZUI i ka prapësuar kundërshtarët e tij fetarë deri në atë pikë, saqë ata nuk guxojnë ta pyesin mbi ndonjë gjë tjetër. Kështu, ai e merr vetë iniciativën për të zbuluar injorancën e tyre. «Ç’mendoni për Krishtin?—pyet ai.—Biri i kujt është?»

«I Davidit»,—përgjigjen farisenjtë.

Edhe pse nuk e mohon se Davidi është paraardhësi sipas mishit i Krishtit apo Mesisë, Jezui pyet: «Atëherë, si është e mundur që Davidi, nën frymëzim, [në Psalmin 110] e quan atë ‘Zotëri’, duke thënë: “Jehovai i tha Zotërisë tim: ‘Ulu në të djathtën time, derisa unë t’i vë armiqtë e tu nën këmbët e tua?’ ” Nëse Davidi, pra, e quan ‘Zotëri’, si mund të jetë ai biri i tij?»—BR.

Farisenjtë qëndrojnë në heshtje, sepse ata nuk e njohin identitetin e vërtetë të Krishtit apo të të mirosurit. Mesia nuk është thjesht një pasardhës njerëzor i Davidit, siç besojnë me sa duket farisenjtë, por ai ekzistonte në qiell dhe ishte më i lartë se Davidi, ishte Zotëria i tij.

Tani, duke iu drejtuar turmës dhe dishepujve të tij, Jezui i paralajmëron në lidhje me skribët dhe farisenjtë. Meqenëse ata mësojnë Ligjin e Perëndisë dhe «ulen mbi katedrën e Moisiut», Jezui i nxit: «Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka që t’ju thonë.» Por, ai shton: «Por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë.»

Ata janë hipokritë dhe Jezui i denoncon pothuajse me të njëjtat terma që përdori disa muaj më parë, ndërsa ishte për drekë në shtëpinë e një fariseu. «Të gjitha veprat e tyre,—thotë ai,—i bëjnë për t’u dukur nga njerëzit.» Dhe jep disa shembuj, duke vërejtur:

«Ata i zmadhojnë kutitë që përmbajnë shkrime, të cilat i mbajnë si mbrojtje.» (BR) Këto kuti relativisht të vogla, që mbahen në ballë ose në krah, përmbajnë katër fragmente të Ligjit: Dalja 13:1-10, 11-16 dhe Ligji i përtërirë 6:4-9; 11:13-21. Por farisenjtë i rritin përmasat e këtyre kutive, për të krijuar përshtypjen se janë të zellshëm ndaj Ligjit.

Jezui vazhdon duke thënë se ata «i zgjatin thekët e rrobave të tyre». Te Numrat 15:38-40 izraelitët urdhërohen të bëjnë thekë në rrobat e tyre, por farisenjtë i bëjnë thekët e tyre më të gjatë se çdo njeri tjetër. Çdo gjë e bëjnë për t’u dukur! «[Ata] duan kryet e vendit»,—deklaron Jezui.

Mjerisht, kjo dëshirë për të qenë të shquar, ka ndikuar edhe mbi dishepujt e tij. Prandaj, ai këshillon: «Por ju mos lejoni që t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është mësuesi juaj; . . . dhe ju të gjithë jeni vëllezër. Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej. As mos lejoni që t’ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti.» Dishepujt duhet të çlirohen nga dëshira për të qenë të parët! «Më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj»,—këshillon Jezui.

Pastaj, ai i shpall të mjerë skribët dhe farisenjtë disa herë me radhë, duke i quajtur në mënyrë të përsëritur hipokritë. Ai thotë se ata e ‘mbyllin mbretërinë e qiejve para njerëzve’ dhe se janë njerëz që ‘gllabërojnë shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëjnë lutje të gjata’.

«Mjerë ju, udhëheqës të verbër»,—thotë Jezui. Ai i dënon farisenjtë për mungesën e vlerave frymore, e cila bëhet e dukshme nga dallimet arbitrare që bëjnë. Për shembull, ata thonë: «Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s’është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar.» Duke i dhënë më shumë rëndësi arit të tempullit sesa vlerës frymore që ka ai vend adhurimi, ata zbulojnë verbërinë e tyre morale.

Pastaj, siç ka bërë edhe më parë, Jezui i dënon farisenjtë, sepse lënë pas dore «gjërat më të rëndësishme të Ligjit, domethënë, drejtësinë, mëshirën dhe besueshmërinë» (BR), ndërkohë që janë shumë të kujdesshëm për të paguar të dhjetën ose një të dhjetën pjesë të barërave të parëndësishme.

Jezui i quan farisenjtë ‘udhëheqës të verbër që filtrojnë mushkonjën, por gëlltitin devenë’! (BR) Ata e filtrojnë verën kur në të bie një mushkonjë, jo thjesht sepse është një insekt, por sepse ajo është e papastër në aspektin ceremonial. Megjithatë, shpërfillja nga ana e tyre e gjërave më të rëndësishme të Ligjit, mund të krahasohet me gëlltitjen e një deveje që është, gjithashtu, një kafshë e papastër në aspektin ceremonial. Mateu 22:41–23:24; Marku 12:35-40; Luka 20:41-47; Levitiku 11:4, 21-24.

▪ Përse qëndrojnë të heshtur farisenjtë, kur Jezui i pyet mbi atë që tha Davidi në Psalmin 110?

▪ Përse farisenjtë i zmadhojnë kutitë që përmbajnë shkrime dhe thekët e rrobave të tyre?

▪ Çfarë këshille u jep Jezui dishepujve të tij?

▪ Çfarë dallimesh arbitrare bëjnë farisenjtë dhe si i dënon Jezui për lënien pas dore të gjërave më të rëndësishme?