Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezui dhe astrologët

Jezui dhe astrologët

Kapitulli 7

Jezui dhe astrologët

NJË grup burrash vijnë nga Lindja. Ata janë astrologë, njerëz që pohojnë se interpretojnë vendndodhjen e yjeve. Ndërsa ishin në vendin e tyre në Lindje, ata kishin parë një yll të ri dhe e kanë ndjekur për qindra kilometra me radhë deri në Jerusalem.

Sapo mbërrijnë në Jerusalem, astrologët pyesin: «Ku është mbreti i judenjve që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij kur ishim në lindje dhe erdhëm të përkulemi para tij.»—BR.

Kur e dëgjon këtë, mbreti Herod mërzitet së tepërmi. Prandaj, thërret krerët e priftërinjve dhe i pyet se ku duhet të lindë Krishti. Në bazë të Shkrimeve, ata përgjigjen: «Në Bethlehem.» Pasi mëson këtë, Herodi thërret astrologët dhe u thotë: «Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën dhe kur ta gjeni më njoftoni që të vij edhe unë të përkulem para tij.» (BR) Por në fakt, Herodi e kërkon fëmijën për ta vrarë!

Pasi ata nisen, ndodh diçka e çuditshme. Ylli që kishin parë në Lindje ecën përpara tyre. Natyrisht, ai nuk është një yll i zakonshëm, por është dërguar posaçërisht për t’i udhëhequr. Astrologët vazhdojnë ta ndjekin derisa ai ndalon pikërisht mbi shtëpinë ku po qëndrojnë Jozefi dhe Maria.

Kur hyjnë në shtëpi, ata gjejnë Marinë dhe fëmijën e saj të vogël, Jezuin. Në atë moment ata përkulen të gjithë para tij dhe nxjerrin nga çantat e tyre dhurata: ar, temjan dhe mirrë. Më vonë, kur janë gati të kthehen dhe t’i tregojnë Herodit se ku është fëmija, Perëndia i paralajmëron me anë të një ëndrre, që të mos e bëjnë një gjë të tillë. Prandaj, ata nisen për në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.

Si mendoni, kush e ka vendosur yllin që lëvizte në qiell për të udhëhequr astrologët? Mos harroni, ylli nuk i drejtoi ata drejt e në Bethlehem, tek Jezui. Përkundrazi, ai i udhëhoqi për në Jerusalem, ku ata u takuan me Mbretin Herod, i cili donte ta vriste Jezuin. Dhe ai do ta kishte bërë këtë, në qoftë se Perëndia nuk do të kishte ndërhyrë duke i paralajmëruar astrologët që të mos i tregonin Herodit se ku ishte Jezui. Ai që donte vdekjen e Jezuit ishte armiku i Perëndisë, Satana Djalli dhe për këtë arsye ai e përdori atë yll në përpjekje për të plotësuar qëllimin e tij. Mateu 2:1-12; Mikea 5:2.

▪ Çfarë gjëje na bën të kuptojmë se ylli që panë astrologët nuk ishte i zakonshëm?

▪ Ku është Jezui kur e gjejnë astrologët?

▪ Si e dimë se ylli që udhëhoqi astrologët ishte vepër e Satanait?