Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezui dhe një sundimtar i ri i pasur

Jezui dhe një sundimtar i ri i pasur

Kapitulli 96

Jezui dhe një sundimtar i ri i pasur

NDËRSA Jezui vazhdon udhëtimin drejt Jerusalemit, përmes krahinës së Peresë, një burrë i ri vrapon dhe bie në gjunjë para tij. Ky burrë thuhet se është një sundimtar dhe kjo ndoshta do të thotë se ai ka një pozitë me rëndësi në sinagogën lokale ose madje se është një anëtar i Sinedrit. Gjithashtu, ai është shumë i pasur. «Mësues i mirë,—pyet ai,—çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?»

«Përse më quan i mirë?—përgjigjet Jezui.—Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.» Duket se i riu e përdor termin «i mirë» si titull, prandaj Jezui i bën të ditur se ky titull i përket vetëm Perëndisë.

«Tani,—vazhdon Jezui,—në qoftë se ti do të hysh në jetë, zbato urdhërimet.»

«Cilat?»—pyet burri.

Duke cituar pesë nga Dhjetë Urdhërimet, Jezui përgjigjet: «Mos vraj, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin dhe nënën tënde.» Dhe duke shtuar një urdhërim akoma më të rëndësishëm, Jezui thotë: «Duaje të afërmin tënd si veten tënde.»

«Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini;—përgjigjet plot sinqeritet burri,—çfarë më mungon tjetër?»

Duke dëgjuar kërkesën e zjarrtë dhe me gjithë zemër të këtij burri, Jezui ndien dashuri për të. Por ai shquan tek i riu dashurinë për zotërimet materiale dhe për këtë arsye nxjerr në pah këtë nevojë të tij: «Një gjë të mungon; shko, shit çdo gjë që ke dhe jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell, dhe eja e bëhu ithtari im.»—BR.

Jezui shikon, pa dyshim me keqardhje, ndërsa burri ngrihet dhe largohet thellësisht i trishtuar. Pasuria e tij e verbon, duke mos e lejuar të shohë vlerën e thesarit të vërtetë. «Sa e vështirë është,—thotë Jezui me keqardhje,—për ata që kanë pasuri, të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë!»

Fjalët e Jezuit i habitin dishepujt. Por ata befasohen edhe më tepër, kur ai, duke vazhduar, shpall një rregull të përgjithshëm: «Është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, sesa të hyjë një i pasur në Mbretërinë e Perëndisë.»

«Atëherë kush vallë mund të shpëtohet?»—duan të dinë dishepujt.

Duke i ngulur sytë mbi ta, Jezui përgjigjet: «Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë.»

Duke vërejtur se ata vetë kanë bërë një zgjedhje krejt të ndryshme nga ajo e sundimtarit të ri të pasur, Pjetri thotë: «Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndoqëm.» Prandaj pyet: «Çfarë do të fitojmë pra?»

«Në rikrijim,—premton Jezui,—kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, edhe ju që më keni ndjekur do të uleni në dymbëdhjetë frone, duke gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.» (BR) Po, Jezui tregon se do të ketë një rikrijim të kushteve mbi tokë, në mënyrë që çdo gjë të kthehet siç ishte në kopshtin e Edenit. Dhe Pjetri e dishepujt e tjerë do të marrin si shpërblim sundimin bashkë me Krishtin, mbi këtë parajsë që do të shtrihet në të gjithë tokën. Natyrisht, për një shpërblim të tillë ia vlen të bëhet çfarëdolloj sakrifice!

Megjithatë, edhe tani ka shpërblime, siç pohon me vendosmëri Jezui: «Nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit, a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin, që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje dhe në botën e ardhshme, jeta e përhershme.»

Siç premton Jezui, kudo që shkojnë në botë, dishepujt e tij gëzojnë një marrëdhënie të tillë me bashkë të krishterët, që është më e ngushtë dhe më e çmuar se ajo që gëzojnë me anëtarët e familjes. Sundimtari i ri e i pasur, me sa duket e humb, si këtë shpërblim, ashtu edhe atë të jetës së përhershme në Mbretërinë qiellore të Perëndisë.

Pas kësaj, Jezui shton: «Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët.» Çfarë do të thotë ai me këtë?

Ai do të thotë, se shumë njerëz që janë «të parë» në pasjen e privilegjeve fetare, të tillë si sundimtari i ri e i pasur, nuk do të hyjnë në Mbretëri. Ata do të jenë «të fundit». Por shumë të tjerë, duke përfshirë edhe dishepujt e përulur të Jezuit, të cilët farisenjtë e vetquajtur të drejtë i shohin me përbuzje sikur të ishin «të fundit», njerëz të dheut ose am ha’aʹrets, do të bëhen «të parët». Ata do të bëhen «të parët» në kuptimin që do të jenë bashkësundimtarë me Krishtin në Mbretëri. Marku 10:17-31; Mateu 19:16-30; Luka 18:18-30.

▪ Me sa duket, ç’lloj sundimtari është pasaniku i ri?

▪ Përse Jezui nuk pranon të quhet i mirë?

▪ Si e ilustron përvoja e sundimtarit të ri rrezikun që ekziston kur dikush është i pasur?

▪ Çfarë shpërblimesh premton Jezui për ithtarët e tij?

▪ Në ç’kuptim të parët bëhen të fundit dhe të fundit, të parët?